Në përvjetorin e vdekjes së Franz Liszt, përkujtojmë operën e papërfunduar të tij, “Sardanapalo”

Sot shënohen plot 135 vite nga vdekja e kompozitorit të njohur, Franz Liszt.

“Është 170 vjet e vjetër, por tingëllon shumë moderne”, është përshkrimi që David Trippett, profesor i asociuar në Fakultetin e Muzikës në Universitetin Cambridge i bën operës së papërfunduar të Franz Liszt, “Sardanapalo”.

Dorëshkrimi i aktit të parë të operës që do të duhej të ishte triaktëshe ka qëndruar në Arkivin e Goethes dhe të Schillerit në Weimar për më shumë se 100 vjet para se Trippett ta rizbulonte duke planifikuar diçka debutuese për të cilën “askush nuk kishte dëgjuar më parë”. Nga viti 1843 deri më 1861, Liszt (1811-1886) ishte udhëheqës i orkestrës që tash njihet si “Staatskapelle” në Gjermaninë Qendrore, në qytetin Weimar. Do të jepet premierë të shtunën Teatrin Kombëtar të Gjermanisë në këtë qytet.

Para më shumë se 10 vjetësh, Trippett që asokohe ishte student në Akademinë e Muzikës në Leipzig, kishte udhëtuar me tren për në Weimar për të parë 111 faqet e operës në arkiv.

Opera e papërfunduar ka sfiduar aftësitë dhe dijen e Trippettit, ka thënë ai. Liszt e kishte shkruar operën në vitet ‘50 të shekullit XIX dhe ishte vështirë e lexueshme dhe e papërfunduar. Kishte punuar goxha shumë dhe e kishte përmirësuar atë, duke e vështirësuar edhe më leximin.

Opera për një kohë të gjatë ishte cilësuar si e pamundur për t’u interpretuar, por profesori i Cambridge thotë: “Muzika duhet të ruhet”.

Trippett ka shpenzuar më shumë se një dekadë duke bërë bashkë pjesët si një puzzle, tri prej të cilave i kanë shkuar vetëm për orkestrim, duke pasur parasysh instruksionet e kompozitorit.

“Orkestrimi është bërë nga unë, por ai është i Lisztit”, ka thënë Trippett. “Muzika është fantastike. Liszt ka provuar të kompozojë një operë moderne italiane”.

Libreto është bazuar në tragjedinë “Sardanapalus” të Lord Byronit për mbretin e fundit të Asirisë antike, një rajon ky që tash është midis Sirisë dhe Irakut.

Sipas Kirill Karabits, dirigjentit kryesor të “Staatskapelle” në Weimar, opera e Liszt hap një kapitull të ri sa i përket historisë së muzikës së shekullit XIX. “Nuk do ta gjeni këtë operë në katalogët a veprat tjera të kompozitorit”, ka thënë. Pas një pune tejet të lodhshme të Trippett, tashmë akti i parë është kompletuar. “Do të dirigjoj diçka që askush nuk e ka bërë më përpara”, ka thënë dirigjenti. “Bëhet fjalë për diçka joshëse, por që duhet të kesh shumë përgjegjësi”. / KultPlus.com

‘Kur nuk mund të përcaktoj thelbin e lirisë, e di saktësisht ç’është robëria’

Poezia ‘Liria’ nga Adam Zagayewski

Përktheu: Mazllum Saneja

Ç’është liria? Pyesin filozofët
Unē gjithashtu njëherë deklarohem për garancinë e lirisë
Ballë për ballë me forcën e pushtetit,
Herën tjetēr tërheq forcën e besimit,
Sovranitetin e shpirtit dhe besnikërinë
E misionit tim. Dhe madje kur nuk mund
Të përcaktoj thelbin e lirisë
E di saktësisht ç’është robëria. / KultPlus.com

Nesër mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për djalin e presidentit Biden

Nesër do të mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden, nën organizimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Me anë të një njoftimi të Presidencës thuhet se se kjo ceremoni do të fillojë nga ora 18:30.

Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti do t’iu drejtohet Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip S. Kosnett.

Mediat e interesuara për përcjelljen e ceremonisë duhet të jenë të pranishme në orën 17:45, në Presidencë. / KultPlus.com

‘RLIOF’ sjell edhe një tjetër yll të operas italiane, Davide Giusti vjen për herë të parë në Kosovë

Tenori shqiptar, Ramë Lahaj, për herë të parë po zgjerohet më tej, për të sjell festivalin e parë Operistik në Kosovë. Festivali do të jetë i pari në Kosovë dhe do të titullohet “Ramë Lahaj International Opera Festival”, përcjellë KultPlus.

Ndërkaq, sot, tenori i famshëm shqiptar ka bërë të ditur se skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me 4 gusht të këtij viti, do të mirëpres yllin e operas italiane, Davide Giusti.

“Ne kuader te RLIOF, sjellim yllin e operas italiane Davide Giusti ne Teatrin Kombetar te Kosoves, 4 Gusht 2021, ora 19:30. Edhe shume surpriza te tjera do t’i bejme te ditura se shpejti!”, ka shkruar Lahaj në Facebook. / KultPlus.com

Borë e kuqe në Alpet Franceze

Ishte tronditëse dhe e turpshme të hasësh një pamje të tillë në një shpat mali të qetë. Nëse ecni mjaft lart në Alpet Franceze gjatë pranverës së vonë dhe verës së hershme, ka shumë të ngjarë që do të hasni në disa copa dëbore mjaft të çuditshme midis gurëve gëlqerorë gri dhe grumbujve të vegjetacionit të rrëzuar. Kjo borë nuk është e bardhë, por e kuqe e gjakut.

Ky fenomen specifik, i njohur gjithashtu si bora e përgjakshme, është rezultat i një mekanizmi mbrojtës të prodhuar nga algat mikroskopike që rriten në dëborën alpine. Si rregull, këto mikroalga kanë një ngjyrë të gjelbër sepse përmbajnë klorofil, një familje pigmentesh të prodhuara nga shumica e bimëve për të qenë në gjendje të thithin energji nga rrezet e diellit.

Sidoqoftë, kur algat e borës rriten me fryt dhe ekspozohen ndaj rrezeve të forta të diellit, ato krijojnë molekula të pigmentit të kuq të njohur si karotenoide, të cilat veprojnë si një mburojë dielli për të mbrojtur klorofilin e tyre, raporton BBC.

Megjithëse algat e dëborës së kuqe ishin të njohura për një kohë të gjatë, një libër nga 1819 përmend se ato u zbuluan gjatë një ekspedite në Arktik në 1818, dhe misteret që shkencëtarët po përpiqen të zbulojnë janë ende të gërshetuar rreth tyre.

Dy vjet më parë, botanistët nga Universiteti Charles në Pragë identifikuan një gjini krejtësisht të re të mikroalgave, e cila është përgjegjëse për shfaqjen e borës së kuqe dhe portokalli në pjesë të ndryshme të botës, të cilën ata e quajtën Sanguin sipas ngjyrës së kuqe të gjakut që prodhojnë. Shkencëtarët kanë gjetur forma të algave Sanguin që krijojnë borë të kuqe në Evropë, Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe të dy rajonet polare. Një specie e Sanguin që shkakton dëborë të pazakontë portokalli është gjetur gjithashtu në Svalbard.

Nuk është lloji i vetëm i mikroalgave përgjegjës për borën e kuqe. Disa lloje të tjera, të tilla si alga Chlamydomonas nivalis dhe algat që rriten pranë kolonive të pinguinëve të Antarktidës, të quajtura Chloromonas polyptera, gjithashtu prodhojnë pigmente për të krijuar ngjyrë borë të kuqe dhe rozë. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti i shkruan letër Plenkovićit: Kosova s’do ta harrojë kurrë aktin e humanizmit të Kroacisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar letër falënderimi kryeministrit të Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković, nëpërmjet së cilës ia ka shprehur falënderimin e tij dhe të popullit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmën që shteti dhe institucionet shëndetësore kroate ua ofruan bashkatdhetarëve tanë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë, thuhet në njoftimin e kryeministrisë të publikuar në uebfaqen zyrtare.

Kryeministri Kurti ka thënë se reagimi i shpejtë i autoriteteve kroate për t’u ofruar trajtim mjekësor të lënduarve dhe strehim udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat më të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.

Angazhimi juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona, ka shkruar në letër kryeministri Kurti.

Ai e ka siguruar kryeministrin e Kroacisë se populli dhe Qeveria e Kosovës nuk do ta harrojë kurrë aktin e tij të humanizmit e solidaritetit dhe se Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Plenković.

Falënderimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Shumë i nderuari Kryeministër Plenković,
Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, dhe në emrin tim personal, pranoni falënderimet më të përzemërta për ndihmën që na e ofruat në një situatë të rëndë për vendin tonë.

Reagimi Juaj i shpejtë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë tanë, trajtimi mjekësor i të lënduarve dhe strehimi i udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat Tuaja të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.

Angazhimi Juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit Tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona.

Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta harrojë kurrë këtë akt humanizmi dhe solidariteti me tragjedinë tonë.

Me konsideratën më të lartë, ju sigurojmë që Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Ju.

S poštovanjem i zahvalnošću,

Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Ironia e romanit satirik të Agollit

Tregimet e hershme të Dritëro Agollit u botuan dhe u ndaluan, sepse ai solli një erë të re dhe të çuditshme në letërsinë e kohës, ku personazhet e luftës nuk shiheshin të himnizuar, por njerëz si gjithë të tjerët me vese që shkelnin rregullat.

Më pas këto tregime u ribotuan më 1980, ndër to edhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.

Romanet e Dritëroit fillojnë me “Komisari Memo” ku përsëri figura e komandantit Rrapo del në një këndvështrim të ri, i parë me një sy kritik. Po kështu edhe romani “Njeriu me top” trajton temën e luftës dhe të gjakmarrjes.

“Trëndafili në gotë” është roman me temë të përditshmërisë, por që nuk pati shkëlqimin e romaneve të tjerë, dhe nuk i shpëtoi skematizmit të realizmit socialist.

Romani që e bëri të njohur edhe jashtë kufijve, megjithëse roman i realizmit socialist, ishte “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një roman satirik. Më pas boton romanet “Dështaku”, “Arka e djallit” etj.

Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”

Fillimisht romani është botuar në vitin 1973 në revistën “Hosteni”, më pas u botua i plotë. I përket periudhës së dytë të shekullit XX. Agolli është i pari shkrimtar në letërsinë shqipe që krijoi një vepër me strukturë dhe përmbajtje tërësisht satirike, që godet hierarkinë e pushtetit në socializëm. Bazohet mbi raportet e kundërshtisë midis paaftësisë dhe madhështisë.

Lloji

“Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo” është cilësuar si roman satirik. Ai është i ndërtuar tërësisht mbi figurën e ironisë duke kaluar deri në grotesk.

Tematika:

Tema kryesore në këtë vepër është ajo e demaskimit të dy dukurive më negative të socializmit, paaftësinë e drejtuesve në pushtet dhe megalomaninë e madhështinë e tyre të rreme. Kjo temë është universale, për çdo kohë e për çdo vend.

Titulli i romanit:

Titulli i romanit ndërtohet mbi një kundërshti të madhe, shkëlqimi dhe rënia e personazheve.

shkëlqimi– vjen nga folja shkëlqej që do të thotë, që lëshon dritë të fortë e të qartë, dallohet për vetitë e mira, shquhet mbi të tjerët për cilësitë e larta etj.

rënia– vjen nga folja bie dhe do të thotë, ecje drejt shkatërrimit të përgjithshëm, ulje e shkallës së zhvillimit ose e vlerave morale. Kuptimisht e kundërta e shkëlqimit. E kështu, duke qenë se shkëlqimi ishte i rremë, si pasojë do të vinte rënia.

shoku– fjala “shok” në socializëm kishte kuptim pozitiv si nga ana morale, ashtu dhe politike. Ajo përdorej në vend të fjalës zotëri dhe kishte për funksion të jepte barazinë mes njerëzve, drejtësinë dhe humanizmin, në dallim nga një shoqëri me skllevër dhe padronë.

Në roman fjala “shok” nënkupton të kundërtën e barazisë dhe respektit që përfaqëson kjo fjalë në të vërtetë, personazhi i tjetërsuar në zotëri, në epror.

Mjedisi

Zyra është pikërisht mjedisi që i bashkon të gjitha personazhet e cila shfaqet si qendra e burokracisë. Zyra është vendi që e përpunon dhe e tjetërson zyrtarin, që e kufizon dhe e mbyll nga jeta e gjallë dhe njerëzit.

Struktura

Dritëro Agolli e ka shkruar këtë vepër sipas strukturimit të veprave satirike botërore. Në qendër të romanit qëndron një çift heronjsh komik Zylo dhe Demka të cilët janë të pandashëm dhe nuk mund të kuptohen pa njëri-tjetrin. Kjo strukturë vihet re edhe tek Don Kishoti dhe Sanço Panço.

Karakteristikat e romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”

Përmes romanit ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’, autori me mjeshtëri të rrallë vë në lojë përmes humorit dhe ironisë konformizmin dhe servilizmin, si anti vlera të pranishme në çdo shoqëri.Kronikë e karrierës së palavdishme të zyrtarit të shtetit socialist dhe pasqyrë e pozitës së mjerë të vartësit.

Ironia dhe sarkazma janë figurat kryesore.

Romani është ndërtuar mbi dyshen Zylo-Demkë, pasi lavdia e pamerituar e shokut Zylo është fryt i punës anonime të Demkës që i përgatit të gjitha fjalimet dhe raportet me të cilat shkëlqen Zylo. Dyshja Zylo-Demkë janë në varësi të njëri-tjetrit dhe mund të paralelizohet kjo dyshe me Don Kishotin dhe Sanço Pançon.

Kudo në roman mbizotëron Zyloja, i cili është një nga personazhet më të veçantë të patrajtuar më parë në letërsinë shqipe. Të gjitha personazhet janë në funksion të zbulimit të personazhit kryesor.

Ka një mospërputhje të madhe midis tipareve reale të karakterit të tij dhe sjelljeve të jashtme, midis dëshirave dhe rezultateve që e bëjnë atë gjithmonë komik. Kjo pasi ai e mendon veten me më shumë vlera dhe merita seç ka në të vërtetë.

Gjuha e romanit është e mbushur me terma zyrtare dhe me slogane publike. Shpesh ai përdor edhe shprehje pompoze, shprehje letrare që janë shenja dalluese të megalomanisë së tij. Sloganet politike dhe frazeologjinë zyrtare, ai i përdor kudo, jo vetëm në mjedise pune, por kudo edhe në familje. / cbc.al / KultPlus.com

Peshëngritësi Erkand Qerimaj siguron vendin e parë në kategorinë B të peshës 81 kg në Lojërat Olimpike

Peshëngritësi shqiptar, Erkand Qerimaj ka siguruar vendin e parë në kategorinë B të peshës 81 kg për meshkuj në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, përcjellë KultPlus.

Ai ka shkëlqyer në të treja provat në shkëputje ku më e mira ishte në 157 kg, ndërsa ka arritur të ngrejë 181 kg në shtytje, duke çuar në një total prej 338 kg në dygarësh.

Në përfundim të renditjes së përgjithshme në disiplinën 81 kg në peshëngritje për meshkuj, peshëngritësi Qerimaj zuri vendin e 9 nga 14 peshëngritës të kategorisë së tij në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Kampioni Erkand Qerimaj sot gjatë garës kishte edhe mbështetjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i cili shoqërohej nga presidenti i KOKSH, FidelYlli dhe sekretari përgjithshëm, Stavri Bello, shefi i misionit dhe anëtarë të tjerë të delegacionit Olimpik shqiptar. / KultPlus.com

Thethi, parku i preferuar i mbi 5 mijë turistëve vendas e të huaj

Mbi 5 mijë turistë vendas e të huaj zgjodhën si destinacion gjatë muajit korrik parkun Kombëtar të Thethit.

I ndodhur 70 km larg Shkodrës, ky park vitet e fundit po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Në këto ditë të nxehta vere sidomos në fundjavë shumë turistë vendas, por edhe të huaj preferojnë të zgjedhin Thethin, për të shijuar natyrën e bukur, ajrin e freskët dhe ushqimet bio të zonës.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër, Agim Dardha tha për ATSH-në se gjatë muajit korrik Thethi pati një rritje të numrit të turistëve, ku mbi 5 mijë vizitorë vendas e të huaj shijuan bukuritë e tij”.

Sipas tij, gjatë ditëve ka patur rreth 300 turistë në ditë, ndërsa në fundjavë mbi 500 turistë.

“Veçori këtë vit është se mbi 60-70% e turistëve janë vendas. Vetëm në korrik qendrën turistike të Thethit e vizituan 1300 turistë”, – tha Dardha.

Pikat kryesore që vizitohen jane Monumenti e Natyrës si Syri Kaltër, vaskat në Ndërlysa. Ujëvara e Grunasit, kanioni i Grunasit, shtegu Theth-Valbonë, shpella e Arapit, Shtegu i Bjeshkëve të Namuna etj.

Thethi gjendet në mes të Alpeve në veri të Shqipërisë, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet, Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë. / ATSH / KultPlus.com

Profili i një shqiptari, kampion bote në keç

Një histori vërtetë interesante, rrëqethëse dhe të duket disi e pabesueshme. Njihej si Akim Manuka, por realisht emri i tij është Hysni. Prejardhja i takon fshatit Luzni të Dibrës, ndërsa për shumë vite jetoi në Belgjikë.

Në vitin 1972, ai shpallet kampion bote në keç në peshën e rëndë dhe që asokohe fitoi shumë famë, duke u bërë një nga mjeshtrit e mbrëmjeve interesante në Bruksel.

Jeta e tij ishte e mbushur me suksese ne sportin qe ai kishte zgjedhur.

Një patriot që zemra i rrihte për atdheun e tij, ashtu si babai i tij Demir Manuka, i cili si një atdhetar i shquar në vite. Pas vitit 1950, familja Manuka arratiset sepse ishte në kundërshtim me regjimin komunist të asaj kohe. Për afro 15 vjet, jetojnë në Maqedoni, ose ish-Jugosllavi që quhej atëherë. Aty vërtet kalojnë një jetë plot peripeci, madje kampioni i ardhshëm i botës punonte në një fermë me panxhar. Pronari, një pasionant i mundjes, organizonte shpesh ndeshje mes djemsh të fortë dhe fituesi meritonte si shpërblim një kavanoz reçel, që ai ia dërgonte nënës për të kaluar një vakt bashkë me familjen e tij.

Ky sukses e shoqëronte atë të gjitha ditët e javës, sepse fitonte ndeshjen dhe bashkë me të, fitonte edhe kavanozin e reçelit. Më pas, familja ikën nga Maqedonia dhe sistemohet në Belgjikë. Falë cilësive të tij, ai nisi punën në një disko si ruajtës i qetësisë, falë edhe trupit që filloi t’i bëhej edhe më i bukur dhe muskuloz. Hysniu ishte trim dhe i vendosur. Ai guxonte të ndeshej me çdo lloj kundërshtari. Në një mbrëmje, në një nga lokalet që merreshin me organizime të lojës së keçit, kampioni i skenës kërkon një sfidant nga salla. Hysniu del dhe e fiton këtë duel, duke lënë shtangur të gjithë të pranishmit.

Që atë mbrëmje ai merr zemër, por tashmë fatin e tij e kishin në dorë menaxheret që iu vërsulën si shushunja, pasi panë një “peshk” të madh. Një nga shqetësimet e menaxhereve, që më së shumti ishin amerikanë dhe kroatë, ishte emri i tij. Për të rritur marketingun e tij në media, ata vendosën që të ndërrojnë emrin e tij. Por këmbëngulja e të atit ishte tejet e madhe. Demiri, babai i tij nuk pranonte edhe pse i afroheshin shuma të mëdha. Tashmë në Bruksel, ai ishte një lider në këtë sport dhe ethet për kampion bote kishin nisur.

Por kërkohej kjo marrëveshje e emrit. Me shumë vështirësi u gjet një emërues i përbashkët, që të ishte emri Akim, një hero i një filmi vizatimor në xhungël, që Hysniu e vendosi vetë, pasi menaxheret donin emër jugosllav. Me ndryshim e emrit, nis një histori e re. Falë stërvitjes dhe egos së tij, një mbrëmje e bukur e gjeti atë në SHBA, ku jetoi 3 vjet. Pas shumë garave dhe shfaqjeve brilante, vjen edhe dita e titullit kampion bote.

Ai kishte sfiduar më parë emra të mëdhenj të botës, si Manuel Soto, Kauzo, Rivera, Evans, etj. Shqiptari, që pakush e njihte si të tillë, bëri famë të madhe dhe pushtoi faqet e gazetave të asaj kohe. Ishte viti 1972. Por fakti qe ai kurrë nuk e mohonte origjinën e tij i prish shumë punë. Në një mbrëmje kur ai fitonte një tjetër finale të madhe, stafi i tij i bën një lojë të habitshme. Katër vajza jugosllave caktohen nga organizatorët që t’i dërgonin lulet në ring kampionit Manuka dhe këtë fitore t’ia faturonin Jugosllavisë. Madje njëra prej vajzave bie në dashuri me djaloshin shqiptar, i cili pa e ditur nga ishte ajo, pranon ftesën e saj të ndjenjës.

Që nga ajo ditë, ai u martua dhe jetoi për 25 vjet me vajzën kroate, të cilën e mori për grua dhe lindi 3 fëmijë. Komentatori në ring e quajti Manukën, kampionin e luleve, sepse ai kur mësoi se nga i vinin lulet dhe qëllimin e keq të menaxherëve dhe stafit nuk e pranoi këtë fitore për hir të ndjenjës patriotike që kishte, por pranoi vetëm lulet, sepse nuk e dinte adresën e tyre nga ishin. Një tjetër mbrëmje e jashtëzakonshme në karrierën e tij, ka qenë ndeshja në Montreal të Kanadasë, kur ndeshej dhe fitonte përballë luanit tjetër,

Eduardo Karpentier dhe fotot e kësaj ndeshje, do të hapnin faqet e gazetave të kohës. Akim Manuka ishte kthyer në një “përbindësh”, që dhuronte spektakël, garë dhe mjeshtëri. Ai ishte bërë personazhi i kohës në këtë sport, por prapaskenat e menaxherëve dhe drejtuesve të sportit, shkelën mbi djersën dhe historinë e tij, e cila u mbyll më shpejt sa meritonte ky kampion i madh. Më pas, ai rikthehet në Belgjikë ku vazhdon jetën e tij, duke u bërë vetë organizator i mbrëmjeve spektakël të keçit në lokalet më të mëdha të Brukselit.

Ai njihet nga të gjithë, si një prej specialistëve dhe njerëzve më të shquar, por edhe organizatorëve të rrallë, që zbulon talente të tilla në një sport, që në Belgjikë është kthyer në kult.

Akim Manuka u nda nga jeta më 1 prill 2016, në moshën 72 vjeçare./ Materiale marrë nga rrëfimi i Dëfrim Met’hasani / KultPlus.com

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor prezanton edicionin e gjashtë të Shkollës Verore si Shkollë

Programi mbahet nga 2 – 15 gusht 2021, përcjellë KultPlus.

Shkolla Verore si Shkollë 21 është dizajnuar si një program hibrid, që përfshinë praninë fizike të përmbajtjes dhe pjesëmarrësve dhe pani virtuale të përmbajtjes dhe pjesëmarrësve.

Programi do të zhvillohet rreth kurseve të mbyllura, programit publik me ligjerata, konferenca, performanca, programit të filmit shkollor, DJ sesione dhe ekspozita me artistë, shkrimtarë dhe studiues, duke përfshirë: Scott Anthony, Julieta Aranda, Isuf Berisha, Sezgin Boynik, Boris Buden, Keti Chukhrov, Goran Đorđević, Övül Ö. Durmusoglu, Freya Edmondes, Charles Esche, Patricia Falguières, Minna L. Henriksson, David Horvitz, Jeff Hou, Achim-Borchard Hume, Ishbel Tunnadine, Vatra Abrashi, Leutrim Fishekxhiu, Florina Jerliu, Urška Jurman, Sami Khatib, Esther Leslie, Suzana Milevska, Nebojsa Milikić, Miran Mohar, Jovanka Popova, Bernhard Rüdiger, Merita Selimi, Hito Steyerl, Branimir Stojanović, Ivana Vaseva, Anton Vidokle, Natalija Vujošević, Farah Wardani, Joanna Warsza, ndër të tjerë. 

Programi Publik i organizuar gjatë Shkollës Verore si Shkollë 2021 shërben si një platformë e përbashkët për trupin akademik, pjesëmarrësit dhe publikun.

Orari i Programit Publik të Shkollës Verore si Shkollë 2021:

E hënë, 2 gusht 2021
20:00 Hyrje (Klubi i Boksit – KB)
20:20 Prezantim nga Suzana Milevska (KB)
21:30 Prezentim dhe performancë nga Freya Edmondes (KB)

E martë, 3 gusht 2021
19:00 Prezantim nga Hito Steyerl (KB)
20:00 Prezantim nga Esther Leslie (KB)

E mërkurë, 4 gusht 2021
19:00 Prezantim nga Scott Anthony (KB)
20:00 Programi i Filmit Shkollor 1 (KB)

E enjte, 5 gusht 2021
19:00 Prezantim nga Goran Đorđević (KB)
20:00 Prezantim nga Miran Mohar (KB)

E premte, 6 gusht 2021
19:00 Prezantim nga Bernhard Rüdiger (KB)
20:00 Prezantim nga Nebojsha Milikić (KB)

E shtunë, 7 gusht 2021
18:00 Shkolla Verore si Shkolla 2021 Konferenca 1

E hënë, 9 gusht 2021
19:30 Prezantim nga Ishbel Tunnadine (KB)
20:00 Programi i Filmit Shkollor 2 (KB)

E martë, 10 gusht 2021
19:00 Prezantim nga Minna L. Henriksson (KB)
20:00 Prezantim nga Vatra Abrashi, Leutrim Fishekxhiu, Joanna Warsza dhe Övül. Durmusoglu (KB)

E mërkurë, 11 gusht 2021
19:00 Prezantim nga Julieta Aranda (KB)
20:00 Prezantimi nga David Horvitz (KB)
21:30 DJ Set nga Julieta Aranda (SCCA Garden)

E enjte, 12 gusht 2021
19:00 Prezantim nga Jeff Hou (KB)
20:00 Prezantim nga Urška Jurman (KB)

E premte, 13 gusht 2021
19:00 Prezantim nga Branimir Stojanović (KB)
20:00 Prezantim nga Isuf Berisha (KB)

E shtunë, 14 gusht 2021
18:00 Shkolla Verore si Shkolla 2021 Konferenca 2 (KB)
21:00 DJ Set nga Ekipi (SCCA Garden)

EKSPOZITAT

DO IT and DO IT (HOME) 
Kuruar nga Hans Ulrich Obrist

PUBLISHING AGAINST THE GRAIN
Organizuar nga Curators Independent International (ICI)
Vendi: Klubi i Boksit, Rr. Mark Isaku nr.8, Prishtinë 10000, Kosovë

MUZEU I ARTIT AMERIKAN NË PRISHTINË
Vendi: Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, Rr. Henrik Bariç Nr.23, Prishtinë 10000, Kosovë

Për shkak të pandemisë COVID-19, publiku i gjerë që nuk është pjesë në kurset e mbyllura që zhvillohen gjatë Shkollës Verore si Shkollë mund ta rezervojnë pjesëmarrjen e tyre në ngjarjet e programit publik duke dërguar një email në [email protected]

Shkolla Verore si Shkollë organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Institucionet kryesore partnere të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për Shkolla Verore si Shkolla 2021 janë École nationale supérieure des beaux-arts de Lyon, grupi IRWIN, Lublanë, Qendra Kulturore Rex / Fund b92, Beograd, Press to Exit Project Space, Shkup, Qendra për Art Bashkëkohor ZETA, Tiranë, Instituti për Art Bashkëkohor, Podgoricë, Shoqata Sonemus, Sarajevë, International Curators International – ICI, New York.

Shkolla Verore si Shkollë 2021 është mbështetur nga The Trust for Mutual Understating, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, Ambasada e Republikës së Sllovenisë në Prishtinë, Galeria Kombëtare e Kosovës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës Pjetër Bogdani, Pallati i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve “Boro dhe Ramizi”, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Galeria e Fakultetit të Arteve, Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, X -Print dhe DZG. / KultPlus.com

Miratohet projekti për restaurimin e Kishës së Shën Gjergjit në Berat

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për restaurimin e Kishës së Shën Gjergjit në qytetin e “një mbi një dritareve”, përcjellë KultPlus.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka bërë të ditur se ndërhyrjet do të konsistojnë në restaurimin dhe konsolidimin e fasadës dhe çatisë së kishës që i përket shek. XVIII në Berat.

Margariti shprehet se edhe pse shumë pak ka mbetur nga ndërtimi origjinal, objekti është dëshmi edhe disa etapave historike që ka kaluar jo vetëm ky objekt, por edhe vendi ynë dhe se si diktatura shkatërroi objektet e kultit, duke i shndërruar në magazine, pallate sporti apo i shembi.

“Kjo kishë në vitet ’80, u transformua në një rezidencë dhe pikë turistike qeveritare dhe si rrjedhojë u shemb pjesa e sipërme e kishës, për të ndërtuar një imitim të shtëpisë karakteristike beratase. Nga gjurmët që ruhen ende sot, duken muret origjinalë në katin përdhe, ku janë përdorur brezat e tullës së kombinuar me gurë”, ka shkruar ministrja. / KultPlus.com

Kënga arbëreshe “Ajri i Pirukes” realizohet në versionin instrumental (VIDEO)

Kënga arbëreshe “Ajri i Pirukes” është realizuar në versionin instrumental nga grupi trio “Bukuria”, përcjellë KultPlus.

Ky grup përbëhet nga artistët e talentuar si: Ibrahim Gunbardhi, instrumentist e pedagog i muzikës në Bremen të Gjermanisë, violinistja shqiptare Besa Dervishi dhe Thomas Krizsan, instrumentisti gjerman që interpreton tingujt më të bukur të traditës shqiptare.

Motivet arbëreshe janë sjellë të përpunuara dhe janë publikuar në platformën YouTube.

Ky bashkëpunim mes tre muzikantëve ndërkombëtarë ka risjellë disa nga këngët legjendare shqiptare, të tilla si: “Tomakuqe”, “Baresha” etj., të cilat vijnë si dedikim për të gjithë artdashësit.

Në vijim, ju ftojmë të shijoni interpretimin e këngës arbëreshe “Ajri i Pirukes”. / KultPlus.com

Promovohet “7 Ninulla, 7 Ditë të Javës” nga Besa Berberi, një kultivim i trashëgimisë shpirtërore shqiptare

Era Berisha

Gjithsej shtatë ninulla si pjesë e thesarit të këngës popullore erdhën në një formë të librit ku përmes copëzave me dedikime të veçanta, vizatimeve e shpjegimeve, u shpalos një botë e trashëgimisë shpirtërore të Kosovës, e profesoresha Besa Berberi me promovimin e librit “7 Ninulla, 7 Ditë të Javës” në ambientin e Paper Gallery, vetëm sa ngriti lartë kultivimin e kësaj trashëgimie shqiptare, shkruan KultPlus.

Këngët e djepit apo ndryshe ninullat, shprehin thjeshtësinë e dashurisë dhe dëshirave të prindërve për fëmijët e tyre e kjo më së shumti praktikohet kur nëna i këndon fëmijës. Porsi këto këngë, nisi edhe diskutimi rreth librit nën melodi të cilat ngjasonin me të rrahurat e zemrës të një qenie njerëzore teksa të pranishmit ngadalë po zinin vendin e tyre. E ambienti i ngrohtë solli me vete një afërsi e cila përfaqësonte ndjenjën e njëjtë kur një ninullë këndohet e një rrëfim nis të shpjegohet.

Duke pasur parasysh mungesën në aspektin e dokumentimit, e veçanta e këtij libri është konsideruar jo vetëm dokumentimi i tyre paraprak në formën e audios por edhe dokumentimi i tanishëm notografik për të cilën është përkujdesur shtëpia botuese ‘Magmus’.

“7 Ninulla, 7 Ditë të Javës”, vjen si një ndërlidhje e aspektit narrativ, inicialeve, vizatimeve, ideve të tekstit si dhe CD-së në formën ‘scan code’ që të dërgon direkt në kanalin YouTube për të dëgjuar pikërisht këto ninulla. E këto shpjegime që gjenden brenda secilit tekst kanë ardhur si pasojë e një dedikimi të caktuar, nëpërmjet të cilave Berberi ka vendosur të shpalos aspektin edukativ duke synuar ndikimin e tyre tek gjeneratat e ardhshme. Ajo përmes këtyre ninullave rrëfen një ndjeshmëri që del lehtësisht nga teksti dhe depërton në atmosferën e krijuar të këndimit.

Ndërsa, për të treguar se si erdhi interesimi për ninullat, foli vetë autorja Besa Berberi.

“Ka vite që merrem me ninulla por në vitin 2005 ishte hera e parë që u morra seriozisht me ninulla pasi në një koncert më kërkuan që për nder të 10 vjetorit të Srebrenicës, të këndoja një program. Kështu, gjeta disa ninulla të kompozitorëve klasik dhe i morra dy ninulla boshnjake dhe i këndova ato në koncert pa asnjë prezantim. Pastaj, publiku e kuptoj vetë se ku ishte qëllimi pa pasur nevojë të prezantohet programi”, shpalos Berberi.

Sipas saj, shtatë ninulla vjen si pasojë se janë shtatë fëmijë në familjen e saj por qenësorja ishte vetë numri shtatë dhe përfaqësimi i numrit në mitologji.

“Ishte vështirë përzgjedhja e ninullave dhe ka pasur shumë dilema të mëdha e shumë ninulla ku në një moment mendoja se kisha bërë përzgjedhjen perfekte, pastaj në momentin tjetër filloja nga fillimi, nga zeroja. Por, duke menduar secilin dedikim që vjen nga çdo ninullë, puna filloi të lehtësohej sepse ishte shumë e lehtë përzgjedhja e dedikimit në kuadër të ninullës”, thotë Berberi.

Për Berberin, libri konsiderohet një dedikim për familjen duke filluar nga përshkrimi i personalitetit, rrethanat e angazhimet e ndryshme të tyre.

“Kavalli, violonçela dhe okarina janë instrumentet me të cilat vendosa të prezantohem në këtë libër dhe në fakt tash jam shumë krenare për përzgjedhjen. Ndërsa, ekzistonin mendimet e ndryshme se si duhet të paraqiten këto ninulla, në një frymë popullore, jazz apo klasike. Jam shumë e lumtur sepse këto ninulla erdhën në performancë pastaj edhe si CD”, përfundon Berberi.

Ndërsa, kompozitori dhe muzikanti Liburn Jupolli, foli rreth aspektit se pse ky libër është kaq i rëndësishëm dhe pse ka një peshë kaq të madhe si projekt.

“Ky projekt është me rendësi sepse është pothuajse si një mbikalim në aspektin e qasjes ndaj trashëgimisë në Kosovë. Një qasje e cila është ndryshe për arsye se kur një trashëgimi nis, mos të jetë diçka muzeale por një traditë duke pasur parasysh se trashëgimia mbetet gjithmonë një pjesë e pandashme e jetës tonë të përditshme”, thotë Jupolli.

Për fund, po shkëpusim edhe një ninullë nga “7 Ninulla, 7 Ditë të Javës”.

“Nani nani, o nani kush të tund
Bukuroshe e nanës, nanës në katund
Nani nani, o çupë e nënës o
Të më rritesh si dritë e hënës o
Punëtore por si bleta
Gojë ëmbël o
Krah lehta
Nani nani o, nani shpirto fli
Të më rritesh ti zemër për malësi”.
/ KultPlus.com

Robert Bisha me koncert në edicionin e parë të festivalit ‘Midfest’

Pianisti, kompozitori dhe multi-instrumentalisti nga Shqipëria, Robert Bisha do të jetë pjesë e edicionit të parë të festivalit ‘Midfest’, që nisi rrugëtimin të enjten dhe pritet të mbyllet të dielën, përcjellë KultPlus.

“Tinguj, dialogë, kujtime, imazhe të Mesdheut” është nëntitulli i edicionit të parë të festivalit që i kushtohet Shqipërisë.

Bisha do të jetë në skenë të dielën me pianon e tij, një mundësi unike dhe e bukur për të hyrë në një marrëdhënie me natyrën dhe artin dhe në të njëjtën kohë të hyni në botën muzikore të Bishës.

Në blogun e tij personal në “La Repubblica”, gazetari dhe kritiku i muzikës në Itali Ernesto Assante shprehet:

“Pianoja solo e Robert Bishës, një muzikant eklektik dhe i shumanshëm, është i zhytur në dimensione herë mistike dhe herë romantike, tinguj bashkëkohorë, akordë të qëndisur me meloditë e thjeshta dhe të thella të bluzit ballkanik. Temat që kompozon Roberti janë frymëzuar nga gadishulli magjepsës, për të prekur më pas brigjet e Lindjes së Mesme të Mesdheut dhe për ta kaluar atë duke shkuar deri në veriun ekstrem të Perëndimit. Në MediFest ai do të luajë këngë të kompozuara për këtë rast. Pjesëmarrësit në koncert, të cilët do të takohen në lindje të ditës së 1 gushtit në gjirin Acquaviva, do të zhtyen në kërkimet muzikore personale të Robert Bishës, të cilat e çojnë atë të krijojë një gjuhë origjinale dhe tërthore që prek xhazin improvizues, ritmet shumë të pasura të Ballkani i zgjeruar të duket si valle shamanike. Temat e ndërthurura me shije të rafinuar dhe me një ndjenjë të thellë shtrirjeje në hapësirë. Kështu shprehet ai mbi kërkimet artistike të kryera për këtë koncert: “Dëshira për t’i bërë homazhe udhëtimit që është të bërë. Homazh për pavetëdijen dhe guximin që e shtynë njeriun të shkojë përtej asaj që dihet. Të emigrojë. Si dhe një homazh për qetësinë që i lejon njeriut të vëzhgojë veten në pikën në të cilën ndodhet. Një homazh për Dashurinë që përgjon marrëzinë e të tjerëve. Për dashurinë që idealizon dhe çon në dhënien e vetes pa kërkuar asgjë në këmbim”.

Robert Bisha është autori i muzikës për dokumentarin “Anija”, fitues i çmimit të filmit David di Donatello. Ai ka bashkëpunuar me artistë të tillë si: Vinicio Capossela, Roy Paci, Michel Godard.

Ai ka qenë disa herë mysafir i festivaleve puliane, përfshirë ‘Notte della Taranta’. Protagonist i disa festivaleve evropiane me projektin e fundit “Frymë” (Respiro), një projekt transversal që bashkon gjuhët bashkëkohore të pianos personale me dinamikën nëntokësore të këndimit iso-polifonik shqiptar. / KultPlus.com

Grupi arbëresh, ‘Shega’ publikon këngën e re (VIDEO)

Grupi muzikor arbëresh “SHEGA” ka publikuar këngën e tyre të re të titulluar “Niko”. Një këngë që flet për zemërimin, betejën dhe shpengimin e që fatkeqësisht publikohet në një ditë jo të mirë për arëbreshët, përcjellë KultPlus.

E gjithë zona e Horës së Arbëreshëve është përfshirë nga zjarret që kërcënojnë edhe banesat.

“Nuk e kisha menduar kurrë se do ta postonim Nikon në një ditë kaq të trishtuar për vendin tonë, me ajër të rëndë dhe shtëpi të ndyra me hi.
Veprimet kriminale janë koordinuar për të djegur shumë nga rrethi Piana dei Albanese, nga Portella della Ginestra e deri te Pizzuta e shumë fusha të tjera”, ka shkruar grupi në rrjetet sociale.

“Niko” konsiderohet një këngë zemërimi, e mundit por edhe e ranësisë: sot kthehemi në ′′anën tjetër′′ të kësaj toke, atë që punon për një të ardhme ndryshe. Për ata që e besojnë, për ata që e duan thellë dhe pakompromis sot e qarta e shpresës është e bindur se kjo forcë shkon përtej plagës së madhe.

“SHEGA” ka bërë të ditur se do të publikojnë albumin e tyre të parë, pjesë e së cilës është dhe “Niko” më 6 gusht.

Pjesë e këtij albumi pritet të jenë këngët “Drita”, “Lumturi” dhe “Arianne”, të cilat janë regjistruar gjatë muajit qershor në studio muzikore. Pesë të rinjtë arbëreshë nga ngulimi “Hora e Arbëreshëvet” janë bërë bashkë në sajë të pasionit për muzikën dhe për gjuhën e mëmës, të ruajtur prej gjashtë shekujsh. / KultPlus.com

Shkodra, qyteti ku lindi lëvizja feministe shqiptare

Është folur shumë për civilizmin e gruas shqiptare. E nëpërkëmbur ndër shekuj, gruaja shqiptare ka vuajtur shtypjen e saj qoftë nga pushtuesit, kanunet, qeveritë maskiliste ashtu dhe nga opinioni.

Por në jetën shqiptare gjen plot shembuj të grave që kapërcyen vështirësitë, mentalitetin represues dhe ia dolën mbanë.

Nga lajmet që kanë mbërritur deri në ditët tona, shumë gra e vajza të guximshme arritën të thyenin tabutë dhe të kryenin një jetë publike , bile dhe artistike. Pikërisht në një prej qyteteve më të zhvilluara shqiptare nuk kishte si të mos kishte një lëvizje feministe të çmueshme për gjithë Shqipërinë. Ky qytet do të ishte Shkodra. Dhe nuk ishte e rastësishme.

Qyteti i Shkodrës ishte vendi ku kishte një lulëzim letrar, politik dhe diplomatik. Në gjithë historinë tonë të brishtë ky qytet është dalluar për kulturën, artin dhe civilizimin e hershëm. Dhe pa dyshim që dhe Shkodra e viteve 1910-1930 do ndriste në gjithë shkëlqimin e saj.

Në vitin 1911, Kolë Idromeno hap një sallon ku projektonte dispozitat e para të filmit. Ai do të sillte në Shqipëri filmat e parë dhe në të gjitha shtëpitë e katolikëve, shfaqeshin filmat e parë në Shqipëri. Në vitin 1913 u hap “Internacionali” dhe Shkodra u bë qyteti më i rëndësishëm diplomatik, kulturor në të gjithë rajonin, sepse kishte shumë konsullata të huaja që imponononin shkëmbime kulturore dhe letrare.

Gratë dhe vajzat në lagjet G’juhadol dhe Sarreq ishin me të vërtet të emancipuara. Ato mësonin gjuhë të huaja dhe kjo është një shenjë e dashurisë së tyre për arsimin, pasi aty ishte shkolla e murgeshave stigmatine.

Pikërisht në vitin 1919 në Shkodër do të vihej në skenë një shfaqje teatrale e bazuar në një ngjarje kinematografike. Ajo quhej “Eminia e vorfën” dhe ishte një dramë me temë dashurie.

Rolin e Eminias do të luante një vajzë, edhe pse e padalë në reklamat e qytetit. Kjo në fakt është një ngjarje, sepse deri në atë kohë luanin vetëm burrat të veshura si gra. Sigurisht që kjo ngjarje do të merrte dhenë dhe shumë njerëz do e përflisnin këtë akt, duke aluduar se ishte një grua e huaj, dhe siç ishte zakon në Shkodër, kjo ngjarje u kthye në barcaletë.

Vitet 1921 dhe 1922 në Shkodër do jenë vite shpërthimi për teatrot dhe shoqëritë artistike dhe një nga kulmet e saj është shfaqja gjimnastikore “Katër caqet Themelore” e interpretuar e gjitha nga vajza. Paraqitja e tyre në skenë ishte e ngjashme me shfaqjet e vjetra të Broduejit dhe kjo ngjarje nuk kaloi pa u vënë re. Shkodranet e famshme janë përkatësisht : Adelajdja e K. Muzhanit, Kjara e Ejëll Koliqit, Karitina e Ejëll Koliqit, Margerita e Sh. Koliqit, Kristina e Zef Gjonej, Pina e Zef Gjonej, Nikolina e Kel Kodhelit, Domenika Tedeskini, Gizela Tedeskini, Viktorja e Z. Jakut, Roza e Z. Çurçisë, Adelajdja e F. Loros, Marta e Mati Logorecit, Nusha e Shuk Gjokës, Despina e Joakin Kokosheviç, Nineja e Tom Naraçit.

Kulmi do të shënohej me vënien në skenë të dramës “E tradhëtumja” që luhet vetëm nga vajza e gra. Ndër to do të shquheshin: Markeza e Sh. Justit nga Tina e Gjon Ashikut, Ema nga Angjelina e Mark Temalit, Marija nga Lezina e Pashko Cefës, Elvira nga Adelajdja e Pjetër Lekës, Lena nga Kristina e Zef Gjonej, një shërbëtore nga Katrina e Ndrekë Çefës, një rojtare burgu nga Ida e Kel Kodhelit dhe një zonjë, e luajtur nga Metilda e Kol Kakarriqit.

Shfaqja ishte një lojë reale ku aktoret dilnin të zbuluara dhe interpretonin në skenë. Interesante ishte që në fund të shfaqjes aktoret luanin një valle patriotike, e titulluar “Rroftë Shqypnia”.

Pikërisht kjo shfaqje tregonte se qyteti i lashtë, i quajtur me të drejtë një qytet evropian që gjithnjë kish synuar perëndimin i kishte rrënjët tek tradita. Dhe kjo në fakt ka qenë karakteristikë e shkodraneve.

Këto të fundit janë me nam për kulturën, qytetërimin dhe udhëheqjen që i kanë bërë lëvizjeve feministe në Shqipëri. Ndaj kjo përpjekje e tyre në kohën kur shqiptaret ishin me perçe dhe kur fanatizmi sundohet patjetër që duhet përshëndetur sepse ishte përpjekja e parë për të dalë krah burrave, në shfaqje publike.

Kështu që në Odeonin artistik shqiptar, shkodranet mbajnë skeptrin e të parave artiste në Shqipëri. /konica.al/ KultPlus.com

‘Qebapa direkt nga Kosova’, Dua Lipa publikon fotografi teksa shijon ushqimin

Këngëtarja shqiptare më famë botërore, Dua Lipa, është duke shijuar pushimet në bregdetin shqiptar së bashku me familje.

Dua është mjaftë aktive në rrjete sociale, ku vazhdimisht publikon fotografi e video nga jeta e saj e përditshme.

Mbrëmë këngëtarja ka treguar se edhe në Shqipëri po kënaqet edhe me ushqime kosovare, teksa ka shkrepur foto duke treguar se po i shijojnë qebapat kosovar.

“Qebapa direkt nga Kosova”, ka shkruar Dua sipër imazhit. / KultPlus.com

Biblioteka e Natyrës, ideja e të rinjve korçarë për të përqafuar botën e letërsisë

Një ide të bukur kanë krijuar të rinjtë korçarë për adhuruesit e librit.

Në rrugët e qytetit të Korçës janë vendosur biblioteka me libra, ku të rinjtë dhe lexues të çdo moshe mund të marrin një libër dhe ta këmbejnë me një libër të tyrin.

Kryeministri Edi Rama uroi mirëmëngjes me disa fotografi nga qyteti i Korçës me idenë e të rinjve për të lexuar libra në natyrë.

“Mirëmëngjes dhe me këtë gjetje të bukur të të rinjve korçarë, Bibliotekën e Natyrës, ju uroj ta kaloni sa më mirë fundjavën”, – tha Rama.

Me anë të kësaj nisme arrihet inkurajimi i të rinjve për të përqafuar botën e letërsisë dhe për ti bërë thirrje atyre për tu larguar nga ekranet teknologjike dhe të rikthehen pranë mikut më të mirë, librit.

Si funksionon “Biblitoteka në Natyrë”?

Të rinjtë ose lexuesit e çdo moshe nëse shikojnë një libër që dëshirojnë ta lexojnë mund të marrin. Pasi mbarojnë së lexuari librin ta kthejnë përsëri dhe nëse mendojnë që kanë një libër që duhet ta lexojnë edhe të tjerët, ta ndajnë atë. Në fund pasi ta lexojnë librin të shkruajnë një mesazh për lexuesin pasardhës. /atsh/ KultPlus.com

Simbolikat e pirjes së kafes tek shqiptarët

Shqiptarët kanë pasur simbolika të shumta në ritualin e pirjes së kafes. Ato shënjonin mesazhe pozitive dhe negative kur miqtë kishin marrëdhënie, takime apo situata të ndryshme. Po cilët janë këto mesazhe që shprehte rituali i shërbesës së kafes?

Nëse një malësor shkonte për shembull me kostumin e mikut në shtëpinë e një bashkëfshatari tjetër, qoftë ky i afërm ose thjeshtë i njohur, për të vazhduar një bisedë të nisur më parë, si të thuash, në një seancë të rastësishme ndërrim duhani që kishte të bënte me ndonjë fejesë, zbutjen ose tejkalimin e ndonjë konflikti me pajtim gjaku ose me çështje të tjera të rëndësishme, i zoti i shtëpisë nuk e pyeste mikun se si e dëshironte kafenë.
Nëpërmjet shkallës së ëmbëlsisë ose të idhëtisë së kafesë simbolikisht miku merrte mesazhin e duhur për ecurinë e çështjes që qëndronte në sfondin e një vizite të tillë.

Nëse i servirej kafja fare e ëmbël, miku merrte mesazhin se çështja ishte zgjidhur ose ishte në rrugë të mbarë dhe pa kthim prapa.

Për të përforcuar kuptimin e një mesazhi të tillë pozitiv miku, si rregull, në një formë tjetër vinte në dukje ëmbëlsinë tej mase të kafesë, duke përdorur përgjithësisht shprehje të tipizuara në motërzime të tilla: “E paskeni ngatërruar kafenë me mjaltin”, “kafesë i paskeni hedhur mjaltë, jo sheqer”, “një qyp me mjaltë i paskeni hedhur kafesë” etj.

I zoti i shtëpisë përgjithësisht i miratonte pohime të tilla, domethënë, në thelb tundjes së kokës lart-poshtë ose buzëqeshjes. Pas një miratimi të tillë, miku fliste me frymë optimiste dhe më shpenguar për zgjidhjen e çështjes në shqyrtim.

Nëse i servirej kafe e mesme, merrte mesazhe se çështja për të cilën ishte i interesuar kishte mbetur pezull, pra nuk mund të parashikohej ecuria e zgjidhjes së saj. Për të konfirmuar se kafeja e mesme, që nënkuptonte ngrirje të çështjes, miku gati me tone diplomatike shprehej: “Nuk di nëse ka pasur ose jo sheqer në anët tuaja”, “bora ka zënë rrugët e nuk ka ardhur sheqer nga shehri qysh kur nuk mbahet mend” etj. Në situata të tilla burrat e palës mikpritëse heshtnin.

Miku që kishte një mision në bisedë merrte mesazhin se duhej të ishte shumë i kujdesshëm në arsyetime, se duhej të përdorte me mençuri gjithë arsenalin e argumenteve, për ta lëvizur çështjen në kahun e zgjidhjes më të mirë.

Mikpritësit mund t’i servirnin mikut kafe pa sheqer. Në situata të tilla miku sillej në dy mënyra. Më rrallë e përforconte këtë fakt me shprehje disi diplomatike, si: “Ka qenë mot i keq dhe nuk kanë ardhur mallrat nga qyteti”, “bota ia ka zënë vendin sheqerit” etj.

Si rregull, mikpritësit heshtnin. Në shumicën e rasteve idhësia e kafesë nuk kishte nevojë për konfirmim. Heshtjes së mikpritësve miku i përgjigjej me heshtje, çka nënkuptonte se përgjigja negative për çështjen ishte e padiskutueshme.

Në rrethana të tilla shfaqej më qartë profili prej fermani ose dekreti mbretëror i mesazhit ngjizur nga idhtësia e kafesë. Prandaj miku nuk çelte fare bisedën, për të cilën ishte në rolin e ”nënpunësit” mik.

Përgjithësisht, miku ruante qetësinë shpirtërore ose, të paktën, paraqitej i tillë dhe niste biseda për çështje të tjera që kishin të bënin me ndikimet e motit në ecurinë e punëve të stinës në bujqësi, me mbarështrimin e blegtorisë e deri me problemet e luftës ruso-japoneze etj.

Në të shumtën e rasteve miku bënte kujdes që në biseda të tilla t’i largohej me zgjuarsi dhe sa më shumë çështjes për të cilën ishte i interesuar drejtpërdrejt.

Vlen të theksohet se përdorimi i idhtësisë së kafesë dhe i mjeteve të tjera simbolike për të përcjellë përgjigje negative, sidomos për çështje jetike që kishin të bënin me fatet e individëve, të familjeve ose të anëtarëve të bashkësive më të zgjuara, kishte rëndësi të veçantë në shumë”segmente” të shoqërisë tradicionale shqiptare, ndërkohë që fjala mohuese kishte peshë mjaft të rëndë, deri në nivelin e shpërfilljes ose të fyerjes për palën tjetër, pra jo vetëm për familjen e individin që prekte drejtpërdrejt hija e fjalës së keqe, por edhe për gjithë fisin e tij.

Gjithashtu, edhe shkalla e ëmbëlsisë ose e hidhësisë së kafesë që servirej në ceremoninë mortore në shumë krahina të Shqipërisë, shprehte simbolikisht shkallën e hidhërimit për të ndjerin, shprehte moshën e të ndjerit dhe mprehtësinë e shqetësimeve familjare, fisnore ose më gjerë që shkaktonte largimi i tij nga kjo jetë.

Nëse personi i vdekur ishte i moshuar dhe me fëmijë të rritur, të martuar dhe në gjendje ekonomike të stabilizuar, servirej kafe e ëmbël; nëse i ndjeri ishte në moshë mesatare dhe me fëmijë pjesërisht të martuar dhe të pamartuar, servirej kafe e mesme; dhe, nëse personi i vdekur ishte i ri ose e re, me fëmijë të vegjël ose i pamartuar servirej kafe fare e hidhur, pa sheqer.

Sipas paragjykimeve të përhapura gjerësisht në shoqërinë shqiptare paramoderne, në filxhanin e kafesë pasqyronin edhe mjaft element të personalitetit, të mënyrës së jetesës dhe të gjendjes shpirtërore të personave që pinin kafenë.

Për shembull, nëse burri e pinte kafenë e nxehtë, mendohej se ai sipas bestytnive ishte aq frikacak saqë kishte frikë edhe gruan. Gjithashtu, sipas bestytnive, nëse personi e pinte kafen e ëmbël, kishte jetë të hidhur dhe e kundërta, nëse pinte kafen e hidhur, kishte jetë të lumtur.

Si rregull, servirja e kafesë shënonte simbolikisht përfundimin pothuajse të çdo lloj ceremonie gëzimi dhe rrezatonte mesazhe simbolike kompleke dhe mjaft të nuancuara në ceremonitë mortore.

Përveçse në mjedise të tilla dhe në bar-kafe e restorante, kafeja ishte ndoshta e vetmja pije, e cila në një pjesë të konsiderueshme të trojeve shqiptare servirej edhe në varreza.

Por, çfarë mesazhi përcillte kafeja e servirur në vareza, fill pas varrosjes së të ndjerit?

Një kafe e tillë, sidomos në krahinat veriore të Shqipërisë, dëshmonte simbolikisht se i ndjeri kishte kryer funksione shoqërore të rëndësishme për anëtarët e fisit, banorët e fshatit, kraniës etj., pra ishte burrë i shquar.

Servirja e kafesë me dorën e majtë dhe sidomos nën gju konsiderohej një fyerje shumë e rëndë, veçanërisht për burrat që kishin vonuar marrjen e gjakut në emër të ndonjë anëtari të familjes ose të afërmi të vrarë. /Marrë nga “Lente të ndërveprimit simbolik” /Zyhdi Dervishi/ KultPlus.com

Pamje nga Rugova, ku një pjesë e malit u përfshi nga zjarri (FOTO)

Një pjesë e Malit të Rugovës është përfshirë nga zjarri që nga mbrëmja e së enjtes. Për këtë rast ka dhënë detaje Policia e Rajonit të Pejës.

Zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi i ka thënë Gazetës Express se në vendin e ngjarjes kanë dal Policia, FSK’ja, zjarrfikësit, si dhe KFOR-i, transmeton KultPlus.

Sipas Gashit, zjarri thuajse është lokalizuar.

“Gjatë gjithë ditës së djeshme në vendngjarje kanë qëndruar FSK-ja, Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit. Policia hedhur topa uji për të shuar zjarrin, ndërsa edhe KFOR’i ka ardhur në ndihmë me helikopterë. Zjarri ende nuk është shuar tërësisht dhe njësitet relevante po merren me rastin. Rruga për në Shtupeq është e bllokuar për qytetarë dhe mund të kalojnë vetëm zyrtarët e institucioneve kompetente”, ka thënë Gashi.

Ai u ka bërë apel qytetarëve që dalin në bjeshktë e Pejës dhe Istogut që të kenë kujdes maksimal, meqenëse thotë se zjarret mund të ndizen shumë lehtë shkaku edhe i temperaturave të larta.

“Unë iu kisha bë apel qytetarëve që dalin në bjeshktë e Pejës dhe Istogut që të kenë kujdes maksimal, meqenëse edhe temperaturat janë të lartë dhe lehtë mund të ndizen zjarre”, ka thënë Gashi./gazetaexpress/ KultPlus.com

Zjarri në Shtupeq të Rugovës, Foto: Njeshi.com

Foto: Njeshi.com
Foto: Njeshi.com

Dhjetë kështjellat më përrallore në botë (FOTO)

Nuk janë vetëm aristokratët apo pasanikët ata që jetojnë apo dëshirojnë të jetojnë në kështjella. Një jetë të tillë e ëndrrojnë edhe shumë njerëz të thjeshtë por, ata dorëzohen sapo të kuptojnë se çfarë pasurie dhe angazhimi kërkohet për realizimin e një dëshire të tillë.

Fatbardhësisht, jo të gjithë…
Fotografitë që do t’ua prezantojmë në vijim janë kështjellat që janë punuar nga individët, të cilët – për ndërtimin e ‘ëndrrës së tyre’ – shumë rrallë ose fare pak kanë marrë ndihmë nga familjarët, të huajt, apo dhe vullnetarët.

Kështjella Bishop gjendet në Colorado City, në shtetin federal amerikan Colorado. Ajo është ndërtuar nga Jim Bishop, ndërsa punimet kishin filluar në vitin 1969.

10 kështjellat përrallore

Kështjella Mystery ndodhet në afërsi të Phoenix, në Arizonë. Ajo është ndërtuar nga Boyce Luther Gulley – gjatë viteve të 30-ta dhe 40-ta të shekullit të kaluar – për të bijën e tij. Për ndërtimin e saj Gulley kishte shfrytëzuar shtyllat e telefonit, gurët, pjesët e makinave dhe madje çdo lloj mbeturinash që kishte gjetur.

10 kështjellat përrallore

Kështjella e Shrekut dhe Fionas ndodhet në Akimova në Ukrainë. Ka një sipërfaqe prej 300 metrash katrorë – ndërsa brenda saj gjenden tri hapësira të mëdha qëndrimi – një dhomë gjumi dhe një kuzhinë e madhe.

10 kështjellat përrallore

Në Szekesfehervar të Hungarisë ndodhet kështjella Bory, të cilën, me ndihmën e studentëve të tij, në vitet 1923 – 1959, e kishte ndërtuar arkitekti Jeno Bory.

10 kështjellat përrallore

Kështjella e Solomonit në Florida është ndërtuar në vitin 1974 nga Howard Solomon. Ky objekt posedon tre kate dhe është ndërtuar nga pllakat shtypëse të aluminit, të cilat në atë kohë i kishte hedhur në mbeturina një agjenci e lajmeve.

10 kështjellat përrallore

Kështjella Gillette ndodhet në Hadlyme të Connecticut, ndërsa është dizajnuar nga aktori amerikan William Gillette. Kjo kështjellë njihet për sistemin e pasqyrave të fshehura.

10 kështjellat përrallore

Në Ontario në Kanada mund të shihni kështjellën Midlothian, të cilin në vitet e 70 e kishte ndërtuar mësuesi kanadez Peter Camani. Brenda kështjellës gjendet mbi 100 skulptura – ‘kokat që bërtasin’.

10 kështjellat përrallore

Postieri francez, Ferdinand Cheval, kështjellën Le Palais Ideal e ka ndërtuar për më shumë se 30 vjet. Ndërtimi i kësaj kështjelle kishte filluar në prill të vitit 1879. Cheval kishte filluar të ndërtonte kështjellën kur e kishte gjetur një gurë me formë interesante.

10 kështjellat përrallore

Kështjella e Robert Fidlerit, në afërsi të Londrës, është ndërtuar në vitet 1998-2002, pa lejen e askujt. Familja pronare e kësaj kështjelle e kishte fshehur atë me ndihmën e stoqeve të sanës, të larta 12 metra – ndërsa aty brenda ishin vendosur fshehtazi dhe kishin jetuar deri në vitin 2006, kur kishin dalë në publik.

10 kështjellat përrallore

Kështjella Tarodi, ndodhet në afërsi të Sopronit në Hungari, ndërsa atë e kishte ndërtuar – që nga viti 1959 e deri në vitin 2010, kur edhe kishte vdekur – Stephen Tarodi. Ai kishte jetuar në njërën kullë të kështjellës që nga viti 1970. / KultPlus.com

10 kështjellat përrallore

‘Ftyra nuk lahet me pare’

(Llaushë, Drenicë)

N’kohë t’vjetra gjaku për ftyrë ish kanë katër lira; gjaku i burrit dymdhetë lira e varra sakat gjashtë lira.

Shkon njani tu ni plak edhe e dvet:
– Qysh bâhet kjo punë qi varra i ka gjashtë lira e ftyra katër lira?
– Ftyra nuk lahet me pare, – ja kthei plaku. – Ai qi nuk don m’e hupë ftyrën e vet, për tâ âsht pishtoli. Ai qi nuk ka dert për ftyrë e do m’i marrë paret, boll i ka katër lira.

(Nga Folklori Ynë IV) / KultPlus.com

Adem Dërmaku vjen me ekspozitën ‘Nuk është diçka e njëanshme’, prezanton 50-të punime

Galeria e Ministrisë së Kulturës ka njoftuar për ekspozitën “Nuk është diçka e njëanshme” të artistit Adem Dërmaku të kuruar nga Eleni Laperi e cila do të hapet më 5 Gusht 2021, përcjell KultPlus.

Ekspozita do të prezantojë 50-të punime të Dërmakut, i cili përdor ngjyra dhe teknika të ndryshme të artit të grafikës dhe luan me vijat dhe pikat mbi sfondet e pikturuara për të krijuar narativën e tij pamore.

Në krijimtarinë e tij Dërmaku i është larguar rregullave klasike të vizatimit, për t’u ndjerë më i lirë në shprehjen e ideve pamore. Krahas optimizmit dhe lojës së gëzuar e të sinqertë me vijat, pikat dhe ngjyrat, në punimet e tij ka edhe ironi, ka edhe sarkazmë, po një sarkazmë gjithmonë elegante.

Krijimet e Dërmakut e tërheqin vëmendjen e shikuesit, duke e bërë të kujtojë dhe të kuptojë cilët jemi. Sepse marrëdhënia e artistit me shikuesin është një marrëdhënie e ndërsjellë. Ajo nuk është diçka e njëanshme.

Ndërkaq Galeria e Ministrisë së Kulturës ka njoftuar se për shkak të situatës me pandeminë, ekspozita nuk do të shoqërohet nga një ceremoni inaugurimi, mirëpo do të hapet për publikun të Enjtën, nga ora 17:00 deri në orën 20:00.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 Tetor 2021. / KultPlus.com