Filmi i metrazhit të gjatë artistik ‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji nga Norika Sefa, i cili premierën botërore e kishte në festivalin ndërkombëtar të filmit të Roterdamit (IFFR), duke u bërë filmi i parë Kosovar që mori pjesë në këtë festival, ndër më të mëdhenjtë ndërkombëtarë, tashmë është shpërblyer me çmim në Festivalin e Filmit në Trieste, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nga Besnik Krapi i cili postoi një video nga momenti në festival si dhe një mbishkrim.
“Në kërkim të Venerës merr çmimin Cineuropa në Festivalin e Filmit në Trieste. Cast dhe grupi, unë ju dua juve”, shkruan Krapi në rrjetet sociale.
Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazha Stefan Stabenoë, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha.
“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i prodhuar nga Circle Pruduction me bashkëproducent Igor Popovski dhe Gazmend Nela. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com
Artisti Jakup Ferri do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Edicionin e 59-të të Bienales së Artit në Venedik për vitin 2022, ndërsa kuratore do të jetë Inke Arns.
Për të përcjellë përgatitjet dhe parë nga afë punën e artistit, sot në studion e tij qëndroi për vizitë Ministri Hajrulla Çeku dhe këshilltarja Nora Arapi-Krasniqi, ku takuan artistin Jakup Ferrri, kuratoren Inke Arns dhe ekipin e pavijonit.
Ekipi i Kosovës që do të prezantohet në Bienalen e Venedikut, e njoftuan për përgatitjet që janë duke u bërë dhe punës që do të përzgjidhet për prezantim si në Sale D’armi, Arsenale në Venedik.
Artisti Ferri shpalosi pikturat, tapiseritë dhe qëndisjet të cilat i punon së bashku me gratë të cilat vazhdojnë t’i ruajnë këto tradita artizanale.
Ministri Çeku shprehu gatishmërinë e plotë të ministrisë në mbështetje pavijonit që Kosova të prezantohet sa më dinjitetshëm në Venedik. / KultPlus.com
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë alarmin për përhapjen e një nënvarianti të ri të mutacionit Omicron.
Në përditësimin e saj të fundit, OBSH tha se nënvarianti i ri, i quajtur BA.2, është “pasardhës i Omicron”, ky i fundit tashmë variant dominues, shumë ngjitës. Ndryshe nga Omicron, BA.2 aktualisht nuk konsiderohet një “variant shqetësues”.
Por ndërsa përhapet në shumë vende, OBSH-ja po u kërkon qeverive dhe shkencëtarëve në mbarë botën që të “monitorojnë situatën dhe të studiojnë nënvariantin e ri”.
Që nga e premtja e kaluar, BA.2 ishte zbuluar tashmë në të paktën 40 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ai tashmë është përhapur me shpejtësi në Danimarkë, ku raportet e hershme tregojnë se nuk duket të jetë më vdekjeprurës se varianti bazë. Varianti dytësor tani po përhapet me shpejtësi në Mbretërinë e Bashkuar. /abcnews. al/ KultPlus.com
Të shtunën The Weeknd e theu rekordin të cilin e mbante, Justin Bieber, pasi i arriti 85.66 milionë dëgjues në muaj në platformën e njohur muzikore, vetëm disa javë pas lansimit të albumit të pestë të incizuar në studio, “Dawn FM”.
Rekordi i kaluar i Bieberit ishte vendosur me 84 milionë dëgjues.
Ndërkohë, The Weeknd së fundmi i paralajmëroi fansat se “Dawn FM” është pjesë e një trilogjie, dhe një vazhdim i tretë i albumit pritet të lansohet së shpejti.
Krahas publikimit të ballinës së albumit, ku shihet një fotografi e këngëtarit në moshë të shtyrë, The Weeknd u tha ndjekësve të tij në Twitter: “Pyes veten nëse e keni kuptuar se jeni duke e përjetuar një trilogji të re”.
Ylli i hitit “Take My Breath” ende nuk ka dhënë hollësi rreth asaj se cilat albume e përbëjnë këtë trilogji, apo kur do të lansohet vazhdimi i tretë. Sidoqoftë, shumë adhurues besojnë se albumi “After Hours” do të përfshihet në të.
Kantautori i famshëm, emri i vërtetë i së cilit është Abel Tesfaye, në realizimin e albumit “Dawn FM” ka bashkëpunuar me yjet të tillë si, Quincy Jones, Tyler the Creator, Daniel Lopatin, Lil Wayne dhe komediani, Jim Carrey. / KultPlus.com
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka vënë në dispozicion të studiuesve dhe të interesuarve dosjen e Uran Kostrecit, i burgosur politik nga diktatura komuniste.
“Ju thoni liria, në fakt nuk ekziston. Në rast se ka liri, përse atëherë nuk lejohet edhe Shqipëri demokracia, grevat e të tjera si në vende të botës? Këtu nëse flitet kundër partisë ose pushtetit juve të fusni menjëherë në burg. Atëherë, pse thoni ka liri?”.
Mendimet e Uran Kostrecit për barazinë, lirinë dhe demokracinë mund t’i lexoni në dosjen e përpunimit me nr. 5997, deklasifikuar me vendim të KDZH nr. 2, më 22.01.2018.
Uran Kostreci lindi më 1938 në Sarandë. U arrestua më 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961 Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet.
Më 28 qershor 1973 Gjykata e Matit e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botonte për arsye biografie.
Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime me poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty, sepse e mësoi përmendësh.
Uran Kostreci ishte kryeredaktori i parë i gazetës “Liria” gazetë e të përndjekurve politikë, ku solli për herë të parë frymën antikomuniste, lëvroi dhe publikoi dosje, figura, klerikë të persekutuar nga regjimi komunist.
Shkrimtari, poeti, gazetari Uran Kostreci u nda nga jeta në korrik të viti 2021, në moshën 83-vjeçare. / KultPlus.com
Fuggerei, është një qytezë e cila ndodhet në Gjermani dhe duket si idealja për çdo njeri i cili kërkon të nisë një jetë të re, larg zhurmës, smogut e po ashtu shpenzimeve.
Mediat vendase thonë se në këtë zonë qiratë e shtëpive nuk kanë ndryshuar që prej vitit 1521 dhe ato janë vetëm 0.88 euro.
Fuggerei është një qytezë në Augsburg në Bavari, e cila ka vetëm 67 shtëpi, 142 apartamente, një kishë dhe pallatin administrativ. Fuggerei arrin 15.000 metra katrorë dhe është afër qendrës së Augsburger.
Referuar historisë së kësaj qyteze thuhet se ajo u ndërtua në vitin 1521 nga Jakob Fugger dhe prej asaj kohe nisi të popullohej. Jakob asokohe u bë mjaft i pasur pasi merrej me tregtinë metaleve dhe përmes marrëveshjeve ekonomike. E më pas vendosi të krijonte komunitetin.
Deri më sot Fuggerei mbetet vendi me qiranë më të ulët dhe mund të përballohet nga çdo njeri. / KultPlus.com
Shënohen plot 140 vite nga lindja e shkrimtares së njohur, Virginia Woolf, shkruan KultPlus.
Adeline Virginia Woolf ishte një shkrimtare angleze, e konsideruar si një nga autoret më të rëndësishme moderniste të shekullit të 20-të dhe një pioniere në përdorimin e rrjedhës së ndërgjegjes si një mjet tregimi.
Woolf lindi në një familje të pasur në South Kensington, Londër. Nga viti 1897 deri në 1901, ajo studioi klasikët dhe historinë dhe ra në kontakt me reformatorët e hershëm të arsimit të lartë të grave dhe lëvizjes për të drejtat e grave.
E inkurajuar nga babai i saj, Woolf filloi të shkruante profesionalisht në vitin 1900. Pas vdekjes së babait të saj në 1904, familja Stephen u zhvendos nga Kensington në Bloomsbury ku së bashku me miqtë intelektualë të vëllezërve, ata formuan grupin artistik dhe letrar Bloomsbury. Në vitin 1912, ajo u martua me Leonard Woolf, dhe në 1917, çifti themeloi Hogarth Press, i cili botoi një pjesë të madhe të punës së saj. Ata morën me qira një shtëpi në Sussex dhe u transferuan atje përgjithmonë në vitin 1940. Woolf gjithashtu kishte marrëdhënie romantike me gra, duke përfshirë Vita Sackville-West, e cila gjithashtu botoi librat e saj përmes Hogarth Press. Të dyja letërsia e grave u frymëzua nga marrëdhënia e tyre, e cila zgjati deri në vdekjen e Woolf.
Gjatë periudhës ndërmjet luftërave, Woolf ishte një pjesë e rëndësishme e shoqërisë letrare dhe artistike të Londrës. Në vitin 1915, ajo botoi romanin e saj të parë, ‘The Voyage Out’, përmes shtëpisë botuese të gjysmëvëllait të saj, Gerald Duckworth and Company. Veprat e saj më të njohura përfshijnë romanet: Mrs Dalloway (1925), To the Lighthouse (1927) dhe Orlando (1928). Ajo është gjithashtu e njohur për esetë e saj, duke përfshirë: A Room of One’s Own (1929). Woolf u bë një nga subjektet kryesore të lëvizjes së kritikës feministe të viteve 1970 dhe veprat e saj që atëherë kanë marrë shumë vëmendje dhe komente të përhapura për “feminizmin frymëzues”. Veprat e saj janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë. Një pjesë e madhe e letërsisë i kushtohet jetës dhe veprës së saj dhe ajo ka qenë subjekt i dramave, romaneve dhe filmave. Woolf përkujtohet sot nga statujat, shoqëritë kushtuar punës së saj dhe një ndërtesë në Universitetin e Londrës.
Gjatë gjithë jetës së saj, Woolf ishte i shqetësuar nga sëmundja e saj mendore. Ajo u institucionalizua disa herë dhe tentoi vetëvrasjen të paktën dy herë. Sipas Dalsimer (2004) sëmundja e saj karakterizohej nga simptoma që sot do të diagnostikoheshin si çrregullim bipolar, për të cilin nuk kishte asnjë ndërhyrje efektive gjatë jetës së saj. Në vitin 1941, në moshën 59-vjeçare, Woolf vdiq duke u mbytur në lumin Ouse në Lewes.
“Nuk ndjej asgjë për ty Leonard. Siç ta kam shprehur më parë edhe në formë brutale unë nuk kam kurrfarë tërheqje fizike nga ty. Edhe kur më puthe një ditë më parë, nuk ndjeva asgjë. Isha si gur.”
Kështu i shkruante ajo të shoqit të ardhshëm pas propozimit të tij të dytë, kjo në një periudhë disa vjeçare ku asnjëherë Virxhiniës nuk i kishte shkuar në mendje se ai do ta priste aq gjatë dhe do ta propozonte sërish. Vetëm herën e tretë ajo pranoi të martohet me të.
Edhe sot letërkëmbimet e tyre dashurore janë objekt leximi e diskutimi. Po ashtu vetëvrasja e shkrimtares që ka një fund të makthshëm.
Ajo u takua për herë të parë me Leonard Woolf, përgjatë një vizite tek i vëllai. Ishte viti 1900 kur ai vendosi të njihte këtë grua pas disa letrave me Lytton Stachey, mikun e tij, të cilit Virxhinia i kishte refuzuar propozimin për martesë. Ja çfarë i shkruante Leonard Woolf-it teksa ky i fundit punonte në Seilon: “Ajo është gruaja e vetme në botë me një mendje të ndritur. Është një mrekulli që duhet të ekzistojë. Martohu me të.”
Një dasëm e vogël me pak të pranishëm do të zhvillohej të shtunën e 10 gushtit 1912.
Por jeta e Virxhinias nuk qe aspak e qetë. Krizat nervore që në moshën 22 vjeçare do ta mundoni njëra pas tjetrës prej vdekjes së nënës dhe motrës. Ndërsa vetëm pak vjet më vonë vjen edhe vdekja e të atit.
Lufta e saj me jetën dhe depresionin nuk do të reshtte deri më 28 mars të vitit 1941, ku vendosi t’i jepte fund jetës. Jo shumë larg shtëpisë, në lumin Ouse shkrimtarja vendosi të vetëvritet duke u mbytur në lumë pasi mbush xhepat me gurë. Gurë të rëndë si lotët dhe heshtja e saj.
Në mantelin e Virxhinias disa javë më vonë, Leonardi zbuloi këtë letër:
” I dashur!
Jam e sigurt që po çmendemi përsëri. E ndiej senuk mund të përjetojmë dot përsëri një tjetër çast të tmerrshëm si ato. Dhe këtë herë nuk do të shërohem. Filloj të dëgjoj zëra dhe nuk mund të përqëndrohem. Kështu që po bëj atë që më duket se është gjëja më e mirë për të bërë.
Ti më dhe maksimumin e lumturisë. Ke qenë në çdo rast ai që askush tjetër s’do të kish qenë ndonjëherë për mua. Nuk mendoj se dy njerëz do të kishin qenë më të lumtur nga ne deri sa erdhi kjo sëmundje e tmerrshme. Nuk mund të luftoj më. E di që po ta shkatërroj jetën, se pa mua ti mund të ecësh përpara. Dhe do ta bësh, e di.
E sheh, as këtë letër nuk e shkruaj dot si duhet. Nuk arrij të lexoj. Ajo që dua të të them është se të detyrohem gjithë lumturinë e jetës. Ti ke qënë tërësisht i duruar me mua dhe jashtëzakonisht i mirë.
Dua ta them – të gjithë e dinë. Nëse dikush do mund të më shpëtonte, ky do të kishe qenë ti. Tashmë gjithçka më ka humbur, veç sigurisë për mirësinë tënde. Nuk mund të vazhdoj duke ta shkatërruar jetën.
Nuk mendoj se dy njerëz mund të jenë më të lumtur, nga sa kemi qenë ne të dy.” / KultPlus.com
Ka përfunduar faza e parë e ngritjes së Parkut të Artit, në hapësirat e ish-Kinostudios, me fonde të Bashkimit Evropian.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se po punohet për fazën e dytë me fonde të buxhetit të shtetit.
“Ka përfunduar faza e parë e ngritjes së Parkut të Artit, në hapësirat e ish-Kinostudios, me fonde të Bashkimit Evropian. Po punojmë për fazën e dytë, me fonde të buxhetit të shtetit, për t’ia kthyer këtë zonë komunitetit të artistëve dhe atij lokal”, shprehet Margariti.
Projekti mbulon mbi 16 mijë metra katrorë sipërfaqe të jashtme dhe mbi 2100 metra katrorë sipërfaqe të brendshme.
Ky park do të shërbejë jo vetëm si zonë për artin, por edhe për punësimin e artistëve.
Parku i Artit, do ta kthejë hapësirën publike rreth Kinostudios në shërbim të artit dhe komunitetit, duke i dhënë zonës një zhvillim të madh. / KultPlus.com
Ministrat e Bashkimit Evropian, gjatë takimit të mbajtur të martën, pranuan propozimin e Komisionit Evropian për të bërë ndryshime në kriteret për përdorimin e certifikatës COVID-19 për udhëtim brenda bllokut evropian.
Kjo certifikatë ishte vendosur në pranverën e vitit të kaluar me qëllim që të lehtësojë lëvizjen brenda BE-së në kohën kur kishte nisur procesi i vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19.
Por, tash rrethanat kanë ndryshuar dhe BE-ja ka rekomanduar ndryshimin e kritereve për përdorimin e kësaj certifikate. Tash më shumë do të merret parasysh gjendja shëndetësore e personit, të dhënat për vaksinim apo shërim nga virusi, sesa gjendja epidemiologjike e shtetit apo rajonit prej nga ai vjen.
Sipas rekomandimeve të reja, certifikata COVID-19 do të jetë e vlefshme nëse përmban të dhënat se bartësi i saj është i vaksinuar me së paku dy doza. Kjo certifikatë vlen nëntë muaj nga marrja e dozës së dytë të vaksinës, ndërkaq për personat që janë të vaksinuar me dozën përforcuese, vlefshmëria e certifikatës do të jetë e pakufizuar, së paku derisa nuk ka të dhëna të reja shkencore që tregojnë për kohëzgjatjen e mbrojtjes që ofron kjo dozë.
Të vlefshme do të jenë edhe certifikatat që dëshmojnë se bartësit e tyre e kanë kaluar virusin jo më vonë se para gjashtë muajve. Për bartësit e këtyre certifikatave, BE-ja ka propozuar që të mos ketë asnjë kufizim shtesë apo detyrim për testim ose vetizolim.
Në kohën kur shtetet e BE-së po regjistrojnë shifra rekorde të infektimeve për shkak të përhapjes së variantit Omicron, megjithatë blloku evropian sugjeron lehtësime për udhëtime duke marrë parasysh suksesin që kanë arritur disa shtete me fushatën e vaksinimit të qytetarëve të tyre.
Megjithatë, mes shteteve të BE-së ka dallime të mëdha sa i përket nivelit të vaksinimit. Për shembull, në Belgjikë dozën përforcuese e kanë marrë më shumë se 70 për qind e qytetarëve të moshës madhore, ndërkohë në Bullgari dhe Rumani gjysma e qytetarëve ende janë të pavaksinuar.
Këto janë vetëm rekomandime të BE-së, pasi secili shtet anëtar do të vendosë për zbatimin e tyre në shtetet përkatëse. BE-ja tha se shpreson që anëtarët do të zbatojnë këto rekomandime me qëllim që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve. / KultPlus.com
“L’Unità” ka botuar, të premten e 10 nëntorit 1972, në faqen n°10, një shkrim në lidhje me mendimin asokohe të legjendës së futbollit shqiptar (kosovar) Naim Kryeziut për rezultatin e derbit Roma – Lacio, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Kryeziu: Roma është më teknike
Të ftosh Naim Kryeziun për të folur për derbin është njësoj si të nxitësh një fëmijë të luajë me lodrën e preferuar. E bën me entuziazëm, fugë, duke hedhur haptazi qoftë edhe pak nga zemra e tij romaniste në fjalim. Ish-anësori i djathtë i verdhëkuqve i vitit të “Skudetos” aktualisht stërvit djemtë e Almas dhe e bën këtë në mënyrë metodike, me kompetencë, siç e tregon edhe klasifikimi i grupit D të serisë D, i cili e sheh ekipin bardhejeshil në krye të renditjes, me shpresa të shkëlqyera promovimi.
Arritëm të takonim Kryeziun, pikërisht gjatë stërvitjes, në fushën e skuadrës dhe intervista solli vrojtime të mprehta dhe të menduara, tipike të njeriut kompetent dhe modest.
“Unë do të thosha menjëherë – filloi Kryeziu – se kurrë më parë tifozët romakë nuk do të mund të ndjekin një derbi argëtues dhe luftarak si këtë herë. Të dyja skuadrat, në fakt, do të paraqiten në terrenin e Olimpico-s me skeptrin e të parit në renditje; një skeptër i merituar, për më tepër, pasi nga sa kemi parë deri më tani, Roma dhe Lacio bëjnë një lojë të gjallë dhe efektive.
Nuk mund të bëj krahasime – vazhdoi ai – mes lojës së kohës sime dhe asaj aktuale. Nuk e zbuloj ujin e nxehtë nëse them se loja duke adoptuar “metodën” e famshme apo “sistemin” lejonte një manovër më spektakolare. Sot, dy skuadrave kryeqytetase u mungon një anësor i vërtetë, njeriu që sprinton dyzet apo pesëdhjetë metra dhe më pas, pasi ka arritur në fund, lëshon krosin në qendër, një tmerr i vërtetë për portierët e kohës.
Detyrat e lojtarëve në ditët e sotme janë të ndryshme dhe nuk u mungojnë dy skuadrave romake, nëse shkojmë dhe shohim, kampionë autentikë në rolet e tyre. Cordova, për shembull, është thjesht i mrekullueshëm kur lëkundet përpara nga mesfusha, me sytë e kthyer nga sulmi në kërkim të shokut të skuadrës i pambrojtur, dhe më pas i shërben atij me një prekje të thatë dhe të pastër, tipike për lojtarin shumë të talentuar.
Edhe Lacio, besoj, mund të krenohet me lojtarët e vet; sidomos me Chinaglia-n dhe këtu nuk po them asgjë të re.
Është e vështirë të prononcohem për rezultatin e “derbit” të së dielës. Derbet janë përtej çdo parashikimi, por në përgjithësi, besoj vërtet se verdhekuqtë do të përfundojnë fitues. Dhe e imja nuk është një deklaratë e diktuar vetëm nga zemra, ajo buron edhe nga disa konsiderata teknike, që nuk mund të neglizhohen: Romës, për të qenë vërtet e shkëlqyer, i duhen vetëm disa mbrojtës të mirë (pa ofendim për këta aktualë që janë gjithashtu profesionistë të ndershëm) dhe një sulmues. Pjesa tjetër, nga publiku te trajneri, nga mesfushorët te portieri, është gati për ngjitjen në titull.
Përmendja e publikut nuk ishte e rastësishme. Roma është një nga qytetet e pakta që mund të mburret se ka një tifozeri të jashtëzakonshme. Në kohën time stadiumi ishte destinacion, në rastet e mëdha, të 30 mijë njerëzve, tani flitet edhe për një stadium 200 mijë vendesh. Dhe më pas të rinjtë, të cilët janë një forcë jetike për klubet e futbollit. Anzalone, me inteligjencë, vazhdon t’u ofrojë disa lehtësi djemve dhe shpërblehet me një prezencë të vazhdueshme dhe të zjarrtë në tribuna, në çdo rast, ndaj çdo kundërshtari.
Megjithatë, për fat të keq, nuk e di nëse do të jem në tribunë, por zemra ime me siguri do të jetë aty, së bashku me tifozët e Romës, për t’u gëzuar për një fitore të mundshme, në të vërtetë… të sigurt. Veç kësaj, unë që kam përjetuar gëzimin e fitimit të një “Skudeto” me fanellën e verdhekuqve, shpresoj që “ujqërit” të mund të përjetojnë të njëjtin gëzim sa më shpejt, ndoshta këtë vit.”
Dhe në këtë deklaratë të fundit ne marrim leje, duke e lënë këtë njeri në punën e tij që kushedi se çfarë do të jepte për të qenë në gjendje të veshë edhe një herë fanellën me numrin shtatë, të hidhet në fushën vendimtare, të godasë rrjetën nga një distancë prej njëzet metrash, siç bënte tridhjetë vjet më parë.
Pas picave napolitane, ekspresi i famshëm pret që të njihet nga agjencia e OKB-së, si trashëgimi kulturore: Italia do të çojë në UNESCO edhe kafen ekspres.
“Është një ritual autentik dhe një shprehje e socializimit tonë si popull, tipar që na dallon në mbarë botën”, – shprehet Gian Marco Centinaio, nënsekretari për Bujqësinë, duke konfirmuar se aplikimi ishte dorëzuar.
Kafeja ekspres u bë shpejt një pjesë integrale e identitetit kombëtar, pasi u shfaq për herë të parë në Torino, në fund të shekullit XIX.
Konsumimi i një ekspresi, sjell edhe një rast për t’u takuar, për të diskutuar mbi politikën, a futbollin, për të shprehur pakënaqësitë apo ankesat, për t’u pjtuar me dikë ose për t’i paguar borxhin.
Sipas Institutit Italian Espresso, themeluar më 1998 me qëllimin specifik për të mbrojtur dhe promovuar ekspresin origjinal, tregu vlen më shumë se 4 miliardë euro (3.3 miliardë £) në vit. Ndërsa, më shumë se 90 për qind e italianëve, pijnë të paktën një filxhan në ditë.
Rregulloret strikte të institutit për ekspresin e përsosur, përfshijnë përdorimin e një përzierje të çertifikuar kafeje, pajisje të çertifikuara dhe deri te personeli i licensuar.
Tradita e ekspresit italian kërkon që shkuma e lehtë që qëndron në sipërfaqe të pijes “duhet të jetë uniforme dhe e qëndrueshme, për së paku 120 sekonda, nga koha kur kafeja është bërë dhe nuk është përzier ende”.
Ngjyra e ekspresit ideal, duhet të jetë “kafe- lajthi, në kafe të errët dhe karakterizohet nga reflekse të errëta“.
Centinaio thotë, se kandidatura e ekspresit është një mënyrë për të festuar rikthimin në ndërveprimin social në Itali, pas kufizimeve që kushtëzoi pandemia, dy viteve të fundit./konica.al /KultPlus.com
Të prekësh heshtjën tënde siç prek një send, të shohësh thellë në ata sy, ku dashuria hepohet si anije e te mos duash të jesh përherë me ty? Të ecësh me krahun mbi supet e tua e të harrosh oshëtimen e kalter, limonat mbi krye, peshkarexhat si zjarre te nates? Te jesh me ty, tok me ty te qeshesh e mos kuptosh se si perpiqet deti te dale jashte guaskes se vetvetes? Te jesh me ty? Te jesh me ty!/KultPlus.com
Mal Berisha, diplomat me karrierë, i cili misionin e diplomatit e kreu në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, në Irlandën e Veriut dhe në Republikën e Irlandës, duke e arritur një përvojë të jashtëzakonshme të përfaqësimit të shtetit shqiptar, por në një mënyrë edhe të realitetit të Kosovës, vitin e kaluar e botoi librin reprezentativ “Ambasador i pushtetit të butë”, që në fakt iu bashkohet librave të tjerë të tij, siç janë: “Shqiptarët, Lisa mbi truallin Ilir”, studim i plotë i artikujve të botuar në revistë n National Geographic Magazine, të fokusuar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në një hark kohor prej më se 100 vjet (2007); “Shqiptarët, Europianët më të lashtë dhe më të rinj”. (2008); “Amerikani Charles Telford Erickson, një jetë kushtuar Shqipërisë” tre volume, (2012).”Herman Bernstein, Ambasadori U.S në Shqipëri, 1930-1933″ (dhjetor 2014), “Realitetet Shqiptaro – Britanike” është libri i radhës i Berishës, botuar në vitin 2015. Gjithashtu ka përkthyer librat: “Naltësimi i Iskanderit, shkruar nga Benjamin Disraeli, 1833, botuar nga Shtëpia Botuese “KOHA”, Prishtinë, 2018, “Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në Marrëdhëniet Ndërkombëtare Evropiane, 1912-1923” shkruar nga Edith Pierpont Stickney e Universitetit Stanford të Kalifornisë dhe “Shpëtim në Shqipëri”, shkruar nga Harvey Sarner, ku del në pah virtyti shqiptar i “besës” dhe tregon historinë e hebrenjve të mbrojtur në Shqipëri. Pos angazhimit në diplomaci (ishte edhe Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll) një kohë iu bashkua Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA) si dhe në Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës “VATRA”, ndërkaq në vitin 2000 iu bashkua Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Kosovë dhe pas kryerjes së këtij mandati, në Shqipëri u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve Rajonale dhe Iniciativave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, prej nga, pastaj, me dinjitet kryen detyrën e ambasadorit në Londër.
Libri “Ambasador i pushtetit të butë”, me përgatitje solide (me 540 faqe të formatit të madh) vjen si një dhuratë e shkëlqyer për çdo kategori lexuesish, e posaçërisht për kuadrot diplomatike të cilët do të njihen më afër për mundësitë e arritjeve të suksesshme në planin e njohjes të shtetit dhe njerëzve me merita kulturore dhe historike të popullit shqiptar pavarësisht ambienteve gjeografike ku jetojnë. Njohuritë e Mal Berishës, të shtruar në këtë botim të vlefshëm, kanë gjerësi dhe thellësi; vijnë si referenca të njohësit me përpikëri të rrethanave kulturore dhe historike të shqiptarëve kudo qofshin ata, vijnë si mesazhe për të kuptuar esencën e realitetit historik të marrëdhënieve të shqiptarëve me botën dhe, anasjelltas, të botëkuptimeve të botës për shqiptarët. Duke qenë i orientuar në ballafaqimin me botën, Mal Berisha shpalon kujtesën historike, sidomos të autorëve të huaj, dhe i ofron si përmbajtje ekskluzive me të cilat, përkundër intrigave të fqinjëve, shqiptarëve iu jepet mandati i njerëzve me virtyte të jashtëzakonshme. Sipas këtij libri duket se autori i ka dhënë vetit detyrë të qëndrojë gatitu para çdo vlere kombëtare të cilat, me gjuhë të zgjedhur, i ka mbushur faqet e këtij libri të rrallë.
Duke përshkruar rolin e diplomatit në përfaqësimin e shtetit dhe të popullit që i takon, Mal Berisha ka gjetur kohë të mjaftueshme t’i qaset edhe problemeve jetike të Kosovës, sikur duke pasur detyrë primare në punën e tij. Kjo vërehet që nga gjallërimi i përfaqësisë së Kosovës në Turqi, përkatësisht në Stamboll, gjithnjë duke i ndenjur pranë përfaqësuesit të Kosovës Enver Talit, e deri te marrja e drejtpërdrejtë me çështje të Kosovës përmes Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane me Diogardin në krye, në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” , në Misionin e Kombeve të Bashkuara e deri te individët nga Kosova që kanë bërë emër në botë, siç është aktori Bekim Fehmiu, këngëtarja Rita Ora, e tj. Me gjitha këto angazhime, të cilat i mbushin faqet e këtij libri, shpesh me përballje të peripecive të papritura, Mal Berisha ofrohet si portret i njeriut që me mendje e shpirt i përkushtohet kombëtares, shpesh si vetëmohues, siç janë rastet e ngritjes së përmendoreve të Skënderbeut në Londër dhe në fshatin arbëresh Munxhufuni të rajonit Muize të Italisë. Me pak fjalë mund të thuhet se ky libër është një abetare e shkëlqyeshme jo veç për diplomatët, por edhe për të tjerët të cilët brenda faqeve të këtij libri do të gjejnë diapazonin e gjerë të njohurive të autorit mbi çdo gjë shqiptare. /KultPlus.com
Në mbrëmjen e 24 janarit, në Harvard Faculty Club në Library Room, u promovua zyrtarisht libri historiografik në tri volume “Kosova” nga autori dhe historiani Jusuf Buxhovi, shkruan KultPlus.
Në praninë e një numrit të madh pjesëmarrësish, Buxhovi shpalosi pikat më kryesore të librit të tij, tezat hisorike që ngriten e shtjellohen aty, dhe të cilat shpartallojnë në gjenezë gënjeshtrën më madhore anti-shqiptare të sllavëve.
Si një ish-student, Faton Bislimi, ishte i pranishëm në këtë promovim si përfaqësues i Harvard Alumni Association për Kosovë edhe me Asociacionin e Studentëve Shqiptarë në Harvard.
“Si nikoqir të kësaj ngjarje historike, isha jashtëzakonisht i nderuar e krenar me përgjigjen pozitive të shumë studentëve e pjesëtarëve të komunitetit tonë që na u bashkangjitën në promovim”, ka thënë Bislimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.
Bislimi tutje ka shtuar se ndjehet shumë mirë që pas gjithë atyre aktiviteteve dy ditore, arritën të fusin historinë e Kosovës, të mirëfilltë e faktike, në Universitetin e Harvardit, i themeluar në vitin 1638.
“Në këtë kohë kur po thyhen shumë shtiza në gjeopolitikë globale, të flasësh për Kosovën e për kombin shqiptar në kupolen e intelektualizmit akademik në SHBA është vlerë e shtuar për Republikën tonë të re.Një falëmnderim i veçantë për Shoqatën ‘Kosova’ në Boston, bashkë me Gred Brahon (Asociacioni i Studentëve Shqiptarë në Harvard), si dhe pronarin e Restaurantit ALBA në Quincy, MA, për përkrahjen e mikpritjen”, thotë në fund Bislimi.
Buxhovi e ka cilësuar këtë si një tjetër fitore e madhe e depërtimit të historiografisë së Kosovës në universitetet më të njohura botërore. /KultPlus.com
Revista nga Wall Street Journal ka përzgjedhur Dua Lipën si yllin e kopertinës dixhitale për muajin janar, shkruan KultPlus.
Vitin e kaluar, ylli i popit ishte njëra ndër këngëtaret më të dëgjuara në të gjithë botën, derisa tani është duke u bërë gati që të lansoi një podcast dhe gjithashtu po punon në turneun e albumit “Future Nostalgia”.
“Unë gjithmonë e kam atë pikëpamje që ju duhen të jeni më larg zonës suaj të rehatisë në mënyrë që gjërat të shpërblehen për ju”, tha ajo për albumin e saj “Future Nostalgia”, i cili u lansua pak kohë përpara se të fillonte mbyllja e shteteve të ndryshme të botës për shkak të COVID-19, pra, më 27 mars.
“Kështu, kur ndodhi pandemia dhe të gjithë ishin të shqetësuar në qoftë se ne duhet të lansonim albumin, unë thash ta hajë djalli mbase kjo është pikërisht ajo se çfarë na duhet. Kur të gjithë janë në shtëpi, ngase kjo është arsyeja kryesore pse ne duhet ta lasnojmë atë. Ishte e frikshme, sepse nuk e kishe idenë se kur do të përfundonte pandemia, për të gjithë ishte një pikëpyetje e madhe. Por unë e ndjeva se ne duhet ta bënim atë”, ka thënë Lipa për Wall Street Journal.
T’i besoni senseve tuaja dhe atë se çfarë trupi ju thotë, mund edhe të rezultoi e suksesshme, njësoj sikurse rezultoi për Dua Lipën, e cila përmes albumit arriti të transmetohej të shumë vende të ndryshme dhe madje të bëhej artistja e katërt grua më e dëgjuar në platformën “Spotify”.
Madje, ky album është nominuar edhe për çmimet Grammy, për çmimin albumin i vitit. /KultPlus.com
“- Po përpiqem të gjej arsyen, përse njerëzit nuk kanë guxim të vrasin veten. Kjo është. – Si kështu, nuk kanë guxim! Po pse pak vetëvrasje bëhen? – Shumë pak. – Këtë mendim keni?
Nuk mu përgjigj. Qëndroi i menduar dhe pastaj ecejaku nëpër dhomë. – Po ç’i përmbaka njerëzit të vrasin veten, sipas jush? – e pyeta. Më pa i hutuar, si të donte të sillte ndër mend se për çfarë po flasim. – Po ja, dy paragjykime i përmbajnë: një i vogël dhe një shumë i madh. – Cili është i vogli? – Dhembja! – Dhembja? Pse kaq e pamposhtme qenka dhembja në një rast të tillë? – Dhembja është e para. I gjejmë të shfaqur dy llojëshe: janë ata që e vrasin veten o nga pikëllimi i pangushllueshëm, o nga ligësia, o nga çakërdisja, o nga ku di unë se çfarë. Këta pak mendojnë për dhembjen! Janë dhe ata që e bëjnë me mendje të ftohtë, këta mendojnë shumë. – Pse ka që e bëjnë me mendje të ftohtë? – Ka shumë. Po të mos ekzistonin paragjykimet, do të kishte më shumë: do të qenë të gjithë. – A thua të gjithë?
Ai heshti. – Po pse a nuk njihen mënyra të vdesësh pa ndier dhembje? – Përfytyroni, – më tha dhe qëndroi para meje – përfytyroni një gur të kësaj madhësia, sa një shtëpi, ai varet poshtë. Ju jeni nën të: në rëntë, a do ndienit dhembje? – Nga një gur sa një shtëpi? E tmerrshme! – S’e kam fjalën te tmerri, dhembje a do ndienit? – I përmasave të tilla? Kuptohet, asnjë dhembje s’do ndjehej. – Sikur ju vetë të gjendeshit nën të, me siguri, që s’do mbeteshit pa e përfytyruar ç’dhimbje të padurueshme do të ndienit në atë rast. Edhe shkencëtar po të ishit, edhe mjek po të ishit, frikë do kishit. – Po arsyeja e dytë, ajo e madhja? – Bota e matanvarrit. – Domethënë, ndëshkimi? – Bota e matanvarrit, si e tillë. – Po pse nuk ka ateistë të regjur që s’besojnë në botën e matanvarrit?
Përsëri heshti. – Ndoshta niseni nga vetja që flisni kështu? – Jo gjithkush mund të gjykojë nisur nga vetja. – mërmëriti dhe u skuq e u bë flakë. – Liria ka për të qenë e kulluar, kur të jemi shpërfillës ndaj asaj: të rrojmë apo të mos rrojmë. Drejt kësaj duhet synuar. – Duhet synuar? – Po atëherë askush nuk ka për të dashur të jetojë? – Po, askush. – Tha me zë të fortë. – Njeriu ka frikë nga vdekja, sepse e do jetën, ky është mendimi im. – i thashë. – Është ligj i natyrës.
– Poshtërësi është, gënjeshtër është! – sytë i shkrepëtinë dhe i nxorën xixa. – Jeta është dhimbje, jeta është tmerr, njeriu është fatkeq. Njeriu tani jetën e do, sepse e do dhimbjen dhe tmerrin. Këtu dhe fshihet mashtrimi. Njeriu i tanishëm nuk është njeriu që duhet të jetë. Do ketë të rinjë: të lumtur dhe krenarë. Për ta do jetë njëlloj: të rrojn apo të mos rrojnë: ky do të jetë një njeri i ri. Kush del fitimtar mbi dhembjen dhe frikën, ai do të jetë vet perëndi. Kurse të tjerët, s’kanë për të qënë.
– Pra perëndia qenka, sipas jush? – Ai mungon, por për të qenë është. Nën shkëmb s’ka dhimbje, por në frikë nga shkëmbi ka dhimbje. Perëndia është dhimbje, frikë nga vdekja. Kush do ta mposht dhimbjen dhe vdekjen, ai do të bëhet perëndi. Do të jetë një jetë e re ajo, do të jetë njeri i ri, çdo gjë do të jetë e re … Atëherë historinë do ta ndajnë në dy gjysma: nga gorilla deri në zhdukjen e perëndisë dhe nga zhdukja e perëndisë…
– Deri të gorilla? – Deri te këmbimi i tokë dhe i njeriut fizikisht. Njeriu do bëhet perëndi dhe do ndryshojë fizikisht. Edhe bota do ndryshojë, edhe mendimet për të gjitha ndjenjat. Ju si mendoni: a ka për të ndryshuar njeriu fizikisht? – Në qoftë se do të jetë shpërfillës ndaj të jetuarit apo mos të jetuarit, atëherë të gjithë do ta vrasin veten: kështu dhe ka për t’u shfaqur ndryshimi.
– Sidoqoftë, gënjeshtrën do ta vrasin. Kush e do lirinë, si gjënë më kryesore, ai duhet të guxojë ta vrasë veten. Kush guxon ta vrasë veten, ai është perëndi. Është në dorën e secilit që të mos ketë dhe asgjë të mos ketë. Por askush këtë s’e ka bërë. – Vetvrasës ka me miliona. – Veç e kanë bërë me frikë, jo si duhet. E kanë bërë jo për ta vrarë frikën. Kush e vret veten për ta vrarë frikën, ai menjëherë bëhet perëndi.” /KultPlus.com
Kosova ka shënuar progresur duke u ngjitur 17 vende në krahasim me vitin e kaluar në indeksin e perceptimit të korrupsionit, shkruan KultPlus.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon e ka quajtur si shpërblim të vogël për të gjithë në Kosovë.
“Me të vërtetë lajme të mira për Kosovën sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova ka lëvizur lartë për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Shpërblim i vogël për të gjithë në Kosovë”, ka shkruar Von Cramon në “Twitter”.
Për këtë arritje ka pasur një gëzim edhe nga Amabasada e Francës në Kosovë dhe gjithashtu ambasadori gjerman, Jorn Rogde.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) është renditja globale e korrupsionit më e përdorur gjerësisht në botë, e së fundmi Kosova ka shënuar rritje në luftën ndaj korrupsionit. /KultPlus.com
Për sonte, natën e tretë të Festivalit të Dramës Shqiptare, i cili po mbahet në Gjilan, në kuadër të manifestimit ‘Flaka e Janarit 2022’, ka qenë e paraparë shfaqja e Teatrit të Korçës ‘5 ditë mbret’, por organizatori ka njoftuar se shkaku i pandemisë është dashur të bëhet një ndryshim në program.
Shfaqja e natës së tretë ‘5 ditë mbret’ me skenar të Stafan Çapalikut e regji të Gjergj Prevazit, e Teatrit “Andon Zako Çajupi” nga Korça, është anuluar.
Në fakt masat e reja anti-Covid, sipas të cilave kërkohen dy doza të vaksinimit dhe testi për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë, i ka pamundësuar trupës teatrore në Korça që të paraqitet para publikut gjilanas.
Organizatori menjëherë ka ndërmarrë masat për të plotësuar programin e kësaj nate dhe në vend të shfaqjes ‘5 ditë mbret’ do të shfaqet komedia “Hollyshit” me regji të Ilir Bokshit, ku luajnë aktorët Adrian Morina dhe Ylber Bardhi.
Kjo shfaqje është e bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones. /KultPlus.com
Artistja nga Kosova, Elbenita Kajtazi, është duke realizuar një ëndërr e cila ka filluar qysh nga fillet e saja të studimeve, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kajtazi tregon se ka zhvilluar provën e parë me Orkestër.
“Sot kisha provën e parë me Orkestër dhe jam shumë e lumtur që procesit të provave ngadal po i vjen fundi, dhe me 30 janar do kem mundësinë ta debutoj një rol të cilin e kam pasur ëndërr që kur kam filluar studimet”, shkruan ajo.
Kajtazi gjithashtu njofton se ky produksion është modern dhe me shumë domethënie, derisa artistja pritet të debutojë në Hamburg më 30 janar. /KultPlus.com
Se fama e mbretit Arbëror Gjergj Kastrioti i ka tejkaluar shekujt, kohërat dhe kufijtë e kombeve të botës ,shihet nga mënyra se sa shumë autor,kronist,e studiues të historisë të popujve të ndryshëm të botës kanë shkruar për të, madje kanë lënë edhe dorshkrime me vlërë të cilat na shërbejnë ne sot për të nxjerr mesazhin e asaj kohe ,përshkrimin dhe syrin me të cilën është parë kryeheroi ynë i pavdekshëm Gjergj Kastrioti.
Çdo dokument historik që gjejë, më duket sikur por e rikthej një pjesë që kombit tonë i takon që ai jo vetëm ta ringjallë në veten e tij ,në trungun e tij në shpritin e tij,por edhe ta njohë atë epokë të lavdishme në thellësinë e saj.Prandaj edhe ky dorshkrim i rrallë nga kronikat e vitit 1722 (L.A.F,h.e.mdz,Scanderbeg,1722)i bashkohet shume dokumenteve e dorshkrimeve historike që kam gjetë përgjatë viteve rreth historisë së arbërorit më të famshëm ne historinë e europës Gjergj Kastriotit dhe posaçërisht rreth historisë së përjgithshme të kombit tonë arbëror europian. /KultPlus.com
Reshjet e vazhdueshme të borës në shtetin e Turqisë kanë ndikuar që shumë fluturime të pezullohen dhe rrjedhimisht edhe veturat private t’u ndalohet qarkullimi në qytet, shkruan KultPlus.
Për këtë gjë, radhë të gjata janë krijuar edhe për të blerë bukë në furrën më të lirë në Turqi, e cila shet bukën për vetëm 8-9 cent.
Istanbul Halk Ekmek, ose “Buka Publike”, shet një bagutë 250 g (8,8 oz) për 1,25 lira turke (0,09 dollarë), më lirë se në furrat e bukës aty pranë, ku çmimet fillojnë nga 2,50 lira (0,18 dollarë).
Në videon më poshtë shihen edhe radhët e gjata që janë krijuar për të blerë bukë në mot shumë të ftohtë. /KultPlus.com
Si pjesë e bashkëpunimit mes Ministrive të Kulturës në Kosovë dhe Shqipëri, nga data 27 Janar në Galerinë e Ministrinë së Kulturës në Prishtinë hapet ekspozita “After Party” ku punën e tyre e prezentojnë artistët Enkelejd Zonja dhe Vigan Nimani, ndërsa kurator është Zef Paci.
Në këtë ekspozitë, që është përzgjedhë të shpaloset interesi në marrëdhënie me momentin historik të së kaluarës, dy artistët sjellin temat e kohës, kujtesës e perceptimit.
Kjo vënie bashkë e aspekteve dhe qëndrimeve të dy artistëve shqiptarë të rritur ndërmjet dy kulturash të Ballkanit kundrejt realiteteve social-historike të së kaluarës bëhet jo vetëm për të thënë in medio stat virtus.
Të dy ndajnë me njëri-tjetrin por edhe me ne, qëndrimet mbi qënien njerëzore, arkitekturën, ideimin dhe gjurmën e saj, pra, maketin dhe qytetin e njimendtë, monumentin.
“After party” do të qëndrojë e hapur deri më 27 Prill 2022. /KultPlus.com