Mësuesja

Poezi e shkruar nga Adelina Mamaqi.

Dhe sot ia dëgjoj zërin e ëmbël,
Dhe sot ia vështroj sytë zjarr.
E desha, o miq, me gjithë zemër,
Mësuesen e klasës së parë.

Ajo më mësoi si të shkruaj
Dy emrat: Atdhe e Nënë,
Këshillat, qortimet e saj,
Ç’mbresa n’shpirt m’kanë lënë!

Një tufë me vjollca e lila
Gjithmonë ia vë mbi varr,
N’zemër me zgjohet dëshira
Ta kem at’ pranë Si më parë.

Ajo zë e flet sërish me mua
Ashtu si kur isha fëmijë!
Në gjirin e kohës së shkuar
Kthehem me mall përsëri.

Dhe dorën që dridhej nga pak
Ndër flokë sërish e ndiej,
Endërrimet e mia miturake
Në sytë e saj prapë i gjej.

Ah, ç’gaz kur dëgjoj zën’ e ëmbël,
Këshillat e saj kur kujtoj!
E desha, o miq, me gjithë zemër
Dhe s’mundem askurr’ ta harroj.

Top 50 albumet e vitit nga Billboard, Dua Lipa në listën e më të mirëve

Albumi i këngëtares Dua Lipa, që është titulluar në bazë të emrit të saj, sic bëjnë zakonisht disa artistë botërorë, është në mesin e 50 albumeve më të mira të vitit 2017.

Kësisoj kanë vlerësuar kritikët e muzikës nga Billboard.

Albumi “Dua Lipa” është radhitur në pozitën e 43-të, ndërsa kritiku Patrick Crowley thotë se albumi ka edhe këngë tjera të fuqishme, përvec “New Rules” me të cilën edhe shpërtheu Dua, shkruan KultPlus.

Billboard, në këtë listë të 50-të albumeve, ka vlerësuar si pesë albumet më të mira të vitit projektet nga Khalid, Jay Z, Lorde, SZA dhe Kendrick Lamar. / KultPlus.com

Prishtina calling, Enver Petrovci prezanton votat e Jugosllavisë në Eurovizion (VIDEO)

Ka qenë Eurovizioni i vitit 1986 kur është dëgjuar emri Prishtinë.

Prishtina Calling – është thënë nga asokohe Enver Petrovci. Gara evropiane e muzikës asokohe mbahej në Norvegji ndërsa votat e Jugosllavisë në natën finale i prezantoi aktori, me anë të telefonit.

Nga Prishtina, Petrovci prezantoi votat e votuesve nga Jugosllavia në garën ku merrnin pjesë 20-të këngë. Edicionin e fitoi Belgjika, ndërsa Jugosllavia ia dha dhjetë pikë kësaj kënge.

Kjo ka qenë edhe hera e vetme kur votat në këtë garë janë transmetuar nga juria në Prishtinë, ndërsa Kosova vazhdon të mos marrë pjesë në garën muzikore, kjo për shkaqe kryesisht politike, shkruan KultPlus.

Enver Petrovci, vite më vonë, do të kthehej si një pjesëmarrës në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, ku nëse do të fitonte do të përfaqësonte Shqipërinë në Eurovizion.

https://www.youtube.com/watch?v=5p4BHLK8tiA

Saktësisht, Petrovci në vitin 2014-të këndoi në Festivalin e TVSH-së këngën “Të vranë bukuri”.

Asokohe, për Jugosllavinë në këtë garë këndoi Doris Dragovic, ndërsa u pozicionua në vendin e 11-të. Disa vite më vonë Jugosllavia do të shembej ndërsa shtetet e dala sot konkurrojnë të ndara në Eurovizion, përfshirë Kroacinë, Bosnjën, Slloveninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Serbinë. / KultPlus.com

Motrat

Poezi e shkruar nga Izet Sarajliq.

Esenini i kishte
Shurën dhe Kaçën.
Majakovski i kishte
Ludmillën dhe Olën.

Unë i kisha
Ninën e Razën.
Dhe – të gjitha vdiqën.

Raza e Nina
në distancë prej pesëdhjetë ditësh.
Vdiqën
ose i vranë pa plumba?
Tani patjetër
të kërkoj diku një motër të re.
Nuk mundem assesi
mos me qenë vëlla.

Robert Aliaj: “E dehur jam” tingëllon sikur këngë greke

Një emision i cili bën bashkë emra të njohur të artit e kulturës në Shqipëri, “Dance with me Albania”, mbrëmë ka realizuar gjysmëfinalen e këtij sezoni.

Moderuar nga Alketa Vejsiu, emisioni mbrëmë ka ofruar disa orë muzikë shqipe ku emra të njohur kanë vallëzuar në spektaklin i cili me këtë format vjen në plot shtete.

Në një moment është vallëzuar me këngën “E dehur jam” nga Nexhmije Pagarusha. Komenti i njërit prej anëtarëve të jurisë, Robert Aliaj, megjithatë ka ngjallur debat.

Pasi me këngën kanë vallëzuar Xhensila dhe Trimi, dy pjesëmarrës në këtë emision, Aliaj ka komentuar.

“Kënduam greqisht, por kërcyem shqip” ka qenë njëri prej komenteve të Aliajt, anëtar jurie në këtë emision. Aliaj, një fytyrë e njohur në Shqipëri, menjëherë e bëri këngën e njohur të Pagarushës një këngë greke, dhe njerëzit kanë komentuar në rrjete sociale rreth këtij deklarimi, shkruan KultPlus.

Në po të njëjtën natë, anëtarja tjetër e jurisë, Valbona Selimllari, ka treguar se të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë me një zë si ai i Nexhmije Pagarushës, Bilbili i padiskutueshëm i muzikës shqipe. / KultPlus.com

GKK sjellë punëtorinë me An Paenhuysen “Gratë në Art në Gjermani”

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, mbahet punëtoria me An Paenhuysen “Gratë në Art në Gjermani”, shkruan KultPlus. Kjo punëtori i paraprin ekspozitës së artistes së famshme Gjermane Rosemarie Trockel në GKK.

Zonja Paenhuysen është kuratore e pavarur, teoriciene dhe mësimdhënëse e artit që jeton në Berlin. Ajo ligjëron për kulturën dhe teorinë e artit në Qendrën Node për studime kuratoriale. Krahas me kursin e saj Format Kreative të Shkrimit për Art, ajo publikoi një seri librash elektronikë, prej të cilëve i fundit ishte mbi rrëfimin në shkrimet për art. Në Muzeun për Art Bashkëkohor Hamburger Bahnhof, ajo udhëhoqi vizitat- ku artisti i preferuar i saj ne koleksion është Andy Warhol.

Në Hamburger Bahnhof filloi edhe karriera e saj kuratoriale, më 2009, duke bashkëkuruar ekspozitën e Paul Pfeifferit, ndërsa në 2010, së bashku me Wolfgang Mullerin, kuroi ekspozitën Pause. Valeska Gert: Bewegte Fragmente. Së fundmi ka kuruar ekspozitën Up and Down në – Qendrën për Art Bashkëkohor në Berlin, KINDL. Ajo studio historinë e kulturës në Universitetin e Leuvenit në Belgjikë, ku mori titullin PhD që u materializua në publikim të librit në gjuhën holandeze, mbi kritikën kulturore të avant-gardës Belge në vitet e 1920’ta. Ajo vazhdoi studimet postdoktorale në me hulumtimin e fotografisë urbane të Berlinit në vitet e 1920ta në UC Berkeley, Universitetin Columbia në New York, dhe Universitetin Humbold në Berlin, para se të kyçej në botën e artit bashkëkohor.

Punëtoria mbahet më 18 dhjetor me fillim nga ora 16:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Për regjistrim për pjesëmarrje, kontaktoni GKK.
Për më shumë informata: http://www.anpaenhuysen.de/ / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës të premten sjellë koncertin e radhës

Filharmonia e Kosovës më 15 dhjetor, ditën e premte sjellë koncertin me Kor dhe Orkestër, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert që do të mbahet në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, do të interpretohen veprat e Joseph Haydan “Missa in Tempore Belli”, “Paukenmesse – Meshë në kohën e luftës Nr.9 në C – dur (Hob.XXII:9)” dhe Ludvig v. Beethoven “Uvertura “Coriolan” Op. 62”.

Solistët që do të interpretojnë nën dirigjimin e dirigjentit Rafet Rudi janë: Mariana Leka – soprano (Shqipëri), Daniela Diakova – mexosoprano (Bullgari), Mihail Mihaylov – tenor (Bullgari) dhe Frano Lufi – bas (Itali).

Koncerti mbahet të premten me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com

Alketa Xhafa me instalacion të ri, grumbullon fustane për të mbijetuarat e dhunës seksuale në Britani të Madhe

Në mars të vitit 2018, artistja Alketa Xhafa Mripa do të jetë sërish në vëmendjen e medieve, për instalacionin e famshëm “Thinking Of You”, por tash me dedikim tjetër dhe në një vend tjetër, shkruan KultPlus.

Duke marë si referencë instalacionin e famshëm të realizuar në Kosovë “Thinking Of You”, ku Alketa Xhafa Mripa pat grumbulluar fustane të shumtë nga vajza dhe gra, duke përfshirë edhe fustane nga të famshmet, ajo pat inkurajuar gratë e Kosovës, të cilat mbi supet e tyre bartin tmerrin e dhunimit përgjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kjo artiste shqiptare nëpërmjet një instalacioni të ngjashëm, do të grumbullojë fustane në Britani të Madhe për të mbijetuarat e dhunës seksuale.

“Jam duke realizuar veprën “Thinking Of You”, në Londër, në bashkëpunim me UN Women UK “For he For she”, që do të mbahet në muajin mars në “Arts Week London””, ka thënë Alketa Xhafa Mripa për KultPlus.
Ajo ka thënë se fustanet do të mblidhen me të njëjtën procedurë, sikurse në Kosovë, kurse kampanja e mbledhjes së fustaneve do të nisë në muajin janar të vitit 2018./KultPlus.com

Arkivi i Gabriel García Márquez në dispozicion falas në internet

Rreth gjysma e arkivit prej 27,000 faqesh e nobelistit Gabriel García Márquez është publikuar në internet nga Universiteti i Teksasit, përcjellë KultPlus.

Universiteti i Teksasit ka digjitalizuar librat e tij dhe i ka bërë të disponueshem rreth gjysmën e koleksionit për lexuesit. Ata kanë skanuar rreh 27,000 faqe dhe fotografi, duke i bërë kështu të qasshme për këdo në botë.

Arkivi online, i cili është i kataloguar në anglisht dhe në spanjisht, përfshin skica dhe materiale të tjera që lidhen me të gjitha librat më të mirë të García Márquez-it, duke përfshirë “Njëqind vjet vetmi”, që e kthyen shkrimtarin nga Kolumbia në një figurë të njohur globalisht. Në këtë arkiv janë të përfshira edhe fotografi të pashpalosura më parë, fletore, skenarëve si dhe një koleksion i pasaportave të autorit.

Sipas New York Times ky është një veprim i jashtëzakonshëm bazuar në faktin se puna e Marquezit ende është nën mbrojtjen e të drejtave të autorit.“Shumë arkiva po digjitalizojnë pronat e tyre. Por për digjitalizimi i kaq shumë materialeve nga një shkrimtar, puna e të cilëve është ende në të drejtën e autorit në internet falas është e pazakontë”, ka shkruar The New York Times/ KultPlus.com

Shpallet konkursi për “Flaka e Janarit 2018”, i dedikohet Skënderbeut

Komuna e Gjilanit në kuadër të Manifestimit Kombëtar të Kulturës “Flaka e Janarit 2018”-Viti i Skënderbeut, shpallë konkursin për Art Letrar, çmimin “Pena e Flakës”, Art pamor, Art Dramatik dhe Art Muzikor, shkruan KultPlus.

Ky konkurs i cili hapet nga nesër më 13 dhjetor zgjat deri më 12 janar 2018-të.

Në vijim po ju sjellim listën e plotë të arteve ku mund të aplikoni dhe si:

Arti Letrar

Komuna e Gjilanit, në kuadër të Manifestimit kombëtar të kulturës “Flaka e Janarit 2018”, shpall konkursin tradicional letrar për tregim të shkurtër dhe për poezi, me qëllim të nxitjes dhe avancimit të vlerave letrare të krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare dhe kudo ku jetojnë ata që shkruajnë shqip, pikërisht në 550-vjetorin e vdekjes së kryeheroit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut si dhe 50 vjetorit të demonstrative të vitit 1968, në Kosovë.

Tema e konkursit është e lirë. Konkursi është anonim, i hapur deri më 15 janar 2018 dhe me shifër. Punimet e pabotuara (në libra, gazeta e revista, portale, internet si dhe rrjete sociale) dërgohen në tri kopje, në adresën: Komuna e Gjilanit, Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport dhe në adresën elektronike: [email protected]

Rezultatet e konkursin shpallen në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës 2018”. Të gjithë konkurruesit duhet t’u përmbahen kritereve dhe afatit të konkurrimit.

Për tregim të shkurtër (deri në tri faqe me rreshta të rrallë)
Çmimi i parë….…………………………… 250 euro
Çmimi i dytë………………………………. 200 euro
Çmimi i tretë………………………………..150 euro

Për poezi (deri në 50 vargje)
Çmimi i parë.……………………………… 250 euro
Çmimi i dytë………………………………. 200 euro
Çmimi i tretë………………………………..150 euro

Konkurrimi për çmimi “Pena e Flakës” 2018

Me qëllim të rritjes së cilësisë dhe vlerës artistike në Orën e Madhe Letrare të Manifestimit “Flaka e Janarit”,2018 e njohur tashmë si PENA E FLAKËS, si dhe përzgjedhjes më meritore të poezisë fituese, gjithë krijuesit e interesuar të hapësirave shqiptare dhe tjerët që jetojnë e krijojnë , ftohen për të konkuruar si dhe, nëse përzgjidhen, për të ardhur e lexuar krijimet e tyre në Gjilan, duke u bërë pjesë e garimit të mëtejmë për Çmimin kryesor të pjesës letrare të Manifestimit.

Poezia duhet të jetë e papublikuar dhe e pashpërblyer diku tjetër si dhe duhet të shoqërohet me një biografi krijuese të autorit si dhe dërgohen në këtë adresë: Komuna e Gjilanit, Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe në adresën elektronike: [email protected]

Një juri letrare, e emëruar nga Organizatori përzgjedh 25 krijimet më të mira që lexohen në Orën e Madhe Letrare si dhe hyjnë në konkurrim të mëtejmë për Çmimin “PENA E FLAKËS”, vlera e të cilit është 200 euro.

Autorët, krijimet e të cilëve përzgjidhen, njoftohen së paku pesë ditë para mbajtjes së Orës Letrare të Manifestimit.

Poezia e shpërblyer dhe tjerat që lexohen në Orën e Madhe letrare, publikohen në revistën letrare – kulturore AGMIA.

Arti Pamor

Për punimet e sferës së Artit Pamor, për Ekspozitën kolektive mbarëkombëtare, që do të hapet në Galerinë e Qytetit. Të gjithë artistët profesioniste mund të konkurrojnë me një (1) vepër, përmasat e së cilës duhet të jenë jo më të mëdha se 120 cm. (Çmimi blerës për fondin e galerisë – 500 € dhe tri çmime tjera në vlerë prej 150 €). Punimet, jo më të vjetra se dy vite, teknikisht të përgatitura dhe të pa ekspozuara më parë, me tematikë të lirë, dorëzohen në Galerinë e Qytetit, gjatë orarit të ditët e punës, deri më 10 janar 2018.
Në konkurs, mund të marrin pjesë krijuesit e të gjitha zhanreve të artit pamor nga të gjitha trojet tona etnike, ndërkaq që punimet e përzgjedhura do të katalogohen.

Arti Dramatik

Do të përzgjidhen pesë shfaqje teatrale, mundësisht me përfaqësim nga trevat mbarëkombëtare, duke mundësuar prezantimin e vlerave më të mira të dramës shqipe.

Arti Muzikor

Festivali mbarëkombëtar i këngës popullore në frymën e traditës fton interpretuesit e këngës popullore shqipe. Të drejtë konkurrimi kanë të gjithë interpretuesit e pasionuar, nga të gjitha trevat shqiptare, që kultivojnë këtë zhanër.
Mosha e lejuar – mbi 18-vjeç.
Te gjithë interpretuesit konkurrues do t`i nënshtrohen audicionit
Juria profesionale do të vlerësojë interpretuesit të cilët do të garojnë për këto shpërblime:

a) Çmimi i parë – 500 euro
b) Çmimi i dytë – 300 euro
c) Çmimi i tretë – 200 euro.

Këngët do të interpretohen drejtpërdrejtë nën përcjelljen e orkestrës profesionale-Gjilan.
Afati i aplikimit është deri më 12 Janar 2018.
Aplikimi mund të bëhet në Njësinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan
Adresa: ndërtesa e Teatrit të qytetit, kati II ose në adresën elektronike:[email protected]

Ndërsa për “Xixat e Flakës” koncert i organizuar për fëmijë, me këngë të reja apo të kënduara, afati i aplikimit është deri më 9 janar 2018. Aplikimi mund të bëhet në Njësinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan, adresa: ndërtesa e Teatrit të qytetit, kati II ose në adresën elektronike:[email protected]/ KultPlus.com

Noli në moshën 84-vjeçare mësonte hebraishten: Më duhet të bisedoj me Zotin në botën tjetër

Shkrimtari dhe studiuesi shqiptar, Nasho Jorgaqi në një intervistë për emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku solli detaje nga jeta e fshehtë e Fan Nolit. Ai tregoi se Noli vdiq beqar por që dashuroi 7 gra.

Profesor jeni 87 vjeç dhe shumicën e jetës suaj ia keni kushtuar figurës së Fan Nolit. E keni nisur studimin e veprës dhe jetës së tij që kur Noli ishte gjallë por nuk patët mundësi për ta takuar ndonjëherë atë. Nëse do ta takonit Nolin çfarë do ti thoshit?
Gjëja e parë që do bëja do ti puthja dorën.

Ky është një rit fetar por ju jeni ateist. Si ka mundësi?
Unë do t’ia puthja dorën në shenjë respekti.

Por çfarë besimtari ishte Noli?

Ka një histori me Nolin. E ëma e Artur Liolin, një grua që kishte mbaruar konservatorin e Bostonit ishte edhe një grua që drejtonte shoqatën e grave shqiptare në New York. Përpara se të organizonte një grup grash për një meshë të drejtuar nga Noli, i bëri tre pyetje. E para nëse gratë duhet të mbanin në kokë kapele. Noli iu përgjigj: Nuk ka rëndësi se çfarë ke mbi kokë, por çfarë ke brenda saj. E dyta e pyeti si duhet të visheshin. Noli iu përgjigj se nuk kishte një këshillë për veshjen dhe e treta nëse ai besonte realisht në Zot. Noli iu përgjigj: Zonjë, a mund të harxhosh një jetë për një kauzë që nuk e beson? Pra Noli ishte besimtar i madh.

Po si ka mundësi, ju biografi i tij dhe një njeri që unë them se i keni marrë disa vese Nolit, nuk besoni në Zot?
Po edhe vetë Noli thoshte se deri aty ku unë kuptoj është shkenca dhe deri ku unë nuk kuptoj është Zoti. Ai thoshte se feja ka nevojë për shkencën dhe shkenca ka nevojë për fenë. Është gati një përcaktim që ka bërë shkencëtari Albert Einstein.

A ishte Noli një produkt shqiptar sepse ai nga 86 vjet jetë, vetëm 5 i jetoi në Shqipëri. Lindi në Ibrik Tepe të Turqisë, u shkollua në Greqi, më pas në SHBA dhe një pjesë të jetës në Evropë dhe përsëri në SHBA?
Noli ishte një produkt 100 për qind shqiptar. Familja nga vinte dhe jeta që bëri ishin shqiptare. Ai ishte produkt i kësaj jete. Në moshën 7-vjeçare Noli nuk donte të shkonte në shkollë sepse shkollën nuk e kishte qejf. Edhe për faktin se mësuesi i rrihte nxënësit. Një ditë e ëma e futi në thes dhe e çoi në shkollë. Mësuesi e pyeti se çfarë kishte në thes. Ajo e hapi dhe nxori prej andej Theofanin e vogël. Mësuesi u habit por që nga ai moment Noli nuk e la më shkollën. Në moshën 84-vjeçare, pra dy vjet përpara se të vdiste vijonte shkollën në një kurs në Harvard për mësimin e hebraishtes së vjetër. Kur e pyeti dikush se çfarë i duhet hebraishtja tashmë që ishte shumë plak, Noli iu përgjigj: Më duhet që kur të bisedoj me Zotin në botën tjetër.

Profesor nuk keni lënë gjë pa u marrë me jetën dhe veprën e Nolit. Madje udhëtimi juaj në të gjitha vendet që Noli kishte shkelur. A ka sekrete të pa zbuluara për Nolin?

Po edhe ka.

Po unë këmbëngul që një figurë e tillë kaq dimensionale që vdiq beqar, edhe pse ishte prift nuk besohet se nuk kishte parë femër me sy?
Unë po tregoj për herë të parë disa sekrete që unë i kam zbuluar nga jeta e Nolit dhe që nuk njihen. Një nga njerëzit që Nolin e ka njohur më mirë dhe më afër ka qenë At Artur Liolin. Në një nga udhëtimet e mia në Boston i pezmatuar më thotë se po ia merrnim Nolit të gjitha arkivin e tij, studimet dhe gjithçka dhe në SHBA nuk mbetej gjë. Më pas vijoi se si kishte ndër mend të bënte diçka që nuk e dinte kush. Më tha se do bënte një studim për gratë në jetën e Fan Nolit. Sipas Liolin Fan Noli kishte patur histori dashurie dhe flirte me 7 gra në të gjithë jetën e tij. E para ishte një vajzë në fshatin e lindjes në Ibrik Tepe. Një ishte një greke kur ai u shkollua në Greqi. Madje i kërkoi të vëllait të martohej me të por kur i tha më tej se do shkonte në SHBA i vëllai e mori për aventurier dhe e kundërshtoi martesën. Një grua tjetër ishte sekretarja e tij Mary Jons. Një grua që bënte gjithçka për Nolin që nga punët e shtypshkrimeve e deri te kujdesja për shëndetin. Por sipas të dhënave ishte edhe e dashura e tij.

Paska qenë all inclusive?
Kështu janë të dhënat.

Profesor unë kam një letër që ai kërkonte nuse shoqërisë Bashkimi në Bukuresht. Si ka mundësi që prifti kërkonte nuse?

Jo. Në atë moment nuk ishte prift. Sipas rregullit të kishës nëse në momentin që një person dorëzohej prift ishte i martuar ai nuk e prishte kurorën dhe mund të vazhdonte të ishte i martuar duke qenë prift. Por nëse dorëzohej prift beqar, ai nuk kishte më të drejtë të martohej. Kështu që përpara se të dorëzohej prift ai nisi të kërkojë nuse. U shkroi disa letra miqve, shokëve dhe shoqërive dhe një prej tyre është kjo letër që thoni ju.

Por si ka mundësi që nuk i gjetën nuse, e kujt pale, Fan Nolit?

Nuk munden. Duket se kërkesat e Nolit dhe ajo që ai përfaqësonte ishin të larta. Ai shkruante se “i thoni nuses se Zoti nuk më bëri të bukur si Adami por jam i aftë të mbaj një grua. Por dhe letrat e tij ishin romantike.

Profesor, keni shkruar disa romane dhe studime dhe keni bërë edhe 4 skenarë filmash si “Duel I heshtur”, “Tomka dhe shokët e tij” madhe edhe filmin e parë shqiptar “Tana” nëse pranohet se është ai. Por duket se kryevepra juaj mbetet romani “Mërgata e qyqeve”. A jeni penduar dhe mund ti ndryshoni diçka kësaj vepre?
Penduar? Jo Përse të jem i penduar. Kur u botuan për herë të parë u shitën 100 mijë kopje. Pas vitit 1990 mendova se me rrëzimin e komunizmit kishte një lloj droje për veprën por reagimi ka qenë befasues. Kanë qenë 40 shtëpi botuese që më kërkuan ribotimin. Mërgata e qyqeve u ribotua dhe vepra vazhdon të ketë sukses. Po ju jap një lajm. Në vitin 2018 “Mërgata e qyqeve” do botohet në SHBA në gjuhën angleze. Përkthyes do të jetë sekretari i një senatori amerikan i cili prej kohësh më kërkoi përkthimin e veprës. Ai jeton në Washington dhe më kërkoi të drejtën e botimit në gjuhën angleze. Për mua ishte një lajm shumë i bukur dhe jam i nderuar për këtë kërkesë dhe botim. Përkthyesi më ka thënë fjalë të jashtëzakonshëm për librin dhe fakti që “Mërgata e qyqeve” do të botohet edhe në anglisht ka një vlerë të madh.

Profesor, ka shumë reagime dhe kundërshti që personazhi Isuf Mullaj historinë e të cilit keni në vepër jo vetëm që nuk ka bërë atë që ju shkruani por ka trillime skandaloze?
I kam dëgjuar dhe i dëgjoj këto, Por për mua nuk ka rëndësi. Në fillim të viteve 90-të isha në një lokal dhe më erdhi nga tavolina tjetër Guri Durollari, kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit në atë kohë. Mu prezantua dhe më tha se bravo për veprën. Natyrisht që më shprehu kundërshti për pikëpamjet politike por sipas tij, fabula dhe situata e mërgatës shqiptare në Evropë në atë kohë ishte fiks siç i kisha përshkruar unë. Për mua kjo ka vlerë. Herë pas here kam marrë kërcënime. Në 1997 më merrnin në telefon dhe më thoshin se do jepja llogari. Madje dikush më pyeti se si kishte mundësi të isha kaq antimonarkist kur babi im kishte qenë gjykatës në kohën e Zogut. Por këto nuk kanë fare rëndësi.

Profesor çfarë përfaqëson dhe përse keni marrë si zog qyqen. Për ata që nuk e njohin çfarë është qyqja?
Një zog që lajmëron të keqen. Kjo është arsyeja.

Po për Faik Konicën. Ju keni bërë një falje të madhe për testamentin e tij që në fakt nuk ka ekzistuar. Sipas saj Konica ka shkruar se nuk do tretej trupi nëse nuk do ta varrosnin në Shqipëri?

Po ka qenë një gënjeshtër e madhe. U mendua se testamenti ekzistonte, por në fakt nuk ishte e tillë. Noli ka shkruar disa letra Enver Hoxhës për ta lejuar ta varrosnin në Shqipëri. Noli tregonte se trupin e Konicës e kishin në dollap, pra në ambiente frigoriferike në varrezat e Bostonit. Habia është se Enver Hoxha nuk iu përgjigj asnjë letre të Nolit. Pas disa vitesh përgjigjen ia dha Hysni Kapo i pari personalitet i komunizmit që shkoi në OKB. Kapo tha se nuk mund të lejonin që të bej ta varrosnin në Shqipëri. Kështu Konicën e varrosën në Boston. Por në ceremoninë e varrimit u tha se ishte e përkohshme dhe se një ditë do ta varrosnin në Shqipëri. Kjo u bë e mundur në vitin 1995 dhe varri i tij ndodhet në Tiranë. Por në fakt nuk ka një testament të shkruar prej tij./KultPlus.com

Sonte ekspozita “Emerge”

Sonte do të hapet ekspozita “Emerge”, që sjellë veprat e studentëve në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, e cila do të hapet në ora 19:00, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë, me veprat e tyre do të prezantohen studentët: Brilant Milazimi, Ermir Zhitopotoku, Blertë Hashani, Valdrin Thaqi, Arbnro Karaliti, Petrit Maliqi, Arben Elshani, Dardan Murseli, Alban Januzi e Naim Geci./KultPlus.com

“Të harruarit” nesër me premierë në TKK

Të mërkurën më 13 dhjetor vjen premiera e shfaqjes “Të Harruarit” në regji të Shkurtë Aliut, shkruan KultPlus.

“Të harruarit”, që shfaqet në skenën e vogël të vogël në Teatrin Kombëtar të Kosovës, sjellë rrëfimi për dy të rinj të izoluar të pa shpresë e të ngujuar në vendin e mendjen e tyre, në kufijtë e Evropës në çmendin e krijuar nga pushteti. Njerëz të harruar në shtëpinë e rrugën e tyre, të dhunuar, të poshtëruar e të trajtuar si kafshë e të padinjitet e si të çmendur. Rrugën e vetme të shpëtimit e shohin migrimin.

Shfaqja vjen nën lojën e aktorëve: Edlir Gashi dhe Qëndresa Kajtazi.
“Të harruarit”, shfaqet të mërkurën me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Nga viti i ardhshëm shkollat franceze do të kenë kore, por jo edhe telefona celularë

Qeveria franceze ka njoftuar se telefonat celularë do të ndalohen në shkollat franceze në fillim të shtatorit të vitit 2018, dhe se koret do të futen gjatë dy viteve të ardhshme, përcjellë KultPlus.

Ky veprim ka qenë pjesë e fushatës së presidentit francez Emmanuel Macron, por deri më tani nuk është dhënë asnjë datë për zbatimin e ndalimit, kurse të dielën, ministri francez i arsimit Jean-Michel Blanquer tha se telefonat celularë do të ndalohen në shkolla që nga fillimi i vitit të ardhshëm shkollor.

Telefonat celularë tashmë janë të ndaluar të përdorën në klasë në të gjitha shkollat fillore franceze dhe në katër vitet e para të shkollës së mesme. Qeveria franceze dëshiron të shtrijë ndalimin edhe në pjesën tjetër të mjedisit shkollor.

“Telefonat celularë mund të jenë të nevojshëm për qëllime arsimore ose në raste urgjente, prandaj është e rëndësishme që përdorimi i tyre të jetë i kufizuar”, ka thënë mes të tjerash ministri Blanquer.
Të hënën, qeveria njoftoi edhe për një ndryshim për vitin e ardhshëm shkollor: tingulli i ziles do të zëvendësohet me zërat e njerëzve. Deri në shtator 2018, të gjitha kolegjet e Francës do të kenë korin e tyre, ku fëmijët do të kenë mundësinë të këndojnë dy orë në javë. Aktualisht, një nga katër shkollat franceze ka një kor. “Ideja është që kultura të futet brenda klasave për një periudhë më të gjatë”, ka thënë të dielën ministri i kulturës Françoise Nyssen./ KultPlus.com

Trumpetisti me renome botërore Otto Sauter sonte në “Kosova Brass Festival”

Mbrëmja e katërt koncertale e festivalit ndërkombëtar të tunxhit “Kosova Brass Festival”, e cila është dhe njëra ndër mbrëmjet më të rëndësishme të edicionit të dytë, mbahet sonte me fillim nga ora 19:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje do të prezantohen para publikut trumpetisti gjerman me renome botërore, Otto Sauter si dhe trombonisti gjerman, Peter Körner.

Instrumentistët mysafirë, do të shoqërohen nga instrumentistët vendor, kuarteti i harqeve i cili përbëhet nga: Visar Kuci – Violinë, Erlinda Gashi – Violinë, Arianit Shehu – Violë dhe Antonio Gashi – Violonçelo

Koncerti organizohet nga Kosova Brass Festival në bashkëpunim me Asociacionin Botëror të Tunxhit./ KultPlus.com

Rita Ora zbuloi misterin në Radio 1 Live Lounge

Këngëtarja shqiptare Rita Ora ka folur mbrëmë në Radio 1 Live Lounge, e cila ka zbuluar një mister, për të cilin ishin kurioz shumë adhurues të saj, shkruan KultPlus.

Një nga misteret më të mëdha të vitit 2017 është zbuluar më në fund: Rita Ora ka zbuluar tekstin e një pjese të këngës së saj më të fundit “Anywhere”, përcjellë KultPlus.

Për javë të tëra, adhuruesit e Ritës ishin të preukopuar të dinin se kush ishte duke kënduar vërtet në pjesën e refrenit të këngës, ku vokali i saj shfaqet me ndërprerje dhe zëra të shtrembëruar.
Gjatë interpretimit mbrëmë në Radio 1 Live Lounge, Rita Ora zbuloi tekstin origjinal të pjesës së refrenit: “Oh, Oh, wanna go home, wanna go take me anywhere you wanna be-ee-ee-ee”./ KultPlus.com

Kërshëndellat me pesë këngë të reja të Arilena Arës (VIDEO)

“Snow in December”, “Kido”, “Silver&Gold”, “Zemër” dhe “Të huaj (Stranger’s again)”, janë këngët e reja që do të prezantohen për festën e kërshëndellave, shkruan KultPlus.

Arilena Ara është këngëtarja që me këngën “Nëntori”, brenda një viti ka shënuar një sukses tejet të madh, duke depërtuar me këtë këngë edhe në shumë shtete të huaja, por duke bërë që edhe shumë të reja ta këndojnë këtë këngë të Arilena Arës./KultPlus.com

Angelina Jolie, nominohet në dy kategori në Golden Globe

Aktorja e njohur Angelina Jolie u nominua në “Golden Globe”, për dy filmat e saj të ri: “First They Killed My Father” është nominuar në kategorinë e filmave më të mirë në gjuhë të huaj dhe në filmin “Breadwinner”, në kategorinë si filmi më i mirë i animuar, shkruan KultPlus.

Ajo është e përfshirë brenda këtyre filmave pasi që ka shkruar dhe dirigjuar filmin“First They Killed My Father” , ndërsa gjithashtu është edhe producente e filmit, që do të thotë se nëse filmi fiton, ajo do të ngjitet në skenë për të mbajtur fjalim.

Të dy filmat trajtojnë tema të rënda, “First They Killed My Father” ka të bëjë me mizoritë në Kamboxhia nën sundimin e Khmer Rouge dhe përfshin brenda vetes edhe aktorët Sareum Srey Moch dhe Phoeung Kompheak.

Filmi i saj The Breadwinner trajton temën e një vajze të re që jeton nën sundimin e talebanëve në Afganistan, e cila shkurton flokët për të shkuar në punë në mënyrë që të mund të ndihmoj familjen e saj. Jolie është regjisore edhe e këtij filmi./ KultPlus.com

National Geographic e liston Shqipërinë në njërin nga destinacionet për t’u vizituar në vitin 2018

Shqipëria është njëri nga destinacionet në listën e National Geographic Traveler, ku ekspertët kanë listuar vendet të cilat duhet të vizitohen në vitin 2018, shkruan KultPlus.

“Ujësjellëset e fundosura, rrënojat e anijeve dhe shpellat e rralla janë disa nga thesaret relativisht të paprekura që presin zhytësit në Shqipëri. Dekadat e izolimit nën udhëheqjen komuniste të Enver Hoxhës kufizuan zhvillimin dhe ruajtën pa dashje trashëgiminë kulturore nënujore, veçanërisht jashtë brigjeve jugore”, shkruan National Georaphic.

Po ashtu në këtë listë janë të përfshira edhe 20 shtete shtete të tjera, ku në mesin e tyre janë: Argjentina, Australia, Hawai, Austria, Mexico, Madagascar, Ohio, Morocco, Korea Veriore, Cambodia, Kili, Irlanda, Suedia etj./ KultPlus.com

Promovohet romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i autorit Stefan Çapaliku

Të enjten më 14 dhjetor me fillim nga ora 12:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, bëhet promovimi i romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, shkruan KultPlus.

Ky roman i shkruar nga Stefan Çapaliku me dy vëllimet e botuara në harkun e një viti, ka ndarë me ne një periudhë njëzetvjeçare prej një kohe të çmendur, e cila kaloi si një sëmundje e gjatë dhe sfilitëse mbi trupin e një vendi të varfër e të pashpresë siç qe Shqipëria komuniste.

Romani është botim i Botimeve Fishta./ KultPlus.com

Për fëmijët e Kosovës, Shpat Deda me koncert humanitar edhe në Tiranë

Pas koncerteve bamirëse në Prishtinë dhe në Londër, të shtunën Shpat Deda do të këndoj në koncertin humanitar për fëmijët me kancer në Tulla – Culture Center në Tiranë, shkruan KultPlus.

Ky koncert është një nismë e stafit të BERZH në Prishtinë, Tiranë dhe Londër mbështetur nga Tulla-Culture Center dhe Grand Hotel and SPA Tirana. Fondet e mbledhura do të shkojnë për “Fondacionin Kujdesi për Fëmijët e Kosovës” i cili kujdeset që të gjithë fëmijët në QKUK të kenë ilaçet e nevojshme dhe domosdoshme për trajtim.

Të gjitha të ardhurat që do të mblidhet gjatë kësaj mbrëmjeje (përfshirë fondet e mbledhura gjatë gjithë fushatës) do të dyfishohen nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në kuadër të programit të saj “Community Initiative” (kur te përmbushen kriteret raportuese dhe vlera do te dyfishohet deri ne shumën maksimale prej 50,000€. /KultPlus.com

Agim Sulaj sjellë “Rrënjët 2” në Tiranë, ekspozohet dhe vizatimi origjinal “Valixhja e refugjatëve”

Artisti i njohur Agim Sulaj i vlerësuar në botë me veprat e tij këtë dhjetor ka çelur në Tiranë ekspozitën “Rrënjët 2”. Janë 27 vepra që janë prezantuar në këtë ekspozitë për publikun, punime në vaj dhe për herë të parë prezantohet dhe vizatimi origjinal i vlerësuar me çmim të parë në Londër “Valixhja e refugjatëve”.

Piktori dhe karikaturisti i njohur vjen me këtë ekspozitë në Tiranë te hotel Plaza pas asaj që çeli një vit më parë. Piktori tregon se në aktivitetin e tij artistik ka gjithmonë dëshirë, që të vijojë të jetë me prezantimin e veprave të tij në Shqipëri.

“Dëshira ime e këtij viti ishte për tu prezantuar me punimet e mia, me të rejat e krijimtarisë sime në Tiranë, me artdashësit shqiptarë dhe ambienti ku unë vij për herë të dytë me ekspozitën “Rrënjët 2” është i tillë që unë mund të prezantohem si një galeri, ku mund të jem çdo fundviti dhe mund të sjell sërish punime. Si një minigaleri ku unë mund të prezantohem me veprat fituese në arenën ndërkombëtare qoftë në karikaturë, si dhe me veprat e reja që përshkruajnë historinë e vendeve dhe timen personale të rritjes artistike. Unë kam dëshirë që herë pas here t’ia sjell veprat e mia publikut shqiptar”, tregon artisti i njohur.

“Valixhja e refugjatëve” e artistit Agim Sulaj rrëmbeu çmimin e parë në Londër në një prej konkurseve më të rëndësishme organizuar nga “The Derwent Art Prize”. Mes shumë veprash nga artistë të huaj, puna e artistit shqiptar mori çmimin e parë. Për këtë vepër artisti pohon se ka dëshirë që të jetë dhe realizuar në bronz dhe të vendoset në Vlorë.

“Është vizatimi i madh fitues i çmimit të parë në Londër 2016. I seleksionuar për konkurrimin ndërkombëtar të vizatimit midis 3200 veprave të ardhura nga gjithë bota. Në 70 punime të ekspozuara vepra Refugees fitoi çmimin e parë. Dhe kam shumë dëshirë ta realizoj në bronz në lungomaren e Vlorës. Si pika me sensibile e dramës së ikjes”, tregon artisti Agim Sulaj.

Kjo vepër që është ekspozuar këtë herë në Tiranë më parë ka bërë një xhiro në ekspozita të tjera në botë. Në Tiranë Agim Sulaj tregon se tema e emigrimit është e trajtuar gjithmonë në veprat e tij. “Është një temë e imja që unë e kam trajtuar gjithmonë në krijimtarinë time, ikjen dhe ardhjen e njerëzve. Në 30-40 përqind të punëve të mia janë ato që unë kam trajtuar valixhen, problemet me emigrimin. Një lloj autoportreti e gjithë shkallëve që unë kam nuhatur nga emigrimi. I kam vizatuar dhe pikturuar, duke u bërë shembull dhe për të tjerë”, vijon ai. Ekspozita “Rrënjët 2” do të qëndrojë deri nga fundi i muajit shkurt 2018 te “Plaza” për publikun.

Ndër vite me krijimtarinë

Agim Sulaj është një artist që lëvron gjininë e portretit dhe peisazhit hiper realist dhe karikaturës. Në fushën e karikaturës ky artist ka marrë mbi 60 çmime ndërkombëtare dhe çmimin “grand Prix de Cartoon” i cili vlerësohet si Oscar i karikaturës. Prej vitesh krijimtaria e piktorit Agim Sulaj është në vëmendje, gjithmonë duke prezantuar punime me të cilat përcjell mesazhe, artisti tregon se gjatë këtij viti më shumë i është dedikuar Europës me krijimtarinë e tij, ku drama sociale e krizës së refugjatëve i dha atij një tjetër vlerësim në Londër. Agim Sulaj piktor e karikaturist 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”.

Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni (revistë)”, e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, dhe fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”.

Në vitin 1992 hap një ekspozitë Rimini e në vitin 1993 një tjetër në Provinca Brindisi. Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në Provinca e Riminit. Fillimisht vetëm e më pas tërheq edhe gruan e djalin e vogël. E që atëherë ka jetuar aty, është vendi ku ka vendosur kavaletën e vet, dhe prej nga ku shkon në të katër anët e botës me pikturat dhe karikaturat e veta. E merr vlerësimet maksimale kudo. Edhe sot e kësaj dite trajton temat shoqërore në punimet e tij, shkruan SotNews. Padyshim shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në “karikaturizimin e personit”. Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo mbartësit. Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë,Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg, etj./ KultPlus.com

Ed Sheeran dhe Beyonce në vendin e parë të Billboard Hot 100 me “Perfect Duet” (FOTO/VIDEO)

Ed Sheeran dhe Beyonce lansuan “Perfect Duet” për të rrëzuar nga froni hitin “Rockstar” nga Post Malone dhe 21 Savage.

Bashkëpunimi i tyre gjendet në krye të top listave në javën e parë të lansimit.

Edhe versioni paraprak i “Perfect” edhe remiksi me Beyoncen llogariten “një” në renditje duke arritur 63 për qind të shitjeve totale. Ky është vendi i parë për herë të dytë për Ed Sheeran këtë vit pas këngës “Shape of You”.

Vetëm Justin Bieber ka dy këngë në krye të Billboard Hot 100 brenda një viti. Ndërkohë për Beyoncen është hera e gjashtë që është në vendin e parë të Billboard Hot 100 dhe hera e 10-të me një artist tjetër.


Formula e bashkimit të një emri të madh në një këngë tashmë të suksesshme për të krijuar një këngë që kryeson top listën e kemi parë me “Despaciton” ku versioni fillëstar ishte në vendin e 44, por pas inkuadrimit të Bieber arriti vendin e parë për 16 javë.

Malone dhe Savage me “Rockstar” qëndruan për tetë javë në vendin e parë.

BILLBOARD HOT 100 TOP 10

1. Ed Sheeran feat. Beyoncé – “Perfect Duet”
2. Post Malone feat. 21 Savage – “rockstar”
3. Camila Cabello feat. Young Thug – “Havana”
4. Lil Pump – “Gucci Gang”
5. Imagine Dragons – “Thunder”
6. Sam Smith – “Too Good at Goodbyes”
7. G-Eazy feat. Cardi B & A$AP Rocky – “No Limit”
8. Halsey – “Bad at Love”
9. Cardi B – “Bodak Yellow (Money Moves)”
10. Marroon 5 feat. SZA – “What Lovers Do”

SHBA, një galeri shqiptare prezanton ekspozitën e re

Në mars të këtij viti galeria GR Art hapi dyert për herë të parë me një ekspozitë me fotografi të Marubit. Galeria e krijuar nga piktori shqiptaro-amerikan Gjergj Pali ka sjellë tani para artdashësit një ekspozitë të re me piktura e punime arti nga 11 autorë. Organizatori Gergj Pali ka zgjedhur një koleksion veprash të artit figurativ që përfaqësojnë mediume, stile dhe botëkuptime të larmishme.

Në dukje të ndryshme si në stil, ashtu edhe në medium, punimet janë zgjedhur për t’u përputhur me temën e ekspozitës, Imazhe të Strukturuara dhe Më Shumë. Ideja i lindi organizatorit Gjergj Pali, pasi filloi të përzgjidhte mes punimeve të paraqitura për ekspozim:

“Ishte në përgjithësi një veçori ku imazhi kalon nga dimensioni i dytë në dimensionin e tretë, bëhet tri-dimensional. Dhe jeton në mes të pikturës, gati është si skulpturë e pikturuar”, raporton VOA.

Në disa raste struktura nuk është një element fizik i veprës, por qëndron në metaforën që përcjell ajo. Piktori Adriatik Baliaj prezantohet në ekspozitë me dy vepra:

“Bora e ndryshon strukturën e një vendi; në qoftë se është i errët, ndryshon ngjyrën, por ndryshon edhe formën. Poetikisht po të shihet është pak si strukturë”.

Gazmend Bakalli e gjen frymëzimin tek ritet dhe elementët etnografikë të qytetit të lindjes:

“Kjo është nusja shkodrane, kjo është e bazuar kryesisht në historinë e Shkodrës, se si kanë ndenjur nuset e vjetra në Shkodër. Struktura është e bazuar kryesisht edhe në materialin e kostumeve të vjetra, pak a shumë edhe shtëpitë e vjetra të Shkodrës kanë atë strukturën e tyre që na janë futur në gjak. Të gjitha ato me dashje apo pa dashje të futen në pikturën tënde dhe pasqyrohen këtu në pikturë”.

Piktori Gjergj Pali ka zgjedhur të hyjë në strukturën e kujtesës me një prej veprave të tij nga cikli i Zonave të Memories, me një pejsazh nga shkolla fillore që i kujton fëmijëri, por qëndron edhe si paralelizëm i jetës së tij:

“Është e braktisur… se ne e braktisëm vendin. Dashuria mbetet, patjetër që herë pas here fillon e del në memorie, patjetër me pemët, me sorrat, është më shumë edhe si një ëndërr pak… mes realitetit edhe ëndrrës”.

Historiani i artit Zef Paci ka bashkëpunuar më parë me pronarin e galerisë për të organizuar ekspozitën Marubi. Ndryshe nga ajo ekspozitë që prezantonte vetëm artin e fotografisë, këtë radhë ai sheh një pasuri stilesh, teknikash e përmbajtjesh, që në një mënyrë është sintezë edhe e vetë përvojës amerikane, shprehet ai:

“Është një mjedis i cili pret prurje, botëkuptime e kultura të ndryshme, ndoshta si një similitudë me vendin”.

Në këtë larmi stilesh, veprat e piktorëve shqiptaro-amerikanë kanë identitetin e tyre artistik:

“Ne kemi veçoritë tona. Dallohet piktura jonë me pikturën e një personi që ka lindur këtu, është formuar në shkollë. Vërehet se ne jemi më figurativë për arsye se shkolla që kemi bërë, dhe tendenca ka qenë drejt artit të artit të realizmit socialist në atë periudhë, e cila ka ndikuar në formimin e pikturës klasike, e pikturës së modelit tjetër”, thotë piktori Gjergj Pali.

“Ato që ke njohur, ke mësuar, që ke ditur prej atje, në bashkëpunim me këto krijojnë një gjendje të re që është më ndryshe më interesante, më frymëzuese për punë të tjera”, shprehet piktori Adriatik Baliaj.

Këta autorë kanë tani një adresë të rregullt ku të prezantohen me artdashësin, si dhe një qendër ku të ruhet e kultivohet kultura shqiptare në këtë pjesë të Amerikës.

“Shqiptarët vijnë dhe ‘uau’ hapet gjithë ky dimension, një ekspozitë e bërë profesionalisht”, thotë pronari i ekspozitës, Gjergj Pali.

Një rrugë e gjatë sakrificash e peripecish i është dashur autorit Gjergj Pali për të ardhur deri këtu, por destinacioni për të meriton çdo sakrificë:

“Nuk ka profesion më të bukur. Profesion i vështirë, patjetër, por u them gjithmonë këtyre shokve, me m’pru edhe një herë në jetë prapë dua të jem artist… Ndoshta në Shkodër, ndoshta edhe këtu, po profesioni ka më rëndësi për mua, se ku, nuk dua t’ia di”./KultPlus.com