Portugalia tani është vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit në botë, sipas shifrave nga Our World In Data.
Me një popullsi prej 10.3 milionë banorë, Portugalia tashmë ka vaksinuar plotësisht 84 për qind të popullsisë së saj. Kjo është norma më e lartë në botë, dhe paraprinë Emiratet e Bashkuara Arabe (80.8%) dhe Singaporin (77.3%) dhe është shumë më përpara se 61.6% e popullsisë së vaksinuar në 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Qëllimi i Portugalisë për të vaksinuar plotësisht 85% të popullsisë së saj tani është i arritshëm dhe vendi pritet të lehtësojë disa nga masat e vendosura për të frenuar përhapjen e virusit.
Së bashku me rritjen e numrit të vaksinimeve, shkalla e infeksionit dhe shtrimet në spital për shkak të virusit kanë rënë në nivelin më të ulët për gati 18 muaj./KultPlus.com
Balerini dhe koreografi shqiptar, Blenard Azizaj do të jetë pjesë e ekspozitës ‘AnriSala’ në Kunsthaus Bregenz të Austrisë, përcjell KultPlus.
Njoftimin e ka bërë vetë Azizaj përmes një postimi në Facebook, ku njofton se vepra e tij ‘Gjurmët’ do të ketë premierën atje.
“’GJURMËT’
Premiera Botërore 25 Shtator në 6 pasdite së bashku me ekspozitën #AnriSala në Kunsthaus Bregenz në një bashkëpunim me netzwerkTanz. E ndjekur nga performanca e 26 Shtatorit në 6 pasdite” – ka shkruar Azizaj./KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se për sonte ka ftuar një mbledhje të Këshillit të Sigurisë pas zhvillimeve në veri të vendit.
Kjo ftesë për mbledhje vjen si rezultat i situatës së krijuar në veri të vendit pas vendimit për implementimin e reciprocitetit për targa.
Minuta më parë edhe kreu i LDK’së ka ofruar gatishmërinë për bashkëpunim me qëllim të menagjimit të situatës në veri./KultPlus.com
Paraqitja e fundit e Daniel Craig si agjenti 007 pritet të jetë fundjava më e madhe e hapjes në arkat britanike që nga ‘Avengers: Endgame’ më shumë se dy vjet më parë, pasi kinematë kanë punësuar qindra staf shtesë për të përballuar “Bondmanian”, transmeton KultPlus.
Shitjet paraprake të biletave kanë vënë ‘No Time to Die’ në rrugën e duhur për të qenë filmi i dytë me fitimin më të madh në 59 vjet, para se ai të ketë premierën botërore më 30 shtator.
Filmi vjen 18 muaj me vonesë dhe katër ndryshime në datën e shfaqjes. Pronarët e kinemave po bëjnë të gjitha hapat për të kënaqur kërkesën e publikut për filmin që do të shfaqet në më shumë se 700 kinema në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.
“Do të jetë fundjava më e madhe hapëse që kur filloi pandemia,” thotë Tim Richards, shefi ekzekutiv i Vue, operatori i tretë më i madh i kinemavenë Mbretërinë e Bashkuar. /KultPlus.com
Qindra protestues e kundërshtuan të shtunën përdorimin e të ashtuquajturës pasaportë të koronavirusit, dëshmi për vaksinim, e cila është bërë e detyrueshme për ata që duan të hyjnë në kafene, restorante, tetro e hapësira tjera publike.
Kërkesa e re për të treguar dëshmi të vaksinimit ose test jo të vjetër për koronavirus u fut në fuqi të shtunën, pikërisht në ditën kur u larguan pothuajse të gjitha rregullat për distancë sociale.
Qindra njerëz dolën rrugëve të kryeqytetit holandez, Hagë, duke lëshuar edhe muzikë. Disa prej tyre mbanin pankarta në duar, në të cilat shkruhej: “Aparteid mjekësor. Ndalini pasaportat e vaksinimit”.
Deri më tani, 72 për qind e popullsisë në Holandë e ka marrë të paktën dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19, shkruan Reuters.
Përderisa përdorimi i maskave ende do të jetë i detyrueshëm në transportin publik, nxënësit dhe mësuesit nuk e kanë më këtë obligim në shkolla dhe qeveria e ka hequr edhe rregullën për 1.5 metër distancë mes njerëzve në hapësira publike./KultPlus.com
Qyteti i Shkodrës ka nxjerrë mjaft artistë të mëdhenj, të cilët i dhanë tonin artit skenik dhe kinematografik. Pjesë e këtyre artistëve është i mirënjohuri Bep Shiroka, i cili, duke gërshetuar talentin e tij të lindur me pasionin dhe profesionalizmin, shpalosi para artdashësve, jo vetëm të Shkodrës, por të gjithë Shqipërisë dhe të trevave shqiptare, gjeniun natyral të skenës dhe kinematografisë shqiptare.
Vlerat e aktorit ranë në sy që në rolet e para të tij duke filluar që nga paraqitja mjaft e këndshme skenike, batutat e menjëhershme, gjestikulacionet e përshtatshme dhe të veçanta në interpretim dhe një mimikë të jashtëzakonshme e të paharrueshme.
Ndërkohë, nga shfaqja në shfaqje, profesionalizmi i Shirokës do të rritej deri në atë pikë saqë personazhet e interpretuara prej tij do të nguliteshin thellë në kujtesën e të gjithë artdashësve. I bërë i njohur për interpretimin brilant të mbi 100 karaktereve të ndryshme, në teatër dhe në filma, Bep Shiroka do të spikaste në filmat “Çifti i lumtur”(1975) dhe “Koncert në vitin 1936” (1978).
Batutat origjinale, jashtë skenarit, të Shirokës, duke iu bashkëngjitur interpretimit unikal të personazheve i rritën së tepërmi dhe nxorën më tej në pah jo vetëm vlerat e tij si aktor i kinematografisë, por edhe të vetë këtyre filmave.
Pikërisht gjenialiteti në interpretim, batuta dhe humori i Shirokës ka bërë që këto filma të vijojnë shfaqen e të shihen me ëndje edhe nga brezat e sotëm, pavarësisht se kanë kaluar shumë vite nga krijimi i tyre.
Teatri “Migjeni” në Shkodër ka kujtuar sot në 88 vjetorin e lindjes aktorin, skenografin, piktorin, Mjeshtri i Madh, Bep Shiroka, ndërsa publikon një shkrim të shkrimtarit dhe studiuesit Xhahid Bushati.
I paharruari Bep Shiroka gjithherë interesant, befasues e mahnitës.
Intervistë, që çuditërisht e nisi rrugëtimin plot 27 vjet më parë, por që nuk e pa asnjëherë dritën e botimit, sepse dita-ditës “biografia” dhe portreti i Bep Shirokës plotësohej me detaje të reja, të vjetra, të panjohura; me detaje të freskëta e me të papritura…, por gjithherë interesante, befasuese e mahnitëse. Sekrete aktoriale, sekrete skenike apo… Ndërsa unë qëmtoja dhe vazhdoj të qëmtoj edhe sot e kësaj dite…
Bep Shiroka lindi në Shkodër, më 25 shtator 1933, dhe vdiq në këtë qytet, më 01 korrik 2010, në moshën 77 vjeçare. Më ngjan se kjo intervistë ende është e pambaruar, sepse shumë kujtime “trokasin” në portën e saj… Me sa duket është vazhdimi i një bisede, edhe pse Bepi iku nga kjo jetë 6 vjet më parë.
Bep Shiroka: Peshorja.
Ju shtyn kureshtja për të ditur se çfarë thonë gazetat e televizori për ju?
Jo. Më duket kohë e humbur… Nuk ma mbush mendjen se është diçka. Megjithatë njerëzit flasin për të. Bile e kam në shtëpi, gruan. Ajo shikon për vete, për fëmijët, për dhëndurët, për… Në fund shikon ndonjë send edhe për burrin. Ajo m’i kallëzon…, si i thonë një fjale, ma zbërthen horoskopin.
Në qoftë se realizohet, si reagoni?
Shiko, për të mos thënë 100%, 99% nuk realizohet kurrë. Megjithëse, këto kohët e fundit PESHORJA më mbyti me dashuri. E bukur është se unë vazhdimisht do të bie në dashuri me dikë sipas parashikimeve të horoskopit. Dhe më e bukura është se… edhe këto m’i thotë gruaja gjithmonë. (qesh)
Të largohemi nga horoskopi e të mos largohemi nga televizori. Ju tërheq më shumë kafja e mëngjesit apo lajmet në televizion?
Para se të bëj njërën apo tjetrën, më parë përshëndetem me nipat e me mbesat e mia që i kam këtu, afër, në fotografi, por që aktualisht ndodhen larg, në Itali. U uroj: “Nadja e mirë!”, – siç themi ne, shkodranët. Në përshëndetjen me ta, unë bëj atë monologun e brendshëm që i themi ne, aktorët, monolog që ka një magji të veçantë dashurie të gjyshit për nipat e mbesat. Në atë monolog kujtoj se si fola me ta në telefon, si qeshnin ata, si zëri fëmijëror i nipit (më të madhit) ka nisur të burrërohet, si bisedova me dy mbesat në mënyrë lirike dhe intime, pastaj… se si në mes shumë fjalëve shqipe hynin si të ftuara e të paftuara shumë fjalë e shprehje të gjuhës italiane, pastaj… sikur një valë deti vjen me vrull e më tremb e unë trishtohem, më shpëton një lot në faqe, pastaj vjen përsëri drita e tyre dhe më rinojnë. Unë, gjyshi i tyre, i falem dritës së tyre…
Të nesërmen, mezi pres të lind e nesërmja, sepse pres të bisedoj me ato dritëza jete…
Hobi juaj?
Hobi im kryesor, që do të ishte rruga ime, sikur të mos kishte bërë pak dredha, ka qenë piktura dhe është sot e kësaj dite. Më bëhen 40 vjet e ca në teatër e pikturën nuk e kam lënë asnjëherë. Më ka qetësuar. Bile një verë… (është fjala për vitin 1997) punova aq shumë sa më bëri të harroj telashet e streset e një kohe të egër e tragjike.
Tani të tregoj edhe një kuriozitet. Si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve nuk jam pranuar si aktor, por si piktor.
Kam pasur edhe një hobi tjetër. Në shtëpinë e babës (private me atë grimë oborr) kam pasur qejf gardalinat, kanarinat. Jam kujdesur për to. Kurrë nuk kam menduar t`i shes, por t`i fal. Kam falur jo pak, e, çuditërisht nuk më kanë shkuar mbarë. Edhe lepuj kam rritur. Edhe ata i kam falë. Veç, ama, dhe mos u çudisni, nuk e di si është mishi i lepurit. Nuk kam mbytë asnjë në shtëpinë time. Kam mbajtur edhe pëllumba. Tani në pallat s`mund t`i mbaj më, sepse jemi aq ngushtë sa s`mund të mbajmë veten. Pastaj s’mund t’i bëjmë dhomat kopsht zoologjik!…
As gardalina nuk keni më?!
Tani as gardalina, jo. Një ndër shkaqet që kam hequr gardalinat, kanarinat, etj., ka qenë puna ime në teatër. Asnjërin nga të shtëpisë nuk e kisha merakli për këtë punë. Gruaja ime thoshte: “Na bajnë pis…”, komshiu: “Na bajnë zhurmë…”, baba, çuditërisht, më thoshte: “Si me m`gjujt me gur…” etj. etj. Pastaj shkonim në turne. Shpesh m`i linin pa ngrënë e pa ujë. Kështu sa të vuajnë gardalinat e pafajshme, ç`bëra, ia fala një çift kanarinash nga më të mirat Ndokë Palit, një mikut tim që linte “jetën” e “kokën” pas tyre.
Në mos gaboj keni pasur një dashuri të veçantë për zogjtë. E vërtetë?
Po. Unë kam pasur një shok të ngushtë dhe ky ishte piktori i talentuar Ismail Lulani, që dashurinë për zogjtë e kishte edhe më të madhe. Kishte dhe një durim të jashtëzakonshëm, do të thosha gjer në dhembje, për to. Ato krijesa i trajtonte si fëmijë dhe i adhuronte gjer në shenjtëri; aq sa, edhe eksperimentonte me zogjtë. I kryqëzonte racë më racë. Ismaili ka mbajtur edhe pëllumba, edhe pula tauke. Në shtëpi kishte vërtet një kopsht zoologjik. Kujdesej e nuk dinte kurrë të ankohej. Në shtëpi mbante gjëra të bukura, sepse shpirti i tij ishte i bukur. Le pastaj vepra e tij, është madhështore…
Ismaili sot nuk jeton. I ka lënë një boshllëk të madh qytetit tonë, Shkodrës. Ishte njeri i mrekullueshëm. Jemi rritur bashkë. Fillimisht ishte kursi i pikturës që na lidhi, të cilën e bënim në Shtëpinë e kulturës. E shoqëria jonë zgjati jo pak, por 50 vjet.
Gjatë një bisede që kemi bërë para disa vitesh, në mes të tjerave, kujtoj edhe këtë shprehje: “Unë erdha nga rruga…” Mos po gabohem?!
Nuk gaboheni. Është plotësisht e vërtetë. Kjo më kujton fillimet e rrugës sime artistike. Fillimet artistike…! Mendoj se s`kanë asgjë të veçantë me të tjerët. ABC-ja e kësaj rruge fillon… Dhe nuk e di pse, sikur një zë i largët, i dashur, i pafajshëm sikur më thërret edhe sot. E vërtetë… Si të gjithë fëmijët, edhe unë e kam filluar me ato shfaqjet fëmijërore në mëhallën time. “Foleza” e parë ka qenë bodrumi i shtëpisë sime. Tani, përveç zërit të fëmijërisë, po thërras nëpër vite edhe kujtimet. Kujtoj mësues Lec Sekujn. Shkruante me dorën e majtë. Më vonë, po nga mësues Leci, por kësaj here isha në klasën e tretë, luajta në dramën “Rrugaçat e penduem”. Nuk e di kjo dramë a ishte përsëri inskenim, apo e shkruar nga dora e majtë e mësuesit tim të paharruar! Kujtoj se ishte një dramë e këndshme dhe edukative.
Më pas rruga ime ka vazhduar me recitime e me interpretime pjesësh teatrale. Në vitin 1945 kam interpretuar në dramën “Lufta e Tiranës” të S. Vaqarit, të cilën e vuri në skenë Shtëpia e Pionierit. Këtë pjesë, e kujtoj, që e kemi dhënë dhe te ish-shkolla e Parrucës. Ajo shkollë ka pasur edhe një sallon teatror.
Jam aktivizuar edhe në rrethin e pikturës, në korin e fëmijëve, në… Më ka pëlqyer çdo gjë artistike. Mbase këtu ka luajtur rol edhe natyra ime kureshtare. Më vonë jam aktivizuar në grupin teatral të Shtëpisë së Kulturës. Kam bashkëpunuar fillimisht me Teufik Dukën, më pas me Andrea Skanjetin, si regjisorë. Ndërsa për një kohë të shkurtër edhe me artistin Preng Lëkunda. Unë i thashë të gjitha këto, por t`ju them të drejtën, nuk kisha mendim të merresha me teatër. Siç duket dalëngadalë, në mënyrë të pakuptuar, erdhi e u poq dëshira për të parë spektakle. I shihja me kënaqësi, duke mos munguar asnjëherë. I shihja edhe me një sy kritik, sa mund të ishte syri im kritik, atëherë i një fëmije!…
Sikur më humbët nga rruga…?
Jo. Nga “rruga” kam ardhur… Po kujtimet janë aq të shumta sa nganjëherë nuk i lënë radhë njëri–tjetrit. Patjetër doni të dini si ka ndodhur…? Atëherë, punoja në NTLUS (… që të mos harroj, kam punuar edhe fotograf). Një ditë të bukur pranvere, mbaj mend që ka qenë e diele. Po bëja xhiro (traditë kjo e shkodranëve) në pjacën e qytetit tim, kur më ndali regjisori Andrea Skanjeti. Më thotë: “Bep, si do të ishte që të vije të punoje në teatër?” U habita. Pastaj duke qeshur i thashë: “Kush, unë…?! Pse mendon që e bëj këtë punë?!” Andrea më thotë: “Ti hajde njëherë, e provoje…!”
Caktuam një ditë dhe një orë. Para jurisë recitova një poezi, bëra një etyd si ma mori mendja, dhe si mbyllje tregova një barcoletë, nga ato me humor fin shkodran. Me siguri duhet të kenë mbetur të kënaqur, se pas dy ditësh erdhi të më kërkonte korrieri i Shtëpisë së Kulturës. Cuf e kishte emrin, Cuf kultura i thoshin në qytet. Tani fillova të mendoja seriozisht. Im atë, Kola, që ishte marrë shumë vite me teatër, sikur… s`ia donte qejfi. Shokët nuk më linin rehat. Më thoshin: “E ke vendin në teatër!” Dhe… “më detyruan”!
Hyra në teatrin profesionist të qytetit tim me 15 ditë vonesë. Ama hyra. Ishte viti 1960. Hyra dhe… mblodha mendjen. Në tërë jetën time artistike, i kam ndjekur me shumë vëmendje dhe zbatuar këshillat e mësimet e regjisorëve. Kam punuar me shumë dëshirë dhe pasion, aq sa dija natyrisht, dhe kam ardhur deri këtu ku jam…
E kujtoni rolin e parë?
Roli im i parë si profesionist në teatër, që ka dhe një kujtim të mirë, ka qenë ai i Vel Sokolit në dramën “Nora” të Andrea Skanjetit. Për mua mbetet i dashur se… Më dukej vetja sikur kisha hyrë në një pyll lisash me aktorë të vjetër që ishin me emër, që i kishin dhënë fytyrë teatrit “Migjeni”. E unë në mes tyre si një filiz kërkoja të shkoja sa më lart, me pa diell, që të rritesha. Pra, siç thashë, m`u besua roli i Velit. Kur bën një bilanc pune, rolet mund t`i krahasosh me ato gurët kilometrikë të rrugës. Megjithëse është i pari dhe jam larguar shumë, “qet kryet” më shumë se të tjerët. Sot po ta interpretoja atë rol dhe po të ishte mundësia ta filloja nga fillimi edhe njëherë, e di unë se si interpretohet ai rol. Di që ka pasur të meta, di që është bërë dhe një shkrim ku jam kritikuar. Të metat e rolit të Velit kanë qenë jo nga mosdëshira ime, por nga mosnjohja e gjuhës së teatrit. Pra, mos harroni: “… unë vija nga rruga…”. Regjisori më fliste e unë s`e kuptoja, sepse unë nuk kuptoja gjuhën e teatrit. Tek unë njihnin disa cilësi që i kisha shfaqur në grupet amatore, por se kush është Bep Shiroka nga brenda askush nuk e dinte. Sidoqoftë, interpretimi im, duke pasur partnere Roza Xhuxhën (Anagnostin) sollën një atmosferë të re në teatër. Të mos harroj edhe emrat e Paulin Prekës, Rrok Dajçit, Fejzi Spahisë, Hajrie Sulës…
Në bisedën time përdora termin: “atmosferë e re”. Dhe kjo është e vërtetë. Ishte e nevojshme, sepse nuk kishte aktorë që të interpretonin rolet e të rinjve. Aktorët Lec Bushati, Tinka Kurti, Paulin Lacaj, tashmë kishin kapërcyer disi moshën…
Vitet e karrierës artistike dhe sa role keni interpretuar?
Më shumë se 40 vjet në teatër. Kam marrë pjesë në rreth 160 drama (premierë, dramë, komedi). Në shumicën e tyre, ndoshta edhe për fatin tim, ndoshta nga që s`kam pasur partner tjetër më të mirë se unë, pothuajse kam interpretuar role kryesore. Por edhe figurantësh, ashtu si dhe karakteresh… Kam pasur role të realizuara shumë mirë, mesatare dhe ato që s`kanë dalë hiç mirë. Bile, kam pasur edhe rast, për ndonjë rol kam bërë shumë përpjekje, dhe nuk e kam realizuar. Kjo ndodh në jetën e një aktori… Ndaj, dhe është i bukur teatri: një shfaqje nuk del si tjetra. Ashtu siç thuhet me të drejtë: “Në teatër çdo natë lind, rritet dhe vdes një vepër”. Me një fjalë aktori interpreton shumë role, jo të gjitha janë të përkryer. Por ka pasur edhe dramë me nivel të dobët artistik, që unë kam pasur rol kryesor, dhe mund të them se… më dukej sikur nuk ishte interpretimi im… Nuk të ngacmonte. Nuk kam dëshirë ta kujtoj… Edhe kujtesa ime kërkon ta harrojë… Por ka pasur edhe raste, vërtetë role të vogla, tri fjalë i gjithë roli, por më ka dhënë krahë të fluturoj… Sidoqoftë unë për zemër kam 20 role.
Ne, qemë aktorë që punuam në kushte të vështira, kështu që nuk na u dha mundësia që të jepnim… Politizimi, formatet, skematizmi na mbinin si kërpudhat. Megjithatë në këtë mjedis u rritëm e u bëmë aktorë. Kam interpretuar në dramat e Kolë Jakovës, Fadil Krajës, Ndrekë Lucës, etj. Gjithashtu kam interpretuar rolin e Viktorit te “Histori Irkutase”, të Aleks Mushës te “Këneta”, të Shpend Sadrisë te “Plaku i Maleve”, të Dashit te “Fisheku në pajë”, të Dëshmitarit të shtatë te “Hetimi”, të Garsenit te “Me dyer të mbyllura”, të Reshitit te “Shpartallimi”, të plakut Amo te “Çmurosja”, të plakut te “Ftesë për darkë”, te “Baca i Gjetajve, te “Franku i V-të”, te “Vizita e inspektorit”, te “Rrena me kamë të gjata”, në teatrin e poezisë: “Kanga e dhimbjes krenare” e “Tregim për Makbethin”… e deri te “Ishulli i Shitenit” në rolin e Gabrielit, një personazh që më shkaktoi shumë lodhje fizike, shpirtërore e artistike për ta realizuar…
A keni rol apo disa të tillë që kanë hyrë në rezonancë me jetën tënde?
Çdo regjisor, kur niset për të dhënë një rol, sheh diçka tënden. Për shembull: përshkrimin që i ka bërë autori anës së jashtme të personazhit, botës së brendshme të tij, etj. etj. Pra, regjisori përpiqet të gjejë figurën që i përshtatet kësaj figure. Me që “të ka pa diku…” me ato tipare që përmenda më lart, shtoji edhe eksperiencën e aktorit, regjisori mendon se do ta bësh rolin e caktuar. Mund të ndodhin edhe zhgënjime… E rëndësishme është që aktori ta fusë veten e tij në rol në mënyrë të natyrshme, bindëse e jo të rëndomtë. Të japë nga vetvetja botën e tij të brendshme e të pasur…
Në pjesët teatrore që keni interpretuar, cili ka qenë mendimi juaj artistik për regjisorët?
Të gjithë regjisorët i kujtoj me nderimin më të madh. E duke trokitur në portën e viteve, kujtoj… kur kam hyrë për herë të parë në teatër. Regjisor: Andrea Skanjeti, një burrë shumë i mirë dhe me kulturë të gjerë. Jetën e tij ia fali teatrit.
Regjisor në teatrin “Migjeni” ka qenë dhe Lec Shllaku. Në atë kohë nuk kam qenë në teatër. Ishte regjisor me emër që, jo vetëm në teatrin e Vendlindjes por edhe në atë të Elbasanit la gjurmë. Në këtë të dytën emri i tij e krijoi atë.
Pas tyre, i pari që erdhi me shkollë të mbaruar, ishte Esat Oktrova. Teatri i Shkodrës i detyrohet shumë… veçanërisht brezi im. E deshëm shumë…
Pastaj në jetën time artistike, regjisori që ka zënë vend më shumë ka qenë Artisti i Popullit, Serafin Fanko. Jo vetëm një regjisor i talentuar, por edhe një aktor shumë i mirë. Ai punoi shumë vite dhe teatrit i krijoi një profil interesant. Unë kam pasur fat…
S`dua të harroj që kam punuar edhe me Mihallaq Luarasin te “Cuca e Maleve” e me Arben Kumbaron te “Franku i V-të”, që në këtë pjese unë kam luajtur një nga rolet më të dashura e më të bukura të jetës sime. Pavarësisht se spektakli u bë në një kohë të papërshtatshme, sepse ishte koha e fillimeve të Demokracisë, e atëherë kishte shumë rrëmujë, shkatërrime, zhurmë… Kështu që pjesa nuk pati jetë të gjatë. E përsëris, ishte një kohë kur thyheshin xhama, e për rrjedhojë edhe teatrit tonë iu thyen shumë xhama. Ndaj, u shfaq afro 10 herë. Por ama, ishte një vënie në skenë plot pasion e nivel nga regjisori Kumbaro.
Aktori, a mund të jetë një figurë e “harruar”?
>p>Ehh..! Unë kam pasur fatin e madh, që kam punuar në teatrin “Migjeni”. Në mund ta krahasoj skenën e këtij teatri zëmadh me një lulishte, aty kanë lulëzuar të gjitha lulet, e në kuptimin figurativ, të gjitha lulet kanë qenë plot ngjyra e erëkëndshme.
Unë nuk dua që një aktor të jetë lule e harruar, si dhe harresa të jetë bashkudhëtare e aktorit. Aktori me lojën e tij, kurrë nuk e ka lënë skenën ta mbulojë pluhuri, aq më shumë ai i harresës. Skenës, jeta e aktorit i ka dhënë jetë! E, nga që s’e kam dashur kurrë harresën, dua t’i them së paku nja dy fjalë kujtimi për disa figura të harruara në thonjëza, të cilët kanë dhënë talentin e shpirtin e tyre, dhe me dashuri kanë skalitur e krijuar fytyrën e teatrit “Migjeni”. Përmenden Tinka Kurti, Zef Jubani, Vitore Nino me të drejtë; por janë edhe disa figura të tjera që kanë qenë krahas tyre, vërtetë, ndoshta kanë thënë dy fjalë, por në interpretimin e atyre dy fjalëve kanë shkëlqyer, kanë qenë si dritë. Të kanë emocionuar! Ato u ngjajnë edhe yjeve. Edhe pse të vegjël e në largësi, ata ndriçojnë. Janë, ama, yje!…
Të tillë kanë qenë Adem Kastrati, Artist i Merituar. Një ndër aktorët e rrallë që ka pasur teatri “Migjeni” për sa i përket talentit dhe intuitës së tij ekzakte. Pa hyrë në detaje të jetës së tij që ishte një njeri i mrekullueshëm. Paulin Lacaj, një aktor karakteresh i mrekullueshëm, një burrë fort i mirë, i urtë, zotni në kuptimin e vërtetë të fjalës, i cili e punonte rolin me detaj; detaj, detaj çdo gjë. Ka qenë Ndoc Sheldia, brilant, vërtet me disa gjëra të vogla, por që shkëlqente. Ka qenë Prenkë Lëkunda, i fuqishëm shumë. Ka qenë Pistol Soja, Jonuz Dini, Klotilda Shantoja, – kjo e fundit një aktore karakteresh e shumë simpatike, një njeri me humor të këndshëm dhe pastaj një këngëtare po me një zë të bukur.
Prandaj kur hyra në teatër, u gjenda në mes këtyre njerëzve që më ofruan një botë të madhe e të magjishme aktori. Dhe, kur hyra unë, hynë dhe Paulin Preka, që pse edhe më vonë kaloi në estradë, ka qenë një aktor i rrallë në dramë, Roza Xhuxha kishte dy vjet përpara; hyri Rrok Dajçi, Fejzi Spahia, Hajrije Sula, një aktore e mrekullueshme, që më vonë kaloi në estradë por edhe në teatër ishte e tillë.
Ja, pra, këto edhe të tjera, që lanë gjurmë në skenën teatrore, nuk duhet të jenë të braktisura në vite, është e pafalshme të mos kujtohet njeri, është e pafalshme të mos respektohen vlerat që u krijuan në dekada.
Partnerët… me siguri i kujtoni…
Si jo.
Siç e thatë vetë “pika e dobët” e juaja është piktura. A mund të na vizatoni disa nga partnerët?
Po mendohem… Fillimisht dua të them se skena është një vend i dashur, i shtrenjtë dhe i shenjtë. Aty, përgjegjësinë e kemi njëlloj, si ai që ka një ditë në teatër, si unë që kam 40 vjet. Jemi përpara spektatorit. E spektatori nuk do të dijë: kush jam unë e kush është ai. Në qoftë se ai apo unë me interpretimin kemi lënë mbresë, në fund të fundit kemi bërë punën. Për këtë arsye, në vështrimin më të gjerë, unë i kam quajtur edhe spektatorët partnerët e mi. Më kanë dashur e më kanë duartrokitur. I falënderoj dhe u jam borxh gjithë jetën. Edhe sot që kam dalë në pension, kur takohem me shumë prej tyre, gjatë komunikimit me to, e kuptoj që akoma nuk kam dalë në pension…
Tani të vijmë te “pika e dobët”. Pothuajse të gjithë i kam pasur partnerë. Partnerja e parë që kam interpretuar në teatër, ka qenë Roza Xhuxha (Anagnosti). Më pas, për një periudhë shumë të gjatë kohe, ku numërohen një sasi e madhe dramash, partnerja kryesore ka qenë Tinka Kurti (Artiste e Popullit). Është privilegj, nder e kënaqësi të interpretosh me një partnere të tillë. Duhet të kesh aftësi të luash me të, sepse është aktore e fuqishme dhe me një diapazon të gjerë. Prej saj kam mësuar shumë…
Dua të kujtoj, se edhe në shumë drama kam pasur partnerë: aktoren e talentuar Vitore Nino, mikun e zemrës Ndrekë Prelën, Lec Bushatin, Prenkë Lëkundën, Ymer Balën të cilin e kam shumë mik. Ai sot është larg, e unë kam mall për të… Po ashtu kam mall edhe për çiftin Shllaku (Paskualinën e Brunon), s’mund të harroj Nefail Piraniqin, të mrekullueshmin si njeri e si aktor… Të gjithë i kam pasur partnerë, ashtu siç e thashë dhe në fillim, dikë më shumë e dikë më pak… Kjo është jeta! Ne, aktorët kemi ndenjur më shumë me njëri-tjetrin se sa me njerëzit e familjes…
Si keni punuar me rolin dhe si e keni mishëruar atë artistikisht?
Unë s’mund të them se kur kam bërë këtë rol, kam ndenjur pa gjumë. E për të shitur mend, mund të thosha: “kam ba kështu, ose, kam ndejë pa ngrënë, ose, kam shiku filanin, ose, jam vu mbrapa filanit si ecën… Këto punë me të thanë të vërtetën nuk i kam ba.”
Jam përpjekur t’i realizoj rolet sa më thjeshtë, sa më njerëzore. Kështu kam menduar se u jap jetë e ata jetojnë. Këtu ka dhe një problem. A ia kam arritur t’i vizatoj, kjo është punë tjetër. Këtë do ta thonë studiuesit e kritika, si dhe spektatorët… Unë, në karrierën time artistike, kam ndjekur në mënyrë rigoroze parimin që ka pasur aktori i pazëvendësueshëm i humorit shqiptar, aktori brilant Mihal Popi, kur i thoshte regjisorit: “Unë dua të di tri gjëra: – Cili është ky rol, ky personazh?, – Çfarë bën?, – E ku shkon?, Të tjerat i di unë!”
Me atë interpretimin e tij të thjeshtë gjer në madhështi, Artisti i madh Mihal Popi (që lindi në Shkodër ashtu sikurse artisti tjetër i madh, Sandër Prosi), la kryevepra rolesh, si: dy prefektët: Qazim Mulleti e Andon Andonoviçi, atë të kalorësit te “Zonja e bujtinës” etj. që mbeten të pavdekshme në fondin e artë të komedisë shqiptare. Të kuptohemi, këtë nuk e bëj të krahasoj veten me Mihal Popin, sepse nuk jam kurrkund, por nuk i kam ngatërruar shumë gjërat, s’kam bërë teori të mëdha e filozofime çudibërëse. Jam munduar të punoj thjeshtë. Jam përpjekur që të qëndroj me këmbë në tokë. Kjo më ka ndihmuar që të qëndroj e të mos rrëzohem. E, ky është sekreti në mund ta quajmë i “imi”. Sekret tjetër s’kam…
Gjithmonë e kam pasur si veçori timen apo si natyrë: jam përpjekur ta shoh rolin që në momentin e parë, ta lexoj. E kam vizatuar në mendjen time se, kështu duhet të jetë ai. Doemos më ka ndihmuar shumë edhe vizatimi. Shpesh herë kam bërë iks personazh: o të veshur kështu, ose të veshur ashtu. E kam bërë në disa plane dhe më kanë dhënë rezultate për t’i parë më mirë disa gjëra. Edhe një kuriozitet. Tekstet e mia i kam me plot personazhe të “vizatuara”, shumica e të cilëve i kam interpretuar.
Një pyetje përsëri për rolin: çfarë i keni marrë dhe çfarë i keni dhënë?
Jam përpjekur të mos jem “mbinjeri” e mbi të tjerët. Nuk më kanë pëlqyer fluturimet. Më pëlqen (dhe kam bërë gjithherë) që profesioni im të mos jetë mbi profesionet e të tjerëve. Kur nuk e respekton profesionin e tjetrit, qoftë edhe saraç po të jetë, mos prit ta respektojnë të tjerët profesionin tënd. Kjo është jeta. Edhe ky, edhe kjo, edhe ai, edhe ajo… të gjitha i shërbejnë jetës, siç i shërben profesioni im si aktor. Se ne, aktorët, jemi si në vitrinë. Jemi atje në skenë, ku ulur në karrige na vështrojnë e na ndjekin mijëra sy. Ndaj, në jetën qytetare ka një njohje të gjerë. E pse jo edhe nga klubet e kafenetë mund të kesh ftesa… E rëndësishme është, të mos bësh lëshime të tilla që të dëmtojnë personalitetin tënd. Sidoqoftë fjala e urtë e popullit: “Të njohin shokët, a je i mirë, moj nanë!”, mbetet gur i çmuar në jetën time.
Tani të vijmë tek pyetja: “Çfarë keni çuar në teatër?”
Të gjitha këto besoj që reflektohen në skenë te rolet… Kujtoj, kur mora titullin “Artist i Merituar”. Them që kishin kaluar dy muaj. Po dilja nga teatri. Binte një shi, si në Shkodër. Kisha kaluar kthesën e teatrit, kur më afrohet një njeri i veshur me një peliçe nga ato pambuku, e me një palë çizme të mëdha e tërë baltë. Më thotë: “O Bep Shiroka, më erdhi mirë që të kanë nderue”! Në të vërtetë nuk e njihja. Bile as nga pamja nuk e pashë. Më bëri përshtypje urimi i tij i veçantë me shpirt e pa hile… S’e harroj. Më bëri të mendoj: “Paskam bërë edhe unë diçka për këtë qytet, për Shkodrën time!”
A ju pëlqen humori?
Natyrisht që po. Se Shkodrës nuk i kanë munguar humori dhe humoristët. Të qeshurën shkodrani e merr me qumështin e nënës. Por unë kam lindur në një shtëpi që është bërë humor. Jam i biri i Kolë Shirokës, i njohur, në Shkodër, për humor e Karnavalet.
Përmendët babain?
Po. Nga ai kam trashëguar dashurinë për pikturën, për muzikën…
Edhe humorin…
Edhe humorin, sigurisht. Por s’kam qenë i zoti sa ai. Ah, edhe diçka. Humori i babës tim më ka ndihmuar të ndërtoj figurën e xhandarit në filmin “Koncert në vitin 1936”.
Gjithnjë me humorin. Jam nipi i Filip Daisë, i përmendur për barcoletat e famshme shkodrane. Vetë nëna ime, e kujtoj, që pat thënë: “Në kët’ shpi vetëm qeshet”. Kështu jam rritur në ambient humori dhe patjetër që kam marrë diçka… Jo se jam komik. Nuk e quaj veten të tillë. Në fakt nuk jam, aq sa nuk di me qitë një bejte me dy rreshta.
Veten e quaj aktor të dramës, se drama më pëlqen, ajo zë vendin e parë. Çdo aktor është mirë që nga njëherë të lozin edhe komedi. Dikush mund të thotë: “Nuk mundem!” Unë ruaj mendimin që, aktori ka nevojë të ndërrojë fytyrë që ta zgjerojë fytyrën e vet, të largohet nganjëherë edhe prej “vetullave të ngrysuna” të dramës.
Ndonëse kanë kaluar vite, dua t’ju pyes: “Si e organizonte babai juaj, Kola, festën e Karnavaleve?
Karnavalet janë një nga shumë aktivitetet, për të cilat qyteti i Shkodrës, ka ngritur i pari flamurin. Pra, Shkodra është qyteti, ku për herë të parë u zhvillua festa e karnavaleve që daton në vitet 1878. Karnavalet organizoheshin në dy ditë: të dielën për fëmijët dhe të martën për të rriturit. Që prej kësaj kohe karnavali u kthye në një festë të gëzueshme popullore që vinte në dukje fenomenet negative.
Karnavali, me sa kam njohuri unë, është një festë pagane, por që është përpunuar në vite dhe është përshtatur sipas kushteve specifike të vendeve të ndryshme. Në vendin tonë, festa e karnavaleve ose siç thoshte populli “festa e surretënve”, zhvillimin më të madh e mori në fillim të viteve ’30. Kjo festë organizohej nga popullsia e besimit katolik, një natë para se të fillonin të Lidhurat (kreshmet), por që e shijonte dhe merrte pjesë pastaj i gjithë qyteti pa dallim besimi. Festa zakonisht fillonte ditën e martë në mëngjes dhe përfundonte në darkë. Në këtë spektakël nuk kishte organizatorë, në të merrnin pjesë të gjitha shoqëritë kulturore të këtyre viteve, kur them se ishin afro 4000 pjesëmarrës pa llogaritur pastaj numrin e shikuesve që edhe këto me veshjet e tyre merrnin pjesë në dekorin e kësaj shfaqjeje. Si traditë e kësaj dite, ishte përgatitja e petullave, djathit dhe rakia. Çdo familje hapte dyert e shtëpive dhe njerëzit hynin e dilnin tek njëri-tjetri, pavarësisht se nuk njiheshin. Grupet e shoqërive që përgatiteshin në Itali, vinin një muaj para festës. Po kështu mjeshtërit shkodranë një muaj para festës fillonin shitjen e maskave për këtë ditë. Kjo atmosferë ka vazhduar gjer në vitin 1940, ku karnavalet u ndërprenë për arsye të luftës.
Temat kryesore që trajtoheshin ishin hallet dhe problemet e popullit të asaj periudhe. Ky grup karnavalesh që kryesohej nga Kolë Shiroka arriti të japë shfaqje gjer në Tiranë para pallatit mbretëror duke tallur ministrat e atëhershëm. Kjo ka bërë që shoqërisë “Rozafat” që përfaqësohej nga Kolë Shiroka, t’i ndalohej organizimi i karnavaleve.
Me mbarimin e luftës, rreth viteve 1950, babanë e thirrën për të organizuar një karnaval, por këtë herë tema ishte politike dhe e porositur nga lart. Duhej të talleshin Çurçilli, Trumani, De Goli, Titoja, etj. Si për të konkretizuar këtë festë, sollën në shtëpinë tonë dy kuzhinierë që të gatuajnë petullat, disa kuti teneqeje me djathë, si simbole të kësaj feste. Këta tipa karnavalesh me porosi nga lart, u zhvilluan 2–3 në periudha të ndryshme, si gjithnjë tematika ishte në funksion të qeverisë komuniste.
Karnavalet janë festuar në Shkodër deri në vitin 1967. Pas këtyre viteve kjo traditë u la në harresë, për të rilindur përsëri pas vitit 1992.
Atëherë, le të kthehemi përsëri tek figura e aktorit. Çfarë kanë ndryshim këto dy plane (komik e dramatik) dhe ku e ndjeni veten më mirë?
Më mirë… Njeriu e ndjen veten më rehat aty ku i pëlqen më tepër, ku të ngacmon. Unë e ndiej veten, siç e thashë më sipër, në dramë. Një shembull. Drama “Hetimi” i P. Vajs-it, vënë në skenë nga Artisti i Popullit, Serafin Fanko. Ishin vitet ‘80.
Në atë dramë nuk kam ndonjë rol të madh. Kam një personazh, që quhet Dëshmitari i 7-të, që flet tri herë nga një batutë dhe ka një monolog shtatë minutash. Shtatë minuta monolog! Ishte një monolog që edhe gjysmë minute të rrija më tepër në skenë, s’isha i zoti të qëndroja në këmbë. Në atë monolog kalonin të burgosur, të vdekur, njerëz që torturoheshin, që qanin, të lemerisur, të tmerruar, që bërtisnin, që klithnin, që shpresonin, që ëndërronin, kocka, fëmijë e gra të mbytura, fëmijë që s’arrin të shqiptonin një fjalë, gra që kërkonin ndihmë… Çfarë nuk kishte ai monolog brenda! Por, unë atë rol, në karrierën time artistike, e kam si një gur të çmuar dhe e ruaj të çmuar. Është një kujtim i bukur dhe i paharruar!
Unë nuk them se rri keq edhe në komedi. Por për sa i përket rëndësisë së punës janë njësoj si drama e si komedia. Për komedinë, unë jam kundër disave që thonë: “Hajt, se komedi po lozim.” Dhe harrojnë se edhe në këtë gjini duhet të kesh, bile, më disiplinë se sa në dramë. Personalisht, jam edhe me mendimin që të ketë improvizime të sakta, por që e përligjin artistikisht situatën. Pra nuk jam për krijimin e batutës për batutë, dhe aq më shumë që kjo është komedi. Sepse, kjo gjini do mund, djersë, mendim, ndoshta më tepër se sa drama. Prandaj, unë, kur jam duke interpretuar në dramë ose komedi, them, se jam duke interpretuar në teatër.
Të ndalemi te filmi me që na nxori “rruga”, desha të them… biseda. Keni krijuar dy figura interesante, që do të mbahen mend gjatë: Fanatiku te “Çifti i lumtur”, xhandari te “Koncert në vitin 1936”. Si i ka “vizatuar” loja interpretuese e aktorit Bep Shiroka, rritur në një ambient shkodran?
Para se t’i përgjigjem pyetjeve po bëj një parantezë. Po e përsëris: zakonisht jam marrë më dramën. Atë e kam për zemër. Por… nuk do të ishte keq që aktori gjatë punës të luante edhe në komedi. Diku, më sipër, unë e kam shtjelluar me gjerë këtë problem. Po e theksoj, sepse dua ta lidh me veten time. Mendoj që nuk është e prerë: “O në dramë, o s’ka! O në komedi, o s’ka!” Duke u nisur nga ky mendim i hyra komedisë. Komedia e parë që e kaloi “provimin” me sukses ka qenë “Çifti i lumtur” i Bik Pepës. Tani parantezën e mbarova. Po i jap përgjigje pyetjeve.
“Çifti i lumtur” ka një histori. Fillimisht ishte skeç. E pa aktori i talentuar i humorit, Artisti i Popullit, Tano Banushi, e tha: “Ta bëjmë komedi!” Biku (Pepa) nuk hezitoi. E punoi shpejt. Punuam të gjithë me qejf me në krye regjisorin e talentuar Serafin Fanko, i cili, na la të “lirë”. E ne çdo ditë bënim humor më përpara me njëri-tjetrin, se sa të fillonte puna për komedinë. “Qit e prit” batuta, sa nga unë, sa nga Vitorja, sa nga Nefaili, sa nga Marija, që ishim aktorë në këtë komedi. Pastaj vinte seleksionimi artistik, dhe çfarë mbetej me vlerë bëhej mish i komedisë.
E shfaqëm. Jehona e suksesit ra në veshin e aktorit Ndrekë Luca e më vonë të regjisorit Piro Mani. Sugjerimi i tyre ishte të bëhej film. Dhe unë në këtë film luajta rolin e Fanatikut. Para se të flas për rolin, dua të jap edhe një mendim për filmin: më duket se nuk ka dalë shumë filmik, sikur është pakëz i ngurtë, mbase i besuan shumë komedisë nga që ishte e gatshme.
Tani për rolin e Fanatikut… Jam përpjekur me dhanë shkodranin, jo për fajin e atij “Fanatiku”, po për fajin e kohës që kaloi, që jo pak kanë pasur dy fytyra: një në shtëpi, një në punë. Pra, si bazë ka qenë njeriu me dy fytyra. Nga shkrimet që kam lexuar në shtyp, interpretimi im në dhënien e kësaj figure është pritur mirë. Siç duket ka tërhequr vëmendje.
Kam pasur fatin që komedisë në fjalë i kam bërë dekorin. Kështu që shtëpinë e Fanatikut e kam bërë me musandër shkodrane. Shtëpitë siluetë, kurse musandrën realiste, butafori e vërtetë. Kjo ishte për komedinë që e vumë në skenën e teatrit “Migjeni”. Kur u bë film, do t’ju tregoj që e kemi bërë me rrobat, orenditë dhe mobiliet e shtëpive tona. Bile mori pjesë edhe kanarina ime e dashur, që në film pati fatin e keq që në një moment xhirimi u rrëzua dhe vdiq, e shkreta! U bë “theror” për filmin. Mua m’u dhimbs… Më kujtoi zogjtë, që i dua aq shumë!
Para se të kalojmë te filmi “Koncert në vitin 1936”, një mendim për figurën e hallës, me të cilën keni dialoguar gjatë shumë sekuencave të filmit, dhe që u interpretua nga aktorja Vitore Nino, Artiste e Merituar?
E kam thënë edhe në një intervistë, Vitore Nino është një aktore brilante. Asaj i buronte humori me të gjitha ngjyrat. I buronte në mënyrë krejt të natyrshme, pa sforco. I kishte shoqet e rralla…
Tani…
Tani për filmin “Koncert…” puna ndryshon. Nuk ka ndodhur si te “Çifti i lumtur”. Ishte i ndërtuar me skenar, skenar për filmin. Pra, kishte të tjera hapësira. Rolet ishin të ndërtuara jo si në teatër. Regjisori Saimir Kumbaro më dërgoi skenarin me shënimin: “Bep, zgjidh, kë të duash rol”. T’ju them të drejtën më pëlqeu roli i xhandarit. E kam punuar me shumë dëshirë. Mbase ndikoi dhe grupi i mrekullueshëm që ishim, si Robert Ndrenika, Birçe Hasko, Roland Trebicka… të gjithë, të gjithë deri të banori i fundit i Libohovës. Edhe ata e ndjenin veten pjesëtarë të këtij filmi. Ndoshta është i vetmi film që kam kaluar shumë mirë. Ta them me të vërtetë si me këtë film…. ndonëse kam luajtur 20.
Në këtë film kam interpretuar rolin e një xhandari, që kujton se është gjithçka e s’është asgjë. Ky lloj tipi shkon pas prefektit, pas kryetarit të Bashkisë, pas gjithë nëpunësve, merret me mbytjen e qenve, me vendosjen e afisheve, pra merret me të gjitha, bërtet në kupë të qiellit kot së koti, por askush nuk i vë vesh. Pastaj kur është fjala për detaje, kam parasysh disa persona të caktuar, p.sh. kur rrahu me shufër të gjatë, kam parasysh një punonjës tonin në teatër, që kur bënim shfaqje për fëmijë mbante një thupër të gjatë. Hipte në gropë të orkestrës, tundte me nervozizëm thuprën. S’i linte fëmijët as të qeshnin, edhe kur ishte skena për të qeshur.
Përsëri me Bepin si aktor filmi…
Më bëhen rreth 20 filma. Do të kisha pasur më shumë, por çdo herë jam penguar nga teatri. Jo, se kishte kush ndonjë mendim të keq për mua, por unë isha i angazhuar në të gjitha pjesët që shfaqeshin në teatër. Kështu që nuk i leverdiste askujt që unë të bëja “mungesa”. Megjithatë ka pasur një periudhë që unë kam kaluar nga filmi në film… dhe për këto kam kujtime të bukura. Kam filma që më pëlqejnë, si “Çifti i lumtur”, “Koncert në vitin 1936”. Dua të përmend edhe një film që unë e kam dashur shumë, por pati një fat të keq… Ky ishte “Historiani dhe kamaleoni”. Dhe odiseja e tij fillon, kur i presin 600 m film filmit. I prenë, por s’ditën çka ngjitën e ku ngjitën. Më pas më thirrën pas 6 muajsh për të xhiruar disa skena të tjera, por ehhh… u shkatërrua ai film. Po përmend edhe disa filma: “Si gjithë të tjerët”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Në pyjet me borë ka jetë”, etj.
Nga filmi kalojmë përsëri tek teatri… Njiheni edhe si skenograf?
Skenografia zë një vend të rëndësishme në jetën time artistike. Gjithnjë kur kam marrë rolin e një drame, atë e kam parë me dekor, edhe kur s’kam qenë skenograf i asaj shfaqjeje. E kam ndërtuar dekorin me fantazinë time. Përpjekja e parë për të ndërtuar një dekor ka qenë drama “Zekthi” i E. Vojniç-it. Me aftësitë e mia zgjidha 12 tablotë e kësaj drame. Pastaj kam punuar skenografitë e dramës “Fisheku në pajë” të Fadil Krajës, të komedisë “Çifti i lumtur” të B. Pepës etj. Bëhen gjithsej 30 skenografi. Më përmendët skenografinë, por unë po gjej përsëri rrugë për të folur edhe pak për pikturën. Është si puna e gjuajtjes së peshkut, mikrob i vjetër kjo piktura. Kur shkonim në turne, me vete merrja dhe kasetën me ngjyra. Një peizazh, një portret, një skicë-ide, një kompozim… kanë qenë kënaqësi të veçanta për mua! Kam marrë pjesë në ndonjë ekspozitë kombëtare. Për 25 vjet rresht kam qenë amator i rregullt i ekspozitave lokale. Piktura ka qenë dashuria ime e parë…
Cilat janë kujtimet më të bukura të jetës në teatër?
Kjo është një pyetje e vështirë. Kam kaluar një jetë të tërë në teatër. Emocione e “provim” ka qenë çdo premierë e re. Nuk mund të harrohen shqetësimet dhe loja e aktorëve për ta bërë shfaqjen sa më të bukur, gjithashtu shqetësime të natyrshme të punës sonë, roli kur ka dalë i mirë, gëzime e shqetësime, e plot momente të tjera që nuk harrohen lehtë… Kemi pasur momente solidariteti me njëri-tjetrin ndër momente shumë të vështira… Gjithsesi edhe në këto momente kishte edhe rreze kënaqësie me njeri-tjetrin, batuta e kundërbatuta, të qeshura… Dhe e qeshura, ndërmjet shokësh, çuditërisht kishte një ngjyrë vëllazërimi, miqësie e dashurie…
Çfarë ju ka mbetur peng nga puna në teatër?
Jo vetëm Bep Shirokës, por edhe shumë aktorëve të brezit tim, na kanë mbetur shumë gjëra peng pa u interpretuar. Aq më tepër ne, aktorët e provincës, po i quaj kështu se, dashur pa dashur kështu kemi qenë. Se në Tiranë hapësira ka qenë ndryshe dhe është ndryshe, konceptet mbi civilizimin kanë qenë në lartësi të tjera, nga rrethet e tjera.
Ne jemi aktorë disavjeçarë me një eksperiencë shumë të madhe. E pengu ynë është se nuk e provuam Shekspirin, apo klasikët e tjerë të dramaturgjisë botërore… Ky është një boshllëk i madh për aktorin. Në fund të fundit ky ishte fati ynë…
Sa e ndjeni heshtjen e studios?
Unë me shokët e mi kaluam një jetë në teatër, në studio. E kujtoj edhe tani atë studio të mbushur me tymin e duhanit. Ajo ishte bërë shtëpia e dytë, për të mos thënë shtëpia e parë, e jona. Sepse më shumë kemi ndenjur në teatër se sa në shtëpi. Njeriu ka kujtimet e tij. Kujton rolet e para, e pse jo edhe debatet, krijimin e figurave artistike… etj., etj. Që të gjitha këto, e shumë të tjera që lashë pa përmendur, lidhen në mënyrë të padukshme me atë që quhet studio. Ndoshta të sjellë momenti, rasti, ftesa apo malli, por shkoj në teatër. E gjej të heshtur atë studio! Në heshtje të plotë. Sikur s’jeton kush, sikur s’punon kush. Të vjen keq, vrenjtesh në fytyrë, të ikën gëzimi…
E…, duke mos iu larguar studios, dua t’Ju pyes: sa e mobiluar ka qenë ajo?
Nuk qëndron e gjithë vlera e një shfaqje te mobilimi. E para duhet të jenë njerëzit e talentuar për të bërë këtë shfaqje. Pastaj të ketë një drejtim të përsosur, të ketë një material dramatik të mirë në dorë. Kur të jenë këto, edhe sikur dy karrige të ketë studioja, shfaqja bëhet e mirë, shfaqja prapë bëhet e bukur… Natyrisht mund t’i mungojnë disa garnitura të vogla, por nuk ia zbehin vlerat e vërteta shfaqjes. Po e përsëris: karriget, dritat, efektet e dritave, skenografia… etj. etj., ndihmojnë, por ato tri gjëra që përmenda në fillim janë baza. Po e përsëris, më shpresë duke mos u bërë i bezdisshëm: mundesh me dy llamba, dy karrige, pa dekor; të bësh një shfaqje të mrekullueshme.
Po cila është magjia e studios?
Unë kam hyrë në studion “Zef Jubani” më 2 shkurt 1960. Aty kam ardhur pas një hezitimi. Pastaj e vendosa përgjithnjë. Hyra në studio. Pashë ata aktorë që unë i kam parë në ëndërr, por… se mund të vijë një ditë të punoj e të jetoj me ta, asnjëherë nuk e kam menduar. Aty gjeta V. Ninon, T. Kurtin, V. Sekujn, R. Xhuxhën, P. Lëkundën, A. Kastratin, P. Lacajn, L. Bushatin, Nd. Prelën… Më të rinjtë P. Prekën, P. Sojën etj., regjisor Andrea Skanjetin. E unë u gjeta në mes tyre. Gjeta ngrohtësinë e atyre njerëzve. Portat e shpirtit të tyre ishin pa çelësa. Më morën. Nuk shikuan diferencën e moshës. Më afruan dashamirësi. Thitha atë çka ishte më e mirë, çka ishte më e bukur e më me vlerë në fushën e aktrimit. Dhe këtyre njerëzve, në çdo moment, edhe sot e kësaj dite, u them: Faleminderit!
Spektatori Ju ka dashur e duartrokitur gjithmonë… Cila është fjala Juaj…?
Jo sot, jo sot në këtë moshë që jam, por edhe kur kam qenë në fillimet e mia, spektatorin e kam quajtur një ndër gjërat më të rëndësishme në punën e njerëzve që punojnë në teatër. Teatri i Shkodrës ka pasur emër të madh. Por një meritë të këtij emri, ja ka dhënë edhe spektatori me inkurajimin, me dashamirësinë që ka pritur çdo shfaqje e që ka duartrokitur çdo aktor. Spektatori, veçanërisht ai shkodran, na ka ndjekë, na ka përkrahë, na ka respektuar… Një artist skene nuk do gjë tjetër më të madhe së këto. Dhe unë kam plot ngjarje për të treguar… Po mjaftohem vetëm me dy.
E para,
“Ishim në një turne artistik në qytetin e Vlorës. Po afronte Viti i Ri. Ju e dini që Vlora ka portokalle. Duhej të merrja për vete, për nënën, për… (bëheshim shumë vetë në familje). Afrohem. Në të vërtetë radha ishte e gjatë.
– Çfarë do ti, Shkodër? – më tha shitësja.
– Portokalla, kishe me dashtë.
– Po, do t’i marrësh, si s’do t’i marrësh! Largohuni, ju, gjithë të tjerët. Mos t’ju vijë keq! Ky është aktori i Shkodrës. E njohim të gjithë. Po unë do t’i jap çfarë kërkon…
Me të thanë të drejtën me erdhi zor…, se kishte shumë njerëz në radhë. Por të gjithë më nderuan, si vetë shitësja”.
E dyta,
“Përsëri Viti i Ri. Kësaj here në Tiranë. I afrohem një dyqani, ku kishte plot njerëz.
– Largohuni, t’i japim atij Fanatikut të hallës, diçka, – foli shitësja. Hajde, ti, Fanatiku!…
Bleva gjelin e detit dhe ca mollë”.
Ky është spektatori që në çdo rast të respekton. Ndjeva një emocion të veçantë. I thashë vetes: “… siç duket… edhe unë paskam bërë diçka të vogël, paskam lënë një gjurmë, u paskam krijuar kënaqësi këtyre njerëzve, të cilët po ma shpërblejnë sot.
Bep Shiroka 73 vjeçar. E kujtoni fëmijërinë, rendjen pas gardalinave?
Bashkë me mallin e fëmijërisë më vijnë edhe këngët e zogjve. Për të gjuajtur gardalina kam dalë në livadhe, te Fabrika e Tullave. Më tepër kam dalë te penda e Kirit. Ishte fushë atje. Nuk kishte vetëm fëmijë, por edhe burra, bile edhe burra me mustaqe që gëzoheshin e bëheshin fëmijë, kur gardalina binte në kapak të traplit. Nuk është për t’u çuditur, pasioni kështu e ka… Gjithashtu dua të them, që i vogël kam hyrë shegert, herë te ndonjë rrobaqepës herë te ndonjë argjendar. Lagia sokakun, u blija ushqimet e shtëpisë etj., etj. Më vonë kam punuar në bujqësi, piktor, fotograf… Që të gjitha këto më kanë bërë t’i them “jo” punës. Të gjitha këto më kanë ndihmuar në punën time në teatër. Më kanë bërë të njihem, të shikoj, të prekë gjërat me dorë, pra, të depozitohen të gjitha tek unë.
Po sot, si vazhdon rituali i ditës?
Çdo ditë rreth orës 8.00 të mëngjesit dal nga shtëpia e me këmbë bëj rrugën deri te Ura e Bunës. Kam qejf të lëviz një fije, se jam shëndoshur shumë. Kjo është gjimnastika ime.
Përse keni zgjedhur si stacion të fundit: Urën e Bunës?
Nuk e di, por… unë me origjinë jam nga Shiroka. Të parët e mi kanë jetuar pranë ujit. Pastaj, ku ka ujë, ka jetë. Ndoshta… më merr malli për ujin! Në valëzimet e tij sikur ndiej zërat e të parëve të mi, fëmijërinë e tyre, fëmijërinë time, e pse jo edhe fëmijërinë e nipave dhe e mbesave të mia.
Kështu është e përditshmja?
Po, përveç së shtunës. Fundjava më zë me miqtë e mi të vjetër, te “Freskia”, një lokal, edhe ky te Ura e Bunës. Kur pimë atë kafe apo atë gotë konjaku, na duket sikur jemi nën mbrojtjen e Rozafës. Edhe pse kanë kaluar shekuj, ne ende vazhdojmë të dëgjojmë porositë e saj.
Nuk keni frikë që hyni në legjendë?
Ah, jo, jemi më shumë se tre ustallarë. (qesh)
Dhe kështu, organizator kemi Kel Spatharin simpatik, tepër simpatik (tashmë ka ndërruar jetë, – shënimi im Xh. B.). Pastaj atij që i rri karrigia bosh, mjekut Sandër Ashta. Ka qenë lezeti i tavolinës. Nuk jeton më. E ruajmë kujtimin e tij. Në karrigen e tij nuk ulet askush. Gotën e ka të mbushur gjithmonë. Pastaj vjen Ismail Sulo nga Tirana. Është mjeku tjetër ky. Vjen çdo javë. Ka vendin e vet. Kemi Kel Pogun. Ka qenë mekanik në PAM. Kemi Ndoc Gjergjin, inxhinier. Ka shëtitur hidrocentraleve. Tani është në Itali. Vjen shpesh. Kemi edhe dy mekanikë: Bahri Cikojën e Ndoc Kapcarin. Këto janë “ustallarët” e kësaj tavoline që mblidhen çdo të shtune te lokali “Freskia”…
A i thoni vetes, edhe kjo ditë më iku kot?
Shumë herë… Ndonëse mundohem të mos e kaloj kohën kot. Herë me një shok, herë me një libër (dua shumë Fishtën e Migjenin. Shvejku më argëton gjithnjë. Mbetet përherë aktual), herë me një tablo (se piktura është pasioni im i vjetër), herë me një… Por ka edhe ditë që pyes veten time: “Po sot, ç’ka të bëj?” Dhe vetvetiu më kujtohet një poezi e tim eti, Kolës, kur thoshte në kohën e Karnavaleve: “Nuk ka se ku shkon ma zi/ me t’ardh keq se doli drita/ nga që i mjeri zanatli/ me duer n’ijë rri se ban dita”.
Sa vend zë Shkodra në bisedat tuaja?
Shkodra, qyteti ynë i lindjes, zë vendin kryesor. Dashuria për të është e pafund… Shtytës është doktor Ismaili (Sulo) (tashmë ka ndërruar jetë, shënimi im Xh.B.). I pasionuar dhe idealist për Shkodrën, don të dijë çdo detaj të saj. Në të vërtetë janë dhe bisedat për Shkodrën, të pafund…
Mos harro se, rreth kësaj tavoline që mblidhemi, të gjithë jemi mbi 65 vjeç. Por në spektrin e bisedave që bëjmë, shpesh bëhemi edhe fëmijë. Fillojmë e kujtojmë fëmijërinë, rininë, ndonjë edhe periudhën e ushtrisë, e të gjithë, çuditërisht bashkohemi e bisedojmë për pleqërinë.
Mos harro se, të gjithë merremi me të gjitha problemet që ka qyteti. I trajtojmë me humor e të qeshura… ashtu siç di shkodrani.
T’ju them të drejtën, mezi pres të vijë përsëri e shtuna. Të takohemi, të bisedojmë e të kujtojmë përsëri e përsëri…, aty nën hijen e ROZAFËS! / KultPlus.com
Kanë kaluar 30 vjet nga dita që doli albumi “Nevermind” që do të shënonte ndryshim jo vetëm në zhanrin e rokut por edhe në historinë e përgjithshme të muzikës.
Albumi “Nevermind” u ngjit në nr.1 në SHBA, në 1 nëntor. Ashtu si çdo gjë tjetër në historinë e rock-ut alternativ dhe grunge, “Nevermind” nuk ishte një sukses i papritur. Ishte forca e jashtëzakonshme e këngës “Smells like teen spirit” që projektoi Nirvana-t – dhe të gjithë lëvizjen grunge – në vëmendjen e njerëzve. Një përzierje transmetimesh në radio dhe prania e madhe e videos tashmë klasike në të gjithëpushtetshmen MTV, nxiti një furi të tillë për Nirvana-t, sa që disqet e tyre shiteshin më shpejt nga sa mund të prodhonte etiketat reparti përkatës i marketingut.
“Nevermind” rezultoi të jetë një prej albumeve jo vetëm më të shitura por edhe më me ndikim të publikuar ndonjëherë.
Brenda një viti, pjesa më e madhe e albumeve që dolën mes gushtit dhe shtatorit 1991 (“Blood sugar sex magic”, “Ten”, “Nevermind”) kishin arritur shitje stratosferike. Edhe më e rëndësishme, ishte se suksesi i këtyre albumeve dekretoi fundin e rock-ut të viteve tetëdhjetë.
Janet Billig Rich, që kish punuar si menaxhere mes të tjerëve për grupe si Nirvana, Smashing Pumpkins dhe Hole, pa me sytë e vet drejtuesit e kompanive të mëdha producente që të garonin për grupet e Seattle. “Mund të krijoje një grup dhe më pas të shkëpusje një frazë mbi ta, ndoshta duke ia atribuar atë Kurt Cobain-it. Melvins janë një shembull i përsosur. Kurtit i pëlqenin Melvins, kështu që të gjithë donin të firmosnin një kontratë me ta. Ishin të gjithë në gjendje shock-u. Në të vërtetë gjithçka ishte bërë shumë e lehtë. Ishte ekonomi e pastër. Nirvana-t ishin bërë një sistem ekonomik”. / KultPlus.com
Shkrimtari norvegjez, Kjell Askildsen, vdiq në moshën 91-vjeçare, njoftoi shtëpia botuese norvegjeze “Oktober”.
Askildsen shkroi mjaft romane dhe novela gjatë dekadave të tij si shkrimtar dhe konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e Norvegjisë së pasluftës me stilin e tij të matur dhe minimalist.
“Ai vendosi një standard të tijin për artin e novelës dhe prozës dhe është një humbje e madhe për letërsinë norvegjeze, si edhe për shtëpinë botuese “Oktober”, shpjegoi drejtoresha e botimeve, Ingeri Engelstad.
Aksildsen bëri debutimin e tij në 1953 me “Tani e tutje, unë do të të shoqëroj deri në shtëpi”.
Ai ka marrë disa çmime për veprat e tij, përfshirë Çmimin Nordik të Akademisë Suedeze, që jep edhe Çmimin Nobel për Letërsinë, në 2009.
Disa nga veprat e Askildsen janë botuar, gjithashtu, edhe në anglisht, të përkthyera nga Sean Kinsella, Jon Fosse dhe Eric Dickens. / KultPlus.com
Poeti Xhabir Ahmeti ka përkujtuar djalin e tij, aktorin e njohur Luran Ahmeti, i cili në muajin mars të këtij viti humbi betejën me koronavirus.
Dedikimi prekës i tij:
Përkujtim
GJASHTË MUAJ PA DJALIN TONË TË MIRË, LURANIN
Biri ynë, u bënë gjashtë muaj që lëngjyra e zezë të largoi prej nesh. Aq shpejt ikin ditët e aq e gjatë na duket mosprania jote në këtë shtëpi. Thuajse gjashtë shekuj na ndajnë prej teje.
Këto vite të fundit dora e padukshme e llahtarit mori shumë miq të veçantë. Na ka ikur Abdullah Zymberi, na ka ikur Teki Dervishi, Musa Ramadani, Ramadan Musliu, Bekim Lumi, Faik Mustafa, Enver Shala, Shaban Rexha, Jonuz Mahmuti, e plot, plot miq të tjerë të moshave të ndryshme. Të gjithë burra të mirë. Gjuhëtarë, shkrimtarë, aktorë e regjisorë, gazetarë, arsimtarë dhe shumë e shumë njerëz të mirë. Na ike edhe ti biri ynë Luran me ta. Nga kjo murtajë e mallkuar, e cila nuk ka të ndalur. Nuk kalon ditë ajo pa marrë me dhjetëra njerëz të tjerë. Pa i veshur në të zeza dhjetëra e dhjetëra familje në këtë vend të vogël. Dhe, hapësira jonë nuk është më ajo që ka qenë. Gjithçka është ndryshe. Është më e varfër për shumë talente, na mungojnë miq e të dashur. S’ka më hyrje e dalje. S’ka takime me shokë. Madje nuk na e shtrin kush dorën. Në vend të shpresës për të ardhmen e sigurt të fëmijëve, gjithandej na kanoset e panjohura dhe grindjet rajonale e grindjet globale, në vend të bashkëpunimit të botës mbarë për ta mundur këtë hata. Marria anë e kënd botës ka marrë hov që si re e dendur e zezë t’i dalë përpara diellit e të na çojë kah kataklizmi. Nëna, gra, burra, vëllezër e motra, bij e bija janë veshur në të zeza, sepse thuajse të gjithë kanë humbur një njeri nga familja e fisi. Ditën ikin njerëzit nga njëri-tjetri, natën aty-këtu dalin jashtë në park, të marrin pak ajër të pastër. Por gjithmonë – larg prej njëri-tjetrit. Matanë rrugës që e ndan parkun në dy pjesë vijnë zëre të rinjsh. Nuk kumbojnë më, nuk janë zëre rinie me nota gazmore, por janë zëre të zbehta, të mekura. Janë zëre të plagosura. Dhe, të rinj e të moshuar jetojmë në pasiguri se çfarë do të na sjellë e nesërmja. Kemi mbetur veç e veç, larg njëri-tjetrit, në pushtetin e vetmisë dhe sahora e dëgjojmë ndonjë bisedë nga dritaret e hapura nga ndërtesat pranë parkut. “A dëgjuat? Ndërroi jetë N.N. … A dëgjuat? U dogj spitali modular…”. Pastaj dëgjohet gjëma e fuqishme. Ndonjë nënë qan. Vaji rri pezull njëherë e dikur lëshohet poshtë duke mbuluar me pikëllim të madh çdo kënd. Rreth nesh pakësohen njerëzit e shtohet gjëma. Është kjo një copë e egër e historisë së këtyre anëve, janë rrëfime për zbrazëtinë, për rrezikun që i kanoset mugullimit të jetës. Lulet nëpër veranda që më parë çelnin prush e që i falnin gjithë ato ngjyra këtij vendi të përvuajtur, sot janë rralluar shumë. Kjo është sprovë e madhe. Përveç gjëmës gjithçka është e shtemët: muret, drurët, tetari ku punoje. Vetëm yjet shtohen në qiellin tonë të heshtur. E meqë shpresa është plagosur, sytë e njerëzve janë drejtuar kah qielli, jo nga e ardhmja. Se e ardhmja nuk duket kund në horizont. Nga atje lart, nga qielli i pafund, derdhet e arrin te ne drita dridhëruese e yjeve. Shumë vatra të qeta, shumë vatra të cilave oxhaku u tymonte kah lartësitë, sot kanë mbetur në pushtetin e qetësisë. Të mbuluara me një tis zie. Vetëm ju, biri im, jeni bërë metafora të dritës. Sa dritën e bëjnë nga lartësitë qiellore dëshmorët, sa dritën e bëjnë njerëzit e artit, të kulturës e të arsimit, sa miqtë që na i mori kjo murtajë e zezë. Sa dritën e bën edhe ti, biri ynë, Lurani ynë, derisa në netët pa gjumë e evokojmë me pikëllim praninë tënde, që aq shumë na mungon. E kjo dritë na vjen si një fresk i butë për ballin të cilit s’i hiqet zjarrmia nga kjo atmosferë llahtari. Është kjo dhembje e madhe, djegë e papërshkrueshme si ajo e Ajkunës që qan Omerin e Ri. Është kjo një dhembje epike.
Të mbetur kështu midis hallit sizifjan dhe pamundësisë, midis vetmisë dhe pashtegdaljes , midis këtij logu të përhimë dhe mureve të absurdit, pa kurrfarë ofertash që ta bëjmë të pamundurën për ta detyruar akrepin e orës të kthehet me ngut prapa e të jemi ashtu siç kemi qenë, bashkë me ty e pranë teje e ti me ne e pranë nesh, t’u gëzohemi bashkë planeve tua, sukseseve tua, humorit dhe buzëqeshjes tënde, biri ynë, sot u bënë gjashtë muaj. Gjashtë muaj u bënë si një buqetë dhembjesh. Gjashtë! Ne, të mbetur këtu përhimtësi, të rrethuar me shtëpi të braktisura, dalim Lurani ynë e të kërkojmë midis luleve, të cilat e kanë pakësuar erën e mirë dhe s’të gjejmë dot aty, por midis yjesh. Midis luleve nuk është më as ajo zukama gazmore e kandrrave, por pushtetin e vet e ka shtrirë heshtja e madhe që të sjellë në buzë të çmendurisë. Dhe, nuk ka më shumë lule nëpër fushë, sepse njerëzit i kanë mbledhur t’ua falin të afërmeve të tyre që prehen në amshim.
Ne jemi gjithmonë në verandë e shikojmë lartë qiellin e stolisur me yje. Atje të gjejmë. Ti je ai ylli shkëlqyes që sillesh rreth hënës së mërzitur e cila e ka marrë pamjen e nënës tënde të përlotur. Të shikojmë dhe i ndjejmë rrëketë e lotëve përvëlues që na shkojnë faqeve. Kjo gjendje jona, gjëma jonë, i zgjon dhe i alarmon të gjithë për hallin që kanë, përveç atyre që i kanë frenat e pushtetit shëndetësor në dorë në të gjithë botën. Dhe, të gjithë njerëzit që kanë pësuar këso goditjesh si e jona rreshtohen pastaj në varganin e gjatë të pamundësisë të mbështjellë me të zitë e natës që nuk ka fund. Të gjithë ne të ndrojtur jetojmë e do të jetojmë me kujtimet për ju.
Fëmijët e vegjël, ata të klasave të para, si Arbushi, që i mbledhin nga tridhjetë a dyzet veta në klasë bashkë, edhe ata janë të ndrojtur. Edhe ata vuajnë në mënyrën e vet fëmijërore, sepse edhe ata e kanë mësuar fjalën e tmerrshme virus. Edhe ata i kuptojnë lajmet e zeza. Edhe ata e marrin vesh se thuajse çdo ditë shumë veta mbeten pa një njeri në familje. Dhe, nuk e përjetojnë atë gëzim që e kanë pasur fëmijët e viteve të mëparshme kur kanë qenë në klasën e parë. Fëmijët e tashëm kur e bëjnë hapin e parë për të hyrë në shkollën që e kanë ëndërruar ballafaqohen me pasigurinë: duhet t’i dezinfektojnë duart e vockla me një lëng të panjohur. Edhe ata e dinë më se kaq shumë fëmijë në një hapësirë të vogël paraqet rrezik. Prandaj heshtazi shkojnë e dezinfektohen. Pastaj shkojnë një nga një në klasë, ulen dhe presin fjalën e ëmbël të mësueses. Të mësueses së tyre të mirë që aq shumë e duan.
Në pushim këta vogëlushë jepen pas lojës. Vrapojnë e për një çast i dorëzohen gëzimit që e sjell jeta. Po sa bie zilja që u bën me dije se ka mbaruar mësimi, ndërron qëndrimi i tyre. Vogëlushët Fëllaza e Premtimi që gjatë kohës sa luanin shndrisnin nga gëzimi e krenaria, tash dalin vështirë nga shkolla, sepse babi i vajzës dhe nëna e djalit nuk janë midis prindërve të tjerë para dyerve të shkollës. Ata nuk do të vijnë kurrë më t’i presin filloristët e tyre. Sa ftohtësinë e ndjejnë kur i dëgjojnë fëmijët tjerë duke bërtitur: “Babi im… Nëna ime”! dhe vrap shkojnë në përqafimin e ngrohtë prindëror. Kurse Fëllaza dhe Premtimi i fërkojnë duart e vockla dhe pa zë i afrohen njërit prind që u ka mbetur në tokë dhe mendojnë: ah sikur ta kisha pasur edhe unë mamin/babin tim do ta përqafoja fort, fort!…
Kur fëmijët kthehen në shtëpi vrap shkojnë t’i lajnë duart e vockla se ashtu i ka mësuar mësuesja, ashtu u ka thënë dikush në shtëpi. Kanë frikë. E kanë kuptuar edhe ata se virusi e mban shigjetën të ngrehur pas shpinës së gjithkujt. Edhe ata janë të vetëdijshëm se çfarë do të thotë të mbetesh përnjëherë pa një njeri të dashur në familje. Ato krijesa engjëllore janë privuar nga e drejta e tyre themelore të jenë të gëzuar e të rriten në lumturi.
U bënë gjashtë muaj, bir, në këtë atmosferë të vrugtë. Gjatë kohë u bë për ne, shumë gjatë, po kurrsesi s’del nga shpirti ynë ai gjarpri helmues që na erdhi si dënim në çastin kur u largove ti nga ne. Ai çdo ditë na merr nga një grimcë jete që po e ruajmë për Arbën tënde. Megjithatë ne mundohemi të xixëllojmë këtu duke e përhapur dritën që na e fal ti nga kupa qiellore. Është ajo dritë e dashurisë që kemi pasur për ty kur e shohim Arbën. E shikojmë fytyrën tënde në fytyrën e saj të bukur. Arba atëherë qesh e fillon të bisedojë me ne dhe thuajse çdo herë nuk e lë pa të përmendur: “Babi im”!…
Është kohë lemerie, kohë murtaje dhe tash i ngrenë kokat e veta hallet e mëdha. Të gjithë ata që kanë mbetur në pushtetin e zisë i mbyllin dritaret e rrinë në terrin e vetmisë së vet, me dertet e veta. I mbyllim edhe ne dritaret dhe pas pritjes së gjatë aurorana e kujton = se na ka ikur edhe një ditë pa ty. Çfarë vetmie e madhe është kjo e jona. Është më e madhe se e Makondos, sepse kjo është e rrethuar me mure të trasha të banesave, të një shtëpie, të një dhome, të protokolleve, të vendimeve e çvendimeve, ndërsa në Makondo njerëzit kanë qenë të ndarë nga bota, por kanë qenë bashkë me njëri-tjetrin të gjithë fshatarët, kanë shkuar te njëri-tjetri, të mirën e të keqen e kanë ndarë bashkë dhe janë përpjekur ta gjejnë kuptimin e kësaj jete, duke folur njëri me tjetrin. Dhe, çka është me rëndësi bota e Makondos e izoluar po, por jeta atje rrjedh normale. Te ne është ndryshe. Ne rrimë duarkryq të vetmuar, pa fqinj e miq, rrimë e presim Godonë në këtë ngushticë tonën prej banese me të vërtetën e dhembshme se ty nuk të zëvendëson asgjë. Ne jemi në botën e Pedro Paramos.
Edhe Arba e vogël ecën nëpër të panjohurën e ftohtë duke të të kërkuar korridoreve të ndërtesës sonë të madhe, në park dhe para shkollës. Kur e sheh se nuk të gjen pranë vetes si fëmijët tjerë që shkojnë dorë për dore me etërit e tyre, ajo ndjehet keq. Ndjehet e braktisur kur fëmijët në lojë në park e përsërisin: “Babi im, babi im”. Edhe ajo, Arba e vogël, e hap dritaren e vet për shkak të flakës që e djeg për babin e saj. Dhe shikon hapësirat e panjohura e të paskajme. Kur e merr flaka e dashurisë për babin e vet dhe kur ajo ia djeg shpirtin e pastër, Arba revoltohet dhe na fajëson neve për gjëra koti. Na duhet kohë që ta qetësojmë. Por asaj megjithatë i mbetet një zbrazëtirë që s’e lë të qetë. Atëherë ajo sërish krenohet me babin e saj. Dhe, vazhdimisht na e përsërit: “Unë jam njësoj si babi im”! Është dashuri e pafund e një vajze të vogël për babin e saj. Por është edhe dhembje e pafund. Madje ajo e ka shkruar një letër për ty, bir, pra për babin e vet, Luranin, sa ishe në spital e ajo të priste t’i kthehesh. Edhe tash vazhdon të përsërisë si fëmijët tjerë: “Babi im është më i miri… Babi im është më i forti”! Letrën ia ka diktuar gjyshes së saj dhe po e jap fjalë për fjale, pa shenja pikësimi, si e ka diktuar ajo duke ecur nëpër dhomë si një Dostojevsk i vogël:
“Babi im i dashur dhe zemërmirë je babi më zemërmirë që kam njohur unë vajza jote Arba po t’i çoj këto letra për të të shëruar ty se ti je fati im unë kurrë nuk kam njohur ndonjë babë edhe mamë si ju sepse ju kujdeseni për mua edhe unë kujdesem për ju dhe nuk do të dorëzohem kurrë për t’u kujdesur për ju babi im i mirë unë të dua edhe s’dua asnjë babi tjetër s’do të të humbas kurrë edhe s’do ndaloj së kujdesuri për ty ti babi im më i dashur në botë po t’i çoj këto letra dhe dashuria ime babi im i dashur unë dua të t’i çoj këto letra me gjithë mirësinë dhe dashurinë që kam sepse ti je babi më i mirë që kam njohur unë nuk dua asnjë babë tjetër sepse unë do të t’i çoj të gjitha ushqimet edhe çfarë të thuash ti derisa ti të shërohesh sepse unë nuk dua asnjë babë tjetër të kisha sepse ti je i vetmi babë më i mirë që kam njohur dhe nuk dua të të humbas kurrë sepse je më i miri në gjithë universin edhe në gjithë sistemin diellor edhe sapo të shërohesh do të jesh baba më i shëndetshëm në botë edhe unë do të të dua shumë”.
Arba e di se ti je ndër yje, biri ynë. Kështu i kemi thënë ne. Por drita jote yllësore nuk e gëzon. Përkundrazi: e djeg. Ajo nuk e di se yjet në qiellin tonë janë shtuar dhe se po shtohen e kështu edhe shumë fëmijë renditen në rreshtin e gjatë që e presin babin ose mamin e tyre t’u kthehet nga e panjohura. E ajo me kokën e saj të vogël pyetet: pse ikin kështu etërit dhe nënat e fëmijëve?
Edhe ajo është mësuar që shpeshherë të shikojë kah qielli. Atje lart, nga yjet, e sheh si përhapet e arrin te ne drita qiellore pak si e turbullt të na bëjë me dije humbjen e madhe. Ne e dimë se është kamxhiku i fatkeqësisë sonë. Ajo e ka vështirë ta kuptojë këtë. Ajo të do këtu. Larg i duken yjet. Këtu i duhesh dhe do t’i duhesh sa të jetë jeta.
Arba na bën gjithfarë pyetjesh për ty e për yjet. I tregojmë se secili e ka yllin e vet lartë. Dhe, secili ka dëshirë ta shohë si bën dritë ylli i tyre. I themi se secili i ka vënë emrin e të dashurit të tyre yllit. Yllin që është aq larg e aq afër zemrave të tyre. Ylli i babit të saj është më i bukuri sepse quhet Luran. “Babi im është më i miri”! thotë Arba.
Edhe ne, si Arba, kur shikojmë lart e shohim se Ti je ai ylli shkëlqyes që sillet rreth hënës së mërzitur e cila e ka marrë pamjen e nënës tënde të përlotur.
Të duam Lurani ynë. Të duam pa fund! Të gjithë: mami, babi, Linda, Edlira dhe Arba, bija jote e mrekullueshme. / KultPlus.com
Do të ishte tepër e dobishme për kombin tonë, nëse institucionet tona akademike, ato të arkivave, bibliotekave instituteve të historisë e albanologjisë dhe fushave tjera kërkimore të ishin të interesuara të nxirrnin dokumentet arkivore e bibliotekare mbi historinë e kombit tonë arbëror europian nga arkivat dhe bibliotekat e shteteve europiane që ruhen aty.
Një kordinim i mirë me këto institucione dhe formimi i një grupi studiuesish e historian të fushave të ndryshme e periudhave të ndryshme historike, pastaj lidhja apo bashkëpunimi me arkivat dhe bibliotekat e shteteve europiane do të kishte një dobi të madhe në përmbushjen e misionit të madh të gjetjes dhe mbledhjes së dokumenteve të historisë së kombit tonë e cila është mbuluar nga pluhuri i harresës dhe do t’i shërbente të vërtetës dhe forcimit të themeleve të autoktonisë ,gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar arbëror europian.
Prandaj nisur nga kjo, i ftoj institucionet, si ato akademike, të arkivave e bibliotekave dhe instituteve që të bëjnë të mundur me anë të mbështetjes së shtetit tonë dhe ambasadave në vendet ku ka dokumente historike të kombit tonë që të krijohet një grup studiuesish, specialistësh e historianësh dhe të nxjerrin si bletat mjaltën për historinë e kombit tonë, ashtu që brezat ta mësojnë të vërtetën dhe bota të njohë edhe më mirë të kaluarën dhe kontributin e iliro-arbërorëve në historinë e njerëzimit.
Nëse kjo iniciativë e imja dëgjohet do të ishte në dobi të kombit tonë dhe historisë së saj, unë këtu ku jam do të jem i gatshëm që së bashku të nxjerrim dokumentet historike që ruhen në arkivat dhe bibliotekat e shteteve europiane e në këtë rast në bibliotekat dhe arkivat e Austrisë.
Por, nëse kjo iniciativë nuk dëgjohet atëherë, nuk kam se çfarë të bëjë, duhet që me forcat vetanake dhe mundësit t’i qasem e të vazhdojë hulumtimet në arkiva dhe biblioteka që deri sa të jem gjallë të nxjerrë dokumentet historike që janë mbuluar nga pluhuri i harresës e që janë të shumëta dhe me shumë vlerë e interes për zbardhjen e plotë të së vërtetës së historisë së kombit tonë arbëror europian. / KultPlus.com
‘Kafiqi’, ajo që nënkuptojmë të gjithë me këtë shprehje, është sigurisht shenja kryesore që shpërfaqë “zbulimin” e paradoksit, të çudisë dhe të padrejtësisë përbrenda vetë të vërtetës!
Si? Kafiqi ka lindur dhe vjen nga vendet Islame, aty ku ka filluar të konsumohej kafja publikisht. Si kafene. Sot ‘kafiqi’ është shenja më kundërshtuese dhe më e urryer nga e shumta e komuniteteve religjioze. Jo vetëm për shkak të alkoolit e drogave të cilat janë të pandashme nga ai, por aq më shumë për shkak të fenomeneve sociologjike bashkëkohore fuqishëm të ndërlidhura me seksualen dhe aq më shumë me homoseksualen, apo thënë shkurt me të ashtuquajturën – libertine.
Por shih çudinë e padrejtësisë së të vërtetës! Globalisht, ‘kafiqi’ është vetë ambienti ku lind edhe ekstremizmi religjioz, e edhe ekstremizmi libertin, pavarësisht kush e frekuenton, si është dizajnuar apo çka konsumohet brenda tij.
Apo, padrejtësia e kësaj të vërtete, të cilën po e jetojmë është në paradoksin se edhe duhet të – karantinizohemi – dhe edhe të përkarhim njëri tjetrin në këtë kohë ankthi e tragjedie e rreziku për jetë nga pandemia.
Dhe, duke u kthyer në vendoren dhe rajonalen e ‘kafiqit’ sot, kjo padrejtësi e të vërtetës është pikërisht në tradhtinë: mishërimin e të huajës në shqiptaren! Apo në hedonizmin Prishtinas, sidomos, gjatë kohës së luftës në Kosovë! E që është vetë lufta në frontin e parë, pavarësisht se nuk është bërë, dhe nuk bëhet në të vërtetë, me vrasje masive e shkatërrim masiv. Por të nisemi nga fillimi!
‘Kafiq’ – ç’ është me të vërtetë? Fjalë, kulturë dhe frymë serbe?! Apo gjurmë e përvojës dhe shkëmbimit ndër – kulturor? Kafiq, sikur edhe pub, bar, e më tutje klub/club e kafe e rakisë, të gjitha janë shenja të nisura një herë në atë që njihet si “kafiteri” dhe kësaj radhe nga Franca e Parisi, e më pas e përhapur në pafund versione dhe asimilime të shijuesve dhe përvojës së kësaj sociologjie dhe kulture.
Kafiq – (me të gjitha emërimet dhe profilet e mundshme) është ndryshe në të vërtetë për të gjithë, në vendin ku e ka zanafillën, e deri tek banesat “guerrilla” në metropole gjatë kësaj kohe të pandemisë. Dhe njëjtë si në tërë botën, edhe në Prishtinë – kafiqi – e ka shtjellën (vibe dhe vetëdijen) krejtësisht unike.
Sot në Prishinë sidomos, ka shumë konflikte kulturore, shpirtërore e qoftë edhe politike lidhur me rolin, apo edhe luftën e qoftë edhe tradhtinë e ndodhur në ‘kafiq’ dhe ‘kafiqa’ të Prishtinës. Në të vërtetë ky është një prej komplekseve të rrezikshme dhe që vazhdimisht akumulon frustrim e zemërim përbrenda shoqërisë kosovare.
Por, duke u nisur nga zanafilla, në Jugosllavi lufta ishte të zgjoheshe, të vetëdijesoheshe e të krijoje qëndrimin tënd nacional dhe të përkatësisë. Kështu dhe kishte filluar, dhe ishte – lejuar – nga vetëdija jonë konservative dhe tradicionale (aq më shumë nën mekanizmin mbrojtës kolektiv) fenomeni sociologjik, apo vetë sociologjia e ‘kafiqit’. Tërë historia, vetëdija dhe shpirti kosovar është “zier”, dhe aq më shumë konfrontuar, në ‘kafiq’.
[1] Në këtë seri të shkrimeve me qëllim përdoret kjo shprehje serbe!
Apo, të përmbledhim tërë këtë në një pyetje: a mund të jetë kultura që buron dhe mbrun ‘kafiqi’ luftë? Nëse fenomeni i tërë sociologjik ‘kafiqi’ kufizohet tek seksualja dhe rakia (dhe pastaj tërë ajo që shkon pas saj), a mund të jetë kjo luftë? A mund të jenë këto dyja luftë – në liri? Dhe kafiqi – front?
‘Kafiqi’ si shprehje gjuhësore, si shpirt kulturor, si qytetari e kozmopolitanizëm, është në të vërtetë vetë kompleksi dhe paradoksi i po të njëjtave. Në të vërtetë ‘kafiqi’ që prej të qenit fjalë serbe, e tutje deri në ditët e pandemisë sot, është gjurma e represionit dhe lirisë (apo vetëm mirëqenies) në Kosovë e Prishtinë. Është gjurma e luftës dhe e tradhtisë! Është gjurma e kompleksit të bashkëkohores dhe modernes së shndërrimit të botës në një “global village” (fshat global).
Në ‘kafiq’ ka lindur lufta dhe përpjekja për liri të – zgjedhjes -; për liri të seksit; për liri të vetëdijes dhe për liri të kolektiveve e komuniteteve. Vallëzimet e para mashkull femër me – sentish -; flirtet e para; ndarjet dhe njohjet e para, etj. Me një fjalë, shkëputja nga konservatizmi, dhe hapja e shoqërisë sonë kanë pasur zanafillën dhe kanë ndodhur vetëm në ‘kafiq’.
Në ‘kafiq’ ka lindur lufta dhe përpjekja për rakinë, për dehjen dhe për eksplorimin dhe eksperimentimin e përvojës dhe të lirisë.
Në ‘kafiq’, po ashtu, ka lindur edhe sociologjia e – vetëvendosjes – dhe e fuqizimit të kolektivit tonë.
Në ‘kafiq’ është bërë një luftë krejtësisht e vërtetë pikërisht gjatë luftërave në Kosovë! / KultPlus.com
Edicioni i 19 i “Tirana International Film Festival” është hapur me filmin “Zgjoi” nga Blerta Basholli, fitues i tre çmimeve në “Sundance Film Festival 2021”, festivalin më të rëndësishëm në SHBA.
Ky event i cili nisi mbrëmjen e djeshme me pjesëmarrjen e protagonistëve të këtij festivali si dhe shumë të ftuar jo vetëm nga kinematografia, por edhe politika në Kinema “Millenium”, do të mbahet deri më 30 shtator 2021.
Ky edicion ka shënuar një numër rekord aplikimesh prej 2950 filma nga 118 vende të botës edhe për faktin se TIFF është Oscar qualifying dhe është një mundësi e madhe për ta të nominohen për Academy Awards.
Nga 40 vende të Evropës 1706 filma, nga 11 vende të Amerikës se Veriut 558 filma, nga 8 vende të Amerikës se Jugut 66 filma, nga 38 vende të Azisë 530 filma, nga 17 vende të Afrikës 34 filma dhe nga 4 vende të Australisë dhe Oqeanisë 56 filma.
Rreth 40 regjisorë dhe producentë, do të prezantojnë filmat e tyre në Tiranë . Sipas programit, janë 112 filma në competition në të gjitha kategoritë dhe zhanret kinematografike, si Feature (all genres), EYE on TIFF (debut feature film competition), Short, Live Action, Animation, Student, që janë Oscar qualifying, Documentary (all lengths), Video Art & Experimental, Balkan shorts dhe In Albanian films.
TIFF këtë vit do të ketë 4 juri ndërkombëtare, që do të vendosin për çmimet me prezencën e personaliteteve fitues të shumë çmimeve ndërkombëtare, si: Mohamed Siam (Francë) dhe Basil Khalil (Palestinë), producente dhe regjisore, si dhe të dy anëtarëve të “Academy of Motion Picture Arts and Sciences” SHBA, të cilët kanë të drejtën të vendosin për çmimet Oscar, Bogdan Muresanu (Rumani), fitues “European Film Award 2020”. Do të jenë gjithashtu në juri Giovanni Robbiano (Itali), Sandra Kaëar (Jordani), Simeon Ventsislavov (Bullgari), Alessandra Pastore (Itali), Nazl? Eda Noyan (Turqi), Maria Di Razza (Itali), Predrag Bambic (Serbi), Ismet Sijarina (Kosovë), Jean Paul Pauwels (Belgjikë), Barbara Gasser (Austri), Jen Alvares (USA), Sehad Cekic (Mal i Zi), Ben Apolloni (Maqedonia e Veriut), dhe Erenik Beqiri, Blerina Hankollari, Anila Varfi nga Shqipëria.
“FOCUS 2021” do të jetë një program special në bashkëpunim me “Danish Film Institute” me filma, debate dhe tryeza të rrumbullakta i quajtur “UN/DOGMATIC – Kinemaja Daneze” me 5 filma nga regjisorët më të famshëm e të vlerësuar sot në botë si Lars Von Trier dhe Thomas Vinterberg, ndërsa programi “Panorama” ka disa seksione me filmat.
Duke pasur parasysh rregullat e pandemisë ky do të jete një edicion me shfaqje të kufizuara në kinema si dhe online për ndjekësit në Shqipëri dhe në botë.
Festivali do të mbyllet me premierën kombëtare të filmit ‘Looking for Venera’ nga Norika Sefa, fitues i Tiger Award në Rotterdam International Film Festival 2021 dhe Winner Award for Promoting Gender Equality në Sarajevo FF 2021. / atsh / KultPlus.com
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, mbrëmë u mbajt ekspozita e artistit Alban Muja, me titull: “Whatever Happens, We Will Be Prepared”, kuruar nga Maria Isserlis. Në këtë ekspozitë artisti Muja është prezantuar përmes video Instalacioneve, filmave të shkurtër dhe dokumentarëve, vizatimeve, pikturës dhe performancës.
Artisti Muja i takon një grupi artistësh kontemporan të cilët arritën sukses përmes shprehjes me anë të mediumeve të reja. Muja është gjerësisht i ndikuar nga proceset e transformimit social, politik dhe ekonomik të vendit të tij të lindjes Kosovës. Ai i takon një brezi artistësh të cilët janë bërë akterë në proceset transformuese të shoqërisë sonë, duke formuluar perspektivat personale të pakomprometuar nga interesi ekonomik dhe politik duke krijuar hapësira për diskutime dhe opinione me publikun e gjerë vendorë dhe ndërkombëtar. Shpesh përmes veprave të tij ai ka bërë audiencën e vet poashtu akterë përmes pjesëmarrjes aktive të tyre në proceset artistike.
Në këtë ekspozitë vizitorët kanë pasur rastin të shohin një video instalacion të ri të Mujës me titull “Family Album” të realizuar për Pavijonin e Kosovës, në Bienalen e Venecias, i cili gërmon thellë në kujtesën personale dhe kolektive të Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe heton rolin që imazhet dhe mediat kanë në konstruktimin dhe formësimin e narracionit, identitetit dhe historisë, sidomos në kohëra të konflikteve.
Si pikënisje e këtij projekti të Mujës shtrihet një përzgjedhje fotografish të fëmijëve refugjatë të marra gjatë luftës në Kosovë, imazhe që ishin publikuar në gazetat dhe në lajmet përgjatë vendeve të ndryshme në botë, dhe të cilat janë bërë sinonim i luftës, emblema të kaosit, traumave dhe dhembjes të komunikuar publikut nga mediat globale. Muja preokupohet si imazhet e dhëna veprojnë si bartës të kujtesës personale dhe si këto kujtesa ndikuan në formësimin e kujtesës së gjerë kolektive politike dhe kulturore.
Kujtesa kolektive i referohet mënyrës sesi shoqëria kujton të kaluarën e vet. Kinezët kujtojnë shekullin e poshtërimit, ndërsa amerikanët kujtojnë 11 Shtatorin dhe ngjarjet e mëvonshme, dhe njerëzit e shumë kombeve kujtojnë epokën e Luftës së Dytë Botërore. Të kuptosh kujtesën e një vendi do të thotë të kuptosh diçka thelbësore në lidhje me identitetin dhe pikëpamjen e tij kombëtare. Sigurisht, vendet nuk kanë kujtime; janë njerëzit në vend ata që ruajnë kujtimet, por shpesh ka edhe ngjarje dhe motive të përbashkëta. Kur u kërkohet të kujtojnë Luftën e Dytë Botërore, amerikanët tregojnë ngjarje të shumta, por shumica e njerëzve kujtojnë sulmin në Pearl Harbor, Ditën D dhe bombardimet në Hiroshima dhe Nagasaki. Kur u kërkohet shqiptarëve të kujtojnë luftën, ata së pari do të kujtojnë ngjarje nga eksodi i refugjatëve të vitit 1998-99.
Jan Assman në veprat e tij përkufizon Kujtesën kolektive, si një term të përgjithshëm, i cili përfshin “kujtesën komunikuese” dhe “kujtesën kulturore”. Sipas Assmanit e para është e bazuar në komunikimet orale dhe përfshin një periudhë prej vetëm disa gjeneratave të njëpasnjëshme. E dyta, ajo kulturore është e institucionalizuar, “e jashtësuar, objektizuar, dhe e ruajtur në formë simbolike”, e aftë të kaplojë shumë gjenerata. Kujtimet kolektive mund të ndodhin edhe në nivele individuale. Secili prej nesh ka një lloj kujtese kolektive për çdo grup të rëndësishëm shoqëror të cilit i përkasim. Njëzet vite më vonë, Muja zhurmon individët, tani të rritur, të kapluar në këto imazhe për të gërmuar mënyrën në të cilën imazhet veprojnë si bartës të kujtesës personale dhe si ato ndihmuan në formësimin e kujtesës më të gjerë kolektive politike dhe kulturore përtej kontrollit të subjekteve të prezantuara në imazhe.
“Besa”
Derisa kujtesa individuale kulturore është e ndikuar nga kontekstet personale, kujtesa kolektive kulturore duhet të freskohet në mënyre konstante nga individët të cilët ndajnë të njëjtin nocion të së kaluarës. Në të kundërtën, ai humb ndikimin e tij social dhe bien në harresë apo zhdukje (Bruno Notteboom, Andreas Wesener). Muja përmes mediumit të video instalacionit, ndihmon në objektizimin e kujtesës jetëshkurtër individuale, duke krijuar me anë të videos së tij një kujtesë Kulturore për brezat e ardhshëm.
“Agimi”
Kujtimet kolektive të një populli mund të ndryshojnë ndër breza. Një studim i kohëve të fundit tregoi se të rinjtë dhe më të vjetërit i shpërfaqnin ndryshe ngjarjet kritike të shoqërisë. Kujtesa kolektive kombëtare nuk është fikse, por ndryshon me kohën. Kujtesa kolektive nënkupton që edhe harresa kolektive ndodh, dhe ne e kemi studiuar një harresë të tillë në një kontekst të veçantë: sa shpejt politikanët janë të harruar.
Në bartjen e kujtesës kolektive krahasuar me fjalët, imazhet gjithmonë shfaqen si forma më të preferuara për themelimin dhe ruajtjen e njohurisë së përbashkët, pasi që ato ofrojnë një “zë” vizual për të ndihmuar në përshkrimin e së kaluarës së përbashkët (Barbie Zelizer). E adresuar më herët nga Frances Yates, ndikimi i imazheve është dëshmuar përmes shembujve të artefakteve materiale të periudhave të civilizimeve antike të cilat kanë lehtësuar kapacitetin për të mbajtur mend, prandaj objekti material për një kohë të gjatë është parë si sinekdokë e ngjarjeve dhe çështjeve të mëdha dhe të rëndësishme. Ky nocion është elaboruar nga analistë të shumtë, duke përfshirë Paul Connerton, Barry Schwartz, dhe Jacques Le Goff. Këta të fundit theksuan instrumentalitetin e mbajtjes në mend të ngjarjeve komplekse përmes mjeteve të memories kolektive. Sidomos, nocioni i Pierre Nora-s “lieux de memorie” apo “sajtet e memories” ka ndihmuar për të demonstruar lidhshmërinë në mes të aftësisë për të mbajtur mend dhe vendeve fizike dhe konceptuale ku memoriet e përbashkëta janë ruajtur.
Teoritë e reprezentimit vizual kanë qenë të përfshira për një kohë të gjatë në përkufizimin e mënyrave si imazhet veprojnë ndryshe nga fjalët. Në të vërtetë, konsiderimi si imazhet veprojnë krahasuar me fjalët daton qysh nga veprat e Gotthold Lessingut. Në esenë e tij të hershëm mbi “Laokunin (Laokoon: oder über die Grenzen der Malerei und Poesie)”, ai argumentonte se imazhi ndryshon nga poezia thjesht sepse ai “mund të përdorë një moment të vetëm të akcionit, prandaj duhet të zgjedh momentin më të ngarkuar, më sugjestiv të asaj që ka ndodhur më parë dhe asaj që do të ndodh në të ardhmen.” Me fjalë tjera vizualja, përkundër verbales, mund të tregoj më së miri storien duke kapluar strategjikisht gjërat në mes. Ajo shpërfaq për shikuesit e vet momentin në zhvillimin e një ngjarje në të cilin ata marrin pjesë derisa duke qenë e vetëdijshme se ku do të sjellë ky zhvillim. Kjo do të thotë se vizualja shpesh përfshin kapjen e një sekuence ngjarjesh apo çështjesh në mes, duke i ngrirë ato në mënyrë strategjike në momentin potencialisht më të fuqishëm të prezantimit kuptimplotë (The Voice if the Visual in Memory, Barbie Zelizer).
Ky moment është krucial në përshrimin e rolit të imazheve në memorie. Kjo sugjeron se imazhet na ndihmojnë të mbajmë në mend të kaluarën duke ngrirë reprezentimin e saj në një moment të fuqishëm të mirënjohur për ne.
“Besimi dhe Jehona”
Normalisht që imazhi është një formë e fuqishme e shprehjes vizuale. Siç kishte pohuar Aaron Siskindi: “Fotografia është një mënyrë e ndjenjës dhe përjetimit. Ajo që është mbajtur në film është kapluar përgjithmonë…ajo mban mend gjëra të vogla, shumë kohë pasi ne kemi harruar çdo gjë”. Muja në veprën e vet “Family Album” vendos që përmes mediumit të Video instalacionit ti rijetësojë këto imazhe. Por, në këtë rast, videoja si medium ndihmon në sqarimin e mëtejmë të ngjarjeve për të cilat shumë shikues nuk dinin asgjë. Dhe natyrisht njohja më e mirë me protagonistët e këtyre imazheve, dhe rrethanave në të cilat këto imazhe janë jetësuar, kontribuon në përjetimin më të thellë dhe empatinë ndaj personave që përjetuan këto ngjarje. Dhe në këtë aspekt, duke kujtuar thënien e Ingmar Bergmanit mund të përfundojmë se: “asnjë formë tjetër e artit nuk depërton në ndërgjegjen tonë sikur filmi, dhe kalon direkt në ndjenjat tona, thellë në dhomat e errëta të shpirtrave tonë” (Ingmar Bergman). / KultPlus.com
Filmi shqiptar “Bolero në vilën e pleqve” do të jetë pjesë e përzgjedhjes zyrtare të Balkan Panorama Festival që mbahet në Izmir të Turqisë nga data 27 shtator deri më 3 tetor 2021.
Filmi në regji të Spartak Pecanit dhe skenar të Linda Fejzaj pati premierën fizike më 26 gusht në PriFest në Prishtinë.
Balkan Panorama Festival është një festival i njohur që promovon filmin ballkanik. Ky festival i përkrahur edhe nga Ministria e shtetit turk mban sivjet edicionin e 7-të.
Në këtë film luajnë aktorët si: Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Daku, Olta Gixhari, Ledjon Zoi dhe Afrim Muçaj.
DoP është Latif Hasolli ndërsa kostumografia është realizuar nga Gerta Oparaku.
Filmi është një prodhim i shtëpisë kinematografike ‘Eclipse SA Film Production’ dhe është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Filmi me regji nga Spartak Pecani “Bolero në vilën e pleqve” ka fituar çmimin “Filmi më i mirë” në Paris Play International Film Festival.
Filmi shqiptar ka marrë edhe një tjetër çmim, në “Toronto International Women Film Festival”.
Pjesëmarrës deri më tani në festivale të ndryshme të filmit në botë, çmimi për skenarin në festivalin e filmit në Kanada shkoi për “Bolero në vilën e pleqve”./ KultPlus.com
Këto ditë u kremtua 100 vjetori i themelimit të shoqatës botërore të shkrimtarëve, PEN International me seli në Londër.
Me këtë rast u mbajt Kongresi i 100 Vjetorit të themelimit. Në Kongres, si pjesëmarrëse aktive online, mori pjesë edhe PEN Center Kosova. Ishte e pranishme edhe PEN Qendra e Shqipërisë.
Gjatë pesë ditëve, nga 20 deri më 24 shtator, në Kongres u shtruan tema për të cilët janë angazhuar shkrimtarët nga shumë vise të botës: Liria, barazia, e drejta e fjalës dhe të drejtat gjuhësore.
U tha se këto të drejta bazike elementare të njeriut po shkelen ende nëpër botë. U morën shembuj Afganistani, Rusia, etj.
Lidhur me këto të drejta u miratuan katër rezoluta që konsiderohen shtysë e mëtejme për respektimin e tyre atje ku mungojnë. Në PEN International u pranuan edhe dy qendra të reja: e Maltës dhe ajo e Qechuas.
Në fund të punimeve, Kongresi zgjodhi uhëheqjen e re: të PEN Internationa: kryetar Burhan Sonmez dhe nënkryetar William Nygaard. Në emër të PEN Qendrës, nga Kosova votuan përfaqësuesit e saj: Binak Kelmendi dhe Avni Spahiu.
U lavdërua puna e deitashme e udhëhqjes së shkuar me në krye Jennifer Clement.
Kongresit iu drejtuan shkrimtarëve nga bota, ndër të cilët edhe nobelistët Salman Rushdi dhe Orhan Pamuk.
Kryetari i ri Burhan Sonmez, premtoi shtimin e bashkëpunimit të PEN Qendrave rajonale. / KultPlus.com
Kolë Kamsi, është një ndër studiuesit më të njohur që ka botuar mbi arbëreshët e Italisë dhe dialektin arbëresh, duke i kushtuar disa botime librash e artikuj në revista shkencore e letrare. Në shkrimin e cituar më poshtë ka referenca nga një studim i tij mbi elementet e të shkuarës që arbëreshët i kanë ruajtur të paprekura.
Ato vishnin këmisha të bardha mëndafshi dhe një jelek të mëndafshtë, ndërsa fundi i gjatë deri tek këmbët ishte qëndisur bukur me stoli. Në belin e hollë ato mbajnë një petk të gjerë të qëndisur me fije ari. Ato e quajnë brez dhe zakonisht ai është i argjendtë, dhe përpara mban figurën e ndonjë shenjti, sidomos të Shën Gjergjit, a të Shën Mitrit… Flokët i kanë ndarë thjesht me krehër në mes, ose mbi to hedhin një shami të qëndisur me lule të vogla të bardhë… Me këtë veshje, vajzat arbëreshe ecnin në rrugët e Kalabrisë, apo Bazilikatës, ku sharmi i tyre dallohej prej copës së shndritshme që mbanin në trup. Ditën e kremteve të mëdha, kur shkojnë në Kishë, ato zgjedhin rrobat më të bukura. Një kostum që prej shekuj e shekuj me radhë, nënat e tyre i kishin ruajtur në sënduk, duke i trashëguar me fanatizëm, si një element që i kujtonte të shkuarën e tyre. Në këtë pjesë të Italisë, ku prej gati 500 vitesh jetojnë shqiptarë (arbëreshë) historia ngjason me atë të shekujve më parë. Traditat shqiptare janë ruajtur me aq kujdes breza me rrallë, ndërsa gjuha duket sikur vetëm ka ndryshuar timbër, por në thelb është një shqipe e bukur.
Ndryshe nga femrat, burrat vishen si vendasit. Petkat kombëtare duket se i kanë lënë pas dore që në kohët e mërgimit të hershëm, e në asnjë nga këto vise nuk mund të gjesh dikë që t’i ketë mbetur ndonjë shenjë a ndonjë kujtim nga të parët e tyre. Por brenda tyre, në shtëpitë karakteristike, në zakone, në gjithë rrjedhën që merr jeta, ata ruajnë elementët e origjinës së tyre shqiptare. Profesor Kol Kamsi i kushtoi gjithë jetën e tij, studimit të arbëreshëve të Italisë, duke studiuar elementë, e duke mbledhur detaje për ta bërë më të plotë historinë e kësaj pjese të rëndësishme të Shqipërisë së madhe. Që kur ishte student në Kolegjin Arbëresh të Shën Mitër Koronës e deri sa mbylli sytë më 1960, ai nuk reshti së kërkuari, së mbledhuri e së shënuari fjalë, e tekste për arbëreshët. Ai gjeti në mjediset e arbëreshëve vatra të pashuara të shqiptarisë së moçme, këngë e valle të hershme, veshje e zakone të bukura, që ngjanin sikur nuk ishin prekur fare nga ndikimi italian. Pikërisht aty ai ndjeu vetëm një dëshirë: të mblidhte më shumë fjalë e shprehje, të hulumtonte më tepër në ato mjedise e të ndriçonte këtë pjesë të kulturës shqiptare në dhe të huaj…
Më 23 shkurt të vitit 1960, një ditë para se të mbyllte sytë përgjithmonë, teksa i dorëzonte i shtrirë në shtrat veprën e tij prof. Mahir Domit, ai i thotë ngadalë: Po vdes i qetë. Zotimin e marrë para Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë e mbajta?. Profesor Kol Kamsi ishte zotuar të dorëzonte Fjalorin arbërisht-shqip, dhe deri në hartimin e tij, nuk ishte i qetë. Por dhe pse i përfunduar me aq zell, fjalori i dorëzuar me përkushtim do të flinte për dyzet vjet me radhë në raftet e Institutit. Kohë më pas, fjalori dhe veprat e tjera të Kamsit do të vlerësoheshin nga njerëz të njohur të arbëreshëve të Italisë. Në një letër që profesor Francesko Altimari i dërgon vëllait të Kolë Kamsit, Gjonit, më 30 prill 1981, i shkruan: “Ju njoftoj se duke u bazuar në të dhënat tuaja Zef Farakom, drejtor i revistës “Zjarri” ka përgatitur një artikull mbi jetën dhe veprën e vëllait tuaj të nderuar, që do të dalë nga shtypi së shpejti”. Më vonë, një nga punët e tij titanike, të cilën nuk mundi ta përfundojë por dhe të gjitha dorëshkrimet janë mbledhur në një libër “Shqiptarët e Italisë”, botohet në kolanën e sektorit shkencor të Albanologjisë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Studimi i Kamsit jo vetëm bën të njohur pasuritë etno-folklorike të arbëreshëve të Italisë, por bën të njohur dhe emra të panjohur më parë, personalitete të kulturës arbëreshe si: Nikollë Keta, Jeronim de Rada, Zef Serembe, Bernard Bilota, Anton Argondica, Agostin Ribeko, Salvatore Braile, Anselmo Lorekjo, Vinçenc Stratigoi.
“Të pajisur me një karakter të fortë mbetën për plot katër a pesë shekuj shqiptarë me gjuhë, me vëshë, me tradita e doke. E këtë lidhje gjaku nuk e treguan vetëm tue ruajtur ma të madhin kujdes me një qëndresë të rrallë që shihet veç në popullin e Izraelit, veti e karakteristika të veçanta të rracës sonë, por e shfaqën më së miri dhe me dashurinë ndaj shqipes, dashuri që e treguan jo veç me fjalë por edhe me punë, duke i sjellë shërbime të mëdha letërsisë shqipe e rilindjes sonë kombëtare”, shkruan prof. Kamsi për arbëreshët. Në studimin e lënë prej tij, ne ndalemi në një atmosferë tepër interesante sesi është ruajtur e zhvilluar kultura shqipe në këtë pjesë të Italisë, ku dhe pse për më shumë se 45 vjet kontakti me Shqipërinë ka qenë i ndaluar, ata kanë ditur të ruajnë Shqipërinë e tyre. Kamsi na njeh në këtë studim dhe me personalitete të tjera të rëndësishme të kulturës arbëreshe. Një prej tyre është dhe At Anton Santori (1819-1894) nga Pizziljia e Shën Katerina Albanese, koloni shqiptare në krahinë të Kozencës. Pas De Radës, ai ka qenë një nga shkrimtarët më të njohur të arbëreshëve të Kalabrisë. Autor i disa librave, në dokumentet e kohës del në pah fakti i një drame të papërfunduar të tij, e quajtur “Emira”. Kjo dramë ka mbetur ende e pabotuar dhe për prof. Kamsin, për historinë e letërsisë italo-shqiptare ka rëndësi të veçantë, e para pasi është shkruar në gjuhën shqipe. Në të është historia e Emirës, një vajze arbëreshe, por dhe e jetës së thjeshtë të vendit ku ajo jetonte. Në kujtimet e tij, De Rada shkruan dhe për Santorin, duke treguar dhe për një roman të cilin ai kishte nisur ta shkruante. Janë një mori botimesh në të përditshmet e kohës të këtij shkrimtari arbëresh, emri i të cilëve ka mbetur vetëm në dorëshkrime. Arbëreshët e Italisë kanë pasur një kontribut në rilindjen shqiptare. Gustav Meyer, filolog i njohur gjerman, shkruante në një artikull të 1885-s mbi gjuhën e letërsinë shqipe në një revistë italiane, duke thënë se “nëse unë i jap vendin e parë veprimtarisë letrare të shqiptarëve të Italisë, e bëj se aty mbretëron prej disa kohësh një jetë e gjallë mendore, krejt ndryshe nga çfarë ndodh në Itali”. “Shqiptarët e Italisë”, – shkruante më vonë gazeta franceze “Le temps” më 12 shtator 1913, – “kanë pasë në zhvillimin e idesë kombëtare në Shqipëri një pjesë të madhe, të cilën historia e ardhshme e Shteteve Ballkanase nuk mund të mos e përmend”.
Më i vjetri dokument shqip i italo-shqiptarëve që njihet deri më sot është “Doktrina e Krishterë” e Mantrangës, që u botua më 1592 e që ka rëndësi si vepër e parë e dialektit të Arbëreshëve të Sicilisë. E në këtë hapësirë do të zhvillohet një letërsi, që do të udhëhiqet nga atdhedashuria e malli për atdheun e largët. Në Kalabrinë e shekujve më parë, një grup shokësh, flisnin mbi vargjet e shkruara në kafene, duke u bërë protagonistët e zhvillimit të shqipes, dhe pse mijëra kilometra larg.
Doket e morteve
Ndër kolonitë shqiptare të Molise-s si në Portocannone, në Uri etj., gratë në vaj lëshojnë thirrma: puh, puh! Puh, puh! Vemeje! Thirrmat e para janë marrë prej Homerit, e tjetra është frazë latine e cila do të thotë “mjera unë”. Ndoshta thirrja “vemeje” mund të jetë dhe një shtrembërim i frazës shqipe “vaj për mue”!. Vajtimet s’prajnë në rasë vdekje deri sa kufoma të jetë në shtëpi. Sa herë që të shihen tue hy n’odë të të vdekuri gra të huaja që vijnë për me u pjekë a për krye shëndosh, gjinija e të afërmit çojnë zërin dhe vajtojnë. E vajtimet i bëjnë me radhë, që të mos lodhen kështu që tek pushon njëra ia nisë tjetra.
Ndër koloni të Siçilijes e të Kalabrijes përveç brimvet rrahin kryet me grushta e zhgulin prej kres flokë që i hjedhin përmbi kufomë. Ndër morte shpesh gratë kujtojnë në vaj dhe rob të tjerë që u kanë vdekur më përpara: dikush qan fëmijën e vetë të humbur ditë më të mirë, dikush prindërin, burrin vetë, ndonjë tjetër motrën apo vëllanë. Me një zë të përmalluar ia sjellin gjithnjë fjalën të vdekurit sikur të ishte gjallë e të mund ti dëgjonte apo kuptonte, i përshkruajnë jetën e punët e mira, qajnë mbi të keqen që i ka rënë familjes e ndonjëherë i japin edhe ndonjë porosi për të dashurit e tyre që gjenden në jetët e përtejme. Një grue e ve prej kolonisë së Lungro-s, duke vajtuar mbi kufomën e një mbese i jepte këtë porosi për burrin e vetë: “Terezë o bija ime: shko te Gjambattista e çoi një këmishë: e thuaj se e kam qepë me flokët e shkulur prej kokës sime, e kam larë me lot të syve të mijë dhe e kam terë me zjarrin e zemrës sime”.
Në këto lloj vajtimesh ndihen dhe përfytyrime të larta poetike. Një tjetër vajtocë duke qarë vdekjen e një djali të ri bujar të fshatit të Shën Sofia d”Epiro, mbasi pasi ankohej për morten që po i merrte në moshën më të bukur djemtë e rinj, thoshte: Lëkundju, lëkundju, që prej themelit, o mure të kësaj shtëpie bujare, pse u rrëzua mbështetja juaj. Stolija më e mirë e kësaj familjeje u shue porsi një lule që vyshket në kohën e mbrëmjes. A nuk i dëgjoni hingëllimën e kalit të tij? Ai në garazh ku gjendet i mbyllur pyet për të zotin e vet, por vaj! I zoti ka vdekur! E qeni i tij besnik, shoku i pandamë në gjueti, me të kujisurat e shpeshta e lypë edhe ai të zon, e kuisjet e tija janë jeku i fshamevet? tona. Vajtojnë pra, edhe kafshët humbjen e këtij djali bujar, si mund të rrimë pa e vajtuar ne, që e kemi nderuar për virtytet e tij të rralla.??. Kur vjen koha e varrimit atëherë, të qarat dhe të bërtiturat bëhen shumë të tmerrshme. Të gjithë robt e shtëpisë e të pranishmit shpërthejnë në vaj e në dënesa të thella. Miqtë e familjes e farë-fisi më i hidhen sipër të vdekurit, e duke qarë i japin të puthurën e fundit, e gratë tue bërtit me zë të lartë e tue rrah vedin me grushta nuk duan të ndahen prej kufomës, nuk luajnë vendit e mundohen mos me e lënë të dalë nga shtëpia, por burrat i kapin prej krahu, i ngrenë dhe i largojnë tue i ngushëlluar e duke i thënë se duhet me iu nënshtruar vullnetit të Zotit. Ndër disa koloni të Kalabrijes së mesme, në kohë që trupi i të vdekurit del prej shtëpie, e kanë zakon që të shkrepin në shenjë pikëllimi, dritaret e shtëpisë. Mbas arkivolit të të vdekurit, mbrapa mbas kortezhit shkojnë dhe gratë të cilat me flokët e lëshuem e të shprishun si praeficat romake e përcjellin kufomën tue vajtue me za të lartë gjatë gjithë rrugës deri në kishë apo deri në varrezë.
Arbëreshët e disa fshatrave të Kalabrijes, përpara se ta varrosin të vdekurin i fusin në xhep lekë të vogla 10 a 20 qindarka, ndoshta në kujtim të monedhës që në kohë të pagajve ish zakon t’i shtrihej kufomës në gojë që të paguante Karontin për më qitë një lundër mb’at anë të lumit t’Akerontit.
Një shenjë për të treguar dhembjen është dhe të shuarit e zjarrit në vatër porsa vdes ndonjë pjesëtar i familjes. Njerëzve të shtëpisë nuk u bie ndërmend as të hanë, por për to mendojnë, “më parë gjinija e më vonë miqtë, të cilët për disa ditë rresht u çojnë me radhë drekë e darkë”.
Ndër koloni të Siçilijes familjet që kanë mort u ndajnë të varfërve për shpirtë të vdekurit bukë të gatuemë në formën e kryqit ose u japin me ngrënë grurë të zier e u japin dhe me pirë. Në Contessa Entellina në të tretën, deri në të dyzetën ditë të mortit, gjinija e të vdekurit, veshë me petka jazi, shkojshin përmbi vorr, tue marrë me vehte diana e enë me zjarr ku digjeshin lijvanën, ndërsa thohej mesha për shpirt të të dashurit të tyre. Kjo ceremoni tashmë nuk bëhet më, pasi të vdekurit nuk i varrosin më në Kishë por në varrezë. Jazi mbahet mbas shkallës së gjinis. Burrat për vdekje të nji pjesëtari të familjes, në shenjë jazi nuk rruhen dhe e lëshojnë mjekrrën për 15 ditë, e kur dalin jashtë mbështjellë me mallota të zeza si në dimër e verë, tue mbulue deri kryet.
Nënat e gratë e veja për vdekje të djemve e të burrave rrijnë në të zeza për tërë jetën e rrallë ndodh që ndonjë të vejë e të martohet përsëri mbas vdekjes së burrit të parë. Kaq e madhe është dashnija e besnikërija për bashkëshortin sa kanë mbërrijtë me pre e deri krejt flokët mbi kufomën e fatit.
Martesa
Të shtunën mbrëma, natën e dasmës ndër koloni të Shqiptarëve të Kalabrijes si në Frashineto, në Spezzano, në Civita, etj., kumarët e kishin zakon, të shtrojnë për darkë në shtëpi të dhëndrrit. E aty, në tryezë. ndërsa ndonjë i ftuar çonte kupën e verës, e pinte për shëndet të dhëndrrit, ndonjë tjetër kapte pushkën. Këngë, valle e të shtime pushkësh, dëgjoheshin në atë kohë edhe në shtëpinë e nuses. Ruajtësit e rendit për këto të shtëna nuk thoshin gjë, sepse e dinin se ky ishte një rit i vjetër i vendit të tyre. Të dielën në mëngjes, djem e vajza të farefisit, e të miqësisë shkojnë në shtëpi të dhëndrrit e të nuses. Ndërsa vallet e argëtimit vlojnë në shtëpinë e nuses, jashtë ndihen këngë të tjera. Ato vijnë nga dhëndrri, i cili është duke u përcjellë me kumarë prej dasmorëve për të marrë nusen. Dikur burrat merrnin me vete dhe armë të cilat i zbraznin gjatë rrugës për të marrë nusen. Kortezhit të njerëzve i prijnë dy njerëz që mbajnë në dorë dy flamujë shqiptarë. Kur krushqit arrijnë në shtëpinë e nuses, këtu nuk u del askush përpara për me i pritë, përkundrazi sipas zakonit e mbyllin derën, kështu dhëndrri dhe dasmorët do të bëjnë sikur nisin një luftim për të marrë nusen. Dasmorët e dhëndrrit këndojnë e kërkojnë që t’i nxjerrin nusen. Në këtë çast dëgjohet krisma e një pushke. Krushqit shtyjnë derën e cila hapet me njëherë e dhëndrri bashkë me kumarë, e me dasmorë, hyjnë në odën e nuses, e kapin për dore, e çojnë prej karriges e me krenari thotë “Është imja”. Një entuziazëm shpërthen në të gjithë shtëpinë. Por në këtë gëzim vetëm nusja duket e zymtë, e pikëlluar. I vjen keq që po lë shtëpinë, prindërit, e po ndahet prej fqinjëve me të cilët ka kaluar moshën e vajzërisë. Ajo ul sytë e qan”. / KultPlus.com
Ngritja e muzeut hebraik në Vlorë, që do të rrëfejë historinë shqiptaro-hebreje, e që nuk nis gjatë Luftës së Dytë Botërore, kalon në një tjetër fazë tashmë, atë të konkursit ndërkombëtar për projektin arkitektonik.
Ftesës për të marrë pjesë në konkursin e organizuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) dhe Ministria e Kulturës i janë përgjigjur 5 studio, Kimmel Eshkolot Architects, Tel Aviv/Izrael, Merz & Renz GmbH + Co. KG, Berlin/Gjermani, studio Terragni Architetti, Como/Itali, Wandel Lorch Götze Wach GmbH, Frankfurt/Gjermani dhe Winkler + Ruck Architekten, Klagenfurt/Austri.
“Ky muze do të jetë një magnet tërheqës jo vetëm për turistët, si pjesë integrale e qendrës historike të qytetit, por mbi të gjitha për të rinjtë. Shpresojmë që studiot pjesëmarrëse në konkurs, të mund të kapin shpirtin dhe domethënien që ky muze ka për shqiptarët dhe hebrenjtë, në një bashkëjetesë shekullore”, deklaroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë një forumi online me përfaqësuesit e 5 kompanive. / KultPlus.com
Një dokumentar i ri që fokusohet në jetën dhe muzikën e producentit të ndjerë suedez, Avicii, do të publikohet dhe detaje të reja janë dhënë mbi të.
Siç raportohet nga Billboard, filmi, që publikohet më 2023, do të shfaqë “material të ri”, si dhe pamje nga prapaskenat, intervista me familjen, miqtë dhe kolegët, klipe arkivore dhe intervista me Aviciin
Ndërsa titulli i filmit ende nuk është zbuluar, një deklaratë për Billboard e përshkruan atë si një pasqyrë në “muzikën dhe artistin që përcaktoi një epokë dhe ndryshoi botën e muzikës përgjithmonë, dhe është një histori nga afër, intime dhe epike për sukseset e tij të pashembullta dhe përpjekjet e tij për të përballuar presionin”.
Dokumentari do të prodhohet nga regjisori dhe kinematografi Björn Tjärnberg dhe Candamo Film, në bashkëpunim me Televizionin Kombëtar Suedez. / KultPlus.com
Veprat e artistëve bashkëkohorë shqiptarë (1990-2000), i shtohen “Arkivit të hapur” të Galerisë Kombëtare të Arteve.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila thekson se, “të fshehtat” e Galerisë, tashmë janë të hapura për të gjithë, përpara nisjes së procesit të restaurimit, rikonstruksionit dhe rehabilitimit të ambienteve të Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura”.
Ministrja Margariti pak ditë më parë tha se, “do të vazhdojmë me Teatrin Kombëtar, i cili bashkë me rikonstruksionin dhe zgjerimin e Galerisë Kombëtare të Arteve do të krijojë një pol të ri në Pedonale, por dhe një magnetizëm jo vetëm kundrejt artistëve shqiptarë dhe të huaj, por në të gjithë planifikimin e territorit dhe qendrës së Tiranës”. /KultPlus.com
Prej 39 vjetësh në komunitetin arbëresh të Vakaricit (ital. Vaccarizzo) çdo vit zhvillohet Panairi i Veshjeve Arbëreshe.
Ky Panair, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij ngulimi pasi përfaqëson një moment takimi mes komuniteteve të ndryshme arbëreshe dhe një bashkim shpirtëror përmes kulturës.
Këtë vit është konceptuar të mbahet Dita Studimore mbi temën “Moti i madh”- Kandidatura UNESCO e praktikave rituale arbëreshe të pranverës: perspektiva të kulturës arbëreshe në epokën e globalizimit. Aktiviteti mbahet sot me 25 shtator, nga ora 10.30-12.00 në Palazo Marino të Vakaricit.
Vaccarizzo Albanese u themelua rreth vitit 1470, pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeut nga grupe refugjatësh që u vendosën në kodrat e Pre-Sila greka, duke themeluar ndër të tjera edhe fshatrat San Demetrio Corone, Macchia, San Giorgio Albanese, San Cosmo Albanese, Santa Sofia d’Epiro dhe Spezzano Albanese. / KultPlus.com
Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”, kujtime të cilat, i biri i saj, Aleksandër Pisha, ia ka ofruar me dashamirësi për botim, në Memorie.al.
Pubikohet historia e panjohur e ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje shumë të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë fare të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tula-s, ku ai punonte si minator, (pak kohë pasi i kishte shpëtuar arrestimit, i akuzuar për “mbështetje të armiqve të popullit”) dhe ajo u rrit me vështirësi të mëdha ekonomike, pasi qyteti i tyre vazhdonte të ishte nën bombardimin e forcave gjermane, që kishin arritur deri në afërsi të Kurskut. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha, ku filluan jetën në qytetin e Tiranës, Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkin, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me dhjetë vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndëruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë.
Pjesa e gjashte
Shpresuam dhe mbijetuam
Ia kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA
Ky është libër kujtimesh. Në të dua të rrëfej për jetën time dhe të shoqeve të mia, grave sovjetike, që provuan burgun për disa vite vetëm sepse morën guximin dhe u martuan e lidhën fatin e tyre me atë te studentëve shqiptarë. Burgu ishte pjesë e GULAG-ut të madh në vendin e vogël ballkanik, Shqipëri, ku për shumë vite sundoi regjimi gjakësor komunist i Enver Hoxhës, që ishte nxënës besnik i Stalinit dhe vazhdues i kauzës së tij.
Nëpërmjet këtij libri do të doja që çdokush të mësonte për provat çnjerëzore që përjetuam ne dhe për vitet e tmerrshme qe kaluam në burgjet shqiptare, vetëm sepse… dashuruam! Dhe që askush dhe kurrë të mos harrojë, ç’është totalitarizmi, despotizmi dhe ç’pasoja sjell me vete ky sistem.
Vijon nga numri i kaluar
Qetësi e padurueshme dhe nganjëherë britma, që ta bënin shpirtin akull, zhurmë hapash dhe sërish qetësi. Gardianët i bënin punët pa zhurmë, ecnin, afroheshin te dera për të parë nga vrima se ç’bëhej në qelitë, aq lehtë, sa nga brenda nuk e kuptoje dot se dikush të shihte nga vrima e veshur me rrjetë. Befas, në mes të kësaj qetësie, dëgjoheshin gërvima të frikshme, rropamë që të bënin të dridheshe, të kërceje përpjetë, teksa zemra niste të rrihte më shpesh. Dera hapej kanat dhe një zë i vrazhdë të thoshte: “Ej, ti, çohu!” Ecën nëpër korridor, në gjysmë terr, muret dhe dyert janë të lyera me bojë kafe, shumë dyer, të gjitha pranë e pranë, e tek të gjitha varur dryna masivë. Gjithçka ishte menduar mirë, çdo vogëlsirë ishte sajuar e tillë që të të thyejë, të të shtypë, të të frikësojë. Njeriu me çdo gjë mund të mësohet, por unë kurrë nuk u mësova dot me zhurmën e shulave dhe drynit, me gërvimat e derës, kur hapej e mbyllej, me kërcitjet e kapakëve të vrimave në dyert e qelive. Gjatë paraburgimit, s’kishte takime, ishte terr dhe dezinformim i plotë, as libra, as gazeta, as letër, as laps. Që të mos çmendesha, të merresha me diçka, sajoja gjithfarë: nxirrja nga dysheku i pistë një kallam kashte dhe “shkruaja” me të në dysheme, kombinoja fjalë çfarëdo, njëfarë fjalëkryqi.
Kur hapej dera, mjaftonte një lëvizje e shpejtë për të kthyer gjithçka në një dorë kashtë. Një ditë më morën më shpejt për te hetuesi dhe nuk arrita ta fshihja fjalëkryqin tim. Kur më kthyen në qeli, mbikëqyrësja Vasilika, (ajo shquhej për vigjilencë dhe egërsi të veçantë), lexoi fjalët në dysheme, kujtoi se kisha një kalem të fshehur dhe hyri me vërtik në qeli, por kashta u shpërnda. Shpëtova pa britma dhe pa të shara. Dera u mbyll dhe unë sërish mbeta vetëm. Për t’u marrë me diçka, sa për të shtyrë orët pambarim, më shumë se çdo gjë tjetër më ndihmonin vjershat. Unë përpiqesha të rikujtoja vargje që dikur i kisha ditur përmendsh dhe i kisha dashur shumë. Më shpesh më kujtohej Pushkini, Lermontovi, Esenini dhe Simonovi. I recitoja, në fillim me zë të ulët, pastaj me zë të plotë. Hapej dritareza e derës dhe oshtinte britma e inatosur e gardianes: “Mjaft”! Unë nisja t’i përsërisja vjershat me zë të ulët. Kujtoja shumë syresh dhe i përsëritja me vete, sërish e sërish. Kjo më ndihmonte të shpërngulesha në botë tjetër, shumë të largët dhe herë-herë më bëhej se nuk do të kthehesha kurrë tek ajo. Kur u takuam më vonë në kamp, mësova se vjershat e Pushkinit kishin shpëtuar edhe të tjera shoqe të mia, i kishin ndihmuar të mbijetonin, të mos luanin mendsh. Ditët e para, kur fqinja ime trokiste në mur, desha edhe unë ta mësoja këtë mënyrë komunikimi. Fqinja më tha se trokiste sipas alfabetit. Një e trokitur – A, dy – B etj. Mirëpo unë, megjithëse e dija alfabetin e gjuhës shqipe, nuk arrija t’i “lexoja” trokitjet, sepse e përsëritja shumë ngadalë alfabetin. Atëherë vendosa të mësoja përmendësh numrin e çdo shkronje dhe të numëroja trokitjet. Dhe ashtu bëra. Nuk shkoi keq!
Pasi u lirova nga burgu, lexova librin e Fatos Lubonjës: “Rishikimi” dhe mësova që burrat përdornin për të komunikuar një mënyrë më efikase, por ne, gratë, nuk e dinim atë ‘ABC’ prandaj trokisnim me radhë çdo shkronjë. Herë llomotitnim diçka, herë mësonim diçka nga gratë e qelive fqinje… kalonim kohën! Të trokisje s’ishte fort e lehtë, madje me rrezik; rojet dhe gardianet vazhdimisht kontrollonin, afroheshin tinës, përgjonin dhe kapnin shkelësit. Një ditë rojet ja behën në qelinë time dhe vetëm sepse i binda me pamjen e padjallëzuar dhe u thashë se nuk e dija alfabetin e gjuhës shqipe, shpëtova nga biruca. Zakonisht trokitnim mbrëmjeve, kur shefat iknin në shtëpi, kurse rojet mbaronin punë dhe mblidheshin në fund të korridorit, për të llomotitur mes tyre. Më kujtohen dy raste të veçanta gjatë “ndërlidhjes”. Pranë qelisë sime, nga e djathta, rrinte dikush që merrte ushqim ndryshe nga i yni. Në vend të lëtyrës së zezë, që na jepnin ne të tjerëve, atje çonin pure, qofte. Trokita dhe pyeta për emrin. “Mina”, – m’u përgjigj ajo. Më vonë, kur ishim në kamp, mësova se ishin dy motra, Mina dhe Nadira, dy vajza të reja fshatare, të akuzuara sipas një çështjeje të sajuar… për punë lopësh. Për këtë do të shkruaj më poshtë me hollësi. Gjatë hetimit, Mina u sëmur keq. Procesi ishte politik. Jeta e Minës, duhej ruajtur derisa të zhvillohej gjyqi. Edhe fqinjët e mi nga e majta e kishin vënë re ushqimin e Minës dhe nisën të më pyesnin se kush rri në atë qeli. Unë nisa të trokas: “M-I-N-…” Atë çast dëgjova sinjalin; fqinja gërvishti murin, çka do të thoshte: “E kuptova, mund të mos vazhdosh”. Gjashtë muaj më pas u takova me fqinjën time në kamp dhe mësova që germat “min…” ajo i kishte marrë si të parat e fjalës “ministri”. Ishte koha, kur në burgje futën gati të gjithë elitën partiake dhe shtetërore, prandaj prania në mes të të burgosurave e një ministri nuk habiti njeri.
Rasti tjetër
Do të ketë qenë 1 tetori 1976. Më çuan te hetuesi, i cili po lexonte gazetën. Ia ngula sytë gazetës si e djegur për ujë. Prej 5 muajsh nuk dija se ç’bëhej në botë. Lexova: “Përshëndetje e udhëheqjes së PPSH-së për udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës”. Emri i Mao Ce Dunit nuk ishte. Ç’të ketë ndodhur? Nuk e pyeta hetuesin, sepse mund të merrja si përgjigje ndonjë fjalë të rëndë ose tallëse. Kur u ktheva në qeli, mendova të pyesja fqinjët; ata ishin “të freskët”, vetëm pak kohë më parë kishin ardhur. Kisha frikë të pyesja me tekst të hapur. Në Shqipëri isha mësuar me kohë të heshtja, të mos pyesja. Më në fund e sajova: Trokita për pyetjen: “Do të vijë Mao Ce Duni në Tiranë”? Mora përgjigje: “Ai ka vdekur”. “O Zot! – mendova. – Ndoshta me vdekjen e tij, diçka do të ndryshojë dhe ne do të na lirojnë”? Shpresa të kota, të pabazuara gjëkundi! Tani frika, mungesa e shpresës, vetmia bëri të vetën. Befas nisa të kem halucinacione dëgjimi. Më bëhej sikur dëgjoja zërin e Sashës që më thërriste: “Mama, mama”! Mendova e tmerruar që e kishin arrestuar, ai më thërret… dhe gati më merrej fryma. Kjo vazhdoi disa minuta dhe më kaloi, pastaj nisi sërish, gjithnjë e më shpesh. Qëllonte të arrija deri në gjendje të fikëti; rrija shtrirë gjatë, pa lëvizur, ose dridhesha, këlthitja. Në raste të tilla në qelinë time sillnin fqinjën, që njëfarë kohe të mos mbetesha vetëm. Pastaj fqinjën e nxirrnin dhe gjithçka niste nga e para.
Hetimi dhe gjyqi
Të gjitha marrjet në pyetje u shkrinë në një proces të gjatë dhe të frikshëm. Nuk i shkruaj dot të gjitha me radhë, ditë pas dite; për këtë duhet të kesh mbajtur ditar. Në qeli kjo ishte krejt e pamundur; qe e ndaluar të mbaje letër, kalem, gazeta, libra. Në kamp as të shkonte në mendje për të mbajtur shënime; atje thjesht duhej mbijetuar. Për herë të parë e takova hetuesin tim, kur më thirrën të firmosja urdhër-arrestin. Asgjë nuk mbaj mend, gjithçka ishte si në mjegull. Pastaj më morën për herë të parë në pyetje dhe më pas vazhdoi plotësimi i tej zgjatur, i rëndë i anketës. Kush janë prindërit? Ku ke studiuar? Kur mbarove? Ku ke punuar? A ke qenë e dënuar? E të tjera. Unë vetëm habitesha; ata më kishin ndjekur këmba-këmbës, dinin gjithçka për mua, deri në hollësirat më të vogla. Pyetja e parë që më drejtuan: “Tani më trego për miqtë dhe të njohurit tuaj”. E prita e qetë këtë pyetje. Përmenda 2-3 emra. Shoqet e mia, ishin njerëz të denjë. Midis tyre kishte mjeke, pedagoge, inxhiniere. Të gjitha punonin shkëlqyeshëm; i respektonin, kishin familje të mira, fëmijë. Isha e bindur, se duke u përmendur emrat, nuk u sillja ndonjë të keqe. Sa budallaçkë! As më vajti në mendje, se çdo fjalë imja përdorej kundër nesh. Hetuesit nuk i kënaqi përgjigjja ime. Ata m’i përmendnin vetë emrat e disa të njohurve të mi, madje edhe nga ato që kishin ikur me kohë në Bashkimin Sovjetik. Në pyetjet e tyre dalloja keqdashje, mllef; sikur t’u vinte inat që ata njerëz kishin ikur, u kishin shpëtuar nga duart. Në një nga ditët e para të burgosjes, dera e qelisë sime u hap me zhurmë. Unë brofa në këmbë. Në qeli hyri i shoqëruar nga gardiania, një burrë flokëzi. Ai më kundroi në sy. Fytyra i mori pamje zemërligë. “Ah, ja kush na qenka këtu! Hë, si je? Ke ndonjë ankesë”? – më pyeti, pa u prezantuar. Në kokë më kaluan njëra pas tjetrës pyetjet: “Ankesa? Për çfarë? Kujt t’i ankohem? Nuk e dinë këta, që unë s’kam bërë ndonjë faj, që gjithçka po ndodh është planifikuar me kohë”. Por heshta. Ai burri doli.
Disa ditë më pas më çuan për të më marrë në pyetje. Ai burri me flokë të zinj ishte aty. U prezantua: “Prokurori!” dhe vijoi: “Aha! Mori fund jeta jote e bukur! Kush do t’i veshë rrobat e tua të rralla? Burri yt nuk do të bredhë më jashtë shtetit!” “Burri im jashtë shtetit?! Ç’rroba të bukura?” “Ai pra, burri yt, Kostallari!” Dhe aq ligësi vërejta në fjalët e tij, sa m’u bë sikur në buzë i doli shkumë. Sikur unë dhe të gjitha shoqet e mia, ishin armike vetjake të tij. (Kurse Kostallari, ka qenë gjuhëtar, akademik, shkonte jashtë shtetit në konferenca dhe simpoziume shkencore. Ndoshta kjo ngjallte tek të tjerët zili dhe keqdashje). “Gaboheni, – i thashë. – Unë jam Taisa Pisha, gruaja e Gaqo Pishës”. Ai u hutua, por shumë shpejt e mblodhi veten. “A-a, burri yt është ai që i dridhen duart. E shikon sa faj të rëndë ke bërë. Po të mos ishe fajtore, ne nuk do të të arrestonim dhe të të shkëputnim nga burri i sëmurë”. Unë nuk fola. Mendoja me vete se këta njerëz kurrë nuk ndiejnë keqardhje për njeri, kurrë! Ai më drejtoi po ato pyetje, si dhe hetuesi. “M’i numëro me radhë të gjitha shoqet e tua”! “Ia thashë hetuesit”, – ia ktheva unë. “Përsërite”! I përsërita 2-3 emrat, që i përmenda hetuesit. Por kjo nuk e kënaqi prokurorin. Ai nisi të m’i numërojë vetë emrat e grave sovjetike. “Po këtë e njeh? Po këtë?” Po, i njihja gati të gjitha. Kishim pasur marrëdhënie të mira. Në zërin e prokurorit, tek përmendte emrat e shoqeve të mia, kishte aq urrejtje, aq mllef, sa më hyri frika në palcë. Prokurori e ngriti zërin, nisi të ulërinte: “Përse nuk bashkëpunon me hetimin? Nuk do të tregosh”?! “Ne s’kemi bërë kurrë biseda armiqësore, nuk kam ç’të tregoj”. “S’është e vërtetë! – bërtiti prokurori, – do t’jua nxjerrim të palarat… ju jeni armiq… jeni spiune!… Keni ndihmuar Bashkimin Sovjetik, i cili bën të pamundurën për të shembur pushtetin popullor në Shqipëri. Ju jeni antistaliniste, keni përkrahur Hrushovin, por organet tona ju demaskuan”! etj.
Të gjitha këto të hutonin, të krijonin bindjen se makina që na kishte mbërthyer, nuk do të na lëshonte pa na bluar mirë; se ata do të bënin ç’të donin me ne. Hetimin e zhvillonin rregullisht dy hetues. Me një hetues nuk lejohej. Organet nuk i besonin njeriu dhe hetuesit ruanin e përgjonin njëri-tjetrin. Pastaj, mendonin se gratë, mund të akuzonin hetuesin për ngacmim seksual. Raste të tilla ka pasur. Ama, kur njëri prej dy hetuesve donte të të godiste, tjetri dilte nga dhoma. Gjithçka pa dëshmitarë. Hetuesi im ishte Fejzo Aloçi. Burrë jo fort i zgjuar, me arsim të mesëm. Me të në çift punonte Fatos Trebeshina. Ky po, ishte i zoti, me “gramë”. Ata luanin secili rolin e vet: Fejzo i mirë dhe Fatosi i keq. Megjithëse Fatosi edhe pa këtë rol, ishte i lig, inatçor, i pabesë dhe hakmarrës. Nganjëherë edhe Fatosi luante rolin e “të mirit” dhe para se të niste nga pyetjet, më thoshte se në shtëpi të gjithë janë mirë. Atyre nuk u zije dot besë, por ja që na e kishte qejfi të besonim se thoshin të vërtetën dhe qetësoheshim disi. Hetuesit të tillë duhej të ishin: njerëz pa moral, të vrazhdë, zhurmëmëdhenj. Ata duhet të besojnë në rendin që i ka nxjerrë dhe që i paguan mirë. Kjo punë u siguronte atyre gjithfarë të mirash materiale, por dhe respekt përzier me frikë të njerëzve përreth. Për t’i ruajtur këto të mira, ata ishin gati për gjithçka. Ja, kështu shkonin marrjet në pyetje, herë buzëqeshje të ëmbla, herë britma. “Hë, si ndihesh? Të pëlqen supa këtu?” (“Supa” ishte lëtyrë e zezë, e tmerrshme, që mund ta haje vetëm pas një urie disaditëshe). “Çka! – i përgjigjesha. – Në kohën e luftës kemi provuar edhe më keq”. Paskëtaj supën nuk ma përmendën më. Që në marrjen e parë në pyetje dhe deri në fund të hetimit, më përsëritnin po të njëjtën: “Prano, prano! Pohimi me zemër të pastër të jep mundësinë për të pasur ndihmën tonë. Po nuk pranove, më keq do ta kesh”.
Nuk e dija se ç’duhej të pranoja, prandaj përsëritja se nuk isha fajtore. Dhe ndihesha e vockël, insekt, buburrec… jo, jo buburrec, por një hiç i shkëputur nga jeta, i shkelur me këmbë, i shtypur, i katandisur nën një makinë, e cila në asnjë mënyrë nuk e lëshon viktimën e saj, në asnjë mënyrë! “Sistemi ynë gjyqësor nuk gabon kurrë!” – përsëritnin hetuesit. Në njërën nga marrjet në pyetje, në fillim kërkova të lexoja Kodin Penal. Isha krejt e pafuqishme në atë gjendje, ku qeshë katandisur, nuk e kisha idenë e Kodit Penal, kurrë nuk isha interesuar për gjëra të tilla, sepse kurrë s’kisha kryer diçka të jashtëligjshme. Hetuesit u gajasën: “Pa shiko, ç’na dashka!” Kodin Penal nuk e pashë me sy as gjatë hetimit, as para gjyqit. E dija se në Shqipëri, që nga viti 1966, nuk kishte avokat për të pandehurin. Avokatët e Shqipërisë së pasluftës merrnin pjesë në proceset politike. Ata dilnin shpesh kundër pa ligjësisë, kundër arbitraritetit. Por shumica e tyre u përndoqën, kurse në vitin 1966 avokatura u likuidua. Megjithatë, unë vendosa dhe kërkova avokat: “Gjykatat tona janë më të drejtat në botë, ne s’kemi nevojë për avokatë! Pastaj, ti je aq e shkolluar, sa të dish të mbrosh veten”, – m’u përgjigj hetuesi. Aty thashë diçka për të drejtën romake (megjithëse, të them të drejtën, s’e kisha idenë ç’ishte ajo). Thashë se në gjyq duhet të jetë i pandehuri, mbrojtësi dhe gjykatësi. Por ma pritën, se e drejta romake i përket të shkuarës, atë të gjithë e kanë harruar.
Dhe sërish: “Trego! Trego! Prano! Pranimi me zemër të pastër do të të lehtësojë. Po të japim mundësinë të pendohesh dhe të marrësh dënim minimal!” Dhe sërish: “Çfarë bisedonit me shoqet? Çfarë lexonit? Ju jeni të gjitha antistaliniste”! “Antistaliniste? Stalini ka vdekur njëzet e ca vite të shkuara. Ç’lidhje mund të kem unë me të”? Hetuesi nisi të ulërinte: “Partia jonë është e vetmja parti marksiste-leniniste në botë, të gjitha të tjerat janë revizioniste. Ne jemi stalinistë besnikë. Kush është kundër Stalinit, është armiku ynë”! Dhe sërish: “Çfarë lexonit? Çfarë bisedonit…”? Unë u numërova disa libra, që i kisha lexuar pak kohë para se të më arrestonin. Midis tyre “Kujtime” të I. Erenburgut. Vëll. 1. Ai mbajti shënim. Kur më thirrën sërish, ai ulëriti: “Në atë libër Erenburgu shkruan kundër Stalinit”! Dhe sërish më kërkuan të pranoja fajin, më thanë se më kot ngulja këmbë në timen, se kishte aq shumë material kundër meje, saqë mund të më pushkatonin. Më treguan emrin tim në kopertinë. “O Zot! – mendova. – Sa kallëzime paska për mua”! Pastaj, gjatë hetimit, e kuptova se përveç kallëzimeve, në ato vëllime ishin edhe përkthimet e letrave që kisha dërguar apo marrë, ishin gjurmimet e të gjitha lëvizjeve që kisha bërë nëpër Shqipëri! “Sa punë, sa pará të hedhura në erë! Po unë do të gjej dot forca për t’i hedhur poshtë të gjitha këto shpifje”? Një ditë, gjatë marrjes në pyetje me britma dhe kanosje, papritur u hap dera dhe në dhomë futën një plak shtatlartë, të palarë, të parruar, të sfilitur. Ai mezi mbahej në këmbë. “E njeh këtë njeri?” – më pyetën. “Jo”, – u përgjigjja. “Po ti”? – iu drejtuan plakut. – “Po. Është Taisa Pisha, gruaja e Gaqo Pishës”. Vetëm kur ai nisi të fliste, e njoha. Ishte Mandi Koçi, burri i Roza Koçit.
Mandi, ishte nga i njëjti vend me Gaqon, prandaj njiheshim. Gjatë luftës ai kishte një dyqan në Korçë, ku fshiheshin ilegalët. Vetë Mandi, komunist, antifashist, kish marrë pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas luftës e çuan për studime në Moskë, ku kreu një kurs dhe u bë operator kinemaje. Në Moskë u njoh me një vajzë, Rozën, me të cilën u martua. Roza mbaroi fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Moskës, kishte mësuar shqipen dhe e fliste shkëlqyeshëm. Mbas largimit të Rozës në Bashkimin Sovjetik, Mandin e përjashtuan nga partia dhe e hoqën nga puna. Mbas shumë përpjekjesh, arriti të fillojë punë si fotograf. Si të gjithë burrat e grave sovjetike, ai nuk kishte fare lidhje me familjen në Rusi. Në vitin 1974, dëgjuam se e kishin arrestuar. Papritur e kuptova përse më pyesnin vazhdimisht se për çfarë bisedoja me Rozën. Dhe, megjithëse Rozën s’e kisha parë që nga viti 1960, por dhe nuk e kisha shoqe të ngushtë, hetuesit kërkonin, ulërinin…! Hetuesi iu drejtua Mandit: “Më thuaj, për çfarë të akuzuan dhe sa vite je dënuar”? “25 vjet për spiunazh”, – u përgjigj fatkeqi. Si e mbajta veten dhe nuk bërtita, nuk e di. Këtë plak të gjorë, të sëmurë, që pa dyshim nuk kishte asnjë faj… 25 vjet! “Tani na thuaj, për çfarë bisedonte Taisa me Rozën”. Mandi nuk nxori dot fjalë nga goja, diçka belbëzoi, u ngatërrua. Hetuesi nisi të lexonte deponimet e tij. Mandi tundte kokën në formë miratimi. Kishte dëshmuar sikur në vitin 1959 (17 vjet të shkuara), unë i paskam thënë Rozës se: Bashkimi Sovjetik do të sulmojë Shqipërinë. Ky qe budallallëk me brirë dhe unë nuk e mbajta dot të qeshurën, në fillim me zë të ulët, pastaj, pak nga pak e qeshura kaloi në histeri. Unë qeshja dhe qaja dhe mezi e mblodha veten. “Ç’janë këto marrëzira, unë thuajse nuk komunikoja me Rozën, jo pastaj t’i thosha gjëra të tilla, kur vendet tona kishin marrëdhënie aq të mira. Nga ana tjetër, Mandi nuk dinte rusisht, edhe pak që kish ditur e kishte harruar me kohë. Në shtëpi flisnin shqip, ai asnjëherë nuk ka kuptuar gjë nga ato që flisnim ne, me njëra-tjetrën”, – i thashë hetuesit. Ata të dy zunë të ulërinin që fjalët e Mandit ishin të vërteta. Unë nuk e firmosa protokollin, por kjo nuk i pengoi që ky kallëzim të bëhej në gjyq. / Memorie.al / KultPlus.com
Dua Lipa ka shkëlqyer në hapjen e shout të markës së famshme “Versace” dje, në Javën e Modës në Milano të Italisë.
Shumë fytyra të famshme ecën në pistë në shfaqjen Versace të Pranverës/Verës 2022 në Javën e Modës në Milano, por të gjithë sytë ishin te Dua Lipa ndërsa ajo bëri debutimin e javës së saj të modës. Këngëtarja hapi dhe mbylli shfaqjen, e cila përmbante një fonogram të përbërë nga këngët e krijuesit dhe burra pa këmishë që mbanin një tendë me shalle mëndafshi mbi modelet.
“Physical” filloi të luante mbi altoparlantët ndërsa Lipa filloi shfaqjen, duke dalë në pamjen e saj të parë, një fustan xhaketë sportive i zbukuruar me këmbët e sigurisë të markës, këtë herë në një sërë ngjyrash të ndritshme. Këngëtarja kishte veshur shtesa të gjata dhe të drejta të Donatella-s në ngjyrën e saj natyrale të flokëve, teksa ecte në mënyrë të qëndrueshme.
Para se të mbaronte koha, Lipa u shfaq përsëri, duke e mbyllur shfaqjen në një set vezullues shkëlqyes me dy pjesë. Këngëtarja arriti në fund të pistës dhe nxori gjuhën jashtë kur goditi kthesën. Ajo më pas u bashkua me Donatella për harkun e saj të fundit, duke e forcuar pozitën e saj si muza më e re e Versace.
Ndërsa kjo shënon herën e parë të Lipa në pistë, këngëtarja është përfshirë me Versace për disa kohë tani. Ajo ka veshur pamjen në shumë qilima të kuq, përfshirë Çmimet Grammy 2021 dhe Met Gala 2019. Ajo ishte gjithashtu përfaqësuese e fushatës së Versace -s në vjeshtë/dimër 2021.
Dua është e njohur që moti për besnikërinë që ka ndaj Versaces. Si fytyrë e reklameve të këtij brendi të modës, Dua llogaritet më shumë se një zëdhënëse e tij.
Dizajnet e Donatella Versaces përbëjnë pjesën më të madhe që këngëtarja 25-vjeçare dhe stilisti i saj Lorenxo Posocco, zgjedhin për paraqitjet e yllit të muzikës. / KultPlus.com
Sot shënohen 15-të vite nga vdekja e Muharrem Qenës.
Një këngëtar, regjisor, shkrimtar e aktor, Qena la pas vetes një numër të madh të këngëve të cilat sot gjeneratat e ndryshme i dëgjojnë dhe i kultivojnë.
Para disa viteve, Rebeka Qena – një prej vajzave të Muharrem Qenës, në një kërkesë të KultPlusit na dërgoi këto katër fotografi të Muharremit në etapa të ndryshme të jetës së tij.
Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist. Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930 në një familje që kontribuoi shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Qena ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Kënga “Kaqurrelja” është kënduar për herë të parë nga Muharrem Qena dhe më vonë (80-ta) janë krijuar versione tjera të saj. / KultPlus.com