Rita Ora, Ed Sheeran dhe Gordon Ramsey pijnë raki nga Kosova në ‘The Jonathan Ross Show’ (VIDEO)

Rita Ora, Ed Sheeran dhe Gordon Ramsey ishin mbrëmë të ftuar në ‘The Jonathan Ross Show’, shkruan KultPlus.

Udhëheqësi i këtij emisioni Jonathan Ross, kishte marrë një shishe raki kosove, nga i cili vend vjen Rita Ora, dhe në shoun televiziv mbushi nga një gotë për të ftuarit e tij.

Rita, ishte ajo e cila e sqaronte këtë raki, duke thënë që është shumë e fortë dhe se në shtëpinë e saj kjo raki sillet nga i ati për festa të ndryshme dhe jo vetëm. Rita tha se i pëlqen ta pijë por vetëm pas përfundimit të punës.

Dy të ftuarit e tjerë nuk është se e pëlqyen edhe shumë, pasi që, kjo sipas tyre ishte rakia më e fortë që kanë provuar.

KultPlus, po e sjellë edhe videon gjatë pirjes së rakisë kosovare në ‘The Jonathan Ross Show’./ KultPlus.com

Dua Lipa parashikon motin e Kosovës në televizionin francez (VIDEO)

Këngëtarja kosovare me famë botërore Dua Lipa, ka parashikuar motin e Kosovës në një televizion francez.

E ftuar në “TMC TV”, Lipa dhuroi spektakël në emisionin “Quotidien” duke dhënë parashikimin e motit. Në një moment ajo përmend edhe motin në Prishtinë, duke treguar prejardhjen e saj.

“Le të shikojmë motin në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Është 22 gradë celsius. Direkt nga Parisi, natën e mirë”, ka thënë ajo teksa është përcjellë me shumë duartrokitje.

Këtë moment, Lipa e ka ndarë me fansat e saj edhe në rrjetet sociale./ KultPlus.com

You can call me Gail Hailstorm. Your fave weather lady xx

A post shared by DUA LIPA (@dualipa) on

‘Kosova KamerFest’ sjellë sonte koncertin e dytë

Sot më 18 tetor do të bëhet hapja zyrtare e festivalit ‘Kosova KamerFest’, shkruan KultPlus.

Edicioni i 18-të i këtij festivali, do të sjellë emra të ndryshëm të muzikës klasike në vend, ndërsa sonte do të dalë para publikut kosovar ‘Fryma e re e garës ARSKosova’ dhe Orkestra Harkore KamerFest.

Do të interpretojnë: Andi Duraku-piano, ‘Fituesi Grand Prix’ në Garën ArsKosova, Sihana Badivuku-violinë 1, Festim Fanaj-violinë 2, Blerim Grubi-violë 1, Driton Gaxha-violë 2 dhe Miltiades Cassaras-violoncelo 2. Sonte do të shpalosen veprat e Bach-Koncert për piano d-minor, BËV 1052 dhe Tchaikovsky- Souvenir de Florence.

Koncerti mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com

Kur Tito vizitoi Kosovën për herë të fundit

Një fotografi nga cikli i fotografive të vjetra të Kosovës, të punuara nga fotografi Arben Llapashtica.
“Fotografitë i kam nxjerr edhe përpunuar nga disa libra, monografi edhe nga gazetat e vjetra. Shumica e fotografive janë nëpër Arkivat e Kosovës”, thotë Llapashtica në albumin e tij në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com

QKK fton filmbërësit kosovarë të aplikojnë për Berlinale

Qendra Kinematografike e Kosovës fton filmbërësit kosovarë të dërgojnë filmat e tyre në këtë institucion për aplikim në Berlin International Film Fëstival, shkruan KultPlus.

“Ftohen të gjithë filmbërësit kosovarë të cilët kanë interes të aplikojnë në Berlin International Film Festival dhe të cilët i plotësojnë të gjitha kriteret e vendosura nga Berlinale, të dërgojnë filmin në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Filmbërësit duhet të kenë filmin e përfunduar apo të jenë në fazat e fundit të përfundimit dhe filmi duhet të jetë në formatin BluRay ose DCP”, thuhet në njoftim.

Njëra nga kushtet kryesore është që filmi të mos jetë shfaqur asnjëherë deri më tani dhe që ka për qëllim premierën në Berlinale. Thirrja vlen vetëm për filmat artistik dhe dokumentar të metrazhit të gjatë./ KultPlus.com

Kosova në Panairin e Librit në Frankfurt

Kosova edhe sivjet po merr pjesë në ngjarjen më të madhe të librit në botë, siç është Panairi i Librit në Frankfurt. Me 120 tituj të ri, me të gjitha Shtëpitë Botuese të Kosovës e gjashtë promovime atje, Kosova po përfaqësohet dinjitetshëm në Frankfurt./ KultPlus.com

Kosova në Panairin e Librit në Frankfurt, promovohen gjashtë botime të reja

Panairi i Librit në Frankfurt i cili ka nis sot më datë 10 tetor, është ngjarja më e madhe botuese në botë, duke mbledhur së bashku më shumë se 7,000 ekspozues nga më shumë se 100 vende të botës.

Kësisoj në këtë ngjarje të madhe të librit merr pjesë edhe Kosova me të gjithë botuesit që janë: Akademia e Shkencave të Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Buzuku, Dukagjini, Artini, Koha, Pema, Faik Konica, Libri Shkollorë, Piramida, Dija, Titanik, Mendimi pozitiv, Albas Kosovë, SHB Drita…

Një gjë të tillë e ka treguar për KultPlus, Besian Zeneli nga Shtëpia Botuese ‘Buzuku’, i cili ka dhënë detaje të shumta për këtë ngjarje të madhe, pjesë e së cilës është edhe Kosova.

“Edhe sivjet do të marrim pjesë në Panairin e Librit në Frankfurk, ku prezantohemi si Kosovë. Sivjet i kemi afërsisht 120 tituj të rinj dhe mbi 200 tituj të viteve të kaluara që do t’i prezantojmë”, ka thënë fillimisht për KultPlus, Besian Zeneli.

Kosova në Panairin e Librit në Frankfrut i cili u hap sot nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane Angela Merkel, do të mbajë edhe aktivitete të tjera. Është dita e shtunë me fillim nga ora 10:00 ku do të ketë disa promovime të librave.

“Do të kemi disa aktivitet siç janë të shtunën promovimi i librave të Çun Lajqit ‘Përgjime e fjalë”, Klara Buda ‘Kosova mon amour’, Ismail Sula ‘Atdheu im i ngrysur’, Nysret Pllana ‘Terrori i Serbisë në Kosovë’ dhe Shoqata e Shkrimtarëve në Diasporë me qendër në Frankfurt ka paraparë dy promovime”, pohoi Zeneli.

Rikujtojmë se pasi që panairi i vitit të kaluar u përqendrua në mënyrat se si botuesit të përdorin teknologji të reja, si realiteti virtual dhe printimi 3D, këtë vit organizatorët po kthehen përsëri në fillimet e botimit duke u dhënë vëmendjen përsëri shkrimtarëve dhe lexuesve të tyre./ KultPlus.com

Shqipëria e Kosova diskutojnë zgjerimin e tregut të medieve audiovizive mes dy vendeve

Shqipëria dhe Kosova diskutojnë për zgjerimin e tregut të medieve audiovizive mes dy vendeve. Kryetari i AMA-s Gentian Sala dhe homologu i tij Adnan Merovci, zhvilluan një takim për përfshirjen e kanaleve të Shqipërisë ne platformat qe operojnë ne Kosove dhe anasjelltas.

Gjate bisedës mes tyre, u trajtuan edhe shqetësimet në lidhje me respektimin e të drejtave te transmetimit. Krerët e dy autoriteteve deklaruan se do te bashkëpunojnë për zbatimin e praktikave me te mira audiovizive bazuar ne standardet perëndimore./ KultPlus.com

Italia do të përkrahë Kosovën për anëtarësim në UNESCO

Ministri Kujtim Gashi priti sot në një takim njoftues ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin që ka Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Ambasadën e Italisë.

Ministri e ambasadori i vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Italisë në përgjithësi, e sidomos për angazhimin dhe koordinimin e përbashkët të Ambasadës dhe MKRS-së në realizimin e projekteve konkrete me qëllim të arritjes së planeve dhe politikave të ministrisë.

Ministri Gashi e falënderoi ambasadorin dhe përmes tij shtetin e Italisë për kontributin që ka dhënë populli italian në mbështetje të shtetit të Kosovës. Ministri ka veçuar përkrahjen e ambasadës në projektet që janë në interes të MKRS-së duke u shprehur se me intensifikimin e bashkëpunimit përfitimi do të jetë më i madh.

Ministri e ka informuar ambasadorin edhe për objektivat që kanë për synim që t’i realizojnë duke hartuar politika që janë në dobi të avancimit të fushave që ka në përgjegjësi ministria.

Nga ana e tij, ambasadori Sardi e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe e uroi për marrjen e detyrës.

Ambasadori italian u shpreh se ambasada do ta përkrah ministrinë por edhe Kosovën në proceset e saj në afirmimin ndërkombëtar siç është anëtarësimi në UNESCO. Ambasadori Sardi tha se do ta mbështesë ministrinë edhe në avancimin i infrastrukturës ligjore./ KultPlus.com

‘Balkan Film Market’ vjen në Shqipëri, do të prezantohet edhe projekti i regjisorit kosovar Ujkan Hysaj

Organizata ‘Europa Krijuese’ ka dhënë që prej vitit 2013, rreth 700 mijë euro për filmin shqiptar.

Por për producentët ai që mundëson financimin e një filmi, është një projekt i shkruar mirë. Në 20-të vjetorin e krijimit të kinemasë shqiptare, Ilir Butka thotë se është koha për të punuar më shumë për të pasur një produkt cilësor.

Regjisori Andemion Murataj, thotë se në aktivitetin ‘Balkan Film Market’ kanë ardhur producentë të njohur, dhe kjo është një formë që filmi shqiptar të fitojë më shumë të ardhura.

Në ‘Balkan Film Market’, do të prezantohet edhe projekti nga Kosova ‘Hana’ i regjisorit Ujkan Hysaj, i cili është mbështetur së fundmi nga Qendra e Kinematografisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

‘Balkan Film Market’ zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, dhe do të zgjasë deri në datën 7 tetor. / KultPlus.com

Daçiq: Kosova nuk ka shans për në UNESCO

Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq ka deklaruar se Kosova ende nuk ka aplikuar për pranim në UNESCO dhe, siç tha, është i bindur se do të humbasë kurdo që ta paraqesë kërkesën.

“Kosovës për në UNESCO po i humbasin afatet. Tash për tash Kosova nuk ka bërë kërkesë. Kurdo që ta bëjë kërkesën, ajo duhet ta dijë se ka për të humbur “, citon radiokim të ketë thënë Daçiq, transmeton Koha.net.

“Nuk mund të zgjidhen të gjitha me para e me dhunë. Jam i sigurt se gjatë votimit nuk do ketë shans për të fituar”, ka thënë ai./ KultPlus.com

Përmes ‘Klithma’ vjen rrëfimi i dhunimit të meshkujve gjatë luftës në Kosovë

Sarandë Selimi

‘Klithma’ me skenar të Korab Lecaj e Hazir Hazirit e regji të Korab Lecajt është ndër projektet që është mbështetur së fundmi nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Kësisoj ky film i metrazhit të shkurtër tashmë ka dhënë sinjalet e para për nisjen e xhirimeve që do të bëhen gjatë muajit tetor.

‘Klithma’ do të trajtoj temën më të ndjeshme të shoqërisë kosovare të pasluftës, e cila nuk është trajtuar deri më sot në një film. Përmes ‘Klithmës’ vjen dhunimi seksual i meshkujve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në një rrëfim për KultPlus, regjisori i ‘Klithma’, Korab Lecaj, shpalosi detaje interesante për këtë projekt që rezulton i pari me këtë temë shumë të ndjeshme. Lecaj, foli për rrëfimin e filmit, aktorët, xhirimet, premierën e poashtu foli edhe për të veçantën e ekipit të filmit.

“Për përrallën e filmit mund të them shumë shkurt. Filmi “Klithma”, trajton temën më të ndjeshme të shoqërisë kosovare të paluftës, që është, dhunimi seksual i meshkujve shqiptar, gjatë luftës në Kosovë. Kush janë personazhet? Si e mbajnë të fshehur dhe kur ata e bëjnë publike plagën e tyre fizike dhe shpirtërore, kjo mbetet të shihet në film. Mbi të gjitha mund të them se, filmi është i inspiruar nga ngjarje të vërteta”, nisi kështu rrëfimin për KultPlus, Korab Lecaj, i cili vazhdoi tutje të flasë për kastën e aktorëve duke shpalosur edhe personazhet e ‘Klithma’.

“Në film janë gjashtë personazhe: dy role kryesore, burri dhe gruaja, të cilët do të interpretohen nga Hazir Haziri dhe Arjola Demiri, dy role dytësore gruaja e komshinjve që do të interpretohet nga Arbnesha Grabovci – Nixha dhe roli i Ramadanit që do të interpretohet nga aktori Alban Zogaj, poashtu edhe dy role episodike, gruaja e Ramadanit që do të interpretohet nga Kaltrina Zeneli si dhe gruaja e komshinjve të Ramadanit që do të interpretohet nga Rajmonda Ahmetaj. Do të ketë të angazhuar edhe disa etatistë”, pohoi Lecaj, duke thënë që xhirimet do të realizohen gjatë muajit tetor dhe do të zgjasin shtatë ditë.

Ndërkohë, regjisori Lecaj, tregoi për veçantin që do të ketë ky projekt. Ai për KultPlus, tregoi se në fillim të tetorit në Prishtinë nga Bosnja do të vjen drejtori i fotografisë, së bashku me ekipin e tij, Almir Xhikoli. “Almiri është njëri prej drejtorëve në të mirë të fotografisë nga Bosnja, i cili ka xhiruar dhjetëra filma të gjatë artistikë me regjisorë të njohur. Pra, ne kemi nderin pjesë të ekipit të filmit “Klithma”, ta kemi këtë artist”, theksoi ai.

Korab Lecaj si ko-skenarist dhe regjisor i këtij projekti, tha se për të personalisht është sfidë goxha e madhe, së pari tema e filmit që sipas tij është shumë e ndjeshme, pastaj barra artistike që e ka karshi kësaj teme. “Sfidues për mua e bën këtë projekt edhe fakti se ky është filmi i parë që e realizoj me para të taksapaguesve, që do të thotë projekt i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës”, tha tutje Lecaj.

Krejt në fund, Korab Lecaj shpalosi edhe muajin se kur pritet të dalë me premierë ky film.

“Filmi “Klithma”, në fund të nëntorit 2017 do të jetë i gatshëm, fillimisht për festivale ndërkombëtare të filmit, sepse synimi i ynë si ekip është që premierë botërore filmin ta japim në ndonjë festival të kategorisë A. Se si do të rrjedh ky proces, prite të shihet. Sigurisht për ne festivalet ndërkombëtarë janë të rëndësishme jo vetëm për faktin artistik, por edhe për temën e filmit, sepse synim yni është t’i tregojmë botës se çfarë kanë bërë serbët kundër shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1999”, përfundoi Lecaj.

Ky film është prodhim i shtëpisë ‘Land Film’s’, ndërsa producent i tij është Besar Zahiti./ KultPlus.com

Kosova në vitin 1930 (FOTO)

Këto fotografi të rralla janë realizuar nga studiuesi amerikan Blanche Payne në vitin 1930.

Ai kishte vizituar Kosovën për qëllim studimi duke realizuar një set të rrallë të fotove nëpër disa qytet të Kosovës.

Fotografitë janë publikuar nga Libraria e Universitetit të Uashingtonit, transmeton Shekulli shënimin e fmimages.net./ KultPlus.com

Kosova mund të marrë pjesë në Eurovizion

Kosova mund të marrë pjesë në festivalin evropian të këngës, Eurovision, në edicionin e saj të vitit 2018 që do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë.

Siç shkruan faqja zyrtare e Eurovision në gjuhën gjermane, edicioni i vitit të ardhshëm mund të përmabjë numrin më të madh të shteteve që garojnë në festival. Nga viti 2011, kur në Gjermani kishin marrë pjesë më së shumti konkurrent – plot 43 shtete – në edicionin e vitit 2018 të Eurovisionit mund të tejkalohet ky numër.

Kosova dhe Kazakistani mund të jenë dy shtetet tjera që do marrin pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm, shkruan Insajderi.

Siç shkruan faqja zyrtare e festivalit evropian të këngës, Eurovision.de, Kosova mund të marrë pjesë në garën e vitit të ardhshëm, nëse merr ftesë nga Portugalia, gjegjësisht nga Radio Televizioni i Portugalisë (RTP) që është organizator i festivalit.

Sipas rregullave të Unionit Evropian i Transmetuesve Publik (EBU), Kosova mund të marrë pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm në Lisbonë, pasi Portugalia e ka njohur shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, Kazakistani ka vite që nuk merr pjesë në Eurovision, edhe pse është anëtare e EBU-së. / KultPlus.com

Vuçiq në KB: Serbia nuk do ta njohë Kosovën, ftesë kundër pranimit të saj në UNESCO

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka shfrytëzuar tribunën e Kombeve të Bashkuar për t’u shprehur kundër Kosovës.

Ai duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe ka ftuar vendet anëtare të KB së që të mos lejojnë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, përcjellin medie të Beogradit .

Pjesa tjetër e fjalimit të Vuçiqit ka qenë një demagogji e stilit të tij se si vetëm me zhvillim mund të ruhet paqja në Ballkan, transmeton Koha.net./ KultPlus.com

Oferta turistike e Kosovës prezantohet në Japoni

Informacione për Kosovën si një destinacion i ri premtues turistik, do të shpalosen për tregun japonez.

Tre operatorë turistikë dhe Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës do të marrin pjesë si ekspozues në panairin vjetor Tourism Expo Japan që mbahet nga sot deri më 24 shtator 2017.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë për ta prezantuar Kosovën në një treg krejtësisht të ri”, tha kryetari i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hoti.

Synimi është të promovohet oferta turistike e Kosovës në tregun e Japonisë në mënyrë që të tërhiqen më shumë turistë nga ky vend, por edhe nga vende të tjera të Azisë Lindore. / KultPlus.com

Qeveria reagon ndaj dokumentarit të Serbisë kundër Kosovës në UNESCO

Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson të ulët, racist dhe të paprecedent filmin dokumentar të qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Shfaqja e filmit dokumentar përpara ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s, me përmbajtje fyese për Kosovën, në kuadër të fushatës kundërshtuese ndaj anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, është përpjekje në vazhdimësi për ta denigruar shtetin e Kosovës.
“Prezantimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë si pjesë të trashëgimisë së Serbisë është synim për të përvetësuar pasurinë kulturore e fetare të Kosovës dhe për ta transformuar atë. Objektet fetare e kulturore në Kosovë janë pjesë e trashëgimisë së vendit dhe ato nuk mund të tjetërsohen. Ato i takojnë shtetit të Kosovës, qytetarëve të tij pa dallim, janë të ruajtura dhe të mbrojtura me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Për pasurinë e Kosovës përgjigjen qytetarët dhe institucionet e saj”, thuhet në reagim.

Përpjekjet e Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare përfshirë edhe UNESCO-n janë legjitime dhe shteti i Kosovës do të vazhdojë t’i përmbushë kërkesat e saj, në pajtim me legjitimitetin ndërkombëtar të pranuar nga më shumë se 110 shtete të botës dhe në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë.

Pengesat e rrugës së Kosovës për pranim ndërkombëtar dhe anëtarësim në organizmat ndërkombëtar, që vazhdojnë t’i bëhen nga Serbia, janë në kundërshtim me parimet e politikave të fqinjësisë së mirë, në shpërputhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të dialogut që lehtësohet nga BE-ja dhe kundër procesit të pajtimit të popujve pas një periudhe të rëndë të historisë./ KultPlus.com

Propozimi i Kosovës për Oscars u dha premierë në Cineplexx (FOTO)

‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli, filmi i cili premierën e pati në Karlovy Vary, është filmi që do të përfaqësoj Kosovën si propozimi zyrtar për konsiderim në kategorinë ‘Filmi më i mirë i huaj’ të Akademisë Oscar, shkruan KultPlus.

Ky film, sonte pati edhe premierën në kinemanë Cineplexx në Prishtinë. Në këtë premierë të pranishëm ishin aktorët e filmit, regjisori por edhe shumë adhurues të filmit e njerëz që deshën të njihen me filmin përfaqësues në Oscars.

Ky film me skenar dhe regji nga Edon Rizvanolli është dramë e cila merret me pasojat dhe traumat e shkaktuar nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi trajton ngjarjen e një adoleshenti i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullojnë botën.
Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder.

‘T’padashtun’ është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Fondi i Filmit Holandez.
Filmi do të shfaqet në Cineplexx për një javë rresht. /KultPlus.com



Xhevdet Xhafa: Veprat e mia në GKA, biografi e Kosovës

Piktori Xhevdet Xhafa vjen për herë të parë në Galerinë Kombëtare në Tiranë me një koleksion veprash të cilat flasin mbi vetë artistin, njeriun dhe kombin.

Ekspozita është kuruar nga James Walmsley dhe është organizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri – Kosovë.

Veprat në teknikën mikse janë një pasqyrim i jetës së piktorit, dhe përfaqësojnë ndjenjat dhe qëndrimet e tij veçanërisht mbi çështje sociale dhe politike të kombit shqiptar.

Në konferencën për shtyp drejtori GKA, Artan Shabani, shprehu mirënjohjen për realizimin e kësaj ekspozite e cila u bë e mundur nga bashkëpunimi midis dy galerive kombëtare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë:

“Eshtë hera e parë që artisti dhe profesori vjen me një ekspozitë në Galerinë e Arteve dhe për këtë ndihem shumë i nderuar. Është një ekspozitë me vepra të një cikli që nuk mund të konsiderohet i mbyllur. Xhevdet Xhafa është një artist që ka qënë në avangardë që përpara viteve 90’. Ai është një artist ndërkombëtar. Në veprën e Xhevdet Xhafës shoh një forcë të jashtëzakonshme, një fuqi njerëzore të cilën publiku e ndjen në mënyrë të menjëhershme. Gjatë periudhës së luftës, profesor Xhafa nuk ka qënë një spektator, por ka qënë i armatosur me denoncimin e një intelektuali, me denoncimin e një artisti nëpërmjet gjuhës se vet, nëpërmejt zhanrit të vet artistik”, tha Shabani.

Drejtuesja e GKK, Arta Agani u shpreh se kjo ekspozitë është jeta dhe e vërteta e artistit:

“Jemi shumë të kënaqur me këtë bashkëpunim. I falënderojmë të dy ministritë e kulturës pasi këto aktivitete janë shumë të rëndesishme jo vetëm për artistët, por edhe për stafet e të dy galerive. Ka një kohë të gjatë që nuk është parë një ekspozitë personale e profesorit të nderuar Xhevdet Xhafa. E kam pasur të pamundur të shkruaj diçka që nuk është personale, pasi vetë qasja e tij është shumë personale. Elementi kryesor i këtyre veprave, është një e vërtetë supreme, të cilën profesori nuk është duke e kërkuar, por e ka gjetur dhe varet nga ne nëse e shohim apo jo atë të vërtetë. Përveç moshës, profesori ka një ernergji të pashtershme. Ai ende punon dhe thotë se ka filluar të pikturoj që kur ka filluar të ecë. Kështu që jeta e tij është pikturë dhe jetën e tij e shihni këtu sot”, u shpreh Agani.

Kuratori i ekspozitës James Walmsley, e cilësoi kurimin e ekspozitës së Xhevdet Xhafës si kulmin e karierës së tij si kurator dhe u shpreh se pikturat e Xhafës meritojnë të prezantohen në çdo muze në botë:

“Ka qënë një nder i madh të punoja me professor Xhafën. Mendoj se puna e tij ka një fuqi të madhe dhe një intensitet të fortë. Gjuha e tij është gjithashtu shumë e fuqishme. Kjo është autobiografia e tij. Për mua këto vepra janë kaq të forta, kanë kaq shumë intensitet. Integriteti i tij si artist lartësohet nga këto piktura. Vepra e tij duhet të shihet në çdo muzeum në botë. Mendoj se kariera ime si kurator ka arritur kulmin me këtë ekspozitë”, tha Walmsley.

Vëtë artisti 83-vjeçar shpjegoi disa nga tablotë e tij për mediat e pranishme dhe theksoi se në pikturën e tij është vetë qënia e tij:

“Unë jam në këto vepra, autobiografia ime, autobiografia kombëtare. Këto vepra janë të hapura të kuptueshme, për të gjithë ata që e duan artin. Jam shprehur për gjithëçka që kam pasur afër, rreth e përqark, për luftën për padrejtësinë ndaj popullit. E kam njohur mirë fizionominë e tyre, të çdo sendi. Kam jetuar me to dhe i kam shprehur drejtpërdrejt emocionet e mia, i kam hedhur shpejt në pikturë”, tha Xhafa.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 14 tetor.(Shkruan Shqiptarja.com)/ KultPlus.com

Nishi dikur ishte tërësisht qytet shqiptar (FOTO)

Përveç statistikave të shumta nga historian shqiptarë, këto foto janë një dëshmi e madhe se qyteti Nish i Serbisë qendrore para 100 viteve ka qenë i populluar kryesisht nga shqiptarët, përcjellë KultPlus.

Nishi gjendet afër 200 km në jug të Beogradit. Ka qenë një qytet i hershëm Ilir ku kanë lindur perandorë Bizantinë si Justini i I.

Sipas studiuesit Katičić emri i lashtë i qytetit në gjuhën greke Ναισσός/Naissós u bë Nish nëpërmjet rregullave strikte fonetik të gjuhës shqipe dhe më pas emri i qytetit në atë formë është huazuar nga kolonët të reja sllave në shekullin e shtatë.

Po e sjellim këtu edhe një citat të shkurtër por që ja vlen të mbetet në këtë temë si dokument:
Anglezi John Ross (ishte Komisioner serb në kufi ) shkruan: “Pothuajse të gjithë pjesa perëndimore e sanxhakut të Nishit ishin shqiptare mysliman… Të gjithë ata kanë ikur në vilajetin e Kosovës , duke e lënë të gjithë vendin e tyre. / KultPlus.com


Eksploro Kosovën me anë të fokusit të alpinistëve

Alpinistë të ndryshëm shpesh marrin rrugën për të eksploruar bukuritë natyrore në Kosovë, por gjatë këtij eksplorimi, kur ata përballen me bukuritë e natyrës, është e pamundur të mos shkrepin edhe ndonjë fotografi. USAID Kosovo, ka shpalosur një album me fotografitë më të bukura të shkrepura nga alpinistët gjatë udhëtimeve të tyre. Me të vërtetë mahnitëse këto fotografi. / KultPlus.com

Katër rolet ndërkombëtare të aktorit Kushtrim Hoxha (VIDEO)

Kushtrim Hoxha, aktori i cili karrierën e tij e filloi me disa shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Dodona, Teatrin e Gjakovës, dhe shumë teatro regjionale dhe festivale të ndryshme ndërkombëtare, ai vazhdoi suksesshëm rrugën e tij si aktor, duke u bërë kështu pjesë e shfaqjeve, filmave e serialeve të famshme kryesisht në New York, shkruan KultPlus.

Aktori, ka postuar një video ku në të janë përfshirë katër role të rëndësishme ndërkombëtare të tij, kjo video është postuar në ‘Vimeo’.

“Kushtrim Hoxha TV Showreel” shfaq katër nga rolet ndërkombëtare të aktorit kosovar, duke përfshirë këtu serialin e famshëm amerikan “Elementary”, “Blue Bloods”, “Person of interest”, si dhe “The Americans”.

Në “Elementary”, Hoxha ka luajtur në episodin e 19-të. Në këtë serial ai ka luajtur përkrahë aktorëve të famshëm si Lucy Liu dhe Johnny Lee Milerr.

Pas rolit në serialin “Elementary”, aktori shqiptar Hoxha u prezantua në serialin “Person of Interest”, serial i cili transmetohet në CBS. Roli i Kushtrimit në këtë serial ishte ai i një rusi i cili quhet Vasily.

Një tjetër rol i rëndësishëm i Kushtrimit, ishte edhe ai në episodin e parë të sezonit të shtatë të “Blue Bloods”. Në këtë serial Tom Selleck vjen në rolin kryesor, krahas Len Cariou, Bridget Moyahan, e mes tyre edhe Hoxha. Blue Bloods ka nisur për herë të parë transmetimin në vitin 2010-të.

Pas disa roleve në teatër dhe seriale në Amerikë, ai ishte i përzgjedhur të jetë edhe pjesë në njërin nga episodet e serialit të famshëm amerikan “The Americans” i cili punohet me regji të Joe Weisberg. Ky rol ishte i një rëndësie të veçantë për Kushtrimin duke pas parasysh shikueshmërinë e serialit dhe famën e tij.

Këto role ishin jo pak të rëndësishme për aktorin Hoxha i cili po vazhdon suksesshëm rrugën e tij si aktorë duke bërë karrierë ndërkombëtare. Më poshtë po ju sjellim videon e postuar në ‘Vimeo’. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës paralajmëron koncertin për hapjen e sezonit të ri

Ndër eventet që priten me padurim nga publiku, janë edhe koncertet nga Filharmonia e Kosovës dhe pa humbur kohë tashmë është paralajmëruar koncerti i parë për hapjen e sezonit të ri, shkruan KultPlus.

Filharmonia e Kosovës do të hap sezonin e ri më datë 1 tetor me një koncert i cili do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit.

Këtë koncert do ta dirigjojë Boian Videnoff i cili kthehet në Prishtinë për herë të katërt dhe tashmë është shndërruar në një mik të Filharmonisë së Kosovës.

Po ashtu, bashkë me të do të jenë edhe dy solistë mysafir të jashtëzakonshëm, pianistja Maria Meerovitch dhe trumbetisti më në zë i kohës, virtuozi Sergei.

Në program do të interpretohen vepra nga Haydn, Tchaikovsky dhe Brahms.

Filharmonia e Kosovës premton një nga koncertet që do t’i mbani mend gjatë.

Koncerti do të mbahet më datë 1 tetor në ora 20:00 në Sallën e Kuqe, Prishtinë. / KultPlus.com

Peticion për pranimin e Kosovës në UNESCO

Nga java e ardhshme, dita e hënë, do të nisë nënshkrimi i një peticion për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Me anë të këtij peticioni do të kërkohet nga Komiteti Ekzekutiv dhe Konferenca e Përgjithshëm e UNESCO-së, që të bëhet pranimi i Kosovës në këtë organizëm të rëndësishëm ndërkombëtare për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore botërore.

Peticionin do të kenë rast që të nënshkruajnë punonjësit shkencor të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Institutit të Historisë në Prishtinë, Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe ata nga Universiteti i Prishtinës. / KultPlus.com