“25 gërsheta”, tre arbëreshë në Tiranë sjellin këngët e traditës me motive rok (VIDEO)

Janë arbëreshë dhe këndojnë në gjuhën e tyre. Këngë që ne dhe ata përtej detit, i kanë trashëguar brez pas brezi.

Njihen në Itali si Peppa Marriti Band dhe janë unikë në atë që bëjnë. Sepse nuk bashkojnë vetëm muzikën rrok dhe atë reage, por edhe sepse këndojnë në një gjuhë të veçantë. Ata këndojnë këngë arbëreshe.

https://www.youtube.com/watch?v=GWHlV8N4gYk

“Unë kam mësuar arbërisht nga nëna ime. Ajo është me origjinë shqiptare e në shtëpi më fliste gjithnjë në gjuhën arbëreshe. Madje edhe kur dilnim jashtë komunikonim në këtë gjuhë. Ne që kemi lindur në vendet arbëreshe, gjithnjë pyetemi nga fqinjët e qytetarët e vendit ku jetojmë: Si ka mundësi që flisni një gjuhë si kjo? Çfarë gjuhe është? Është një gjuhë e vjetër? Arkaike, i përgjigjem gjithnjë. Është një shqipe e vjetër kjo që flasim ne, një shqipe që ka 5 shekuj që mbijeton. Kush jam unë që të mos ia përcjell fëmijëve të mi?”

Thonë se për brezin e ri muzika arbëreshe duke më interesante kështu, pra, pak më rrok.

Angelo Conte nuk është i vetmi që kupton, flet dhe këndon në gjuhën arbëreshe. Edhe violinisti i bandës Pino Murano rrëfen për Vizion Plus se muzika e trashëguar e ka ndihmuar të mos e harrojë gjuhën e gjyshërve dhe prindërve të tij.

Francesko nuk është i vetmi Italian në bandë. Demetro është rritur me shokët e tij arbëreshë dhe pjesë të kohës së lirë kishin jo pak herë këngët arbëreshe.

“Kur regjistruam këngët e para isha shumë entuziast, edhe pse ishin këngë që nuk vinin nga tradita ime. Tani jam përfshirë në to. Ndoshta edhe sepse janë krijimet tona. Secili nga ne ka një pjesë muzike në to. Sepse ne të gjithë punojmë bashkë me tekstin, me muzikën, me alternimin e rrokut dhe elementeve rege. Jemi të gjithë në një, me emrin Peppa Marriti”.

https://www.youtube.com/watch?v=yG7RFA-7Fz0

Për tre arbëreshët kjo nuk është hera e parë që vizitojnë Tiranën. Dëshira për të njohur trojet e të parëve i ka sjellë edhe më herët në Shqipëri. / KultPlus.com

Sa më i thellë mjerimi, aq më i afërt është Zoti

“Çka është ferri? Unë mendoj se është vuajtja nga të qenurit i paaftë për të dashuruar.”

“Sa më e errët nata, aq më të shndritshëm janë yjet. Sa më i thellë mjerimi, aq më i afërt është Zoti.”

“E si mund të jetosh, dhe të mos kesh asgjë për të treguar?”

“Heshtja është gjithmonë e bukur, dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet”

“Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar”

“Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë”

“Asgjë në botë nuk është më e vështirë se sa ta flasësh të vërtetën. Asgjë nuk është më e lehtë se lajkatimi.”

“Në mendjen e gjithësecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamudnur të kthehesh mbrapa”.

– Fyodor Dostoevsky

Një japonez e fiton këtë vit çmimin “Nënë Tereza”

Arkitekti japonez Shigeru Ban e ka fituar kësisoj çmimin “Mother Teresa Memorial Award”.

Japonezi ende nuk e ka pranuar çmimin, i cili i takon atij këtë vit, për shërbim humanitar të jashtëzakonshëm ndaj njerëzimit.

Çmimin e ndanë Fondacioni HARMONY me seli në Mumbai. Presidenti i këtij Fondacioni, Abraham Mathai, tha se arkitekti e ka bërë punën e tij me anë të aftësive arkitektonike dhe ka ndihmuar në arkitekturën e vendeve të dala nga lufta dhe katastrofa.

Arkitekti, laureati i çmimit “Nënë Tereza”, do ta marrë çmimin me 10 dhjetor në Mumbai. Ai është 60-të vjeçar ndërsa ka lindur në Tokio. Ai ka marrë edhe çmimin Pritzker – një ndër çmimet më të lakmuara në botën e arkitekturës.

Çmimin në fjalë viteve të kaluara e kanë marrë Malala Yousafzi dhe Dalai Lama, shkruan KultPlus.

Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që vdesin nga HIV/AIDS, gërbula dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahet betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfrit e të varfërve”. / KultPlus.com

Vahide dhe Fadil Hoxha, me paramilitarët e Serbisë te dera

Vahide Hoxha është një ndër gratë më të njohura kosovare në kohën e saj, jo vetëm për faktin se ishte bashkëshorte e Fadil Hoxhës, politikanit dhe udhëheqësit më të njohur kosovar, por sepse kreu funksione të shumta, që nga profesoresha e Normales në Prishtinë deri te kryetarja e Bashkësisë së Kulturës.

Nga Prishtina nuk u nda për rreth gjysmë shekulli.

Vahide Hoxha tregon shumë në librin –“Ecje nëpër kujtesë” të Sanije Gashit, por ne po e sjellim sot vetëm një pjesë kur ajo tregon për kohën e NATO-s dhe hyrjen e paramilitarëve serb në shtëpinë e saj.

– Intervenimin e NATO-s e kaluam në Prishtinë. Ditët e para në shtëpinë tonë, përderisa një mesditë erdhën paramilitarët. Hynë në oborr, trokitën gjatë, ndonja 10 minuta në derën tonë të mbyllur, ndërkohë që Fadili, unë, motra Nahirja dhe Veton (Surroi) qëndronim të përgatitur. Fati deshi që u tërhoqën vazhduan te fqinji pranë, të cilit ia thyen derën. Pas asaj dite, e lëshuam shtëpinë dhe për dy muaj të tjerë, qëndruam në dy shtëpi të tjera.


E marrë nga Besnik Pula / Facebook

Vahidja tregon për një jetë të lumtur krahas bashkëshortit. Pas Demonstratave ´81, Fadil Hoxha atakohet nga ana e komunistëve dhe funksionarëve shtetëror të Republikës Socialiste të Serbisë të cilët më vonë nxisin luftën ballkanike të viteve ´90. Nga mesi i viteve ´80 ai tërhiqet nga jeta politike dhe publike.
Vahidja tregon për bashkëshortësinë me Fadilin.


Oral History Kosovo

– Sinqerisht them se kam kaluar një jetë të lumtur. Jemi marrë vesh për çdo gjë, kemi qenë si shokë. Prandaj, nuk e kam pasur lehtë që pas 56 vjetësh të ndahem prej tij. Ishte vështirë. Por, jam munduar të mbahem. Në cdo skutë të shtëpisë sime janë kujtimet, që më lidhin me të.

Vahide Hoxha (1926-2013) punoi si edukatore gjatë tërë jetës, ishte reformuese dhe aktiviste. E lindur në Prizren në familjen e ngritur Kabashi, së bashku me motrën Rahmije ishin gratë e para shqiptare në Prizren që kishin përfunduar studimet universitare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vahidja u bë aktive në lëvizjen e të rinjve anti-fashiste, shkruan KultPlus.

Pas luftës, Vahidja përfundoi studimet në degën e historisë dhe u aktivizua si mësuese, hulumtuese dhe aktiviste në emancipimin e gruas. Si presidente të Këshillit Kulturor të Kosovës, ajo mbikëqyri krijimin e serive të institucioneve edukative dhe kulturore kudo në Kosovë. Para vdekjes ishte kryetare e Shoqatës së Veteranëve së Luftës Nacionale Anti-fashiste të Kosovës. / KultPlus.com

Ninullë për time më

Poezi e shkruar nga Blaga Dimitrova.

Në darkë lëmoj çarçafët e saj
mbuluar nga rrudhat e thella.
Duart e saj
të fishkura nga të dhënët,
më tërheqin drejt natës.

Gjysmë e fjetur, duke folur me zor,
ajo thotë me një zë fëminor,
aq natyrshëm,
«Mëmë!»
Unë bëhem mëmë e mëmës sime.

Një kataklizëm, përmbysje
e boshteve të tokës,
polet ndryshohen.
Ç’po bëj kështu?! Unë nuk kam kohë
për reflektime filozofike.

E thaj atë me padurim,
zanat që prej saj e kam mësuar.
«Mëmë», pëshpërit ajo e zënë në faj
duke të kujtuar prapësitë e fëmijës.
Ajri i ftohtë hyn në dritare.

Jastëku me korent. Gota. Tabletat.
Rregullimi i hijes së llambës.
«Mëmë mos ik!
Kam frikë nga terri!»
Kush ka luajtur nga mendja, ajo apo unë?

Ngarkuar me dhimbje e frikë, duke qarë
ajo pret ta marr në krahët e mi.
Dy jetime përqafuar
në djepin e dimrit.
Cila nga to jam unë?

Më zgjo nesër herët!
Druaj se nuk më del gjumi!
Zot i shtrenjtë, ka diçka aty
që e kam harruar?
Kush do të jetë vonë, ajo apo unë?

Mëmë, fëmija im, fli!
Nina-nana,
foshnja ime…

Vëllai rrëfen fundin e Mehmet Shehut: U qëllua me armë pasi e helmuan

“Mehmet Shehu është helmuar dhe pastaj është qëlluar me dy plumba”. Kështu është shprehur i vëllai i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, në lidhje me vdekjen ende misterioze të Mehmet Shehut. Sipas tij, urdhri është dhënë nga Enver Hoxha, por këmbëzën e pistoletës e ka shkrepur Kadri Hazbiu.

“Cili është njeriu që ka qëlluar mbi të? Në fillim dukej se çështja ishte e koklavitur, por unë kam bërë hetimet e mia dhe kam pyetur shumë njerëz. Nga të gjitha këto, kam dalë në përfundimin se urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga Enver Hoxha, ndërsa këmbëzën e ka shkrepur ‘Jagoja’, Kadri Hazbiu.

Por, në marrjen e vendimit, ka qenë edhe një i tretë, ‘Hrushovi’, Ramiz Alia. Unë theksoj atë që kam thënë edhe herë të tjera: Të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata që jetonin kur ishte Mehmet Shehu gjallë, por dhe që kanë lindur pasi ai u vra, kam bindjen po t’i pyesësh (se do u kenë treguar nënat, baballarët, gjyshërit) mbi këtë çështje do të thonë se mbi Mehmet Shehun nuk mund të vinte dot dorë njeri, pa lejen e Enver Hoxhës”, është shprehur ai për gazetën “Dita”, një vit më parë.

Sipas tij, “Shumëkush mund të mendojë se urdhri u dha për shkak të fejesës së djalit të tij, Skënderit, me një vajzë nga Turdinjtë, familja e së cilës kishte biografinë me probleme. Por nuk është kështu”. Ai tregon se urdhri për eliminimin e tij është shumë i largët, pasi përpjekjet për eliminimin e tij kanë filluar që në ’48-n. “Ishte Koçi Xoxja me klanin e tij. Pra nuk ishte e rastit vrasja e Mehmet Shehut. Plani për eliminimin e tij ka filluar që në atë kohë”, thotë Duro Shehu.

KUJTIMET

Vite më parë, Duro Shehu botoi një libër kujtimesh “Mehmet Shehu, im vëlla”, (“Bota Shqiptare”), ku ndër tjera rrëfen për ditën e vetë/vrasjen së Mehmet Shehut, takimin me Fiqretin, të bijtë, shërbyesen, etj. Duro Shehu thotë se oficerët e Sigurimit që kishin mbushur vilën e Kryeministrit të vdekur, nuk e kishin lënë t’i afrohej trupit të pajetë të të vëllait, për të parë se si e kishte marrë plumbi.
Në librin e tij, ai rrëfen: “Sa hymë në shtëpi, pyeta Fiqretin se si ndodhi, ç’ngjau? Ajo nuk foli fare, por vuri gishtat e duarve te veshët si për të thënë se shtëpia përgjohej dhe nuk duhej të flisnim. Pyes Vladimirin, djalin e madh të Mehmetit, dhe ai më thotë: “Xhaxhi, nuk dimë gjë. Unë dhe Bardha (gruaja) nuk fjetëm tërë natën. Dhomën e kishim ngjitur me atë të babit, por nuk dëgjuam asgjë”. Pyes Farien, punëtoren që kishte shërbyer 30 vjet në shtëpinë e Mehmetit.
Ajo tha: “Shoku kryeministër ishte shumë mirë, para një jave i kërkoi leje shokut Enver të shkonte për gjah në Elbasan. Vajti në mëngjes dhe erdhi në darkë. Më parë shkonte të shtunave dhe kthehej të dielave në darkë. S’di ç’të them! Kryeministri u vra. Më tepër nuk di ç’të them…”. E pyeta prapë Farien se kush ishte me shërbim mbrëmë këtu. Unë isha në shtëpi, tha. Me shërbim ishte një vajzë e re, ajo që pe ti para se të shkoje në Vjenë, por ajo vajza iku natën, iku natën, nuk e di ku e çuan…

Pyeta Ali Çenon, truprojën kryesore të Mehmetit dhe ai më tha po ato fjalë që ka deklaruar edhe në shtyp: Unë, sipas grafikut të shërbimit, isha në shtëpinë time. Më kërkuan të vija dhe erdha. Pashë që nga dhoma e shokut Mehmet doli Kadri Hazbiu me një çantë të zezë në dorë…
Sipas Gani Kodrës, përgjegjësit për sigurimin e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu në gjyq i kishte mohuar thëniet e Ali Çenos, duke thënë se atë natë ai kishte qenë në ditëlindjen e Elit, sekretares së tij, në Laprakë. Eli e mohoi. Kadriu tha se tek Eli vajti me vonesë… Ku ishte vonuar Kadriu? Në dhomë ku kishin vendosur trupin e Mehmetit ishim ne të shtëpisë që bëheshim gjithsej dhjetë veta që po rrinim dhe 20 e ca oficerë të Sigurimit që rrinin në këmbë e na përgjonin ne.
Nuk njihja asnjërin prej tyre. I them pas një copë here përgjegjësit të tyre: “A mund ta shoh ku e ka marrë plumbi Mehmetin?” “Jo, më thotë. Në asnjë mënyrë. Rri e përgjoje. Vetëm kaq”. Po ta kisha parë plagën e Mehmetit, si ushtarak që isha, mund të kuptoja diçka më shumë, pavarësisht se nuk isha ekspert kriminalist.

* * *

Pak pasi kisha pyetur përgjegjësin e oficerëve të Sigurimit për të parë plagën e Mehmetit, vjen një oficer tjetër i Sigurimit, më nxjerr në dhomën tjetër e më thotë: “Duro, kam urdhër të të them se që tani duhet të shkosh në shtëpinë tënde”.. Mbi varrin e Mehmetit foli Vladimiri, djali i Mehmetit, ndërsa nga Kryeministria nuk u tha asnjë fjalë, nuk u vendos asnjë lule, asgjë.
Nuk u lejuan të merrnin pjesë në varrim të afërm të tjerë të familjes, as miq e shokë që Mehmeti i kishte pasur me shumicë. Ishin marrë masa shumë të rrepta në Tiranë, por sidomos në zonat jugore të vendit. Në Tiranë nga shtëpia e Mehmetit e deri në varreza ishin bërë gardh njerëzit e Sigurimit e të Policisë, të cilët nuk lejonin askënd, jo të kalonte atë gardh të tyre, por as të shikonte”.

INTERVISTA

Pas botimit të kujtimeve të tij “Mehmet Shehu, im vëlla”, Duro Shehu ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën “Panorama”, përmes së cilës ai rikthehet në kohë, duke kujtuar veprimet e para që bëri menjëherë pasi mori vesh vetë/ vrasjen e të vëllait-kryeministër. Duro Shehu, oficer, kishte mundësi të komunikonte me emrat më të pushtetshëm të kohës.
“I telefonova Veli Llakës për të ma sqaruar më mirë lajmin që më kishte dhënë pak çaste më parë. ‘Të lutem, i thashë, më ndihmo të takohem me Kadri Hazbiun’. Në atë kohë ai bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Veliu, pasi më tha se Kadriu ndodhej në zyrë, më premtoi se do t’ia transmetonte kërkesën time. Prita në çaste të tëra në ankth. Shpresoja shumë se kontakti me të do të më orientonte për shumë gjëra. Kishin kaluar gati 40 minuta, kur më telefonoi Veliu e më tha se më priste në zyrë ministri i Mbrojtjes. U nisa me një frymë.
Rrugës sillja ndërmend lloj-lloj dilemash e qëndrimesh për atë që kishte ndodhur. Kadri Hazbiu që do të takoja kishte qenë një nga miqtë më të afërt të Mehmetit dhe familjes sonë. Fakti që pranoi të më takonte, më lehtësoi disi për gjëmën që parandieja. Po, çuditërisht, këtë radhë do të takoja një Kadri tjetër…”, tregon Duro Shehu.
Sipas tij, Hazbiu i kishte thënë vetëm se Mehmeti ishte vetëvrarë dhe arsyeja ishte e bija e Turdive. “Aty për aty, gati pa vetëdije, i thashë se nuk dinim gjë përse bëhej fjalë, po Kadriu, që mesa dukej nuk fliste vetëm në emër të tij, kaloi nga momentet e sqarimit për atë që kishte ndodhur, te porositë zyrtare për atë që duhej të bënim ne familjarët pas këtyre çasteve.

‘Tani, më tha, lajmëro vëllezërit dhe shkoni në shtëpi, te xhenazja. U thuaj se Partia nuk do ta varrosë. Është vetëvrarë, e kjo do të thotë tradhti. Pastaj, me ato që ka bërë për atë fejesën, mund të dalë se ka qenë armik’. Këmbëngula për t’i kërkuar edhe diçka tjetër, me bindjen që tek ai, pavarësisht këtyre rrethanave, nuk mund të ishte fshirë çdo gjë nga lidhjet shpirtërore me Mehmetin, por ishte e kotë.
Atë çast Kadriu u çua në këmbë, hoqi syzat dhe m’u drejtua përmbledhtazi: ‘Është urdhër. Kështu duhet bërë! Mirupafshim!’”. Ai kujton se Hazbiu e kishte porositur që ai vetë, si komunist, nuk duhet të merrte pjesë në varrimin e të vëllait, por vetëm të shkonte në shtëpinë e tij për të përgjuar trupin e pajetë. I ndjekur nga njerëz të Sigurimit ai u drejtua për në shtëpinë ku kishte rënë zia.
“Ishte një urdhër që të linte të kuptoje se ishte pleqëruar me majën e kupolës. Deshifrimi i tij më shkoqur do të thoshte se ceremoninë mortore do ta bënim vetëm ne familjarët. Lajmërova vëllezërit dhe aty nga mbrëmja u nisëm për te banesa e Mehmetit. E gjithë rruga për aty ishte blinduar me policë e roje të armatosura. Në afërsi të vilës, dy autoblinda të Gardës ishin vënë në pozicion luftimi. Në të gjitha godinat përreth, pushkatarë e roje të armatosura vigjilonin si në momente luftimi.

Kaluam mes tyre dhe u gjendëm në banesë. Arkivoli me trupin e pajetë të Mehmetit ishte vendosur në mesin e dhomës së madhe. Anash tij në karrige rrinte e shoqja dhe djemtë. Në shpinë të tyre disa njerëz të panjohur me revole në brez. Një pamje e rëndë, shumë e rëndë, me një heshtje torturuese, kishte pushtuar tërë mjedisin”, është shprehur Duro Shehu për “Panoramën”./ KultPlus.com

Ditari i presidentit Roosvelt në ditën e vdekjes së nënës dhe gruas së tij

Para 133 vitesh, kur ish-Presidenti Theodore Roosevelt kishte përjetuar një humbje tronditëse me vdekjen e nënës dhe gruas së tij. Ai po këtë ditë kishte shkruar një fjali në ditarin e tij, përcjell KultPlus.

Ishte dita kur vdiq gruaja e Roosvelt Alice. Ajo ishte vetëm 22 vjeç, kurse vdiq gjatë procesit të lindjes, vetëm disa orë pasi nëna e presidentit Roosvlet kishte ndërruar jetë. Theodore Roosevelt pasi kishte humbur nënën dhe gruan, në ditarin e tij më 14 shkurt të vitit 1884 kishte shënuar një ‘X’ ndërsa poshtë tij kishte shkruar “Drita ka dalë nga jeta ime”.

Theodore Roosevelt, kishte mbushur faqet e ditarit duke shkruar rreth gruas gati sa herë që mendonte për të. Në ditarin e tij ai kishte vënë në dukje shprehjet më të thjeshta, aktet më të vogla të njohjes, buzëqeshjen dhe heshtjen e saj, duke përfshirë dhe çdo veprim që kishte mbetur në kujtesën e tij dhe veprimet që ata kishin planifikuar për të ardhmen e tyre së bashku.

Pasi gruaja i vdiq, Roosevelt jo vetëm që nuk e përmendi më kurrë emrin e saj, por as nuk lejoi askënd ta përmendtë atë në praninë e tij. Ky kufizim përfshinte edhe vajzën e tyre, Alice Longworth Roosevelt, e cila kurrë nuk dëgjoi babanë duke përmendur emrin e nënës së saj.

Ai i kishte treguar një shoku cili gjithashtu kishte humbur gruan, se dhimbja duhej të varroset sa më thellë brenda ose përndryshe të shkatërron.

“Si një lule ajo u rrit, dhe si një lule e bukur e re ajo vdiq”, ishte një nga fjalitë e tij në ditar.

Fotografia nga ditari i Rooseveltit gjendet në Bibliotekën e Kongresit në internet, si pjesë e Thesarit Amerikan të Bibliotekës së Kongresit, një ekspozitë që përmban “artikujt më të rrallë, më interesante dhe më të rëndësishëm në lidhje me të kaluarën e Amerikës”./ KultPlus.com

“New Born”, së shpejti premierë nga Baleti Kombëtar i Kosovës

Trupa e Baletit të Kosovës së shpejti do të sjellë premierën e fundit për këtë vit të titulluar ”New Born”, me koreografi të Jochen Roller, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Kjo shfaqje e cila do të zgjasë rreth një orë, do të vije përmes një loje të pasur kolektive nga dymbëdhjetë balerinë, ndërsa bazën e ka në baletin klasik mirëpo që vjen më e modernizuar për publikun, për shkak se do të përcillet me muzikë moderne në sfond.

“Është një shfaqje eksperimentale, e cila do të vije me kombinime shumë të mirë dhe moderne, edhe pse kjo shfaqje është mjaft e lodhshme bazuar në punën e balerinëve, të cilët janë gjatë gjithë kohës në veprim”, tha drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj për KultPlus.
Përgatitjet për këtë shfaqje kanë filluar për rreth një muaj kurse diskutimet për këtë projekt kanë filluar qysh në fillim të këtij viti.

“Kemi diskutuar para një viti me koreografin që ta sjellim këtë shfaqje në Kosovë gjatë muajit dhjetor. Jemi dakorduar që shpenzimet e koreografit dhe bashkëpunëtorëve të tij t’i mbulojnë Goethe Instituti, që i financon artistët e tyre në botë”, tregoi Brahimaj për KultPlus. Po ashtu kjo shfaqje në muajin prill do të udhëtoj për në Gjermani, ku Trupa e Baletit të Kosovës do ketë katër prezantime në Berlin dhe tri në qytetin e Hamburgut.

“Fillimi i bisedave tona është përqendruar që shfaqja do të udhëtoj edhe jashtë Kosovës , duke e parë edhe interesin tonë që shfaqja përveç për publikun e Kosovës, të prezantohet edhe në vende të tjera”, ka treguar drejtori Ahmet Brahimaj. Premiera e kësaj shfaqje vjen më 21 dhjetor. Shfaqja “New Born” shënon premierën e gjashtë për këtë vit nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës./KultPlus.com

Fisnik Smani and Behie Murtezi during the rehearsal for the upcoming regular performance at the training room of Kosovo Ballet, Kosovo National Theater, Pristina. Both of them work full time for the ballet.

Dua Lipa vlen 3 milionë dollarë

Tabloidi britanik “Metro” ka publikuar një artikull për këngëtaren me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa.

“Metro” në këtë artikull tregon për prejardhjen e Lipës dhe ngritjen e saj në skenën botërore të muzikës.

Kënga “New Rules” është dëgjuar në Spotify rreth 464 milionë herë, derisa “Scared To Be Lonely” 453 milionë herë.

“Metro” e cilëson Dua Lipën si figurë e premtuese e skenës britanike dhe ka raportuar se këngëtarja me prejardhje nga Kosova vlen 3 milionë dollarë ose 2.2 milionë funte.

Sivjet ajo ka mposhtur Rihannan, Ariana Granden, Taylor Swiftin dhe Beyoncen për të marrë pozitën e parë si këngëtarja më e dëgjuar në Britani të Madhe./ KultPlus.com

Drekë Malësore

Poezi e shkruar nga Martin Camaj.

Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.

Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)

Sot ashtë marrë një gjak.

Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë

Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue.

Dikur mbërrinte si refugjat, sot artisti shqiptar i dhuron Italisë veprën e artit “Çelësi i Cervinares”

Gazeta italiane “La Republica” i ka kushtuar sot një artikull artistit shqiptar Alfred Mirashi, i cili mbërriti në Itali në 6 mars 1991 si refugjat dhe tanimë i dhuron këtij vendi një vepër arti. Bëhet fjalë për një skulpturë të quajtur “Çelësi i Cervinares”, me një gjatësi prej 20 metrash.

“Sepse një çelës duhet të përdoret një herë e mirë për të hapur dyert dhe zemrat”, shpjegon “Miloti”. Në veprat e artistit e hasim shpesh çelësin si simbol, të hapjes ndërmjet kulturave dhe sfumimit të kufijve dhe barrierave përmes artit, përcjellë Shekulli.

Cervinara është një provincë e Avelinos në rajonin e Kampanias, që shtrihet mes një fushe të gjelbër dhe maleve të Partenios. Përpos faktit që është një vepër tejet e realizuar artistikisht, skulptura e “Milotit” pritet të hyjë në librin e rekordeve “Guinness”.

Alfred Mirashi, që njihet me emrin e artit si “Milot”, për shkak të qytetit ku ka lindur, në rrethin e Kurbinit, u mirëprit kur ishte vetëm 20 vjeç nga komuniteti në fjalë. Këtu fillon ngjitja e tij artistike, ku Mirashi del i pari në Brera, ekspozon në Maschio Angioino te Napolit, Ku familja nga Cervinara e filozofit Bianco e i suoi figli Avv, Raffaello e Gjenerali Francesco Bianco e ndihmuan shume, pastaj ne Firence, Romë, Torino, Milano, Venecia e deri në Kinë, duke ngjallur interesin e galeristeve dhe muzeumeve me të famshme në botë./KultPlus.com

Këngë të viteve 1800 për nuset e Shqipërisë Veriore

Nga Aurenc Bebja

Hyacinthe Hecquard (Iasint Ekuar), konsull i Francës në Shkodër, Kalorës i Legjionit të Nderit, në librin e tij “Histoire et Description de la Haute Albanie ou Guégarie, 1858 – Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Sipërme ose Gegëri, 1858”, përshkruan me hollësi Shqipërinë e veriut të asaj kohe.

Ndër analizat e ndryshme historike, gjeografike, politike, fetare në librin e tij prej 550 faqes, ai i ka dedikuar një kapitull të posaçëm traditave dhe zakoneve shqiptare në veri. Zoti Hecquard ka arritur të përkthejë nga shqipja në frëngjisht këngët e dasmave shqiptare të asaj kohe. Ndoshta këto këngë vazhdojnë ende të jenë të njëjta në ditët e sotme, ndoshta jo. Arsyetimi i dytë, më shtyu t’i risjell në shqip këto rreshta (duke u dhënë pak ngjyra gegnishtje), sepse besoj se kanë vlerë të rëndësishme kulturore kombëtare.

Gjatë rrëfimit të traditave dhe zakoneve tona, autori thotë se nuses së Shqipërisë së veriut, qoftë ajo myslimane apo katolike, i këndohet (recitohet) nga shtëpia e saj deri tek ajo e burrit. Për çdo etapë të dasmës, ka një këngë të veçantë, e cila këndohet vetëm nga gratë.

Ja këngët në vijim, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Një natë para se nusja të shkojë tek burri :

“Uluni, o male, uluni, që hana të lindë e të ndriçojë këtë mramje të bukur. Nusja jonë âsht eduku prej nanës saj ; ajo i ka thanë : Për besën time, oj vajzë, duje e respektoje vjehrrin. – Për shpirt tim, oj nana ime, rri e qetë, do ta due e respektoj, sepse âsht ai që më ka dhuru për burrë një djalë të ri e të bukur.”

Kur krushqit vijnë dhe marrin nusen :

“ Që rruga juej qoftë e lumtun, o miku ma i vjetër ; bani kryqin dhe kthehuni nga e djathta (Fragment për katolikët). Në qoftë se ju sillni një nuse të bukur, reçeli dhe karamelet që do ju dhurojna, qofshin të ambla për zemrën tuej ; por në qoftë se ju sillni një nuse të shëmtue e deformue, reçeli ju qoftë i hidhun (helm). ”

Gjatë rrugës kur vjen nusja :

“Nusja âsht rrugës, një lule po çel ; nusja âsht në prag të derës, një lule mban aromë të mirë ; nusja âsht në oborr, si një lule e lumtun ; nusja po ngjit shkallët, balli i saj âsht i bardhë si jasemini ; ajo âsht në banket, qafa e saj anohet si një zambak. Mos qaj oj nuse. – Kam qa mor burri im, sepse mu desht me u nda me babën e kurrë nuk do jetoj mâ te ai.”

Kur shoqëruesit e nuses largohen :

“Ndaluni, o vllazën, ndaluni ! Nusja ka me ju kërkue diçka ; Ndaluni, ndaluni ! Përshnetni për mue babën dhe vlleznit e mi ; Ndaluni, ndaluni ! Përshnetni për mue nanën e motrat e mia ; Thujuni atyne që kurrë zemra ime nuk ka me i harrue ; Ndaluni, ndaluni ! Thujuni atyne që çdo mramje flladi ka me u sjellë lutjet që do i baj Zotit për ata ; Ndaluni, ndaluni !”

Kur shpallet ardhja e nuses :

“A je humbun ; çfarë kërkon oj nuse ? – Derën e burrit. – Çfarë ke me më dhanë që ta tregoj oj nuse ? – Kmisha të qëndisuna e të palosuna mirë, o burri im. – Për këto, nuk të falenderoj, se pa t’pytun kam me i marrë, oj nuse !”

Kur i ngrejnë vellon nuses :

“O sa e bukur âsht nusja ! Zoti e ruajt !
Balli i saj âsht i gjanë e i gjatë ! O Zot !
Vetullat e saja janë si ylberi ! O Zot !
Sytë e saj janë si filxhan ! O Zot !
Faqet e saja janë të kuqe ! O Zot !
Goja e saj âsht si një kuti e artë ! O Zot !
Buzët i ka si qershi ! O Zot !
Dhambët i ka si perla ! O Zot !
Çehren e ka të bardhë si qumshti ! O Zot !
Trupi i saj âsht i hollë si një selvi ! O Zot !”

“Një ditë” nga Trupa e Baletit të Kosovës sonte në Gjakovë

Shfaqja “Një ditë”, nga Trupa e Baletit të Kosovës, nën koreografinë e Christie Coleman do të shfaqet sonte për publikun e Gjakovës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila është bashkëpunim i UN Women dhe Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës mahniti publikun e Prishtinës gjatë prezantimit të premierës më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas.

“Një ditë”, në skenë jetësohet përmes lojës së tetë balerinëve, në përbërje të katër çifteve ku bëjnë pjesë balerinët: Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi, Fisnik Smani, Fatmir Smani, Vjollca Llugiqi, Jeta Musolli dhe Donmir Biblali.

Kjo shfaqje është e frymëzuar nga rreth 30 tregime të vërteta të grave të Kosovës, duke vënë në pah disa çështje gjinore. Shfaqja e titulluar “Një ditë” do të sjellë në skenë një ditë të familjes tradicionale, ku përmes personazheve do të preken disa nga çështjet kryesore me të cilat përballen gratë gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo shfaqje vjen sonte në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë, duke filluar nga ora 20:00./KultPlus.com

Emërohet Këshilli Drejtues në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Ka kohë që Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka qenë funksional, si pasojë e dorëheqjes së disa anëtarëve , shkruan KultPlus.

Së fundi, ministri i Ministrisë së Kulturës, Kujtim Gashi ka emëruar Këshillin e ri Drejtues të këtij institucioni.

KultPlus merr vesh që emrat e rinj që përbëjnë këtë këshill janë: Burbuqe Berisha, Shkëlqim Millaku, Fisnik Ademi, Jahja Shehu, Orhan Kërkezi, Ismet Azemi e Valon Kashtanjeva.
Pritet të mbahet shpejt mbledhja e parë e këtij Këshilli, në mënyrë që të zgjidhet edhe udhëheqësi i këtij organi./KultPlus.com

Koncerti i dytë i “Kosova Brass”, jehoi në tingujt e kornistit Ilir Kodhima

Festivali “Kosova Brass” hapi mbrëmjen e dytë koncertale me kronistin e shquar nga Shqipëria, Ilir Kodhima dhe i shoqëruar nga pianisti kosovar, Adem Hasani, e më pas edhe me zërin magjepsës të sopranos Eriona Dragoica, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Në sallën e ftohtë të Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, tingujt e Ilir Kodhima e të Adem Hasanit, krijonin një distancë të publikut ndaj të ftohtit.
Ilir Kodhima, kornisti i parë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, mbrëmë erdhi në këtë festival, për të dhënë një komunikim të veçantë artistik, përmes instrumentit të tij frymor. Tingujt e instrumentit të tij, vetëm se rëndonin mbi bukurinë e melodisë që përcillej me përkushtim të rrallë nga pianisti Adem Hasani.

Kornisti Ilir Kodhima, ardhjet në Prishtinë i ka mjaft të shpeshta, ndërsa shtoi se këtu ndihet si në shtëpi falë bashkëpunimit dhe miqësisë me artistët e Kosovës.
“Përkundër sallës së ftohtë, unë isha gjithë djersë nga emocionet dhe nga loja së bashku me Ademin dhe Erionën. Unë vi për të satën herë në Prishtinë, që nga viti 98’. Gjithmonë këtu ndihem si në shtëpinë time. Ndihem shumë mirë këtu dhe me pedagogët dhe instrumentistët e Filharmonisë, me të cilët gati se jemi rritur bashkë edhe ku jemi njohur edhe gjatë Akademisë dhe gjatë bashkëpunimeve që kemi pasur me njëri-tjetrin”, tha kronisti Kodhima për KultPlus.

Ilir Kodhima, po ashtu tregoi për KultPlus se mbrëmë përpjekjet e tyre i kishin përqendruar në prezantimin e një programi pak më ndryshe për publikun, duke përfshirë edh elemente të muzikës xhaz nga interpretimi i veprës së Miljenko Prohaska.

“Në një sallë kaq të ftohtë s’kisha luajtur asnjëherë. Është pak e vështirë për neve që nxjerrim tingujt nga muskujt por jemi munduar që sonte të sjellim një program pak më ndryshe, pasi që në muzikë klasike njerëzit zakonisht rrinë serioz dhe vetëm duke vështruar, duke e respektuar kështu artistin. Kurse ne sonte jemi munduar që të ndjekim një program që edhe ne të kënaqemi dhe të jemi më të lirshëm në skenë duke pasur bashkëbisedim midis muzikës dhe publikut. Mendoj çdo gjë ishte në vendin e duhur dhe pjesa e fundit ishte një pjesë kroate e luajtur ndoshta për herë të parë në Kosovë, pra një pjesë e re të cilën jemi munduar ta fusim në muzikën klasike me akorde të muzikës xhaz. Është një pjesët që korno është adaptuar aq mirë në muzikën xhaz sepse kjo është e vështirë pasi që korno është instrument shumë klasik”, tregoi tutje kornisti Kodhima.

Pianisti Adem Hasani, e përcillte lojën e kornistit Kodhima me shumë emocion muzikor, e lojë të bindshme artistike. Ai tha për KultPlus se ndihej shumë i kënaqur nga bashkëpunimi me dy artistët nga Shqipëria.
“Fillimisht do të doja të falënderoj organizatorët e këtij festivali që përmes këtij festivali na mundësoi të njoftohemi dhe të luajmë bashkë me kornistin Kodhima, kjo ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për mua. Kjo vepra e fundit që ishte si tip xhazi, si impresionizëm, ishte një vepër shumë interesante që e luajtëm bashkë me kronistin Ilirin. Mua më pëlqeu kjo mbrëmje, edhe publiku ishte i këndshëm, ishim mes miqve, familjarëve. Ka qenë kënaqësi bashkëpunimi me Erionën dhe me Ilirin”, ka thënë pianisti Hasani.

Më pas në skenë u ngjit edhe sopranoja Eriona Gjyzeli, e cila u largua nga skena vetëm pasi mahniti të pranishmit me këngën e vjetër shkodrane “Pranvera filloi me ardhë ”.
“Për mua është hera e parë që marr pjesë në Festivalin e Tunxhit. Isha e ftuar nga kronisti, Ilir Kodhima. Kur Iliri ma paraqiti idenë e bashkëpunimit që unë të jem mysafire e këtij koncerti. Sigurisht nuk hezitova që t’i them një “po” të madhe. Prishtina është shtëpia ime e dytë për katër vite kështu që ndihem shumë mirë pasi që e njoh ambientin- publikun, ky është profesion që kudo që shkon merr vetëm përkëdhelje, duartrokitje dhe kënaqësi. Në realizimin e këtij koncerti kemi qenë shumë spontan, pra nuk kemi harxhuar shumë kohë me njëri-tjetrin, ka mjaftuar vetëm dita e djeshme për të krijuar një lidhje sa i përket materialeve, por kur midis muzikantëve dhe artistëve ekziston tërheqja kimike, çdo gjë shkon shumë mirë, ndoshta kjo është edhe arsyeja që nuk ka lindur nevoja që të punojmë shumë gjatë para koncertit”, theksoi sopranoja Eriona Gjyzeli për KultPlus.

Festivali “Kosova Brass” i cili këtë vit po e sjellë edicionin e dytë të tij, nesër do të sjellë trombonistin nga Prishtina, Betim Krasniqi dhe në piano do të interpretoj pianisti nga Prishtina, Misbah Kaçamaku./ KultPlus.com

“Oh, oh, Xhulia” të shtunën në Ferizaj

Më 9 dhjetor në Teatrin e Qytetit “Adriana” në Ferizaj, vjen premiera e shfaqjes “Oh, oh, Xhulia”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje me tekst të Ephraim Kishon në skenën e teatrit ‘Adriana’ do të jetësohet nën regjinë e regjisorit Besim Ugzmajli.

“Oh, oh, Xhulia”, është një komedi-parodi si version alternativ i ‘Romeo dhe Zhulieta’ të William Shakespeare. Por në versionin e Ephraim Kishon, Romeo dhe Zhulieta i kanë shpëtuar vdekjes. Ephraim Kishon është një autor që jo vetëm që ka shkruar shumë skenarë dhe drama, por është i njohur edhe si regjisor i cili ishte nominuar për Oscar”, pati thënë në një intervistë të mëhershme për KultPlus, regjisori Ugzmajli.

Kjo shfaqje sjellë në rolet kryesore aktorët: Shpëtim Selmani, Vjosa Tasholli, Sherif Bega, Edona Berisha, Mevlan Saraçi dhe Milot Salihu. Ndërsa premiera vjen më 9 dhjetor me fillim nga ora 20:00 në Teatrin e Qytetit “Adriana” në Ferizaj./ KultPlus.com

Saimir Strati ka nisur punën për Guinness-in e njëmbëdhjetë në Itali (FOTO)

Artisti i njohur shqiptar, Saimir Strati i cili vitin e kaluar mori çmimin e dhjetë Guinness, tashmë ka nis punën për portretin e radhës me të cilin pretendon ta marrë Guinness-in e njëmbëdhjetë, shkruan KultPlus.

Ai përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se portretin të cilin e ka nis më 1 dhjetor në Assisi Italy , do ta përfundojë më 10 janar 2018-të, dhe me këtë portret pretendon Guinness-in e njëmbëdhjetë të tij.

Rikujtojmë se Saimir Strati, vitin e kaluar mori çmimin e dhjetë Guinness, me portretin e Nënës Terezë, të cilin e punoi në Kosovë, pikërisht në Muzeun e Kosovës, të cilit edhe ia ka bërë dhuratë këtë portret madhështorë të punuar me kopsa teli./ KultPlus.com

Dafina Zeqiri vjen në sesion bardh e zi për revistën NR (FOTO)

Dafina Zeqiri pa dyshim se mbetet një nga yjet më të mëdha shqiptare. Ajo prej kohësh kërkon famën në mbarë botën me muzikën e saj.

“Told Ya” së fundmi u pëlqye në publiku i gjerë i huaj dhe menjëherë edhe mediat e kanë kërkuar Dafinën.

Ajo ka dhënë një intervistë të gjatë për revistën NR, me ç’rast ka realizuar një sesion fotografik.

Duffye vjen shumë artistike në sesionin bardh e zi të realizuar dhe imazhet e të cilit i publikoi në Instagram. Dafina vazhdon të jetë ‘single’ dhe pa të dashur.

Ajo pritet të kthehet së shpejti për një turne koncertesh në vendin tonë. / KultPlus.com

Offchestra përmbyllë “Javët e Kulturës Shqiptare në Austri”

Të shtunën në Vjenë, përfundojnë “Javët e Kulturës Shqiptare”, me një mbrëmje të veçantë, siç e kanë quajtur organizatorët, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje e 9 dhjetorit, përmbyllë përfundimin e rreth 12 aktiviteteve të “Javëve të Kulturës Shqiptarë në Austri”. Në këtë mbrëmje do të performojë grupi i njohur kosovar Offchestra, ndërsa mysafir nga Shqipëria e Kosova do të jenë Flamur Lokaj dhe Genci Treni-Gega për disa këngë në fillim të koncertit.

Pas koncertit ERLI & ANYLA (powered by NEEDLE VINYL BAR) do ta marrin rolin e DJ-te dhe do t’i argëtojnë të pranishmit deri në orët e vona… Krejt kjo ndodhë në SCHWARZBERG (ish OST Klub), Schwarzenbergplatz 10,1040 Wien me fillim nga ora 20:30./ KultPlus.com

Ethnically Pllugged sonte në Rockuzinë

Sonte më 6 dhjetor Ethnically Pllugged do të ngjiten për herë të dytë në skenën e Rockuzinë, shkruan KultPlus.

Ethnically Pllugged, i formuar në vitin 2004, është një grup i përbërë nga disa prej muzikantëve shumë të njohur të Kosovës.

Të gjithë anëtarët e grupit kanë përvojë mbi 20 vjeçare me gupe të ndryshme kosovare si TNT, Marigona etj.

Muzika e ‘Ethnically Pllugged’ është e bazuar në përpunimin e muzikës tradicionale shqipe me instrumente të ndryshme dhe me anim nga Jazz/Fusion. Ata publikuan audio CD dhe DVD në vitin 2005. Deri më tani kanë pasur shumë performanca të suksesshme nëpër Kosovë.

Bendin e përbëjnë, Luan Macula në kitarë, Ilir Tolaj në kitarë, Edon Ramadani në piano dhe Teoman Ukqa në bateri. / KultPlus.com

Sot 220 vjetori i lindjes së autorit të abetares së parë shqipe, Naum Bredhi Veqilharxhi

Sot është 220 vjetori i lindjes së autorit të abetareve të para shqipe me 33 germa Naum Bredhi Veqilharxhi, shkruan KultPlus.

Veqilharxhi një iluminist dhe ideolog i Rilindjes Kombëtare Shqiptare lindi më 6 dhjetor të vitit 1797, ndërkaq tash në vitin 2017-të është jubileu i 220 vjetorit të lindjes së tij.

Naum Bredhi Veqilharxhi, ishte autor i abetareve të para të shqipes me 33 germa të botuara në vitet 1844 dhe 1845. Ai ishte ndër personalitetet më për rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, të shkollës shqipe dhe zgjimit kombëtar shqiptar./ KultPlus.com

Ka vdekur këngëtari i njohur francez, Johnny Hallyday

Këngëtari më i njohur i muzikës rok në Francë, Johnny Hallyday, ka vdekur në moshën 74 vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e kancerit të mushkërive.

Hallyday i ka shitur më tepër se 100 milionë albume dhe i ka mbajtur më se 50 turne madhore, prej vitit 1960, kur e kishte koncertin e tij të parë profesional.

Raportohet se ai ishte i inspiruar nga këngëtari amerikan, Elvis Presley, shkruan rel.

Në Francë, ky këngëtar ishte një personalitet shumë i rëndësishëm i kulturës, prandaj për vdekjen e tij ka njoftuar presidenti i Francës, Emmanuel Macron, sot herët në mëngjes.

Këngëtari Johnny Hallyday “e ka sjellë një pjesë të Amerikës në panteonin tonë kombëtar”, tha presidenti Macron.

I njohur thjesht me emrin Johnny, ai ishte lindur në Parisin e okupuar nga nazistët, më 15 qershor të vitit 1943, nga babai nga Belgjika dhe nëna franceze./ KultPlus.com

Shtëpia e mbetur shkret

Shkruan: Bajram Mjeku

Çdo përvjetor të pavarësisë së Shqipërisë, a ndonjë datë tjetër të shënuar për kombin, është e pamundur të mos citojmë ndonjë varg a fjalim të deputetit, diplomatit, meshtarit dhe bardit të poezisë shqiptare, Gjergj Fishta.
Harrojmë se për aq sa citojmë Fishtën, po aq dëshmojmë sa të papërgjegjshëm jemi. Edhe 105 vjet pas mëvetësisë së shtetit shqiptar, asnjë Qeveri e djathtë apo e majtë, nuk denjoi të restaurojë shtëpinë e mbetur shkret të Homerit shqiptar në Fishtë.

Pas ‘Suus’, Florent Boshnjaku provon prapë për fitore në Festivalin e TVSH-së

Do të jetë një tentim tjetër i kompozitorit Florent Boshnjaku në Festivalin prestigjioz të fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar.

Kompozitori nga Prishtina, pasi disa vite më parë arriti sukses me këngën “Suus” dhe këngëtaren Rona Nishliu, këtë vit rikthehet në Festivalin e madh me një bashkëpunim tjetër muzikor, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=-e4ZFGrSfs8&feature=youtu.be

Pasi është publikuar lista e të gjitha këngëve që do të marrin pjesë në edicionin e 56-të të festivalit, Boshnjaku vjen me kompozimin “Pritëm edhe pak”, tekstin e këngës të shkruar nga Yll Limani ndërsa vjen nën interpretimin e Lorela Sejdinit.

Vetë Boshnjaku i ka dëshiruar suksese këngëtares dhe një projekti të tillë i ka dëshiruar një nismë të suksesshme.

Boshnjaku është kompozitor i këngës “Suus” nga Rona Nishliu, kënga që deri sot mban pozitën më të mirë të shqiptarëve që kanë marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion. Rona Nishliu në vitin 2012-të përfaqësoi Shqipërinë dhe u radhit në pozitën e pestë në finalen e madhe. / KultPlus.com