“Unë Përparim Rama betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i Prishtinës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë”, ka thënë Përparim Rama, në ceremoninë e marrjes së detyrës si i pari i Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.
Përgjatë kësaj ceremonie, Rama ka thënë se për të mirën e Komunës së Prishtinës do të bashkëpunoj me të gjithë, duke e bërë Prishtinën si një vend me plot gjallëri e me mundësi shumë të mëdha për të rinjtë.
Rama në këtë ceremoni, ku detyra i është dorëzuar nga kryetari i deritanishëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ka bërë ftesë të gjitha partive politike por edhe shoqërisë civile, që të bashkëpunojnë në qeverisjen e tij përgjatë këtij mandati. / KultPlus.com
Presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi, i ka dërguar një letër ngushëllimi familjes së Bob Role, i cili vdiq këtë javë për shkak të një sëmundje, shkruan KultPlus.
Delegacioni i senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 29 gusht të vitit 1990 vizitoi Kosovën për herë të parë të udhëhequr pikërisht nga senatori Bob Dole.
KultPlus iu sjellë letrën e plotë të ngushëllimit nga Lidhja Qyetetare Shqiptaro-Amerikane
“Të dashur miq dhe mbështetës,
Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane i shpreh ngushëllimet e saj të përzemërta Elizabeth Dole dhe anëtarëve të tjerë të familjes së senatorit Bob Dole.
Senatori Dole u bë shumë i rëndësishëm për lirinë e popullit shqiptar, kur kongresmeni Joe DioGuardi bëri me sukses rastin në qershor 1986 për të prezantuar me të Rezolutën e parë për të drejtat e njeriut dhe vetëvendosjen e popullit shqiptar në Jugosllavi.
DioGuardi dhe Dole punuan në mënyrë aktive së bashku nga viti 1986 deri në vitin 1991 për t’i dhënë fund okupimit brutal ushtarak serb të Kosovës.
Më poshtë janë disa foto të paharrueshme të Bob Dole dhe Joe DioGuardi duke punuar së bashku në Uashington, DC
Gjithe te mirat,”
Mendja e tij gjeniale dhe aftësitë njohëse në ligjvënie, e kanë karakterizuar Dolen, i cili ka pasur një karrierë të gjatë në Kongresin amerikan.
Dole ka dhënë kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së vendit të Kosovës. /KultPlus.com
Filmi i shkurtër “Thurje # Hashtag” me skenar te Brikena Sopit dhe me regji te Lorena Sopit, ka fituar çmimin për filmin më të mirë të shkurtër ‘Best Short Film’ në Calcuta International Cult Film Festival, i cili ka përfunduar të shtunën mbrëma në Calcuta te Indisë.
“Ky sezon i festivalit nuk përfundon këtu. Projekti juaj ‘Hashtag’ tani është kualifikuar për të konkurruar për çmimet prestigjioze kombëtar Golden Fox Awards në galan vjetore të shfaqjes së drejtpërdrejtë të CICFF, e cila do të mbahet në Kalkuta në janar 2022, kur në të njëjtën kohë do të zhvillohet edhe Piazza di Cinema, tregu ynë botëror i filmit”, thuhet në njoftimin e Festivalit.
Filmi, “Hashtag” po ashtu është nominuar për çmim kryesor në festivalin ‘Only the Best’ i cili do të mbahet nga data 8-14 dhjetor ne Miami të SHBA-së. Gjatë muajit dhjetor, ‘Hashtag’ do të shfaqet në Actrum International Film Festival i cili mbahet në Madrid të Spanjës, pastaj në Montevideo World Film Festival në Argjentinë, në Italia International Film Festival i cili mbahet në Romë, pastaj në International Moving Film Festival në Tehran.
Filmi “Thurje # Hashtag”, deri më tani ka fituar shtatë çmime ndërkombëtare:
1. Grand Jury Prize – Brandenburg Film Festival, Berlin 2021.
2. Best Short Film – Tagore International Film Festival – Filipine 2021
3. Best Short Film – Druk International Film Festival, Paro Bhutan 2021
4. Outstanding Achievement Award – World Film Carnival, Singapore 2021
5. Outstanding Achievement Award – Star Hollywood Film Festival, LA 2021
6. Best Fictional Short Film – Waikiki Beach Film Festival, 2021
7. Best Short Film – Calcuta International Cult Film Festival, 2021
“Thurje # Hashtag” trajton jetën e dyfishtë virtuale që tashmë mund të konsiderohet si një lloj pandemie globale. Zana dhe Tina, dy vajza të reja, janë studente universiteti dhe ndajnë bashkë një dhomë banimi. Ato janë të dhëna shumë pas rrjeteve sociale dhe kohën më të madhe e kalojnë të lidhura me telefon mobil. Zana, bënë edhe foto sesione speciale për të krijuar një jetë virtuale të cilën e gjakon. Edhe personat me të cilët ajo është e lidhur e për të cilët beson se janë të rëndësishëm, të pasur e të suksesshëm, në realitet janë po ashtu persona fiktiv dhe te paqenë. Zana, madje organizon edhe seanca mësimi se si duhet krijuar imazhi virtual i një personi. Ajo e subordinon Tinën dhe e tërheq në botën e saj. Tina ka dilema. Megjithatë përpiqet ta përcjell Zanën, por përpiqet edhe të mësoj dhe të zë dije në lëmine e shkencës që ajo e studion. Kur pasioni i Zanës për jetën virtuale dhe mediat sociale kapërcen kufijtë e normales, Tina e kundërshton atë duke ia bërë me dije se ajo ka ardhur në kryeqytet për të mësuar dhe për tu bërë ‘dikushi’ me dije. Ajo, paralajmëron Zanën se me këtë logjikë, nuk do te mund te vazhdojnë tutje bashkë. Hendekun mes dy shoqeve e thellon edhe më shumë momenti kur Tina bie prej provimi dhe kërcënon Zanën se udhët e tyre do të ndahen përfundimisht. Zana vazhdon të krijoj personalitetin e rrejshëm dhe të ëndërroj se jeta saj virtuale një ditë do të bëhet realitet. Ajo madje krijon një lidhje serioze me një person te tillë fiktiv. Por kur del në takim me ‘personin e ëndrrave’, zhgënjehet meqenëse kupton se ai person është një i moshuar të cilin ajo e ka angazhuar si fotograf për t’ia sajuar jetën virtuale. Zana, e dëshpëruar, kthehet në banesë dhe merr vendim te ndryshoj jetën. Ajo, i kthehet pikturës. Autoportretit të lënë përgjysmë.
Ne rolet kryesore luajnë aktorët Vjollca Tasholli, Blerta Gubetini dhe Bislim Muçaj.
Producent ekzekutiv: Uran Duli, Grimi: Miranda Hetemaj, Kostumografe: Jeta Bajrami, Skenografe: Alba Bytyqi, Zëri: Beslidhje Bytyçi, Muzika: Memli Kelmendi, Asistent i regjisores: Ermal Duli, Drejtor i fotografisë: Lorenc Pelushaj, Skenariste: Brikena Sopi, Regjisore dhe Producente: Lorena Sopi . Prodhoi AS Film Production nga Prishtina./KultPlus.com
Papa Françesku e ka krahasuar tërthorazi Bashkimin Evropian me diktaturën naziste për shkak se po përpiqet që të vendosë disa rregulla për përdorimin e gjuhës, përfshirë ndalimin e fjalës “Krishtlindje”.
84-vjeçari e paralajmëroi Bashkimin Evropian që “të mos e marrë rrugën e kolonizimit ideologjik”, pasi u kthye nga vizita 4-ditore në Greqi, shkruan Daily Mail.
Javën e kaluar, Bashkimi Evropian u ankua se po përpiqet që t’i “anulojë” Kërshëndellat, pasi i tha stafit që ta shmangë këtë fjalë dhe në vend të saj ta përdorë togfjalëshin “periudhë festash”, sepse ajo mund të jetë fyese për ata që nuk janë të krishterë.
“Është diçka që nuk ka funksionuar përgjatë tërë historisë. Në histori, shumë diktatura janë përpjekur që t’i bëjnë këto gjëra. Po mendoj për Napoleonin, diktaturën naziste, atë komuniste”, tha Papa përderisa po kthehej me aeroplan në Vatikan.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian është i nevojshëm, por duhet ta shmangë nxitjen e përçarjeve në mesin e vendeve anëtare. “Bashkimi Evropian duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e marrë rrugën e kolonizimit ideologjik. Kjo mund të përfundojë në përçarjen e shteteve dhe shkaktimin e dështimit të BE-së”, tha Papa.
Në dokumentin e javës së kaluar të BE-së i thuhet stafit që të shmanget supozimi se të gjithë janë të krishterë dhe se “jo të gjithë i festojnë festat e krishtera dhe jo të gjithë të krishterët i festojnë ato në datat e njëjta”.
Në vend se të thuhet “periudha e Krishtlindjeve mund të jetë stresuese”, stafi u udhëzua që të thotë “periudha e festave mund të jetë stresuese”.
Kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit i Vatikanit, e akuzoi Bashkimin Evropian se po mundohet “t’i prishë rrënjët tona” duke e injoruar – e jo duke e respektuar – trashëgiminë e krishterë të Evropës./GazetaExpress/KultPlus.com
Komuna ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të organizohet aktiviteti “Prite n’Shesh”.
Sipas Komunës, ky aktivitet do të mbahet nga 10 dhjetori deri më 31 dhjetor.
Njoftimi i plotë i komunës:
Komuna e Prishtinës ka kënaqësinë të ju ftojë në aktivitetin e njohur të komunës të quajturin Prite n’Shesh!
Ky aktivitet hapet me 10 Dhjetor 2021 duke filluar nga ora 20:00 dhe do të vazhdojë deri më 31 Dhjetor 2021.
Gjithashtu, 26 bizneset fituese ftohen nesër me datën 8 Dhjetor prej orës 14:00 në Komunën e Prishtinës për t’a tërhequr shortin për numrin e shtëpizës që do të posedojnë përgjatë këtij aktiviteti.
Falënderojmë të gjitha bizneset që aplikuan!/KultPlus.com
Çmimet “Grammy” kanë qenë vazhdimisht në qendër të kritikave vitet e fundit me artistët që nominojnë për çmime. Shumë këngëtarë e kanë bojkotuar herë pas here ceremoninë, me The Weeknd që nuk mori pjesë pasi albumi i tij “After Hours” nuk u nominua në asnjë kategori.
Këtë vit është kolegu i tij kanadez, Drake ai që ka tërhequr në mënyrë sensacionale dy nominimet e tij për çmimet e ardhshme Grammy 2022, siç raportohet ngaVariety.
Drake, 35 vjeç, ishte në garë për albumin më të mirë Rap me “Certified Lover Boy” dhe Performancën më të Mirë Rap për këngën e tij “Way 2 Sexy”.
Kur u kontaktuan nga The Post, përfaqësuesit e Drake refuzuan të komentonin. Sidoqoftë, një person i brendshëm pranë kampit të tij konfirmoi për The Post se ishte një vendim që e mori vetë Drake – dhe Grammy e nderoi kërkesën e tij.
Reperi i “Hotline Bling” ka fituar më parë vetëm katër çmime Grammy, duke përfshirë për albumin më të mirë rep dhe këngën më të mirë rep. Kjo është ende shumë më pak se bashkëmoshatarët e tij, duke pasur parasysh se Jay-Z ka fituar 23 Grammy deri më sot.
Grammy-t konsiderohen si çmimet më prestigjioze në industrinë e muzikës dhe votohen nga anëtarët e Akademisë së Regjistrimit, një organizatë elitare e përbërë nga interpretues, producentë dhe inxhinierë audio.
Drake ishte një nga pesë artistët në secilën prej kategorive në të cilat ai u nominua. Variety raporton se ai nuk do të zëvendësohet në asnjërën kategori dhe katër artistët e mbetur tani do të luftojnë për secilin prej çmimeve./KultPlus.com
E di që po e lexon këtë poezi vonë, para se të lësh zyrën tënde me të vetmen llampë të verdhë dhe një dritare që nxin në plogështinë e një ndërtese të zhytur në qeti kur ora e pikut ka kaluar me kohë. E di që po e lexon këtë poezi në këmbë, në një librari larg oqeanit në një ditë të hirtë fillim pranvere, flokë të lehtë dëbore degdisen mes hapësirave të pamata të rrafshirave përreth. E di që po e lexon këtë poezi në një dhomë ku ka ngjarë shumë më tepër nga ç’mund të durosh ku një lëmsh çarçafësh dergjen amullt mbi shtrat dhe valixhja e hapur flet për arrati por ende s’mund të largohesh. E di që po e lexon këtë poezi ndërsa metroja ngadalëson shpejtësinë, para se të rendësh nëpër shkallë drejt një dashurie të re që jeta kurrë s’ta fali. E di që po e lexon këtë poezi nën dritën e televizorit, ku shfaqen pandalur imazhe pa zë, ndërsa pret lajmet e fundit mbi intifadën. E di që po e lexon këtë poezi në një sallë pritjeje me sytë që ndeshin vështrime të huajsh që të panjohur do mbeten.
E di që po e lexon këtë poezi nën dritën e neonit me mërzitinë e të rinjve që ndihen të përjashtuar, që në moshë shumë të re vetëpërjashtohen. E di që po e lexon këtë poezi me shikim të turbullt: xhamat e trashë të syzeve t’i zmadhojnë gërmat përtej çdo kuptimi e ti prapëseprapë vazhdon të lexosh ngase edhe alfabeti i çmuar është. E di që po e lexon këtë poezi në kuzhinë teksa ngroh qumështin, me një fëmijë që të qan mbi supe dhe një libër në dorë, sepse jeta është e shkurtër dhe ti etje ke. E di që po e lexon këtë poezi që nuk është në gjuhën tënde domethënien e disa fjalëve nuk e di, ndërsa të tjerat të ngasin të vijosh leximin dhe unë dua të di cilat janë. E di që po e lexon këtë poezi në pritje që diç të dëgjosh, e mëdyshur mes hidhësisë dhe shpresës, që mandej t’u kthehesh detyrave që s’mund t’i refuzosh. E di që po e lexon këtë poezi sepse nuk ke tjetër ç’të lexosh, aty ku ke ngecur, lakuriq siç je. / KultPlus.com
Promovimi i verërave “Made in Albania” në tregun italian ishte në qendër të aktivitetit të organizuar nga Shoqata e Somelierëve italianë, në komunën arbëreshe Shën Mitër Korona.
Këtë aktivitet e përshëndeti me një nëpërmjet një videokonference edhe Presidenti Ilir Meta.
Meta theksoi se, “ky aktivitet, që synon forcimin e shkëmbimeve ekonomike dhe turistike midis dy vendeve tona, në veçanti mes komunave arbëreshe dhe Shqipërisë, kishte rëndësi të madhe edhe për qëllimin social dhe human për të cilin ishte ideuar, pasi të ardhurat e grumbulluara do të përdoren për blerjen e materialeve sanitare dhe shëndetësore në vendin tonë, me qëllim përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19”.
Meta e falënderoi Klubin AIS Kalabri dhe Klubin AIS Shqipëri për këtë nismë dhe uroi që në të ardhmen të organizohen sa më shumë aktivitete të tilla, që përveç aspektit humanitar, nxjerrin në pah vlerat tërheqëse dhe traditat më të mira të agroturizmit shqiptar, si dhe forcojnë lidhjet e Shqipërisë me komunitetin arbëresh dhe Italinë mike. /ATA/
Përmes një konference për media, Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH) ka publikuar detajet e fundit në lidhje me edicionin e 60-të të Festivalit të Këngës.
Ky edicion jubilar do të ketë pesë prezantues dhe do të mbahet në tri net, më 27, 28 dhe 29 dhjetor.
Drejtimi artistik i festivalit i është besuar kantautorit Elton Deda, ndërsa do të prezantohet nga Ardit Gjebrea, Xhemi Shehu, Jonida Maliqi, Isli Islami dhe Kelvi Kadilli.
Nata e parë i dedikohet konkurrimit të 20 këngëtarëve, nata e dytë nostalgjisë, duke qenë i pranishëm çdo emër që ka lënë gjurmë, në 60 vjet histori dhe nata e tretë, më 29 dhjetor, do t’i dedikohet formatit të “Eurovisionit”, pasi fituesi do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2022”, i cili do të mbahet në Torino të Italisë./ KultPlus.com
“Ajo ishte e gatshme të mohonte ekzistencën e hapësirës dhe kohës, më shumë se sa ta pranonte se dashuria mund të mos jetë e përjetshme.” – Simone de Beauvoir
“Është e lehtë të biesh në dashuri. Pjesa e vështirë është gjetja e personit që do ta shkaktonte atë.” – Bertrand Russell
“Në dashuri, ne shpesh e dyshojmë atë që më së shumti e besojmë.” – François de La Rochefoucauld
“Secila dashuri, sa do qiellore që mund të duket, rrënjët e saj i ka në instiktin seksual.” – Arthur Schopenhauer
“Dashuria është emri për përpjekjen tonë për plotëni; për dëshiron tonë për të qenë komplet.” – Plato
“Gravitacioni nuk është përgjegjës që njerëzit bien në dashuri.” – Albert Einstein
“Oh, dashuria nuk është këtu për të na bërë të lumtur. Unë mendoj se ajo ekziston për të na treguar se sa shumë mund të durojmë.” – Herman Hesse
“Sa më shumë që ke sukses në dashuri, aq më shumë do të bindesh në ekzistencën e Zotit dhe në pavdekshmërinë e shpirtit.” – Fyodor Dostoevsky
“Dashuria e vërtetë nuk e njeh thellësinë e saj deri në momentin e ndarjes.” – Kahlil Gibran
“Dashuria është një gjendje në të cilën njeriu i sheh gjërat ashtu siç ato nuk janë.” – Friedrich Nietzsche
“Dashuria pushton çdo gjë, prandaj le ti nënshtrohemi dashurisë.” – Virgil
“Ata që është më së vështiri për t’i dashuruar, kanë më së shumti nevojë për të.” – Socrates
“E dini që jeni të dashuruar kur nuk mund të flini, sepse më në fund realiteti është më i bukur se sa ëndërrat e juaja.” – Dr. Seuss
“Kur dashuroni, ju dëshironi të bëni diçka për të. Dëshironi të sakrifikoni për të. Dëshironi ti shërbeni asaj.” – Ernest Hemingway
“Një grua e njeh fytyrën e burrit që e dashuron, ashtu siç detari e njeh detin e hapur.” – Honore de Balzac / KultPlus.com
Eugen Berthold Friedrich Brecht i njohur profesionalisht si Bertolt Brecht, ishte një praktikues, dramaturg dhe poet gjerman i teatrit.
Ai pati sukseset e tij të para si dramaturg në Mynih dhe u transferua në Berlin në 1924, ku shkroi Opera Threepenny me Kurt Weill dhe filloi një bashkëpunim të përjetshëm me kompozitorin Hanns Eisler.
I zhytur në mendimin marksist gjatë kësaj periudhe, ai shkroi Lehrstücke didaktike dhe u bë një teoricien kryesor i teatrit epik (të cilin më vonë preferoi ta quante “teatër dialektik”) dhe të ashtuquajturin efekt V.
Gjatë periudhës naziste, Bertolt Brecht jetoi në internim, së pari në Skandinavi dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shtetet e Bashkuara, ku u mbikëqyr nga FBI dhe u thirr nga Komiteti i Dhomave të Aktiviteteve Jo-Amerikane. Duke u kthyer në Berlinin Lindor pas luftës, ai themeloi kompaninë e teatrit Berliner Ensemble me gruan dhe bashkëpunëtoren e saj për një kohë të gjatë, aktoren Helene weigel.
KultPlus më poshtë ua sjell një nga thëniet e tij të famshme:
“Të gjitha vendet ishin zënë kështu që u ulëm nga ana e fajit”. /KultPlus.com
Pavijoni Shqiptar në edicionin e 59-të të Bienales së Venecias do të përfaqësohet nga Lumturi Blloshmi, artistja e parë femër që përfaqëson Shqipërinë me një prezantim personal në Venecia, kuruar nga kuratorja shqiptare Adela Demetja.
Pak ditë më parë artistja Blloshmi bëri një vit që u nda nga jeta për shkak të covid 19.
Biografia e jashtëzakonshme e Lumturi Blloshmit, personaliteti i saj i fuqishëm dhe mbi të gjitha vepra artistike cilësore, e bëjnë atë vlerë unike dhe domethënëse për artin bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar.
Puna e Lumturi Blloshmit përshtatet gjithashtu më së miri me temën e këtij viti të Bienales së Artit të Venecias, titulluar “Qumështi i ëndrrave”.
Prezantimi me titull “Lumturi Blloshmi. Nga e para” është i konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, shqyrtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar. / KultPlus.com
(letra polemizuese enciklike dërguar nipit të tij në Vjenë, më 1845, që çmohet si një ndër dokumentet e para që radhit në vija të përgjithshme idetë e Rilindjes Kombëtare)
Mora letrën tënde të 6 marsit nga Vjena, i dashur nip, dhe menjëherë që në fillim, apo edhe ata si ne filluan një ditë dhe duke ecur përpara dora-dorës dhe me siguri, kanë arritur atje ku ne i shohim sot?
Së fundi, si filloi Konfuci në Kinë, Zoroastri në persët, Moisiu në ebrejt, Brahma në hindusët, Thefshi në finikasit, Zallamoksi në sllavët, Likurgu në Laqedemonasit, Karondi dhe Soloni në athinasit, Orfeu në trakët, Krishti në të krishterët, Muhameti në muhamedanët, Luteri në evangjelistët dhe të tjerë ligjvënës dhe prijës kombesh? Këto kombe me kalimin e kohës dhe dora-dorës, sa u përmirësuan! Mësimet janë si farërat. Kështu kanë filluar para nesh të gjithë udhëheqësit e kombeve, punët e të cilëve ishin shumë më të vështira për t’u realizuar se sa e imja.
Ata morën përsipër riformimin rishtaz të një kombi të ri, kurse unë përpiqem vetëm të bëj të shkruhet gjuha e Kombit, jo siç e përshkruan ti, keq.
Duket se nuk ke kënduar kurrë historinë e fisit njerëzor që të shohësh se kurrë kombet nuk kanë filluar menjëherë, por njeri ka filluar pardje, tjetri dje, tjetri sot dhe tjetri nesër; fundi i fundit një ditë do të fillojë edhe ky…
“U ke besuar trashë mësuesve të tu grekë, nipi im”!…
O nip! Vetëm kafshët nuk gjykojnë, e kanë të përcaktuar nga vetë natyra edhe fatin, edhe jetën e tyre; kurse njeriu ka një destinacion, të cilin mund ta arrijë veçse duke filluar të ecë gradualisht nga gjërat më të vogla…Ti, siç thua, ke lexuar shumë historianë dhe për shqiptarët nuk ke gjetur as gjënë më të vogël.
Ti, të gjitha studimet e tua i ke bërë në shkollat greke, të cilat janë organizuar për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar; por ti, si një burrë me arsim, si nuk e kape idenë nga krahasimi i të gjitha kombeve të tjera, që një komb si ai shqiptari, i krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, që zë një vend të caktuar në tokë, që ka tipare të veçanta të gjuhës, të dokeve dhe zakoneve, si ishte e mundur të mos kish dhe dy shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë dhe fetarë, të shpërnguljeve dhe të rivendosjeve të tij?
Por, u besove trashë e trashë mësuesve të tu, se që nga të gatuarit e njeriut dhe gjer tani ky komb paska qenë një gur inorganik, i mbetur në pa veprimtari të plotë ose si një larvë insektesh, e cila nuk ka pësuar ende metamorfozën e saj natyrore si flutur…
Shpikësit e shkronjave nuk sjellin dëm, por përparim!…
Më këshillon të ruhem nga këshillat e të huajve, por nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet, d.m.th. prindërit e tij, farefisin e tij, miqtë e tij, bashkëkombësit e tij, vetë vatrën e tij atërore, varret e stërgjyshërve të tij, gjërat e shenjta të vetë familjes së tij dhe të shkojë për t’i kërkuar të gjitha këto gjetkë, ku kurrë nuk do të ketë mundësi për t’i gjetur, duke vuajtur gjatë jetës:
Pra, atë që këshillon gjëra të tilla, nuk di në ç’kategori ta vendos. Unë, i dashur nipi im, mund të zgjatesha më shumë akoma dhe të bëja më shumë sqarime, por kujtoj se edhe këto janë të mjafta, nga të cilat kuptohet edhe pikëpamja ime edhe sistemi im, a është një ëndërrim i thjeshtë, apo ka edhe ky bazat e tij duke pasur për të ardhmen të mirat e tij që shpresojmë. Të uroj shëndet, mos pusho të duash xhaxhanë tënd, i cili është i gatshëm të dëgjojë këshillat e tua dhe nga këto do të zgjedhë gjithnjë, vetëm të dobishmet. / KultPlus.com
Nën organizimin e Presidencës së Kosovës, është mbajtur ceremonia për nderimin e xhudistes Majlinda Kelmendi dhe kalimin e saj nga një sportiste aktive në arenën e sportit të xhudos në trajnere.
Në Institutin e Historisë ” Ali Hadri” në Prishtinë, ku u mbajt ceremonia, përveq Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës e Majlinda Kelmendit, morën pjesë, Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agron Kuka, Kryetar i Federatës së Xhudos të Kosovës, Driton Kuka, Trajner i Kombëtares së Kosovës në xhudo, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës, Gazmend Muhaxheri, Kryetari i Komunës së Pejës, familja e Majlinda Kelmendit, kryetarë të partive politike, ambasadorë të akredituar në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe personalitete tjera publike dhe sportive.
Me një video mesazh nderimi e falënderimi në ceremoni mori pjesë edhe Marius Vizer, Kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, në pamundësi të të jetë i pranishëm fizikisht në Prishtinë, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Me këtë rast, ministri Hajrulla Çeku përmes një postimi në rrjetet sociale, falënderoi xhudisten Majlinda Kelemendi duke i uruar asaj shëndet, mbarësi e suksese të radhës si trajnere.
“Çika jonë e artë sonte mbylli karrierën e saj si sportiste aktive. Majlindës iu nda Urdhri “Shotë Galica” nga Presidentja Vjosa Osmani. Tani e tutje, ajo i bashkohet trajnerit të kalibrit botëror Driton Kuka në edukimin e kampionëve të ardhshëm të Kosovës.
Faleminderit kampione, paç shëndet e mbarësi, të uroj suksese të radhës si trajnere“, thuhet në postimin e tij. / KultPlus.com
Naum Veqilharxhi, një emër i madh i atdhetarisë dhe i kulturës shqiptare, ideues dhe nismëtar me merita të shquara i zgjimit të vetëdijes kombëtare dhe i përtëritjes së traditës së shkrimit të gjuhës shqipe, tashmë si armë e një programi me synime të larta.
Në kohën kur zhvilloi veprimtarinë e vet N. Veqilharxhi, popujt e Ballkanit kishin filluar të ngriheshin për të formuar shtetet e tyre kombëtare. Greqia sapo kishte dalë si shtet i pavarur në arenën evropiane. Kjo lëvizje politike qe shoqëruar me lëvizje kulturore, ku vendin e parë e zinte kërkesa për të alfabetizuar popullin, për të mësuar shkrim e lexim në gjuhën e vendit.
Prandaj dolën edhe abetaret e para të gjuhëve të Ballkanit. Por gjendja ekonomike dhe kulturore-arsimore e Shqipërisë nën pushtetin osman ishte e mjerueshme. Pashallëqet shqiptare (i Shkodrës dhe i Janinës) që funksionuan si shtete autonome, ishin mbytur me dhunë nga Porta e Lartë. Tradita e shkrimit, e cila kishte marrë një hov të ri në shek. XVII me Budin, Bardhin e Bogdanin, siç ka vënë re E. Çabej, për disa rrethana të brendshme e të jashtme vërtet se nuk u ndërpre krejt në kohën pas shekullit të këtyre autorëve, po megjithatë kishte rënë fashë në shumë pikëpamje.
Gjuha shqipe shkruhej pak, dhe kur shkruhej, përdoreshin kryesisht tri alfabete sipas përkatësisë fetare (latin, grek dhe arab). Dukej atëherë gati si e pamundshme që gjuha shqipe të kishte një alfabet të vetëm, i cili do t’i bashkonte shqiptarët dhe do të ishte hapi i parë për të arritur te një gjuhë letrare kombëtare e përbashkët.
Dihet tashmë se Naum Veqilharxhi botoi dy abetare, më 1844 dhe 1845. E para ishte shumë e thjeshtë, vetëm 8 faqe. Por shqiptarët e pritën ashtu siç pret shiun e verës toka e zhuritur dhe e tharë nga thatësira e gjatë. Naumi u trimërua nga kjo dhe botoi një të dytë me 50 faqe, ku pati hapësirën e nevojshme për të hedhur e për të shtjelluar edhe disa ide të tij në frymën iluministe të lirisë dhe të barazisë e miqësisë ndërmjet popujve.
Ideja themelore frymëzuese e Naumit për ato abetare është ngritja e vetëdijes kombëtare për mësimin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe, veçanërisht nga brezi i ri, krijimi i bindjes se gjuha shqipe është e aftë të bëhet gjuhë e shkollës dhe e kulturës ashtu si gjuhët e tjera. Këtë Naumi e ka shprehur qartë. Ai e vlerësonte gjuhën amtare si mjetin kryesor dhe të pazëvendësueshëm për shkollimin dhe kulturimin e popullit. Kushti i parë për këtë ishte që shqiptarët të kishin shkronjat e veta, d.m.th. të caktohej një alfabet i përbashkët dhe i pranueshëm për të gjithë. Kjo ishte pjesa më e vështirë e punës. Shkronjat duhet të nxëmë, se gjuhën e marrim bashkë me qumështin e gjirit të nënave: “djali sa do i vogël të jetë, gjithë mundimnë e të rëndit do e ketë sa të nxërë shënimet e të foltmit, do me thënë: ëvet, pastaj gjuhën s’duhet ta mpsonjë se e ka të lertë nga mëm’eti, e çdo kartë që të marë ndë dorë, e këndon edhe e kupëton edhe kur të arinjë mbë mpsomjet e lartëra përsëri mbë gjuhë të ti çpejt mer përpara.” (f. 85). Naumi i këshillon shqiptarët e kamur që të mos i lodhin fëmijët duke i shkolluar drejt e në gjuhë të huaja e në shkolla të huaja, se fëmija “po të njohë gjuhën e ti mirë, çpejt e lehët, mpson çdo të huaj” (po aty).
Por, në ç’gjendje ishte gjuha shqipe në kohën e Naumit dhe cilat ishin detyrat më të ngutshme e parësore për atë që me termat e sotshëm do ta quajmë politikë gjuhësore. Diesit e letërorët tanë të shekullit XVI, Pjetër Budi, Frang Bardhi e Pjetër Bogdani, ankohen me të madhe se gjuha jonë po prishej e po bastardohej me të shpejtë duke humbur fjalët e veta e duke u mbushur me fjalë të huaja prej gjuhëve fqinje. Në kohën e Naumit natyrisht gjendja kishte shkuar edhe më keq. Nga njëra anë turqishtja si gjuha e administratës osmane dhe e jetës së përditshme ekonomike të shumë shqiptarëve, nga ana tjetër greqishtja (për Shqipërinë e Jugut) si gjuhë e shkollave të shumta për ortodoksët, gjuhë e kishës dhe institucioneve arsimore e kulturore shumë aktive ndaj shqiptarëve, e kishin rrudhur shqipen në disa funksione të pakta e të thjeshta të komunikimit të rëndomtë në jetën e përditshme.
Hapi i dytë i rëndësishëm ishte pastrimi i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja që dëmtojnë frymën kombëtare dhe ulin vlerat estetike të saj. Gjatë punës për abetaren e dytë ai vëren se gjuha shqipe për shkak të rrethanave historike e kulturore (nga shumë të sjellat e të kthyerat e kohës) dhe më fort për shkak se nuk ka qenë një gjuhë që të mësohej në shkollë (edhe më fort që s’ka pasur dritat e të mpsuarit), ka marrë shumë fjalë e kuvise (shprehje) të huaja. (fq. 89). Le të shënojmë me këtë rast se ai futi në përdorim i pari termin fjalë e huaj. N. Veqilharxhi u ballafaqua kështu me një problem themelor: ç’duhej të bënte me këto fjalë e shprehje të huaja? Ja përgjigjja e tij: e para e punës ishte që si të mund të nxjerr fjalët e shprehjet e huaja dhe në vend të tyre të formoj të tjera nga brumi i gjuhës sonë; dhe me gjithë që hëpërhë munt të mos tringëllojnë ëmblë mbë të dëgjuarit e veshëve, po kam shpëresë se koha do t’i ëmbëlsonjë (po aty). Kështu fillon ajo që është cilësuar si lufta e rilindësve për pastërtinë e gjuhës shqipe, kështu fillon edhe neologjia e pasur dhe ende e pastudiuar mirë e Rilindjes Kombëtare. Ky qëndrim ndaj fjalëve të huaja përbën një nga pikat themelore në programin gjuhësor të Rilindjes dhe N. Veqilharxhi është autori i parë i atij programi.
Hapi i tretë ishte pasurimi i fjalorit të gjuhës shqipe me fjalë të përshtatshme: a) të mbledhura nga goja e popullit pa dallim në vise të ndryshme nga veriu në jug; b) të krijuara nga letrarët dhe njerëzit e diturive me brumin e gjuhës shqipe, në ngjashmëri me fjalët e gjuhës popullore.
Naumi është një nismëtar i madh në drejtimet e sipërpërmendura. Ai vetë dha shembullin më të ndritur në këtë fushë aq të vështirë dhe u bë udhërrëfyes për brezin e atyre që themeluan Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqip (Stamboll, 1879). Është kuptimplotë veprimi i autorëve të “Allfabetares së gjuhësë shqip” Jani Vreto, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Koto Hoxhi (1879), cilët vunë në ballinën e librit të tyre vargjet e Naumit: Kurrëkush me mënt të vet/ mos mburretë se ndiç gjet./ Pa dashun’ i madhi Zot,/ fletë pema s’lëshon dot. (me ndonjë ndryshim në vargjet 3 e 4). Kjo tregon se ata e njihnin dhe e çmonin veprën dhe idetë gjuhësore të Naumit. Këto ide Naumi i konkretizoi me shembuj të mjaftueshëm në ato pak faqe të “Ëvetarit” të tij të vitit 1845.
Nuk është rasti t’i marrim e t’i shqyrtojmë një për një fjalët e huaja që ai këshilloi të nxirreshin nga përdorimi, fjalët që krijoi ai vetë për të pasuruar gjuhën shqipe, fjalët e vjetra të “parpleqve” (stërgjyshërve) që ai deshi t’i ringjallte. Por do të ndalem te një shembull. Në një vend të Ëvetarit ai gjen rastin t’u këshillojë lexuesve të tij toskë që në vend të fjalëve të huaja pishmanepsem (nga turqishtja) ose metanoi (nga greqishtja) të përdorin fjalën pënohem (pendohem), të cilën e cilëson si fjalë gegërisht (2). Kjo dëshmon se ai kishte një ide shumë të drejtë për fjalorin e gjuhës letrare shqipe: ta vlerësojmë fjalën jo sipas prejardhjes dialektore, por sipas vlerës së saj për gjuhën letrare; shqiptarët e jugut më mirë le të marrin e të mësojnë fjalët e gegërishtes (sado të panjohura për ta), sesa të përdorin fjalë të turqishtes a të greqishtes – po kështu edhe anasjelltas.
Parimet dhe idetë gjuhësore që parashtroi Naumi në Ëvetarët e tij mund të duken sot thjesht si fryt i një mendjeje të shëndoshë, por kemi arsye të besojmë se ato janë edhe fryt i studimeve dhe i përpjekjeve të Naumit për të zgjeruar njohuritë dhe kulturën e tij filologjike. Gjatë atyre njëzet e ca vjetëve që punoi për të bërë shkronjat e abetareve të tij, Naumi u interesua të mësonte nga përvoja e atyre që ishin përballuar më parë me ato probleme dhe krahas kësaj të njihte sa më gjerë gjuhën shqipe ashtu si flitet në krahina të ndryshme të vendit nga jugu në veri e nga lindja në perëndim. Për të gjuha shqipe ishte një dhe e pandarë, ishte një pasuri e madhe kulturore e përbashkët. Ashtu siç thotë edhe mentori i urtë i gjuhësisë shqiptare, akad. Idriz Ajeti, të cilit sivjet i festuam 100-vjetorin, portat e fjalorit të gjuhës letrare shqipe janë të hapura në të dy krahët për fjalët e ligjërimeve popullore nga të gjitha trevat ku flitet gjuha shqipe, natyrisht kur ato nuk janë fjalë të huaja dhe kur sjellin një vlerë të caktuar emërtuese ose stilistike në sistemin leksikor të shqipes letrare.
Idetë gjuhësore të Naumit gjetën zbatim të gjerë te rilindësit dhe ndër ta më i merituari në këtë fushë është pa dyshim Naim Frashëri. Përmendja e emrit të tij më sjell ndër mend artikullin e Norbert Joklit “Naim Frashëri dhe pasurimi i gjuhës shqipe” (3). Punën e Naim Frashërit për pasurimin dhe pastrimin e gjuhës shqipe Norbert Jokli e krahason me punën që kanë kryer lëvrues të tjerë të gjuhëve të ndryshme, kur popujt përkatës në rrethana të caktuara historike “janë zgjuar përsëri për të gëzuar një jetë të re mendore”, si p.sh. hungarezët, çekët, serbët.
Te puna që kanë bërë për gjuhët e veta filologu hungarez F. Kazinczy e ndjekësit e tij, filologu çek Josef Jungmann dhe filologu serb Vuk Stefan Karaxhiç, i cili ka ndjekur po atë teori, Norbert Jokli shikon shembullin që dha dijetari i gjithanshëm gjerman G. Ë. Leibniz (1646-1716) për gjermanishten dhe shtron hamendjen se “Është e mundshme që Naim Frashëri ta ketë njohur shkrimin e Leibniz-it “Unvorgreifliche Gedanken betreffend die Ausübung und Verbesserung der deutschen Sprache” (4), shkruar rreth vitit 1697, sepse e përmend emrin e Lajbnicit në “Istori e Shqipërisë” (f. 36), në atë vend ku bën fjalë për formimin e fjalëve shqipe (5) …
Në qoftë se e krahasojmë metodën e Naim Frashërit për pasurimin e gjuhës shqipe me parimet e Leibniz-it, kjo hipotezë i afrohet së vërtetës.” Jokli sqaron se Leibniz-i në librin e vet ka parashtruar këto mjete për pasurimin e fjalorit të gjuhës gjermane: a) kërkimi dhe përhapja e fjalëve të qena, të mira, por pak të përdorura e pak të pëlqyeshme; b) ringjallja e fjalëve të vjetra, por të mbetura në harresë (përkujdesja e gojës së popullit); c) mënjanimi i fjalëve të huaja, kur nuk duhen; c) formimi i fjalëve të reja sipas rregullave të analogjisë, më një anë kompozita e më anë tjetër të prejardhura.
Këtë hamendësim të Norbert Joklit se Naim Frashëri mund t’i ketë njohur parimet që pati formuluar Leibniz-i për gjuhën gjermane, kemi të drejtë ta shtrojmë edhe për Naumin, aq më tepër po të kemi parasysh se ai e njihte gjermanishten, sepse kishte studiuar për drejtësi në Vjenë (6) dhe ishte njeri me kulturë të gjerë dhe me interesa në fushën e lëvrimit të gjuhëve. Naumi kishte vërejtur nga afër se si filologët e vendeve të Ballkanit punonin për përparimin e gjuhëve të veta, duke hedhur themelet e formave letrare kombëtare të këtyre gjuhëve. Vështruar në këtë kontekst mund të themi se Naum Veqilharxhi ishte njeriu i duhur, në kohën e duhur për zgjimin kulturor të shqiptarëve nëpërmjet mësimit dhe lëvrimit të gjuhës së vet amtare. / KultPlus.com
Sot Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë gjithsej 335 mijë euro për mundësimin e qindra nxënësve në pjesëmarrjen në programin e skijimit gjatë këtij dimri, përcjell KultPlus.
Me këtë rast, ministri Hajrulla Çeku ka publikuar një postim në rrjetet soicale duke thënë se të gjithë fëmijët tanë duhet të merren aktivisht me sport.
“Sot zotuam mbështetjen e radhës për sportin shkollor në Kosovë. Bashkë me Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, zëvendës Ministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, Rektorin e Universitetin të Prishtinës, Naser Sahiti, Dekanin e FEFS, Musa Selimi dhe Kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor, Adrian Telaku nënshkruam marrëveshjen në vlerë 335 mijë Euro që u mundëson qindra nxënësve pjesëmarrjen në programin e skijimit gjatë këtij dimri.
Së fundmi kemi zotuar mjete në vlerë prej 100 mijë eurove për Federatën e Sportit Shkollor për organizimin e garave sportive në shkollat fillore të Kosovës. Gjithashtu, me 100 mijë Euro po mbështesim Federatën e Sporteve Universitare për organizimin e Kampionatit Botëror Universitar në Hendboll gjatë vitit 2022.
Të gjithë fëmijët tanë duhet të merren aktivisht me sport. Qeveria jonë po punon intensivisht dhe po vepron konkretisht për të arritur këtë synim. Duke e masovizuar sportin shkollor e universitar, ne zbulojmë talentë, parandalojmë devijime, mbrojmë shëndetin. Gjatë mandatit tonë, krahas rritjes së mbështetjes për sportin shkollor dhe universitar, po punojmë edhe në përmirësimin e infrastrukturës sportive, përfshi hapësirat sportive të shkollave. Bashkëpunimi i ngushtë mes Ministrisë së Sportit dhe Ministrisë së Arsimit, bashkë edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës, federatat sportive dhe komunat është parakusht i suksesit.
Sportin duhet ta bëjmë kulturë, fëmijët dhe të rinjtë tanë duhet të jetojnë me sport“, thuhet në statusin e tij. / KultPlus.com
Nën organizimin e Presidencës së Kosovës, është mbajtur ceremonia për nderimin e xhudistes Majlinda Kelmendi dhe kalimin e saj nga një sportiste aktive në arenën e sportit të xhudos në trajnere.
Në Institutin e Historisë ” Ali Hadri” në Prishtinë, ku u mbajt ceremonia, përveq Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës e Majlinda Kelmendit, morën pjesë, Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agron Kuka, Kryetar i Federatës së Xhudos të Kosovës, Driton Kuka, Trajner i Kombëtares së Kosovës në xhudo, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës, Gazmend Muhaxheri, Kryetari i Komunës së Pejës, familja e Majlinda Kelmendit, kryetarë të partive politike, ambasadorë të akredituar në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe personalitete tjera publike dhe sportive. Me një video mesazh nderimi e falënderimi në ceremoni mori pjesë edhe Marius Vizer, Kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, në pamundësi të të jetë i pranishëm fizikisht në Prishtinë, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në cilësinë e nikoqires, Presidentja Osmani, shprehu mirënjohjen më të përzemërt për kampionen e shumëfishtë në xhudo Majlinda Kelmendi dhe i ndau Urdhrin “Shotë Galica” i cili u jepet personave që kanë avokuar apo kanë bërë vepra apo akte guximi.
“Ëndrrën e nisur prej moshës 8 vjeçe, Majlinda e përmbushi duke fituar çdo titull. Ajo nuk u josh që të vesh uniformën e ndonjë shteti tjetër por luftoi për ngjyrat e shtetit të Kosovës”, theksoi ndër të tjera presidentja.
Kurse ministri Hajrulla Çeku, tha se kjo është një ngjarje e rëndësishme për të ardhmen e sportit të xhudos në vendin tonë sepse Majlinda Kelmendi po merr një përgjegjësi të re, atë të trajneres përkrah trajnerit të saj që solli shumë suksese ndër vite, Driton Kukës.
Ministri po ashtu shtoi se Kosova ka arritur suksese të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare nëpërmjet xhudisteve tona dhe këtë sukses e filloi xhudistja jonë e artë Majlinda Kelmendi, e cila dëshmoi se me përkushtim dhe punë çdo gjë është e mundur.
“Majlinda Kelmendi me arritjet e saja është shndërruar në ikonën e suksesit kosovar, dhe është bërë shembull i shoqërisë tonë, duke i kaluar të gjitha vështirësitë dhe sfidat. Ajo i ka dëshmuar rinisë tonë, se kur punohet me përkushtim dhe qëndrueshmëri suksesi është i pashmangshëm”, u shpreh mes tjerash ministri, duke theksuar se Majlinda po mbyll karrierën e saj si sportiste aktive, por që për sukseset e saj në rrugën e re do të dëgjojmë gjithmonë.
Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, tha se 20 vite angazhim, mund, djersë e lëndime, janë kurorëzuar me fitoret dhe sukseset e Majlindës, duke e bërë që të gjithë të na respektojnë dhe nderojnë shtetin dhe simbolet tona edhe ku nuk na kanë pasur dëshirë.
Kurse trajneri i Majlindës, Driton Kuka, foli për përvojën dhe ndjenjat që ka kaluar së bashku me Majlindën. “Më krenove mua, krenove familjen, krenove një Komb Majlindë. Kënaqësi kur Majlinda ka pushtuar Rusinë, Brazilin dhe vende tjera që nuk e kanë pranuar realitetin e quajtur Kosovë. Të jam mirënjohës deri në frymën e fundit Majlindë”, u shpreh Driton Kuka.
Ndërsa, Majlinda Kelmendi u shpreh se tani e tutje dijen dhe përvojën e saj do ta përcjell tek gjeneratat e reja, pas pensionimit si sportiste aktive. Ajo falënderoi trajnerin dhe ekipin “Një falënderim shumë shumë për vendin tim, për popullin tim, që keni qenë frymëzimi im. Ka qenë nder dhe privilegj shumë i madh për mua ta përfaqësoj Kosovën”, tha ajo mes lotësh. / KultPlus.com
Ishte data 5 dhjetor e vitit 1916 kur Gjergj Fishta botoi gazetën “Posta e Shqypniës”.
Gazeta e cila do të publikohej deri në nëntor 1918. Ishte një botim i përbashkët i Kuvendit të Françeskanëve dhe Komandës së Trupave Austriake të vendosura në Shkodër gjatë Luftës së Parë Botërore.
Në numrin e parë të të kësaj gazete shënohej: “Fletorja del për gjith t’mërrkurrë e t’shtundë. Drejtimi, mbarështimi e shtypshkrimi: Shkodër, Kuvendi i Françiskajve”. Ky organ shtypi pati një rëndësi të madhe në formimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, gjatë Luftës së Parë Botërore. Në të krahas trajtesave politike të lajmeve të kohës u trajtuan dhe mjaft probleme gjuhësore, folklorike, historike etj. Në këtë gazetë artikuj të trajtuar në dy gjuhë mbanin firmat e filologëve të shquar të kohës, austriakë dhe shqiptarë. / KultPlus.com
Naum Veqilharxhi krijoi një alfabet krejt origjinal për gjuhën shqipe, që e quajti Alfabeti i Vithkuqit. Veqilharxhi është ndër figurat më të shquara të viteve të para të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, dhe çmohet si njëri prej ideologëve të saj të parë.
U lind në fshatin e Vithkuqit, pranë Korçës, më datën 6 dhjetor 1797. I ati, Panajot Bredhi qe njeri i oborrit të Ali pashë Tepelenës në Janinë, tregtar që furnizonte me ushqime ushtrinë angleze kur kjo kishte pushtuar ishujt jonianë më 1811. Ka të ngjarë që Naumi mësimet e para t’i ketë marrë në shkollat angleze ndër ishujt jonianë.
Pas shkatërrimit të Vithkuqit më 1819, u shpërngulën si familje në Rumani. Naumi student mori pjesë në revoltat e 1821 të Vllahisë e Moldavisë. Pak vite më pas nisi të punonte avokat, vuri prokopi dhe kontribuoi në jehimin e ideve të Rilindjes Kombëtare. Në Brăila u bashkua me një shoqëri intelektualësh shqiptarë, që çmonin të domosdoshëm kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare për Rilindjen Kombëtare Shqiptare.
Më 1824 ose 1825, nisi të krijonte alfabetin e tij për gjuhën shqipe. Varianti përfundimtar i alfabetit të tij me tridhjetetre shkronja sajuar prej tij, u botua për të parën herë më 1844-5 titulluar “Evëtori Shqip Fort i Shkurtër”. Veqilharxhi shmangu përdorimin e shkronjave greke, latine dhe arabe për shkak të bashkëshoqërimit fetar dhe prej rrezikut se mund të ndillnin përçarje mes shqiptarëve me fe të ndryshme. Ëvetori i Veqilharxhit u përhap fillimisht në Korçë e më pas deri në Përmet dhe Berat, ku gëzoi përdorim të madh.
Më 22 prill 1845, Athanas Paskali në një letër i kërkoi Veqilharxhit që të niste sa më shumë kopje që ta kishte të mundur. Sipas historianëve, botimi i këtij vëllimi shënjon fillimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Më 1845 Veqilharxhi i dërgoi një letër polemizuese të nipit në gjuhën greke, që ia kish quajtur idetë e tij kimerike: letra çmohet ndër dokumentet e para që radhit në vija të përgjithshme idetë e Rilindjes Kombëtare. Mendohet se Veqilharxhi vdiq prej një helmimi nga Patriarku Ekumenik i Kostantinopojës.
Në vitin 1800, familja Veqilharxhi braktisi Vithkuqin, për shkak të dyndjeve të turqve dhe ashpërsimit të procesit të myslimanizmit (1800-1823). Duke qenë ortodoks dhe me lidhje patriotike, babai i Naumit, Panajot Veqilharxhi, zgjodhi si destinacion njërën prej principatave rumune (Tara Romaneasca).
Por që në rini, Naumi, duke qenë dhe tip jokonformist dhe i influencuar nga idetë atdhetare arriti të bëhej një nga liderët e shqiptarëve të Rumanisë, duke bashkëpunuar dhe me figurën e njohur Ipsilantin. Naumi atëherë luftonte për emancipimin e popullit të tij dhe për krijimin e një shteti kombëtar shqiptar.
Pas vitit 1829, familja Veqilharxhi ishte një nga më të pasurat dhe më të respektuarat në qytetin e Brailes. Naumi zotëronte disa prona të patundura dhe ndërkohë ushtronte dhe profesionin e avokatit.
Më 1838, vit në të cilin të gjithë Veqilharxhët e deklaruan veten si grekë, Naumi nuk ngurroi të pranonte origjinën e tij e të regjistrohej si shqiptar pranë autoriteteve rumune. Po në këtë periudhë, ai arrin të finalizojë dhe punën e mundin e tij 20-vjeçarë për krijimin e një abetareje, e cila ishte e para në llojin e saj për shqiptarët, pasi deri atëherë gjuha jonë shkruhej me ndihmën e alfabetit grek dhe atij arab.
Abetarja e parë e tij u shkrua dhe u botua në vitin 1844. Kjo abetare përmbante dhe një alfabet origjinal, por meqë ai ishte unik në llojin e tij, i vështirë për t’u shkruar dhe pa asnjë ngjashmëri me ndonjë gjuhë tjetër, nuk pati mundësinë për ta bërë popullore. Gjithsesi orvatja, mundi e puna e tij u vlerësuan maksimalisht dhe këtë e tregon dhe fakti se autorit iu kërkuan disa abetare me qëllim ndritjen e mendjes së popullit të etur për kulturë dhe dije.
Naum Veqilharxhi, përveç abetares së tij, kishte dhe shumë libra të tjerë të shkruar në alfabetin e tij, që për fat të keq nuk kanë arritur të mbijetojnë. Kontributi i Naum Veqilharxhit kurorëzohet pas me krijimin e shoqërisë “Drita” pas vdekjes, në vitin 1848. Në këtë kontekst Naumi gjeti të gjitha kushtet për të manifestuar idetë e tij iluministe rilindëse. Ai u bënte thirrje shqiptarëve për bashkim e ruajtje të identitetit të tyre qoftë fetar apo etnik, atëherë kur më shumë se kurrë perandoria osmane ushtronte presionet e fundit në trevat e banuara nga shqiptarët.
Ndërkohë familja Veqilharxhi i ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, jo vetëm Shqipërisë, por dhe Rumanisë. I pari president i gjyqtarëve për qytetin e Brailes u emërua Konstandin Veqilharxhi.
Muzeu Historik Kombëtar ka kujtuar sot në 224 vjetorin e lindjes Naum Veqilharxhin (1797-1854), ideologun e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përcjell KultPlus.
Ai lindi në Vithkuq të Korçës, ku kaloi fëmijërinë. Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev). Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me shqiptarë të kolonisë së atjeshme.
Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare. Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes.
Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur.
Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri. Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës.
Shqiptarët i shihte si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve.
Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes.
Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patriarkana. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit hap shpalljen publike për propozimet për çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli”, dhe për çmimet tjera për Letërsi për vitin 2021, përcjell KultPlus.
Propozimet bëhen përmes nominimit nga:
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës, Shtëpitë botuese të Kosovës, Redaksitë e gazetave dhe revistave letrare-kulturore të Kosovës, Asociacionet e shkrimtarëve që veprojnë brenda territorit të Kosovës, OJQ-të që merren me veprimtari kulturore në Kosovë, Personalitetet me reputacion publik Autorët e Veprave Letrare
Propozimi me shkrim duhet të dërgohet nga data: 06 Dhjetor 2021 deri me 06 Janar 2022.
Bashkangjitur gjeni linkun me detajet tjera të aplikimit:
Majlinda Kelmendi sot me një ceremoni shtetërore edhe zyrtarisht i ka dhënë fund karrierës së bujshme të saj.
Për nder të xhudistes më të suksesshme kosovare, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka organizuar një ceremoni shtetërore.
Kjo ceremoni po mbahet në institutin “Ali Hadri” në Prishtinë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani tha se Majlinda dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund te kenë sukses
“Ka fituar çdo gjë që mund të fitohet. Falë përkushtimit te saj, flamuri i Republikës së Kosovës valoi në Rio. Pa Majlinden dhe perkushtimin e saj, sot nuk do ta kishim as Distrian e Noran. Ajo dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund të kenë sukses”, tha presidentje e Kosovës, Vjosa Osmani.
Majlinda konsiderohet si sportistja më e madhe që e ka pasur ndonjëherë Kosova.
Ajo e arriti kulmin e karrierës në vitin 2016 kur ia solli Kosovës medaljen e parë të artë olimpike nga “Rio 2016”.
Ndër të tjera, ajo është shpallur dy herë kampione botërore dhe katër herë kampione evropiane.
Në total, Majlinda i ka fituar 46 trofe në sportin e xhudos.
Në gara të rëndësishme, ajo i ka koleksionuar 29 medalje të arta, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.
Majlinda e kishte përfaqësuar Shqipërinë në Olimpiadën e Londrës më 2012, ndërsa këtë vit mori pjesë në Olimpiadën e Tokyos, ku nuk ia doli ta mbronte titullin e kampiones.
Tash e tutje, Kelmendin do ta shohim në zejen e trajneres pasi ajo do të jetë asistente e trajnerit Driton Kuka. / KultPlus.com
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi Panairin e librit New York 2021.
Në këtë event morrën pjesë shkrimtarë nga Amerika, Kanadaja, Shqipëri, Italia. Gjithashtu pjesë e këtij panairi ishin edhe shkrimtarët Visar Zhiti dhe Gjekë Marinaj.
Panairi u organizua në orën 13:30, pranë Qendrës Kulturore Shqiptare Illyria.
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është shtëpia e shkrimtarëve, ku vlerësohet fjala e tij e bukur, e ngrohtë, me një art tepër origjinal të rrëfimit. / KultPlus.com