Bardha Buza me ekspozitë personale në ‘Monet’

Artistja Bardha Buza më 25 shtator vjen me një ekspozitë personale, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të hapet në galerinë dhe librarinë ‘Monet’ të hapur muaj më parë në kryeqytetin kosovar.
Ekspozita personale e piktores Bardha Buza hapet më 25 shtator me fillim nga ora 18:00./ KultPlus.com

Rita Ora sjellë videoklipin e ri (VIDEO)

Rita Ora dhe Avicii, publikuan një videoklip të mrekullueshëm të këngës së tyre “Lonely Together”, shkruan KultPlus.

Kjo këngë ishte publikuar muajin e shkuar në versionin audio ndërsa tash vjen me një videoklip me plot ngjyra. “Lonely Together” kënga që bëri bashkë Ritën dhe Aviciin do të jetë pjesë e albumit të radhës të Aviciit./ KultPlus.com

Ansambli ‘Lidhja e Prizrenit’ pjesëmarrës në dy festivale

Ansambli “Lidhja e Prizrenit” do të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtarë të valleve i cili mbahet në qytetin Kahramanmarash të Republikës së Turqisë nga data 20 deri 25 shtator, shkruan KultPlus.

Në këtë festival marinë pjesë 12 shtete nga Evropa dhe rajoni dhe organizohet nën patronatin e Komunës-Kahramanmarash.

Ky festival ndërkombëtar i dedikohet festës së akullores, festë kjo e cila tradicionalisht kremtohet në këtë qytet dhe e cila shquhet për prodhimet tradicionale të akullores jo vetëm në Turqi por edhe në gjithë botën.

Përgjatë 5 ditëve feste të organizuar nga komuna, do të ketë shumë aktivitete kulturore, njëherësh do të mbahet edhe festivali i valleve folklorike dhe tradicionale.

Ndërsa nga data 6 deri me 8 tetor, Ansambli “Lidhja e Prizrenit” merr pjesë edhe në festivalin tjetër të radhës “Argjiro 2017” festival i cili mbahet në Gjirokastër.

Edhe në këtë festival ndërkombëtar të valleve i cili shënon edicionin e tetë me radhë, Ansambli “Lidhja e Prizrenit” është ftuar për herë të katërt.

Në këtë festival marrin pjesë shume grupe folklorike ndërkombëtare të valleve si nga Kroacia, Turqia, Bullgaria, Maqedonia, Rumania, Polonia, Mali i zi, Kosova dhe Shqipëria, ku secila nga këto shtete performojnë me pikat e tyre më të përzgjedhura nga vendi prej nga ata vijnë./ KultPlus.com

Tryezë Shkencore për ‘Roli i oxhakërisë në historinë shqiptare’

Më 20 shtator në Institutin Albanologjik në Prishtinë do të mbahet Tryeza Shkencore me titull ‘Roli i oxhakërisë në historinë shqiptare’, shkruan KultPlus.

Kjo tryezë do të mbledhë rreth vetës shkencëtarë, profesorë e shkrimtarë të cilët përveç të tjerash do të lexojnë kumtesat e tyre. Kjo tryezë do të nisë me një fjalë rasti nga drejtori i Institutit Albanologjik në Prishtinë Hysen Matoshi. Kryesia e punës përbëhet nga Nehat Krasniqi, Pëllumb Xhufi dhe Memli Krasniqi.

Tryeza Shkencore nis të mërkurën më 20 shtator me fillim nga ora 11:00 në Institutin Albanologjik në Prishtinë.

Po publikojmë programin e plotë të kësaj tryeze:

20 shtator, e mërkurë, në orën 11.00

Kryesia e punës:

Nehat Krasniqi, Pëllumb Xhufi, Memli Krasniqi

Fjala e hapjes : Hysen Matoshi, Drejtor i Institutit Albanologjik

1. Pëllumb Xhufi, Paria e vjetër dhe protagonistë të rinj në luftën për Pavarësi.

2. Nehat Krasniqi, Roli i oxhakërisë shqiptare të Kosovës në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të vendit.

3. Muhamed Mufaku (Universiteti i Amanit, Jordani), Roli i dinastisë së Mehmet Ali Pashë Misirit në historinë shqiptare.

4. Tanush Frashëri (Austri), Roli i familjes Vlora gjatë periudhës osmane.

5. Laurant Bica, Aristokracia Dibrane.

6. Thomas Frashëri, Veçoritë e “oxhakërisë” së Frashërit ne historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në shek. XVI-XX.

7. Memli Krasniqi, Të dhëna të gazetave angleze të shek. XVIII mbi pashallarët shqiptarë.

8. Ardian Muhaj (QSA-Instituti i Historisë), Familjet e mëdha shqiptare në shek. XV-XVI; forcimi dhe faktorizimi i fisnikërisë shqiptare mes Venedikut dhe Perandorisë Osmane./ KultPlus.com
Diskutime

11 ilustrime e litografi si dukej dikur Janina shqiptare (FOTO)

I rrëmbyeri shekulli i nëntëmbëdhjetë për Janinën është historia e një nga qyteteve më metropolitane në krejt Ballkanin jugor.

Kryeqyteti i Shqipërisë, siç kishte lartuar identitetin e vet, kishte tërhequr vëmendjen e dhjetëra udhëtarëve, shkrimtarëve, artistëve e aventurierëve të huaj.
Dhjetëra ilustrime plot plasticitet japin frymën e Janinës, si një qytet buzë liqenit vezullues dhe malet panoramike afër.

Prej pallatit luksoz të Ali Pashës, varrit të tyre madhështor, fustanellave fjafuritëse në qytet dhe banorëve shqiptarë, Janina mbante me sqimë epitetin si qyteti më i bukur shqiptar.
Portali Konica.al sjell disa litografi të rralla të Janinës shqiptare:

‘55 shades of gay’ së shpejti në Tiranë

Para disa ditësh në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u dha premiera e shfaqjes ‘55 shades of gay’, me tekst të Jeton Neziraj e regji të Blerta Neziraj. Kjo shfaqje e cila u mirëprit nga audienca e Prishtinës, tashmë pritet të udhëtoj nëpër teatrot e tjera të rajonit.

Destinacioni i parë i shfaqjes jashtë Kosovës do të jetë ai në Teatrin Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus. 18 tetori është data e rezervuar për të mirëpritur një ekip të mrekullueshëm të aktorëve që e jetësuan këtë shfaqje e që janë: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi dhe Alketa Sylaj.

‘55 shades of gay’, është projekt i Qendrës Multimedia nga Prishtina e cila konsiderohet si njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore. Shfaqja sjellë në skenë një një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.

Luan Durmishi (vokal), skenografia dhe kostumet nga Sebastian Ellrich, muzika nga Irena Popovic dhe koreografia është realizuar nga Florian Bilbao./ KultPlus.com

‘Bon Appétit’ shfaqet në ‘Fantastic Film Festival’ në Suedi

Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Bon Appétit’, me regji të Erenik Beqirit do të shfaqet në Lund International Fantastic Film Festival në Suedi, shkruan KultPlus.

Festivali mbahet nga data 28 shtator e deri më 7 tetor.

‘Bon Appétit’ flet për një burrë i cili bredh nëpër tunelet e errëta të një ndërtese të braktisur derisa e gjen një tryezë që po e priste dhe kamerierin e gatshëm për ta shërbyer me darkën speciale të bërë vetëm me mish njeriu. Një sfidë për oreksin e tij.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Arben Bajraktaraj, Romir Zalla dhe Ema Andrea.

Rikujtojmë se ky filmi premierën botërore e pati në edicionin e 35-të të Brussels International Fantastic Film Festival ndërsa premierë kombëtare u dha në edicionin e 16-të të Festivalit DokuFest./ KultPlus.com

Zbukurimi i nuses kosovare një traditë një mijë vjeçare, besohet se largon syrin e keq (FOTO)

Nita Deda së fundi ka marë pjesë me prezantimin e projektit “Nusja jonë” në Documenta 14, që është duke u mbajte mes Gjermanisë dhe Greqisë, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht pas këtij prezantimi, faqja zyrtare e kësaj ngjarje të madhe kulturore ka plasuar një tekst mbi këtë realizim, të shkruar nga Laura Preston, e cila jep detaje mbi realizimin e këtij projekti që ishte realizuar qysh në vitin 2011, bashkë me Yll Çitakun.

Documenta 14, përpos që ka bërë publike këtë tekst, e ka ilustruar edhe me disa fotografi të këtij projekti, duke vënë theksin se kjo punë është realizuar në fshatin Lubinjë të Kosovës, i populluar nga goranët.

Po sipas këtij shkrimi thuhet se zbukurimi i nuses në këtë formë, është një traditë që në ditën e dasmës, duke vënë fokusin te zbukurimi i saj, të shmangin syrin e keq, dhe në të njëjtën kohë besojnë që ky ritual mund të ndjellë edhe lumturinë dhe shëndetin.

Poashtu potencohet se punën në zbukurimin e nuses, që në këtë rast ishte Nita Deda e ka bërë Aziza Shefiragiç, e cila konsiderohet të jetë një ndër gratë e fundit që e njohin këtë ritual.
Puna e bërë atëherë në Nita Dedën kishte zgjatur gjatë gjithë ditës. Filmi “Nusja jonë”, nga Nita e Ylli synon të ruaj këtë akt të veçantë të trashëgimisë kulturore, për të sjellë më pas vëmendjen në ritual. /KultPlus.com

Shkëlzen Doli ‘mbyllë’ sheshin ‘Skënderbej’

Të shtunën më 23 shtator në sheshin Skënderbej në Tiranë, do të mbahet koncerti i violinistit shqiptar Shkëlzen Doli.

Ky projekt i quajtur nga vetë Doli ‘Shkëlzen Doli-Albanian Soul’, pritet të jetë një ndër koncertet më madhështore të realizuara së fundmi në Tiranë.

Kësisoj pikërisht për këtë ngjarje të madhe të muzikës shqiptare dhe jo vetëm sheshi Skënderbej që nga e enjtja më 21 shtator e deri më 23 shtator do të jetë i mbyllur dhe hyrja për në koncert do të jetë vetëm me bileta, shkruan KultPlus. Kështu ka njoftuar nëpërmjet rrjetit social Facebook, vetë violinisti shqiptar, i cili poashtu ka treguar se janë rezervuar dhe janë shitur rreth 70% e biletave deri më tani./ KultPlus.com

Mbrëmje me muzikë italiane në Prishtinë

Tenorët Armaldo Kllogjeri e Liridon Sadriu do të prezantohen me një mbrëmje muzikore me vepra italiane në Prishtinë, të cilët do të përcillen edhe nën tingujt e pianos, shkruan KultPlus.

Këngët: O sole mio, Sul mare luccica, Dicintecello vuie, Caro mio ben, Questo o quella, Una furtiva lagrima, Volare, Mamma, O surdato namurato, Funiculì, Funiculà, O bellisimi capelli, Torrna a Surriento, Nabucco e Nesun dorma, janë këngët që do të prezantohen në këtë mbrëmje, që do të mbahet më 29 shtator, në Hotel Sirius në Prishtinë. Kurse me tinguj të pianos do të prezantohen Tomor Berisha e Agron Shujaku./KultPlus.com

‘Agnus Dei’ fiton çmimin e 90-të në Portugal International Film Festival

Në Edicionin 2017 të Portugal International Film Festival, në programin zyrtar kanë garuar 44 filma në pesë kategori, nga më shumë se 6000 tituj filmash sa kishin konkurruar në këtë edicion. Në festivalin njëjavor i cili ka përfunduar të shtunën në Porto të Portugalisë, janë shfaqur filma nga SHBA, UK, Gjermania, Franca, Kina, Brazili, Australia, Italia, Irani, Kosova, Kroacia, Greqia, Holanda, Spanja, Argjentina, Zvicra, etj.

Filmi kosovar Agnus Dei është shfaqur në mbyllje të festivalit dhe është duartrokitur gjatë nga salla e mbushur plotë në Crowne Plaza të Portos. Poashtu, prezantimi dhe fjala e rastit e regjisorit Sopi, është pritur me duartrokitje të gjata dhe me ovacione. Eshtë hera e parë që z. Sopi ka udhëtuar në një festival filmi me një biletë të sponzoruar nga Ministria e Kulturës, për çfarë shfrytëzon këtë rast që t’i falenderon. Në natën gala të ndarjes së çmimeve, juria shtatë antarëshe e udhëhequr nga shkrimtarja Eliane Maciel, ka shpallur fitues filmin kosovar AGNUS DEI me skenar e regji të Agim Sopit. Filmi Agnus Dei është shpallur si Filmin më i mirë i metrazhit të gjatë / Best Feature Film – Blue Star Awards / dhe ka fituar çmimin Blue Star Award. Regjisori më i mirë në këtë edicion, është shpallur Gavin Irvine për filmin 20,40 to London nga Mbretëria e Bashkuar, çmimin e skenaristi më të mirë e ka fituar Scott Simpson për filmin The Mackenzie Breakout nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse filmi më i mirë i shkurtër është shpallur filmi City of my Heart me regji të Konstationos Petsas nga Greqia.

Para dhjetë ditësh, filmi Agnus Dei ka fituar çmimin për Skenarin më të mirë / Best Screenplay/ në Onoiros International Film Festival në Romë të Italisë.

Çmimi Blu Star Award për Filmin më të mirë që vie nga Portugal International Film Festival, është çmimi i 90-të jubilar për filmin AGNUS DEI, i cili ka përfaqësuar Kosovën në rreth 200 festivale në të katër anët e botës. Për filmin Agnus Dei janë shkruar me mijëra artikuj në mediat e shkruara dhe ato elektronike në të gjithë botën. Filmi është bërë pjesë e enciklopedive të ndryshme dhe listave të filmave më të mirë të dekadës. Me 90 çmimet e fituara nga të cilat mbi 60 çmime të para dhe me më shumë se 70 nominime, Agnus Dei cilësohet si njëri ndër filmat më të suksesshëm të Ballkanit në gjithë historinë e kinematografisë.

Agnus Dei, shtjellon dramën e Petrit, një të riu rreth të tridhjetave,i cili bënë një jetë të dëshpëruarish me të ëmën Maria dhe burrin e saj Stojanin në një fshat në Serbi. Petri, ka lindur në Kosovë nga një ‘dashuri e ndaluar’ mes nënës së tij Mari dhe babait shqiptar Dinit. Petri, cytet nga e ëma dhe rrethi që të shkoj në luftën e Kosovës. Ai do të ikën nga lufta për në perëndim, por mobilizohet dhunshëm dhe rekrutohet në një njësit ushtarak në luftën e Kosovës. Në një aksion të përgatitur në shenjë hakmarrjeje, Petri vret babanë vet Dinin, të cilin nuk kishte arritur asnjëherë ta njoh. Duke mos mundur të duroj krimet arbitrare në njësitin e tij, Petri dezerton nga ushtria. Ai merr me vete të bijën e Dinit, Marien dhe ikën. Gjatë një rrugëtimi të vështirë, kur ata ndiqen nga palët e armiqësuara, Petri dhe Maria bien në dashuri. Ata arrijnë të kthehen në shtëpinë e Petrit. Gjatë raporteve të tensionuara me të ëmën, Petri mëson se ka vrarë babanë e vet biologjik dhe se është dashuruar në motrën e vet. Duke mos mundur ta përballoj dramën e papritur, ai ia merr vetes jetën./ KultPlus.com

Sting mbajti koncert në Beograd, u përcoll nga 15 mijë njerëz (VIDEO)

Ylli britanik Sting, mbrëmë ka mbajtur koncertin e shumëpërfolur në Beograd, shkruan KultPlus.

Mediet serbe raportojnë se ky koncert është përcjellë nga 15 mijë njerëz, dhe bashkë me Sting ka kënduar e gjithë audeinca, sidomos në këngët e famshme “Mad about you”, “If I ever lose my control of you”, “Englishman in Newyork”./KultPlus.com

Lady Gaga shtyn turin evropian për vitin 2018

Lady Gaga pasi anuloi koncertin në Rio, Brazil, për shkak të një sëmundje fizike, ylli i popit ka vendosur të shtyjë për në 2018 edhe turin evropian.

Gaga pritej në Milano , për një datë të vetme italiane, në 28 shtator. Lajmërimi që këngëtarja duhet të jetë në kurim për javët e ardhshme erdhi përmes rrjetit social dhe u shoqërua me një foto ku lutej dhe mbante një kryq në dorë.

Ditët e fundit këngëtarja është shtruar në spital pas disa problemeve me shëndetin. Ajo anuloi koncertin e 15 shtatorit në Brazil, “Rock in Rio” për shkak të dhimbjeve të forta që nuk e lejonin të performonte dhe për të cilat u shtrua në spital./ KultPlus.com

Lansohet videoprojekti që shpërfaqë vlerat e trashëgimisë kulturore të Vushtrrisë (VIDEO)

Është publikuar një video promovuese e qytetit të Vushtrrisë, ku tregohen trashëgimitë kulturore të këtij qyteti të Kosovës, shkruan KultPlus.

Video promovuese është bërë në kuadër të programit Planet Lokale të Trashëgimisë Kulturore, nga CHwB Kosova, Ambasade e Suedisë, Komuna e Vushtrrisë…/ KultPlus.com

Injoranca kundrejt trajtimit të historisë, sëmundje e vjetër në Shqipëri

Shiheni sesi po e trajtojnë Prek Calin, një tribun të popullit që ka mbrojtur me gjak në tridhjetë vjetët e parë të Shekullit të XX-të kufirin e atdheut të vet në Alpet e Shqipërisë kundër serbëve pushtues, transmeton Oranews shkrimin e Spartak Ngjelës.

Nga ato që po lexoj shoh që ende flasin për partizanë kur vrasja e Prek Calit ka ndodhur pas çlirimit të Shqipërisë nga gjermanët. Ç’hyjnë partizanët këtu, kur nuk ka më gjermanë?

Ja pyetjet që ngrihen për të provuar injorancën:

Ç’janë këta partizanë që shkojnë për të luftuar në Veri, më 15 janar të vitit 1945, kur Shqipëria ishte çliruar që në 29 nëntor të vitit 1944?

Pse ka shkuar Mehmet Shehu në alpet e Veriut me formacion partizan, kur aty kishte vetëm shqiptarë vendas mijravjeçarë, dhe asnjë këmbë të huaji?

Pse, Mehmet Shehu me partizanët e tij, të cilët e kishin mbaruar luftën me gjermanët, do t’iu mësonin malsorëve trima sesi do të qeveriseshin ata në shtëpitë dhe në pronat e tyre shekullore?

Pse, kush doli me faj ndaj historisë, ata që u bashkuan me serbët gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo trimat historikë si Prek Cali që mbronîn tokat e tyre prej shekujsh kundër hordhive sllave?

Pse, kush ka gabuar në histori, trimat mëmëdhetarë si Prek Cali dhe qindra heronj dhe dëshmorë të tjerë nga Malësia e Madhe dhe Mirdita që nuk e pranuan stalinizmin dhe titizmin në Shqipëri, apo Mehmet
Shehu që i vrau për stalinizmin dhe titizmin këta trima që kishin shekuj që mbronin trojet e tyre nga hordhitë sllave?

Pse, Mehmet Shehu me partizanet e tij, që vrau gjermanë dhe italianë pushtuesë, dhe i vrau vërtet, ka pasur të drejtë që pas lufte, të vriste shqiptarë të ndershëm se ata nuk besonin te doktrina e partisë së tij?

Përgjigjja e këtyre pyetjeve i jep të drejtë morale absolute tribunit të madh shqiptar Prek Cali dhe jo Mehmet Shehut.

Dhe sot e gjithë ditën duhet pyetur: deri kur ne do të vijojmë që të mos e kemi ndjenjën e humanizmit dhe drejtësisë në trajtimin e historisë?

Trajtimi i historisë dhe i figurave historike nuk ka lidhje as me interesin vetjak dhe as me pasionin politik, por vetëm me humanizmin dhe me të vërtetën./ KultPlus.com

‘The handmaid’s tale’ fitues i tre çmimeve kryesore në Emmy

I bazuar në novelën e autores kanadeze, Margaret Atwood, seriali televiziv ka marrë çmimin e dramës më të mirë, të regjisorit më të mirë për Reed Morano dhe të aktores më të mirë për Elisabeth Moss.

Seriali shqyrton çështjet e grave të nënshtruara në një shoqëri totalitare dhe mjetet e ndryshme me të cilat fitojnë individualizëm dhe pavarësi.

Emmy është një çmim amerikan që njeh përsosmërinë në industrinë televizive dhe korrespondon me Oscar-in për filmin apo çmimin Grammy për muzikën./ KultPlus.com

‘M’tha t’thashë’ vjen nga 5Ponca dhe Shpat Deda

5Ponca dhe Shpat Deda publikojnë projektin muzikor ‘M’tha t’thashë’, shkruan KultPlus.

Kjo këngë është muzikë elektronike në zhanrin trip, hop dhe IDM dhe është prodhim i Labinot Sponcës ndërsa teksti dhe melodia vokale janë krijuar nga Shpat Deda.

Regjinë dhe skenarin e videoklipit e ka bërë Noar Sahiti, e në klip luajnë Dukagjin Podrimaj dhe Sadie Suhodolli. / KultPlus.com

‘Fluturat 2017’ nis sot në Prizren

Festivali i këngës për fëmijë “Fluturat 2017”, mbahet sonte nga ora 19:30 në kopshtin e Kinema Lumbardhit në Prizren, me ç’rast 19 fëmijë do ta shpërfaqin talentin e tyre.

Organizatori i Festivalit studio Helix, njofton se edhe përkundër kohës së shkurtër që e kanë pasur në dispozicion janë bërë të gjitha përgatitjet. Janë përzgjedhur 19 këngë me vlera të mirëfillta që i përshtaten karakterit të festivalit.

“Për shkak të anulimit dy herë të tenderit dhe kohës shumë të shkurtër në dispozicion për organizimin e festivalit kemi bërë të pamundurën që edicioni i sivjetmë të jetë cilësor si për nga këngët që do të paraqiten, ashtu edhe në aspektin teknik të organizimit të festivalit” tha Istref Krasniqi drejtor i studio Helixit.

Në skenën e përgatitur enkas për festivalin Fluturat 2017 do të paraqiten: Ardena Gjonbalaj me këngën “Jam një Zanë nga Plava e Gucia”; Sara dhe Isak Krasniqi me këngën “Faliminderit që na sollet lirinë”; Kada Hodaj me këngën “Balerinë”, Ela Kazaz me këngën “Yeni Yel”, Natyra Vorfaj me këngën “Nëna ime”; Ardian Miftaraj dhe Argita Zaka me këngën “Shoku dhe shoqja Këndojnë”; Jasmina Dervishi me këngën “Preke dhimbjen”; Blenis Vorfaj me këngën “Un i dua kerret”; Mario Zaja me këngën “Duet me dallëndyshen”; Hyrije Begaj me këngën “Princeshat”; Lorent Qerimi me këngën “Bota ime”; Kejxhi Bilalaj me këngën “Elefanti në qytet”; Emi Bakia me këngën “Kush e hëngri mjaltin”; Risa dhe Sara Ramadani me këngën “Manekenet”; Flutura Osmani me këngën “Udhëtimi” ; Ester dhe Gjina Kraki me këngën “Dy motrat këndojnë”; Anjeza Sejdia me këngën “Sikur të flasin dhe ata”; Nikol Ndoi me këngën “Ngriva shkriva”; Hira Bajraktari me këngën “Familje sikur na”.

Drejtori i Festivalit Istref Krasniqi njofton se për tri vendet e para do të ndahen këto çmime: Për vendin e parë 500 euro dhe Flutura e argjendtë, për vendin e dytë 300 Euro dhe për vendin e tretë 200 Euro.

Do të ndahen edhe çmimet: debutuesi më i mirë, dueti më i mirë, paraqitja më e mirë skenike dhe çmimi i Studio Helix-it./ KultPlus.com

Ik diell

Poezi e shkruar nga Donika Dabishevci.

Fole ni fjalë burrë
pashë ata sy tu
shkrepe t’shkretën
t’fundmen fjalë me mu
e ik i qeshun – vetëkënaqu!

Digjmë…!

Le t’em diftohet sontja,
ti dritë tuj ba
e unë tuj u gjunjëzu
veç për ni fjalë burri
për ni fjalë mu.

Shkrepe t’shkretën
gjuhëvrazhdë.

Shkrumom e ik!

E more lirinë?
Fllad mali t’duhej?

Ty burrë i përtejmë,
burrë i betejave për jetë a vdeje,
burrë i t’rrnuemit n’zgripc,
burrë që se shkrepe asni fjalë e ikë!

Ambasada kineze dhuron libra për bibliotekën ndërkombëtare të Tiranës

Ambasada e Kinës në Shqipëri i dhuroi mbi 100 libra bibliotekës ndërkombëtare të Tiranës. Ambasadorja Jiang Yu i dorëzoi librat gjatë takimit me dy zyrtarë të bashkisë së Tiranës, drejtoren e Promovimit Juliana Dhame dhe drejtorin Kulturës, Besim Petrela.

Pala shqiptare e falënderoi ambasadën kineze për dhurimin e librave dhe u shpreh se Bashkia e Tiranës po përgatit ndërtimin e “bibliotekës ndërkombëtare”. Zyrtarët shqiptarë theksuan se në tregun e librit në vend, literatura mbi Kinën është e paktë dhe kjo dhuratë e çmuar do ta pasurojë më tej bibliotekën.

Ambasadorja Jiang u shpreh se projekti i “bibliotekës ndërkombëtare” është projekt i rëndësishëm kulturor i Tiranës, si një qytet ndërkombëtar. Ajo tha se Shqipëria është një vend me atmosferë të mirë kulturore, ndërsa beson se ky projekt i bashkisë do të ndihmojë në pasurimin e librave që lexohen nga qytetarët e Tiranës.

Këtë herë, Ambasada e Kinës përzgjodhi mbi 100 libra mbi historinë, kulturën, filozofinë, arkitekturën, artin, letërsinë, etj., me shpresën se këta libra do të shtojnë njohjen për Kinën nga qytetarët shqiptarë.

Ambasada kineze në Shqipëri është e gatshme të përkrahë aktivisht ndërtimin e institucioneve kulturore të qytetit të Tiranës dhe zhvillimin e bashkëpunimit e të shkëmbimeve në njerëzore, duke forcuar miqësinë reciproke mes dy popujve.

Ditët e fundit, Ambasada e Kinës në Tiranë u dhuroi libra 5 shkollave të Tiranës për mësimin e gjuhës kineze. /KultPlus.com

Qeveria reagon ndaj dokumentarit të Serbisë kundër Kosovës në UNESCO

Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson të ulët, racist dhe të paprecedent filmin dokumentar të qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Shfaqja e filmit dokumentar përpara ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s, me përmbajtje fyese për Kosovën, në kuadër të fushatës kundërshtuese ndaj anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, është përpjekje në vazhdimësi për ta denigruar shtetin e Kosovës.
“Prezantimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë si pjesë të trashëgimisë së Serbisë është synim për të përvetësuar pasurinë kulturore e fetare të Kosovës dhe për ta transformuar atë. Objektet fetare e kulturore në Kosovë janë pjesë e trashëgimisë së vendit dhe ato nuk mund të tjetërsohen. Ato i takojnë shtetit të Kosovës, qytetarëve të tij pa dallim, janë të ruajtura dhe të mbrojtura me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Për pasurinë e Kosovës përgjigjen qytetarët dhe institucionet e saj”, thuhet në reagim.

Përpjekjet e Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare përfshirë edhe UNESCO-n janë legjitime dhe shteti i Kosovës do të vazhdojë t’i përmbushë kërkesat e saj, në pajtim me legjitimitetin ndërkombëtar të pranuar nga më shumë se 110 shtete të botës dhe në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë.

Pengesat e rrugës së Kosovës për pranim ndërkombëtar dhe anëtarësim në organizmat ndërkombëtar, që vazhdojnë t’i bëhen nga Serbia, janë në kundërshtim me parimet e politikave të fqinjësisë së mirë, në shpërputhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të dialogut që lehtësohet nga BE-ja dhe kundër procesit të pajtimit të popujve pas një periudhe të rëndë të historisë./ KultPlus.com

Skënderbeu në Plejadën Franceze

Shkruan Dorian Koçi

Skënderbeu dhe qëndresa e tij (1443-1468) ishin kthyer prej kohësh në Europë edhe shekull pas vdekjes së tij në referenca të rëndësishme politike ushtarake për fatin e e vet Europës. Kjo qendresë jo vetëm që rriti rolin e prestigjin e tij në elitën princërore europiane por shërbeu shumë më vonë si kredenciale e admirueshme e shqiptarëve në fatet politike dhe kulturore të kontinentit.

Në Francë ai bëhet i njohur përmes veprës së Jacques De Levardin-it “Histori e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbe, mbretit të Shqipërisë” botuar në 1573 në Francë. Kjo vepër ishte një përshtatje e lirë në frëngjisht e Historisë së Skënderbeut të Marin Barletit. Më herët poeti i shquar francez Pierre De Ronsard (1524-1585) i i kishte kushtuar një sonet figurës së Skënderbeut. Pierre De Ronsard ishte më i madhi poet lirik i kohës së tij. U godit nga shurdhëria që në të ri dhe vendosi t’i kushtohej krejtësisht letërsisë. Filloi të shkruajë nën ndikimin e Horacit e më pas të Pindarit e të Petrarkës. U bë kryetar i Plejadës, një nga shkollat më të rëndësishme poetike franceze, e cila solli një fluturim të vërtetë poetik, të paparë gjer më atëherë në poezinë franceze. I kritikuar nga Malerbi dhe Bualoi pas vdekjes, për rreth dy shekuj emri u harrua. U rivlerësua dhe iu dha vendi që meritonte në poezinë franceze, në fillim të shekullit XIX, nga kritiku i shquar Sen Bëv. Soneti i Ronsar-it u botua në krye të veprës së Levardenit.

Mesa duket Ronsari nuk ishte në dijeni për botimin e veprës së Barletit dhe autorëve të tjerë kushtuar Skënderbeut, prandaj i thurr lavde Lavardenit, si të parit që bëri të njohur veprën heroike të Skënderbeut. Interesant është fakti që ashtu si vet Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeu që mëtonte origjinën epiriote të shqiptarëve në letrën e vet dërguar Princit të Tarentit, edhe poeti e revokon këtë origjinë nëpërmjet heronjve të antikitetit epiriotë si Akili dhe Pirrua.Heroi Kombëtar i shqiptarëve frymëzonte pareshtur edhe shumë vite pas vdekje së tij , artin dhe letërsinë evropiane duke qenë në këtë mënyrë , një hero jo vetëm i shqiptarëve por edhe i gjithë qytetërimit evropian. Soneti ka ardhur në shqip nën përkthimin mjeshtëror të Vedat Kokonës, këtij intelektuali dhe përkthyesi eruidit të kulturës shqiptare.

Sonet për Skënderbeun Veç kuaj të harbuar dhe race s’nxjerr Epiri Që dalin fitimtarë në vrapin olimpian; Por nxjerr dhe luftëtarë kreshnikë të tillë me nam Që mburren se në rrembat u lëvrin gjak Akili. Pirron kam dëshmitar, atë fatos vigan, Që kurrë s’u mund gjersa n’Argos iu këput filli, Dhe Skënderbeun që mundi popullin skithian Atë nga gjithë Azia që jashtë ka nxjerrë ungjillin O nder I shekullit! Shqiptar, ti trim i ndjerë, Që shpartallove turqit njëzet edhe dy here Që gjithë ushtrisë së tyre i kalle lemerinë, I vdekur do të ishe, atje në varr harruar, Sikur ky Levardeni të mos i kish fituar Sërish ato beteja që t’amëshojnë lavdinë. Bibliografi; Antologji e Poezisë franceze. Poezia përkthyer nga Vedat Kokona. Ymer Jaka. Skënderbeu në historiografinë frënge. Instituti Albanologjik i Prishtinës./ KultPlus.com

“Me dasht’, Me dasht’, Me dasht’” shfaqet në kryeqytet

Tre personazhe të ndryshme që sjellin përmes 90 minutave “Me dasht’, Me dasht’, Me dasht’” apo “To Want, To Need, To Love”, filmin dokumentar të regjisorit të ri Ilir Hasanaj, shkruan KultPlus.

Ky film i cili mori çmimin e audiencës në edicionin e sivjetmë të DokuFest, më 29 shtator vjen në Prishtinë.

Arbër Salihu, Edona Vatoci dhe Genc Hasanaj janë personazhet që shpalosin jetën e tyre private në këtë film. Filmi më 29 shtator me fillim nga ora 20:00 do të shfaqet në Termokiss në kryeqytet./ KultPlus.com

‘Oh, Oh, xhulia’ me regji të Besim Ugzmajlit nis sezonin në Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj

Teatri i Qytetit ‘Adriana’ në Ferizaj, shumë shpejt pritet të nis sezonin me premierën ‘Oh, Oh, xhulia’.

Kjo shfaqje me tekst të Ephraim Kishon në skenën e teatrit ‘Adriana’ do të jetësohet nën regjinë e regjisorit Besim Ugzmajli.

Provat për këtë shfaqje tashmë veç kanë filluar, ndërsa për KultPlus, regjisori Ugzmajli, dha disa detaje për tekstin.
“ ‘Oh, Oh, xhulia’, është një komedi-parodi si version alternativ i ‘Romeo dhe Zhulieta’ të William Shakespeare. Por në versionin e Ephraim Kishon, Romeo dhe Zhulieta i kanë shpëtuar vdekjes. Ephraim Kishon është një autor që jo vetëm që ka shkruar shumë skenarë dhe drama, por është i njohur edhe si regjisor i cili ishte nominuar për Oscar. Provat vetëm sa kanë filluar dhe shfaqja pritet të jepet pas datës 20 tetor”, tha për KultPlus Besim Ugzmajli.

Kjo shfaqje sjellë në rolet kryesore aktorët: Shpëtim Selmani, Vjosa Tasholli, Sherif Bega, Edona Berisha, Mevlan Saraçi dhe Milot Salihu./ KultPlus.com