Të martën në mbrëmje u mbyll edicioni 50/51 i Festivalit të Teatrove në Ferizaj – 2021, nën organizimin e Teatrit ‘Adriana’, e së fundmi ka reaguar edhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, përcjell KultPlus.
“Për shtatë net me radhë publiku shijoi performancë teatrore të nivelit të lartë nga Teatri ‘Adriana’, Ferizaj, Teatri ‘Bekim Fehmiu’, Prizren, Teatri Dodona, Prishtinë, Teatri ‘Hadi Shehu’, Gjakovë, Teatri ‘Faruk Begolli’ – AAB, Prishtinë, Teatri ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Teatri i Gjilanit”, ka shkruar Çeku.
Sipas tij, tekstet e Friedrich Dürrnemantt, Woody Allen, Jeton Neziraj, Enda Walsh, Mikke Bartlett dhe Agush Mulliqi u inskenuan mjeshtërisht nga regjisorët Sulejman Rushiti, Ilir Bokshi, Erson Zymberi, Butrint Pasha dhe Blertë Neziraj.
KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:
Gjysmë shekulli festival.
Të martën në mbrëmje u mbyll edicioni 50/51 i Festivalit të Teatrove në Ferizaj – 2021, nën organizimin e shkëlqyer të Teatrit ‘Adriana’, Ferizaj. Për shtatë net me radhë publiku shijoi performancë teatrore të nivelit të lartë nga Teatri ‘Adriana’, Ferizaj, Teatri ‘Bekim Fehmiu’, Prizren, Teatri Dodona, Prishtinë, Teatri ‘Hadi Shehu’, Gjakovë, Teatri ‘Faruk Begolli’ – AAB, Prishtinë, Teatri ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Teatri i Gjilanit.
Juria profesionale në përbërje Shkurtë Aliu, Agim Sopi dhe Alban Beqiraj, ndau çmimet për më të mirët e festivalit: Mentor Berisha për kostumografi (Kosovo for dummies), Petrit Bakalli për skenografi (Provo edhe një herë, Sam), Vlora Dervishi për rolin episodik (Farsë në Varvolth), Donikë Ahmeti për rolin dytësor grua (Bob Vatson bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht), Tristan Halilaj për rolin dytësor burrë (Brinat), Vjosa Abazi për rolin kryesor grua (Vizita e Zonjës Plakë), Ernest Malazogu për rolin kryesor burrë (Provo edhe një herë, Sam), Blertë Neziraj për regjinë më të mirë (Kosovo for dummies), Çmimi special për ‘Takime në burg’ të Teatrit ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Shfaqja më e mirë për ‘Provo edhe një herë, Sam’ të Teatrit ‘Bekim Fehmiu’, Prizren me regjisor Ilir Bokshin.
Tekstet e Friedrich Dürrnemantt, Woody Allen, Jeton Neziraj, Enda Walsh, Mikke Bartlett dhe Agush Mulliqi u inskenuan mjeshtërisht nga regjisorët Sulejman Rushiti, Ilir Bokshi, Erson Zymberi, Butrint Pasha dhe Blertë Neziraj.
Përgëzime për gjithë komunitetin teatror të Kosovës, organizatorët dhe publikun artdashës. Ju faleminderit për cilësinë dhe emocionin e ofruar.
Sipas dokumenteve të zbuluara, seriali me 9 episode kushtoi 15.5 milionë paund, ose 1.75 milionë paund për 1 episod. Por, fitimet që ka sjellë janë të jashtëzakonshme. Seriali është parë deri tani nga 142 milionë familje, dhe i ka shtuar platformës 4.4 milionë të rinj, dhe në të ardhura kjo përkthehet në 650 milionë paund
Nga Stuart Jeffries
Hwang Dong-hyuk buzëqesh teksa bisedon online me mua nga zyra e tij në Seul. Sapo e kisha pyetur krijuesin e “Squid Game”, serialit të suksesshëm të “Netflix”, nëse suksesi i tij mbresëlënës e ka bërë atë të pasur.
Në dramën distopike të mbijetesës, një organizatë misterioze sfidon 456 lojtarë nga të gjitha sferat e jetës – secili i zhytur në borxhe të mëdha – që të luajnë një sërë lojërash për fëmijë.
Nëse fitojnë, ata kthehen në shtëpi me 4.6 miliardë uon (28 milion paund). Nëse humbasin marrin një plumb në kokë.
Ndoshta tani Hwang është po aq i pasur sa konkurrenti që fiton çmimin e madh? “Unë nuk jam aq i pasur. Por gjithsesi kam mjaftueshëm para për te jetuar normalisht. Dhe nuk është se ‘Netflix’ po më jep ndonjë bonus. Kompania më pagoi sipas kontratës fillestare”- thotë ai.
Kjo duket si diçka e padrejtë. Tek e fundit, regjisori 50-vjeçar nga Koreja e Jugut i ka sjellë qindra milionë dollarë fitime me filmin e tij. Në fillim të këtij, “Squid Game” e tejkaloi serialin tjetër “Bridgerton”, si shfaqja më e suksesshme e “Netflix”.
Sipas dokumenteve të zbuluara, seriali me 9 episode kushtoi 15.5 milionë paund, ose 1.75 milionë paund për 1 episod. Por fitimet që ka sjellë janë të jashtëzakonshme. Seriali është parë deri tani nga 142 milionë familje, dhe i ka shtuar platformës 4.4 milionë të rinj, dhe në të ardhura kjo përkthehet në 650 milionë paund.
Ndoshta Hwang duhet të kishte negociuar një klauzolë lidhur me performancën, sidomos pasi skenari dhe realizmi i tij i shkaktoi aq shumë stres, saqë humbi 6 dhëmbë gjatë xhirimeve. “Ishte shumë e lodhshme fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht. Unë vazhdoja të kisha ide të reja dhe të rishikoja episodet, edhe gjatë kohës që filmonim. Ndaj volumi i punës u shumëfishua”- kujton ai.
Ideja për serialin “Squid Game” lindi nga situata familjare e vetë Hwang në vitin 2009, pas krizës globale financiare që goditi rëndë vendin e tij. “Në atë kisha shumë probleme financiare, pasi nëna ime doli në pension nga kompania ku punonte. Po punoja për një film të ri, por nuk arrita të gjeja financim. Kështu mbeta pa punë përreth një vit. Nëna, unë dhe gjyshja u detyruam të merrnim kredi për t’ia dalë”- thotë Dong-hyuk.
Në atë kohë Hwang u përpoq të gjente ngushëllim në kafenetë e Seulit, ku klientët mund të lexojnë libra komikë me ilustrime. “Aty lexova “Battle Royal” and “Liar Game”, dhe histori të tjera me lojërat e mbijetesës. U lidha shumë me personazhet e tyre, të cilët ishin të dëshpëruar për para dhe sukses. Ajo ishte pika më e ulët e jetës time.
Pyesja veten:Në rast se do të kishte në realitet lojëra të tilla mbijetese, a do t’u bashkohesha edhe unë për të fituar para për familjen time? Duke qenë kineast e kuptova se mund të përdorja përvojën time personale në këto lloj tregimesh, ndaj nisa të shkruaj skenarin.”
Ai vizatoi fillimisht një version të lojës që luante kur ishte fëmijë, të quajtur “Loja e kallamarit”, e quajtur kështu sipas formave të ndryshme të trupit të kallamarit që vizatoheshin në çdo fushë ku luhej ajo.
“Unë kam shumë i aftë në këtë lojë. Që ta fitosh atë duhet të përpiqesh shumë”- thotë Hwang.
Në lojën e parë të serialit, të 456 garuesit mund të lëvizin vetëm kur nuk shihen nga fytyra e një kukulle gjigante të mekanizuar. Ata që kapen, masakrohen për vdekje nga armë automatike.
Po pse Hwang krijoi një garë aq brutale, ku jeta njerëzore është kaq e lirë?. “Pasi filmi motivohet nga një ide e thjeshtë. Ne luftojmë për jetën tonë në rrethana shumë të pabarabarta”- thekson ai. A mos është kjo një kritikë e fortë ndaj kapitalizmit?
“Nuk është një kritikë e fortë! Është një kritikë elementare! Unë besoj se rendi i përgjithshëm ekonomik global është i pabarabartë, dhe se rreth 90 për qind e njerëzve besojnë se ai është e padrejtë. Gjatë pandemisë, vendet më të varfra nuk po munden që t’i vaksinojnë njerëzit e tyre. Ata po infektohen në masë nga virusi, dhe madje po vdesin. Ndaj unë u përpoqa të përcjell një mesazh për kapitalizmin modern”- shprehet regjisori koreano-jugor.
Por a nuk ka një kontradiktë. Pa para nga një korporatë ndërkombëtare, dmth. Netflix, kritika juaj ndaj kapitalizmit global nuk do të ishte parë kurrë nga të tjerët? Hwang qesh dhe më thotë: “Oh, ju po ngrini pyetje shumë të thella! Po, “Netflix” është një korporatë globale, por nuk mendoj se është ajo që po i përkeqëson pabarazitë.
Nuk mendoj se këtu ka ndonjë kontradiktë. Kur punoja për këtë film, synimi ishte të renditesha në vendin e parë të prodhimeve të “Netflix” në SHBA për të paktën një ditë. Por rezultoi të ishte shumë më i suksesshëm, shfaqja më e ndjekur deri tani në “Netflix”. Kjo është shumë e habitshme, dhe tregon se audienca globale po rezonon me mesazhin që doja të përçoja”.
Një nga garuesit në “Squid Game” është një dezertore nga Koreja e Veriut. “Ata janë ndoshta pakica më e madhe në Korenë e Jugut. Dhe ky numër vetëm sa do të rritet. Mendoj se shkëmbimi mes dy Koreve do të zgjerohet. Në një moment ne do ta arrijmë ribashkimin. Shpresoj të ndodhë kështu”- thotë Hwang.
Koreja e Veriut nuk ka një qasje shumë dashamirëse ndaj filmit. Sipas faqes propagandistike “Arirang Meari”, seriali i Hwang tregon se Koreja e Jugut është “e infektuar nga rregullat e mbijetesës së më të fortit, korrupsioni dhe imoraliteti”.
Por “Squid Game” nuk është thjesht një tablo e vendit të tij të origjinës. “Unë doja të krijoja diçka që do të bënte jehonë jo vetëm tek koreanët, por në nivel global. Kjo ishte ëndrra ime”- deklaron ai. Në këtë luftë për jetë a vdekje, prishen normat shoqërore, dhe garuesit zhyten në një luftë e të gjithëve kundër të gjithëve, në të cilën jeta e njeriut është e keqe, brutale dhe e shkurtër.
“Ne po jetojmë në një botë të ‘Lojës së Kallamarit”- thotë Hwang, teksa shton se jo të gjithë personazhet në dramën e tij shqetësohen që të dalin të parët, duke shkelur mbi trupat e humbësve vetëm e vetëm për të fituar para.
Disa shikues janë zhgënjyer me fundin e filmit, kur fituesi merr dy vendime të papritura për familjen dhe paratë e fituara në lojë. Legjenda e basketbollit amerikan LeBron Xhejms, të cilit i pëlqeu në tërësi filmi është shprehur:“Por fundi nuk më pëlqen. Çfarë kuptimi kishte
ai?”.
A e ka gabim Xhejms? “Xhejms është i lezetshëm, dhe mund të thotë çfarë të dojë. Unë e respektoj. I jam shumë mirënjohës që e pa të gjithë serialin. Por nuk do ta ndryshoja fundin e filmit. Ky është fundi im. Nëse ai ka fundin e tij që do ta kënaqte, ndoshta mund ta realizojë vazhdimin e tij. Unë do ta shoh, dhe ndoshta do t’i dërgoj një mesazh duke i thënë:”Më pëlqeu i gjithë filmi yt, përveç fundit”.
Por me siguri ai ka një arsye tjetër për këtë përfundim. Mesa duket ka në plan të vazhdojë serialin, në mënyrë që fituesi të mund të përballet me organizatën sekrete djallëzore që drejton “Squid Game”. Deri tani nuk ka asnjë njoftim, dhe Hwang nuk është i sigurt se do të ketë një sezon të dytë, dhe as se cila do të jetë historia e tij.
“Sigurisht që flitet për këtë, dhe kjo gjë është e pashmangshme pasi ka qenë një sukses i madh. Unë jam duke e menduar këtë. Kam diçka shumë të bukur në mendje, por nuk do ta punoj menjëherë. Ka një film që dua ta realizoj. Jam duke e menduar se çfarë do të bëj më parë. Do të bisedoj me Netflix.”
Ai nuk dëshiron të mbetet i njohur vetëm si krijuesi i “Squid Game”, ndaj po lobon tek “Netflix” për të shfaqur 3 filma që i ka realizuar dekadën e kaluar. Por ai me siguri nuk e ka përjashtuar një vazhdim të serialit, qoftë vetëm për një arsye shumë materiale. “Ka të ngjarë të nis të xhiroj edhe sezonin e dytë, për t’u bërë po aq i pasur sa fituesi i Squid Game”-thotë ai duke qeshur. / bota.al / KultPlus.com
Filmi vendor Zgjoi mbajti premierën për publikun kosovar në Cineplexx më 28 tetor me rekord të shitjes së biletave.
Me 1926 bileta të shitura Zgjoi është bërë filmi shqiptar me më së shumti bileta të shitura në ditën e premierës. Për premierën e këtij filmi, Cineplexx me datën 28 tetor, në të dy kinematë, në Prishtinë dhe Prizren, organizoi eventin Ladies Night, ku për të pranishmit u dhuruan shumë shpërblime nga partnerët e shumtë të kinemasë më të madhe në Kosovë.
Filmi Zgjoi ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm tek publiku Kosovar, duke bërë që biletat për premierën e filmit në kinemanë në Prishtinë të shiten të gjitha një ditë para shfaqjes. Ndërsa, gjatë premierës së filmit në Prizren, në kinema ishin prezente edhe zonja Fahrije Hoti dhe gratë e tjera nga Krusha, të cilat me prezencën e tyre i dhanë një ngjyrë tjetër të gjithë mbrëmjes së premierës së këtij filmi.
Zonja Fahrije mbajti një fjalim të shkurtër para shfaqjes së filmit ndërsa foli për përvojat e saja private, sfidat në realizimin e filmit si dhe knaqësinë që ia jep asaj interesimi i publikut shqiptar për ta parë dhe dëgjuar rrëfimin e saj, por duke shpresuar që do u shërbejë të gjithëve me një mesazh pozitiv dhe inspirim për të vazhduar përpara kundrejt të gjitha sfidave.
Filmi do të vazhdojë të shfaqet në ditët dhe javët në vazhdim, ndërsa kinemaja Cineplexx ka rezervuar 6 orare për shfaqjen e filmit këtë vikend, duke u mundësuar të gjithë të interesuarve për ta shikuar në termine të ndryshme.
Filmi pëcjellë Fahrijen e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.
Oraret për filmin Zgjoi në Cineplexx mund t’i gjeni duke klikuar këtu / KultPlus.com
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë, fjalët ti m’i ktheve në harrim, në qiell është hëna, s’i them dot hënë s’të flas dot për mjegullën në agim.
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë, në gjoks ti vër çdo fjalë në vend të saj. Pastaj do të përkund në një djep-këngë, me hënën flokëve si karficë e bardhë.
Dhe nëse rrugët për në zemër dot s’i gjen, më thuaj të t’i zgjas gishtërinjtë e mi. Mbi ta mbështete kokën, dhe për një çast ti pendë do të kthehesh, brenda meje do të vërtitesh, shpirt!
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë, kur ti je kaq pranë dhe kaq e thjeshtë, u këput një gjethe nga një pemë, e verdhë si harresa … ishte vjeshtë. / KultPlus.com
Promovimi i produkteve tradicionale vendase, është fokusi kryesor i festës së “Verërave dhe gështenjave”, që është çelur sot në Pogradec.
E kthyer tashmë në traditë në qytetin e Pogradecit, kjo festë tërheqë vizitorë të shumtë dhe turistë të huaj të cilët shijojnë produktet vendase.
Festa e “Verërave dhe gështenjave” është shndërruar tashmë në një festë të përvitshme që tërheq gjithmonë e më shumë vizitorë në qytetin juglindor të vendit.
Entela Gusho, nënkryetare e bashkisë Pogradec tha ATSH-së, se ” këto dy ditë dhe netë (29-30 tetor) të mbushura me aktivitete dhe shije të veçantë ushqimesh tradicionale të zonës, janë një ftesë e hapur për të gjithë vizitorët, që të zgjidhin Pogradecin këtë fundjavë”.
Gusho u shpreh se, festa do të kalojë bukur me verë buti, gështenja të pjekura dhe nën tingujt e një koncerti të larmishëm muzikor.
“Edhe këtë vit nuk do të mungojnë tezgat në shërbim të të gjithë të interesuarve që dëshirojnë të tregtojnë verën e tyre apo produkte ushqimore tradicionale. Po ashtu, bizneseve u krijohet mundësia që të promovojnë gatimet e tyre tradicionale, punimet artizanale si dhe të vendosin kontakte për shitjen e prodhimeve të zonës në tregje të reja”, tha ajo.
Prodhimi i verës mbetet një traditë për qytetin e Pogradecit, ndërsa verërat pogradecare në vite, kanë marrë edhe disa çmime ndërkombëtare.Aktualisht juria ka degustuar verërat që janë bërë pjesë e konkursit të Festës së Verërave dhe Gështenjës dhe do të ndaj tre çmime për: Vera më e mirë e kuqe artizanale; Vera më e mirë e bardhë artizanale dhe çmimi i Kantinës më të mirë. /atsh/ KultPlus.com
Siç është paralajmëruar kohë më parë, më në fund është publikuar kënga më e re nga Bebe Rexha e cila vjen në bashkëpunim me artistët e njohur si David Guetta, Ty Dolla Sign dhe A Boogie Wit da Hoodie, përcjell KultPlus.
Kënga titullohet ”Family” dhe i përket zhanrit dance/electronic. Ndërkaq muzika është realizuar nga vet DJ me famë botërore, David Guetta, gjersa tekstin e këngës e kanë shkruar vet interpretuesit.
Ky është bashkëpunimi i tretë i artistes shqiptare me David Guetta-n, pas këngëve të suksesshme “Say my name” dhe “Hey mama”. / KultPlus.com
Sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës, është mbajtur mbledhja komemorative në nderim të jetës dhe veprës së regjisores së ndjerë, Burbuqe Berisha.
Atë e përkujtuan kolegët me të cilët bashkëpunoi, regjisorët, aktorët dhe personalitete nga jeta publike e politike e vendit tonë.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, në emër të ministrisë mori pjesë në komemoracion dhe para të pranishmëve ndër të tjera tha “Burbuqja ka qenë një prej luftëtarëve të mëdha për të drejtat e përbashkëta dhe vlerave të shoqërisë tonë. Kontribuuese e denjë në zhvillimin e institucioneve tona të kulturës, një prej shtytësve të rëndësishëm në zhvillimin e edukimit dhe pedagogjisë së profilit teatror”, ndërsa shtoi “Komuniteti artistik kosovar, ka humbur një njeri të shkëlqyer dhe të papërsëritshëm. Ajo do të kujtohet dhe të përmendet përherë”.
Për nder të saj folën edhe bashkëpunëtorët dhe kolegët, regjisoret Zana Hoxha, Arbëresha Grabovci-Nixha, dhe Bardha Kelmendi, të cilat treguan për përvojat, profesionalizmin, energjinë dhe dashurinë e Burbuqe Berishës për krijimtarinë, regjinë dhe filmin. Ilir Tafa nga AAB, kujtoi afërsinë dhe pozitivetin që e karakterizonte regjisoren e ndjerë. Ndërsa, motra e të ndjerës Trëndelina Berisha, falënderoi të gjithë ata që u kujdesën dhe bashkëpunuan me regjisoren.
Burbuqe Berisha, vdiq më 27 tetor 2021, në moshën 51 vjeçare. Ajo kishte një karrierë të bujshme dhe la pas vetes trashëgimi të madhe të krijimtarisë artistike me filma të zhanreve të ndryshëm, dokumentarë të shkurtër e artistik dhe shumë shfaqje teatrale, që u realizuan nën regjinë e saj. / KultPlus.com
Ditën e djeshme yjet botërore shkëlqyen me paraqitjet e tyre në tapetin e kuq të ELLE Style Awards të mbajtur në Sevilje të Spanjës, përcjell KultPlus.
E pranishme në këtë mbrëmjë, e që mori vëmendje të madhe, ishte këngëtarje shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora.
”Ylli i muzikës pop dukej tejet tërheqëse në një fustan të zi plot shkëlqim. Këngëtarja e lindur në Prishtinë, e cila mori emrin e lindjes nga frymëzimi që familjarët morën nga Rita Hayëorth, balancoi me mjeshtëri drejtpeshimin e saj në një palë taka të zeza në tapetin e kuq”, ka shkruar DailyMail, përcjell tutje KultPlus.
Këngëtarja shqiptare shquhet për paraqitjet e saj ekstravagante dhe tërheqëse në evente të tilla, duke qenë kështu një Ikonë e Stilit. / KultPlus.com
E diela e fundit e muajit tetor (31 tetor), shënon ndërrimin e akrepave të orës dhe zhvendosjen e tyre një orë mbrapa. Koha diellore do të hyjë në fuqi natën ndërmjet të shtunës 30 dhe të dielës 31 tetor.
Ky ndryshim i orës do të ndodhë në orën 03:00 të mëngjesit, ku akrepat do të zhvendosen 60 minuta mbrapa dhe ora do të shënojë 02:00.
Ku ndryshim do të thotë që fitojmë një orë më shumë gjumë, por errësohet më shpejt.
Ora e verës ndryshon gjithmonë të dielën e fundit të marsit (një orë përpara) për verën dhe të dielën e fundit të Tetorit (një orë mbrapa) për dimrin.
Ndryshimi i orës më parë në Evropë ka qenë jo i njëtrajtshëm, por filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës dhe kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën, në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike.
Ndryshimi i orës në Evropë u vendos si ligj evropian nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Norma evropiane vendos në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur ora shkon një orë përpara) dhe përfundimin e saj (kur ora si tani, shkon një orë pas); që tani respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit. / KultPlus.com
Nëfaqen n°200të poemës me titull “Le Dauphin” të shkrimtarit francezJacques de La Fons, botuar në Paris në vitin 1609, gjejmë disa vargje dedikuar heroit tonë kombëtar, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
“Thuhet se Skënderbeu (ndërsa shteti i tij
lëkundej i shqetësuar nga tërbimet e Muratit)
Bënte gjatë netëve kapjet më të mira të tij
Dhe gjatë netëve më të gjata flinte vetëm dy orë,
Vrojtimet dhe gjaku janë lavdi të frytshme,
Dhe netët më të shkurtra bëjnë ditët më të gjata
Nëse unë do t’i pikturoja lavdinë, do të kisha dashur një figurë (portret) me
Një sy gjithnjë të çelur, fare pa qepallë.” / KultPlus.com
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi përshëndeti konferencën shkencore albanologjike ndërkombëtare “Studimet për shqiptarët në Francë”, që u zhvillua sot në Prishtinë.
Në fjalën e tij përshëndetëse akad. Gjinushi, tha se “tashmë u bë traditë që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës të organizojë konferenca albanologjike duke iu referuar kufirit të gjuhës ose një areali të përafërt, si një mundësi jo vetëm për të evokuar, vlerësuar dhe shqyrtuar në mënyrë kritike arritjet e dijetarëve albanologë, shpesh herë të shfaqur edhe si qendra e shkolla mendimi e metode, por edhe për të verifikuar nivelet e disnivelet që rezultojnë brenda për brenda tyre dhe midis tyre e kërkimeve tona vendëse”.
“Këto konferenca, si ajo për studimet albanistike në arealin e gjermanishtes, të italishtes e të anglishtes, njëherësh janë dhe një rast për të kuptuar se ç’po ndodh me albanologjinë sot, ku po përforcohet e ku po dobësohet; ku mundet që qeveritë e vendeve tona të inkurajojnë interesin për shqipen, për qytetërimin shqiptar, për lashtësinë e popullit; gjithashtu dhe ku e kë duhet të nderojmë për kushtimin jetësor ndaj botës sonë jo aq fitimprurëse në veprimtarinë universitare dhe akademike në pikëpamjen e përfitimit financiar”, tha akad. Skënder Gjinushi.
Sa u takon studimeve për shqiptarët në Francë, që janë objekt i konferencës së sotme, Gjinushi theksoi dy çështje: “e para ka të bëjë me hershmërinë dhe shumanshmërinë e interesimeve frënge për botën shqiptare duke filluar prej Lavardin-it, përkthyesit apo, nëse doni, përshtatësit të Historisë së Skënderbeut në gjuhën frënge; deri tek shekulli i romantizmit, shoqëruar e vijuar me veprat me karakter etnologjik e historiografik; tek shekulli i 20-të, gjatë të cilit mund të flitet për krijimin e një shkolle franceze të studimeve shqiptare, me figura të tilla si Alain Ducellier e Christian Gut, me gjuhëtarët e kadareologët, që tashmë janë një skuadër e vërtetë”.
“Ajo që mund të identifikojë shkollën frënge të studimeve albanistike, ndryshe prej ndonjë tjetre, është se i mungon si rregull qasja kolonialiste apo neokolonialiste. Një ekzotikë bashkëshoqëruese, sidomos deri në mesin e shekullit XX, por edhe gjatë periudhës së mbylljes, është e kuptueshme, sepse shqiptarët ishin e panjohura. Por, me sa i njoh unë këto studime, nuk ka qëndrime metropolitane ndaj një bote provinciale e të prapambetur, dhe kjo shpreh jo vetëm vlera shkencore, por edhe një sjellje empatike ndaj nesh, që duhet vlerësuar”, – tha akad.Gjinushi.
Së dyti, vijoi akad.Gjinushi, do të veçoja rëndësinë e shkollës franceze për formimin e dijetarëve shqiptarë dhe për pajisjen e tyre me një metodë të shëndetshme kërkimore.
“Këtu kemi akademikët Rexhep Ismajli e Bahri Beci, që janë produkt i asaj shkolle, në të cilën u formuan edhe Selman Riza e Ibrahim Rugova, për të mbetur vetëm tek brezat e parë. Studiuesit albanologë që u formuan në shkollat franceze u bënë ura ndërkomunikimi dhe ndërkëmbimi dijesh dhe përvojash.”, tha akad. Gjinushi.
Ai u shpreh se “konferencat albanologjike referuar kufirit të gjuhës nga njëra anë dhe botimi i studimeve të albanologëve të huaj në shqip e shpesh edhe në gjuhën e burimit janë dy nga traditat më ndërplotësuese të veprimtarisë kërkimore e botuese të ASHAK-ut, me një rëndësi të madhe për gjithë studimet shqiptar”.
Akad. Gjinushi theksoi se “dy akademitë tona po shkojnë vetvetiu drejt një kombinimi të suksesshëm të nismave të përbashkëta e të nismave plotësuese. Tashmë jemi në kohën që këtë çështje të mos ua lëmë protokolleve me kufij dyvjeçarë, por të mendojmë për më gjatë.”
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bëri të ditur se Kuvendi i studimeve albanologjike që do të zhvillohet në Tiranë më 25-28 nëntor do të jetë një rast për të arritur në përfundime të dobishme edhe për këtë problem.
“Po ashtu, përvoja që po krijojmë duke punuar së bashku për disa projekte madhore në albanologji, si Enciklopedia shqiptare, është mësimdhënëse”, tha akad.Gjinushi. / KultPlus.com
Tash e sa kohë vëmendja e botës është kthyer nga rëndësia e edukimit mbi shëndetin mendor dhe në trajtimin e këtij të fundit. Fatmirësisht, as Kosova nuk po qëndron larg këtij fenomeni, ku tash më shumë se kurrë është temë diskutimi nëpër rrjete sociale e po ashtu edhe në televizone. Së fundmi është edhe psikologia dhe logopedia Donjeta Spahiu e cila këtë çështje po e trajton me seriozitetin më të madh të mundshëm përmes platformës së saj ”Fol me mu”, shkruan KultPlus.
”Fol me mu” është një platformë online që zë vend në rrjetin social Instagram, ku tash e sa kohë është në dispozicion të të gjithë atyre që vuajnë nga problemet me shëndetin mendor, e njëherit edhe si pikë referuese mbi edukimin për shëndetin mendor.
”Ideja për krijimin e platformës ”Fol me mu” ka lindur në kohën e fillimit të pandemisë, kryesisht gjatë periudhës dy mujore të karantinës, ku unë dhe shumë profesionist të tjerë të shëndeti mendor kemi ofruar ndihmë të parë psikologjike për personat në nevojë. Aty e kam pa nevojën e madhe të individëve për edukimin mbi shëndetin mendor dhe kam vendosur që platforma ”Fol me mu” të jetë pikërisht vendi ku individët e caktuar të marrin informacione të sakta në lidhje me shëndetin mendor”, tregon Spahiu për KultPlus.
Spahiu ka treguar se arsyeja pse ajo ka zgjedhur rrjetin social Instagram për platformën ”Fol me mu”, ka të bëjë me faktin se ky rrjet social përdoret jashtëzakonisht shumë nga qytetarët në përgjithësi dhe se kështu ata do të kenë më të lehtë qasjen e tyre. Ndër tjera, Spahiu thekson se ndër synimet e saj në lidhje me këtë platformë, ka të bëjë me rritjen më të madhe elektronike të ”Fol me mu” ku të gjithë do të mund të kenë qasje për të marrë ndihmën e parë psikologjike.
Shëndeti mendor ose Higjiena mendore është niveli i mirëqenies psikologjike ose mungesa e sëmundjes mendore. Më konkretisht është gjendja e dikujt që “funksionon në një nivel të kënaqshëm të rregullimit emocional dhe të sjelljes”. Nga këndvështrimi i psikologjisë pozitive ose të holizmit, shëndeti mendor mund të përfshijë aftësinë e një individi për të shijuar jetën dhe për të krijuar një ekuilibër midis aktiviteteve të jetës dhe përpjekjeve për të rritur aftësinë psikologjike. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), shëndeti mendor përfshin “mirëqenien subjektive, vetë-efikasitetin e perceptuar, autonominë, kompetencën, varësinë ndër-gjeneruese dhe vetë-aktualizimin e potencialit intelektual dhe emocional të dikujt”. OBSH shprehet më tej se mirëqenia e një individi është e përfshirë në realizimin e aftësive të tyre, përballimin e streseve normale të jetës, punës prodhuese dhe kontributit për komunitetin e tyre. Dallimet kulturore, vlerësimet subjektive dhe teoritë profesionale konkurruese të gjitha ndikojnë në mënyrën se si njeriu e përcakton “shëndetin mendor”.
”Edukimi mbi shëndetin mendor është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe gjithnjë duhet të barazohet me atë fizik. Në Kosovë nuk trajtohet shumë dhe kjo vërehet kur marrim për bazë nevojën e madhe të individëve, pikë së pari për informacionet mbi shëndetin mendor, reagimet emocionale, problemet me sjelljen, njohjen e vetvetes etj. Mirëpo, prapë jam optimiste pasi kohën e fundit edhe tek ne i është dhënë një rëndësi mediatike edhe pse kërkesat janë të ulëta karshi nevojës për trajtim”, shprehet tutje Spahiu për KultPlus.
Spahiu po ashtu ka treguar për KultPlus se moshat që kërkojnë trajtim në këtë platformë janë prej më të ndryshmeve, duke filluar nga 14-të e deri në 30-të vjeç, gjë për të cilën beson se ka të bëjë me faktin që kjo është mosha më e madhe që përdor rrjetin social Instagram. Ndërkaq, ajo ka theksuar se edhe pandemia Covid-19 ka ndikuar shumë në shëndetin mendor, por që nga ana tjetër, edhe ka hedhur dritë mbi këtë fakt duke ngritur vetëdijen për sa i përket rolit që edukimi mbi shëndetin mendor ka tek secili individ.
Në pyetjen se cilat janë problemet më të shumta për të cilat individët adresohen në ”Fol me mu”, Spahiu ka treguar për KultPlus se problemet më të shpeshta të atyre që kërkojnë ndihmë nga kjo platformë kanë të bëjnë me ankthin dhe sulmet e panikut.
”Fol me mu” do të ju shërbejë të gjithë individëve të marrin ndihmën e parë psikologjike, duke u bërë kështu edhe si një rrugë ndihmëse për të trokitur në derën e psikologut dhe të pranohet trajtimi i duhur psikologjik.
”Mesazhi im për të gjithë ata që vuajnë nga problemet me shëndetin mendor është ky: Jini të butë me veten dhe guxoni të kërkoni ndihmë atëherë kur mendoni se nuk mundeni të ndihmoni veten”, përfundon Spahiu.
Psikologët dhe punëtorët socialë luajnë role shumë të rëndësishme në fusha të ndryshme të shëndetit mendor, përfshirë ato të menaxhimit të çështjeve, avokimit, administratimit dhe shërimit. Funksionet kryesore të një psikologu, punonjësi social ose psikiatri janë promovimi, parandalimi, trajtimi dhe rehabilitimi.
Psikologët dhe punonjësit social gjithashtu mund të praktikojnë edhe forma ose qasje të tilla si:
Blue Origin, kompania hapësinore e turizmit, në pronësi të themeluesit të Amazon Jeff Bezos, ka njoftuar projektin e radhës që është krijimi i një stacioni hapësinor komercial.
Kompania tha se ata shpresojnë të vënë në jetë stacionin e quajtur Orbital Reef deri në fund të dekadës. Materialet promocionale u bënë publike nga kompania, e cila pretendon se stacioni do të jetë një park shumëpërdorimësh në hapësirë, që do të mund të mbajë deri në 10 persona, transmeton Euronews, përcjell KultPlus.
Kompania do të bashkohet me Sierra Space dhe Beoing për të ndërtuar stacionin. Blue Origin tha se stacioni me një sipërfaqe prej 3 mijë metra katror do t’i ofrojë klientëve një vend ideal për xhirim filmash në kushtet e mikrogravitetit.
Në një konferencë për shtyp, ku kanë njoftuar projektin, përfaqësues të kompanisë dhe Sierra Space nuk dhanë të dhëna se sa do të kushtojë projekti, edhe pse projekti me siguri do të marrë një shumë të majme parash nga Bezos që ka premtuar se do të shpenzojë 1 miliard dollarë në vit për Blue Origin.
Njoftimi vjen ndërsa NASA po kërkon propozime për të zëvendësuar stacionin e vjetëruar hapësinor ISS. Më herët, zyrtarët rusë kanë paralajmëruar se kozmonautët e tyre mund ta lënë stacionin deri në 2025-ën, për shkak të frikës se pajisjet e vjetëruara mund të shkaktojnë një incident të rëndë. / KultPlus.com
Amazon CEO Jeff Bezos speaks at the the Amazon re:MARS convention, Thursday, June 6, 2019, in Las Vegas. (AP Photo/John Locher)
Në kuadër të Kosovo Theatre Showcase, të mërkurën në Prishtinë ipet premiera botërore e shfaqjes ‘Balkan Bordello’ të Jeton Nezirajt në regji të Blerta Nezirajt.
Kjo shfaqje vie si koproduksion i teatrit La MaMa nga New York, Qendrës Multimedia nga Prishtina, teatrit Atelje 212 nga Beogradi dhe fondacionit My Balkans nga New York dhe Beogradi. Në shfaqje luajnë një kastë prej 10 aktorësh amerikanë, serbë e shqiptarë; Onni Johnson, Svetozar Cvetković, George Drance, Eugene the Poogene, Valois Mickens, John Maria Gutierrez, Mattie Barber-Bockelman, Ivan Mihailović, Matt Nasser e Verona Koxha.
E bazuar në trilogjinë Orestia të Eskilit, ‘Balkan Bordello’, përmes humorit të zi prekë indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerrë në pah budallallëkun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes.
Si pasojë e kësaj, personazhet e dramës i nënshtrohen fatit dhe gati pavetëdijshëm bien në grackën e palumturisë dhe të shkatërrimit. ‘Balkan Bordello’ është dramë për shoqëritë e traumatizuara që hanë vetveten. “Balkan Bordello është një rrëfim epik për një epokë të çmendur të cilën jemi duke e jetuar. Demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë. Beteja për të duhet të jetë e vazhdueshme. Çdo luhatje nga ky synim u lëshon vend fantazmave të luftës, abuzuve të forcës dhe autokratëve që fatin e shoqërive që i sundojnë e shohin si të ishte lojë e ruletit rus. Shembujt i kishim dje – i kemi edhe sot! Ballkani i gjakut i viteve të 90-ta dhe Ballkani i etjes për hakmarrje tash”.
“Duke e huazuar pejsazhin e Orestisë së Eskilit, shfaqja evokon arketipin e një shoqërie që del nga lufta në një gjendje konfuzioni, ku raportet e rregullit dhe pushtetit të vjetër janë përmbysur, e rregulli e pushteti i ri nuk duket të kenë legjitimitet, sepse janë të bazuara në forcë”, ka shkruar për shfaqjen sociologia e analistja Anna Di Lellio.
“Në të vërtetë pak gjëra kanë ndryshuar që nga vepra e Eskilit e shkruar në Greqinë Antike e deri më sot: asgjë nuk mund tu japë një shpjegim të arsyeshëm tragjedive njerëzore të shkaktuara nga njerëzit dhe në këtë kuptim ‘Balkan Bordello’ e adreson këtë pakuptimësi me anë të një humori specifik që ne e njohim mirë”, shpjegon Jeton Neziraj, autor i Balkan Bordello.
Nga ana teknike, për këtë shfaqje janë angazhuar profesionistë të shquar të teatrit. Muzika: Gabriele Marangoni. Skenografia: Marija Kalabić. Kostumet: Gabriel Berry. Koreograf: Gjergj Prevazi. Koncepti visual dhe i dritave: Nico de Rooij.
Pas premierës në Prishtinë, në kuadër të Kosovo Theatre Showcase shfaqja do të ipet në Gjilan dhe Ferizaj ndërsa gjatë nëntorit Balkan Bordello do të prezentohet edhe në Tiranë (6 nëntor) e Beograd (8 dhe 11 nëntor) para se të shfaqet edhe në teatrin prestigjioz La MaMa në New York gjatë marsit të vitit të ardhshëm. / KultPlus.com
Poeti i shquar kosovar Lulzim Tafa do të nderohet në Greqi me Çmimin e Artë “Aleksandri i Madh”.
Ceremonia e dhënies së Çmimit Ndërkombëtar “Aleksandri i Madh” do të mbahet me 31 tetor në kryeqytetin e Greqisë, në Athinë.
Me këtë çmim që ndahet për të 37 herë me radhë, nderohen personalitete të shquara nga mbarë bota, njerëz dhe organizata për kontributet e tyre nga fusha e letërsisë dhe arteve, shkencës, politikës dhe sportit. Ky çmim i cili është nën kujdesin e UNESCO-s jepet nga viti 1985.
Poeti Lulzim Tafa do të nderohet për kontributin e tij në fushën e letërsisë dhe të mirës së përgjithshme. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore do ta mbahet në ishullin historik të Salaminës me prezencën e autoriteteve kulturore dhe bashkiake të qytetit dhe përfaqësueseve nga UNESCO.
Lulzim Tafa është njëri ndër poetët kosovarë më të njohur, librat e të cilit janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Ai ka fituar shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare të letërsisë. / KultPlus.com
“Kundërbota e Branko Merxhanit”, titullohet ekspozita e çelur nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë kushtuar njërës prej figurave më interesante, e në shumë aspekte më aktuale të mendimit dhe të publicistikës shqiptare.
Në çeljen e ekspozitës ishte e pranishme ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha, akademikë, studiues, etj.
“Fatkeqësisht Merxhani mbetet një figurë jo fort e njohur ndër ne, e aq më tepër për brezin e ri dhe ekspozita si kjo, e hapur në Bibliotekën Kombëtare, që përshkruajnë veprën e tij përmes shkrimesh në shtypin e kohës, dorëshkrimeve, debateve, materialeve të nxjerra nga fondi i BK dhe Arkivi Qendror i Shtetit, janë jo vetëm të mirëpritura, por edhe të domosdoshme për të njohur ideologët dhe mendimtarët tanë”, – tha Margariti.
Ekspozita rindërton rrugëtimin e veprimtarisë 16-vjeçare të Merxhanit në Shqipëri, gjatë të cilit ai u bë një ndër figurat më ndikuese në botën kulturore shqiptare. Rrugëtimi fillon, natyrisht, me shkrimet e tij të para në gazetën “Demokratia”, të botuar në Gjirokastër, duke filluar nga viti 1927.
Në këtë gazetë, Branko Merxhani botoi disa prej shkrimeve më të rëndësishme. Së bashku me mikun Vangjel Koça, kishin aty një faqe të vetën, të titulluar “Lëvizja mendore”, në të cilën hodhën tezat e para të “Neoshqiptarizmës”, doktrinës së tyre për daljen e Shqipërisë nga varfëria dhe prapambetja e skajshme shekullore, nëpërmjet kulturës, arsimimit dhe emancipimit shoqëror.
Ekspozita pasqyron veprimtarinë e tij në disa prej organeve më të rëndësishme të shtypit të kohës, si te të përmuajshmet “Illyria” dhe “Minerva”, apo te “Koha e re”, e drejtuar nga Petro Marko. Por emri i Branko Merxhanit lidhet, para së gjithash, me revistën e përmuajshme “Përpjekja Shqiptare”, të botuar prej tij nga viti 1936 deri në vitin 1939, vit ky kur ai largohet nga Shqipëria, pas pushtimit italian, për të mos u kthyer më kurrë. Kjo revistë famëmadhe ishte, pa dyshim, organi më me ndikim në botën intelektuale të asaj kohe.
E veçanta e kësaj ekspozite është përfshirja në të e një sërë materialesh arkivore origjinale, në saje të bashkëpunimit me Arkivin e Shtetit. Po ashtu, në të ekspozohet dorëshkrimi i një drame të tij të pabotuar.
Gjatë ekspozitës u shfaq një dokumentar i shkurtër kushtuar figurës dhe veprës së Branko Merxhanit.
Branko Merxhani nuk është thjesht një figurë muzeale. Përkundrazi, shumë prej shkrimeve, analizave dhe tezave të tij tingëllojnë ende sot mjaft aktuale. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 5 nëntor 2021. /atsh/ KultPlus.com
Bar “Shqjpëria” në Horën e Arbëreshëve ka qenë një nga vendet më popullore të katundit arbëresh, ku specialitet ka qene embëlsira që ka bërë të njohur gastronominë vendase në gjithë Italinë e më gjerë.
I konsideruar jo vetëm si një vend ku mund të bliheshin dhe konsumoheshin embëlsira ai ka qenë dhe një pikë takimi për komunitetin dhe aktivitetet e tij.
Por mbi të gjitha ka qenë popullor për Cannolin (Kanojët) embëlsirwn e famshme të Horës së Arbëreshëve.
Cannoli është lloj brumi i mbushur brenda, një ëmbëlsirë e famshme në Horën e Arbëreshëve. Sekreti i kësaj recete është brumi në formë pite, dhe përzierja e kripës me të ëmblën. Mbushet brenda me riçota (gjizë e ëmbël) dhe çokollatë.
Në Siçili kjo ëmbëlsirë shërbehet në çdo bar e restorant, e veçanërisht mes Horës së Arbëreshëve është më e preferuara. Eshtë simboli i tradites arbëreshe. /dsh/ KultPlus.com
Është publikuar lista me nominimet e American Music Awards 2021. Olivia Rodrigo kryeson listën me shtatë nominimeve, pasuar nga Bad Bunny, Doja Cat dhe Giveon, secili me nga tre nominime.
Pjesë e listës së nominimeve janë edhe artistët me prejardhje shqiptare, me DJ Regardin, i cili shënon suksesin më të madh të tij, duke arritur të nominohet në një prej kategorive.
Ai është nominuar për çmimin “Artisti më i mirë i zhanrit dance/electronic”, gjersa gëzimin për këtë nominim e shprehu përmes një postimi në Instagram.
“Jam kaq i ekzaltuar të jem i nominuar për AMA 2021, voni tani duke këruar AMAs në TikTok, mos e humbisni AMA-në më 21 nëntor në ABC Nwetwork. Votoni në billboard.com/amasvote”, shkroi ai në mbishkrimi e fotografisë.
Në këtë kategori, Regard konkurron me emra të njohur ndërkombëtarë si: David Guetta, ILLENIUM, Marshmello, dhe Tiësto.
E nominuar është edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e cila sivjet në AMA garon për tri çmime: “Artistja më e mirë pop”, “Albumi më i mirë pop” (për albumin ‘Future Nostalgia’) dhe “Kënga më e mirë pop” (për këngën ‘Levitating’).
American Music Awards 2021 do të transmetohet drejtpërdrejt nga Microsoft Theatre në Los Angeles të dielën, më 21 nëntor në orën 20:00 (EST / PST) në ABC. / KultPlus.com
Sipas matësit të ajrit në kryeqytet, IQAir, momentalisht ajri është i ndotur dhe jo i shëndetshëm.
Parametrat tregojnë se indeksi i ajrit është 141, ndërsa PM2.5, që është konstantja e ajrit, është 5.2 herë më e rëndë sesa parametrat e OBSh-së.
Gazrat nga makinat dhe djegia e qymyrit për ngrohje konsiderohet të jenë ndër problematikat kryesore të kësaj ndotjeje e cila mbetet e pazgjidhur për vite me radhë.
Sipas IQAir, në këtë lloj ajri, duhen bartur maskat, mbyllur dritaret për të evituar ajrin e papastër, duhen reduktuar aktivitetet në ambiente të hapura dhe të pastrohet ajri përmes aparateve për ambiente të mbyllura. / KultPlus.com
Vanushja ime e shtrenjtë, është një orë e pazakontë për të shkruar dhe, akoma më e pazakontë, për të shkruar një letër për ty. Rëndom, me shtimin e fëmijëve dhe rritjen e tyre, vendin e dikurshëm të letrave tona e zunë mesazhet operative në celular – lista monokolonë porosish për tranguj, domate, karota, bukë, ilaçe, pije e ushqime të tjera – të vetmet “pusulla dashurie”. Ora po i afrohet katrës së mëngjesit. Bëra kontrollin e zakonshëm në dy dhomat ku flenë fëmijët tanë: si gjithmonë, jorgani ka shkarë ose e kanë hedhur mënjanë. Qesin shqelma përgjumësh ata… se s’bën… Tërë shtëpia jonë, me pikëzimet e buta shumëngjyrëshe të dritave zbukuruese të festave të fundvitit kundërmon gjumë të thellë dhe ëndrra. Konturet e orendive, edhe ato të tulatura në përgjumje, ngjajnë si ndoca magë të përralltë. Është bash ora kur shfaqen ëndrrat “profetike”.
Temperatura ka zbritur në 12 gradë. Por kam ndezur oxhakun tashmë. I pastruar nga hiri, brenda xhamit të oxhakut përpëliten e kacafyten gjela flakësh të vrullshme. Shpejt nxehtësia do të thithet nga dhomat ku flini ju, temperatura do të ngrihet, ndërsa unë do të ruaj zjarrin, ta mbaj gjallë, derisa fëmijët të ngrihen si të pirë nga gjumi, me sytë plot sklepa. Tani që po të shkruaj, jashtë po bie sërish dëbora që pati nisur në mbrëmje. E vetmja, e rralla, dëbora e sivjetshme, qe si një shpërblim bujar për fëmijët, që na luteshin, na përgjëroheshin t’i çojmë në Dibër (sidomos Shendi) këto ditë të zgjatura e të detyruara pushimesh. Nesër i nxjerrim sërish “të dehen” me bardhësinë e butë, përpara se ajo të shkrijë. Vanushe e dashur, Teksa vërtitem si një shaman mes “perandorisë” sonë të vogël, të përpirë nga gjumi, ndiej se sa vështirë do ta kemi, sa gjatë, dhe sesa varet ajo prej nesh. E qetë dhe e shqetë, gazmore e problematike, çlodhëse e acaruese, shpërblyese e sizifiane, kjo “perandoria” jonë e vogël na i përpin, në fakt, na i thith e i shteron energjitë tona çdo ditë, por ama, dashurisht, mallëngjyeshëm, “me pambuk”. Epo, me sa duket, zemër, kjo është Jeta, me gjasë, e zhveshur nga metafora e për të cilën, dëgjova mbrëmë nga një film të thuhet një frazë patetike e kuazifilozofike: “Jeta është luftë dhe varet se cilin ke zgjedhur në krah për ta përballuar”.
Me siguri, ti do të kishe prishur buzët me tallje, por unë po abstragoj nga forma për hir të thelbit të saj të vërtetë. Sa për meditim. Të kujtohen kohët e para të lidhjes sonë? S’kishim asgjë, përpos vetes tonë. Nga tarraca e kafe-restorant “Begeja” (ka qenë pranverë e vitit 2002), duke kundruar panoramën që hapej, me një pyll të lartë e të dendur pallatesh, të thashë: – A s’të vjen çudi, Vanush, që nga këto mijëra e mijëra pallate, në asnjërin prej sosh nuk ka një apartament tonin? Dhe përgjigjja jote: – …Po nga gjithë ky lumë i pandërprerë makinash, atje poshtë, s’të duket çudi, që asnjëra s’është e jona? Tani i kemi të gjitha këto dhe kjo habi nuk është më aktuale.
Tani, të zhytur kokë e këmbë në një realitet tjetër, merremi jo me artin e habisë, por të harmonizimit të situatave, artin e kontrollit të tyre, ruajtjen e ekuilibrit të njëri-tjetrit në rrethrrotullimin marramendës të ditëve të ngarkuara me kundërgoditje. …Si atëherë kur ty të kosit lodhja e shembesh në divan. Si atëherë kur të gjej pasmesnate në studio, me kokën e fjetur, rrëzuar mbi tastierë. Si atëherë kur të gjej të dëshpëruar e të pafuqishme nga shkumëzimi i panënshtrueshëm i fëmijëve në orën e tyre të marrëzisë. Na duhet të përsosim një art, kryesisht fashitës, zbutës, shtensionues midis egove të brishta e lehtësisht të cenueshme të fëmijëve tanë. Të vegjlit janë kokëngjeshur, të egër, bishëza të vogla, të dashura, acaruese, të dhembshura.
Na duhet, veç të tjerash, të shpikim, të përftojmë përvjedhtazi edhe romantikën tonë. Le të vazhdojmë t’i dërgojmë njëri-tjetrit mesazhe të fshehta: “Ke mundësi me u përvjedhë, pa rënë në sy, sa për një takim 10 minutësh në kafe, poshtë pallatit?”. Dhe sigurisht, për 10 minuta, perandoria jonë e vogël nuk kanoset të shembet nga kryengritjet e rebelimet e brendshme. Atje, midis tyre, e dimë, nuk e sosim dot deri në fund asnjë fjali nga ndërhyrjet e shumta. E ke menduar? Kjo ka ndikuar, me sa duket, në stilistikën e komunikimit në shtëpinë tonë: e ke vënë re që te ne flitet me fjali të shkurtra, njërrokëshe, imperative? Na duhet të sajojmë truke të reja…
Habitem, Vanush, si fluturuan kështu 15 vite të jetës sonë familjare. Më duket si të ishte dje. Sikur ende nuk e kemin filluar atë më të madhen, kulmin, të qenët i ngopur me ty… dhe ti je po aq e mrekullueshme, po aq e freskët, po aq e bukur dhe shpirtërore, sa në njohjen tonë të parë, kur unë nuk ngopesha duke të parë, derisa thashë atë frazën profetike: “Ti ke fytyrën e nuses sime të ardhshme…!” Me ty ia vlen, Vanushe… me ty i dilet mbanë kudo dhe kurdo.
Sot Greqia përkujton një nga ditët më heroike të historisë së saj, atë të fitores mbi agresorin fashist italian në tetor të vitit 1940.
Duke ndjekur një kanal televiziv grek lidhur me këtë epope heroike të popullit grek, dëgjoj një historiane të thotë se “shqiptarët luftuan krah fashistëve kundër grekëve… “. Bile, nga ajo ngjarje u shpall dhe vazhdon të jetë në fuqi i ashtuquajturi Ligji i Luftës i Greqisë më Shqipërinë. (!!!!) Në vitin 2003 botova një shkrim lidhur me qëndrimin e popullit shqiptar ndaj kësaj lufte, dhe shkrimtari e historiani grek Theοdhoris Benakis, mbështetur në shkrimin tim, botoi një artikull të gjatë në gazetën greke “Apogjevmatini”, të datës 3.11.2003, në mbështetje së së vërtetës historike.
Në vend të hyrjes
Cilat janë faktet e asaj kohe që kanë sjellë apo gatuar kujtesa të ndryshme për shqiptarët dhe krejt tjetër për grekët!? Kjo pyetje më kish ngacmuar që kur isha student në vitet ’80 në Selanik, deri sa u njoha me disa këngë labe në një botim të Akademisë së Shkencave.
Lufta italo-greke në këngët popullore shqiptare.
Më 28 tetor grekët përkujtojnë një nga ngjarjet më të shënuara të historisë së tyre; fitoren ndaj agresorit fashist italian në vjeshtën e mesme të vitit 1940. Midis disa emërtimeve të ndryshme si; «lufta italo-greke», «to megalo oqi» apo «lufta e dyzetës», grekët e thjeshtë i thonë edhe «lufta e Shqipërisë», për faktin gjeografik se skena e teatrit të luftës ishte më së shumti territori shqiptar, malet dhe gërxhet, luginat dhe lumenjtë e Shqipërisë së Jugut. Përfundimi i luftës me fitoren e popullit grek është tashmë i shkruajtur në librin e historisë.
Por, vetë historia ndërsa përmend dy personazhet e kësaj beteje, grekët dhe italianët, nuk e di për çfarë shkaku hesht për personazhin e tretë të saj, banorin e atyre trojeve ku u zhvillua lufta, shqiptarët. Ishin ata thjesht shikues duke ndjekur ngjarjet prej frëngjive të kullave të tyre të serta, apo morën anën e ndonjërit në fushën e betejes !?
Pa marrë përsipër punën e historianti, ndoshta do të isha i dobishëm për të duke i afruar arkivin më autentik dhe më të gjallë, më të saktë dhe më të pa manipulueshëm, këngën e popullit.
Kam në duar një përmbledhje voluminoze me «Këngë popullore të Labërisë», të folkloristit Fatos M. Rrapaj, botim i vitit 1991 prej Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Mes asaj kozmogonie galaktikash shumëkohëshe dhe shumëngjyrëshe me këngë djepi dhe vaji, fëmijërie dhe burrërie, dasme dhe lufte, lulesh dhe varresh, gjeta një tufë këngësh labe për luftën italo-greke. Për mua ishte si zbulim i një galaktike të re, plot 15 këngë isopolifonike. Dhe kjo lloj këngë isopolifonike e Shqipërisë së Jugut nuk është thjesht këngë me dy, tre apo katër zëra dhe të shoqëruara me një iso rrapëllimë. Ato janë kronikë e jetës, shprehje e ndjenjave dhe mendimeve të shqiptarit të miratuara njëzëri prej isos, si votim mbarëpopullor, që e mban grupi i panumërt i shoqëruesve. Ashtu madhështore dhe të rrepta. Ndaj po me kaq rreptësi përzgjidhen ngjarjet madhore dhe emrat e njerëzve që dallojnë me ngarkesa të tilla energjie, sa mund të ngjiten në këto këngë duke rrezulluar në orbitat e tyre të ndriçme.
Nisur edhe vetëm nga ky fakt i ekzistencës së kësaj galaktike këngësh për luftën italo-greke të vitit 1940, duket se shqiptarët jo vetëm nuk kanë munguar, as nuk janë fshehur, por edhe nuk kanë qenë spektatorë të ftohtë në skenën e saj. Përkundrazi, edhe ata kanë qenë pjesmarrës aktivë dhe me synim të qartë duke u ndeshur si me agresorin fashist, ashtu edhe duke kundërshtuar shërbëtorët e tyre, ata pak mercenarë shqiptar.
Atdheu i shqiptarëve kishte mbi një vit i pushtuar prej fashistëve të Duçes; kaq mjaftonte për të zgjuar sedrën dremitëse kombëtare të çdo shqiptari, sado i karakterizuar prej individualizmit të tij të përmoçëm. Në kushte të tilla, kur luftojnë dy fqinjë të lashtë, ku me të dy ke pasur herë lidhje miqësore dhe herë mpleksje armiqësore, për çdo popull do të ishte e vështirë mbajtja e ekulibrit. Aq më tepër që popullsia shqiptare nuk kishte vec pak vite që jetonte e organizuar në një shtet të vetin kombëtar.
Por, përkundrazi, asnjanësia nuk mund të gjejë fole në shpirtin ku vlon kënga isopolifonike, e cila tregon se shqiptarët ishin aktivë në këtë luftë. Krahas njërit fqinj të sulmuar prej pushtuesit të përbashkët, por me një gjuhë të «përkujdesjes diplomatike», ku nga njëra anë lavdërohet heroizmi i bijve të Helladhës përkarshi, kujdes, jo kundër populli italian, por asaj pjese «këmishëzezë të fashistëve të Duçes.
Këto këngë dëshmojnë për një shprehje të ndërgjegjes së emancipuar bazuar në kategoritë themelore të botës njerëzore si e drejta dhe ndihma ndaj me të dobëtit, ashtu edhe në virtyte të lashta të botës shqiptare si nderi, trimëria, burrëria, dënimi i tradhëtarëve etj.
Qëndrimi i shqiptarëve shpallet pa mëdyshje; “Italisë do ja punojmë,/ do t’i biem nga të shkojë,/ se ka ardhur pa na folë”.
Dhe nuk vonojnë përkushtimet e para për ndershmërinë e bijve të tij; “thonë gjithë hallall u qoftë,/ për këta ushtarët tanë,/ e mori vesh tërë ajo botë, / që këta grekut s’i ranë”.
Apo diku tjetër; “Thatë jemi shqipëtarë,/ të besës e krodhëtarë”, e krenaria shkon e përgjithësohet në emër të të gjithë kombit; “rraca jonë s’ka të sharë, / na nderuat vatanë, / Shqipërinë anembanë”.
Gjeografia e këngëve shtrihet në gjithë skenën e zhvillimit të luftimeve, në Vlorë, e Tepelenë, Himarë dhe Gjirokastër, Korçë e Sarandë ku aktorë përmenden si shqiptarë të fesë islame ashtu edhe asaj ortodokse, si; Ahmet Cani, Spiro Moisiu, Mehmet Dinusha, Foto Gjini, Ali Mersini etj.
Kur propoganda e pushtetit të vendosur prej fashistëve thërret për pjesmarrje në milicinë fashiste, duke përdorur edhe emra të mirënjohur deri tani për shqiptarët si Qazim Koculi, popullit i Mesaplikut ia kthen: “- Qazim Koculi të thonë,/ po këtë nuk ta pranojmë,/ me Greqi ne nuk luftojmë,/ Italisë do ja punojmë”.
Apo ku përmendin me përçmim shqiptarët të cilët morën anën e pushtuesit, (në çdo popull ka të tillë), si në Himarë ku stigmatizohet; “Lonidha me ca të liqë”, apo “në Konispol një rrufjanë / na u ngrenë edhe vanë / me fashista italanë !”.
Këngët përshkruajnë qëndrimin e shqiptarëve edhe kur ata i kanë marrë me forcë për të luftuar fqinjin e tij të lashtë të sulmuar prej fqinjit tjetër po të lashtë, por tani i shndërruar në fqinj grabitqar.
I këndohet majorit Spiro Moisiu (babait të presidentit Alfred Moisiu) kur në krye të batalionit shqiptar “Tomorri” u ktheu armët fashistëve italianë: Kush e njeh Spiro Moisinë/ na nderoi Shqipërinëë.
Me një përkushtim prekës i këndohet malësorit nga Shkodra e largët, Mehmet Dinushës, i cili me bashkëluftëtarët e tij të baterisë “Drini” jo vetëm i braktisi fashistët por edhe i luftoi, siç thotë kënga; ç’bëri bateria “Drini/ e mori vesh Musolini / vari buzët nga zemërimi”. Dhe malësorin prej veriut të largët M. Dinusha fashistët e ndëshkojnë sepse; ti Mehmet ke bërë hatanë/ me topin që ne të dhamë/ s’vrave grek por Italianë”.
Kur këndon për dy personazhet kryesore, kryesisht për italianët, shikohet ajo përkujdesje diplomatike duke veçuar agresorin fashist nga populli italian. Pothuajse në të gjitha këngët përmenden Duçja, këmishëzinjtë, fashistët si; “Duçe, ç’pate me Greqinë”, “O Duçe të plastë koka”, “O Duçe këmishëzi,/ humbe gjithë atë ushtri”. Ndërsa nga ana tjetër i këndon pa rezerva trimërisë së fqinjit grek (edhe pse si në çdo fqinjësi sinoresh, toke, uji, ajri dhe kulture zënkat e përditshme midis tyre nuk kanë munguar) duke treguar madhështi të rrallë shpirtërore; “Mirë, po kishte pjellë nëna,/ kishte rritur ata drera, / ata trima të Junanit, që/ që i dollën zot vatanit”. Dhe në një këngë tjeter; “Thotë Papagua; – “Duçe çthua ?/ mos i zur qetë me mua, / se vjen burrë e të kthej grua”.
Ky qëndrim i popullit shqiptar, i mbështetur jo në përllogaritje interesash të çastit, por në parime të thella të vetëdijes njerëzore tregojn jo vetëm konstruktin e tij shpirtëror dhe mendor, por përbën një dëshmi bazë e palëkundur, edhe në rrebeshet e moteve më të liga, të mirësjelljes me fqinjin e lashtë grek.
Dhe kur këtë qëndrim e ka të shprehur në këngë, kjo do të thotë se në kozmosin e tij shpirtëror është formuar edhe një galaktike e ndriçme, e cila nuk mund të errësohet prej mugëtirave që ndonjëherë varen mbi kufijtë e dy fqinjëve të lashtë.
Nga Dr. Luan Zyka – Botuar fillimisht më, 28 tetor 2003. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur fjalim në Samitin Global të Grave në Lisbonë, përcjell KultPlus.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e parë të vizitës në Portugali, në adresimin e saj në Samitin Global të Grave, ka theksuar se pandemia ka rritur pabarazitë me të cilat përballen gratë çdo ditë, në punë dhe në shtëpi.
Por, sipas saj, gratë nuk ndaluan. “Është e jashtëzakonshme ajo që po dëshmojmë në ditët e sotme. Një tendencë në rritje e grave dhe vajzave që nuk e pranojnë ‘JO’-në për përgjigje; gra dhe vajza që nuk dorëzohen. Në vend të kësaj, ne shohim gjithnjë e më shumë gra dhe vajza që luftojnë fort, ngrihen për atë që është e drejtë, ngrihen për njëra-tjetrën dhe më e rëndësishmja – ato flasin”, ka theksuar Presidentja Osmani në Samit, i cili sivjet trajton rolin e grave në transformimin e ekonomisë.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur angazhimin e grave të Krushës, të cilat pavarësisht vuajtjeve me të cilat janë përballë, kanë arritur të triumfojnë.
“Dua të ndaj një moment me ju një histori vendase të qëndrueshmërisë dhe triumfit të grave nga fshati Krushë. Fahrije Hoti, bashkëshorti i së cilës është në mesin e 1600 të zhdukurve me dhunë, ende të zhdukur pas luftës, arriti ta kthejë këtë fshat të shkatërruar nga lufta në një histori të fuqizimit ekonomik. Ajo ia doli duke sfiduar stereotipet gjinore dhe duke demonstruar guxim, këmbëngulje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Jo vetëm që ka arritur ta kthejë dhimbjen e saj në punë të palodhur, por sot ajo qëndron pas më shumë se 100 vendeve të punës të krijuara për gratë e fshatit Krushë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas saj, historia e grave të Krushës është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të grave që bashkohen dhe ngrihen për njëra-tjetrën.
“Jeta dhe beteja e saj janë portretizuar me mjeshtëri në filmin “Zgjoi”, pretendenti zyrtar i Kosovës për çmimin Oscar dhe fitues i trefishtë i çmimeve të Sundance Festival. Ju ftoj të gjithëve ta shikoni!”, ka theksuar Presidentja Osmani para grave pjesëmarrëse nga mbarë bota në këtë Samit.
Në këtë adresim, Presidentja Osmani, gjithashtu ka vërë theksin në fuqizimin e grave në proceset vendimmarrëse.
“Përfundimisht, tashmë është e qartë se kur gratë marrin pjesë në qarqe të nivelit të lartë politik dhe shtetëror, ato kontribuojnë në politika më të balancuara, më të ndjeshme ndaj gjinisë, të kujdesshme ndaj mjedisit dhe më përparimtare. Vetëm përmes një qasjeje të tillë të politikë-bërjes do të kemi një mundësi për të përmbushur premtimin tonë për ndërtimin e shoqërive të përqendruara në nevojat e njerëzve dhe sistemet ekonomike që përshtaten me nevojat e së ardhmes”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Në kuadër të këtij Samiti, Presidentja Osmani ka takuar edhe përfaqësuese të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse.
Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani në Samitin Global të Grave në Lisbonë
Samiti Global i Grave
Gratë i transformojnë ekonomitë
28-30 tetor 2021
Lisbonë, Portugali
Të nderuar,
është një kënaqësi e madhe t’ju takoj të gjithëve në atë që njihet si pika më perëndimore e Evropës dhe vendi që më është thënë se duhet ta vizitoj të paktën një herë në jetë.
Unë mbaj fjalime në vende të ndryshme të botës, por ky i sotmi është posaçërisht i veçantë për mua. Është vërtet rifreskuese, motivuese dhe frymëzuese të jesh në mesin e disa prej grave më të fuqishme, më të zgjuara dhe më të suksesshme në botë.
Samiti Global i Grave quhet me të drejtë si forumi kryesor i biznesit dhe ekonomisë për gratë në mbarë botën. Por është edhe shumë më tepër se kaq. Përderisa ne festojmë sukseset tona sot, mendoj se në mendjen tonë të gjithë duhet ti kujtojmë gratë që jetuan përpara nesh. Ngjarja e sotme është ajo që na bashkon të gjithëve për të çmuar atë që është arritur deri më tani dhe për të përshkruar dhe caktuar qartë se ku duam të shkojmë më pas.
Nuk ka dyshim: gratë janë në zemër të shoqërive të barabarta, të qëndrueshme dhe të begata. Nuk e them këtë me qëllimin për të zvogëluar rolin e burrave – përkundrazi, është një thirrje për të njohur përfundimisht rolin e gruas në komunitetet tona dhe në fusha të ndryshme të jetës. Burrat mund të jenë ata që janë renditur kryesisht si figurat kryesore në librat tanë të historisë, por unë besoj fuqimisht se e ardhmja u përket grave. I përket të gjithë zërave që kanë mbetur të padëgjuar prej shekujsh; atyre që luftuan me guxim për t’i hapur rrugën grave të tjera që vinin pas tyre; atyre që e dinin se meritonin më shumë; atyre që ende luftojnë fort dhe mundohen edhe sot e kësaj dite; grave dhe vajzave të së ardhmes që do t’i çojnë shoqëritë tona në lartësi krejtësisht të reja. Sepse gratë munden – sepse gratë e dinë – sepse gratë janë duke udhëhequr ndryshimin!
Këto nuk janë kohë të lehta. Në një hark kohor më pak se dy vjeçar, ne kemi përjetuar një pandemi globale, vështirësi serioze globale ekonomike dhe aktualisht jemi dëshmitarë të asaj që njihet si kriza energjetike e Evropës – e cila kërcënon të bëhet një krizë globale.
Ndikimi i kësaj në shoqëritë tona ka qenë shumë përfshirës. Askush nuk është kursyer, por disa janë goditur më fort. Pabarazitë që vazhdojnë në shoqëritë tona u reflektuan në një shpërndarje të pabarabartë të sfidave dhe vështirësive midis grupeve dhe komuniteteve të ndryshme. Më
së shumti u goditën të margjinalizuarit dhe të varfrit. Pasojat për gratë dhe vajzat në mbarë botën ishin të rënda.
Është e qartë se pandemia ka rritur pabarazitë me të cilat përballen gratë çdo ditë – si në punë ashtu edhe në shtëpi. Pavarësisht kësaj, gratë vazhduan të zhvillohen dhe të kenë sukses. Ata kanë qenë në vijën e parë në luftën kundër COVID-19 dhe kanë luajtur një rol të madh në menaxhimin e pandemisë, përderisa i kanë ndihmuar vendet e tyre të hartojnë programe më të fokusuara në nevoja dhe programe të qëndrueshme të rimëkëmbjes ekonomike.
Është e jashtëzakonshme ajo që po dëshmojmë në ditët e sotme. Një tendencë në rritje e grave dhe vajzave që nuk e pranojnë ‘JO’-në për përgjigje; gra dhe vajza që nuk dorëzohen. Në vend të kësaj, ne shohim gjithnjë e më shumë gra dhe vajza që luftojnë fort, ngrihen për atë që është e drejtë, ngrihen për njëra-tjetrën dhe më e rëndësishmja – ato flasin.
Nga iniciativat transformuese lokale, deri te politikat kombëtare gjithëpërfshirëse, transparenca e shtuar dhe përpjekjet e shtuara për të luftuar gjithmonë për më shumë dhe për më mirë, gratë po marrin udhëheqjen në komunitetet tona, në qytetet tona, në vendet tona dhe në mbarë globin.
Sfidat e ditëve të sotme dhe ato të së ardhmes kërkojnë një stil të ri udhëheqjeje. Dhe gratë kanë treguar se i zotërojnë me mjeshtëri këto aftësi të nevojshme. Në këto kohë më sfiduese, gratë ishin në gjendje të bashkojnë popullin dhe të mobilizonin njerëzit për të kuptuar rëndësinë e ndryshimit të sjelljes së tyre të përditshme për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së virusit.
Ky stil udhëheqjeje për të cilin ishim vetë dëshmitarë, në këto rrethana të jashtëzakonshme mund të bëhet gjithnjë e më i vlefshëm dhe të kthehet në një aset të rëndësishëm që do të shërbejë si një udhërrëfyes për liderët e së ardhmes. Ndërsa kërcënimet e ndryshimeve klimatike bëhen më të rënda, frekuenca e krizave të shkallës së lartë kërcënon të rritet gjithashtu. Prandaj, bëhet një domosdoshmëri për të nxjerrë mësime të vlefshme nga sukseset e grave në pandemi.
Andaj, pavarësisht nga fakti se kemi arritur mjaft larg, ne kemi ende shumë punë për të bërë për të garantuar një shoqëri që rritet duke pranuar barazinë gjinore. Deri më sot, numri i grave në menaxhimin e bizneseve dhe pozitat drejtuese mbetet shumë i ulët. Për më tepër, vendet e punës së grave janë prekur dy herë më shumë në krahasim me ato të burrave. Dhe, për shkak se shumë gra ende mbesin në krye të detyrave shtëpiake dhe familjare, një në katër gra po e shqyrton largimin nga fuqia punëtore apo kalimin në një karrierë me dinamikë më të vogël. Sikur kjo të mos mjaftonte, një pandemi në hije po zhvillohej paralelisht në sfond – gratë ishin një objektiv i drejtpërdrejtë i dhunës në familje.
Këto janë arsye të forta për ndryshime strukturore dhe është koha që ne të kuptojmë se nuk mund t’i lëmë më gratë vetëm në rrugëtimin e tyre për të harmonizuar përgjegjësitë e tyre në shtëpi me përgjegjësitë në punë. Është momenti i fundit që të fillojmë t’i trajtojmë çështjet gjinore në kontekstin e çështjeve ekonomike. Është momenti i fundit që të angazhohemi për të përkrahur investimet në arsim, në planifikim familjar, përfshirje dixhitale dhe financiare dhe
përmirësimin e barrës së pabalancuar të punës pa pagesë për përkujdesje për fëmijët dhe të moshuarit.
Përfundimisht ne duhet të kuptojmë se fuqizimi i grave dhe barazia gjinore nuk është vetëm gjëja e duhur për t’u bërë, por është edhe gjëja më e zgjuar. Ajo çon në një performancë ekonomike të përmirësuar dhe të ngritur, dhe në fund na çon më pranë përmbushjes së qëllimit tonë për shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të begatë.
Studimet sugjerojnë se nëse ndërmerren veprime tani për të arritur përmirësime të barazisë gjinore deri në vitin 2030, 13 trilion dollarë mund t’i shtohen GDP-së globale krahasuar me skenarin regresiv gjinor. Ky është arsyetimi më i fortë ekonomik për të gjithë ne për t’i bërë tregjet e punës më të qasshme për gratë.
Duke folur për arsyetimin ekonomik rreth fuqizimit të grave, dua të ndaj një moment me ju një histori vendase të qëndrueshmërisë dhe triumfit të grave nga fshati Krushë. Fahrije Hoti, bashkëshorti i së cilës është në mesin e 1600 të zhdukurve me dhunë, ende të zhdukur pas luftës, arriti ta kthejë këtë fshat të shkatërruar nga lufta në një histori të fuqizimit ekonomik. Ajo ia doli duke sfiduar stereotipet gjinore dhe duke demonstruar guxim, këmbëngulje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme.
Jo vetëm që ka arritur ta kthejë dhimbjen e saj në punë të palodhur, por sot ajo qëndron pas më shumë se 100 vendeve të punës të krijuara për gratë e fshatit Krushë.
Me të vërtetë, ajo është shembulli më i mirë i një heroi të jetës reale që lulëzon duke ngritur lart gra të tjera. Historia e grave të Krushës është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të grave që bashkohen dhe ngrihen për njëra-tjetrën.
Jeta dhe beteja e saj janë portretizuar me mjeshtëri në filmin “Zgjoi”, pretendenti zyrtar i Kosovës për çmimin Oscar dhe fitues i trefishtë i çmimeve të Sundance Festival. Ju ftoj të gjithëve ta shikoni!
Të nderuar pjesëmarrës,
Për të përmbushur objektivin e fuqizimit ekonomik të grave, ne gjithashtu duhet të sigurohemi që gjithnjë e më shumë gra të ulen në tryezën e vendimmarrjes. Sepse, kur një grua udhëheqëse ulet në një tryezë, ajo sjell me vete historinë e saj e po ashtu edhe historinë e nënës dhe gjyshes. Kjo do të thotë se ato vijnë në atë tryezë duke pasur parasysh sfidat, betejat dhe pengesat e atyre që ishin aty para tyre dhe fokusohen që të angazhohen në hartimin e politikave dhe ndërtimin e strategjive së zhvillimit që ndihmon drejt adresimit të këtyre sfidave dhe sjelljes së një ndryshimi pozitiv.
Përfundimisht, tashmë është e qartë se kur gratë marrin pjesë në qarqe të nivelit të lartë politik dhe shtetëror, ato kontribuojnë në politika më të balancuara, më të ndjeshme ndaj gjinisë, të kujdesshme ndaj mjedisit dhe më përparimtare. Vetëm përmes një qasjeje të tillë të politikë-
bërjes do të kemi një mundësi për të përmbushur premtimin tonë për ndërtimin e shoqërive të përqendruara në nevojat e njerëzve dhe sistemet ekonomike që përshtaten me nevojat e së ardhmes.
Ekonomitë tona janë ndërtuar mbi kurriz të grave. Ekonomitë tona do të lulëzojnë plotësisht vetëm kur potenciali i grave të eksplorohet plotësisht. Ndërsa ecim përpara, nuk mund të përballojmë asnjë humbje të potencialit dhe talentit femëror gjatë rrugës, pasi kjo do të nënkuptonte një humbje për të gjithë ne.
Por jam shumë e bindur se diçka po ndryshon dhe shoqëritë tona po ndryshojnë për të mirë. Unë jam dëshmitare e kësaj në vendin tim dhe ndjej se një revolucion i udhëhequr nga gratë po pushton botën.
Zonja dhe zotërinj,
Le ta mbrojmë, ta mbështesim dhe ta udhëheqim këtë përpjekje në drejtim të duhur! Sepse, gratë jo vetëm që kanë potencialin për të transformuar ekonomitë tona – ato me të vërtetë kanë potencialin për të transformuar shoqëritë tona. / KultPlus.com
Dua Lipa nuk po mbetet jashtë asnjë gare të madhe në industrinë e muzikës, në vitet e fundit.
Këngëtarja nga Kosova me famë botërore është nominuar së fundmi në tri kategori të çmimeve në “American Music Awards”, të cilat janë bërë publike të enjten.
Sipas njoftimit të AMA-s, Lipa është nominuar në kategoritë “Favourite Female Pop Artist”, “Favourite Pop Album” për albumin “Future Nostalgia”, dhe “Favourite Pop Song” për këngën “Levitating”.
Në të tri kategoritë, këngëtarja kosovare 25-vjeçare garon me emrat e mëdhënj të muzikës si Taylor Swift, Ariana Grande, Doja Cat, Olivia Rodrigo dhe The Weeknd.
Ndërkohë, këtë vit artistja me më së shumti nominime në AMA është Olivia Rodrigo, me gjithsej shtatë nominime, përfshirë edhe kategorinë për “Artistin e vitit” dhe “Artisti i ri i këtij viti”.
Këngëtari i muzikës R&B, The Weeknd është nominuar në gjashtë kategori. The Weeknd është fitues i pesëfishtë i AMA-s deri tani.
Ngjarja e madhe muzikore “AMA 2021” do të mbahet në Los Anxhelos, më 21 nëntor. / KultPlus.com
Mbledhje komemorative për regjisoren Burbuqe Berisha.
Të premten 29.10.2021 me fillim nga ora 11:00 në Teatrin Kombëtar, komuniteti artistik organizon takim përkujtimor për regjisoren Burbuqe Berisha. / KultPlus.com