Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi vlerësoi me tituj nderi dy miqtë italianë të qytetit të gurtë Fabrizio Torresi dhe Filippo Girolami.
Golemi tha se, “Fabrizio Torresi dhe Filippo Girolami u vlerësuan për kontributin e dhënë, për mbrojtjen dhe konservimin e vlerave ndërtimore dhe arkitektonike si pasuri e UNESCO-s”.
Arkitektit Torresi iu akordua titulli “Qytetar Nderi” si një personalitet me vlera dhe kontribut intelektual për qytetin e gurtë, ndërsa F. Girolamit, “Certifikatë Mirënjohje”, për punën e veçantë në realizimin e hartave digjitale të zonës historike.
Kryebashkiaku Golemi u shpreh se “me palën italiane vazhdojmë bashkëpunimin për promovimin, studimin, restaurimin dhe rijetësimin e vlerave të Gjirokastrës në shërbim të zhvillimit të turizmit”. /atsh/ KultPlus.com
një plumb godet mbi një trup, më pastaj mbetet gëzhoja, gojëhapur
zhgënjehet!
priste një çështje heroike dhe një memorial për veten
dhe ti gëzon duke parë një trup të pajetë, e nuk arrin të shquash banalitetin e kufomës pas rënies së burrit (dhe vehten, si do të t’vijë një ditë)
e më pas një heshtje e ngrirë dhe në një zemër të rastësishme, që e dëgjon krismën ” nella tromba di Eustachio” (në daullen e veshit) prej avionit në rënie drejt tokës
por, ka një heshtje!
një heshtje të madhe kostante, e për një çast të vetëm sikur dhe globi mban frymën
po, është heshtja në zemrën e nënës:
“hej, ty armik, të vdektë dhe mbiemri, jo vetëm emri” / KultPlus.com
“[XII] S’më duhet kohë të di sesi je: të njihesh me dikë është xixëllimë. E kush mund të t’njohë aty ku ti hesht, a në fjalë me të cilat hesht? Ai që ti mëton në at’jetë që rron, s’di gjë rreth teje veç nënkuptimeve, shkaqeve të rreme pas të cilave fshihesh. Dhe të t’ndjeki së prapthi në bëmat e tua, të kaluara, të mbledhë veprim a gëzim, mote dhe emra, do të qe si të t’humbiste. Une jo. Të njoha në shtrëngatë. Të njoha, të beftë, n’atë çarje mizore mugëtire dhe drite, atje ku përshfaqet thelli q’ikën ditës dhe natës. Të pashë, më pe, dhe tash, zhveshur nga keqkuptimi, nga rrjedha, nga e shkuara, ti, amazonë mbi shkrepëtimë, regëtin nga e fundmja e papritura mbërrimë, imja je prej qindra motesh, prej kaq kohësh që të njoh, sa në dashurinë tënde sytë i mbyll, dhe bëj përpara pa e humbur, krejt qorrazi, pa kërkuar gjëkafshë tek ajo dritë e ngadaltë dhe e bindur me të cilën shfaqen shkronja e trajta dhe mbyllen hesape me besimin se kthjellohet cila je ti, e padukshmja ime.
Tragjedi në Alpet italiane. Të paktën 7 alpinistë humbën jetën pas shembjes së një blloku masiv akulli në Marmolada.
Me një lartësi prej 3300 metrash ai është mali më lartë, i Dolomiteve në Alpet lindore mes rajoneve të Trentos dhe Venetos. Tetë persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa 17 të tjerë janë shpallur të humbur, ndërkohë që autoritetet me kalimin e orëve po fillojnë të flasin potencialisht për 30 viktima.
Ekipet e shpëtimit vijuan gjatë gjithë natës kërkimet me helikopterë e dronë, për gjetjen e personave të zhdukur. Shërbimet e emergjencës bënë me dije se një ortek akulli goditi me shpejtësinë e 300 km në orë itinerarin e përdorur nga alpinistët për t’u ngjitur në majë, të Punta Rocca.
Autoritetet flasin për një tragjedi të paimagjinueshme, me disa prej trupave që janë identifikuar vetëm falë testeve të ADN-së. Me viktimave janë 3 italianë dhe një shtetas çek.
Një zëdhënës i grupeve të shpëtimit tha për një televizion shtetëror se zona kishte përjetuar temperatura rekord gjatë ditëve të fundit, deri në 10 gradë celsius. I ngrohti ekstrem sipas ekspertëve, është krejtësisht i pazakontë për zonën. rritja e temperaturave mesatare ka bërë që akullnajat e Marmoladës, ashtu si shumë të tjera rreth botës, të tkurren në mënyrë të qëndrueshme gjatë dekadave të fundit. /A2CNN/ KultPlus.com
Ka vdekur në moshën 76-vjeçare, valltari i njohur i Ansamblit Popullor, Besim Jazexhiu.
“Ansambli Popullor humbi një nga ikonat e saj”, u shpreh ministrja e Kulturës, Margariti. Vallja shqiptare, pavarësisht se nga ç’trevë, nuk kishte kuptim pa pasionin dhe virtuozitetin e valltarit Besim Jazexhi. Solist i parë, koreograf dhe drejtues artistik, ai u kthye në një shkollë për breza të tërë valltarësh.
Ministrja e Kulturës u shprehu ngushëllime të ndjera familjarëve dhe komunitetit artistik, që humbën një guidë në rrugën e tyre profesionale.
Besim Jazexhiu ka filluar punë në vitin 1961 si balerin në Teatrin e Operës. Gjatë kësaj periudhe, krahas kërcimit në trupën e baletit ka realizuar personazhe në balete të ndryshme si “Halili dhe Hajria”, “Delina”, “Laurenca”, “Fadeta”, “Sheherazadja”, “Petja dhe Ujku” dhe etj.
Në 1965 fillon punë si solist në Ansamblin e Ushtrisë dhe më pas nga viti 1968 solist në Ansamblin Popullor. Në këtë periudhë, fillon edhe vëmendja për krijimin dhe përpunimin e valleve popullore në Ansamblin Popullor dhe për shumë trupa artistike amatore. Pas viteve ’90, kontributi i tij shtrihet dhe në Kosovë e Maqedoni. / KultPlus.com
Aty e mëson rrapullimën e zinxhirëve deri në imtësi përcakton shkallët e tonalitetit nën presion dhe mprehtësinë e rrahjës së hekurit me hekur
Zinxhirët. Ata kur janë të shlirta lëshojnë zhurmërimë ma mbytëse kur ngrehen zhag ose kur hidhen tingëllojnë ndryshe Jo. Zinxhirët nuk tingëllojnë ato zinzinkërojnë!
kur këputën hallkat dëgjohet ni rënkim i shkurt si kërhatje e kur janë të nxeta lëshojnë tinguj mâ t’ashpër e në acar nihen mâ pak si të xhamtë bâhen
Zinxhirët, ata të shohin me sytë e gemtë dalun duç si nga thelbi i ni planeti p’ej hekuri
se si lëshojnë ata tinguj që flasin për vrazhdësinë e ni regjimi si gjâmë kuajsh apokalipsi se si dokën unaza t’thyeme dinosaurësh mekanizma primitivë që mbërThejnë
E âsht dashtë me u zhdukë shumë para së me ardhë epoka e hekurit para 65 milionë vjetësh në Cretaceous
T’burguemit nuk thyhen lëmohen
Shina bâhen mbi të cilët kalojnë trenat e pushtuesit ngarkue me urrejtje
–
Fotografi e disa burrave të Kabashit që t’lidhun me zinxhirë u dërguen në pushkatim.
Dëshmitë flasin për 98 burra të Kabashit dhe Korishës, t’vramë nga xhandarët serbë te Kisha e Sh’markut më 19 mars, 1913, përkatësisht më 1 prill, 1913. / KultPlus.com
Shkrimtari Arbër Selmani është përzgjedhur nga Departamenti i Shtetit Amerikan si njëri nga përfituesit e “IVL Impact Awards” – Çmimet për Reagim IVLP 2022, me projektin ‘Një copë e jetës sime gjysmake’, përcjell KultPlus.
Me këtë rast ai do të realizojë ekspozitën e tij që ka për qëllim fuqizimin dhe përmirësimin e gjendjes së personave me aftësi të kufizuara (personave me nevoja të veçanta) në Kosovë, duke përdorë objekte/gjësende personale të tyre.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Jom i lumtur, sidomos sot, me e nda me juve lajmin që Departamenti i Shtetit Amerikan më ka përzgjedhë si njërin prej përfituesve të IVL Impact Awards – Çmimet për Reagim IVLP 2022, me projektin ‘Një copë e jetës sime gjysmake’.
Përmes një shume financiare që e ndan The US Department of State, unë do ta realizoj një ekspozitë që ka për qëllim fuqizimin dhe përmirësimin e gjendjes së personave me aftësi të kufizuara (personave me nevoja të veçanta) në Kosovë, duke përdorë objekte/gjësende personale të tyre. Për momentin jam në fazën e hulumtimit dhe konceptit kuratorial. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, e shoqëruar nga zotëriu i parë, Prindon Sadriu dhe delegacioni, është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidenti Borut Pahor dhe zonja e parë, Tanja Pečar.
Në takimin tête-à-tête me presidentin Pahor dhe në takimet me delegacionet, presidentja Osmani ka potencuar se marrëdhëniet e afërta ndërmjet popujve të Kosovës dhe Sllovenisë, datojnë që nga vitet e para luftës dhe janë zhvilluar hovshëm në vitet që pasuan.
Sipas presidentes Osmani, raportet ndërshtetërore me Slloveninë do të thellohen dhe intensifikohen vazhdimisht në të ardhmen.
“Kosova dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin vizion për paqe e prosperitet në rajon bazuar në vlerat euro-atlantike. Anëtarësimi në BE dhe NATO janë garanca kryesore për paqe në rajonin tonë. Mirënjohës pafund për mbështetjen e Sllovenisë për të ardhmen tonë evropiane, përfshirë për përkrahjen për liberalizimin e vizave si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar presidentja Osmani, në takime me homologun Pahor.
Sipas presidentes Osmani, ekziston gatishmëria e dyanshme që të punohet për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fushën ekonomike, atë të mbrojtjes e në diplomaci, si dhe në shumë fusha të tjera.
Në takimin ndërmjet dy delegacioneve mori pjesë edhe ministrja e punëve të Jashtme, Tanja Fajon, e cila është një përkrahëse e fuqishme e Kosovës. / KultPlus.com
Spitfire Festival është një projekt që bashkon grupet e muzikës rock, adhuruesit, organizatorët, mediat dhe mbështetësit e tjerë, në një ngjarje/aktivitet të madh të këtij zhanri muzikor që i ka mungur skenës dhe jetës kulturore tek ne, përcjell KultPlus.
Qëllimi kryesor i këtij festivali është që të vazhdojë tradita e rockut, e cila në Kosovë ka fillet tek vitet e 60-ta, dhe të përcillet kjo kulturë tek të rinjët, me pjesëmarrje më të madhe me bende të reja, duke përfshirë të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ky festival, që është shumë i mirëpritur nga të gjithë ata që e vlersojnë kulturën rock, do ti bashkojë gjeneratat e ndryshme të krijuesve, ku veprat, përvojat dhe idetë e grupeve pjesëmarrëse do të shkëmbehen dhe përdoren si udhërrëfyes për gjeneratat e reja.
Në këtë festival pritet të marrin pjesë grupe nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke u zgjëruar me bende tjera ndërkombëtare në vitet në vijim. Gjatë këtij festivali do të ketë performanca çdo ditë, me prezentime të bendeve të reja rock, dhe gjithashtu me përkrahje nga bende të famshme që kanë krijuar dhe kanë lënë gjurmë të pashlyera në kulturën e rockut kosovar, rajonal e ndërkombëtar.
Koncerti organizohet në pjesën e amfiteatrit të pishinës së Gërmisë, dhe do të ketë njëzetë performanca live.
26.08.2022, Dita 1/Day 1
Aleksandër Gjoka Redon Makashi Elton Deda Gima Epoka 94 Gillespie Redknots Masters of Mind
27.08.2022, Dita 2/Day 2
Bojken Lako Jericho Pinkmetal Trampoline Zwada Koha
28.08.2022, Dita 3/Day 3
Eugent Bushpepa Crossbones Frisson Station Innermost Telikput Oktappa
Performancat do të jenë nga 25 deri në 120 minuta, varësisht prej bendit, dhe do të jenë të përcjellura nga DJ të po të njejtit zhanër.
Për më shumë informata/pyetje rreth fetivalit kontaktoni:
Emra të njohur të industrisë së muzikës botërore do të mblidhen së bashku për të performuar në Festivalin “SunnyHill”, shkruan KultPlus.
Skepta, AJ Tracey, Diplo dhe Elvana Gjata, Burak Yeter, Mahmood, Regard, Kida, Ghetto Geasy, Onat, Cozman, Kamal, Romeo Blanco, Ledri Vula, Emir Taha, Yll Limani dhe J Blavin janë konfirmuar deri më tani si artistët pjesëmarrës në këtë festival, i cili do të mbahet më 4, 5, 6 dhe 7 gusht në Prishtinë.
Ndërkaq së fundi, përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetin social Instagram, SunnyHill ka konfirmuar se Dhurata Dora është artistja e radhës që do të jetë pjesë e këtij festivali./ KultPlus.com
Ndërkombëtarizimi i Kolegjit Universum vazhdon përtej oqeanit! Neser me 5 Korrik nga ora 14:00 bëhet nënshkrimi i marrëveshjes në mes të Kolegjit Universum & University of Northern Iowa.
Kolegji Universum me mbështetjen e Konsulatës së Kosovës në Iowa ka arrit marrëveshje 2+2 për Northern Iowa University. Përmes kësaj marrëveshje studentët e Kolegjit Universum do të kenë mundësinë që 2 vite ti përfundojnë në Universum dhe vazhdojnë 2 vite të tjera në SHBA (duke përfituar lehtësira financiare, punësim në kampus, bursa të pjesshme dhe shumë benefite të tjera).
Nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet neser me 5 Korrik nga ora 14:00 në Kampusin e Kolegjit Universum në Prishtinë. Dhe eventi do të jetë i hapur për publikun. Eja informohu! 2 vite në Kolegjin Universum dhe 2 vite në SHBA! Diplomohu në “University of Northen Iowa” përmes Kolegjit Universum.
Në kuadër të marrëveshjeve dhe ndërkombëtarizimit të Kolegjit Universum, studentët e Kolegjit tanë tashmë janë bërë ambasador të shtetit të Kosovës duke promovuar vlerat e Kosovës, përmes rezultateve të larta akademike, etike dhe profesionale në universitete ndërkombëtare.
Universum mbetet i përkushtuar në ndërkombëtarizimin e Kosovës përmes ofrimit të studimeve jashtë vendit për studentët kosovarë. Për më shumë informata kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram.
Disa nga autorët më të famshëm në botë kanë shkruar dorëshkrime që nuk do të botohen për një shekull – pse?
Nga Richard Fisher
Në një pyll në veri të Oslos në Norvegji, më shumë se 200 njerëz u mblodhën për të parë një ceremoni. Ata kishin ecur në një kortezh – disa me qentë e të tjerë me fëmijët e tyre – përgjatë shtigjeve me zhavorr, të drejtuara nga shigjeta në tokë të bëra nga ashkla druri të spërkatura. Ajri mbante një aromë gjilpërash pishe, trungje të djegura dhe kafe të fortë norvegjeze.
Në destinacionin e tyre – një pyll i mbjellë së fundmi – njerëzit u ulën ose u përkulën në një shpat të mbushur me pemë bredh. Çdo pemë ishte ende vetëm rreth 1 metër (3 këmbë) e lartë, por një ditë, kur bredhi të jetë më shumë se 20-30 herë më i madh, ata do të japin letrën për një koleksion të veçantë librash. Të gjithë atje e dinin se nuk do të jetonin për ta parë këtë të ndodhte, as nuk do të arrinin t’i lexonin librat.
Kjo ishte ceremonia e Bibliotekës së Ardhshme 2022, një projekt arti 100-vjeçar i krijuar për të zgjeruar perspektivat e njerëzve për kohën dhe detyrën e tyre ndaj pasardhësve. Çdo vit që nga viti 2014, artistja skoceze Katie Paterson – së bashku me homologen e saj norvegjeze Anne Beate Hovind dhe një grup të besuarve – ka ftuar një shkrimtar të shquar të dorëzojë një dorëshkrim dhe komisionimi do të vazhdojë deri në vitin 2113. Më pas, një shekull pas projektit filloi, më në fund do të publikohen të gjitha.
Filloi me autoren Margaret Atwood, e cila shkroi një tregim të quajtur Scribbler Moon, dhe që atëherë biblioteka ka kërkuar parashtrime nga e gjithë bota, me vepra të romancierit anglez David Mitchell, poetit islandez Sjón, Elif Shafaktë Turqisë, Han Kang nga Koreja e Jugut dhe poeti vietnamezo-amerikan Ocean Vuong.
Këtë vit, autori zimbabvean Tsitsi Dangarembga dhe shkrimtari norvegjez Karl Ove Knausgaarderdhën në pyll për të dorëzuar tregimet e tyre (së bashku me autorët e kthyer Mitchell dhe Sjón). Të ndaluar nga zbulimi i përmbajtjes së veprës së tyre, ata mund të ndajnë vetëm titujt: Dangarembga e quajti të sajën Narini dhe Gomarin e saj – Narini rrjedh nga një fjalë zimbabveane për “pafundësi” – ndërsa Knausgaard paraqiti një titull më enigmatik, thjesht: Libri i verbër.
Të gjitha dorëshkrimet do të ruhen për gati një shekull brenda sirtarëve prej xhami të mbyllur në një cep të fshehur të bibliotekës kryesore publike të Oslos, brenda një depoje të vogël prej druri të quajtur Dhoma e Heshtjes. Në vitin 2114, sirtarët do të zhbllokohen dhe pemët do të copëtohen – dhe 100 histori të fshehura për një shekull do të publikohen më në fund me një hap.
Autorët – dhe të gjithë të tjerët që ishin në Oslo atë të dielë – e dinin se me siguri nuk do të jetonin për ta parë këtë të ndodhte. “Është një projekt që nuk po mendon vetëm për ne tani, por për ata që nuk kanë lindur”, shpjegon Paterson. Madje, shton ajo, “shumica e autorëve nuk kanë lindur ende”.
Pra, pse të ndërtohet një bibliotekë ku askush sot nuk mund t’i lexojë librat? Dhe çfarë mund të mësohet nga historia e saj deri tani?
Projekti “Biblioteka e së ardhmes” është një nga projektet e shumta artistike që kam hasur vitet e fundit dhe që synon të nxisë të menduarit afatgjatë. Gjatë viteve të fundit, unë kam shkruar librin tim të quajtur Pamja e gjatë, që është arsyeja pse bota duhet të transformojë perspektivën e saj të kohës. Gjatë rrugës, kam dëgjuar një kompozim muzikor që do të luajë për 1000 vjet, kam lexuar një poemë të pafund të ngulitur në një rrugë holandeze një shkronjë në një kohë dhe kam marrë një ftesë me kornizë për një festë në vitin 2269.
Kjo nuk do të thotë se Biblioteka e së Ardhmes duhet parë si një akt sakrifice. As nuk besohet, siç sugjeroi dikur një kritik, se është një kapsulë kohore elitare që përjashton njerëzit. Disa mund të argumentojnë se qëllimi kryesor i një biblioteke është vënia e librave në dispozicion për të gjithë, por projekti ofron përfitime të tjera të ndryshme për ata që merren me të në ditët e sotme.
Të zbulosh dhomën e heshtur është si të hasësh një portal në një botë tjetër. Pasi të keni ngritur një sërë shkallësh lëvizës në pesë kate – duke kaluar studentët që punojnë në tavolina dhe fëmijët duke shfletuar librat me figura – ju mbërrini në atë që duket si një shpellë prej druri, në një cep të qetë mes rafteve të librave. Pasi të keni hequr këpucët, mund të hyni.
Brenda, kreshtat përgjatë mureve rrethojnë hapësirën e vogël me 100 sirtarë xhami të mbyllur, një për secilin prej dorëshkrimeve. “Ndihet si të jesh brenda një peme”, thotë Paterson. “Është mjaft magjike, sepse është shumë e vogël dhe intime: e rrethuar nga unaza pemësh, me dritë që shkëlqen nëpër sirtarët e dorëshkrimeve”.
Në fund të fundit, Biblioteka e së Ardhmes është një shprehje shprese – një deklaratë besimi në mundësitë që mund të kenë përpara fëmijët tanë për një kohë të gjatë.
Kur fola me Paterson, ajo vuri në dukje se ndërsa ajo vetë nuk do t’i lexonte kurrë librat, kishte të paktën një pjesëmarrës në ceremoni – djali i saj, i cili do të ishte në të 90-at në shekullin e 22-të. Gjatë fundjavës, ai nuk kishte asnjë ngurrim të endej me autorët e famshëm dhe t’u bënte atyre pyetje. Gjatë një momenti solemniteti të qetë, duke parë shkrimtarët që hynin në dhomën e heshtjes për të vendosur dorëshkrimet e tyre në sirtarë, ai bërtiti: “ÇFARË KA BRENDA?” (Në fakt kjo është ajo që të gjithë po mendonin.) Mitchell – ende me çorape pasi hoqi këpucët për të hyrë në dhomë – u ul pranë tij në dyshemenë e bibliotekës dhe i tregoi atë që kishte parë. Më pëlqen të imagjinoj se ai zbuloi edhe disa detaje rreth historisë së tij sekrete, por kjo sigurisht që do të ishte e ndaluar.
Më pas, Paterson kapi dorën e djalit të saj dhe e çoi brenda për ta parë nga afër. Ai nuk e dinte akoma, por ky vend, pylli dhe komuniteti që mblidhet këtu një herë në vit, do të ishin pjesë e jetës së tij dhe të nënës së tij për dekadat e ardhshme – një fije që përshkon jetët e të dyve, dhe ndoshta shumë përtej. /GSH/ KultPlus.com
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti familjen dhe miq të kompozitorit të madh shqiptar, Çesk Zadeja. Ky vit, i cili përkon me 95-vjetorin e lindjes së tij, i kushtohet veprës që la pas kompozitori, si një vlerësim për kontributin që ai dha për muzikën dhe artin shqiptar. Zadeja lindi në Shkodër në qershor 1927, në një familje qytetare, dhe u nda nga jeta në gusht 1997.
“Më vjen mirë që këtë vit ia kemi kushtuar profesor Çeskut, që njerëzit të kuptojnë se sot brezi ynë ecën mbi shpatullat e gjigantëve të muzikës sonë, për të shkuar pak më tej. Unë besoj se është edhe një reflektim shumë i madh edhe për ata që nuk janë profesionistë të muzikës sepse në thelb, jeta është një fabul mes atyre që bëjnë muzikë dhe atyre që bëjnë zhurmë. Me muzikë nënkuptohet gjëja e bukur, si të lësh një emër të mirë pavarësisht profesionit që ke, kurse me zhurmë nënkuptohet të pengosh dhe sabotosh pavarësisht profesionit tënd. Ndaj, sot, teksa kujtojmë profesor Çeskun, sfida për secilin prej nesh është të jemi njerëz që bëjmë muzikë, që lëmë vepra të mira, të mbahemi mend për një kontribut dhe energji pozitive, të mos jemi zhurmues, as pengues, as sabotues”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se njerëz të mëdhenj si Çesk Zadeja duhet të kujtohen vazhdimisht, teksa nënvizoi se çdo shkollë e Tiranës duhet të ketë një sallë koncerti për fëmijët dhe të rinjtë e apasionuar pas muzikës.
“Çdo shkollë e re e Tiranës po pajiset me një sallë koncertore. E filluam me sallën “Tonin Arapi” te Liceu i Tiranës, bëmë të njëjtën gjë te shkolla tjetër e muzikës, “Servete Maçi”, dhe porosia është që në çdo shkollë të kemi salla të tilla sepse njerëzit nuk jetojnë vetëm me bukë, por edhe me art e muzikë. Ndoshta, jo të gjithë do të bëhen pjesë e filarmonisë sonë, ashtu si jo të gjithë në sport mund të bëhen si Messi apo Ronaldo, por si muzika, ashtu edhe sporti, më shumë sesa talente elitare, na prodhojnë jetë komunitare, çuna dhe goca të denjë për të qenë qytetarë, që kuptojnë se ne jemi një skuadër”, u shpreh Veliaj. / BallkanWeb / KultPlus.com
Ministrja e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka njoftuar se ka përfunduar me sukses Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili u votua sot në mbledhjen e Qeverisë.
“Shumë e lumtur që përfunduam me sukses Projektligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili u votua sot në mbledhjen e Qeverisë”, ka shkruar Nagavci.
Përmes këtij projektligji do të rregullohet për më të vegjlit tanë, ofrimi i edukimit në të gjitha format e organizimit që nga lindja deri në moshën 6 vjeçare.
Ndër të tjera, ky projektligj do të përfshijë:
Koordinim ndërsektorial
Edukim në familje
Ushqyeshmëri, Krijim të menyve ushqimore
Sigurim e rregullim të materialit didaktik
Monitorim të punës edukative
Aftësim i dadove
Nga viti shkollor 2023-2024 Edukimi Parafillor do të bëhet i obliguar.
“Me miratimin e këtij projektligji shënojmë edhe një hap drejtë zhvillimit të përgjithshëm të sistemit edukativ e arsimor, social e ekonomik. Investimi në fëmijërinë e hershme garanton të nesërme më të sigurt për fëmijët, familjet dhe gjithë vendin”, shkruan Nagavci. / KultPlus.com
“Gjurmë në kaltërsi” është filmi që ministrja Margariti ka përzgjedhur, në këtë fillimjave, si homazh për kinematografinë shqiptare.
Filmi, me regji të Saimir Kumbaros, skenar të Llazar Çulit dhe muzikë të Limos Dizdarit, është një prodhim i vitit 1981.
Në rolet kryesore interpretojnë Xhevdet Ferri, Reshat Arbana, Stavri Shkurti e Fitim Makashi.
Në qendër të skenarit është drama e një piloti të ri, Astritit, i interpretuar nga Xhevdet Ferri. Astriti është pilot i zoti, por me karakter emotiv, gjë që e pengon të kryejë si duhet detyrat që i caktohen nga komandant Marko (Reshat Arbana). Me ndihmën e komandant Markos dhe të shokëve, Astriti arrin suksesin.
Si çdo prodhim tjetër i asaj periudhe, edhe ky film i “Kinostudio Shqipëria e Re”, përshkohet nga propaganda e kohës, por gjithsesi mbetet një film i realizuar bukur dhe që pati sukses. /atsh / KultPlus.com
Fëmijë nga të gjitha qytetet e Kosovës vërshuan kinematë e Cineplexx në Prishtinë dhe Prizren për të parë filmin e ri Minions 2 vikendin që lamë pas.
Një prej filmave më të pëlqyer për fëmijë Minions, vikendin që lamë pas pati premierën e filmit të ri Minions: The Rise of Grunë kinematë Cineplexx në Prishtinë dhe Prizren, ku fëmijët u pritën me shumë aktivitete si me maskotat e Minions, facapainting dhe shumë shpërblime.
Kinemaja Cineplexx ka njoftuar se vetëm gjatë vikendit më shumë se 1000 fëmijë kanë qenë të pranishëm për ta parë filmin me karakterët e tyre të preferuara të Minions.
Minions: The Rise of Gru, i njohur ndryshe si Minions 2 është një aventurë absolutisht e çmendur dhe komike me protagonistë krijesat e lezetshme të verdha teksa mësojnë të punojnë për zotërinë e tyre të ri, një Gru të ri.
Ngjarja e këtij filmi është vendosur në fillim të viteve 1970, mes artit retro, muzikës disko dhe kostumeve shumëngjyrëshe, të gjitha klasike të njohura të asaj epoke. Gru është një fans 12-vjeçar i grupit “The Vicious 6”, një grup super-antagonistësh. Së bashku me ekipin e tij të sapogjetur të Minions, të udhëhequr nga Kevin, Stuart, Bob dhe të sapoardhurit, Otto, Gru harton një skemë për t’u bërë një antagonist i njohur.
Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit apo direkt në kinema prej orës 15:00.
Qeveria ua ka bërë obligative lokaleve të gastronomisë që të mos i privojnë klientët nga uji i pijshëm nga rubineti, në rast se furnizohen nga ujësjellësi publik .
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi prezantoi para kabinetit qeveritar standardet normative për cilësinë e ujit për konsum për ta mbrojtur shëndetin e njerëzve.
Me këtë vendim, për bizneset e gastronomisë vendosen rregulla në shërbimin e ujit për klientët.
“Me qëllim që të vendosim standardet normaltive për cilësinë ujit të destinuar për konsum njerëzor…. propozoj aprovimin e vendimit që: në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik, pronari i biznesit nuk mund t’i ndalojë klientët të shërbehen me ujë rubineti”, tha Latifi.
Ministri tregoi edhe rregullat në rast se objekti i gastronomisë nuk furnizohet nga ujësjellësi.
“Në rastet kur objekti i gastronomisë pretendohet se furnizohet nga uji i puseve, pronari i objektit obligohet të hartojë dhe zbatojë planin e monitorimit operacional të cilësisë së ujit dhe të pajiset me certifikatë të cilësisë së ujit nga IKSHPK-ja dhe këtë certifikatë ta ekspozojë në lokal”, tha ai.
Rikthim sërish tek kisha e “Shën Marisë”, pasuri kulturore shumë e rëndësishme në zonë dhe në qarkun e Korçës. Me këto fjalë, kreu i DRTK Korçë, Gjergji Koki, ka njoftuar nisjen e restaurimit të kishës së fshatit Niçë.
Ndërhyrja e shpëtimit të kishës së “Shën Marisë”, është bërë e mundur falë ndihmës financiare të familjeve me origjinë nga kjo zonë dhe Shoqatës Kulturore Nica Vllahe.
Kjo ndërhyrje shpëtimi konsiston në restaurimin e këmbanares dhe çatisë të nartekstit, të cilat rrezikonin shembjen.
Ekipi i DRTK Korçë po qëndron prej ditësh në një terren të vështirë dhe jo lehtësisht të aksesueshëm, për të realizuar këtë ndërhyrje të rëndësishme.
Një falënderim për kontributin financiar të komunitetit, punën e palodhur të ekipit të DRTK Korçë si dhe mbështetjen e Bashkisë Pogradec për këtë nismë shpëtimi, ka bërë edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja shkruan “kënaqësi kur komuniteti dhe shteti bëhen bashkë për të shpëtuar trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore. Trashëgimia është e të gjithëve”.
Kisha e “Shën Marisë” në Niçë është një objekt kulti i rrallë, i ndërtuar në vitin 1749 mbi gurthemelin shekullor të një kishe të hershme. /atsh / KultPlus.com
I dashuri im Lasgush, Kam kujtuar që bota mban rruaza prej druri, që të gjuaj mbi këmbana sa herë të vijë kohë e njerëzve si ti, që bëhen dashnorë virgjëreshash duke mos përbuzur drithërimat e shenjtërisë. I dashuri im Lasgush, do të tregoj se stacionet e mia nuk vijnë me mua në shtëpi, nuk ma mbajnë emrin mend sa ty, dhe sa here shoh veten në pasqyrë, shoh vetëm rrobat e mia dhe kapelën tënde të grisur nga femra të tjera të panjohura I dashuri im Lasgush, i dashuri i femrave që s’jetuan në kohën tënde, më kane thënë se ti me ke dashur mua edhe kur nuk kishte ndër mend Zoti të më sillte në racën tënde, më ke dashur më shumë seç do të duash femra të tjera pas meje. I dashuri im Lasgush, që shëtitesh nëpër sytë e mi, më thuaj se jeta ime ka një dritë të vogël që e ke ndezur ti. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu e ka uruar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R. Biden Jr, me rastin e 4 korrikut.
Në vijim gjeni të plotë urimin e Presidentes Osmani:
I Nderuari Joseph R. Biden Jr. President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
I nderuar President Biden,
Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet e mia më të ngrohta për ju dhe popullin amerikan me rastin e festimit të 4 Korrikut. Ne bashkohemi me ju dhe miqtë e Shteteve të Bashkuara në mbarë botën për ta festuar këtë ditë të gëzueshme.
Ndërsa shumë gjëra kanë ndryshuar në rrjedhën e historisë, vendosmëria dhe shpirti i palëkundur i Etërve Themelues për të drejtuar Shtetet e Bashkuara për t’u bërë fuqia më e madhe demokratike, ekonomike dhe ushtarake e botës ka mbetur e pranishme në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë një fanarë shprese dhe mbrojtësi më i vendosur i idealeve tona të përbashkëta të demokracisë dhe lirisë.
Në këtë kohë kyçe për botën tonë dhe për idealet tona të fituara me mund, ne vlerësojmë qasjen tuaj parimore dhe mbështetjen tuaj të palëkundur për unitetin dhe sigurinë në Evropë, pasi kontinenti ynë përballet me një nga sfidat më të mëdha dhe më shkatërruese të kohës sonë.
Shtëpia e të lirëve dhe e trimave është sot një mbrojtës global i paqes dhe lirisë, dhe një vend shprese e rehatie për njerëzit në mbarë botën që besojnë në të njëjtin vizion për të ardhmen. Ne shikojmë drejt jush dhe jemi gati t’u mbështesim në mbrojtjen e vlerave në të cilat ne dhe njerëzit tanë besojmë.
Lidhja midis dy kombeve tona është krijuar në disa prej ditëve tona më sfiduese dhe është forcuar gjatë ditëve tona më të mira. Gjatë dekadave të fundit, vendet tona jo vetëm që janë forcuar, por edhe jemi rritur së bashku. Në veçanti, populli i Republikës së Kosovës është mirënjohës për mbështetjen tuaj personale dhe të vazhdueshme, ndaj ne vazhdojmë të llogarisim tek ju, përderisa ecim përpara në rrugën tonë të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe në strukturat e tjera ndërkombëtare që promovojnë vizionin tonë të përbashkët dhe qëllimet.
Sot populli i Kosovës feston përkrah miqve dhe aleatëve tanë amerikanë dhe flamujt tanë valëviten me krenari krah për krah. Më lejoni t’u shprehë përsëri urimet tona më të mira për këtë ditë të veçantë dhe t’u uroj juve dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gëzuar 4 Korrikun.
Ju lutem, zoti President, pranoni shprehjen e vlerësimit tim më të lartë për ju dhe vendin tuaj.
Sinqerisht,
Vjosa Osmani Sadriu Presidente e Republikës së Kosovës . /KultPlus.com
“Kori nuk është thjesht një hobi apo aktivitet pas shkollës, është një mënyrë jetese”, thotë një shprehje. Një gjë e tillë shihet edhe në performancat magjike të korit “Siparantum”, të cilët u rikthyen në DAM Festival, aty ku edhe filluan rrugëtimin e tyre, për të dëshmuar se madhështia vjen nga fillimet e vogla. Pas pushtimit të skenave më të njohura botërore, “Siparantum” në krye me Memli Kelmendin, vazhdoi në mënyrë unike afirmuese të ndezë shqisat dhe të qetësojë nervat e njerëzve të pranishëm në kishën “Shën Ndou” të mbushur plot, të cilët brohoritën në mënyrë spektakolare për njërin ndër koret më të suksesshëm në Kosovë dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.
Mes shumë sfidave, DAM Festival e përmbylli edicionin e 17-të duke ofruar një programacion të pasur dhe gjithashtu edhe rikthimin e korit “Siparantum”.
Për të folur më shumë rreth asaj se çfarë kaluan gjatë këtij edicioni, organizatorja Rreze Kryeziu, tha për KultPlus se mungesa e një salle të duhur për të shtrirë në mënyrë të duhur performancat e tyre, po i përcjellë ata vit pas viti.
“Secili edicion i ka padyshim të mirat e veta, sepse në të kundërtën nuk do ta realizonim, por padyshim këtu përfshihen edhe sfidat. Ne vazhdojmë në edicionin e 17-të me radhë që të kemi mungesë të kushteve elementare, sikurse që është mungesa e një salle përkatëse dhe jo më kot është evidentuar edhe lëvizja e koncerteve prej një salle në sallën tjetër. DAM-i në edicionet e kaluara i ka realizuar sepse kemi pasur qëllim që të eksplorojmë hapësirat e ndryshme në mënyrë që të realizojmë koncertet tona, por kësaj radhe ky nuk ka qenë qëllimi pasi ka munguar një sallë përkatëse”, tha Kryeziu duke falënderuar edhe një herë tjetër të gjitha institucionet të cilat kanë ndihmuar në realizimin e këtij koncerti.
E pyetur në rikthimin e korit “Siparantum”, Kryeziu thotë se e tërë shoqëria e pret me entuziazëm rikthimin e tyre. “Kjo është evidentuar edhe sot, kur pyetëm publikun pas shfaqjes dhe gjithashtu edhe i kërkuam falje për temperatura të larta, thanë se nuk e kanë vërejtur një gjë të tillë pasi ata morën një freski shpirtërore nga performancat e korit”.
Në anën tjetër, kompozitori Memli Kelmendi tha për KultPlus se është shumë i kënaqur që janë rikthyer në përmbylljen e edicionit të 17-të, por kjo nuk do të thotë se do të përmbyllet edhe rrugëtimi i korit “Siparantum”.
“Rrugëtimi jonë besoj edhe duhet të jetë më i gjatë edhe pas nesh, kjo pasi muzika gjithmonë mbijeton. Ne sot kemi shpalosur një program kolosal dhe kemi shpalosur suksesin e festivalve që kemi përmendur disa herë. Veprat të cilat kemi qenë pjesëmarrës në skenat më të njohura botërore. Publiku mendoj që ka pasur rastin të përcjellë dhe të shijojë disa prej pikave të cilat ne i kemi interpretuar në festivale të ndryshme, e sonte i kemi paraqitur përpara publikut të Prishtinës. Një energji ndryshe, na ka munguar kjo atmosferë. Ne u rikthyem në Prishtinë pas dy viteve dhe të them të drejtën më ka marrë malli shumë dhe sonte jam ndjerë tamon si pjesë e shtëpisë sime. Dua të falënderoj Dardanin, Rrezen dhe gjithë stafin e Festivalit DAM për ftesën edhe për organizimin e tyre fantastik që kjo mbrëmje të jetë në shpirtin e secilit prej audiencës”, tha Kelmendi.
Veçantia e jashtëzakonshme e korit “Siparantum”
“Të gjithë njerëzit në korin “Siparantum” janë vullnetarë, edhe unë jam vullnetar edhe Agroni gjithashtu. As kryetari i korit nuk paguhemi për punën që e bëjmë. Shpërblimi më i madhi, pagesa më e madhe që ne e kemi është suksesi të cilin ia kemi sjellë vendit tonë, mendoj që kjo gjë nuk mund të blehet me pare. Do të thotë, mendoj që shpesh herë puna kur bëhet me pare është ndryshe, ajo punë që bëhet vullnetare dhe bëhët me shpirt, jehon ndryshe. Ne jemi duke e bërë punën me shpirt dhe jemi shumë të etur dhe e shohim se sa e nevojshme është prezantimi i kulturës dhe vendit tonë ndërkombëtarisht. Prandaj, këtë atmosferë po ia japim edhe vendit tonë”, tha ai, duke njoftuar se kori “Siparantum” ka ftesa të shumta, madje i ka të siguruar ftesat deri në vitin 2025.
Në shtator dhe tetor, kori “Siparantum”, siç njofton Kelmendi, do të paraqitet në dy skena të njohura të botës, derisa për shkak të konfidencialitetit nuk mundi të zbulojë diçka konkrete.
Pianisti kosovar, Agron Shujaku, i cili ka një bashkëpunim të ngushtë me korin “Siparantum”, tha për KultPlus se ky është festivali më i veçantë i korit ndonjëherë.
“Bashkëpunimi im me Memlin ka filluar në vitin 2019 kur kemi pasur një koncert dhe unë kam qenë një mysafir i ftuar në një pikë dhe që nga atëherë kemi qenë të pandashëm. Unë mendoj që kemi mbajtur koncerte shumë, por ky ka qenë më i miri që e kemi bërë, ndoshta sepse ka qenë edhe një finalizim i punës. Disa prej veprave i kemi performuar edhe nëpër Evropë dhe ato janë pjekur e janë ngritur çdo herë më mirë e më mirë, ky koncert ka qenë kulminacioni i kësaj pune, sidomos punës dy vjeçare prej pandemisë e deri në ditët e sotme”, tha Shujaku, duke shtuar pjesën se kori “Siparantum” është në një prej 6 koreve më kontribuese të këtij viti.
Baritoni Shaban Behramaj, korist dhe njëherish edhe solist i mbrëmjes, ka thënë për KultPlus se përveç tjerash, fakti që pas një mori koncertesh jashtë vendit, garave e fitoreve, kthimi në Kosovë ka një përgjegjësi më të madhe.
“Njerëzit janë mësuar të të shohin duke fituar nëpër gara të ndryshme, prandaj përgjegjësia tek ne është rritur dhe për këtë aryse kemi ardhur me këtë koncert siç ishte sonte. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që përveç si korist, në skenën e Filharmonisë së Berlinit, kam performuar edhe veprën e Memli Kelmendit si solist, kjo gjë më ka nderuar dhe jam shumë i lumtur që e interpretova edhe sonte këtu. Duartrokitjet kanë qenë të jashtëzakonshme, ngrohtësia e publikut shumë e madhe dhe pritja e tyre gjithashtu shumë e madhe, e për këtë gjë jam shumë falënderues”, tha ai.
Përmes tingujve të lavdishëm nga të gjithë anëtarët e korit, u shpreh edhe muzika si emocion, për të treguar edhe një herë fuqinë dhe madhështinë e një orkestre botërore. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar sot se Qendra e edukimit jo-formal për fëmijë dhe të rinj në Pjetërshan është drejt përfundimit.
Kjo Qendër Rinore do të mund të përdoret gjatë tërë vitit për aktivitete kulturore e sportive ndërsa me ambiente të llojllojshme e multifunksionale do të ofrojë hapësira të reja rekreative dhe kulturore për të rinjtë e Komunës së Gjakovës por edhe nga e gjithë Kosova.
Qendra Rinore e edukimit jo-formal në Pjetërshan është investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me organizatën YMCA Kosovo dhe Komunën e Gjakovës. / KultPlus.com
Sllovenia është duke e mbështetur Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.
Këtë e ka kumtuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite zyrtare në Slloveni ku u takua me homologun, Borut Pahor.
Gjatë një konference për media, Osmani e ka kundërshtuar hapjen e sërishme të liberalizimit të vizave, duke thënë se “Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e vizave”.
“Është e papranueshme që çështja e vizave për Kosovën të hapet sërish. Ne kemi përmbushur kriteret para katër viteve. PE ka votuar dy herë për neve tani i mbetet shteteve anëtare. e presim të arrihet në muajt në vijim”, ka thënë Osmani.
Gjatë kësaj konference Osmani e ka falënderuar Slloveninë për mbështetjen.
“Osmani ndër të tjera ka falënderuar shtetin e Sllovenisë për mbështetjen ndaj Kosovë në të gjitha etapat, përfshirë këtu edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Osmani./Express / KultPlus.com
Cikli i fundit me piktura i skulptorit Artan Peqini, nën shënjuesin “Përtej kohës”, është nji arrati pa zhurmë nga habitati, ose nga siguria. Pa zhurmë e bujë sepse nuk është nji arrati për hir të arratisë, por për hir të kërkimit, për ta njohur ma shumë veten duke dalë prej habitatit, për me dëshmu në këtë mënyrë se habitati është vetë udhëtimi, dhe kur udhëtojmë gjejmë, gjejmë gjithmonë atë që na thotë diçka.
Nëse në rastin e skulpturës në hapësirë, asaj të piedestalit dhe sheshit, autorit i duhet me ba “historianin”, ose të angazhuarin në emër të shoqërisë, me rastin e këtij cikli me piktura autori ban “narratorin”, i cili është i çliruar nga çdo lloj norme apo konvencioni që është i detyruar me zbatu i angazhuari.
Te eseja “Narratori”, Benjamin-i thotë se përralla, “me perzonazhin e njeriut që largohet nga shtëpia për të mësuar se çka është frika, na tregon se gjërat të cilave u druhemi janë të depërtueshme”. Thuhet se ajo që na duhet ndodhet matanë frikës.
Për sa i takon stilit apo frymës estetike, mundena me thanë se është sendërtu nji gjuhë/narrativë e cila përputhet me autorin, që nuk të ndërlidh me dikë tjetër, gja që do ta reduktonte autorin në përkthyes, ose në nji fatkeq që nuk çlirohet dot prej magjisë së ndikimit. Është nji tjetër magji së cilës i është dorëzu pa kushte autori: ajo e udhëtimit, gja që e thekson qysh te nëntitulli i ekspozitës: “udhëtimi magjik”. Pra, në këtë rast kemi krijim, jo përkthim.
Në fakt, ka gjithmonë diçka të veçantë, deri në kufij misteri, kur nji autor që është marrë vazhdimisht me nji gjini/medium kalon “papritur” drejt nji gjinie tjetër. Por, në këtë rast ka diçka ma shumë se kaq, sepse vlera e pikturës së Peqinit është e vetvetishme, jo e përftuar falë ndërrimit të habitatit, nga skulptura te piktura.
Ka diçka prej pikturës metafizike te Artan Peqini, por ky është vetëm nji tis, nji element i pasurisë semantike që pulson butë, por bindshëm. Personazhet dhe vendet që banojnë pikturat e tij janë kryesisht të afërm e miq në situata të përditshme, larg angazhimit, profesionit apo misionit. Ata rrinë shpengueshëm, çlirët, pa marrë kurrfarë poze, duke iu nënshtru forcës së pashmangshme të gravitetit, por edhe duke dalë paqësisht nga ritmi i kohës kalendarike. Duken sikur i janë pjesë e njimomentumi të papritur. Autori nuk i sjell ata siç janë, por ashtu siç duan të jenë, të lirë, të gatshëm për të përballur fatin. Ata ngjajnë stoikë, dhe si të tillë mundohen me u ndie mirë e të plotësuar, pavarësisht kthesave të fatit. Ashtu si personazhet e Hopper-it apo ata të Hockney-t, nuk ankohen, as nuk rebelohen, por sikur po mendojnë dhe meditojnë para kryerjes së nji veprimi.
Nana dhe përjetësia
Thuhet se njeriu nuk mundet me e shly kurrë borxhin që i ka nanës, përveçse nëse ajo bahet skllave e dikujt dhe i biri apo e bija i rikthen lirinë, gjendjen në të cilën lindim. Duke qenë se sot kjo shlyerje nuk është e mundur, atëherë autori ban nji tjetër përpjekje: kërkon me e çliru nanën prej përkohësisë fizike, pra prej harresës, duke e kalu në këtë mënyrë në mbretërinë e artit, gja që dëshmon vullnetin dhe ëndrrën që pret përmbushje.
Duke citu Bradley-n, Borges-i perifrazon: “[…] një nga ndikimet e poezisë do të duhej të ishte ky: të na krijonte përshtypjen se po na kujton diçka të harruar, dhe jo të na zbulojë një gjë të re.”
Këtë lloj mendimi dhe ndjesie provova te disa prej pikturava të Peqinit. Thjeshtësia depërtuese si te subjekti ashtu dhe te forma më thotë diçka, domethanë më kujton diçka.
Të renë (new) le t’ia lëmë teknologjisë dhe industrisë. Ma shumë se sa me na magjepsë apo me na rrëmby mendjen (teknologjia), nji vepër arti duhet me na thanë e me na kujtu diçka që vështirë me u shprehë me fjalë, diçka që e tejkalon përvojën, diçka që na ban me u kujtu se njeriu është ma shumë se nji kafshë politike apo ekonomike, pse jo edhe ma shumë se homo aestheticus. / ExLibris / KultPlus.com