Qeveria e Kosovës bën dy hapa tutje për jetëzimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës

Qeveria e Kosovës ka miratuar dy propozim-vendime që lidhen me marrëveshjen me Shqipërinë, për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Sipas një njoftimi për media të premten në mbrëmje, Qeveria ka thënë se në një mbledhje elektronike ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes për bashkëfinancim për studimin e fizibilitetit dhe projektidesë për këtë lidhje hekurudhore dhe rekomandimin e presidentes që të nënshkruhet marrëveshja me Shqipërinë për këtë çështje.

“Është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes për bashkëfinancim për studimin e fizibilitetit dhe projekt–idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë, ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë. Pas shqyrtimit është miratuar edhe vendimi për rekomandimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për nënshkrim të marrëveshjes me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë, për bashkëfinancimin për studimin e fizibilitetit dhe projekt–idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Dakordimi për këtë projekt në mes të dy qeverive ishte arritur në mbledhjen e shkuar. Në dhjetor, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, pati njoftuar se projekti është prezantuar edhe në Bruksel. Dy shtetet patën ndarë nga një milion euro për projektin e fizibilitetit.

Qeveria pati thënë se me këtë projekt do të hapen edhe korridore të reja në Evropë, që përfshihet edhe Kosova./ KultPlus.com

‘Festivali Multikulturor’, mishërim i kulturave të etnive të ndryshme që jetojnë në Kosovë

Këtë të premte në Prishtinë filloi Festivali Multikulturor “Të festojmë së bashku, në të cilin për dy ditë do të mbahen aktivitete të ndryshme në Parkun e Qytetit, shkruan KultPlus

Festivali Multikulturor është një ngjarje e tradicionale e organizuar nga organizata joqeveritare “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, dhe qëllimi kryesor i të cilit është ngritja e vetëdijes, promovimi i divesitetit, ndërgjegjësimi për identitetin kulturor të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ofrimi i hapësirës dhe promovimi i artistëve të rinj e po ashtu edhe fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë.

Gjatë edicioneve të mëparshme, festivali ka pritur mbi 5 mijë pjesëmarrës, të cilët kanë pasur mundësinë të dëgjojnë dhe të mësojnë nga ekspertët e fushës për identitetin romë, ashkali dhe egjiptianë, përfshirë këtu edhe shumë tema tjera të cilat zgjuan interes të veçantë. Në fakt ky festival ishte çelësi në ringjalljen e zemrës kulturore, artistike e mbi të gjitha në inkurajimin e njerëzve, që të mendojnë përtej limiteve të tyre të deritanishme.

Amanda Toska nga “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, tha se ky festival synon prezantimin e kulturave të të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë.

“Festivali Multikulturor është një festival tashmë tradicional i cili organizohet për herë të katërt.Qëllimi i këtij festivali ëstë promovimi i traditave, kulturave të të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë, pa dallime”, tha Toska për KultPlus.

I pranishëm në këtë festival që kishte bërë bashkë pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme në Kosovë ishte edhe nënkryetari i Komunës së  Prishtinës, Alban Zogaj.

Ai u shpreh i lumtur për pjesëmarrjen e tij në edicionin e katërt të këtij festivali.

Foto: Voice of Roma, Ashkali and Egyptians

“Vendi ynë është me fat që përbëhet nga shumë bashkësi etnike, Kushtetuta jonë e garanton të drejtën e barabartë juridike e njerëzore për secilin nga në sfidat e shumta që i kemi pasë edhe në këto vitet e fundit, shteti ynë vazhdoi të tregojë forcën e shpirtit të tij human dhe tolerant, duke ikonsideruar dhe vlërësuar të gjitha komunitetet me barazi të plotë”, tha nënkryetari Zogaj.

E krejt në fund në këtë festival u paraqitën disa pika muzikore me valle të komuniteteve boshnjake, turke e shqiptare.

Ndërkaq, Festivali Multikulturor, do të mbahet për dy ditë rresht me programe të larmishme në Parkun e Qytetit në Prishtinë./ KultPlus.com

Foto:Voice of Roma, Ashkali and Egyptians

Japonia do të burgos personat që përhapin ‘gjuhë të urrejtjes’ në internet

Sipas legjislacionit, shkelësit e dënuar për ngacmim kibernetik mund të burgosen deri në një vit, ose të gjobiten para përcjell KultPlus.

Kjo vjen pas vdekjes së yllit të televizionit – Hana Kimura – vetëvrasja e së cilës në maj të 2020 tronditi kombin. Arsyeja e vetëvrasjes raportohet se ishte bullizmi në internet.

Parlamenti i Japonisë ka miratuar legjislacionin të hënën që i bën të dënueshme ‘fyerjet në internet’.

Kjo vjen pas shqetësimit në rritje për bullizmin kibernetik në vend, i shkaktuar nga vetëvrasja e një ylli të televizionit realitet, i cili ishte përballur me abuzimin e mediave sociale.

Amendamenti do të hyjë në fuqi më vonë këtë verë dhe të dënuarit mund të burgosen deri në një vit, ose gjobë prej më shumë se 2 mijë eurosh.

E gjithë kjo bëhet për të parandaluar përdorimin e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale. /KultPlus.com

Çeku pret në takim Badivukun, pianistja që performoi në sallën prestigjioze në ‘Carnegie Hall’

Pianistja nga Kosova, Adea Badivuku, është mirëpritur në takim nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, shkruan KultPlus.

Badivuku bëri të ditur këtë gjë përmes një postimi në “Facebook”, duke falënderuan Çekun për pritjen e ngrohtë, siç thotë ajo.

Postimi i plotë (pa ndërhyrje):

“Faleminderit shume Ministrit te Kultures, Rinise dhe Sportit se Kosoves z.Hajrullah Çeku per pritjen e ngrohte sot! Ndihem shume e lumtur per mundesine e diskutimit te arritjeve dhe sukseseve te mia ne performancen pianistike ne SHBA e mbi te gjitha per mbeshtetjen e iniciativave, projekteve dhe artisteve te rinje!”

“Si pjesëmarrëse e vazhdueshme e garave dhe fituese e çmimeve të shumta, mund të them se çmimi i parë këtë herë në New York dhe performimi në sallën prestigjioze në Carnegie Hall ishte një përjetim përrallor”, kishte deklaruar Badivuku më herët për KultPlus.

Ky është vetëm njëri prej disa sukseseve të shumta që Kosova ka arritur në vitet e fundit përmes pianistëve të ndryshëm. /KultPlus.com

Ikona e ekranit francez, Jean-Louis Trintignant vdes në moshën 91-vjeçare

Jean-Louis Trintignant, një nga aktorët më të njohur francezë që luajti në më shumë se 100 filma, ka vdekur në moshën 91-vjeçare, transmeton KultPlus.

Trintignant u shfaq në Tri ngjyra: Red, Z, Konformisti dhe Amour – i cili fitoi një Oscar dhe Palmën e Artë.

Ylli fitoi simpati të madhe publike në Francë në vitin 2003, pasi vajza e tij Marie u rrah për vdekje nga i dashuri i saj ylli i muzikës rock.

Ai vdiq herët të premten në rajonin jugor Gard “i rrethuar nga të dashurit”, tha gruaja e tij për agjencinë e lajmeve AFP.

I lindur më 11 dhjetor 1930, Trintignant u rrit gjatë fatkeqësive të Luftës së Dytë Botërore dhe u dërgua si një rekrut i ri në Algjeri, atëherë një koloni franceze.

Vitet e hershme sfiduese të Trintignant mendohej se shpjegonin gatishmërinë e tij për të pasur sukses në role sfiduese, duke përfshirë banditë dhe kriminelë, përmes një karriere që përfshin më shumë se gjashtë dekada. /KultPlus.com

GettyImages

Agron Kuka anëtar i bordit të Federatës Evropiane të Xhudos

Trajneri i xhudos, Driton Kuka ka bërë të ditur se zyrtarisht Agron Kuka është bërë anëtar i bordit ekzekutiv të Federatës Evropiane të Xhudos, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook, ai ka shkruar se Agron Kuka do të ketë detyrën specifike të drejtorit sportiv.

“Xhudo e Kosovës ka vlera që i njeh Evropa. Ngjarje me rëndësi për sportin e vendit tonë. Urime kryetarit të federatës tonë për postin, post ky i ofruar nga tashmë presidenti i EJU, Laszlo Thot marrë parasysh vlerësimin që ata bajnë për xhudon e Kosovës”, ka shkruar ai. /KultPlus.com

Osmani takohet me Kovacevskin, diskutohet për BE-në

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, me të cilin  diskutuan për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në mes të dy vendeve dhe përafrimit të qytetarëve të të dy shteteve.

“Raportet tona të shkëlqyera ndërshtetore janë inkurajuese në një kohë përcaktuese për kontinentin tonë. Si Kosova, ashtu edhe Maqedonia e Veriut e kanë vendin në Bashkimin Evropian, prandaj presim që vendet anëtare të BE-së ta përkrahin perspektivën dhe vendosmërinë tonë të qartë”, ka theksuar pas takimit Presidentja Osmani.

Ndryshe, Presidentja Osmani po merr pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me ftesë të Presidentit Pendarovski. Forumi me temën: Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë, mbyllë punimet sonte.

Nga ditari i së premtes

Poezi nga Azem Shkreli

Natën mirë, asgjë s’mundi të ndodhë

gjithë ditën, mezi qe e premte, mezi lindi

pak diell vonë pasdreke sa të jetë

data katërmbëdhjetë, sa të flenë

mbi barin e urtë të Tafr Toskes

xixëllonjat, natën e mirë mundime

sendesh të vogla, flini, unë sonte

vetëm do ta vë një gur fjale nën kokën

e lodhur te ditës, vetëm ujë të verdhë

do të derdh për shëndetin e bimëve

të verdha e do t’vete se asgjë  s’mundi

të ndodhi pos të jetë e premte sa të flene

mbi barin e urtë të Tafr Toskes

xixëllonjat , datë e lënguar, nëse fyshkesh sate

s’do te pershkohesh lakuriq si krimbi

datë e lënguar, po të lë mes numrash

harrimit po të lë dhe vetë po nisem

një mendimi që s’na e fle moshën te premteve. / KultPlus.com

p

Sot FemArt 10 sjell performancën “Vals i këputun” në TKK

FemArt 10 sjell sonte sjell performancën “Vals i Këputun” nga ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

“Vals i këputun” është frymëzuar nga një këngë e vjetër arbëreshe, e cila ka mbetur në kujtesën tonë kolektive prej shekujsh, si një motiv i mjegullt. Kjo reminishencë e turbullt zgjoi interesin për të hulumtuar dhe krijuar në lidhje me kujtime të paplota, imazhe ‘të balsamosura’ nga burime të panjohura. Me valsin ‘e këputun’ si fill lidhës për këto evokime të papritura, thelbi i tyre mbetet i fshehtë, por i gjallë.

‘was bleibt kollektiv’ është një nismë e koreografit të mirënjohur botërisht Gentian Doda. Një bashkëpunim mes artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Fokusi i tyre qëndron në zbulimin e gjendjes njerëzore nëpërmjet lëvizjes (ose mungesës së saj). 

Data: 17 QERSHOR, 2022 / E PREMTE

20:00 – 20:45

Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë

Regjia dhe koreografia:  Gentian Doda

Muzika: Çezar Aliaj

Luajnë: Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci, Elton Cefa

Kostumografia dhe dizajnimi i ndriçimit: Gentian Doda

Produksioni: ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’

Menaxher: Fabrice Edelmann / KultPlus.com

Shënohet Dita Olimpike 2022

Shumë fëmijë sot u bënë bashkë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive.

Atletika, kërcimi për së gjati dhe hedhja e gjyles ishin disa nga disiplinat e sportit që ata praktikuan në kuadër të aktiviteteve të shumta të organizuara nga Komiteti Olimpik i Kosovës për Ditën Olimpike 2022.

Qëllimi i kësaj ngjarje është promovimi i vlerave olimpike, masivizimi i sportit në Kosovë, inkurajimi i fëmijëve të merren me sport.

Të pranishëm ishin ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, përfaqësues të Komunës së Prishtinës, përfaqësues të Federatës së Sportit Shkollor e sportdashës.

Ky aktivitet shënoi përmbylljen e Javës Olimpike 2022, e cila ka nisur që nga 13 qershori. / KultPlus.com

OKB-ja paralajmëron për përkeqësim të situatës humanitare në Ukrainë

Kombet e Bashkuara thanë më 17 qershor se katër muaj pas pushtimit rus të Ukrainës, situata humanitare në lindje të Ukrainës ka arritur në nivel “jashtëzakonisht alarmues” dhe po vazhdon të përkeqësohet.

“Pothuajse katër muaj që prej nisjes së luftës, situata humanitare në mbarë Ukrainën –veçanërisht në Donbas – është jashtëzakonisht alarmuese dhe po vazhdon të përkeqësohet me shpejtësi”, tha përmes një deklarate agjencia humanitare e OKB-së, OCHA.

OCHA tha se situata “është veçanërisht shqetësuese në dhe përreth Severodonjeckut”, qytetit lindor ukrainas, ku për javë të tëra po zhvillohen luftime të ashpra.

“Në Severodonjeck, siç thamë, mijëra persona – përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar – po përjetojnë bombardime të vazhdueshme dhe luftime”, u tha në deklaratë.

“Palët në konflikt nuk kanë arritur një marrëveshje për të lehtësuar evakuimin e sigurt të civilëve apo për të ofruar qasje të punëtorëve të ndihmës, me qëllim që të jepet ndihma urgjente”.

OKB-ja tha se në këtë qytet ka mungesë “të qasjes në ujë të pastër, ushqim, rrymë dhe produkte sanitare”.

Kjo organizatë po ashtu tha se “armiqësitë aktive po vazhdojnë të përshkallëzohen” në lindje të Ukrainës dhe se lufta, “po ka një barrë të rëndë ndaj civilëve, përfshirë edhe punëtorët e ndihmës”.

“Pavarësisht sfidave të mëdha në qasje, OKB-ja dhe partnerët humanitarë kanë arritur të ndihmojnë mbi 8.8 milionë qytetarë në mbarë Ukrainën qëkur ka nisur lufta”, u tha në deklaratë./rel / KultPlus.com

‘Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare’, Azizi: Kjo ekspozitë duhet t’i shërbejë Kosovës ta kthejë kokën kah Sanxhaku

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës është hapur ekspozita ‘Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare” e cila është projekt i shoqatës “Kosova për Sanxhakun” përkrahur nga shoqata humanitare “Sali Çekaj” në Gjermani, përmes të cilës organizatorët po synojnë të paraqesin trashëgiminë kulturore të Sanxhakut të Pazarit të Ri përmes fotografive, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë me kurator Ismet Azizi do të implementohet në fushën e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore, i cili do t’i ekspozojë fotografitë të cilat tregojnë autoktoninë shqiptare në Sanxhakun e Pazarit të Ri.

Në hapjen e ekspozite foli vetë kuratori Azizi i cili thotë se e ka pritur me padurim ditën kur kjo ekspozitë do të hapet edhe në Kosovë.

“Ka një vit që kur ne e kemi shfaqur këtë ekspozitë nëpër treva të tjetra shqiptare si në Mal të Zi, Shqipëri e Maqedoni, por kjo sot e ka peshën e saj më të madhe sepse për herë të parë në Kosovë shfaqet një ekspozitë për një trevë tonën të lënë anash, sanxhaku me 8 mijë kilometra katror, me 90% popullsi me prejardhje shqiptare, ku ende frymon gjuha pjesërisht, por kultura shpirtërore e atij  populli frymon shqip.”, u shpreh Azizi.

Ai më tutje shton se kjo ekspozitë ka pasë jehonë shumë të madhe sidomos në Mal të Zi, Ulqin, Tuz, Malësi të madhe, Shkodër, Lezhë, Tiranë, Lushnje.

“Kjo ekspozitë është një dokument që më shumë ka nevojë për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e Shqipërisë sesa për vetë shqiptarët e Sanxhakut, sepse ata sytë i kanë tek ne dhe ne duhet ta kthejmë kokën dhe të dimë më shumë për ta.”, shtoi kuratori i cili më pas tha se shpreson që kjo ekspozitë të rrugëtojë edhe në qytete të tjera të Kosovës.

Ndërkaq i pranishëm në këtë ekspozitë ishte edhe historianin Hakif Bajrami i cili e konsideron shumë të rëndësishme hapjen e kësaj ekspozite si një urë-lidhëse mes Kosovës dhe Sanxhakut.

“Kjo ekspozitë është mjaft e qëlluar sepse i shërben afrimit të Kosovës me Sanxhakun edhe për një fakt shumë të rëndësishëm që sa më thellë në histori nëse shkojmë, bashkimi, puna, aktiviteti mes Kosovës dhe Sanxhakut ka qenë gjithmonë i përbashkët. Të njëjtin front, kundër të njëjtit okupator, kundër të njëjtave probleme, kështu që me mbajt gjallë përmes fotografisë, fjalës, shkrimit dhe dokumenteve është një borxh që ja kemi të kaluarës, që t’ju tregojmë gjeneratave të tjera.”, tha Bajrami për KultPlus, i cili për fund dha porosinë që Sanxhaku duhet të orientohet kah Tirana dhe Prishtina, në një pjesë të madhe, jo ta injorojnë Sarajevën dhe Stambollin por adresën kryesore ta kenë Prishtinën dhe Tiranën për faktin se ajo pjesë ka qenë shqiptare, ka folur shqip, ka jetuar me plisa, tregojnë edhe fotografitë.

Ekspozita do të ndikojë në masë të duhur tek studentët aktual dhe te ata që vijnë që të merren me studimin e këtij rajoni. Ekspozita mendohet të jetë një kontribut i madh  në ngritjen e vetëdijes kombëtare  shqiptare në këto vise të cilat pothuajse janë krejtësisht të asimiluara. /KultPlus.com

Prishtina Weather paralajmëron se po vjen një stuhi në Kosovë

Prishtina Weather ka njoftuar se një stuhi që po zhvillohet aktualisht në Bosnjë dhe Serbi parashihet të kalojë edhe kah Kosova, raporton Express.

Sipas PW’së, kjo stuhi pritet të sjellë reshje më të mëdha të shiut, breshës apo edhe hove të erës edhe mbi 15/s.

“17.06.2022, 13:45 – Një stuhi po zhvillohet tashmë orëve të pasdites nga pjesë perëndimore të Bosnjë dhe Serbia qëndrore, derisa mbi vendin tonë nga Dukagjini ka zhvillime të rrebesheve të shiut. Orëve vijuese kjo stuhi po parashihet të kaloj mbi vendin tonë, me mundësi që lokalisht të sjellë reshje më të mëdha të shiut, breshër apo edhe hove të erës edhe mbi 15m/s (60km/h)”, thuhet në njoftim./Express/ KultPlus.com

MAC Cosmetics më në fund arriti në Kosovë

Ekskluzivisht në EBC Cosmetics me lokacion në ALBI MALL hapet këndi MAC Cosmetics!

Me rastin e ardhjes, MAC Cosmetics dhuron 100 buzëkuq për 100 klientët e saj të parë!

“All Ages, All Races, All Genders” është motoja e markës me famë botërore MAC Cosmetics dhe përshkruan më së miri se për kë është menduar – për të gjithë!

Kur flasim për markën MAC, flasim për kozmetikë që i fton të gjithë të luajnë me grimin dhe për shkak se nuk përjashton askënd, sot ka miliona fansa në çdo cep të botës.

Sot, MAC është një fenomen global i bukurisë dhe çelësi i suksesit ishte padyshim paketimi elegant minimalist, i cili fokusohej ekskluzivisht tek ngjyrat, nuancat dhe cilësia.

Me gamën e saj të gjerë, cilësinë e lartë dhe qasjen e guximshme, kozmetika MAC ka pushtuar industrinë e bukurisë në vetëm pak vite.

Sot, kozmetika MAC shitet në mbi 120 vende në mbarë botën. Brendin e karakterizojnë disa koleksione në muaj, si dhe bashkëpunime me yje botërorë si Rihanna, Ariana Grande, Giambatista Valli e shumë të tjerë.

Falë make-up artistëve dhe fansave në mbarë botën, MAC sot zë vendin e parë në botë për grim!

MAC tani e gjeni në EBC Cosmetics, Albi Mall./ KultPlus.com

‘Carmina Burana’ vjen premierë në Kosovë në mbylljen e sezonit të Filharmonisë së Kosovës

Kantata e përmasave të mëdha “Carmina Burana” e kompozitorit Carl Orff vjen premierë në Kosovë në mbylljen e sezonit 2021/2022 të Filharmonisë së Kosovës.

Në këtë koncert Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, do të ngjiten në skenë bashkë me Korin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, Korin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Pejës, korin e fëmijëve “Okarina” – Prishtinë, me pjesëmarrjen e solistëve: Adelina Paloja (soprano), Arta Jashari (soprano), Safet Berisha (kontratenor) dhe Xhemil Rexhepi (bas) nën drejtimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa.

Koncerti do të mbahet më datë 26 qershor prej orës 20:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. / KultPlus.com

BKSH, ekspozitë në 140-vjetorin e lindjes së Fan Nolit

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të Konferencës shkencore me rastin e 140-vjetorit të lindjes së një prej personaliteteve më të rëndësishme të kombit, Fan S. Noli, organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, hapi sot një ekspozitë që synon të sjellë në vëmendje kontributin e tij të jashtëzakonshëm.

Kjo ekspozitë nga fondi i Bibliotekës Kombëtare tenton të përmbledhë diapazonin e rrallë të Nolit si njeriu i letrave, dramaturg, poet, shqipërues, publicist, muzikant, por edhe politikan e klerik.

Si njeri i letrave, Noli ka shkruar dhe ka përkthyer tekste të shumëllojshme nga zhanre të ndryshme, si dhe ka kontribuar në publicistikën e kohës si drejtues, redaktor dhe shkrues nëpër disa të përkohshmeve. Nisi duke përkthyer dramaturgji, më pas përktheu Samiun, tekste fetare ortodokse dhe vepra madhore të letërsisë botërore nga Shekspiri, Khajami dhe Cervantesi. / KultPlus.com

“Vallëzimi tradicional shqip” i fëmijëve shqiptarë në New York

Shkolla Shqipe në Staten Island, New York e organizuar nga Shoqata Atdhetare Kraja, Ana e Malit dhe Ulqini, nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare dhe mësimit të këngëve e valleve shqipe, po krijon një traditë të shkëlqyer të ruajtjes së identitetit kulturor e kombëtar të fëmijëve shqiptarë në mërgatën e Amerikës.

Mësueset e vallëzimit tradicional shqip, Hana Demiri dhe Nadia Hoxha, kanë rrëfyer për “Diellin” emocionet e rralla dhe ndjesinë e veçantë me rastin e përfundimit të vitit shkollor 2021-2022.

KËRCIMI E VALLËZIMI SHQIP SI MUNDËSI E RUAJTJES SË TRASHËGIMISË KULTURORE SHQIPTARE

Na duket si ëndërr kjo kohë që ka kaluar, sepse gjithmonë e kemi pasur dëshirën që të shpërndajmë dashurinë tonë për Vallëzim e sidomos për folklorin shqiptar edhe me të tjerët. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajmë se sa të kënaqur jemi me progresin e fëmijëve dhe me dashurinë e sapo gjetur për vallëzim që shohim tek ata nxënës. Ne e duam secilin nxënës dhe mezi presim t’i shohim të përparojnë. Na vjen shumë mirë edhe që ato kanë një krenari dhe dëshirë që përmes kërcimit të ruajnë trashëgiminë kulturore shqiptare.

FËMIJËT DHE EMOCIONET E MAGJISHME…

Në fillim fëmijët kanë pasur turp të kërcejnë dhe të flasin gjuhën shqipe. Kur i kanë mësuar hapat e valleve, fytyrat e tyre shkëlqenin nga lumturia dhe nga krenaria që kanë arritur të bëjnë këtë gjë.

V

ALLE E MUZIKË NGA TREVAT SHQIPFOLËSE

Në vitin e ardhshëm kemi disa valle të tjera për fëmijët. Kemi dëshirë t’i familjarizojmë me të gjitha vallet shqipe. Unë dhe Nadia jemi nga Kraja por edhe fëmijët nga Ana e Malit dhe Ulqini njohin vetëm vallëzimet e tyre. Është me rëndësi që ti lidhim me shumë valle dhe në anë e tjera të Shqiptarisë, Kosovës etj, që të mos kufizohen vetëm në vallet e vendit nga ato janë. Kufijtë nuk mund të na ndajnë prej kulturës tonë, dhe shpresojmë që t’i bëjmë nxënësit ta kuptojnë këtë gjë duke mësuar valle të ndryshme shqiptare.

SHOQATA ATDHETARE KRAJA, ANA E MALIT DHE ULQINI, BASHKËPUNIM TË SHKËLQYER

Prindërit na kanë mbështetur gjatë karrierës sonë të vallëzimit me nxënësit. Kur vendosëm që do të bëheshim mësuese, ato ishin krenar që përdorëm aftësitë tona si valltarë për të mësuar të tjerët. Drejtuesit e Shoqatës Kraja, të Anës Malit, dhe të Ulqinit besuan shumë tek ne që ditën e parë dhe na kanë mbështetur edhe më shumë sepse unë dhe Nadia jemi prej zonave të tyre. Ata dëgjuan çdo kërkesë tonën.

NXËNËSIT I TEJKALUAN PRITSHMËRITË…

Nxënësit i tejkaluan pritshmëritë tona në shumë mënyra. Ata u përparuan shumë në një kohë të shkurtër dhe e dimë që do të vazhdojnë të zhvillojnë aftësitë e kërcimit me një ritëm të shpejtë. Ato e dinë vallen e Krajës, të Ulqinit, të Anës Malit, të Kosovës, dhe Shqipërisë të Jugut. Ato kanë dëshirë të mësojnë edhe Vallen e Kukësit dhe Valle me motive nga Malësia dhe nga Tropoja.

KUSH JANË MËSUESET HANA DEMIRI DHE NADIA HOXHA?

Hana Demiri filloi vallëzimin folklorik në vitin 2014. Nadia Hoxha filloi të kërcente kur ajo ishte pesë vjet dhe ka mbushur vallëzim folklorik në vitin 2016. Kam një pasion të madh për shkencat por edhe për gjuhët e huaja. Në Gusht do filloj vitin e tretë të universitetit duke studiuar shkencën e mjekësisë. Nadia u diplomua këtë vit me një diplomë në “marketing”. Ajo ka një pasion për të punuar me fëmijë të vegjël dhe për të udhëtuar. Të dyja i duam fëmijët dhe jemi shumë krenare për rrënjët tona shqiptare. Kemi dëshirë të shpërndajmë këtë krenari për shqiptarizmin përmes mësimit të këngëve dhe vallëzimit shqip./Dielli/ KultPlus.com

Për herë të parë në Kosovë organizohet gara ndërkombëtare në basketboll 3×3 Challenger

Për herë të parë në Kosovë dhe në rajon më 16 dhe 17 korrik do të organizohet gara ndërkombëtare në basketboll 3×3 Challenger, ku do të marrin pjesë 16 ekipe nga vende të ndryshme të botës, dy ekipe nga Kosova dhe një nga Shqipëria, përcjellë KultPlus.

Për këtë ngjare është mbajtur konferencë për media, në të cilën kanë folur ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe Drejtori i klubit 3×3 Prishtina, Fisnik Juniku.

Ministri Çeku ka theksuar se është i lumtur që po shtohet numri i ngjarjeve ndërkombëtare në Kosovë, duke shtuar që organizime të tilla si kjo e 3×3 Challenger dëshmojnë që Kosova ka kapacitet për të organizuar ngjarje të mëdha.

Ndeshjet do të zhvillohen në Sheshin “Zahir Pajaziti” nga ora 15:00 deri në orën 23:00, ndërsa përveç basketbollit do të ketë edhe perfomanca nga artistë ndërkombëtarë dhe vendorë./ KultPlus.com

Michelle Gurevich me koncert debutues te Lumbardhi në Prizren

E njohur edhe me emrin e saj të dikurshëm të skenës Chinawoman, Michelle Gurevich është këngëtare dhe kantautore kanadeze muzika e së cilës është e ndikuar nga trashëgimia e saj ruse dhe është përshkruar si rock i ngadalësuar dhe “lo-fi pop”.

Duke manovruar mes retro motiveve madhështore dhe një sinqeriteti befasues, këngët e Michelle Gurevich janë tragjikomike, të drejtuara nga melodia, sentimentale dhe të pezulluara në hijeshi. Ajo ndërthurë humorin me realizmin e errët në baladat e mjegullta dhe intime të lëvruara me tekste prerëse dhe fataliste.

Me performanca që rregullisht mbushin sallat në qytete si Stambolli, Berlini, Varshava dhe Athina, Michelle zë vend të veçantë në diasporën e Evropës Lindore, skenën queer të Berlinit dhe ato me shije për baladrinë melodramatike të Charles Aznavour, Zeki Müren dhe Nikolai Sliçenko.

Michelle Gurevich ka prodhuar gjashtë albume në studio dhe së fundmi ka publikuar këngën e saj më të re “Goodbye My Dictator”, duke krijuar referenca të forta me trashëgiminë e saj dhe situatën aktuale politike në Ukrainë.

Biletat për koncert mund të blihen te Kino Lumbardhi në Prizren, në Bubble Pub në Prishtinë dhe në Radio Bar në Tiranë.

Koncerti i Michelle Gurevich te Lumbardhi mbështetet nga Banka Raiffeisen në Kosovë. / KultPlus.com

Lajmi i fundit nga BE-ja: Liberalizimi i vizave po vjen, e them me siguri të plotë por nuk guxoj të përmend datë

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në një intervistë për Euronews Albania deklaroi se anëtarët e BE-së besojnë se Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë.

Diplomati theksoi se nuk mund të thoshte një datë të saktë, por është i bindur se momenti i liberalizimit të vizave për Kosovën është shumë afër.

“Sërish, ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme europiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë”, u shpreh Lajçak.

Lajçak po ashtu tha se javën e ardhshme pritet marrëveshje me rëndësi sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi të dërguarit e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Forumin e Prespës në Ohër të Maqedonisë së Veriut ka takuar të dërguarit e posaçëm  për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, të Mbretërisë së Bashkuar, Stuart Peach dhe të Gjermanisë, Manuel Sarrazin.

Në takim me tre të dërguarit e posaçëm, Presidentja Osmani ka përsëritur se integrimi i Kosovës dhe vendeve të tjera demokratike të rajonit në strukturat euro-atlantike është përgjigja e vetme për ta parandaluar agjendën destablizuese dhe ndikimin keqdashës të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Prandaj, angazhimi i partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor është hapi i duhur drejt rienergjizimit të procesit integrues, i cili siguron paqen e qëndrueshme, sigurinë dhe demokracinë në rajonin tonë”, ka theksuar ndër të tjera, Presidentja Osmani në takim me të dërguarit e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë. Me ftesë të Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Presidentja Osmani po merr pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me temë: Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë, i cili po zhvillon punimet nga data 16 deri 18 qershor në Ohër. / KultPlus.com

Flutura Açka: Edhe i madh në qofsh, nuk je Zoti, atdheun mos e shih si tokë, si pallat si kompani

Shkrimtarja e njohur Flutura Açka është shprehur të jetë e lumtur për paralajmërimin e Festivalit RLIOF të Ramë Lahaj, që këtë vit po shënon edicionin e dytë në Prishtinë, e që tenorin Lahaj e vlerëson si një djalë të supertalentuar të trojeve shqiptare.

Mirëpo, duke u bazuar në zhurmën e fundit të zhvendosjes së festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë, Açka si duket ka thumbuar këtë lëvizje të festivalit, duke thënë se atdheun nuk duhet parë si tokë, si pallat apo si kompani.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Flutura Ackës.

Ramë Lahaj 👏👏

Ndiqeni këtë festival plot klas, të organizuar nga një djalë i supertalentuar i trojeve tona.

[Edhe i madh në qofsh, nuk je Zoti. Atdheun mos e shih si tokë, si pallat, si konçension, si kompani. Ai mund të t’i japë me bujari të gjitha, por në fund, në fundin e fundeve, do të të duhen vetëm dy metra të shtrihesh në paqe, mbi të gjitha, i shpërblyer në dashurinë për të. Ky nuk është patriotizëm i zbrazur, as ka lidhje me emra konkretë, por është materia e njerëzve të mëdhenj.] f.a./ KultPlus.com

EBU konfirmon: Eurovision 2023 nuk do të mbahet në Ukrainë


EBU sot ka konfirmuar se për shkaqe të sigurisë Eurovision 2023 nuk do të mbahet në Ukrainë, bisedimet tashmë kanë filluar me BBC që festivali i vitit të ardhshëm të mbahet në Britaninë e Madhe, përcjellë KultPlus.

Deklarata e EBU mbi organizimin e Eurovizionit 2023:

Pas fitores së tyre në Eurovision Song Contest (ESC) në maj, EBU ka eksploruar opsionet për organizimin e konkursit të vitit të ardhshëm me transmetuesin publik të Ukrainës UA:PBC, i cili më parë organizoi ngjarjen në 2017 dhe 2005.

Është bërë një traditë e njohur që fituesi i Eurovision Song Contest organizon konkursin vitin e ardhshëm, duke siguruar disa kritere, duke përfshirë sigurimin e qëndrueshmërisë së organizimit të ngjarjes dhe sigurinë e të gjithë aktorëve, përfshirë publikun, që janë përmbushur.

Duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme që nga pushtimi rus i vendit fitues të këtij viti, EBU ka marrë kohë për të kryer një vlerësim të plotë dhe studim fizibiliteti si me UA:PBC ashtu edhe me specialistë të palëve të treta, duke përfshirë çështjet e sigurisë.

Eurovision Song Contest është një nga produksionet televizive më komplekse në botë me mijëra që punojnë dhe ndjekin ngjarjen dhe 12 muaj kohë përgatitore e nevojshme.

Pas analizës objektive, Grupi i Referencës, bordi drejtues i ESC-së, ka arritur të marrë këtë vendim me keqardhje të thellë, por duke pasur parasysh rrethanat aktuale, garancitë e sigurisë që kërkohen për një transmetues për të organizuar dhe prodhuar Eurovision Song Contest sipas Rregullave të ESC, Ukraina kësaj radhe nuk mund të jenë vendi adekuat për t’i plotësuar ato.

EBU dëshiron të falënderojë UA:PBC për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre të përzemërt në eksplorimin e të gjithë skenarëve që nga fitorja e Orkestrës Kalush më 14 maj në Torino dhe ndajnë trishtimin dhe zhgënjimin e tyre që Konkursi i vitit të ardhshëm nuk mund të mbahet në Ukrainë.

EBU ka mbështetur UA:PBC në një gamë të tërë zonash që nga pushtimi. Ne do të sigurojmë që kjo mbështetje të vazhdojë në mënyrë që UA:PBC të mund të ruajë shërbimin e domosdoshëm që u ofrojnë ukrainasve.

Si rezultat i këtij vendimi, në përputhje me rregullat dhe për të siguruar vazhdimësinë e ngjarjes, EBU tani do të fillojë diskutimet me BBC-në, si nënkampion i këtij viti, për të pritur potencialisht Konkursin e Këngës së Eurovizion 2023 në Mbretërinë e Bashkuar.

Është qëllimi ynë i plotë që fitorja e Ukrainës të pasqyrohet në shfaqjet e vitit të ardhshëm. Ky do të jetë një prioritet për ne në diskutimet tona me nikoqirët e ardhshëm. / KultPlus.com

“Green Fest” këtë edicion vjen me temën “Tfillo”, si thirrje për kryerjen e detyrave me përgjegjshmëri

Tfillo! Kjo shprehje popullore që na ka shoqëruar që nga fëmijëria, mëton të nxisë individin për të vepruar kundrejt parregullsive në të mirë të tij, mjedisit dhe shoqërisë.

Të tfillosh në kulturën tonë ka kuptime nga më të ndryshmet, por festivali “Green Fest” në bashkëpunim me komunitetin do përqendrohet në trajtimin e tfillimit në kontekstin e sjelljes së njeriut në mjedisin që na rrethon, për trajtimin e çështjeve shoqërore e mjedisore në nivelin lokal e nacional, si dhe si thirrje për kryerjen e detyrave me përgjegjshmëri.

“Green Fest” është festival multidiciplinar që ofron një laryshmëri aktivitetesh duke fuqizuar artin dhe kulturën si medium më tërheqës që do çonte më shpejt drejt ndërgjegjësimit të shoqërisë mbi çështjet mjedisore, ndryshimet klimatike si dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Andaj, ky edicion i “Green Fest” përmes aktiviteteve përcjellëse që do të organizohet në Mitrovicë, do të inkurajojë institucionet dhe qytetarët që të tfillojnë punët e tyre përtej barrierave, përtej vetvetes e familjes, në dobi të shoqërisë e njerëzimit, duke u siguruar qëndrueshmëri gjeneratave të ardhshme.

Tema e edicionit të sivjetmë të ”Green Fest” është motivuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, “Prodhim dhe Konsumim i Përgjegjshëm (SDG12), që njëherit vije si praktikë e vazhdueshme e në sinkronizim me numrin  12-të të edicionit, të festivalit.

Festivali do të organizohet përgjatë 17-23 korrik 2022 në qytetin e Mitrovicës, ndërsa programi më i detajuar do të ndahet së shpejti për publikun e gjerë. / KultPlus.com