Portreti i papërfunduar i luftës

Tregim

Afrim DEMIRI

Kur trandofilat e dhembjes hidheshin në varrin e hapur, Goni po njihej përherë të parë  me fytyrën e vdekjes. Jeta, deri atëherë e kishte kursyer nga  ballafaqimi me të. Ai kurrë nuk kishte menduar, se një ditë do të merrte pjesë në një varrim, ku varrosen 40 veta përnjëherë dhe një varr do të mbetej i hapur.

Si gazetar i ri, nuk e dinte se ç’farë lidhje  mund të kishte gazetaria dhe lufta. Por, shpejt filloi ta kuptoj  këtë ndërlidhje fatale. Pamjet e përgjakura nga masakrat filluan ta krijojnë  mozaikun e shkrimeve të tij. I dukej vetja një surealist! Mbytej në vaj, derisa i përkthente rrëfimet e dëshmitarëve shqiptarë për masakrën, në fshatin fqinj, për një botim në gjuhën serbe. Bashkë me të qante edhe hulumtuesja serbe, e cila shikohej me mosbesim, në atë ditë të trishtë. Çfarë kërkonte një serbe në mesin e shqiptarërve pikërisht në ato ditë tmerri?! A mund të bënte ajo raport objektiv?! Dhembja nxirrte dyshimet në pah, por lotët kishin shijen e njejtë të dhembjes. Fshatarët qanin, përkthyesit qanin, qante edhe ajo! Rrëfimet mbusheshin gjak e lot! Nuk përballoheshin emocionet, kur duhej të përkthehej për  kokën e prerë  të një fshatari në oborrrin e  tij, apo për zhdukjen e kufomës së një zoje të shtëpisë, varri i së cilës kishte mbetur i hapur.

Gazetaria në kohë lufte filloi t’i përngjajë në një varr të hapur.

1.

Ndjenjat që i  sjell vdekja  i kishte provuar në fëmijëri.

Ftohësinë e parë të  vdekjes, Goni, e kishte ndjerë, nga fletëvdekjet. Ato vendoseshin nëpër  drunjët e  trotuarëve dhe në shtyllat elektrike. Parakalimi i kortezheve të varrimeve, mespërmes qytetit, i ishin bërë ritual i përditshmërisë urbane. Herë  banda muzikore ekzekutonte muzikë funebër, kur vdiste një qytetar serb, e herë mbi katër krah bartej kufoma e ndonjë  të vdekuri shqiptar.  Atij i ngatërrohej, kur thirrej ezani, e kur paralajmërohej një  vdekje, sikur që nuk e dallonte dot kur këmbanat binin  për  gëzim e kur  pikëllim.

Si një fëmijë kurreshtar ecte krahas kortezheve, por edhe shpesh  përfundonte brenda tyre. Mes hapave të rëndë, dëgjonte edhe pëshpëritjet për të vdekurin. Kishte edhe ndonjë nënqeshje të nxitur nga ndonjë batutë për të vdekurin, e cila mbytej me shuplakë të dorës. I  dukej vetja si të ishte në një teatër të hapur. I bënte përshtypje ndalimi i automjeteve, derisa kortezhi  kalonte udhën për tek varrezat. Gonit i pëlqente kur  nderohej i  vdekuri i panjohur.  Kur kthehej në shtëpi, në mbrëmje, dëgjonte të flitej për “Natën e varrit”, për “Ditën e gjykimit”, “Për ringjalljen e Krishtit” apo edhe për xhehnemin dhe parajsën. Me një fjalë kuptimin për vdekjen filloi ta krijojë më shumë  nga pamjet e dhembshme, që parakalonin në qytet dhe nga përfoljet e prindërve për botën e përtejme, se sa  nga leximi i librave fetarë apo filozofik.

Përtej një grope, ai filloi të mendoj  për varrin dhe varrezat si një stacion të vdekjes. Aty shkohej dhe mbetej, apo aty shkohej dhe pastaj fillonte një udhëtim mistik i ri, i amshueshëm?

Kjo ishte dilema që e mbante pezull, në mes të tokës dhe të qiellit. Kjo ishte metafizika e tij. Në atë kohë vdekjet e natyrshme,  më shumë i ngjallnin meditime filozofike se sa dhembje dhe pikëllim.

2.

Por, kur filloi lufta e vërtetë,  Goni filloi të ndryshojë këndvështrimin për vdekjen dhe për Zotin.  Gjatë gjithë kohës së luftës nuk e kuptonte logjikën pse  ndodhnin aq masakra, aq djegie dhe pse dëboheshin njerëzit! A ishte vërtetë kjo luftë apo çmendurinë njerëzore! Pyetjes se  pse Zoti e lejonte një gjë të tillë, nuk ia gjente dot përgjigjjen?! Çdo ditë e më shpesh dëgjonte se dikur luftërat kanë qenë më të moralshme, kurse tash po vriteshin edhe fëmijët. Në çdo vrasje ai filloi të mendoj, se i pari  që vritej, që vdiste ishte Zoti. Sepse si ka mundësi  qe dikush t’i vret 40, 400,…, 4000  veta, për një ditë, pa e vrarë në fillim  Zotin brenda tij. Kështu  reflektonte, pa e kuptuar ku fillonte  hyjnorja e ku mbaronte njerëzorja.

Nuk i hiqej nga mendja vargu i një balade që dëgjohej me ëndje në shtëpinë e tij. Nga radioja e markës “Portorozh”, e vendosur në qoshe të dhomës së ndejës, kumbonte thirrja e një heroi që po vdiste, që  varrin t’ia linin të hapur, me një frengji, si në kullat tradicionale. Derisa gjilpëra  grithte pllakën magnetofonike, ai  imagjinonte që nga ajo frengji, në formë të vrushkulli të dritës, krijohej lidhja me Zotin dhe pikërisht prej saj shpirti i heroit ngjitej në panteonin e shpirtërave. Varri i përngjante në një kullë të varrosur.

  Por kishte kaluar koha kur për të ekzistonte vetëm  kuptimi për vdekjen e natyrshme. Tashmë atë e  zëvëndësoi  kuptimi për vdekjen si fryt i hidhur i luftës. Iu dukë se do të mund të gjente shpëtim tek  Këngët e kreshnikëve. Donte të ikte nga realiteti. Ato ia sillnin luftën  në sofrën e bukës, si një mëlmesë të përgjakur. Dita, ditës ai filloi të ndjejë se më shumë po jetonte mes kreshnikëve se sa  mes të njerëzve të familjes.  Ngjallja e Konstantinit, nga varri për ta mbajtë fjalën e dhënë  së motrës, apo  vrasja  e Ali Pashë Tepelenës dhe  dy varret e tij, një për kokën e prerë, e tjetri për trupin, e fusnin  në një atmosferë varresh. Ndjente trishtim derisa paramendonte udhëtimin e kokës pa trup për në Stamboll. Me një fjalë  realiteti i luftës dhe realiteti në eposin e kreshnikëve ishin ngatërruar ndër veti. Nuk vonoi dhe  lufta sikur doli nga Eposi. Filloi t’i urrente interpretimet se Ballkan do të thoshte tokë e gjakut!  

3.

 Pas lufte, memoriali në fshatin ku u krye masakra, u shndërrua në një pelegrinazh vjetor, për  viktimat e pafajshme.  Në mesin e të gjitha varreve të mbuluara tashmë me  mermer të përhimtë, një varr vazhdonte të mbetej i hapur. Një trup e një të vrareje, nuk ishte gjetur prej atij janari të kobshëm të  vitit 1999-të.  Lulet e pikëllimit hedheshin për çdo vit në varrin e zbrazët, duke e mbushur atë me dhembjen, për viktimën  e zhdukur. Dikush thoshte se as  në antikitet nuk është luajtur me kufomat, kurse tash zhvillohej një betejë për kufomat, ato zhdukeshin, fshiheshin, kidnapoheshin, zhvarroseshin e rivarroseshin. Dinjiteti i njerëzve vritej për së dyti. Varri i hapur, filloi t’i dukej si një portret i papërfunduar i luftës.

Në mbrëmje kur gazeta shkonte në shtyp, atij i dukej se vet shkonte në një botë tjetër. Në ato çaste mërzie, ndërmend i parakalonin  primamidat egjiptase, si krye-varre të një civilizimi, varrezat e lashta  me rasa guri, të gjata sa një trup njeriu, pa asnjë mbishkrim, pastaj varret e vendlindjes së tij të humbura në mes lisave të mëdhenj. Pyeste vetveten; a ka  vend tjetër në botë që ka Varre të krushqëve. Legjendat thonin se ishte një kohë, që kur takoheshin krushqit ndër veti vriteshin.

Ndihej si një kalorës i humbur në mes të varreve në natën që nuk kishte të sosur. 

Gonin,  një ditë pune  e solli edhe tek varrezat e qytetarëve serbë, në dalje të qytetit. Serbët,  pas luftës filluan t’i zhvarrosnin të dashurit e tyre dhe t’i dërgonin mbetjet mortore, në Serbi. Ky veprim nuk kuptohej lehtë nga ai; donin t’i zhvarrosnin edhe kujtimet nga Kosova apo cila ndjenjë  i shtyente në këtë veprim?! Ishte kohë zhvarrimesh! Forcat serbe kishin zhvarrosur viktimat shqiptare dhe i kishin dërguar në Serbi! Po ashtu  kishte raste që tri apo katër herë ishin zhvarrosur edhe luftëtarët shqiptarë të vrarë, për t’u varrosur në Varrrezat e përbashkëta  të dëshmorëve.  Derisa i mbledhnin eshtrat e tyre, varret mbetnin të hapura.

Zhvarrimet nxirrnin vdekjen nga toka, në ajër  ndihej shija e saj prej dheu. Parafytyrimi i varreve të hapura, Gonit,  nuk i hiqeshin nga sytë. I shihte  si istikame të një lufte që pret të rishfaqej. Filloi të ngatërrohej vetmevete, duke krahasuar  varret e hapura. Njëri i zhdukur, tjetri i zhvarrosur. Kurrë nuk i kishte pëlqyer shkronja ZH, i ishte dukur shumë e zhurmëshme, dhe vetëm në fjalën zhurmë i dukej se rrinte në vendin e vet. Që të dy  varret mbetnin të zbrazura nga mosmbarimi i luftës në kokën e njerëzve. I kujtohej  fjala e urtë  se “kush ia hap dikujt varrin bie vet në të”, por ky e  murmuriste ndër dhëmbë si një motërzim: se nëse dikujt ia lenë varrin të zbrazur, ke zbrazë edhe varrin tënd.

Çdo varr i mbetur  hapur, i gjason  një lufte të  pa kryer.

Kështu disi e  kishte emërtuar  reportazhin e tij, për varret e hapura. Donte t’i mbyllte varret, qoftë edhe simbolikisht. Gjithë ditën kur u botua  shkrimi nuk  ndihej mirë, veshtë i ushtonin , i bëhej sikur po dëgjonte rapsodët ta këndonin shkrimin e tij në vend të këngës së kreshnikëve! Sërish varre të hapura, sërish plagë. Në mes eposit të lashtë  të kreshnikëve dhe kronikave të sotme për vrasjet nuk shihte dallim. Tash lufta po hynte në Epos! Mungonte vetëm  gramafoni sipër radios me gjilpërën e tij magnetike, si dhe ndryshonte  arsyetimi moral për luftërat?!

Si duket sërish ai ishte jashtë realitetit?!/ KultPlus.com

Ornela Vorpsi ekskluzivisht për KultPlus: Nuk shkruaj në shqip, ndryshe ngrihen demonët e së kaluarës dhe më shqyejnë të gjallë

Ardianë Pajaziti

Fytyra e saj është një fytyrë si e një kukulle porcelani. Dhe jo vetëm, por edhe një fytyrë kukulle e habitur. Dhe me sytë e saj të mëdhenj sikurse edhe më ma vërteton këtë ndjesi që ma jep figura e Ornela Vorpsit.

Në pamje të jashtme ta le përshtypjen e një gruaje të fortë, që është në gjendje të thyej çdo barrikadë, po në shpirt, sikurse e thotë edhe vet, është e vrarë, shumë e vrarë nga jeta që e rropati brenda dhe jashtë Shqipërisë.

E përkthyer në mbi 20 gjuhë të botës, mu kjo Ornela e Shqipërisë që doli nga ky vend dhe vazhdon të bëj nam nëpër botë me librat e saj, akoma nuk e ka shkruar një libër në gjuhën shqipe, po gjithë krijimtarinë e saj e ka të shkruar o në italisht, o në gjuhën frënge. Dhe ka një arsye pse nuk ka shkruar dhe nuk dëshiron të shkruajë në gjuhën shqipe.

Përgjatë një bisede të gjatë, pashë shumë Ornela rreth meje, e mezi arrija të përmblidhja mu atë Ornelën që kisha para syve të mi, që padyshim është një zonjë e madhe, dhe nuk do të ishte e tillë po të kishte pas një jetë ndryshe.

Për mbi dy orë përgjatë intervistës pashë Ornelën e vogël të Tiranës e cila lumturohej në familjen e saj të vogël, pastaj pashë Ornelën e topitur, mu këtë Ornelën me fytyrë porcelani, hije që mori që nga vdekja e gjyshes, vdekje që ndodhi në prani të saj, hije që u bë edhe më e rëndë me burgosjen e babait. Pashë Ornelën e vetmuar rrugëve të Tiranës, vetmi dhe refuzim që e mbështolli regjimi i Enver Hoxhës, pashë Ornelën duke vrapuar pas ngjyrave, pikturës, pastaj atë Ornelën e Milanos e të Parisit, Ornelën në romane që edhe më tej refuzon ti shkruaj në gjuhën e nënës, e deri te kjo Ornela e fundit që i janë përkthyer romanet e saj në mbi 20 gjuhë të botës, këtë Ornelën e ekspozitave e të pikturës, e cila prap më jep ndjesinë e një portreti të një figureje porcelani, e cila edhe e thotë vetë, që këtë figurë apo ndjesi të majës së ajsbergut, e mori që nga përplasja e gjyshes para këmbëve të saj, vdekje që ja dha një nur përgjatë gjithë jetës.

Përderisa kujton fëmijërinë e saj, e cila e konsideron fëmijëri të lumtur, rritën e saj me dashurinë e gjyshes dhe prindërve të saj, Ornela Vorpsi e kujton atë periudhë si periudhën më të ëmbël, e cila rritej në një shtëpi në mes të Tiranës, me një kopsht shumë të madh me hurma e ullinj, e cila shumë më vonë kuptoi se babai i saj kishte prona, shumë prona, por që ata e rritnin pa ia kujtuar se ishin një familje e kamur, duke vënë në plan të parë dashurinë që kishin për njëri tjetrin, e sidomos për gjyshen. 

“Kam pas një gjyshe jashtë mase të dashur, dhe mbaj mend se deri në moshën gjashtë vjeçe kam gëzuar dashurinë e saj të pafund. Dhe vdekja e saj, besoj se ishte një nga goditjet më të mëdha që kam pas në jetë. U rrëzua para syve të mi, ra në tokë, mbaj në mend që më tha “koka, më dhemb shumë koka” dhe vdiq, para syve të mi vdiq”, kujton Ornela dashurinë për gjyshen, dashuri që më pas u shndërrua në atë topitjen, akullnajën jetësore, pasi që këtë vdekje e kapërceu ftohtë, pa lot dhe pa bërtima, me një mur në mes, mur të madh mes dhimbjes shpirtërore dhe reagimit të jashtëm.

Ornela kujton më pas se kishte vazhduar jetën në atë Tiranën e atëhershme, Tiranë që bashkë me Shqipërinë ishin super të izoluara nga bota, me makina të pakta, e edhe më pak racione ushqimi, por me një dashuri të madhe për artin, dashuri që e kishte qysh nga vegjëlia e saj.

Dhe kjo artiste e madhe, rrugëtimin drejt artit e kishte nisë në piano. Prindërit e saj e kishin detyruar të ngulitej në atë instrument, tinguj që kurrë se plotësuan shpirtin e saj të madh artistik, që në periudha të ndryshme jetësore ndryshonin formë, herë pikturë, herë fotografi e herë letërsi.

Dhe përderisa Ornela kërkonte art, apo dhimbja e saj kërkonte të shpërfaqej nëpërmjet artit, në kohën kur ende mësonte piano, por që nuk përmbushte dëshirën e saj për të bukurën, me vetëm shtatë vjet ajo pëson edhe një goditje.

Dhe si me rastin e vdekjes së gjyshes, edhe kësaj radhe, nuk qau, as lëvizi e as nuk reagoi. Ishte zhdukja e babait, dhe ajo që dinte në atë kohë ishte vetëm kjo, babai i saj iku me motorin.

“Mbaj mend mamin, e priste. Por babai u zhduk, kishte një motor dhe po me atë motor u zhduk. Unë si fëmijë nuk reagoja, nuk merrja pjesë në këto goditje, nuk lëvizja, nuk qaja dhe nuk prekesha”, shpjegon Ornela Vorpsi duke kujtuar këtë goditje si shtatë vjeçe, e cila më pas ka shpjeguar se pas bisedave dhe konsultave më të vonshme me psikoanalistë, i kishin shpjeguar se ky mos reagim i saj ishte më shumë si një mur, si një mbrojtje e vetvetes karshi zhvillimeve.

“Dhe babai nuk u kthye, kaluan gjashtë muaj dhe nuk kuptuam asgjë. Brenda këtyre gjashtë muajve mami shkonte në polici të pyeste, dhe ata i thoshin se nuk dinin gjë. Të njëjtit kërcënonin mamanë time se ajo duhej tu tregonte se ku ishte burri i saj” tregon Ornela për atë periudhe të rëndë për familjen e saj, të cilës familja e saj veç po i zvogëlohej, dhe tani kishte ngelur me mamanë e saj, e që atë kohë ishte 29 vjeçe.   

Dhe regjimi i Enver Hoxhës sapo kishte trokitur në portën e familjes së Ornela Vorpsit, dhe shija e hidhur e komunizimit kishte kaluar përmasat për të dhe për mamanë e saj, të cilat vuanin në palcë ndarjen e familjes, distancimin e njerëzve nga to dhe vuajtjet e kësaj kohe që kishin shndërruar një grua dhe një vajzë të vogël si dy njerëz tmerrësisht të padëshiruara nga të tjerët.

Babain e dënuan për politikë pa u marr asnjëherë me politikë, kishin për qëllim sekuestrimin e pronave

Ornela Vorpsi kujton që babain e saj e kishin gjykuar me dyer të mbyllura, e kishin akuzuar për politikë, edhe pse, sipas Ornelës, babai i saj kurrë nuk ishte marr me politikë. Sipas saj, arsyeja e burgosjes së tij ishte diku tjetër, sekuestrimi i pronave të shumta që kishte kjo familje. Dhe me rënien e tij në burg, krejt këto prona u sekuestruan dhe lanë këtë familje në dyer të botës. 

Ornela kujton se dy herë e kishte vizituar babain e saj në burgun e Spaçit, njëherë kishte shkuar me gjyshin, nga ana e babit, dhe njëherë kishte shkuar me mamin. Të dy vizitat kishin lënë vragë të thella në memorien e Ornelës, duke nisë nga kontrollet e rrepta të gardianëve e deri te takimi me babain, që për të ishte shumë i panjohur.

“Nuk e njoha fare babain tim, ishte dobësuar jashtë mase, ishte me pizhame me vija, si ato të Auschwitz. Dhe mbaj në mend që mamit tim i dha një qese të vogël, kur u ktheva në shtëpi, si kurreshtare që isha e hapa atë qese. Në të gjeta dhëmbët e thyer të babit, sepse më vonë e kam kuptuar se kur e kishin arrestuar, e kishin futur në një thes, dhe e kishin rrahur aq fortë sa që ia kishin thyer edhe dhëmbët”, tregon Ornela Vorpsi, e cila kujton edhe një takim tjetër me babain e saj në burg, po këtë herë më shumë kujtime të hidhura i kishte lënë rruga deri në Spaç, sesa vet Spaçi.

“Nuk kishte makina, mbaj mend se patëm shkuar me autostop me një kamion që barte derra, mami ishte ulur me shoferin para, unë isha pas, me derrat. Para syve të mi shihja se si tentonte shoferi ta puthte mamin tim, ishin kohë të tmerrshme, ishte një Shqipëri që nuk të le qetë as sot”, kujton Ornela.

Dhe përgjatë kohës sa babai i saj vuante dënimin, mamanë e saj e detyruan ose të divorcohej ose do ti internonin, por sipas Ornelës, mamaja e saj zgjodhi të parën, dhe pas sekuestrimit të pronave, Ornela bashkë me mamanë e saj u detyruan të ktheheshin te dajët, ku u vendosën të dyja në një dhomë të vogël, dhomë e cila u shndërrua në shtëpinë e tyre për shumë vite.

“Të gjithë njerëzit na u larguan, mbaj mend edhe kushërirat e mia të cilat bëheshin se nuk më shihnin në rrugë. Tirana ishte e vogël atëherë, dhe bënim pjesë te shoqëria margjinale. Ndërkohë, Shqipëria në atë kohë ishte kaq injorante, me mentalitet shumë të rëndë, sa po të ishe një grua pa burrë, sikurse ishte ime më, ishe direkt kurvë”, kujton Ornela, e cila mentalitetin e Shqipërisë edhe sot e sheh si të ngecur në vend, me shumë pak ndryshime.

Nga një inxhinere mekanike, mamanë e Ornelës e vendosën në punë në një fabrikë me tre turne. E dërmuar nga rrethanat, e larguar nga shoqëria, sipas Ornelës, mamaja e saj për një muaj e gjysmë u shtri në psikiatri.

“U shtri në psikiatri vetëm që të flinte, nuk flinte dot nga puna që bënte në tri turne. Dhe si e vogël unë mbeta vetëm me gjyshen te dajët”, rrëfen Ornela, të cilës çdo ditë po i zvogëlohej bota, e krejt këtë çmenduri që e kishin kaluar shqiptarët që i prekte regjimi i Enver Hoxhës, Ornela e shpjegon me një fjali “Ishte një Shqipëri e çuditshme, mos ta jetoje, nuk e koncepton dot”.

Ornela shpjegon se babai i saj vuajti shtatë vjet dënim, dhe pas burgut ajo e takoi si 14 vjeçe. Si vajzë e një të burgosuri politik, përgjatë kohës sa babin e kishte në Spaç, i kishin thënë shumë fjalë të këqija për babain e saj. Aq keq i kishin fole, sa që Ornela tregon se kur dikush i thoshte se sa shumë i ngjante babit të saj, ajo nuk ndihej mirë, ndihej shumë keq.

“E kam takuar edhe dy tri herë, fshehtas prej mamit. Sepse ajo nuk donte që të takohesha me të, asaj i ishte ngulitur në mendje se ai ishte shkaktari që na shkatërroi jetën. E në fakt nëna kishte probleme mendore, sepse i vuajti shumë pasojat”, tregon Ornela më tej.

E adhuroja vizatimin, pikturën, po sistemi i atëhershëm nuk më lejonte të futesha në Liceun Artistik, isha vajza e një të burgosuri politik

Dhe përderisa jeta i kishte rropatë sa poshtë e lart këtë familje tironse, lufta e artit brenda shpirtit të Ornelës nuk gjente paqe. Përderisa bënte shkollë për piano, brenda saj ajo kishte zbuluar pasionin për vizatimin, pasion që u bë aq i fuqishëm sa mori edhe vendimin për braktisjen e pianos.

Ajo kujton se vet kishte shkuar të Pallati i Pionierit për tu regjistruar për vizatim, pastaj përfundoi shkollën tetë vjeçare të normales, institucion në të cilin poashtu ndjeu distancën e shokëve, shoqeve dhe mësimdhënësve.

“Pastaj kisha dëshirë të vazhdoja Liceun Artistik për pikturë, por ishte e pamundur, sepse isha fëmija i një të burgosuri politik, dhe në Shqipërinë e atëhershme, arti ishte propagandë, dhe nuk kisha të drejtë, kisha të drejtë vetëm në gjimnaz”, tregon Ornela Vorpsi, e cila kujton se përgjatë asaj kohe, ajo kishte vijuar gjimnazin, përderisa pikturën e vazhdonte në shtëpi.

Dhe me përfundimin e gjimnazit, si duket po përfundonte edhe një regjim i tmerrshëm në Shqipëri. Ornela Vorpsi ishte në vitin e tretë të gjimnazit kur kishte vdekë Enver Hoxha, dhe Ornela kujton edhe sot kumtin e zysheve të asaj kohe dhe histerinë kolektive për vdekjen e Enver Hoxhës.

Por me vdekjen e tij, vendi kishte filluar pak të merrte frymë. Më në fund, Ornela Vorpsi arrin të futet në Institutin e Arteve, tash Akademia e Arteve të Bukura, garë të cilën e synonin mbi 400 të rijnë, e pranoheshin vetëm 25 studentë.

“Kisha përballë fëmijë të artistëve, fëmijë që ishin rritur me art, fëmijë që ishin mirë politikisht dhe që ishin mirë me talent. Po pata një fat të jashtëzakonshëm, dhe pata një mbështetje nga Hektor Dula, i cili mbështeste talentin tim, dhe kështu që e fitova atë konkurs. Mbaj në mend që për një javë kam pirë vetëm ujë dhe nuk haja asgjë, aq isha e emocionuar”, tregon Ornela Vorpsi për këtë vulë jetësore, vulë që e kërkonte pothuajse që nga fëmijëria dhe më në fund ia kishte dalë që të jetë pjesë e këtij institucioni që pas përfundimit do ta nxirrte si piktore.

Ika me mamin në Itali, kapitalizmi mu duk gjëja me e egër që kisha parë në jetën time, nuk i kuptoja lëvizjet e gjithë atyre makinave, sikurse nuk e kuptoja dashurinë e tyre për macet dhe qenët. Atëbotë në Shqipëri nuk kishte as veterinar

Dhe portat po hapeshin për piktoren e re. Në fakt nuk u hapën portat, po shqiptarët po i hapnin ato dhunshëm, duke u futë nëpër ambasada dhe duke kërkuar një jetë më të mirë.

“Meqë jam esteiste, Shqipëria nuk u hap bukur, po ky ishte realiteti i jonë”, kujton Ornela lëvizjet e shqiptarëve përgjatë viteve të 90-ta, e që Ornelën ajo periudhë e kishte gjete 22 vjeçe dhe me titullin piktore e diplomuar.

Ornela kujton se kjo dyndje e shqiptarëve e kishte provokuar edhe mamanë e saj, dhe sipas saj, kërkesa e saj ishte që të iknin nga Shqipëria dhe të shkonin ne Milano. “Ishte një shoqëri që nuk na kishte lënë vend, nëse njerëzit tjerë kishin vend, ne nuk kishim një të tillë”, tregon Ornela, duke e krahasuar Shqipërinë e atëhershme si një moçal dhe si një vend të kalbur.

“Ne morëm një vizë për dy javë, unë kisha një gocë tezeje e cila duke qenë nxënëse shembullore, duke pas babin komunist, me të drejtë e shkreta, rrinte larg meje, ajo mbaroi me medalje ari, dhe e cila duke qenë kaq e shkëlqyer, Shqipëria i qonte jashtë shtetit. Edhe atë e kishin dërguar në Romë, kështu që unë me mamin tim duke mos e pas fare idenë e një vendi të huaj, siç ishte Italia, marrim biletën dhe shkojmë tek ajo. E ke parasysh, ajo ishte në kolegj universitar, ishte në konvikt, dhe ne i shkuam në konvikt”, tregon Ornela duke qeshur, e cila shpjegon se këto ishin pasojat e izolimit 50 vjeçar, dhe një izolim i tillë reflekton më pas edhe budallallëqe të tilla.

Ajo tregon se për dy javë sa patën vizë, qëndruan fshehurazi në konvikt, dhe pas asaj kohe ishte lufta tjetër, se nëse do të ktheheshin në Shqipëri, apo do të vazhdonin të kërkonin tokën e premtuar. Zgjodhën këtë të fundit, edhe pse, sipas Ornelës me shumë frikë, sepse sipas saj, kapitalizmi ishte gjëja me e egër që kishte parë në jetë.

“Mu duk një tmerr, ishte një gjuhë e huaj që nuk e njihja fare, por nuk kishte gjë që mamin tim ta kthente në Shqipëri”, tregon Ornela rreth vendimit të qëndrimit në Itali.

Por 50 vjet izolim ishin shumë për dy gratë shqiptare, të cilat po përpinin habinë dhe magjinë e Milanos.

Ornela atëbotë kishte kujtuar se të gjitha gratë e Milanos janë si Sophia Loren, por edhe pse nuk ishin si Sophia, sipas saj dallonin shumë nga vajzat dhe gratë shqiptare.

“Ishin vajza të holla, ne në Shqipëri na donin me gjoks e me vithe, me flokë të zeza, ndërkohë ato të gjitha ishin bërë bionde, ishin të nxira nga dielli, nuk kuptoja se çfarë ishte kjo.  Pastaj nuk i kuptoja makinat që shkonin e vinin, sepse në Tiranë ishin katër makina që rrotulloheshin në krejt Tiranën, dhe ishin aso makina që shkonin e vinin për punë. Ishte një shoqëri që e nuk e kuptoja në asnjë gjë, nuk e kuptoja as dashurinë që kishin për qentë dhe macet, përderisa ne në Shqipëri nuk kishim atë kohë as veterinar. Çdo gjë ishte një tronditje e madhe, unë do të isha kthyer në Tiranë, por mami nuk deshi”, tregon Ornela për goditjen me perëndimin, duke u detyruar që pas vendimit të qëndrimit në Milano, të bënte hapin e radhës, të bënte një copë vend për vete.

Në Milano ma thyen ëndrrën, profesori më tha: Piktura tashmë ka vdekur

Pasioni për pikturën e ndiqte edhe këtu, dhe duke pas parasysh se Shqipëria atëherë kishte ngelur te realizimi socialist, dhe shkollimi i saj po në atë pikë, Ornela Vorpsi kishte një tjetër ëndërr. Të përfundonte Akademinë e Arteve edhe në Milano. 

“Dhe mbaj në mend, konkursin e fitova pa asnjë tmerr në Milano, në Aakademinë e Arteve të Bukura të Brerës, dhe pyesja vetën se si ka mundësi, sepse në Shqipëri shumë pata heqë që të pranohesha në atë Institut”, tregon Ornela, por duke mos qenë e përgatitur se furtuna e radhës veç sa se kishe goditë.

Ajo kujton se kishte marr një pikturë të saj për t’ia prezantuar profesorit të saj, dhe përgjigja e tij se piktura tashmë kishte vdekur, dhe se art tash janë instalacionet, artet konceptuale, video instalacionet e performancat e kishte goditur jashtë mase. Një jetë të tërë kishte luftuar për vizatimin dhe pikturën, dhe në mes të Milanos, Ornela e kupton se ajo që e kishte ëndërruar kaq shumë, tashmë kishte vdekur.

“Dhe kështu vendosa të bëja disa hulumtime në këtë art konteporan dhe të shoh se si më fle. Dhe bëra këto katër pesë vjet, që për mua ishte humbje e kohës komplet, sepse nëse në Shqipëri mësova se si të pikturoj, aty te arti konteporan, mu duk një spekulacion, dhe edhe sot e kësaj dite mendoj se është një punë koti, por njerëzit nuk kanë guxim ta thonë.  Dhe unë nuk e ndjeva, nuk isha fare e kësaj udhe, njoha instalacionet, provova fotografitë, dhe nuk ma mbushi mendjen”, tregon Ornela Vorpsi për ballafaqimin me artin konteporan.

Dhe përderisa kishte mbetë pa atdhe, përderisa piktura kishte vdekur, po sipas profesorit italian, dhe përderisa nuk kishte një copë vend në Itali, Ornela Vorpsit me nguti i duhej të bënte një zgjidhje, sepse i duhej të ekzistonte në një vend të huaj.

Ornela përgjatë kohës sa ‘varroste’ pikturën, dashurinë më të madhe te jetës, bëri fotografi mode, mënyrë elementare për të siguruar jetën.

“Dhe më erdhi shkrimi, mu dhuru kjo dhuratë e madhe e shkrimit, pa asnjë lloj mendimi se mund të bëhesha shkrimtare, apo ti publikoja, pasi që ëndrra ime ishte piktura. Fillova të shkruaj, dhe fillova të shkruaj kur isha në Paris, pasi që isha pjesë e një shkëmbimi universitar mes atij të Milanos dhe Parisit. Shkova ne Paris për gjashtë muaj në Erasmus, dhe nuk u ktheva më në Milano, dhe mbaj në mend që fillova të shkruaj në Paris”, tregon Ornela për fillimin me shkrimin, e cila tash njihet për romanet e saj në 20 shtete, përderisa ajo kishte dashuri të pa kompromis pikturën.

“Vendi ku nuk vdiset kurrë” u shkrua në italisht, kisha nevojë për një gjuhë që mbanë një distancë, dhe një gjuhë që nuk e bartë fëmijërinë time

Dhe një shqiptare që kishte jetuar për gjashtë vjet në Itali, dhe sapo ishte vendosë në Paris dhe po provonte kulturën e ushqimin francez, kishte filluar ti lëshonte rrënjët e para të romanit bestseller “Vendi ku nuk vdiset kurrë” por jo në gjuhën shqipe, por ajo pavetëdijshëm kishte filluar ta shkruante në italisht.

“Qëndrova në Itali për gjashtë vjet dhe gjuha italiane ishte shumë e kollajshme, veshi ma kishte dëgjuar që kur isha në Shqipëri dhe për atë nisa të shkruaj në italisht. Shumë më kanë pyet se pse nuk e shkrova në gjuhën e nënës, në gjuhën shqipe. Nuk mund të shkruaja në shqip, sepse të gjithë demonët  e së kaluarës  ngrihen dhe më hanë, e gjithë e kaluara më mbytë, nuk do të shkruaja dot emocionalisht. Kisha nevojë për një gjuhë që mbanë një distancë, dhe një gjuhë që nuk e bartë fëmijërinë time. Italishtja ime nuk e barte fëmijërinë time, frëngjishtja nuk e bartë fëmijërinë time, nuk mbytem në to, ka një lloj distance, në shqip s’do të kisha shkruar kurrë atë që kisha shkruar në italisht”, thotë Ornela, e cila përpos që po fitonte distancën me gjuhën shqipe, ajo po fitonte edhe një distancë tjetër, me nënën e saj, e cila kishte mbet në Milano, përderisa Ornela po qëndronte në Paris, por që pavarësinë e saj nuk e fitonte dot, se ishin të lidhura si mish e thua.

“Fillova ta shkruaj, sepse nuk dija çfarë të bëja me ditët e mia. Mbaj në mend se si u ula aty afër shpisë, më erdhi të shkruaj dhe shkrova një tregim dhe më pëlqeu disi, po pa i bërë pyetje vetës se pse po shkruaj në italisht, më erdhi në mënyrë organike, ato gjëra që i kam treguar në këtë libër dhe që janë të vërteta, në shqip nuk do ti tregoja kurrë, do të kisha vdekë, do të isha djegë. Shkrova një tregim të vogël, dhe ja përktheva keq e keq një shokut tim shkrimtar që ishte francez. Edhe ai është goxha i njohur, dhe më tha ‘e di që është fantastik’. Dalëngadalë shkrova, edhe mbarova këtë libër, që tashmë është i përkthyer në shumë gjuhë të botës, anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe shumë gjuhë të tjera, dhe gjuha e fundit që do të përkthehet së fundi është në gjuhën serbe”, ka thënë Ornela Vorpsi, e cila kujton edhe detajin tjetër, se iu deshën vite të tëra që të jepte dritën e gjelbër që të përkthehej edhe në gjuhën shqipe.

Babai mu lut që mos ta përktheja romanin në gjuhën shqipe, i kishin thënë se kisha shkruar shumë keq për Shqipërinë dhe nuk dëshironte që ky libër të fliste në shqip

“Mora shumë kohë deri sa vendosa ta botoj në gjuhën shqipe, sepse im atë më luti që mos ta përktheja. I kishin thënë që kisha shkruar tmerre për Shqipërinë, dhe nuk donte që ky libër të fliste edhe shqip. Por më në fund vendosa, ka tri vjet që është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe”, thotë Ornela.

Dhe përgjatë këtyre viteve të krijimtarisë në fushën e librit, Ornela ndër vite prap e ka bindë vetën se piktura nuk ka vdekur, dhe se piktura është ringjallë më shumë se kurrë, dhe paralelisht punon në të dyja, herë në libër e herë në pikturë, e me raste edhe në fotografi.

Ajo është duke shkruar në librin e ri, por është duke e shkruar në gjuhën frënge, pasi që, sipas saj, duke jetuar që një kohë të gjatë në Francë, italishtja, sipas saj ka filluar ti brishtësohej, dhe nuk ndihet mjaftueshëm e sigurt në këtë gjuhë.

Ndërkohë, përderisa shkruan dhe pikturon, Ornela Vorpsi tregon edhe një detaj që e vuan si pasojë nga Shqipëria. Ajo synon prestigjiozen për ti bindë të tjerët se arti i saj vlen. Së fundi ka fituar qëndrimin në një rezidence shumë prestigjioze, sikurse që ka ndërruar shtëpinë botuese që vlerësohet të jetë poashtu shumë prestigjioze.

“Në Shqipëri më kanë rrahur aq keq, sa që kisha dëshirë të kapja këto maja prestigjioze, është njësoj sikur të vësh pak balsam mbi trup. Sepse, në Shqipëri ngaqë kisha një natyrë të çuditshme dhe nuk më kuptonin, më konsideronin keq, sepse në Shqipëri po të jesh gocë e bukur të vlerësonin si budallaqe, dhe ky mentalitet, për mu ishte një ravansh me Shqipërinë,  po për mua ishte një ravansh i madh, sepse vija nga një Shqipëri ku më copëtuan, më dërmuan në të gjitha dimensionet. Por në të njëjtën kohë pata fatin ti them këto mrekulli, dhe falënderoj Zotin, misterin që bën jetën, edhe pse ngelem njeri jashtë mase i vrarë, gjërat që kanë ndodhë nuk shërohen më”, ka thënë Vorpsi, e cila tregon se në Shqipëri e kishin quajtur tradhtare, për faktin se nuk kishte shkruar në shqip. 

“Unë e ndjej vetën tërësisht shqiptare, dhe fakti që kam jetuar në Itali dhe Francë nuk më bën as italiane e as franceze. Të përdorësh një gjuhë të huaj është një mjet, që për mua ishte i shëndetshëm”, ka thënë Ornela.

Ornela Vorpsi që ka mbi supe tetë tituj të librave dhe shumë ekspozita, që nuk ka asnjë shtëpi në Tiranë, edhe përkundër faktit se babai i saj posedonte shumë prona, që vishet vazhdimisht me ngjyrë të zezë, që edhe këtë detaj e adreson te Shqipëria, sepse ky vend e la pa ngjyra dhe pa lule, që sheh akoma ëndrrat në Shqipëri, edhe pse dëshiron që ti rri larg saj, që humbi nënën gjatë pandemisë dhe që nuk arriti as ta shoh në momentet e fundit, edhe sot nuk e konsideron vetën të suksesshme, dhe sipas saj ajo e vuan këtë pjesë si njeri që ka bërë shumë pak.

Ornela Voprsi ka dëshirë që të bënte shumë më tepër, jo në nivelin e shkrimit e të pikturës. Po ëndrra e saj do të ishte që të mund të krijonte azile për të moshuar dhe të ndihmonte njerëzit e rrugëve. “Kur i shoh njerëzit nëpër rrugët e Parisit, janë pamje që më vrasin, sepse unë isha rrugëve bashkë me nënën time”, përfundon Ornela, e cila vazhdon të jetojë dhe krijojë në zemër të Parisit, bashkë më bashkëshortin, vajzën e saj dhe tri mace, tri mace në shtëpinë e kësaj Ornele që në fillet e migrimit të saj nuk i kuptonte perëndimorët për dashurinë ndaj maceve dhe qenve./ KultPlus.com

Shukrie Ramadani: Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

Ardianë Pajaziti

Shukrie Ramadani kishte hyrë në klasë të parë shumë e vogël, më e vogla prej moshatarëve të saj. Nuk i kishte mbushë as gjashtë vjet kur ishte ulë në bankën e shkollës së fshatit të lindjes në Zhegër të Gjilanit, dhe këtë nguti për tu regjistruar në shkollë ajo e sheh edhe si një sinjal tjetër, të takohej që nga fëmijëria me shokun e saj të klasës, shokun e jetës, bashkëshortin dhe babain e tre fëmijëve të saj, Agim Ramadanin, e cila nuk e kujton asnjërin prej takimeve si takimin e parë, sepse sipas saj e gjithë jeta e saj ishte Agim.

Si dy rivalët më të këqij që ishin përgjatë shkollimit, dhe në të njëjtën kohë edhe miqtë më të mirë, jetën e Shukrie dhe Agim Ramadanit do ta perceptonin vetëm bashkëkohanikët, pasi që, nëse do ta dëgjoje si rrëfim, më shumë i ngjanë legjendave se sa vetë jetës.

Ata jetuan shpejt, aq shpejt sa për të lënë gjurmë në lirinë e Kosovës, gjurmë që kishin nisë që nga organizimet ilegale, protestave të vitit 81, arrestimit të Shukrisë, ballafaqimin me luftën e Kroacisë, jetën në Zvicër, luftën e Kosovës e deri të Rrasa e Zogut. Rrasa e Zogut është vend që pothuajse ka pushuar edhe zemra e Shukrisë, se mu në këtë vend, më 11 prill të vitit 1999 kishte rënë Agim Ramadani, i cili edhe sot vazhdon të jeton në kujtimet e Shukrisë, sikurse që jeton edhe në Agimin e vogël, nipin e Agim e Shukrie Ramadanit, e cila Shukria e quan edhe si rinkarnim i Agimit.

Ajo sot është 58 vjeçe, dhe nëse ke fatin të dëgjosh rrëfimin e saj, e sheh që nëse flet për Agimin, emri i tij është dashuri,  forcë, dhimbje dhe krenari për të.

Por nëse flet me etapa, është e çuditshme që se sytë i xixëllojnë kur flet për fëmijërinë, dhe po për atë fëmijëri që brenda saj ka edhe Agimin. Një ngazëllim i tillë zgjatë deri te vitet e 80-ta, pastaj, duket se të dy janë të destinuar për punë të mëdha dhe fillon e rëndohet biseda. E edhe më e rëndë bëhet kur flitet për luftërat, atë të Kroacisë e Kosovës, por kur arrijmë te pjesa e luftës së Kosovës, ngazëllimi i mëhershëm i Shukrisë merr tjetër formë, ngufatet nga vaji e nga lotët, e cila me dhimbje, me shumë dhimbje flet për momentin kur kupton se ka rënë Agimi, për momentin se tenton që ta zhvarrosë kufomën e tij e deri te pendimi i rëndë, që edhe sot nuk e lë rehat se pse nuk e bëri atë veprim, zhvarrimin, pikërisht në Koshare, vendi që prehet Agim Ramadani, e që edhe për Shukrinë mbetet vendi më qetësues karshi Zhegrës, Kroacisë e Zvicrës, vende ku ka ndarë pjesët më të bukura, më sfiduese dhe më kërkuese me Agim Ramadanin. 

Agimin e kisha rivalin më të madh në klasë

Shukria e cila me Agimin ishte në të njëjtën klasë, që nga klasa e parë, kujton për lexuesit e KultPlus se atë e kishte rivalin më të madh në klasë, por në të njëjtën kohë e kishte edhe mikun më të mirë.

“Unë isha më e mira në gjuhë shqipe, e ai në matematikë, dhe pikërisht se bënim gara me njëri tjetrin, mund të them se sa e kemi dashur njëri tjetrin, po aq e kemi urryer”, kujton Shukria kujtimet e para me Agimin, e cila tregon se në shkollë kishte hyrë pak para se të mbushte gjashtë vjet, e Agimi kishte hyrë si shtatë vjeçar.

Duke qenë shokë klase, duke marr pjesë në shumë aktivitete kulturore, sportive e aktivitete të tjera shkollore, Shukria thotë se nuk mban mend ndonjë takim të parë, apo të dytë, sepse krejt jeta e saj sillet rreth Agimit. “Jam rritë me të, çdo kujtim i imi i fëmijërisë lidhet me të”, ka thënë Shukria, e cila kujton se edhe kur ishin diku rreth moshës 12/13 vjet, ata të dy patën luajtur në shfaqjen “Halili dhe Hajria” dhe Shukria kujton se si Agimi skuqej në skenë kur ishte pjesa e shprehjes së dashurisë ndaj Shukrisë, në këtë rast që luante personazhin e Hajrisë.

Ndarjen si opsion nuk e panë as në shkollë të mesme në Gjilan, edhe atje vazhduan në të njëjtën klasë, por tashmë me një miqësi më të ngushtë, miqësi më me vizion dhe me aktivitete më të ndjeshme, pasi që, sipas Shukrisë, të dy u bënë pjesë e ilegales.

“Përderisa ishim në vitin e fundit të shkollës së mesme, dhe ishim aktiv në ilegale, ne në të njëjtën kohë patëm menduar që të shkonim bashkë në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Më shumë ishte qëllimi që mos të ndaheshim, edhe pse, në atë kohë ende nuk ishim të dashur, akoma vazhdonim të ishim miq të ngushtë e të mirë”, tregon Shukria, por që planet që kishin menduar për të ardhmen duket se nuk kishin shkuar në favor të tyre.

Kishin shpërthyer demonstratat e vitit 81, dhe Shukria ishte pjesë e organizimit të këtyre demonstratave. Sipas saj, ajo ra në duar të policisë.”Disa kushërinj kisha të punësuar në policinë e atëhershme, por edhe në pozita të tjera institucionale. Në fakt, me këtë arrestim, unë isha rrebeli i familjes që po ua merrja ftyrën. Gjatë marrjes në pyetje unë nuk mohova asgjë, po duke pas rreth familjar nëpër këto isntitucione, ata ndryshuan deklaratën zyrtare dhe më nxorën të nesërmen nga aty. Por e keqja ishte se përgjatë marrjes në pyetje më kishte rrahur një polic aq shumë, sa që ma kishte thyer krahun”, tregon Shukria.

Më burgosën në vitin 1981, për këtë fakt më ndaluan shkollimin në Akademinë Ushtarake në Zagreb

Por pasoja më e madhe e këtyre zhvillimeve ishte se Shukrisë me këtë pjesëmarrje në këto demonstrata i ishte ndaluar vijimi i Akademisë Ushtarake në Zagreb dhe këmbanat e ndarjes ishin më afër se kurrë. Por Shukria tregon se fillimisht Agimi kishte shkruar për të përfunduar shërbimin ushtarak,  kurse Shukria kishte ngel në Gjilan për të vijuar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan, pasi që edhe në Universitetin e Prishtinës i ishte mohuar vijimi i studimeve.

“Në një formë ishte ndarja fizike me Agimin, po ajo ndarje ishte edhe periudha vendimtare që të ofrohemi edhe më shumë me njëri tjetrin. Në letrën e parë që ma kishte dërguar Agimi, përpos asaj që më kishte treguar se si po kalon në shërbimin ushtarak e detaje të tjera, krejt në fund të letrës më kishte shkruar “Përjetësisht, Agimi”, tregon Shukria, e cila më tej shpjegon se mu kjo letër fillimisht i kishte rënë babait të saj në dorë, shkas që iu bë me dije edhe njëherë se ata nuk dëshirojnë që vajza e tyre të lidhet me atë djalë.

“Atë letër e kam edhe sot”, tregon Shukria, e cila më pas ofrohet te një moment më delikat, atëherë kur edhe kishin shkëmbyer puthjen e parë.

“Agimi ishte në shërbim ushtarak, dhe momenti për të shkuar në Akademi Ushtarake po ofrohej, dhe mundësia ishte që të bënte kalimin prej ushtrisë e drejt në Akademi. Po para se të bënte këtë kalimin ai mori pushim tri ditë, dhe brenda kësaj periudhe ndodhi lidhja e jonë. Agimi ishte 19-të vjeç e unë 18-të. Kur e pashë e ndjeja se zemra donte të më dilte prej vendit, nuk ishte ai Agim që njihja, ishte më i rritur, më i fuqishëm, më burrëror, kishte marr komplet një nur tjetër”, tregon Shukria, e cila këtë distancë më të vonshme sa ishte në Akademinë Ushtarake e tregon pak më të afërt, pasi që edhe letrat kishin marr një dimension tjetër, të cilat forconin çdo ditë e më shumë lidhjen e tyre.

“Kemi shkëmbyer mbi 100 letra, se Agimi qëndroi atje për pesë vjet. Për fat të keq shumica më janë djeg, letrat që i kam pas në Kosovë më janë djegë si pasojë e luftës, kurse një pjesë të letrave që i kam pas në Zvicër i kam edhe sot. Ka pas një shkrim të jashtëzakonshëm Agimi. Zakonisht në letra më ka dërguar edhe vizatime, apo pjesë të poezive. Letrat e Agimit mund ti lexosh lirisht para çdo fëmije, pa u turpëruar, kanë qenë poezi në vete, ka qenë një poet i papërshkrueshëm. Është çudi se si një njeri të brumosen kaq shumë gjëra, kaq shumë njohuri, kaq shumë dashuri, ai ka qenë i dashuruar në jetën. Unë kam qenë e kundërta, nganjëherë them se kemi qenë si ajo shenja kineze, e bardha dhe e zeza, ndoshta kjo ka bërë që në dy të tërhiqemi kaq shumë ndaj njëri tjetrit. Se unë s’kam qenë tip pozitiv, jo e vrullshme për jetën dhe ai më ka mësuar ta shoh bukurinë e jetës”, ka thënë Shukria.

Dhe përderisa Agimi vazhdonte në Akademinë Ushtarake në Zagreb, Shukria i kishte njoftuar familjarët e saj se lidhja me Agimin kishte marr hov, por ata nuk i kishin dhënë leje. Vazhdonin të kundërshtonin këtë lidhje, tashmë duke i dhënë edhe një arsye, se duke qenë Agimi oficer ushtarak, nuk dëshironin që vajza e tyre të jetonte larg familjes.

Agimi erdhi për tre ditë nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, kishte ardh me një qëllim, të merrte dorën time dhe të kthehej

Ndërkohë, krahu që ia kishin thyer nga rrahjet në demonstratat e vitit 81, Shukrisë vazhdonte ti sillte telashe, dhe me patjetër duhej ti bënte një intervenim në spitalin e Shkupit.

“Agimi e kishte kuptuar për operacion dhe kishte ardhë pa lejen e lëshuar nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, me qëllim që të takohej shpejt e shpejt me babain tim. I kishte dalë në udhë dhe i kishte hyrë në makinë.  I ka kërkuar dorën time, babai im e kishte kundërshtuar duke i thënë ‘Se nuk e pranonte këtë lidhje’. Po Agimi, duke qenë edhe me uniformë ushtarake, kishte nxjerrë revolen dhe e kishte lënë në makinë të babës. ‘Ose ma jep dorën e Shukrisë ose më qëllo’, i kishte thënë Agimi babait tim. Babai im kishte lëshuar pe, dhe mu aty ia kishte dhënë dorën time”, tregon Shukria, e cila kishte mësuar për fejesën e saj gjatë qëndrimit të saj në spital, e cila shpjegon se kurrë se kishte menduar se një ditë do të mund të arrinin në këtë pikë, duke pas parasysh se sa shumë e kish kundërshtuar këtë lidhje familja e saj.

Duke qenë një çift që kishte jetuar shumë shpejt, edhe martesën e kishin bërë po aq shpejt. Të dy kishin vendosur se e diela e parë pas betimit të Agimit si oficer, do të duhej të ishte e diel e kurorëzimit të martesës së tyre. Dhe Shukria tregon se Agimi kishte dhënë betimin të enjten, ceremoni në të cilën kishte shkuar edhe Shukria, kurse të dielën ishin martuar, pa marr parasysh udhëtimin e gjatë të asaj kohe deri në Zagreb,  udhëtim që i kishte dërmuar të dy, por në të njëjtën kohë edhe i kishte lumturuar, sepse po fillonin një etapë të re.

Më pas, Kroacia ishte bërë strofulla e këtij çifti, të cilët përgjatë qëndrimit të tyre për pesë vjet, iu kishin lindur dy djem, dhe gjithçka dukej se po shkonte mirë, dhe përderisa Shukria kishte përfunduar edhe shkollimin për edukatore, tashmë në gjuhën kroate, lufta kishte shpërthyer në Slloveni, më pas edhe në Kroaci, situatë që filloi të shkundë edhe familjen Ramadani.

“Isha e re dhe atëherë, në ish Jugosllavi, ndërtesat e oficerëve ishin të ndara nga ndërtesat e tjera. Dhe mbaj në mend se ajo ndërtesë ku jetoja pat mbet vetëm ndërtesë me gra dhe fëmijë, pasi që asnjëra prej neve nuk e dinim se ku i kishim burrat. Agimi më shumë ishte në mision se sa ishte afër neve. Andaj, vendosa të kthehem në Kosovë, përderisa Agimi qëndroi edhe më tej në Kroaci, sepse kishte për qëllim që të shpëtonte shumë djem shqiptarë të cilët ishin në mision ushtarak në armatën jugosllave. Po para se të vija në Kosovë, Agimi ma pat treguar një kod, që nëse më thërret në telefon dhe më thotë se do të shkojmë në Kërçovë, unë duhet të marr sinjalin se unë duhet të bëhesha gati bashkë me fëmijët dhe të lëshonim Kosovën”, thotë Shukria. 

Duke kujtuar këtë vendim të vështirë, që e dinin se po lëshonin Kosovën po nuk e dinin kthimin, ajo kujton se këtë kod e mori për Vit të Ri, dhe ajo bashkë me Agimin dhe dy djemtë e tyre fluturuan prej aeroportit të Shkupit.

“Ende i kam të freskëta emocionet e atij fluturimi. Deri në aeroport, Agimi ishte me uniformë ushtarake, pak para se të niseshim shkoi dhe hoqi uniformën dhe veshi atë civilen, po deri sa kemi arrit në Zvicër unë kisha frikë se do ta arrestojnë, sepse ai sapo kishte dezertuar prej ushtrisë së Jugosllavisë së atëhershme”, thotë Shukria.

Dhe tashmë jeta e tyre ishte më e sigurt kur kemi parasysh luftën, por jo jeta më e mirë e mundshme që mund të të ofrojë perëndimi, pasi që për disa muaj familja Ramadani bashkë me shumë familje të tjera refugjate ishin vendosë në një bunker, që sipas Shukrisë detyroheshin të dilnin në diell që të merrnin rreze dielli, sepse ishte jashtë mase ftohtë brenda bunkerit. Pasojat e qëndrimit në këtë bunker, ishin pasoja të rënda për Shukrinë, pasi shëndeti iu rëndua dhe ishte detyruar të shtrihej në spital.

Kamp pas kampi, e shtëpi pas shtëpie, më në fund ishin vendosë në një shtëpi që plotësonte nevojat e familjes Ramadani në Zurich të Zvicrës, ku edhe filluan një jetë më të rregullt, ku Shukria vazhdoi punën si mësuese e gjuhës shqipe, kurse Agimi përpos punëve të ndryshme, ai ishte përgjegjës edhe për aktivitetet kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër, sikurse që merrej në të njëjtën kohë me poezi dhe pikturë.

Në shikim të parë dukej se jeta e tyre po stabilizohej, duke përfshirë se familja e tyre ishte rritë edhe me lindjen e një vajze, por situata ‘poshtë’, ashtu sikurse i referoheshin mërgimtarët Kosovës nuk ishte në ditët më të mira.

Shukria tregon se tashmë oficerët shqiptarë që ishin mërgimtarë në diasporë kishin filluar ti shpeshtonin takimet dhe të shqyrtonin mundësinë e rikthimit të tyre në atdhe, për të mbrojtur vendin e tyre.

Vendimi i Agim Ramadanit për të shkuar në luftën e Kosovës, ishte vendim që shqetësoi edhe fëmijët. Shukria kujton se vajza e tyre ishte vetëm tri vjeçe, dhe edhe pse nuk i kishin treguar se po shkonte në Kosovë, trupi i saj e kishte ndjerë këtë fakt, dhe sipas saj, temperatura i kishte shkuar në 40 gradë. “U pat detyruar Agimi që udhëtimin ta shtyjë për një natë, me rekomandim të mjekut. Më pas iu thamë fëmijëve se babai po shkon me punë në Francë, dhe kështu i qetësuam ujërat”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë asaj periudhe kishin edhe probleme financiare, sepse kishin mbet vetëm me pagën e Shukrisë si mësuese.

Agimi la Zvicrën për luftën e Kosovës, shkoi edhe me një parullë, se nuk i takon asnjë partie politike

“Agimi ka shkuar në luftë me një dëshirë, duke treguar gjithnjë se nuk është anëtarë i asnjë partie dhe se shkon për të luftuar për vendin e tij.  Për Agimin ka qenë esenciale se oficeri dhe mësuesi nuk guxojnë kurrë ti takojnë një partie. Ai këto dy profesione i ka vlerësuar si profesione që janë në shërbim të popullit”, ka thënë Shukria. 

Udhëtimi për luftë i Agim Ramadanit nuk paraqiti ndonjë problem për Shukrinë, problemi më i madh për të ishte se si nuk kishte mundësi që të shkonte edhe ajo për të luftuar bashkë me të, po pasi që ishte nënë e tre fëmijëve, ata ndanë rolet, njëri në luftë e tjetri kujdesin për fëmijët.

Pas asaj ndarje, Shukria kujton se me Agimin ishte takuar pas nëntë muajve, atëherë kur ishte kthyer Agimi në Zvicër për të mbledhë fondet për blerjen e armëve, dhe më pas ishte edhe një takim tjetër në Shqipëri, ku Shukria shkoi të takojë Agimin pas rënies së Junikut, dhe Agim Ramadani kishte udhëheqë kolonën shqiptare për në Shqipëri.

Shukria e përshkruan Agimin si një njeri që nuk e njihte. “I kishte mbet veç shpirti, një njeri që ishte i mbështjellë vetëm me lëkurë. Por kishte shpirtin aq të fortë, aq të fortë e aq pozitiv sa më dha shumë shpresa që liria nuk është larg”, rrëfen Shukria, e cila e vuan edhe më faktin që Agimi dhe shokët e tij nuk e lejuan që ti bashkohej në luftë, edhe pse shumë e dëshironte.

“Më detyroi të kthehesha për Zvicër pas tri ditëve, ishte shumë situatë e vështirë”, tregon Shukria për jetën me shumë sakrifica me Agim Ramadanin, i njohur nga të gjithë me nofkën “Katana”.

Por vizita e fundit dhe takimi i fundit me Agimin ishte në vitin 1998, kur Agimi kishte shkuar sërish në Zvicër, por tashti i shoqëruar edhe nga Sali Ceku.

Shukria tregon se këtë herë e kishte parë më se paku, sepse shtëpia e saj ishte e mbushur me mysafirë dhe nuk kishte pas rast të bisedonte shumë me të.

“Përpos disa gjërave që mi ka treguar, e më mirë është që mos ti dija”, thotë Shukria, që edhe kësaj here nuk shpalosë më shumë se çfarë i kishte treguar Agim Ramadani me atë vizitë.

Përderisa Shukria vazhdonte të jetonte në Zvicër bashkë me fëmijët e saj, Agim Ramadani vazhdonte të luftonte në Kosovë, e për momentin e bombardimeve të NATO-s, Shukria tregon se si e kishte thirrë Agimi në telefon, në mënyrë që ti dëgjonte bombardimet edhe Shukria në Zvicër.

“Kur sulmoi për herë të parë NATO, më thirri Agimi në telefon. ‘E dëgjon’, më tha, ‘Kjo është zhurma e lirisë, e dëgjon si ushton liria’, më tha Agimi në telefon, dhe mbaj në mend që i pata thënë ‘Çfarë zhurme paska liria, qenka e çuditshme”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë qëndrimit të Agimit atje, ata janë dëgjuar pothuajse në çdo të tretën ditë.

Përderisa vjen te momenti që është edhe momenti më i vështirë në jetën e Shukrisë, sikur lëvizë vend dhe sikur mbledhë forcat për të treguar edhe këtë pjesë të jetës së saj, jetë me shumë copëza, shumë dhimbje por jetë e mbushur me shumë dashuri.

Atë ditë që kishte rënë Agimi unë pata një ngushti që ma shtrëngonte shpirtin

Shukria tregon se ishte e ftuar në drekë te një familje shqiptare në Zvicër, por edhe pse ishte momenti kur po shtrohej tryeza e drekës, Shukria mban në mend se ishte ngritur në këmbë me kërkesën e saj për tu kthyer në shtëpi.

“Një ngushti aq shumë ma shtrëngoi shpirtin, sa nuk më zinte vend vend. Sikur që thonë te ne, toka peshë më qojke”, tregon Shukria, e cila edhe telefonin me të cilin komunikonte me Agimin e kishte harruar në banesë. “Kam shkuar shpejt e shpejt në banesë dhe kam thirrë në telefon, mu lajmërua Agron Isufi, e pyeta për Agimin po ai më tha se është në front. I thashë që ti thotë Agimit të ruhet, sepse kam një ndjenjë të keqe”, kujton ato momente Shukria, e cila më pas shpjegon se pas një ore sërish thirri, po prap i thanë të njëjtën përgjigje se nuk mund të fliste se ishte në front. Shukria tregon se atë natë nuk kishte vënë gjumë në sy, dhe herën e fundit që kishte fole me Agimin ishte 9 prilli.

Të nesërmen e asaj dite, ajo tregon se në banesën e saj kishte ardhur Kimete Gashi, ish gruaja e Xhafer Gashit dhe e zverdhur në fytyrë i kishte thënë se duhet të shkonin në Shqipëri, që ti vizitojnë burrat.

“Mbaj në mend se më tha se kishte dëgjuar se Agimin e kanë plagosur, në fakt ajo me të vërtetë ishte veç me atë informatë. Po unë e di se përjetova diçka të tmerrshme në brendinë time, se e dija se nëse do të ishte i plagosur Agimi, ai do të më merrte në telefon, dhe jo këtë lajm ta merrja vesh prej Kimetes”, tregon Shukria.

Ndërkohë, Shukria tregon se para se të nisej për Shqipëri me vëllain e Agimit dhe disa shokë të tij, ajo kishte biseduar me djalin e saj, në atë kohë nëntë vjeç dhe i kishte thënë se edhe nëse ka ndodhë diçka me babin, babi bëhet hero, dhe ku ka gjë më të mirë se të bëhet hero. “Djali vetëm më dëgjonte dhe në fund më tha ‘Mam, nuk dua që babi të bëhet hero, unë dua që babi të kthehet në shtëpi”, tregon Shukria e cila shpjegon se vetëm ajo e di se si e ka përmbledhë vetën para fëmijëve dhe si nuk ka qarë para tyre, vetëm që ti ruaj ata nga dhimbja.

Shukria fillimisht kishte shkuar në Bajram Curr, dhe aty ishte vendosur me një shtëpi, pasi i thanë se kanë shumë rrugë për të bërë deri në Koshare.

“Isha e hutuar, fëmijët i kisha në Zvicër, unë isha në Bajram Curr, ndërkohë më thoshin se burrin e kisha të plagosur në Koshare. Por goditjen më të madhe e mora nga vëllai i shokut të Agimit. Ai mu drejtua dhe ma dha lajmin. Lajmin se Agimi kishte rënë. Nuk di si e kam pranuar atë lajm, veç e di se në një tavolinë aty afër ka qenë një gazetë me fjalëkryq, jam ulë dhe me një shpejtësi marramendëse e kam plotësu fjalëkryqin. Desha të sprovoj vetën se a jam mirë me mendje. Atë natë nuk kam vënë gjumë në sy, dhe ashtu e dërmuar me mëngjes jemi nisë në Koshare”, tregon Shukria, e cila në trajektin që po udhëtonin nga liqeni i Komanit, bashkë me ta kishin rastisë edhe disa gazetarë të huaj, gazetarë që me një farë forme penguan të realizonte Shukria një plan që e kishte brenda. Ajo kishte planifikuar që ta hapte varrin, ta zhvarroste Agimin, sepse vetëm në këtë mënyrë do të bindej se ishte po Agimi i saj. Por të gjithë shqiptarët që po e rrethonin Shukrinë e lutën që mos ta bënte këtë gjest pata gazetarëve të huaj, sepse do të shndërrohej në lajm botëror.  

Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

“Të them të drejtën shumë jam penduar që nuk e kam hapë varrin, kurrë nuk jam bind që ka vdekë Agimi”, thotë krejt në lot Shukria, e cila pas vizitës në ato varreza, asaj i ishin dorëzuar edhe gjërat personale të Agimit, sikurse që kishin dashur t’ia jepnin revolen dhe kallashin. “Armët nuk i pranova, iu thash që këto armë duhet të përdoren deri sa të largohet këmba e fundit e serbit”, tregon Shukria, e cila thotë që edhe pse ka përfunduar lufta, ato armë më nuk i kanë rënë në dorë, edhe pse do të dëshironte shumë që ti kishte në gjërat personale të Agimit, duke përfshirë ditarin e Agimit, ditar që sipas Shukrisë pa ndihmën e shokëve të tij nuk ka mundësi ta c’kodojë, sikurse që i ka dhënë vetës detyrë që të bëj Muzeun e Agimit, film për Agimin, ribotimin e librit “Si e njoha Agim Ramadanin”, që është shkruar nga Ibrahim Kadriu dhe një ekspozitë.  

Sot 58 vjeçe, e që e ve është që nga mosha 32 vjeçe, ajo edhe sot prehjen më të madhe e gjen në Koshare, pavarësisht shumë vendeve që kishte jetuar me Agimin, po sikurse që ka për zemër edhe Zvicrën, pasi që është vendi ku më së gjati ka jetuar me Agimin. “Ndoshta kjo është edhe arsyeja që u ktheva në Zvicër”, thotë Shukria e cila tash punon si diplomate në Ambasadën e Kosovës në Zvicër.

Ajo tash është e rrethuar me fëmijët e saj, dhe me nipat e mbesat e saj, po më të preferuarin e ka Agimin e vogël, që sipas saj shpesh i duket që Agimi i saj është rinkarnuar në Agimin e vogël. Shukria që jeton me shumë kujtime për Katanën, ka edhe një detaj tjetër që Agimin ia ringjallë. Shumë shpesh ndodhë që ti kthehen pikturat e Agimit nga blerësit e mëhershëm, të cilët vlerësojnë se këto piktura më mirë është që ti takojnë familjes se sa blerësve. “Është edhe dhimbje po edhe ringjallje, që kohë pas kohe më kthehet diçka e Agimit”, tregon Shukria duke treguar edhe një detaj, se pikturat e Agimit që i posedon edhe sot, për çudi shumica e tyre kanë pamjen e Rrasës së Zogut, Rrasë që prehë heroin e Kosovës, Agim Ramadanin./ KultPlus.com

Albina Kelmendi ishte nxënëse e Elsa Lilës në “The Voice of Albania”

Në garën e zbulimit të talentëve “The Voice of Albania” ku pat marr pjesë edhe Albina Kelmendi, përgjatë garës ajo kishte përzgjedhë për trajnere këngëtaren e famshme Elsa Lila, shkruan KultPlus.

Në “The Voice of Albania”, Albina Kelmendi ishte shquar për një zë të fuqishëm dhe për një stil prej rokereje, po pas kësaj gare, Kelmendi ka ndryshuar zhanrin e muzikës dhe është e kërkuar shumë nëpër dasmat e Kosovës.

Dhe në garën e fundit të edicionit të 61-të të Festivalit të RTSH-së, pikërisht Albina Kelmendi fitoi garën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, e trajnerja e atëhershme Elsa Lila u shpërblye me vendin e parë nga juria profesionale./ KultPlus.com

Pas 31 dhjetorit

Poezi nga Nerimane Kamberi

Nuk pat borë,
as mysafirë nuk patem,
pak zbukurime, shumë pak, gati hiç,
gjithçka ishte ndryshe këtë 31 dhjetor.
Nuk përgatita pulë,
edhe pse i kemi pre në fundvere,
ato ditë kur na le.
As valle, as përqafime.
Vetëm gishti që rrëshqiste në ekranin e telefonit,
tu i kërku fotografitë e festave bashkë,
shkëmbimin e dhuratave.
Djali më tha se patëm momente të bukura vitin që lamë pas.
Ah? T’i rilexoj poezitë e mia.
Dhe kur qielli në katund u ndriçua
me qindra fishekzjarre,
desha të ta uroj vitin e ri,
lypa nje yll lart, më të ndriçueshmin,
i lëviza buzët,
urime, nanë.
Filloi të fryej
a ishe ti?
U ktheva brenda,
tu ofshamë,
shyqyr shkoi ky vit.
Ardhtë më i mirë.
E qetësia ra. / KultPlus.com

(Pa)fund!

Fitim Uka

Edhe në ditën kur më këpute
shpirtin me atë goditje të
pamëshirshme që i dhe dashurisë
tonë, teksa bija përtokë i dehur nga
dhimbja, kujdesesha për
ndërgjegjën tënde.

Plagët që morra nga çdo goditje e
frikshme dhe e befasishme, i fshihja
prej teje, por secila kishte emrin
tënd.
Për fajin tënd i kërkoja falje botës,
pa e ditur arsyen!

Se kisha kuptuar kurrë, që ndjenja e
sinqertë do të flakej kaq thjeshtë, e
lehtë do të këmbëhej në pazarin e
mbrëmjes, për një çmim më të lirë.

Çdo frymëmarrje e imja, nuk ishte
gjë tjetër vetëm një ëndërr më
shumë për të qenë me ty. E, nuk e
kisha kujtuar kurrë, që frymëmarrja
ime ishte asfiksimi yt!

Isha hija jote edhe në terr.
Isha akrepi i vetëm që lëvizte në
kohën tënde të ndalur.
Isha “ne”, që sfidonte perspektivën
tënde “unë”!
Isha pak, – ishe shumë!

Dhe, prap, të pafuqishëm, për t’i
dhënë fund!/ KultPlus.com

Presidenti i Gjermanisë Steinmeier viziton Tiranën dhe Maqedoninë e Veriut, përzgjedhë aktorin Kasem Hoxha si të ftuar special

Aktori i njohur shqiptar Kasem Hoxha që ka luajtur në shumë filma në Shqipëri por që karrierën më të bujshme e ka në Gjermani, është përzgjedhë i ftuar special nga presidenti i Gjermanisë Steinmeier në vizitën e tij që do të bëj për katër ditë në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, shkruan KultPlus.

“Kam nderin e madh të shoqëroj Presidentin tonë Federal Gjerman Z. Frank-Walter Steinmeier në një udhëtim 4-ditor fillimisht në Maqedoninë e Veriut dhe më pas me datat 1 dhe 2 Dhjetor Shqipërinë!

Krahas temave të tjera, fokusi i udhëtimit të Presidentit Federal Gjerman është edhe mbështetja e vazhdueshme e Gjermanisë në lidhje me perspektivat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe përballja e vendeve tona me të shkuarën”, ka shkruar Kasem Hoxha./ KultPlus.com

Ekskluzive: Geraldine Chaplin, vajza e Charlie Chaplin bashkëpunim me këngëtarin shqiptar Gjon’s Tears (VIDEO)

“Pure” është kënga me e re e këngëtarit të famshëm Gjon Muharremaj i njohur me emrin artistik “Gjon’s Tears”, shkruan KultPlus.

Kjo këngë që tashmë është lansuar si audio, nesër do të lansohet edhe me videoklip por e veçanta e këtij videoklipi është edhe pjesëmarrja e Geraldine Chaplin, vajza e të famshmit Charlie Chaplin.

Geraldine Chaplin do të lexojë një pjesë të vargjeve të tekstit të Gjon’s Tears, por për më shumë do të kuptohet nesër me lansimin e kësaj kënge.

Gjon’s Tears kulmin e famës e arriti me përfaqësimin e Zvicrës në Eurovizion, ku arriti me vota të jurisë profesionale të renditet i pari në këtë garë evropiane./ KultPlus.com

Për Ditën e Flamurit, Nagip Tashi vjen me ekspozitën “Rrënjë”

Në Bibliotekën “Ernest Kolliqi” brenda Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, Nagip Tashi do të prezantojë ekspozitën e tij të radhës “Rrënjë”, që këtë herë do të prezantohet në nderë të Ditës së Flamurit, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Rrënjë”, përfshinë 11 portrete të figurave të rëndësishme shqiptare, sikurse: Gjergj Kastrioti, Nëna Terezë, Bekim Fehmiu, Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Abdurrahman Shala, Ibrahim Kodra e Fahrije Hoti.

Ekspozita e Nagip Tashit do të hapet më 28 Nëntor në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë, në ora 17:00 dhe kjo ekspozitë që do të prezantohet, veprat e saj janë të punuara dru, stil tashmë i njohur i Nagip Tashit i cili nxjerr portretet nga copëza të drurit.

Kjo ekspozitë organizohet nga “Drita” dhe “KultPlus”. Ekspozita do të rri e hapur deri më 2 dhjetor./ KultPlus.com

Familja Kida i dhuron eksponate Muzeut Etnologjik të Kosovës, janë të shekullit XIX

Ajet Kida me prejardhje nga Gjakova, me banim në Holandë, ka dhuruar vullnetarisht 11 eksponate të (shek.XIX) familjes së tij Muzeut Etnologjik, kanë bërë të ditur nga ky institucion, shkruan KultPlus.

“Eksponatet i kanë takuar familjes Kida nga Cërmjani i Dushkajës së Gjakovës dhe kanë qenë pjesë e enëve dhe orendive të kullës së vjetër mbi 250 vjeçare.

Fondi i muzeut, po vazhdon të pasurohet me eksponate që kanë histori, vlera artistike dhe shpirtërore, dhe që janë të rëndësishme për etnokulturën tonë”, është thënë në njoftimin e Muzeut Etnologjik./ KultPlus.com

Sllovenia zgjedh presidenten e parë grua

Sllovenia do të drejtohet për herë të parë nga një grua, ajo është avokatja Natasa Pirc Musar, e cila u zotua të garantojë të drejtat kushtetuese dhe demokracinë.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve që u mbajtën të dielën, nxorën fituese të raundit të dytë avokaten Natasa Pirc Musar.

Pirc Musar, 54 vjeçe, fitoi 53.86 për qind të votave në balotazh, ndërsa rivali e saj, politikani i krahut të djathtë dhe ish-ministri i Jashtëm, Andze Logar, fitoi 46,14 për qind, sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor.

49.9 për qind e zgjedhësve morën pjesë në këto votime. Në fjalimin e saj të parë, ku shpalli edhe fitoren, avokatja Natasa Pirc Musar tha se do të bëjë çmos që të jetë një presidente për të gjithë, duke punuar për garantimin e të drejtave kushtetuese të njerëzve dhe forcimin e demokracisë.

Pirc Musar, një ish-prezantuese televizive, që u bë më pas një avokate me ndikim të fortë, bëri fushatë për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe çështjet e mirëqenies sociale.

Në fjalimin e saj para votimeve ajo trajtoi edhe problemin e ndryshimeve klimatike. Megjithëse roli është kryesisht ceremonial, presidenti në Slloveni është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe gjithashtu emëron disa zyrtarë të lartë, duke përfshirë guvernatorin e Bankës Qendrore. Shumica e zgjedhjeve të Presidentit kërkojnë edhe konfirmim nga Parlamenti./ KultPlus.com

At Gjergj Fishta në Kongresin e Manastirit: O burra shqyptarë, po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës

Njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit, At Gjergj Fishta, pati ndikim të fuqishëm në unifikimin e alfabetit të shqipes, të cilin e përdorim tash e mbi 100 vjet.

At Fishta duke e rikujtuar Ditën e Alfabetit të Shqipes, shkruante:

“Ishim nga të gjitha skajet e Shqipnisë dhe të kolonive shqiptare ndër dhena të hueja. U treguam me të vertet shqiptar sepse kurnjani nuk donte me i lëshue asnji fije penit nga mendimi i vet atij tjetrit. Kongresi duhej të shpërndahej pa marrë kurrnji vendim.

– U terbova nga inati, U çova në kambë e u fola: – O burra shqyptarë po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës?

– Po a mendoni ndopak se çka do t’u thomi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir?

– Çka do t’u thomi na njerzve të pashkollë që nuk dijnë as me shkrue as me këndue?… Na jemi që mendojmë me ba Shqypninë e si do ta bajmë atë kur na nuk duem me u marrë vesht ndërmjet vedit se si duhet me u shkrue germa A e ajo I?

– Burra po u flas me zemër në dorë se asht marre e turp e faqe e zezë me i lanë marre vedit para popullit shqyptar e para tanë botës, që pret dishka prej nesh e na të kthejmë pa kurrgja në dorë ndër shpija tona.

– Po ulnju burra, ulnju sheshit e pse të kalojmë edhe nji ditë ma shumë në kët vend, mos ta lamë duerbosh popullin që na pret!…

– Aferim! P.Gjergj!… Aferim të kjoftë, . bërtiti më të madhë një hoxhë me mjekërr. Ai u çue në kambë e e erdh drejt te un, e më puthi në ballë e më tha: – Kështu flet shqiptari që e di që asht shqiptar!…

Ulnju burra, – u tha, – ulnju këtu në shesh të zgjedhim një komisjon e në krye të vemë Pader Gjergj Fishten e vetëm komisjoni do të caktojë se shka duhet të bajmë sot-për të mirën e popullit shqiptar neser…

Fjala e tij u ndigjue me duartrokitje e më caktuen Kryetar të Komisionit të Kongresit të Manastirit, i cili do të delte bosh sikur mos të isjte tregue toleranca e eme që të pranojshm dy alfabete njiherit, atë të Stambollit që kërkonte Mit’hat Frashëri dhe kët që u vendos.

Kjo sjellje e eme në Kongres të Manastirit më ka kushtue mjaft shterjt në jëtë sepse Abat Doçi, të cilin un e përfaqsova në atë Kongres m’u idhnue e kur u ktheva më tha :Pater Gjergj, un të kam dijtë si nieri që nuk ban kompromis në jetë! …

Por Shqypnija nuk mund të bahej ndrysh…”

Nga Gjergj Fishta / KultPlus.com

Dolly Parton merr 100 milionë dollarë nga Jeff Bezos

Dolly Parton mori një çmim prej 100 milionë dollarësh nga themeluesi i i Amazon, Jeff Bezos.

Këngëtarja është përzgjedhur si marrësi i fundit i çmimit “Bezos Courage & Civility Award” për liderët që “ndjekin zgjidhjet me guxim dhe qytetërim”. Paratë shkojnë për organizatat e zgjedhjes së tyre.

Pronari i Blue Origin njoftoi çmimin  të premten me partneren e tij prej kohësh, spikeren e lajmeve Lauren Sanchez, shkruan lapsi.al

“Jeff  dhe unë jemi kaq krenarë që kemi një fitues të ri të çmimit të guximit. Një grua që  udhëheq me dashuri dhe dhembshuri në çdo aspekt të punës së saj,”shkroi Sanchez  në Instagram së bashku me një video të fjalimit të tyre .Mezi presim të shohim të gjitha të mirat që do të bëni me këtë çmim prej 100 milionë dollarësh, @DollyParton.” Menjëherë artistja iu përgjigj duke shkruar: “Uau! 100 milionë dollarë?” “Do të bëj maksimumin për të bërë gjëra të mira me këto para”, shtoi ajo.

Një aktiviste dhe filantrope për një kohë të gjatë, Parton dhuroi 1 milion dollarë për përpjekjet e Qendrës Mjekësore të Universitetit Vanderbilt për kërkimin e vaksinave gjatë pandemisë së koronavirusit. Kontributet e saj ndihmuan në financimin e vaksinës së Moderna për COVID-19. Ajo ka themeluar gjithashtu bibliotekën Imagination, një program që i ndihmon fëmijët në mbarë botën të kenë akses në libra./KultPlus.com

Në mes të skenës së MTV Ema, Rita Ora i drejtohet Bebe Rexhës: Motra ime shqiptare

“MTV EMA” është mbajte mbrëmë në Gjermani dhe si asnjëherë më parë ka qenë e vërshuar me artiste shqiptare.

Rita Ora, Bebe Rexhe, Ava Max, Dua Lipa dhe Loredana kanë qenë emrat e këtij edicioni, ku Rita Ora ka udhëheqë këtë mbrëmje të madhe muzikore, kurse të tjerat ishin të nominuara.

Dhe një detaj interesant ka ndodhë në këtë mbrëmje, ku në një moment të moderimit, Rita Ora i është drejtuar Bebe Rexhës me motra ime shqiptare.

KultPlus ju sjell këtë detaj nga kjo mbrëmje./ KultPlus.com

Doli nga shtypi libri i Agim Vincës “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)”

Në botim të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, doli nga shtypi libri i Profesor Agim Vincës me titull “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)”.

Fjala është për një studim kritik mbi këtë ngjarje të madhe të historisë dhe kulturës shqiptare, që zhvilloi punimet në qytetin e Manastirit, atëbotë qendër e Vilajetit, prej 14-22 nëntor 1908. Autori konsideron
se Kongresi i Manastirit zgjidhi një nga çështjet fundamentale të kulturës shqiptare: atë të alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe, që i hapi rrugë edhe njësimit të drejtshkrimit të saj rreth shtatëdhjetë
vjet më vonë.

“Ky libër – thekson prof. Rami Memushaj në recensionin e tij – është një reflektim i autorit për këtë ngjarje historike dhe për aktorët e saj kryesorë. Faktet të cilave u referohet autori interpretohen me gjakftohtësi e paanësi dhe bëhen përpjekje për t’u dhënë vendin e duhur disa delegatëve të Kongresit, meritat e të cilëve nuk janë vlerësuar si duhet e sa duhet”, ndërsa recensenti tjetër, prof. Avzi Mustafa, nënvizon se studimi i prof. Agim Vincës është jo vetëm i vlefshëm e dobiprurës, por edhe i  domosdoshëm, sepse dëshmon me akribi shkencore se gjuha shqipe, me alfabetin e saj, është stabilizuar tashmë dhe ka një zhvillim të shkëlqyer, duke u përfaqësuar në mijëra botime, vepra letrare, shtyp, tekste shkollore e shkencore etj.

Ndërkaq, publicisti Mustafa Nano në fjalën e tij, pasi e vlerëson librin si një interpretim të ri të Kongresit të Alfabetit dhe të vendimeve të tij, autorin e librit e cilëson si “një nga zërat e veçantë të botës intelektuale e akademike të Kosovës” dhe shton: “Unë rrallë kam njohur në Kosovë (por edhe në Shqipëri) dikë që ta dojë, ta njohë e ta mbrojë gjuhën amtare ashtu si Vinca”.


Libri “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)” përbëhet nga dhjetë kapituj dhe shoqërohet me rezyme në gjuhën shqipe, në anglisht e në frëngjisht, si dhe me një album të
vogël dokumentesh dhe fotografish./ KultPlus.com

Çka bân ni nânë?

Halil Matoshi

Krijon jetën.
Masanej bân gjithçka tjetër
Që ka aromë.

Nâna maron shkallë zemre deri n’hanë
Me hypë na thmia me pâ mbi dhé


Ni ditë na marojmë ni vorr
(që kurrë s’kishim guxue me e menue)
Me zbritë nâna nër dhé

frika se vdes nâna asht mizore për çdo fëmijë
dhe burra t’dheut
Të tanë rënkojnë Oh nânë…

Nâna, ajo na shfaqet n’andërr
përherë me t’bardha veshun.
dëfton zi!?

Marrim frymë lirisht mjeseve
Me frymën e nânës
Ose rënkojmë!???/ KultPlus.com

Loredana fiton çmimin për artisten më të mirë zvicerane në MTV EMA (VIDEO)

Në garë në kategorinë regjionale ishte Loredana, e cila i mposhti konkurrentët për ta fituar çmimin “Artistja më e mirë zvicerane”, shkruan KultPlus.  

Ky ishte edicioni me më së shumti shqiptarë në skenë, pasi që në MTV Ema kanë marr pjesë shumë këngëtare shqiptare. Nikoqirë të mbrëmjes ishte Rita Ora bashkë me bashkëshortin e saj Taika Waititi.

Kurse të nominuar për kategorinë e bashkëpunimit ishte edhe Ava Max, Dua Lipa, çmim ky që shkoi për Bebe Rexhën./ KultPlus.com

Bebe Rexha merr çmimin për bashkëpunimin më të mirë në MTV Ema (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare  Bebe Rexha bashkë me David Guetta e ka fituar çmimin për bashkëpunimin më të mirë në ceremoninë e MTV EMA për hitin “I’m Good (Blue)”, shkruan KultPlus.

Ky ishte edicioni me më së shumti shqiptarë në skenë, pasi që në MTV Ema kanë marr pjesë shumë këngëtare shqiptare. Nikoqirë të mbrëmjes ishte Rita Ora bashkë me bashkëshortin e saj Taika Waititi.

Kurse të nominuar për kategorinë e bashkëpunimit ishte edhe Ava Max, Dua Lipa, çmim ky që shkoi për Bebe Rexhën.

Ndërkohë, çmimin për artisten më të mirë zvicerane e fitoi poashtu këngëtarja shqiptare Loredana Zefi. / KultPlus.com

Grua lëviz

Hamide Berisha Latifi

Grua, kalle botën me sytë e tu,
Kalli të gjithë ata që të shanë,
(pështynë, poshtëruan)
Edhe ata që pasi “të deshën”,
Lavire të thanë!

Grua zgjohu, lëviz,
Në botën që ende s’të di për njeri,
Poshtërimi nuk mposhtet me heshtje,
Me heshtje pranon robëri.

Është kohë të zgjohesh grua,
Zërin le ta dëgjojnë,
Sa vlen bota për ty oj grua,
Që ende emrin s’ta thonë?/ KultPlus.com

Zëvendëskryeministri Grubi priti kryeministrin Edi Rama në Shkup

Zëvendës kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Reka pritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit delegacionin qeveritar të Republikës së Shqipërisë të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, që do të qëndrojë sot në Shkup për të realizuar seancën e përbashkët qeveritare.

Sot do të nënshkruhen disa nga marrëveshjet më të rëndësishme që do të determinojnë kahjen e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional mes të dyja vendeve për realizimin e projekteve të interesit të përbashkët në çdo sferë.

“Pritje vëllazërore për Kryeministrin Edi Rama në Shkup, për t’i uruar mirëseardhje atij dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë në mbledhjen e përbashkët historike ndërqeveritare.” – ka shkruar Grubi në faqen e tij në rrjetin social Facebook.

“Engjëlli i Amazonës” me skenat e Andis Gjonit, një apel global në mbrojtje të mjedisit në New York

Artisti shqiptar Andis Gjoni së bashku me kolegët e tij u duartrokit furishëm të enjten në mbrëmje në Teatrin “Frank Shiner” në Nju Jork për skenat e realizuara në operan “Engjëlli i Amazonës“, një vepër që prek një nga problemet më të mëdha të njerëzimit sot, shkatërrimin e pyjeve dhe ambientit duke krijuar probleme serioze në klimën e botës dhe duke rrezikuar të ardhmen e brezave që vijnë. Një temë shumë aktuale edhe për Shqipërinë si një nga vendet me probleme të ngjashme në mbrojtjen e mjedisit.

“Kjo ishte arsyeja kryesore që më shtyu të pranoja të isha pjesë e këtij projekti interesant i cili shkon në të njëjtën kahje me parimet e mia si artist që me artin tim dua të jap kontribut në ndërgjegjësimin e publikut kudo, për një botë më të mirë e në respekt të natyrës dhe faunës”, u shpreh Andis Gjoni i njohur për ekspozitat e realizuara në artet pamore por edhe si artisti i parë që solli në Shqipëri gjininë e muzikalit me realizimin e skenave dhe kostumeve të veprave të njohura të Brodueit si “West Side Story” dhe “Puthmë Keit” si dhe vënien në skenë të një prej operave më të famshme amerikane “Porgi dhe Bes” në TKOB në vitin 2009 për të cilën vepër realizoi regjinë, skenat dhe kostumet.

Bashkëpunimi i nisur në Shqipëri me regjisoren e njohur amerikane Nenci Rodes me veprat e sipërpërmendura, ka vijuar sërish këtë herë në anën tjetër të oqeanit, në Nju Jork, aty ku Andis Gjoni është duartrokitur shumë herë në realizimin e skenografive të vlerësuara nga kritika si “një univers real që i përgjigjet në një mënyrë shumë kreative dhe origjinale, idesë së autorit të veprës që vendos në skenë”. Për punën e tij dhe pjesëmarrjen në festivale të ndryshme ndërkombëtare, artisti shqiptar është nderuar edhe me çmime.

Tek “ Engjëlli i Amazonës “ skenografia e Andis Gjonit, mishëron dhe kujton në mënyrë origjinale, memorien kolektive në mbrojtje të mjedisit përmes ngjyrave dhe imazheve goditëse duke u vënë në funksion perfekt të të gjithë elementeve që zbërthen opera gjatë zhvillimit të saj.

Ndërkohë ajo përshfaqet para shikuesve me një autentitecitet teatral, shoqëruar nga një ndriçim i goditur i Kris D’Anxhelo në funksion të idesë e zhvillimit të operas të krijuar nga kompozitori Evan Mak. Në këtë opera interpretonte edhe baritoni Hoze Rubio, i cili njihet nga publiku shqiptar si pjesëmarrës në Konkursin Ndërkombëtar “Maria Kraja” në Tiranë. -Natyrë e virgjër, ngjyra të ndezura dhe gjelbërim hipnotizues, sjellin në fokus të publikut madhështinë e natyrës. Me regji të Nenci Rodes, në qendër të operas është një motër murgeshë amerikane Dorothi Stang e cila kishte vendosur të jetonte pranë fiseve indigjene të Amazonës në Brazil dhe ishte avokate e të drejtave të këtyre njerëzve të cilët kanë jetuar me shekuj në pyjet e virgjëra e që tashti rrezikohen nga latifondistët e paskrupuj që duan të shkatërrojnë pyjet e të grabisin këto toka të indigjenëve për përfitimet e tyre personale. Motra Dorothi u tregua aq e guximshme sa të kundërshtonte pa frikë planet shkatërruese të këtyre investitorëve të cilët filluan ta kërcënonin me jetë nëse ajo nuk hiqte dorë nga protesta e saj për mbrojtjen e pyjeve. Kjo situatë solli edhe përplasjen e pashmangshme dhe fundin tragjik të saj nga plumbat e vrasësve me pagesë. Me martirizimin e saj motra Dorothi Stang sensibilizoi edhe më shumë publikun dhe frymëzoi protesta të fuqishme të grupeve autoktone indigjene në mbrojtje të pyjeve dhe natyrës. Opera eksploron pikërisht këto tema të mbrojtjes së ambientit dhe mbrojtjes së të drejtave të popujve indigjenë në luftën e tyre për drejtësi.

Andis Gjoni me baritonin Joze Rubio, baríton pjesëmarrës në Festivalin María Kraja në Shqipëri

/

“Skena e krijuar prej meje ka në qendër pikërisht natyrën e virgjër, duke u munduar që të fus shikuesin në një atmosferë mistike të këtyre pyjeve mijëravjeçarë të trajtuar me ngjyra të ndezura të një gjelbërimi hipnotizues por në të njëjtën kohë të shpërfaqur në mënyrë abstrakte vizualisht me elementët e gjetheve të hiperbolizuara në atë masë që ta kthejnë në fokus të publikut bukurinë dhe madhështinë e pyjeve. Në të njëjtën kohë ky vizion, paraqet vogëlsinë e njeriut përballë madhështisë së natyrës duke theksuar pikërisht këtë kontrast dhe nevojën për mbrojtjen e kësaj mrekullie të planetit tonë”, u shpreh Andis Gjoni, mbas përfundimit të shfaqjes.

Ndërsa regjisorja Rhodes vlerësoi punën e skenografit shqiptar duke e cilësuar “të shkëlqyer, në përputhje me përmbajtjen e veprës dhe një arritje e padiskutueshme”. Andis Gjoni vjen në këtë shfaqje pas premirës së suksesshme disa ditë më parë në Teatrin Sheri në North Hollivud të Los Anxhelosit me dramën “Histori e thyer” të Sindi Marion për të cilën ka realizuar skenografinë”./ KultPlus.com

Së shpejti videoklipi i këngës “Pure” nga Gjon’s Tears  (VIDEO)

Gjon’s Tears ka publikuar së fundi audion e këngës “Pure”, këngë që është pritur jashtëzakonisht mirë nga audienca, por artisti shqiptar është duke punuar edhe më tutje që këtë projekt ta sjell edhe në një format tjetër, shkruan KultPlus.

Tashmë Gjon’s Tears ka njoftuar ndjekësit e tij me sekuenca të prapaskenës së xhirimeve të videoklipit të këngës “Pure”, i cili ka njoftuar se së shpejti ky projekt muzikor do të prezantohet edhe me videoklip.

Gjon’s Tears tashmë ka krijuar edhe stilin e tij vizual i cili shihet me lotët e tij në fytyrë, e që tashmë të gjithë adhuruesit e tij e dinë që ata lot janë lotët e gëzimit të gjyshit të tij, i cili e ka përcjellë Gjon Muharremaj në të gjitha audicionet deri në shpërthimin e tij artistik./ KultPlus.com

E paparë deri më tani, katër artiste shqiptare në MTV Europe Music Awards

E jashtëzakonshme çfarë po ndodhë me suksesin e këngëtareve shqiptare në nivel ndërkombëtarë, shkruan KultPlus.

Këtë të diel, në ceremoninë e  MTV Europe Music Awards 2022 do të ketë shkëlqim shqiptarë në të gjitha anët, pasi që nga prezantuesja, performueset dhe të nominuarat janë hiq më pak se katër shqiptare.

Këngëtarja e njohur Rita Ora bashkë me bashkëshortin e saj Taika Waititi do të udhëheqin ceremoninë e sivjetme, përderisa në skenë me performancat e tyre do të paraqiten Bebe Rexha dhe Ava Max, ku të njëjtat janë të nominuara edhe në kategorinë e bashkëpunimit më të mirë, kategori që është e nominuar edhe Dua Lipa.

Bebe Rexha është nominuar për bashkëpunimin e saj me David Guettan, “I’m good (Blue)”, Ava Max për bashkëpunimin me DJ Tiwsto, “The Motto”, gjersa Dua Lipa për bashkëpunimin “Sweetest Pie” me Megan The Stallion.

Asnjëherë deri më tani nuk ka pas një paraqitje kaq masive të yjeve shqiptare, të cilat do të jenë pjesë e kësaj ceremonie që nga prezantimi, paraqitja e tyre në skenë e deri te nominimi./ KultPlus.com