Nga një refugjate nga Shqipëria në një shkencëtare të suksesshme në Angli, Detina Zalli: Ëndërroni pa limit e pa frikë

Flonja Haxhaj

Historia na ka mësuar për jetët e jashtëzakonshme të njerëzve të jashtëzakonshëm. Histori të sfidës, vuajtjes por edhe të suksesit, që u bënë referencë frymëzimi për shumë  njerëz në mbarë globin.

E tillë është edhe historia e binjakeve Detina dhe Argita Zalli. Të lindura në Patos të Shqipërisë, ato ishin vetëm 9-vjeçe kur përjetuan frikën më të madhe, atë të Lufës Civile në vitin 1997, e kjo do të përcaktonte më pas gjithë jetën e tyre, e cila përbën një dramë në vete.

Në pamundësi për të jetuar në Shqipërinë e asaj kohe, kësisoj prindërit e binjakeve Zalli vendosin të largohen për në Angli dhe ashtu vepruan. Pas shumë mashtrimeve, ata u nisën drejt Anglisë nëpërmjet rrugëve ilegale, edhe pse rruga deri atje përgjatë udhëtimeve me traget, tren e kamion duke u fshehur, u shndërrua në makthin e radhës për familjen Zalli.

Edhe jetesa në Angli fillimisht u përcoll me vështirësi ekonomike për familjen, po ashtu edhe Argita dhe Detina, si shumë fëmijë të tjerë emigrantë nuk u mirëpritën nga shoqëria në klasë.

Mirëpo, asnjë nga këto nuk u bënë pengesë pë binjaket Zalli. Me punën dhe  përkushtimin e tyre, ato arritën të bëhen shkencëtaret që studiuan e punuan në universitetet më të njohura në botë, punuan dhe vazhdojnë të punojnë me shkencëtarët që kanë fituar çmime ‘Nobel’ e u dalluan qysh në moshë të re me diapazonin e tyre në fushën e shkencës.

Nëpërmjet një interviste për KultPlus, Detina Zalli rrëfen për gjithë këto suksese që erdhën si pasoje e punës dhe fokusimit në ëndërrat e tyre, pavarësisht barrierave që u dolen rrugës.

Përveç në hulumtime shkencore, Detina Zalli, për shumë kohë ka qenë edhe pedagoge në universitete më të mira në gjithë botën si në Oksford, Harvard, ndërkaq tani ajo është e fokusuar vetëm në Kembrixh. E kjo pavarësisht vështirësisë që sjell me vete, Zalli thotë se është një prej punëve që e bën me pasion të fortë.

“Kur ke një pasion aq të fortë, puna të bëhet edhe shumë më e thjeshtë. Janë motivi dhe inspirimi, ajo se çfarë ndryshimi mund të bësh ti për njerëzit e tjerë ajo që të jep një motivim shumë të madh. Pra, duke qenë vështirësitë që shumë shqiptarë e edhe unë kemi kaluar sidomos në vitet 1997/1998, mendoj që të aplikosh në universitete prestigjioze është shumëherë më e lehtë dhe me e thjeshtë në krahasim me vështirësinë e frikën që e kemi përjetuar ne në ato vite”, thotë Zalli për KultPlus, duke shtuar mes tjerash që të studiosh dhe të punosh në këto universitete i ka bërë të ballafaqohet me konkurrencë shumë të madhe por ajo thotë gjithmonë ka funksionuar me parimin ‘Provo më të mirën pavarësisht rezultatit’.

Duke i marrë parasysh vështirësitë që i kanë pasur vetë përgjatë rrugëtimit të tyre akademik, binjaket Zalli kanë themeluar organizatën ‘WeSpeakScience’. Kjo organizatë ka për qëllim që të ndihmojë studentët që vijnë nga kushte të vështira ekonomike duke ofruar kurse falas nga profesorë e ekspertë të njohur.

“Ideja e ‘WeSpeakScience’ më lindi përderisa unë isha në laborator, ndërsa bëja eksperimente po mendoja se çfarë mund të bëj unë për të tjerët duke qenë se asnjë njeri nuk më ndihmoi mua, pra çka mund të bëj unë për ata studentë që vijnë nga kushte të vështira ekonomike sidomos nga Shqipëria, Kosova por edhe nga vende të tjera. Më pas thashë se jo të gjithë mund të vijnë në Harvard, por mendoja çfarë mund të bëj unë që Harvardi të shkojë atje ku unë isha atëherë”, deklaroi Zalli duke folur për zanafillën e kësaj organizate.

“ ‘WeSpeakScience’ ofron disa kurse e të cilat janë falas për të gjithë studentët anë e mbanë botës që vijnë nga kushte të vështira ekonomike nga Anglia, nga Evropa Lindore, nga Kosova, Shqipëria, Amerika dhe jam shumë krenare sepse pak a shumë në këtë program janë persona shumë të mëdhenj duke përshirë pedagogë e shencëtarë të famshëm që punojnë në industri të mëdha dhe akademikët më të mëdhenj duke përfshirë Harvard, Kembrixh, Oksford, Imperial College, disa nga shkencëtarët që janë trajnuar nga Nasa , disa pilotë nga ‘Vergion Galactice’, disa austronautë ose që janë trajnuar si ausronautë”, tha në vijim Zalli.

Ndërkaq, për t’iu vënë në ndihmë shumë grave dhe burrave që vuajnë nga kanceri, binjaket Zalli kanë botuar edhe librin ‘Afërdita ime’ i cili mban emrin e nënës së tyre që po ashtu është një paciente që vuan nga kanceri.

Ky libër ka për qëllim të ndihmojë pacientët e kancerit që të kenë më shumë njohuri rreth kësaj sëmundje, rreth medikamenteve e shumë të tjera.

“ Duke ditur vetë se sa e rëndë dhe e vështirë për pacientët e kancerit të kalojnë këtë sëmundje dhe të përballen me të  dhe duke qenë se nëna jonë na ka ne që ja shpjegojmë të gjitha rreth kësaj sëmundje, menduam që përmes këtij libri edhe të tjerët të kenë më shumë informata pasi në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoninë Veriore këto informata rreth sëmundjeve të ndryshme mungojnë”, u shpreh Zalli për KultPlus.

Të arrish t’i bësh shumë punë akademike njëkohësisht dhe të jesh një nënë e dy fëmijëve, këtkon shumë përkushtim dhe punë të madhe. Detina Zalli thotë për KultPlus se për të shkëlqyer në të dyja ajo sakrifikon dhe punon shumë.

“Unë kam ndryshuar orarin e punës, ngrihem shumë herët në mëngjes, nga ora 4 deri në ora 7 jam në punë, pastaj zgjohen fëmijët, e me zgjimin e tyre bëj rolin e mamit, i dërgoj ata në shkollë pastaj kur vijnë fëmijët nga shkolla dua t’i dedikohem posaçërisht vetëm atyre, pra jam një mami shumë e përfshirë sepse nuk dua që ata të sakrifikojnë për karrierën time”, tha ajo.

Në krijimin e kësaj mënyre të jetesës ajo  ka marrë për bazë histori të njerëzve të mëdhenj, histori të njerëzve që kanë arritur të jenë të shkëlqyer edhe në punë edhe në jetën e tyre personale pavarësisht sakrificave që edhe profesioni edhe përkushtimi ndaj familjes kërkon.

“Për këtë jam inspiruar nga njerëz të mëdhenj e ndër ta është Barack Obama i cili ka qenë inspirimi më i madh i karrierës sime dhe i jetës sime, duke treguar historinë e tij ai thoshte se ngrihej herët në mëngjes dhe i mësonte nëna e tij në orën 4 të mëngjesit mësimet sepse ajo më pas duhej të shkonte në punë. Pra, të njëjtën gjë po bëj edhe unë me veten time sepse mundohem të bëj sa më shumë punë herët në mëngjes në mënyrë që më vonë të dedikohem fëmijëve që t’i mësoj edhe ata”, tha mes tjerash Zalli.

E gjithë kjo histori suksesi dhe pune duket se ka ardhur nga një synim për një ëndërr të madhe. Për këtë dhe për gjithë ata që duan të arrijnë atë që duan, Zalli dha një mesazh nëpërmjet KultPlus.

“Mesazhi im kryesor është që në fillim të definojnë nëse kanë një ëndërr apo një dëshirë shumë të madhe sepse ka një diferencë të kesh një ëndërr dhe një dëshirë shumë të madhe. Në qoftë se kanë një ëndërr, pra kur unë kam një ëndërr, unë dhe ëndrra bëhemi një, sa të jetoj unë, jeton edhe ëndrra, jemi në një trup, në një mendje, gjatë gjithë kohës jemi një dhe nuk ka mundësi që ëndrra të mos realizohet sepse në qoftë se ti jeton me ëndrrën, ti e ushqen ëndrrën dhe përpjekjet do të rezultojnë pozitive”, deklaroi Zalli duke shtuar në vijim se të kesh një ëndërr do të thotë edhe të bësh shumë sakrifica, të jesh shumë objektiv me veten dhe të mos dorëzohen kurrë. “Ëndërroni pa limit dhe pa frikë”, përfundoi ajo.

Ndërkaq, binjaket Zalli së shpejti do të publikojnë edhe librin ‘Good Morning, Hope’, e në të cilin ato rrëfejnë historinë e tyre, tmerrin e përjetimeve gjatë rrugës kur po largoheshin nga Shqipëria, e jetesën në Angli, e cila fillimisht nuk ishte aspak e lehtë.

‘Good Morning, Hope’ do të të ketë promovimin më 7 mars, 2023,/ KultPlus.com

Përtej çdo sfide dhe traume, Mrika Nikçi dhe shkëlqimi i saj që nuk pushon së rrezatuari

Uranik Emini

“Malet janë problem vetëm kur janë më të mëdhenj se ju. Duhet të zhvillohesh aq shumë sa të bëhesh më i madh se malet me të cilat përballesh.”

Një vajzë me ëndrra të mëdha dhe një baba që e mbështet në gjithçka që kjo e fundit bën, deri edhe në thyerjen e rekordeve botërore. Në shikim të parë kjo mund të duket sikurse një hyrje në një përrallë me fund të lumtur. Por, përpos fundit të lumtur, edhe pjesa e një babai që mbështet vajzën e saj në ngjitjen e majave më të larta të botës, është e vërtetë, shkruan KultPlus.

Mrika Nikçi dhe babai i saj, Arianit Nikçi, kishin filluar një mision më 29 janar të vitit 2018, të ngjiten në majat më të larta të shtatë kontinenteve të tokës. E gjithë kjo filloi kur edhe ishin ngjitur në majën Kilimanjaro të Afrikës, një lartësi detare mbi 5800 metra.

Kur bëhet fjalë për rekordet botërore, është sikurse ato janë të projektuara për t’u thyer, sikurse ekziston një shirit i pafund i vendosur në një vend, që sfidon njerëzimin të jetë gjithmonë në krye. Mrika e kaloi shiritin dhe hyri në histori, duke u bërë vajza më e re në botë që ngjitë shtatë majat më të larta apo të njohur ndryshe edhe sikurse “7 summits”.

Në një periudhë prej 17 muajve, Mrika së bashku me babain e saj, ngjitën majat sikurse Vinson, Aconcagua, Mount Everest, Denali, Mali Elbrus dhe Piramida Carstensz, këtë të fundit më 15 gusht të viti 2019, për të hyrë në histori, si vajza më e re në botë që ngjit shtatë majat më të larta në shtatë kontinente.

Jeta e Mrikës si një vajzë e vogël. Ëndrrat e saj të fëmijërisë dhe kalimi në një botë ndryshe, atë të natyrës. Përballjet e përditshme me vdekjen, shoqëria e prania e përhershme e babait në krahët dhe shpatullat e saj, ngjitja e majave më të larta në botë dhe Mrika përtej maleve e realitetin e saj të përditshëm mund ta lexoni më poshtë në intervistën e vajzës së rekordeve.

KultPlus: Kryesisht, si fëmijë ëndërrojmë për gjëra të mëdha, planifikojmë gjëra sikurse jeta është shumë e lehtë përpara dhe arrijmë që të krijojmë një pasqyrë të jetës sonë. Megjithatë, shumë njerëz edhe sikurse fëmijë nuk mendojnë që të futen në librat e historisë dhe emri i tyre të jetë i njohur anë e mbanë botës. Një gjë të tillë, ju e keni arritur në moshën 17 vjeçare, pra ke hyrë në histori duke i ngjitur 7 majat më të larta të botës në shtatë kontinentet. Tani kanë kaluar disa vite por, si kanë qenë ëndrrat e tua të fëmijërisë dhe sa përkojnë ato me realitetin tani

Mrika Nikçi: Kam ëndërruar të garoj për Kosovën në sportin e karatesë si dhe të kem një karrierë të fortë në profesionin e avokates. Si fëmijë asnjëherë nuk kam ëndërruar që një dite do të ngjitem në majën më të lartë të botës, por jetës asnjëherë nuk i dihet, dhe jo rrallëherë ajo ndërron drejtim. Kur ndalova së praktikuari sportin e karatesë, atëherë nisa hapat drejtë ëndrrës së madhe – ngjitja në 7 Majat e botës para se ti mbushja 18 vjet, me ç ’rast thyeja rekord dhe bëhesha vajza më e re në botë të kaloja këtë rekord. Ndërsa sa i përket ëndrrës e së bërit avokate ende jam duke punuar me pasion çdo dite në atë drejtim, pasi edhe po vijoj studimet në fakultetin e Juridikut.

KultPlus: E ke përmendur pjesën që ke qenë e lidhur me natyrën që nga fëmijëria, a ndodhi kjo natyrshëm apo ishte nga imponimi i prindërve tuaj?

Mrika Nikçi: Ju falënderohem gjithmonë prindërve të mi që më mishnuan me bjeshkët tona, ku unë pata mundësinë të bie në dashuri me to.

KultPlus: Eksperiencat e juaja gjatë ngjitjeve të majave më të larta në botë, përfshijnë histori të shumta. Cila është njëra prej historive që ju e veçoni më së shumti dhe nuk do të harroni asnjëherë?

Mrika Nikçi:  Asnjëherë nuk do ta harroj momentin kur së bashku me babain e ngjitem majën e fundit nga të shtatat me të cilën përfunduam sfidën “Seven Summits”. Asnjëherë nuk kam përjetuar emocione më të forta dhe asnjëherë nuk jam ndjerë më shumë krenare me veten time. E nga historitë e shumta që mbaj në bagazhin e këtij rrugëtimi, do e veçoja momentin kur në kontinentin e akulltë të Antarktikut, nga stuhitë e mëdha kishte filluar të më ngrihej hunda sepse kisha harruar ta mbuloja për disa sekonda…

KultPlus: Gjithë ato ecje, gjithë ato ngjitje, gjithë ato rekorde të thyera dhe gjithnjë pas vetes keni mbajtur dy flamurë që i keni ngritur kudo që keni qenë prezent. Si është ndjenja e të bërit krenar një popull të tërë, duke refuzuar në anën tjetër oferta nga shtete të tjera?

Mrika Nikçi: Vetë fakti që kam qenë dhe kurrë nuk do të ndaloj së qenuri krenare për vendin dhe popullin tim, tregon që edhe pse kam pasur ofertë nga vendet tjera, me kënaqësinë dhe mburrjen më të madhe kam valuar dy flamujt tonë, të Republikës së Kosovës dhe flamurin kombëtar të Shqipërisë.

KultPlus: Përpos bisedave të ndryshme që keni pasur me babin e juaj, ju keni planifikuar gjithnjë edhe pjesën më të keqe. Sa është e vështirë që përpara një nisje të ngjitjes së ndonjë maje, të bisedoni për vdekjen?

Mrika Nikçi: Nuk është aspak e lehtë të bisedosh për vdekjen, e sidomos kur ngjitesh me njeriun më të dashur në njërën anë, e pas vetes lë të dashurit tu në anën tjetër, por është mënyra më e mirë për të menaxhuar me veten gjatë ngjitjes edhe nëse do të ndodh një gjë e tillë. Ka momente të shumta që kemi qenë në pozitë shumë të rrezikshme për jetën, dhe gjithmonë kemi qenë te përgatitur se si të veprojmë në situata të tilla, edhe pse malet e larta shpesh kanë plane tjera e të paparashikueshme nga ato që planifikon mendja e njeriut.

KultPlus: Përpos sportit të alpinizmit, ju më herët jeni marrë edhe me sporte të tjera. Cilat ishin këto eksperienca dhe cili është sporti ku “shpirti” i juaj fle më së shumti rehat?

Mrika Nikçi: Kam qenë garuese në sportin e karatesë të cilin e kam praktikuar përafërsisht 9 vite, dhe kam qenë disa herë kampione e Kosovës, si dhe garuese në sportin e skijimit. Por, shpirti më fle më së shumti rehat në ngjitjen e majave të larta, sepse aty kam gjetur 100 për qind të potencialit tim.

KultPlus: Gjatë jetës, njerëzit përballen me marrjen e vendimeve të ndryshme, qoftë ato të hidhura, të dëshpëruara apo edhe të gëzuara. A mund të ndani me lexuesit e KultPlus njërin prej momenteve më të lumtura që ju keni marrë në jetën tuaj dhe a ekziston një i tillë, që ju ka bërë të pendoheni më vonë ose një vendim që pendoheni se nuk e keni marrë?

Mrika Nikçi: Vendimi më i frikshëm të cilin e kam ndërmarr ka qenë ngjitja e shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve në moshën 17 vjeçare. Dhe sot me plot bindje them se është vendimi më i mirë të cilin e kam ndërmarrë ndonjëherë, sepse ky vendim më ka sjellë edhe momente të hidhura, edhe të dëshpëruara por që në fund më ka ofruar gëzimin dhe lumturinë e papërshkrueshme.

KultPlus: Merreni me sporte të ndryshme që një kohë të gjatë, por a ka pasur momente kur keni vendosur që të largohesh dhe të mos mendosh për asgjë tjetër? Ose thjesht ka qenë një moment reflektimi dhe më pas gjithçka është rikthyer në normalitet?

Mrika Nikçi: Gjatë ngjitjes së majave ka pasur momente ku kam menduar të dorëzohem, por gjithmonë e kam shtyrë vetën që të mos ndalem. Njëri nga momentet ku seriozisht e kam konsideruar dorëzimin është kur isha duke u ngjitur për kampin 4 të majës Denali, Alaskë dhe trupi im ndaloi së funksionari, por pas disa minutave vendosa të vazhdoj, dhe aty mund të them se i kam shtyrë të gjitha limitet e mija.

KultPlus: Sfida “7 summits” ka pjesën e tretë më të vështirë në botën e alpinizmit, a keni planifikuar që në të ardhmen t’i realizoni edhe dy pjesë të tjera dhe në një lloj mënyre të kompletoni sfidat që ekzistojnë deri tani?

Mrika Nikçi: Kam dëshirë të përfundoj sfidën e quajtur Grand Slam, që nënkupton ngjitja e shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve dhe ecja e Polit të jugut dhe Polit të veriut.

KultPlus: Fakti që ti je një grua, e bën karrierën tënde edhe më të jashtëzakonshme. Kjo pasi gruaja në Kosovë është në diskriminim e sipër dhe arritjet “vihen në hije”, cili është mesazhi i juaj për të gjithë gratë?

Mrika Nikçi: Mesazhi im për të gjitha gratë është që, asnjëherë të mos ndalen, ti ndjekin ëndrrat e tyre, të punojnë fort për realizimin e tyre, të kenë besim në vetvete dhe mbi të gjitha ta mbështesin njëra tjetrën. Së bashku jemi me të forta.

KultPlus: Ne e njohim Mrikën e majave, Mrikën e rekordeve, Mrikën që bëri krenarë gjithë Shqipërinë e Kosovën, por nuk dimë shumë për jetën e Mrikës jashtë alpinizmit. Ju po studioni juridikun, duke ndjekur edhe një herë tjetër hapat e babit juaj, i cili është një avokat, por a ka diçka konkrete me të cilën po merreni tani, e cilat janë gjithashtu edhe planet e së ardhmes në profesionin tuaj?

Mrika Nikçi: Mrika jashtë rekordeve dhe alpinizmit është si çdo vajzë tjetër 21 vjeçare me plot ëndrra dhe pasion për të ardhmen. Krahas studimeve të cilat i kam prioritet për profesionin e së ardhmes, ushtrimeve në vazhdimësi, daljet në natyrë dhe ecja në malet tona, merrem edhe me kompaninë ‘Mrika Seven Summits’, të cilën së fundmi e kemi hapur me babin dhe ofrojmë shërbime të ecjes dhe ngjitjes për turistët.

Në ndërkohë, bëj fushata dhe mundohem të sensibilizoj çështjet që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, si dhe jap fjalime motivuese.

KultPlus: Kohët e fundit, pas ngjarjeve që keni përjetuar, jeni bërë edhe zë i viktimave të ngacmimeve seksuale. Sa e vështirë ishte kjo gjë?

Mrika Nikçi: Kohët e fundit u bëra cak i ngacmimit seksual – ngjarje kjo e cila më ka goditur mjaft. Por, duke qenë krenare me vetveten dhe çdoherë e vendosur, e ngrita zërin në opinion duke i dalë në mbrojtje vëtës dhe të drejtave të mia, sepse e dija qe me këtë sensibilizim pa marrë parasysh pasojat për vetveten, unë qëndroj dhe bëhem zë për të gjitha gratë tjera.

KultPlus: Mesazhi për fund por edhe për vitin 2023. Çfarë pret Mrika në vitin që po vjen dhe cili është mesazhi për vitin që po lëmë pas?

Mrika Nikçi: Mesazhi për vitin 2023 është që të qëndrojmë të fortë përkundër sfidave që na dalin gjatë rrugëtimit jetësorë, ta duam njëri tjetrin, ta ruajmë njëri tjetrin, të ëndërrojmë shumë e të punojmë edhe më shumë e me vetëbesim për realizimin e atyre ëndrrave.

Mrika e sipërfaqi dhe e dëshmoi fjalinë e parë të shkruar në këtë artikull. Madhështia e saj, është më e madhe se një mal, dhe nuk ka maje ose traumë, çfarëdo qoftë ajo, që mund ta ndalë atë. /KultPlus.com

Kushtrim Koliqi, artisti shumëdimensional që sjell para publikut temat e grupeve më të ndjeshme të shoqërisë

Flonja Haxhaj

Me një ftohtësi në përzgjedhjet e tij regjisoriale, por me një ndjeshmëri në përzgjedhjen e temave të cilat prekin brengat e shumë kategorive të shoqërisë sonë, e të cilat shpesh edhe vihen dukshëm në harresë, Kushtrim Koliqi është një prej regjisorëve më aktivë në Kosovë që me një mjeshtëri të bukur i shtrinë projektet e tij në gjini të ndryshme të artit, me qëllimin e vetëm; transmetimin e plotë tek publiku.

Karriera e tij përfshin projekte të shumta që avokojnë për të drejtat e njeriut dhe të kategorive më të margjinalizuara në vend, në tentim të zhdukjes së mentalitetit patriarkal, tejet gjykues e shumë dominues në Kosovë.

Në një intervistë për KultPlus, Koliqi i cili është edhe drejtor ekzekutiv në organizatën ‘Integra’ rrëfeu gjerë e gjatë për shumë nga projektet e tij duke filluar nga shfaqja e fundit ‘Babai dhe Babai’ e cila pati hov të jashtëzakonshëm dhe vijon akoma të ketë një interesim të madh në publik.

Koliqi ndau përvojat e tij si për projektet në kuadër të ‘Integra-s’ ashtu edhe ato individuale, e të cilat nuk janë të pakta dhe krejt të veçanta në formën e tyre. Por, përpos kësaj, ai për lexuesit e KultPlus-it, tregon edhe shumë detaje që ndërlidhen me projektet e radhës që janë të shumta dhe po vijnë shumë fuqishëm.

‘Babai dhe Babai’, drama e atyre që s’duhet të harrohen  

Foto: Sovran Nrecaj

Më 16 maj të vitit 2022, regjisori Koliqi bashkë me dramaturgun Jeton Nezirajn sollën shfaqjen ‘Babai dhe Babai’, për të larguar nga harresa historinë e të pagjeturve me qëllimin që publiku ta bashkëndjejnë dhimbjen e çdo dite që përjetojnë familjarët e tyre tash e sa vite.

E vendosur në një hapësirë minimaliste siç është ‘Muzeu Etnologjik’, e me një skenë krejt afër me publikun aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti e Kosovare Krasniqi arritën të përçon ndjenjën e dhimbjes e të trishtimit që i kaplon familjarët e mbi 1600 personave të pagjetur.

Ndonëse për këtë shfaqje ka punuar gjatë e intensivisht, Koliqi e përshkruan si një punë shumë të mirë dhe të mirëmenduar me detaje e finesa që nga fillimi.

“Procesi ka qenë shumë i mirë, kemi punuar shumë, kemi punuar gjatë, kemi diskutuar dhe debatuar shumë dhe prej fillimit unë si regjisor e kam pasur të qartë konceptin tim regjisorial, e kam pasur të qartë vizionin tim për atë shfaqje dhe e mira është që e gjitha ekipi i janë bashkuar këtij vizioni. Fillimisht unë me insistimin tim është dashur ti indoktrinoj ata dhe t’i fus në vizionin tim dhe më pas të gjithë në pozicionet që i kanë pasur, kanë punuar në këtë vizion”, shpjegoi ai

Po ashtu, regjisori Koliqi ka spikatur edhe në vendin në të cilin është dhënë kjo shfaqje duke e zhvendosur shfaqjen teatrale nga teatri e duke e vënë në ‘Muzeun Etnologjik’ për ta bërë atë akoma më intime, dhe me çdo intervenim në atë skenë e që bëhen ‘një’ me lojën e aktorëve të transmetojë çdo herë emocionin e njejtë.

I vendosur për qëllimet e tij, regjisori Koliqi thotë se pari ka menduar aktorët e më pas është shkruar teksti. “Teksti është shkruajtur për Iliren dhe Bujarin, sepse Kosovarja ka ardhë më vonë, pasi e kemi realizu tekstin. Në rastin e Ilires mua më është dashur një grua në mezomoshë e cila në dukje është shumë e ndjeshme por shumë e fortë brenda, ka shumë parime, ka shumë rregulla familjare dhe për këtë arsye ajo delikatesa e ndjeshmëria e Ilires është pikërisht ajo që më ka tërhequr ta përzgjedh atë. Ndërsa Bujari është një aktor i jashtëzakonshëm me potencial të jashtëzakonshëm, është aktor i karakterit, i transformueshëm, inteligjent, efikas, pra i ka të gjitha kërkesat që unë i kam pasë për një personazh të tillë”, shprehet Koliqi duke folur për aktorët kryesorë të kësaj shfaqje, e të cilët përveç tjerash edhe me lëvizjen e qerpikëve transmetuan traumën që sjell pas vetes kjo dramë.  

“Ndërsa Kosovarja më ka lënë përshtypje përveç talentit dhe potencialit që ka por edhe dukja e saj e cila është pikërisht ajo modul që më është nevojitur. Më është nevojitur një vajzë që në dukje e ka vuajtjen, e ka depresionin, dëshpërimin dhe ajo i ka plotësuar të gjitha’, përfundon Koliqi.

Ndërkaq, shfaqja ‘Babai dhe Babai’ po e vazhdon rrugëtimin e saj. Ajo është paraqitur në tri festivale dhe në ato tri festivale ka marrë nëntë shpërblime në total.

‘Mirëdita, Dobar Dan’, dritarja e vetme për shkëmbimin e versioneve të së kaluarës mes Kosovës e Serbisë

Festivali ‘Mirëdita, Dobar Dan’ po vazhdon të jetë një prej festivaleve të vetme që me gjithë kundërshtitë e mëdha, në veçanti nga politikat serbe, prapë se prapë nuk po ndalet në përpjekjet e tij në integrimin e artit të Kosovës dhe Serbisë në publikun e njëra-tjetrës.

Megjithatë, Koliqi thotë se edhe pse ky festival në thelb e ka kulturën, debatin, diskutimin, ai po shndërrohet më shumë në politikë si çdo temë tjetër që ka të bëjë me raportin në mes të Kosovës e Serbisë.

“Kuptohet, përkundër misionit dhe vlerave të këtij festivali ka shumë kundërshtarë të cilët janë shumë të fuqishëm. Kur shkojmë në Serbi të gjithë strukturat, mediat, akademia janë shumë më të fuqishme se sa ‘Mirëdita Dobar Dan’. Ata e promovojnë dhe e ushqejnë një narrativë të kundërt me neve, i promovojnë disa vlera dhe parime që janë të kundërta me këtë festival dhe e njëjta është një Kosovë, megjithatë po besoj që ‘Mirëdita Dobar Dan’ ka mbetë e vetmja dritare, shumë e vogël që me pasë këtë shkëmbim mes artistëve dhe intelektualëve mes këtyre dy vendeve”, thotë Koliqi, i cili me në krye në ‘Integra’, është një prej organizatorëve të këtij festivali.

Sipas tij, Kosova në këtë festival ka pasur mision të dërgojë tek publiku serb filma dhe shfaqje që e trajtojnë luftën, të promovojë libra që trajtojnë krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë, në mënyrë që ata të ballafaqohen drejtpërdrejt me të vërtetën për luftën në Kosovë.

“Megjithatë, ky festival e ka një mision shumë fisnik sepse qytetarët e të dyja vendeve kanë mundësi ta dëgjojnë një version tjetër të së kaluarës dhe një version tjetër për njëri – tjetrin ngaqë ne akoma, dy shoqëritë i kemi të polarizuara dhe kanë shumë urrejtje mes vete”, shprehet Koliqi, duke thënë më tutje se për shkak të kapjes së çdo pore të shoqërisë nga pushteti serb, edhe ky festival gjithmonë përcillet me kundërshti dhe protesta.

Mirëpo, përkundër vështirësive, gjithë këto kundërshti vetëm sa i motivojnë organizatorët të vazhdojnë edhe më shumë misionin e tyre. Ndërkaq, edhe pse nuk janë finalizuar datat, ky festival këtë vit do të mbahet në Kosovë.

Filmi dokumentar i Ferdonije Qerkezit, e vërteta më ‘goditëse’ që u shfaq para publikut të Beogradit

Përveç cilësisë, Koliqi shprehet se në këtë festival ai gjithmonë ka insistuar të dërgojë tema të cilat ai beson se qytetarët e Beogradit dhe të Serbisë nuk kanë shancë t’i shohin, për shkak të një ambienti të kontaminuar politik e historik atje.

“Kemi dërguar shumicën e filmave që kanë trajtuar gratë e dhunuara, luftën, të gjithë filmat më të mirë që janë bërë këtu. kemi promovuar libra me rrëfime të grave të dhunuara, me rrëfime të familjarëve të të pagjeturve, rrëfime të burgosurve politikë, koncerte të ndryshme e të tjera”, rrëfen Koliqi.

Por, me gjithë vlerësimin e tij për të gjitha projektet që janë prezantuar para publikut të Beogradit, Koliqi tregon se është filmi dokumentar i Ferdonije Qerkezit që është i realizuar nga Gazmend Bajri për të cilin ai shprehet shumë i lumtur që është paraqitur para publikut në Beograd.

“Për rastin e Ferdonijes, në atë vend ku e kemi shfaqur filmin, shumica e audiencës kanë dalë të shokuar me historinë  që është individuale por përfaqëson shumë viktima civile në Kosovë. Mesazhi përbrenda ka transmetu shumë emocion, dhimbje, empati, iluminim e edukim. Por të njëjtën kohë jashtë ka pasur protesta të jashtëzakonshme dhe është një prej rasteve më të rralla kur neve na kanë izoluar dhe nuk kemi pasë mundësi të dalim për një kohë të gjatë nga salla”, përfundon Koliqi.

‘Unë dua të dëgjohem’, zëri i grave për të cilat ‘lufta’ s’ka përfunduar akoma

Në mesin e shumë projekteve që trajtojnë rastet e kategorive të prekura nga lufta në Kosovë, Koliqi bashkë me ‘Integra-n’ kanë botuar edhe librin për gratë e dhunuara seksualisht gjatë luftës.

Siç e dimë kjo është një prej grupeve më të ndjeshme të shoqërisë, duke qenë se ambienti në të cilin janë në shumicën e rasteve nuk i mirëpret, nuk i bashkëndjen vuajtjet, por i gjykon, kryqëzon e paragjykon ato gra.

E duke qenë në një ambient të tillë, ato edhe e kanë të vështirë të flasin për brengën që vazhdon t’u qëndrojë para syve edhe tani, 23 vjet pas përfundimit të luftës.

Libri ‘Unë dua të dëgjohem’ sjell histori të vërteta tmerri e frike të rrëfyera nga vetë këto gra, histori të ndodhura gjatë luftës në Kosovë, e që atëherë të freskëta në memorien e atyre që e përjetuan.

“Ne me shumë rigorizitet edhe me shumë xhelozi e kemi ruajtur identitetin e këtyre grave që na kanë besuar dhe na i kanë dhënë rrëfimet e tyre për me qenë pjesë e librit. Meqë ‘Integra’ punon shumë me grupet e viktimave duke e përfshirë edhe këtë grup që është një grup që them për të cilat lufta akoma nuk ka përfunduar dhe që vazhdojnë të jetojnë me atë tmerr”, deklaroi Koliqi.

Ndërkaq, ky libër është transmetuar në formë të audio-dramës, ku Koliqi si regjisor kishte përzgjedhur aktoret gra që do të transmetonin në mënyrën me emocionuese dhe të dhimbshme këtë dramë që paraqesin në vete këto histori.

“Ka pasë momente kur është dashur ta ndërprejmë sepse aktorja është emocionuar apo ka pasë nevojë për pauzë sepse ngarkesa është akoma më e madhe kur e di që dikush tjetër e ka përjetuar atë rast. Rrëfimet që janë realizuar si audio-drama janë të tmerrshme dhe si të tilla  kanë qenë traumatike edhe në realizim “, shtoi Koliqi.

Dokumentimi i masakrave në Kosovë, libri që i duhet Kosovës në pasqyrimin e realitetit të vitit 1998-1999

Në mesin e shumë projekteve të radhës, Koliqi thotë se momentalisht ajo që është duke e bërë ‘Intergra’ në bashkëpunim me Admovere ku hulumtues është Shkëlzen Gashi, është një libër i cili ka për qëllim të dokumentojë çdo masakër që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës.

Sipas Koliqit, ky libër do të jetë një ndihmë e madhe për Kosovën sepse është një prej botimeve të rralla që do të trajtojë të gjitha masakrat, sepse në aspektin e dokumentimit të luftës, Kosova ka mangësi të shumta

“Qëllimi ka qenë me i përfshi të gjitha masakrat sepse që të konsiderohet një ngjarje masakër duhet të plotësohen disa kritere e kështu Shkëlzen Gashi kur e ka bërë hulumtimin i ka përfshi ato që i kanë plotësuar të gjitha ato kritere. Tendenca jonë është që të përfshihen të gjitha masakrat. Produkti që do të dalë në fund do të jetë i jashtëzakonshëm në elementin e dokumentimit të masakrave. Do të përmbajë emra, ngjarje, fotografi, rrethana”, tha Koliqi për librin i cili pritet të

Monografia e Muharrem Qenës dhe shfaqja ‘La Rrem’, dy vepra që përthekojnë një karakter

“Monografia e Muharrem Qenës është e jashtëzakonshme”, nis kështu Koliqi rrëfimin e tij për monografinë e Muharrem Qenës, duke shpjeguar se specifikat e tij si një figurë shumëdimensionale kanë qenë shtysë për realizimin e këtij libri.

Përveç se ky libër ka marrë kohë e energji deri në realizimin e tij duke e marrë parasysh shtrirjen e gjerë të artit të Qenës, Kushtrim Koliqi thotë se kjo monografi është një libër shumë voluminoz.

“Muharrem Qena ishte regjisor, aktor, kantautor, poet, këngëtar, e të tjera. Meqë ai  ka qenë me shumë ngjyra si personazh, ne jemi munduar që ato ngjyra me ja dokemtu dhe me i pasë pjesë të monografisë”, shprehet më tutje ai.

Por, me këtë libër, Koliqi nuk e përmbylli kontributin e tij në paraqitjen e kësaj figure ikonë të artit shqiptar në të gjitha dimensionet. Ai realizoi edhe shfaqjen ‘La Rrem’, ku përveç si një dedikim për figurën e Muharrem Qenës, kjo shfaqje flet më shumë për jetesën e tij, për mprehtësinë, dashurinë ndaj teatrit, artit dhe artistëve dhe për shpirtin e tij rebel e revolucionar për kohën që i takonte.

“Ne i kemi marrë disa elemente që janë identifikuese për karakterin e Muharrem Qenës dhe mbi atë e kemi ndërtuar dhe besoj që shfaqja më shumë se një dedikim është një falënderim për të  dhe një festë sepse njerëzit kur kanë ardhur dhe e kanë parë shfaqjen, përveç se kanë parë disa aspekte të tij sidomos në raport me artin dhe shoqërinë, në të njëjtën kohë i kanë përjetuar edhe krijimet e tij muzikore”, thotë regjisori Koliqi.

botohet në marsin e këtij viti dhe do të vijë për lexuesit në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.

‘Unë jam vetë grua’ dhe ‘Stiffler’, shfaqjet që sjellin dramën e jetës së dy kategorive më të gjykuara në shoqëri

Kushtrim Koliqi, jo rrallë prek tema të cilat përfshijnë kategori të ndryshme në shoqëri që shpesh edhe janë të margjinalizuara dhe gjykohen nga vetë shoqëria jonë sidomos duke u vënë hijen e aspektit moral. E tillë është shfaqja ‘Unë jam vetë grua’, e adaptuar nga regjisori Koliqi për të sjellë një realitet të ballafaqimit me fatin e një transgjinori.

Kjo shfaqje bazohet në një shfaqje amerikane, e cila po ashtu bazohet në një ngjarje të vërtetë dhe sjell jetën dhe sfidat e një pjesëtari të këtij komuniteti, të ndarë në 30 personazhe që u luajtën nga vetëm një person, e rolin e të cilit Koliqi ia ka besuar aktorit Adrian Morina.

“Kuptohet që sfidë në vete ka qenë edhe kurimi i atyre personazheve edhe pse disa prej tyre kanë pasë më pak hapësirë dhe janë kuruar si tipe të personazheve, e pjesa tjetër ka pasë hapësirë  më shumë dhe është dashur t’i krijojmë karakteret e atyre personazheve, shtuar këtu konceptin regjisorial, investimi tjetër në muzikë, në drita e të tjera”, thotë Koliqi, duke folur edhe për vështirësitë regjisoriale që ka hasur gjatë realizimit të kësaj shfaqje, e të cilën ai e konsideron tejet të veçantë sidomos për temën që trajton.

Po ashtu, në kuadër të ‘Integra-s’ ai ka realizuar shfaqjen ‘Stiffler’, shfaqje kjo që trajton jetën dhe fatin e një punëtoreje të seksit, e cila gjykuar nga konstrukti patriarkal e moral të shoqërisë sonë, ballafaqohet me drama të shumta dhe në fund, e mbetur nën mëshirën e askujt, ajo humb edhe jetën.

“’Stiffler’ trajton jetën e Havës e cila përveç që është grua dhe në Kosovë shkelen të drejtat e grave në mënyrë të vazhdueshme, Hava, personazhi kryesor e që luhet nga Rebeka Qena ka vendosë me u marr me shërbime seksuale. Ajo e përjeton një dramë sepse njëri nga klientët e saj e therr. E krejt drama ka të bëjë se si një grua trajtohet në mënyrë të tmerrshme, kur ajo është në sfidën për mbijetesë. Për shkak të joprofesionalizmit, kartës së moralit, ajo në fund e humbë jetën”, shton Koliqi, i cili mes tjerash thotë se kjo shfaqje është shumë e rëndë por nga një kënd tjetër është dashur të trajtohet kjo temë për të sjellë një realitet të trajtimit të grave në Kosovë.

‘Gay Movement’, promovimi i të drejtave të komunitetit homoseksual në Kosovë përmes monografisë

Kushtrim Koliqi, në mesin e shumë projekteve të radhës, për KultPlus e ka përmendur edhe monografinë që ‘Integra’ së bashku me CSGD-në është në përpunim e sipër e që dokumenton të gjithë ‘Lëvizjen Homoseksuale’ në Kosovë.

Ai thotë se kjo monografi e cila do të paraqes një historik të një lëvizje që ka ekzistuar gjithmonë, edhe para luftës, por që është bërë më e zëshme pas luftës do të publikohet deri në fund të vitit 2023.

“Kjo monografi i ka dy qëllime, e para me dokumentu një proces dhe e dyta me i tregu të gjithëve se ‘Gay people’ kanë ekzistuar gjithmonë. Kuptohet se në rrethana të ndryshme socio-politike e patriarkale e panë pasur më të vështirë të shprehen edhe të deklarohen. E qëllimi madhor është promovimi i të drejtat e tyre e që janë të drejta themelore e të pakontestueshme, sepse është e vështirë t’i promovosh këto të drejta në një mentalitet jashtëzakonisht patriarkal”, thotë më tutje Koliqi./ KultPlus.com

U rrit nën tingujt e zërit të së ëmës, sopranoja Besa Llugiqi sot përqafon skenat më të mëdha evropiane

Jeta Zymberi

Përqafoi skena të mëdha evropiane me artin e saj, duke dal nga vendi i fundit në Evropë që themeloi institucionin e Operës.

Përderisa “La Traviata” ishte historia që shënoi lindjen e institucionit të Operës në Kosovës, sopranon e njohur Besa Llugiqi e solli para publikut të saj me një rol që tashmë ajo e kishte mbizotëruar në skena të ndryshme evropiane, shkruan KultPlus.

Ditët e sotme ka një numër të konsiderueshëm artistësh që mbajnë gjallë botën magjike të operës, botë që e ka përfshirë edhe Besa Llugiqin.

Llugiqi, është sopranoja kosovare e cila qysh në fëmijëri e rritur nën tingujt e zërit të së ëmës, muzika ju bë frymëmarrje e lodrat me fëmijët e lagjes i neglizhonte duke i zëvendësuar me improvizimin e koncerteve në shtëpi, qoftë edhe e vetme.

Pasi ka kënduar për vite të tëra në shtëpi, erdhi koha të provojë edhe skenën.

Zëri i saj tani ishte më i pjekur dhe me peshë, gjë që i ka lejuar që qysh në fillet e saj të arrijë sukses të jashtëzakonshëm. Ndonëse edhe aftësitë e saj në aktrim fillimisht ishin disi të kufizuara, ato me kalimin e kohës kanë marrë thellësi dhe qëndrueshmëri.

Llugiqi, sot këndon me tone të argjendta dhe lëviz me hijeshi si një kërcimtare, ajo vjen krejt e natyrshme në skenë duke e rrëmbyer publikun krejt padashje.

Figura e saj e hollë dhe energjia e gjallë janë rezultat i ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik, disiplinës së gjimnastikës vokale, por mbi të gjitha e aftësisë së saj të jashtëzakonshme për t’u fokusuar në qëllimet e saj duke ndërtuar një kështjellë të forcës së brendshme.

Besa Llugiqi sot personifikon sopranon ideale: fuqi e madhe vokale, finesë në paraqitje dhe lëvizje vezulluese. Një artiste e paraqitur në skena dhe salla kocertesh të shumta nëpër Evropë, ajo, vazhdon të rritet.

E lindur në Prishtinë, më 1986, Llugiqi është fituesja e Çmimit të Madh të vitit 2013 në Konkursin Ndërkombëtar “Elena Nikolai” në Bullgari. Legato, debutimi i saj operistik në Teatrin Shtetëror të Operës së Tiranës si Liù në “Turandot” në 2011 çoi në angazhime në teatro të shumta operistike dhe festivale ndërkombëtare. Që atëherë, ajo ka bashkëpunuar me muzikantë të nivelit të lartë.

Besa në skenë ka interpretuar rolet e Donna Elvirës në “Don Giovanni”, Lauretta në “Gianni Schicchi”, Mimi në “La Boheme”, Lucia në “Lucia di Lammermoor”, Violetta në “La Traviata” dhe Liù në ” Turandot”. Ajo ka qenë gjithashtu e ftuar për të kënduar “Messe in A” nga Cesar Franck në Austri dhe Itali, si dhe si soliste në “Requiem” të Gabriel Faure në Shqipëri, si dhe “Requiem” të Mozartit në Bullgari. Në vitin 2018 ajo bëri debutimin e saj me Operën Baltike në Gdansk si Thais. Në vitin 2019 ajo debutoi rolin e Ines në L’Africaine të Meyerbeer, duke punuar në rolin e saj me regjisoren Vera Nemirova.

Besa Llugiqi së fundmi u bë sopranoja që mori edhe rolin më të kërkuar të letërsisë operistike, në një nga operat më të mëdha në botë “Faust” e Gounodit, ku debutoi në rolin e Margeritue.

Por gjithë ky rrugëtim e sukses, marrin krejt tjetër kuptim kur asaj i jepet rasti të interpretoj para publikut të saj, para njerëzve me të cilët është rritur e formuar, para artistëve që ajo i vlerëson aq shumë.

Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, sopranoja Besa Llugiqi shpalos për lexuesit gjithë kthesat e saj jetësore, momentet dhe njerëzit që ju bën pikë referimi për të ndjekur rrugën e ëndrrave. Por, ajo flet edhe për muzikën, artistin e preferuar dhe teatrin ku ëndërron të interpretojë një ditë, rolin jetësor të cilin e pret t’i afrohet dhe mbi të gjitha angazhimin e saj mes karrierës dhe familjes si mbështetësin e saj kryesor.

Fotografia: Arben Llapashtica

KultPlus: Historikisht, me “La Traviata” lindi institucioni i Operës së Kosovës dhe ju bartët personazhin kryesor, atë të Violetës, na trego si e pritët ftesën dhe çfarë rëndësie ka për ju që keni interpretuar në veprën e parë që vuri themelet e këtij institucioni?

Besa Lluguqi: Roli i Violetës ka lënë gjurmë në zhvillimin tim artistik po asnjëherë se kam ndjerë më afër se para publikut tim. Jam e nderuar që kam bartur mbi supe rolin titullar në një ditë të jashtëzakonshme për artin operistik në Kosovë. Akoma njerëzit më urojnë rrugës dhe mua më është dashur kohë që të shkëputem nga gjithë ai emocion.

Një ditë historike për Kosovën por edhe për të gjithë ata që kontribuuan.

KultPlus: Në “La Traviata” në Prishtinë ju ndatë skenën edhe me baritonin Gëzim Myshketa, a është ky bashkëpunimi i parë me një artist shqiptar në një shfaqje operistike, nëse po na shpalos këtë përvojë?

Besa Llugiqi: Me Gëzimin kam pasur fatin të bashkëpunoj edhe në operën “Gianni Schicchi” në Tiranë, një eksperiencë e jashtëzakonshme, Gëzimi përveç se ka kënduar në rolin kryesor, në këtë rast babai i Lauretës, që unë debutoja në atë kohë, ai ishte edhe regjisor i shfaqjes dhe ka bërë një punë të mrekullueshme, sigurisht është një kënaqësi bashkëpunimi me një artist të kompletuar dhe një njeri të mirë siç është Gëzimi.

KultPlus: Me operën “La Traviata” jeni paraqitur edhe më herët në teatro të tjera evropiane, a mund të përshkruash ndjesinë e të qenurit para publikut evropian dhe atij kosovar?

Besa Llugiqi: “La Traviata” është opera që unë e shijoj pa masë si rol dhe interpretim, kam pasur fatin të interpretoj dhjetëra herë dhe është mirëpritur shumë sa herë që e kam interpretuar, por nuk përshkruhen ovacionet e të dyja netëve, njerëzit të përlotur, përqafime e urime që vinin shumë të sinqerta nga publiku e njerëz të artit, e për një numër të konsiderueshëm ka qenë hera e parë në një shfaqje operistike. Më kanë bërë shumë të lumtur, jam plot kurajo, një punë e investim i imi që u shpërblye në mënyrën më të bukur që mund ta imagjinoja.

KultPlus: Keni shkelur në skena mjaft prestigjioze, përderisa në Kosovë keni interpretuar në salla të improvizuara pasi Kosova vazhdon të mos e ketë Teatrin e Operas dhe Baletit, sa ju penalizoi ky fakt gjatë procesit në punë dhe cilat ishin sfidat me të cilat u desh të përballeni?

Besa Llugiqi: Është një urgjencë ndërtimi i një shtëpie operistike, një lehtësim për gjithë komunitetin artistik, një mundësi e mirë për qytetarin që të trajtohet denjësisht në çfarëdo qoftë ajo paraqitje artistike, operë, koncert apo balet. Duhet të ndihemi të civilizuar, mjaftë më me improvizime të skenës e sallës.

KultPlus: I lëm pak anash emocionet e “La Traviata” e i rikthehemi fëmijërisë, na trego pak si nisi lidhja jote me muzikën?

Besa Llugiqi: Si e vogël kam kënduar, kjo sipas nënës sime e cila ka mbjellë një dashuri të madhe për këngën, zëri i saj i bukur më ka përcjellur gjithmonë, këngët që na ka mësuar, pastaj dëshira ime për këngën ka qenë prezente në çdo moment. Unë nuk ju kam bashkangjitur lojërave me fëmijët e lagjes, loja ime ishin koncertet që i zhvilloja në shtëpi, qoftë edhe e vetme.

KultPlus: Çfarë të tërhoqi pas operës, kur ishte ai takimi juaj i parë që ndoshta të dha idenë se një ditë mund të bëhesh soprano?

Besa Llugiqi: Gjithçka lindi në shkollën e mesme të muzikës. Prof. Ahmet Dërguti, një njeri i urtë, profesionist dhe i njerëzishëm, përveç dëshirës për të kultivuar zërin, ai ka kontribuuar shumë duke dhënë shembullin e një njeriu të kulturuar, një mentori të denjë të cilin e madhëronte zemërgjerësia dhe njërzillëku që e karakterizon.

KultPlus: Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierën tënde, dua të them, i vështirë por edhe një kthesë, që solli një ndryshim të madh tek ju?

Besa Llugiqi: Momenti kur papritmas humb personin që të kishte dhënë shumë artistikisht, mentorja ime Christina Anghelakova, ka qenë një humbje e madhe po në të njëjtën kohë një shtysë dhe arsye që të mos dorëzohem asnjëherë. Christinen edhe sot e kam pikë referimi në çfarëdo situate që unë përballem, dhe akoma është prezente ne çdo interpretim që unë bëj sepse kam punuar shumë role me të edhe ato që ende nuk i kam debutuar e që janë në plan t’i interpretoj.

KultPlus: Jeni angazhuar në teatro të shumta operistike dhe festivale ndërkombëtare dhe keni bart mbi supe role të shumta, cili rol nga repertori juaj i gjerë është më i paharrueshëm dhe më kuptimplotë për ju?

Besa Llugiqi: Rolet që kam interpretuar secili në mënyra të ndryshme më ka rritur artistikisht dhe jam shumë e lumtur për gjithë atë repertor që kam interpretuar dhe zgjedhur me kujdes, mendoj që Lucia di Lammermoor është roli që më ka tjetërsuar, më sfiduesi, por rol që pas tij gjithçka për mua ka qenë më e lehtë. Një muzikë e mrekullueshme, një shkollë në vete.

KultPlus: Zëri juaj po rrugëton suksesshëm në vende të ndryshme, por në cilin teatër botëror ëndërroni të interpretoni një ditë?

Besa Llugiqi: Ka shumë teatro që do të doja të shkelja e të dëgjohej zëri im, por do e veçoja “Metropolitan”, kishte me qenë ëndrra ime.

KultPlus: Nëse ju jepet mundësia të përzgjidhni një artist botëror për të ndarë skenën bashkë, cili do të ishte ai emër?

Besa Llugiqi: Jessey Norman, por për fat të keq nuk jeton më, por gjithsesi është pikë referimi për mua, çdo ditë e dëgjoj, është një mrekulli!

KultPlus: Cila është gjëja më e këndshme në profesionin e këngëtares operistike dhe e kundërta?

Besa Llugiqi: Ka shumë gjëra që më bëjnë ta dua këtë profesion, muzika fillimisht, përmbajtja e rolit që interpretoj, njohja e shumë artistëve, atmosfera dhe energjia që japin, sfidohesh konstant dhe kjo më bënë të lumtur, e mban trurin e freskët me gjithë atë muzikë që duhet ta memorizosh. Ka shume benefite, ndërsa e kundërta është regjimi që duhet përpara dhe pas shfaqjes, kujdes në ushqim, ushtrime çdo ditë, investim konstant, adrenalinë e stres, udhëtimet për periudha të gjata e shumë sakrifica të tjera që i has rrugës.

KultPlus: Çfarë do të thotë muzika për ju?

Besa Llugiqi: Muzika për mua është uni im, ushqim i shpirtit, tundim i shpirtit njëkohësisht!

KultPlus: I kthehemi përditshmërisë suaj, çfarë lloj muzike dëgjoni ndërkohë që jeni e çliruar nga obligimet profesionale?

Besa Llugiqi: Më pëlqen shumë të ushtroj në piano, zakonisht një kohë të ditës e kaloj me pjesë pianistike dhe kjo për mua është relaksim.

KultPlus: Ëndrra juaj më e madhe si artiste, ende e pa realizuar?

Besa Llugiqi: Ëndrra ime është të interpretoj Tosca, rolin tim të preferuar, por kjo në kohën kur unë e ndjej që Tosca ime është gati. Kërkon kohë dhe pjekuri.

KultPlus: Si pushoni pas një produksioni të ngarkuar apo pas një sezoni të tërë rraskapitës artistik?

Besa Llugiqi: Me familjen, me vajzën dhe bashkëshortin. Për mua koha me Lune është e shenjtë dhe çlodhëse, ajo e udhëheq ditën time kur nuk jam me angazhime.

KultPlus: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Besa Llugiqi: Shumë koncerte recitale, shfaqje operistike si ‘Faust’, ‘La Boheme’, ‘La Traviata’, si dhe debutimi në rolin e Tatianas në operën “Eugen Onegin” të Tchaikovsky.

KultPlus: Krejt për fund, çfarë këshillash do t’u jepnit këngëtarëve fillestarë, çfarë duhet t’i kushtojnë vëmendje dhe ku duhet të kenë kujdes më shumë?

Besa Llugiqi: Mendoj që duhet të kthehen kah vetja e tyre që investimet të bëhen në zhvillimin e tyre artistik, në njohuri rreth të kënduarit, teknikës dhe interpretimit dhe të sfidohen sa më shumë me role, koncerte e interpretime të ndryshme, pa bërë kompromis më artin dhe punën e tyre. / KultPlus.com

Ornela Vorpsi ekskluzivisht për KultPlus: Nuk shkruaj në shqip, ndryshe ngrihen demonët e së kaluarës dhe më shqyejnë të gjallë

Ardianë Pajaziti

Fytyra e saj është një fytyrë si e një kukulle porcelani. Dhe jo vetëm, por edhe një fytyrë kukulle e habitur. Dhe me sytë e saj të mëdhenj sikurse edhe më ma vërteton këtë ndjesi që ma jep figura e Ornela Vorpsit.

Në pamje të jashtme ta le përshtypjen e një gruaje të fortë, që është në gjendje të thyej çdo barrikadë, po në shpirt, sikurse e thotë edhe vet, është e vrarë, shumë e vrarë nga jeta që e rropati brenda dhe jashtë Shqipërisë.

E përkthyer në mbi 20 gjuhë të botës, mu kjo Ornela e Shqipërisë që doli nga ky vend dhe vazhdon të bëj nam nëpër botë me librat e saj, akoma nuk e ka shkruar një libër në gjuhën shqipe, po gjithë krijimtarinë e saj e ka të shkruar o në italisht, o në gjuhën frënge. Dhe ka një arsye pse nuk ka shkruar dhe nuk dëshiron të shkruajë në gjuhën shqipe.

Përgjatë një bisede të gjatë, pashë shumë Ornela rreth meje, e mezi arrija të përmblidhja mu atë Ornelën që kisha para syve të mi, që padyshim është një zonjë e madhe, dhe nuk do të ishte e tillë po të kishte pas një jetë ndryshe.

Për mbi dy orë përgjatë intervistës pashë Ornelën e vogël të Tiranës e cila lumturohej në familjen e saj të vogël, pastaj pashë Ornelën e topitur, mu këtë Ornelën me fytyrë porcelani, hije që mori që nga vdekja e gjyshes, vdekje që ndodhi në prani të saj, hije që u bë edhe më e rëndë me burgosjen e babait. Pashë Ornelën e vetmuar rrugëve të Tiranës, vetmi dhe refuzim që e mbështolli regjimi i Enver Hoxhës, pashë Ornelën duke vrapuar pas ngjyrave, pikturës, pastaj atë Ornelën e Milanos e të Parisit, Ornelën në romane që edhe më tej refuzon ti shkruaj në gjuhën e nënës, e deri te kjo Ornela e fundit që i janë përkthyer romanet e saj në mbi 20 gjuhë të botës, këtë Ornelën e ekspozitave e të pikturës, e cila prap më jep ndjesinë e një portreti të një figureje porcelani, e cila edhe e thotë vetë, që këtë figurë apo ndjesi të majës së ajsbergut, e mori që nga përplasja e gjyshes para këmbëve të saj, vdekje që ja dha një nur përgjatë gjithë jetës.

Përderisa kujton fëmijërinë e saj, e cila e konsideron fëmijëri të lumtur, rritën e saj me dashurinë e gjyshes dhe prindërve të saj, Ornela Vorpsi e kujton atë periudhë si periudhën më të ëmbël, e cila rritej në një shtëpi në mes të Tiranës, me një kopsht shumë të madh me hurma e ullinj, e cila shumë më vonë kuptoi se babai i saj kishte prona, shumë prona, por që ata e rritnin pa ia kujtuar se ishin një familje e kamur, duke vënë në plan të parë dashurinë që kishin për njëri tjetrin, e sidomos për gjyshen. 

“Kam pas një gjyshe jashtë mase të dashur, dhe mbaj mend se deri në moshën gjashtë vjeçe kam gëzuar dashurinë e saj të pafund. Dhe vdekja e saj, besoj se ishte një nga goditjet më të mëdha që kam pas në jetë. U rrëzua para syve të mi, ra në tokë, mbaj në mend që më tha “koka, më dhemb shumë koka” dhe vdiq, para syve të mi vdiq”, kujton Ornela dashurinë për gjyshen, dashuri që më pas u shndërrua në atë topitjen, akullnajën jetësore, pasi që këtë vdekje e kapërceu ftohtë, pa lot dhe pa bërtima, me një mur në mes, mur të madh mes dhimbjes shpirtërore dhe reagimit të jashtëm.

Ornela kujton më pas se kishte vazhduar jetën në atë Tiranën e atëhershme, Tiranë që bashkë me Shqipërinë ishin super të izoluara nga bota, me makina të pakta, e edhe më pak racione ushqimi, por me një dashuri të madhe për artin, dashuri që e kishte qysh nga vegjëlia e saj.

Dhe kjo artiste e madhe, rrugëtimin drejt artit e kishte nisë në piano. Prindërit e saj e kishin detyruar të ngulitej në atë instrument, tinguj që kurrë se plotësuan shpirtin e saj të madh artistik, që në periudha të ndryshme jetësore ndryshonin formë, herë pikturë, herë fotografi e herë letërsi.

Dhe përderisa Ornela kërkonte art, apo dhimbja e saj kërkonte të shpërfaqej nëpërmjet artit, në kohën kur ende mësonte piano, por që nuk përmbushte dëshirën e saj për të bukurën, me vetëm shtatë vjet ajo pëson edhe një goditje.

Dhe si me rastin e vdekjes së gjyshes, edhe kësaj radhe, nuk qau, as lëvizi e as nuk reagoi. Ishte zhdukja e babait, dhe ajo që dinte në atë kohë ishte vetëm kjo, babai i saj iku me motorin.

“Mbaj mend mamin, e priste. Por babai u zhduk, kishte një motor dhe po me atë motor u zhduk. Unë si fëmijë nuk reagoja, nuk merrja pjesë në këto goditje, nuk lëvizja, nuk qaja dhe nuk prekesha”, shpjegon Ornela Vorpsi duke kujtuar këtë goditje si shtatë vjeçe, e cila më pas ka shpjeguar se pas bisedave dhe konsultave më të vonshme me psikoanalistë, i kishin shpjeguar se ky mos reagim i saj ishte më shumë si një mur, si një mbrojtje e vetvetes karshi zhvillimeve.

“Dhe babai nuk u kthye, kaluan gjashtë muaj dhe nuk kuptuam asgjë. Brenda këtyre gjashtë muajve mami shkonte në polici të pyeste, dhe ata i thoshin se nuk dinin gjë. Të njëjtit kërcënonin mamanë time se ajo duhej tu tregonte se ku ishte burri i saj” tregon Ornela për atë periudhe të rëndë për familjen e saj, të cilës familja e saj veç po i zvogëlohej, dhe tani kishte ngelur me mamanë e saj, e që atë kohë ishte 29 vjeçe.   

Dhe regjimi i Enver Hoxhës sapo kishte trokitur në portën e familjes së Ornela Vorpsit, dhe shija e hidhur e komunizimit kishte kaluar përmasat për të dhe për mamanë e saj, të cilat vuanin në palcë ndarjen e familjes, distancimin e njerëzve nga to dhe vuajtjet e kësaj kohe që kishin shndërruar një grua dhe një vajzë të vogël si dy njerëz tmerrësisht të padëshiruara nga të tjerët.

Babain e dënuan për politikë pa u marr asnjëherë me politikë, kishin për qëllim sekuestrimin e pronave

Ornela Vorpsi kujton që babain e saj e kishin gjykuar me dyer të mbyllura, e kishin akuzuar për politikë, edhe pse, sipas Ornelës, babai i saj kurrë nuk ishte marr me politikë. Sipas saj, arsyeja e burgosjes së tij ishte diku tjetër, sekuestrimi i pronave të shumta që kishte kjo familje. Dhe me rënien e tij në burg, krejt këto prona u sekuestruan dhe lanë këtë familje në dyer të botës. 

Ornela kujton se dy herë e kishte vizituar babain e saj në burgun e Spaçit, njëherë kishte shkuar me gjyshin, nga ana e babit, dhe njëherë kishte shkuar me mamin. Të dy vizitat kishin lënë vragë të thella në memorien e Ornelës, duke nisë nga kontrollet e rrepta të gardianëve e deri te takimi me babain, që për të ishte shumë i panjohur.

“Nuk e njoha fare babain tim, ishte dobësuar jashtë mase, ishte me pizhame me vija, si ato të Auschwitz. Dhe mbaj në mend që mamit tim i dha një qese të vogël, kur u ktheva në shtëpi, si kurreshtare që isha e hapa atë qese. Në të gjeta dhëmbët e thyer të babit, sepse më vonë e kam kuptuar se kur e kishin arrestuar, e kishin futur në një thes, dhe e kishin rrahur aq fortë sa që ia kishin thyer edhe dhëmbët”, tregon Ornela Vorpsi, e cila kujton edhe një takim tjetër me babain e saj në burg, po këtë herë më shumë kujtime të hidhura i kishte lënë rruga deri në Spaç, sesa vet Spaçi.

“Nuk kishte makina, mbaj mend se patëm shkuar me autostop me një kamion që barte derra, mami ishte ulur me shoferin para, unë isha pas, me derrat. Para syve të mi shihja se si tentonte shoferi ta puthte mamin tim, ishin kohë të tmerrshme, ishte një Shqipëri që nuk të le qetë as sot”, kujton Ornela.

Dhe përgjatë kohës sa babai i saj vuante dënimin, mamanë e saj e detyruan ose të divorcohej ose do ti internonin, por sipas Ornelës, mamaja e saj zgjodhi të parën, dhe pas sekuestrimit të pronave, Ornela bashkë me mamanë e saj u detyruan të ktheheshin te dajët, ku u vendosën të dyja në një dhomë të vogël, dhomë e cila u shndërrua në shtëpinë e tyre për shumë vite.

“Të gjithë njerëzit na u larguan, mbaj mend edhe kushërirat e mia të cilat bëheshin se nuk më shihnin në rrugë. Tirana ishte e vogël atëherë, dhe bënim pjesë te shoqëria margjinale. Ndërkohë, Shqipëria në atë kohë ishte kaq injorante, me mentalitet shumë të rëndë, sa po të ishe një grua pa burrë, sikurse ishte ime më, ishe direkt kurvë”, kujton Ornela, e cila mentalitetin e Shqipërisë edhe sot e sheh si të ngecur në vend, me shumë pak ndryshime.

Nga një inxhinere mekanike, mamanë e Ornelës e vendosën në punë në një fabrikë me tre turne. E dërmuar nga rrethanat, e larguar nga shoqëria, sipas Ornelës, mamaja e saj për një muaj e gjysmë u shtri në psikiatri.

“U shtri në psikiatri vetëm që të flinte, nuk flinte dot nga puna që bënte në tri turne. Dhe si e vogël unë mbeta vetëm me gjyshen te dajët”, rrëfen Ornela, të cilës çdo ditë po i zvogëlohej bota, e krejt këtë çmenduri që e kishin kaluar shqiptarët që i prekte regjimi i Enver Hoxhës, Ornela e shpjegon me një fjali “Ishte një Shqipëri e çuditshme, mos ta jetoje, nuk e koncepton dot”.

Ornela shpjegon se babai i saj vuajti shtatë vjet dënim, dhe pas burgut ajo e takoi si 14 vjeçe. Si vajzë e një të burgosuri politik, përgjatë kohës sa babin e kishte në Spaç, i kishin thënë shumë fjalë të këqija për babain e saj. Aq keq i kishin fole, sa që Ornela tregon se kur dikush i thoshte se sa shumë i ngjante babit të saj, ajo nuk ndihej mirë, ndihej shumë keq.

“E kam takuar edhe dy tri herë, fshehtas prej mamit. Sepse ajo nuk donte që të takohesha me të, asaj i ishte ngulitur në mendje se ai ishte shkaktari që na shkatërroi jetën. E në fakt nëna kishte probleme mendore, sepse i vuajti shumë pasojat”, tregon Ornela më tej.

E adhuroja vizatimin, pikturën, po sistemi i atëhershëm nuk më lejonte të futesha në Liceun Artistik, isha vajza e një të burgosuri politik

Dhe përderisa jeta i kishte rropatë sa poshtë e lart këtë familje tironse, lufta e artit brenda shpirtit të Ornelës nuk gjente paqe. Përderisa bënte shkollë për piano, brenda saj ajo kishte zbuluar pasionin për vizatimin, pasion që u bë aq i fuqishëm sa mori edhe vendimin për braktisjen e pianos.

Ajo kujton se vet kishte shkuar të Pallati i Pionierit për tu regjistruar për vizatim, pastaj përfundoi shkollën tetë vjeçare të normales, institucion në të cilin poashtu ndjeu distancën e shokëve, shoqeve dhe mësimdhënësve.

“Pastaj kisha dëshirë të vazhdoja Liceun Artistik për pikturë, por ishte e pamundur, sepse isha fëmija i një të burgosuri politik, dhe në Shqipërinë e atëhershme, arti ishte propagandë, dhe nuk kisha të drejtë, kisha të drejtë vetëm në gjimnaz”, tregon Ornela Vorpsi, e cila kujton se përgjatë asaj kohe, ajo kishte vijuar gjimnazin, përderisa pikturën e vazhdonte në shtëpi.

Dhe me përfundimin e gjimnazit, si duket po përfundonte edhe një regjim i tmerrshëm në Shqipëri. Ornela Vorpsi ishte në vitin e tretë të gjimnazit kur kishte vdekë Enver Hoxha, dhe Ornela kujton edhe sot kumtin e zysheve të asaj kohe dhe histerinë kolektive për vdekjen e Enver Hoxhës.

Por me vdekjen e tij, vendi kishte filluar pak të merrte frymë. Më në fund, Ornela Vorpsi arrin të futet në Institutin e Arteve, tash Akademia e Arteve të Bukura, garë të cilën e synonin mbi 400 të rijnë, e pranoheshin vetëm 25 studentë.

“Kisha përballë fëmijë të artistëve, fëmijë që ishin rritur me art, fëmijë që ishin mirë politikisht dhe që ishin mirë me talent. Po pata një fat të jashtëzakonshëm, dhe pata një mbështetje nga Hektor Dula, i cili mbështeste talentin tim, dhe kështu që e fitova atë konkurs. Mbaj në mend që për një javë kam pirë vetëm ujë dhe nuk haja asgjë, aq isha e emocionuar”, tregon Ornela Vorpsi për këtë vulë jetësore, vulë që e kërkonte pothuajse që nga fëmijëria dhe më në fund ia kishte dalë që të jetë pjesë e këtij institucioni që pas përfundimit do ta nxirrte si piktore.

Ika me mamin në Itali, kapitalizmi mu duk gjëja me e egër që kisha parë në jetën time, nuk i kuptoja lëvizjet e gjithë atyre makinave, sikurse nuk e kuptoja dashurinë e tyre për macet dhe qenët. Atëbotë në Shqipëri nuk kishte as veterinar

Dhe portat po hapeshin për piktoren e re. Në fakt nuk u hapën portat, po shqiptarët po i hapnin ato dhunshëm, duke u futë nëpër ambasada dhe duke kërkuar një jetë më të mirë.

“Meqë jam esteiste, Shqipëria nuk u hap bukur, po ky ishte realiteti i jonë”, kujton Ornela lëvizjet e shqiptarëve përgjatë viteve të 90-ta, e që Ornelën ajo periudhë e kishte gjete 22 vjeçe dhe me titullin piktore e diplomuar.

Ornela kujton se kjo dyndje e shqiptarëve e kishte provokuar edhe mamanë e saj, dhe sipas saj, kërkesa e saj ishte që të iknin nga Shqipëria dhe të shkonin ne Milano. “Ishte një shoqëri që nuk na kishte lënë vend, nëse njerëzit tjerë kishin vend, ne nuk kishim një të tillë”, tregon Ornela, duke e krahasuar Shqipërinë e atëhershme si një moçal dhe si një vend të kalbur.

“Ne morëm një vizë për dy javë, unë kisha një gocë tezeje e cila duke qenë nxënëse shembullore, duke pas babin komunist, me të drejtë e shkreta, rrinte larg meje, ajo mbaroi me medalje ari, dhe e cila duke qenë kaq e shkëlqyer, Shqipëria i qonte jashtë shtetit. Edhe atë e kishin dërguar në Romë, kështu që unë me mamin tim duke mos e pas fare idenë e një vendi të huaj, siç ishte Italia, marrim biletën dhe shkojmë tek ajo. E ke parasysh, ajo ishte në kolegj universitar, ishte në konvikt, dhe ne i shkuam në konvikt”, tregon Ornela duke qeshur, e cila shpjegon se këto ishin pasojat e izolimit 50 vjeçar, dhe një izolim i tillë reflekton më pas edhe budallallëqe të tilla.

Ajo tregon se për dy javë sa patën vizë, qëndruan fshehurazi në konvikt, dhe pas asaj kohe ishte lufta tjetër, se nëse do të ktheheshin në Shqipëri, apo do të vazhdonin të kërkonin tokën e premtuar. Zgjodhën këtë të fundit, edhe pse, sipas Ornelës me shumë frikë, sepse sipas saj, kapitalizmi ishte gjëja me e egër që kishte parë në jetë.

“Mu duk një tmerr, ishte një gjuhë e huaj që nuk e njihja fare, por nuk kishte gjë që mamin tim ta kthente në Shqipëri”, tregon Ornela rreth vendimit të qëndrimit në Itali.

Por 50 vjet izolim ishin shumë për dy gratë shqiptare, të cilat po përpinin habinë dhe magjinë e Milanos.

Ornela atëbotë kishte kujtuar se të gjitha gratë e Milanos janë si Sophia Loren, por edhe pse nuk ishin si Sophia, sipas saj dallonin shumë nga vajzat dhe gratë shqiptare.

“Ishin vajza të holla, ne në Shqipëri na donin me gjoks e me vithe, me flokë të zeza, ndërkohë ato të gjitha ishin bërë bionde, ishin të nxira nga dielli, nuk kuptoja se çfarë ishte kjo.  Pastaj nuk i kuptoja makinat që shkonin e vinin, sepse në Tiranë ishin katër makina që rrotulloheshin në krejt Tiranën, dhe ishin aso makina që shkonin e vinin për punë. Ishte një shoqëri që e nuk e kuptoja në asnjë gjë, nuk e kuptoja as dashurinë që kishin për qentë dhe macet, përderisa ne në Shqipëri nuk kishim atë kohë as veterinar. Çdo gjë ishte një tronditje e madhe, unë do të isha kthyer në Tiranë, por mami nuk deshi”, tregon Ornela për goditjen me perëndimin, duke u detyruar që pas vendimit të qëndrimit në Milano, të bënte hapin e radhës, të bënte një copë vend për vete.

Në Milano ma thyen ëndrrën, profesori më tha: Piktura tashmë ka vdekur

Pasioni për pikturën e ndiqte edhe këtu, dhe duke pas parasysh se Shqipëria atëherë kishte ngelur te realizimi socialist, dhe shkollimi i saj po në atë pikë, Ornela Vorpsi kishte një tjetër ëndërr. Të përfundonte Akademinë e Arteve edhe në Milano. 

“Dhe mbaj në mend, konkursin e fitova pa asnjë tmerr në Milano, në Aakademinë e Arteve të Bukura të Brerës, dhe pyesja vetën se si ka mundësi, sepse në Shqipëri shumë pata heqë që të pranohesha në atë Institut”, tregon Ornela, por duke mos qenë e përgatitur se furtuna e radhës veç sa se kishe goditë.

Ajo kujton se kishte marr një pikturë të saj për t’ia prezantuar profesorit të saj, dhe përgjigja e tij se piktura tashmë kishte vdekur, dhe se art tash janë instalacionet, artet konceptuale, video instalacionet e performancat e kishte goditur jashtë mase. Një jetë të tërë kishte luftuar për vizatimin dhe pikturën, dhe në mes të Milanos, Ornela e kupton se ajo që e kishte ëndërruar kaq shumë, tashmë kishte vdekur.

“Dhe kështu vendosa të bëja disa hulumtime në këtë art konteporan dhe të shoh se si më fle. Dhe bëra këto katër pesë vjet, që për mua ishte humbje e kohës komplet, sepse nëse në Shqipëri mësova se si të pikturoj, aty te arti konteporan, mu duk një spekulacion, dhe edhe sot e kësaj dite mendoj se është një punë koti, por njerëzit nuk kanë guxim ta thonë.  Dhe unë nuk e ndjeva, nuk isha fare e kësaj udhe, njoha instalacionet, provova fotografitë, dhe nuk ma mbushi mendjen”, tregon Ornela Vorpsi për ballafaqimin me artin konteporan.

Dhe përderisa kishte mbetë pa atdhe, përderisa piktura kishte vdekur, po sipas profesorit italian, dhe përderisa nuk kishte një copë vend në Itali, Ornela Vorpsit me nguti i duhej të bënte një zgjidhje, sepse i duhej të ekzistonte në një vend të huaj.

Ornela përgjatë kohës sa ‘varroste’ pikturën, dashurinë më të madhe te jetës, bëri fotografi mode, mënyrë elementare për të siguruar jetën.

“Dhe më erdhi shkrimi, mu dhuru kjo dhuratë e madhe e shkrimit, pa asnjë lloj mendimi se mund të bëhesha shkrimtare, apo ti publikoja, pasi që ëndrra ime ishte piktura. Fillova të shkruaj, dhe fillova të shkruaj kur isha në Paris, pasi që isha pjesë e një shkëmbimi universitar mes atij të Milanos dhe Parisit. Shkova ne Paris për gjashtë muaj në Erasmus, dhe nuk u ktheva më në Milano, dhe mbaj në mend që fillova të shkruaj në Paris”, tregon Ornela për fillimin me shkrimin, e cila tash njihet për romanet e saj në 20 shtete, përderisa ajo kishte dashuri të pa kompromis pikturën.

“Vendi ku nuk vdiset kurrë” u shkrua në italisht, kisha nevojë për një gjuhë që mbanë një distancë, dhe një gjuhë që nuk e bartë fëmijërinë time

Dhe një shqiptare që kishte jetuar për gjashtë vjet në Itali, dhe sapo ishte vendosë në Paris dhe po provonte kulturën e ushqimin francez, kishte filluar ti lëshonte rrënjët e para të romanit bestseller “Vendi ku nuk vdiset kurrë” por jo në gjuhën shqipe, por ajo pavetëdijshëm kishte filluar ta shkruante në italisht.

“Qëndrova në Itali për gjashtë vjet dhe gjuha italiane ishte shumë e kollajshme, veshi ma kishte dëgjuar që kur isha në Shqipëri dhe për atë nisa të shkruaj në italisht. Shumë më kanë pyet se pse nuk e shkrova në gjuhën e nënës, në gjuhën shqipe. Nuk mund të shkruaja në shqip, sepse të gjithë demonët  e së kaluarës  ngrihen dhe më hanë, e gjithë e kaluara më mbytë, nuk do të shkruaja dot emocionalisht. Kisha nevojë për një gjuhë që mbanë një distancë, dhe një gjuhë që nuk e bartë fëmijërinë time. Italishtja ime nuk e barte fëmijërinë time, frëngjishtja nuk e bartë fëmijërinë time, nuk mbytem në to, ka një lloj distance, në shqip s’do të kisha shkruar kurrë atë që kisha shkruar në italisht”, thotë Ornela, e cila përpos që po fitonte distancën me gjuhën shqipe, ajo po fitonte edhe një distancë tjetër, me nënën e saj, e cila kishte mbet në Milano, përderisa Ornela po qëndronte në Paris, por që pavarësinë e saj nuk e fitonte dot, se ishin të lidhura si mish e thua.

“Fillova ta shkruaj, sepse nuk dija çfarë të bëja me ditët e mia. Mbaj në mend se si u ula aty afër shpisë, më erdhi të shkruaj dhe shkrova një tregim dhe më pëlqeu disi, po pa i bërë pyetje vetës se pse po shkruaj në italisht, më erdhi në mënyrë organike, ato gjëra që i kam treguar në këtë libër dhe që janë të vërteta, në shqip nuk do ti tregoja kurrë, do të kisha vdekë, do të isha djegë. Shkrova një tregim të vogël, dhe ja përktheva keq e keq një shokut tim shkrimtar që ishte francez. Edhe ai është goxha i njohur, dhe më tha ‘e di që është fantastik’. Dalëngadalë shkrova, edhe mbarova këtë libër, që tashmë është i përkthyer në shumë gjuhë të botës, anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe shumë gjuhë të tjera, dhe gjuha e fundit që do të përkthehet së fundi është në gjuhën serbe”, ka thënë Ornela Vorpsi, e cila kujton edhe detajin tjetër, se iu deshën vite të tëra që të jepte dritën e gjelbër që të përkthehej edhe në gjuhën shqipe.

Babai mu lut që mos ta përktheja romanin në gjuhën shqipe, i kishin thënë se kisha shkruar shumë keq për Shqipërinë dhe nuk dëshironte që ky libër të fliste në shqip

“Mora shumë kohë deri sa vendosa ta botoj në gjuhën shqipe, sepse im atë më luti që mos ta përktheja. I kishin thënë që kisha shkruar tmerre për Shqipërinë, dhe nuk donte që ky libër të fliste edhe shqip. Por më në fund vendosa, ka tri vjet që është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe”, thotë Ornela.

Dhe përgjatë këtyre viteve të krijimtarisë në fushën e librit, Ornela ndër vite prap e ka bindë vetën se piktura nuk ka vdekur, dhe se piktura është ringjallë më shumë se kurrë, dhe paralelisht punon në të dyja, herë në libër e herë në pikturë, e me raste edhe në fotografi.

Ajo është duke shkruar në librin e ri, por është duke e shkruar në gjuhën frënge, pasi që, sipas saj, duke jetuar që një kohë të gjatë në Francë, italishtja, sipas saj ka filluar ti brishtësohej, dhe nuk ndihet mjaftueshëm e sigurt në këtë gjuhë.

Ndërkohë, përderisa shkruan dhe pikturon, Ornela Vorpsi tregon edhe një detaj që e vuan si pasojë nga Shqipëria. Ajo synon prestigjiozen për ti bindë të tjerët se arti i saj vlen. Së fundi ka fituar qëndrimin në një rezidence shumë prestigjioze, sikurse që ka ndërruar shtëpinë botuese që vlerësohet të jetë poashtu shumë prestigjioze.

“Në Shqipëri më kanë rrahur aq keq, sa që kisha dëshirë të kapja këto maja prestigjioze, është njësoj sikur të vësh pak balsam mbi trup. Sepse, në Shqipëri ngaqë kisha një natyrë të çuditshme dhe nuk më kuptonin, më konsideronin keq, sepse në Shqipëri po të jesh gocë e bukur të vlerësonin si budallaqe, dhe ky mentalitet, për mu ishte një ravansh me Shqipërinë,  po për mua ishte një ravansh i madh, sepse vija nga një Shqipëri ku më copëtuan, më dërmuan në të gjitha dimensionet. Por në të njëjtën kohë pata fatin ti them këto mrekulli, dhe falënderoj Zotin, misterin që bën jetën, edhe pse ngelem njeri jashtë mase i vrarë, gjërat që kanë ndodhë nuk shërohen më”, ka thënë Vorpsi, e cila tregon se në Shqipëri e kishin quajtur tradhtare, për faktin se nuk kishte shkruar në shqip. 

“Unë e ndjej vetën tërësisht shqiptare, dhe fakti që kam jetuar në Itali dhe Francë nuk më bën as italiane e as franceze. Të përdorësh një gjuhë të huaj është një mjet, që për mua ishte i shëndetshëm”, ka thënë Ornela.

Ornela Vorpsi që ka mbi supe tetë tituj të librave dhe shumë ekspozita, që nuk ka asnjë shtëpi në Tiranë, edhe përkundër faktit se babai i saj posedonte shumë prona, që vishet vazhdimisht me ngjyrë të zezë, që edhe këtë detaj e adreson te Shqipëria, sepse ky vend e la pa ngjyra dhe pa lule, që sheh akoma ëndrrat në Shqipëri, edhe pse dëshiron që ti rri larg saj, që humbi nënën gjatë pandemisë dhe që nuk arriti as ta shoh në momentet e fundit, edhe sot nuk e konsideron vetën të suksesshme, dhe sipas saj ajo e vuan këtë pjesë si njeri që ka bërë shumë pak.

Ornela Voprsi ka dëshirë që të bënte shumë më tepër, jo në nivelin e shkrimit e të pikturës. Po ëndrra e saj do të ishte që të mund të krijonte azile për të moshuar dhe të ndihmonte njerëzit e rrugëve. “Kur i shoh njerëzit nëpër rrugët e Parisit, janë pamje që më vrasin, sepse unë isha rrugëve bashkë me nënën time”, përfundon Ornela, e cila vazhdon të jetojë dhe krijojë në zemër të Parisit, bashkë më bashkëshortin, vajzën e saj dhe tri mace, tri mace në shtëpinë e kësaj Ornele që në fillet e migrimit të saj nuk i kuptonte perëndimorët për dashurinë ndaj maceve dhe qenve./ KultPlus.com

Komunizmi mbylli shumë dyer për Lea Ypin, por u bë shkas që t’i hapen dyert e botës si autorja që po magjeps në 26 gjuhë

Era Berisha
Fotografia në ballinë: Leif Tuxen

Mes dy zjarresh ka qenë i vendosur “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”, pas publikimit të tij, por pa marrë parasysh kritikat e lëvdatat nga më të ndryshmet, së shpejti libri pritet të jetë në dispozicion në plot 26 gjuhë. Autorja, akademikja shqiptare dhe ligjëruesja e Teorisë Politike në Departamentin e Qeverisjes në “London School of Economics, Lea Ypi, ka ngjallë reagime të shumta pasi që botoi librin e saj për vitet e fundit të komunizmit, një libër ky që shënoi sukses të jashtëzakonshëm që në muajin e parë të botimit në nëntor të vitit të kaluar, duke shitur 10,000 kopje. Në roman, autorja është një 11 vjeçare për të cilën socializmi shqiptar i stilit sovjetik premtonte për një të ardhme të paracaktuar, teksa pamja fëmijërore e regjimit komunist të shembur të Shqipërisë shfaqet lirshëm. Në fokus vjen tranzicioni i jetës së një vogëlusheje në paralel me tranzicionin politik të një shoqërie komuniste në Shqipëri, por nuk mjafton thjesht me kaq, shkruan KultPlus.

‘Free’ – (Të lirë – Të rritesh në fund të historisë), fillimisht do të ishte një libër filozofik për idetë e mbivendosura të lirisë në traditat liberale dhe socialiste, por kur Ypi fillonte të shkruante, siç thuhet edhe në libër, “idetë u shndërruan në njerëz”. Dëshira për të shkruar si për liberalizmin ashtu edhe për socializmin në një mënyrë që nuk ishte e verbër ndaj përvojave historike të frymëzuara nga këto ide, qe e madhe. Pasi filloi të mendonte për dështimet e demokracisë në rastin e socializmit ose për dështimet e lirisë në rastin e teorive liberale, mendja e saj po kthehej gjithnjë e më shumë tek shembujt konkretë nga vendi në të cilin ajo u rrit.

Të vërtetat në jetën e saj gradualisht i zbuloi vetë. Fillimisht, ndodhi papritmas kur komunizmi në Shqipëri u bë gati të shembej dhe se nuk kishte më kthim prapa. Atëherë, këndvështrimet e shtetit me të cilat ishte mësuar të jetonte nuk përputheshin me ato të familjes së saj. Përkundrazi, ishin në dy qoshet më ekstreme të mundshme. Nga kujtesa e saj, ajo flet për konfuzionin dhe shqetësimin e përjetuar kur të rriturit hezitonin për të folur hapur për politikën, teksa asaj i mbylleshin dyert në heshtje, për të mos dëgjuar se çka flitej prapa tyre.

Gjithë jeta e saj kaloi nëpër një të vërtetë të rreme. Ishte rritur në një familje antikomuniste, pa e ditur. Por, për të pranuar këtë ishte e vështirë, për shkak se deri më aty, Ypi veçse kishte krijuar një besnikëri patriotike, një ndjenjë e fortë që përshkonte në formimin e saj individual. Nuk e kishte përjetuar as pjesërisht shtypjen apo persekutimin, për shkak se prindërit e kishin mbrojtur nga kjo, por pas ndryshimeve drastike, për të u bë shumë e vështirë pranimi i së vërtetës që prindërit e saj e shpalosnin. Duke qenë e afërt me gjyshen dhe shpjegimet e saj se pse është dashur fshehja e së vërtetës, pas disa muajve, ajo nisi të përshtatej.

Fotografia: Henning Kretschmer/Agentur F

Natyrisht që kjo ndikoi në themelimin e identitetit të Ypit, të cilën ajo vetë e cilëson si njëfarë kultivimi skeptik për atë se çfarë konsiderohet e vërtetë, teksa tendencat për të menduar se diçka është gjithmonë ndryshe nga ajo se çfarë duket, ka zgjuar interesin e saj të mëvonshëm për filozofinë.

Detajet kryesore që shpalosen në ditarët e saj që ajo mbante pas viteve 90’, përshkruhen mbi shqetësime të jetës së përditshme e të zakonshme të saj, siç është fakti që ishte zhdukur një nga shoqet e saj, e cila u bë viktimë e trafikimit seksual, që mbrëmjeve nuk mund të dilte dot me miqtë nga frika se mos mund të ngacmohej në rrugë, apo edhe se prindërit e saj vazhdimisht paralajmëronin se do të ishte e rrezikshme për shkak të shpërndarësve të shumtë të drogës.

Falë këtyre përjetimeve dhe mbi të gjitha, falë përjetimit të dorës së parë të valës së emigrimit në Durrës që kishte lënë gjurmë të shumta të gdhendura rrënjësisht në kujtimet e saj, kuptimi i një shoqërie të lirë ishte perceptuar ndryshe nga gjithsecili asaj kohe. Megjithatë, kjo e shtyu atë që dikur më vonë të bëhej një person më kritik.

Për mendimet e saj mbi përfaqësimin e Shqipërisë nëpërmjet një vepre, për botimin e një shtese “prequel” tjetër ku trajtohen edhe ngjarjet në Kosovë, për konceptin e lirisë së vërtetë të popullsisë shqiptare, për sukseset e shumta të librit sikurse që është vlerësimi me pesë yje në “Daily Mail” dhe “Daily Telegraph”, emërtimi si libri i vitit në “Sunday Times”, fitimi i çmimit “Lumo Skendo” për vitin 2021 si libri më i mirë dhe fitimin e çmimit ‘mbretëror’ për Letërsi në Britani, pastaj për shpalljen e vetë autores në mesin e 10 mendimtarëve kryesorë botërorë të vitit 2022 nga revista britanike ‘Prospect’, e deri tek zbulimi i pasionit për letërsinë që nga mosha e vogël, një pasion ky që kishte nisur me Homerin, Eskilin, Sofokliun, për të vazhduar tek Dostojevski dhe Tolstoi, e pastaj edhe tek Kanti, Marksi, si dhe natyrisht për magjepsjet e saj më të mëdha nga autorët shqiptarë siç është me rastin e Kadares, do të keni rastin të lexoni më poshtë në një intervistë ekskluzive për KultPlus.

Fotografia: David Levenson

KultPlus: Fillimisht, a mund të na tregoni rrugëtimin tuaj personal që nga nisja e deri tek botimi i romanit “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”, që aktualisht po përkthehet në 26 gjuhë?

Lea Ypi: ‘Free’ fillimisht do të ishte një libër filozofik për idetë e mbivendosura të lirisë në traditat liberale dhe socialiste, por kur fillova të shkruaj, siç them në libër, “idetë u shndërruan në njerëz”.

Nga një këndvështrim filozofik, një nga bindjet e mia të vjetra ka qenë se, teksa shumë njerëz mendojnë për idetë socialiste si ide të barazisë dhe drejtësisë, kurse për idetë liberale si të përqendruara te liria, tradita socialiste që nga Marksi e këtej në fakt përpiqet të realizojë të njëjtën ide të lirisë që filozofikisht është në thelb të liberalizmit. Megjithatë, shpesh, veçanërisht në teorinë politike normative, me të cilën kam punuar kryesisht, ne priremi të angazhohemi me idetë si thjesht ide, duke menduar për meritat dhe kufizimet abstrakte të botëkuptimeve të ndryshme vetëm nga ana filozofike.

Por, unë jam gjithashtu e interesuar për historinë e filozofisë dhe për historinë, në përgjithësi, dhe kështu kam qenë gjithmonë kureshtare të shoh se si idetë pasqyrohen në institucione dhe se si institucionet ose tradhtojnë ose largohen nga qëllimet origjinale të ngulitura në promovimin e këtyre ideve. Pra, doja të shkruaja si për liberalizmin ashtu edhe për socializmin në një mënyrë që nuk ishte e verbër ndaj përvojave historike të frymëzuara nga këto ide, dhe kur fillova të mendoj për dështimet e demokracisë në rastin e socializmit ose për dështimet e lirisë në rastin e teorive liberale, mendja ime u kthye gjithnjë e më shumë tek shembujt konkretë nga vendi ku unë u rrita. Diskutimi i episodeve nga jeta ime m’u duk një mënyrë e frytshme për ta bërë këtë, për aq sa më mundësonte të reflektoja mbi shembuj konkretë.

Pjesa tjetër është historia me të cilën jeni njohur.

KultPlus: Keni deklaruar se romani flet për mënyrën se si zbulohen të vërtetat gradualisht. Por na tregoni se si ju i zbuluat ato?

Lea Ypi: Për mua ishte një zbulim i papritur që ndodhi kur u bë e qartë se komunizmi në Shqipëri do të rrëzohej dhe se nuk kishte kthim prapa. Vetëm atëherë kuptova se këndvështrimi i shtetit (nga i cili isha ndikuar nërpërmjet sistemit arsimor) dhe ai i familjes sime, në vend që të rreshtoheshin së bashku, gërryenin themelin e njëri-tjetrit.

Ajo që mbaj mend nga ajo kohë është një hutim i përgjithshëm dhe shqetësim se përse të rriturit dukej se hezitonin gjatë gjithë kohës, kuptoja që të afërmit kishin frikë të flisnin hapur për politikën dhe vija re se sapo hyja unë në dhomë, binte heshtja dhe unë izolohesha nga bisedat e tyre. Më pas, në dhjetor, kur i gjithë sistemi u shemb, prindërit e mi zbuluan një të vërtetë që e ndjenin se ishte e vërteta e tyre dhe thanë se ishte edhe e vërteta ime: gjithë jetën time isha rritur në një familje antikomuniste pa e ditur. Ishte e vështirë sepse deri në atë pikë, kisha dashur të isha një qytetare e mirë, një pioniere e mirë dhe ndjehesha besnike ndaj një sistemi që u shemb papritur.

Unë nuk e kisha përjetuar shtypjen dhe persekutimin që ata kishin përjetuar. Nuk e kisha përjetuar atë as pjesërisht pasi familja ime ishte munduar të fshehtë të vërtetën për të më mbrojtur nga pasojat e luftës së klasave. Ata kishin krijuar këtë strehë që kishte funksionuar ashtu siç donin të funksiononte, por që më pas, për shkak se gjërat ndryshuan kaq shpejt e kaq rrënjësisht, e vështirësoi identifikimin tim me të vërtetën e tyre. Përfundimisht, brenda disa muajve të ardhshëm, u përshtata. Unë i besova ato që më thanë dhe, duke qenë se kisha marrëdhënie shumë të mira me gjyshen, i besova kur ajo më shpjegoi arsyet pse duhej ta fshihnin këtë të vërtetë nga unë.

Por, nuk e di se çfarë i bën kjo identitetit të dikujt në një term afatgjatë. Ndoshta kultivon një lloj skepticizmi për atë që të vërtetat merren si të mirëqena dhe gjithashtu prodhon një tendencë për të menduar se diçka është gjithmonë ndryshe nga mënyra se si duket; se ekziston ky dualizëm midis dukjes dhe thelbit, i cili mund të ketë luajtur një rol në kureshtjen time të mëvonshme për filozofinë.

KultPlus: Romani është i ndarë në dy pjesë (komunizmi dhe Shqipëria liberale), dhe ju keni mbajtur ditarë pas viteve 90’. A mund të na tregoni disa nga detajet kryesore prej të cilave jeni frymëzuar ju, që t’i publikoni ato?

Lea Ypi: Ajo që bie në sy nga ditarët e mi të këtyre viteve është shqetësimi i jetës së përditshme, të zakonshme: për shembull, fakti që ishte zhdukur një nga shoqet e mia që u bë viktimë e trafikut seksual, që mbrëmjeve nuk dilje dot me miqtë nga frika se mos mund të ngacmoheshit në rrugë, ose se prindërit e mi vazhdimisht më paralajmëronin se duhej të kisha kujdes nga shtimi i shpërndarësve të drogës.

Ajo që la gjurmë tek unë ishin valët e emigrimit: jeta e Durrësit kushtëzohej nga ajo e portit të Durrësit, çka do të thoshte se emigrimi ishte një përvojë e përditshme. Të gjithë donin të largoheshin, por pikërisht në çastin kur ata ishin të lirë të largoheshin nga vendi, kufijtë u mbyllën dhe filloi vala e racizmit dhe stereoptipeve ndaj shqiptarëve që trajtoheshin si popull kriminel. Edhe kur është arritur për të dalë jashtë vendit dhe më në fund ka pasur qasje në të gjitha mallrat nga Perëndimi që të gjithë i kishin dëshiruar, kupton se të gjitha mallrat janë aty, por në fakt nuk mund t’i blije sepse nuk i ke paratë.

Më kujtohen mijëra shembuj të vegjël si ai, ku ndjeva se diçka nuk ishte në rregull, një lloj zhgënjimi i vazhdueshëm. Por nuk mendoj se në atë kohë unë i perceptoja këto si dështime të një sistemi ose se kisha mjetet intelektuale për t’i zbërthyer nëpërmjet një teorie të ndryshimit shoqëror. Njerëzit rreth meje kishin kuptime të ndryshme për atë që kërkon liria dhe ide të ndryshme se si duhet të jetë një shoqëri e lirë, dhe megjithëse mendoj se të gjithë vrojtonin se diçka nuk po ecte me tranzicionin, ata ishin të bindur se kishin lënë pas më të keqen, dhe çdo gjë tjetër konsiderohej një sakrificë e vogël që ia vlente në rrugëtimin drejt kësaj ëndrre të re lirie.

Përvojat e mia të jetuara më bënin dyshuese, ndoshta sepse i përkisja një brezi tjetër, por këto përvoja më dhanë materialin njerëzor mbi të cilin u ndërtuan reflektimet e mëvonshme.

Fotografia: Marcus Emil Christensen

KultPlus: Libri është bërë i njohur nga shumë medie prestigjioze ndërkombëtare. Sa është e rëndësishme për ju që pavarësisht barrës, të jeni përfaqësuese e një shteti nga vetëm këndvështrimi i juaj?

Lea Ypi: Do të ishte shumë fatkeqe nëse një shtet i tërë do të përfaqësohej nga një individ ose një vepër e vetme. Unë nuk mendoj se mund ose do të doja të përfaqësoja një komunitet të tërë: Unë shpreh pikëpamjet e mia për politikën, shoqërinë, artin e kështu me radhë, të cilat të gjitha vijnë nga një këndvështrim filozofik specifik.

Jo të gjithë do ta ndajnë këtë perspektivë, dhe unë jam plotësisht e vetëdijshme për këtë, ashtu siç jam e lumtur të debatoj me këdo që shtjellon një arsyetim të kundërt duke respektuar normat etike. Sigurisht, gëzohem nëse libri im e bën të dojë të lexojë më shumë dhe të zbulojë Shqipërinë, sepse mendoj se në Evropën Perëndimore ka shumë nevojë për të dëgjuar prespektiva dhe pikëpamje të shkrimtarëve nga kultura tradicionalisht të margjinalizuara.

Por libri im nuk është më shumë se kaq: një ftesë për t’u angazhuar me një kulturë shumë më të madhe dhe për të hyrë në debate shumë më komplekse sociale dhe politike. Një autor i vetëm mund të përpiqet të përfaqësojë atë kompleksitet, por dyshoj se ata mund t’ia dalin të vetëm.

KultPlus: “Të lirë” pritet ta ketë edhe një shtesë ku do të trajtohen ngjarjet në Kosovë. A keni filluar të shkruani diçka për këtë botim?

Lea Ypi: Unë jam duke punuar për një prequel. Libri fokusohet te gjyshja ime dhe diskuton konceptin e dinjitetit si në një person ashtu edhe në një komb në një kohë trazirash sociale dhe politike. Konteksti është kryesisht Shqipëria mes dy luftërave botërore dhe zhvillimi i shtetit modern shqiptar që nga pavarësia e tij nga Perandoria Osmane deri në fitoren e komunizmit.

Ashtu si tek ‘Të lirë’, është një përpjekje për të përshkruar zhvillimin personal dhe politik dhe për të reflektuar mbi temat e autonomisë, krizës dhe identitetit në kontekstin e përplasjes së projekteve ideologjike.

KultPlus: Keni thënë se ju nuk besoni që popullsia shqiptare jeton në një shoqëri të lirë. A mund të na tregoni më shumë lidhur me këtë konstatim?

Lea Ypi: Mendoj se kemi kaluar nga një gjendje moslirie në të cilën një agjent – shteti, partia, liderë të ndryshëm komunistë – ushtronin kontroll të drejtpërdrejtë mbi individët, duke i penguar ata të kuptonin vetveten, në atë ku kontrolli social ushtrohet nga struktura anonime që janë shumë më të vështira për t’u përcaktuar, por tepër të dëmshme për lirinë.

Jetojmë në shoqëri shumë të pabarabarta në të cilat fuqia ekonomike dhe politike janë të përqendruara në duart e një pakice, si brenda një shteti, ashtu edhe në ndërveprimet ndërmjet shteteve. Jetojmë gjithashtu në një periudhë krizash të shumëfishta, të ndërlidhura, kombëtare dhe ndërkombëtare, në të cilat shtetet e dobëta si Shqipëria apo Kosova nuk janë në gjendje të vendosin për të ardhmen e tyre pa ndërhyrjen e lojtarëve më të mëdhenj, të cilët shpesh instrumentalizojnë dobësinë e tyre për të realizuar qëllimet e tyre. Mendoj se liritë standarde që fituam pas rënies së komunizmit, si liria e fjalës, e organizimit, e votës e kështu me radhë, vlejnë relativisht pak nëse ka asimetri të thella pushteti që kushtëzojnë aftësitë e njerëzve për të ndikuar në vendimet politike.

Tridhjetë vjet pas ardhjes së demokracisë liberale, ka ardhur koha për të reflektuar mbi dështimet historike si të socializmit shtetëror, ashtu edhe të liberalizmit të tregut të lirë, dhe të kërkojmë për një model të ri. E kaluara është diçka nga e cila nuk duhet të kemi frikë, përkundrazi ne duhet të jemi në gjendje të mësojmë prej saj në shërbim të një modeli alternativ zhvillimi që merr parasysh specifikat rajonale dhe historike duke u integruar gjithashtu me një përpjekje më të gjerë, transnacionale për të nxitur drejtësinë globale.

Unë i shtjelloj këto ide në librat e mi të tjerë akademikë, por në të gjitha rastet thelbi filozofik është një nocion Kantian i lirisë si agjenci morale, e paredaktueshme në interpretimet pozitive apo negative të lirisë që janë përhapur në sisteme të ndryshme dhe nëpërmjet mjeteve të ndryshme ideologjike.

Fotografia: Stuart Simpson

KultPlus: Romani mori vlerësime me pesë yje në ‘Daily Mail’ dhe ‘Daily Telegraph’ dhe u emërua libri i vitit në ‘Sunday Times’. Po ashtu fitoi çmimin “Lumo Skendo” për vitin 2021 si libri më i mirë, si dhe çmimin ‘mbretëror’ për Letërsi, në Britani, ndërsa revista britanike ‘Prospect’ ka shpallur 10 mendimtarët kryesorë botërorë të vitit 2022 dhe në mesin e tyre jeni edhe ju. Sa përmbushës është ky sukses?

Lea Ypi: Është një varg në poezinë e Rudyard Kiplingut, “Nëse”, që më pëlqen shumë: “Nëse mund të takohesh me Triumfin dhe Fatkeqësinë dhe t’i trajtosh ata dy mashtrues po njësoj”.

Sigurisht që është shumë kënaqësi për mua të shoh se sa mirë po ecën libri, por një pjesë e konsiderueshme e imja pajtohet me Kiplingun: suksesi mund të jetë gjithashtu edhe një lloj mashtrimi. Duke qenë se kurrë nuk e dihet se sa zgjat dhe ku shpie, mundohem të përqendrohem tek idetë dhe projektet e ardhshme.

KultPlus: A mund të na shpalosni se si e zbuluat pasionin për letërsinë dhe ndani me ne disa nga magjepsjet e juaja më të mëdha nga autorë shqiptarë?

Lea Ypi: Kjo ndahet në periudha.

Si brez, ne jemi rritur me shumë pak televizor dhe unë më shumë isha e rrethuar nga librat: përralla popullore arabe, shqiptare, ruse e kështu me radhë. Por të preferuarit e mi ishin grekët: Homeri, Eskili, Sofokliu, të cilët i lexoja si përshtatje për fëmijë. Më tërhiqnin sidomos mitet greke, sepse nuk mund ta kuptoja se si heronjtë grekë ishin kaq të fuqishëm dhe kaq të pafuqishëm në të njëjtën kohë.

Më vonë, më pëlqente veçanërisht letërsia ruse e shekullit të 19-të, sidomos Dostojevski dhe Tolstoi, mbase pasi te këta autorë gjen të njëjtat tema të lirisë dhe domosdoshmërisë që shfaqet në mitet greke. Leximi i “Lufta dhe Paqja” në vitin 1997 luajti një rol kyç në vendimin tim për të studiuar filozofi. Mbase ju kujtohet se si “Lufta dhe Paqja” mbyllet me një kritikë të madhe gjithëpërfshirëse të filozofisë së historisë, në të cilën Tolstoi nënvizon se sa e kotë është të mundohesh t’i gjesh një kuptim historisë duke pasur parasysh konfliktin midis botëkuptimeve të ndryshme dhe pikëpamjet e mijëra protagonistëve të saj. Ky skepticizëm ndaj narrativave të mëdha ishte pikënisja ime filozofike por e braktisa shumë shpejt në universitet, kur zbulova traditën filozofike gjermane, veçanërisht Kantin dhe Marksin, që për mua janë alternativa më bindëse ndaj nihilizmit filozofik.

Për sa u përket shkrimtarëve shqiptarë, mendoj se Ismail Kadare është gjiganti mbi shpatullat e të cilit qëndron e gjithë letërsia bashkëkohore shqiptare. E kam lexuar “Pallati i ëndrrave” kur isha njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë vjeç dhe më shpalosi një botë të tërë konceptesh, metaforash dhe simbolikash të panjohura dhe të paimagjinueshme deri aty. E lexova sërish para pak kohe dhe sërish u mrekullova. Vetëm një gjeni i pakrahasueshëm mund të dilte gjallë nga ferri i censurës komuniste pa sakrifikuar asnjë grimcë nga cilësia letrare, siç ka bërë Kadare në të gjitha veprat e tij, pa përjashtim. Kultura shqiptare e gjysmëshekullit të fundit i ka një borxh të pashlyeshëm.

KultPlus: Për fund, kush ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetja juaj më e madhe?

Lea Ypi: Familja ime. E di që më thonë gjithnjë të vërtetën edhe kur ajo nuk më pëlqen. / KultPlus.com

Fotografia: Pim Ras

Shpërtheu fuqishëm me pesë romane, Tom Kuka: Më duket se Shqipëria prodhon vetëm shkrimtarë dhe banditë

Jeta Zymberi

Pas më shumë se tri dekada punë si gazetar, vetëm para gjashtë viteve, me botimin e librit të tij të parë, më në fund ai vendosi t’i lë të tjerët të gjykojnë “shkarravitjet” e tij.

Teksa ia dorëzoi dorëshkrimin përfundimtar redaktores së tij, krejt papritur, në mënyrë magjike e gjen veten duke menduar seriozisht për librin tjetër. Kjo ndoshta e bëri të mendojë se sa shumë kishte dashur të botojë dhe njëkohësisht të ndihej keq për faktin që e kishte shtyrë kaq gjatë ëndrrën e fëmijërisë, shkruan KultPlus.

Shpesh, për të ardhur deri të procesi i shkrimit, duhet të shtrydhësh vetën deri në momentin ku shpërthen mendja, edhe për autorin tonë, ky proces nuk është aspak i lehtë.

Ka shumë mite të tilla, që procesin e të shkruarit e konsiderojnë edhe mjaft stresues. Andaj, të thuash se kushdo mund të jetë shkrimtar është njësoj si të thuash se kushdo mund të kompozojë një sonatë. Në çdo art, ekziston një dhuratë fillestare që duhej të ishte aty.

Tek shkrimtari ynë, materiali qëndronte në trupin dhe mendjen e tij për një kohë të gjatë para se të fillojë të punojë në idenë e sjelljes së librit në jetë.

Ne, kësaj radhe folëm me një prej autorëve më në zë të Shqipërisë për momentin, Enkel Demin, i njohur nën emrin e stilolapsit Tom Kuka. Krijuesin e “Flama”, “Ora e Ligё”, “Gurёt e vetmisё”, “Hide mbi kalldrёm” dhe së fundmi „Rrethimi“ dhe fituesin e shumë çmimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndër ta edhe Çmimin Kombëtar të Letërsisë për vitin 2018, Çmimin Evropian të Letërsisë për vitin 2021 për Shqipërinë, Çmimin “Libri artistik i vitit” nga akademia Kult, dhe së fundmi “Çmimi i karrierës” nga universiteti ku ai studioi.

Libri i tij është plotë me njerëz që ka takuar, vende që ka vizituar, kthim te rrënjët, rrëfime familjare, ngjarje dhe peizazhe historike, përmbysje të legjendave e histori dashurie. Qasjen që ai i bën historisë përmes gjuhës dhe vokacioni i thellë i karaktereve të tij është një rreth që fuqishëm e mbizotëron. Por, gjatë rrugës ne zbuluam pak më shumë edhe për procesin e tij krijues. Ne kuptuam se gjatë kësaj kohe, autori është gati gati në një gjendje bipolare, kaq i zhveshur nga gjithçka sa nuk mund të gënjejë dot edhe vetën.

Për shkrimtarin që qëndron nën petkun e Tom Kukës, është mjaft e rëndësishme edhe dalja jashtë kufijve shqiptarë përmes përkthimit, në veçanti atë italian të cilin e ka shijuar së pari dhe duke qenë njohës i shkëlqyer i kësaj gjuhe, komunikimi me këtë lexues ishte i veçantë, por kjo nuk e bën aspak më të parëndësishëm përkthimin në gjermanisht, bullgarisht, serbisht, greqisht e gjuhë të tjera që librat presin të marrin zë.

Lexuesit e kësaj interviste dhënë ekskluzivisht për KultPlus, do kuptojnë më shumë edhe rreth librit të tij, personazheve dhe historive, suksesit dhe letërsisë së tij të preferuar. Po ashtu, periudhës së përjetimit të ndjenjës së të qenurit shkrimtar i botuar, pëlqyer dhe përkthyer në shumë gjuhë evropiane. Mbi të gjitha për shqetësimin e tij të madh, për kufirin mes librave të dyja vendeve tona, Kosovë-Shqipëri dhe dëshirës së tij të madhe duke lejuar njohjen e letërsisë, pa vendosur asnjë kufi.

KultPlus: Këto ditë ka dal në qarkullim romani “Rrethimi”, pa dashur të shuaj kureshtjen e lexuesit që akoma nuk e kanë shfletuar, me pak fjalë më thuaj pse duhet lexuar “Rrethimi”?

Tom Kuka: Kjo është pyetja më e vështirë që mund t’i bëhet një shkrimtari. Unë e di pse shkruaj, por nuk e di pse duhet lexuar. Një shkrimtar në momentin që fillon dhe shkruan qoftë edhe një rrëfenjë të shkurtër, e shkruan në radhë të parë për veten e vetë, jo pse dikush që është përballë tij, që mund të jetë lexues, e ka të nevojshme ta lexoj patjetër këtë rrëfejë.

Mendoj që “Rrethimi” është një libër që duhet lexuar për një mijë e një arsye, përveç pjesës së historisë që ne e njohim pas ose aspak, që ka të bëjë me rrethimin e Shkodrës nga trupat malazeze gjatë Luftës së Parë Ballkanike, ka disa përmbysje të rëndësishme për sa i përket besës, fjalës së dhënë, parë në një këndvështrim tjetër, jo më në këndvështrimin patetik që e kemi pasur deri në ditët e sotme, është një histori dashurie.

Në qoftëse do të më binte “Rrethimi” në dorë dhe do të isha thjeshtë lexuesi dhe jo shkrimtari, do i kisha lexuar të paktën dy-tre paragrafët e parë, nëse do të më pëlqente do ta vazhdoja, përndryshe do ta lija rrugës, ashtu siç bëjë vetë zakonisht me librat që lexoj.

KultPlus: U takuat edhe me lexues në panaire sikurse edhe në takime të ngjashme, sa ishte i lartë interesimi dhe na thuaj pak ndjesinë e këtyre takimeve me lexuesit?

Tom Kuka: Kam marr shpesh pjesë në panairet e librave, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë Shqipërisë, me të thënë të drejtën isha pak i shqetësuar për panairin e librit që do të zhvillohej në Tiranë sepse herën e fundit isha në panairin e librit që u zhvillua në Prishtinë dhe aty vura re se interesi nuk ishte i madh.

Këtë vit nuk po them që interesi ka qenë i jashtëzakonshëm, por po them që të paktën ka qenë si çdo vit tjetër në Panairin e Librit të Tiranës. Pata shumë takime, pata një interes të madh me lexues nga e gjithë shqiptaria dhe jam i lumtur që shkoi aq mirë. Panairi i librit është një shtysë që ti ta qosh lexuesin drejt librarive apo drejtë bibliotekave.

KultPlus: Veprat tuaja kanë filluar të flasin edhe në gjuhë të tjera, si: italisht, serbisht, bullgarisht, ka ndonjë përpjekje tjetër që librat tu të flasin edhe në gjuhë të tjera?

Tom Kuka: Është shumë i rëndësishëm përkthimi në gjuhë të tjera, të cilat i përkasin familjeve të gjuhëve më të mëdha sesa gjuha shqipe, flas për gjuhët latine, qoftë edhe për gjuhët sllave, për arsyen sepse kështu vendosi komunikim më të gjerë, më përtej kufijve shtetërorë. Padyshim që jam shumë i interesuar, jo vetëm për botimin në italisht apo së fundmi në gjuhën gjermane apo gjuhët e tjera që pres të dalin botimet, siç është gjuha bullgare e kështu me radhë, por jam i interesuar për çdo lloj gjuhe.

Tani jam duke punuar për botimin e “Gurëve të vetmisë” në greqisht, pra në shumë gjuhë, por për të komunikuar, jo për tu shfaqur. Për të arritur të komunikoj nëpërmjet librave të mijë me një lexues i cili nuk është shqiptarë. Eksperienca e deri më tashme, më bënë shumë të kënaqur, sidomos me lexuesin italian dhe gjerman, të shohim pastaj si do të vazhdoj rrugës.

Por problemi ynë më i madh nuk janë përkthimet, problemi ynë më i madh është komunikimi mes nesh, mua më vjen shumë keq që shpërndarja e librave, apo qasja ime në Kosovë është e vobektë, për arsyen e vetme se mes shteteve tona ka kufij dhe e tmerrshmja është se kufiri është edhe mes librave të dy vendeve tona. Në Tiranë vazhdojmë ta konceptojnë një shkrimtar Dardan si të huaj dhe në Kosovë vazhdojnë të konceptohet një shkrimtar i Shqipërisë si jo i natyrshëm. Unë nuk mund të pranojë që librat e mi të botohen dy herë, ndryshe në Tiranë, ndryshe në Prishtinë. Duhet gjetur një zgjidhje, nuk e di se si por nganjëherë kur e mendoj, kjo është shumë më tepër e rëndësishme për mua se sa përkthimi në gjuhë të huaja, sepse kryesorja është që të komunikojmë njëherë me atë gjuhë që na ka falur Zoti të gjithëve.

KultPlus: Dëshironi që çdo libër i juaji të qëndrojë më vete, apo përpiqeni të ndërtoni një pjesë të punës me lidhjet midis secilit libër?

Tom Kuka: Nuk ka qenë qëllimi im që t’i lidhë librat me njëri tjetrin. Deri tani kam botuar pesë romane ku janë krijuar dy çifte. ““Hide mbi kalldrёm”,” dhe “Flama” janë sekuel i njëra-tjetrës, ndërsa “Ora e ligë” dhe “Gurët e vetmisë” kanë një lidhje shumë të zbehtë për sa i përket subjektit. Aty ku mbaron “Ora e ligë”, fillon “Gurët e vetmisë”. Paradoksi është që “Gurët e vetmisë” është shkruar para “Orës së ligë”. Gjithsesi me librin “Rrethimi” besoj se e kam thyer edhe këtë rregull, pastaj se si do të vazhdoj, nëse do të ketë edhe një sekuel tjetër “Flama”, këtë nuk e di, por jam duke e menduar.

KultPlus: Si i zgjidhni tematikat dhe emrat e personazheve tuaj, na fol pak rreth asaj se si lind ideja dhe si vazhdoni t’i jepni formë tutje?

Tom Kuka: Të them të drejtën, edhe kjo është një pyetje shumë e vështirë. Unë e kam syrin e vëzhgimit shumë të mprehtë edhe në momentin kur bëjë një shëtitje, udhëtoj, apo jam duke lexuar, jo se bëj përpjekje, por më vjen natyrshëm të shoh dhe zbuloj subjekte, qoftë edhe nga vëzhgime fare fare të vogla.

Për shembull, personazhi im i parë te “Hide mbi kalldrёm”, më ka vajtur mendja teksa rrija në një nga sheshet kryesore të Lisbonës, Dihima. Është një moment që dukej si një goditje rrufeje. Ka raste të tjera që kanë qenë rastësi, siç është te libri “Rrethimi”, teksa po lundroja në internet, gjeta një fotografi të Luftës së Parë Ballkanike të bërë nga Kol Maca dhe aty nisi e gjithë historia e këtij libri. Prej asaj fotografie, pastaj fillova të kërkoj, të lexoj kronikat dhe të thur një subjekt.

Në rastin e “Gurëve të vetmisë” shkak janë historitë e familjes të cilat unë i kisha brenda meje, i kisha dëgjuar, mi kishin thënë po qoftë edhe lexime apo eksperienca të shqiptarëve të tjerë të asaj krahine që kanë kaluar atë mynxyrë që quhet gjenocid në Çamëri. Pra janë një mijë e një arsye pse dikush gjenë një subjekt dhe fillon e ndërton. Zakonisht nuk improvizoj me subjektet, në përgjithësi i kam të ndërtuara në kokën time dhe pastaj filloj e i zhvilloj gjatë procesit të shkrimit.

KultPlus: Çfarë lloj kërkimi bëni dhe sa kohë kaloni duke hulumtuar përpara se të filloni një libër?

Tom Kuka: Nuk mund të jem shumë preciz se sa kohë më ha puna e kërkimit, sepse fjala vjen, tek libri “Rrethimi” kërkimet e mija kanë filluar qysh para 4-5 vjetëve, por gjatë kësaj kohe që unë e kisha librin në kokë, lexoja, kërkoja, shikoja, d.m.th. që më shqetësonte brenda vetës sime, unë kam vazhduar të shkruaj libra të tjerë, gjë që do të thotë se procesi i kërkimit mund të jetë edhe shumë i gjatë, por mund të jetë edhe fare i shkurtër.

E rëndësishme është se si ti i qasesh një procesi të tillë, pastaj kërkimi është klasik, unë jam me profesion gazetarë, shfrytëzimi i burimeve nga më të ndryshme, qofshin ato elektronike, apo njerëzore është pjesë e profesionit tim, unë kam 30 vjet që bëjë këtë zanat, prandaj them që nuk është ndonjë proces magjik, përkundrazi, është një proces i lodhshëm, por në qoftëse duhet të punosh me sfonde historike, siç më ka qëlluar mua disa herë, duhet të jesh patjetër i përgatitur që të njohësh në radhë të parë se çfarë ka ndodhur, mundësisht ta shohësh nga të gjitha këndvështrimet, jo vetëm nga një shqiptar por edhe nga një i kundërt, pastaj pasi të ftohesh, të fillosh të krijosh personazhet e tua, linjat, dialogjet dhe historinë tënde deri në fund.

KultPlus: Pesë romane brenda një periudhe 6 vjeçare, si do e përshkruaje këtë periudhë të jetës suaj?

Tom Kuka: Është e vërtetë që në një periudhë të shkurtër kohore kam arritur të publikoj pesë romane dhe padyshim kjo është një nga periudhat më të lumtura të jetës sime por edhe në jetën time private jam mirë, në këtë lloj pikëpamje. Por, dua të them pse është e lumtur, jo vetëm pse po shkruaj, por mbi të gjitha pse po kanë mundësi edhe të botohen. Nuk është që e kam ndaluar ndonjëherë procesin e shkrimit, në rutinën time ka qenë gjithmonë i pranishëm, ndërsa botimi ka qenë një lloj vendimi im që të bëhej pak më vonë.

Që nga viti 1995 nuk kam botuar më në shtypin periodik letrar, pastaj vendosa para gjashtë viteve që të botoj romanin tim të parë. Mendoj se gjëja më e rëndësishme gjatë kësaj periudhe është fakti që kam arritur të komunikoj me lexuesin shqiptar dhe të huaj dhe kjo është një nga kënaqësitë më të mëdha që mund t’i japësh një njeriu që shkruan.

KultPlus: A e shihni shkrimin si një lloj praktike shpirtërore?

Tom Kuka: Procesi i shkrimit është një proces çlirimi. Është diçka e brendshme e gjithkujt. Unë kam diçka për të thënë, në radhë të parë ja them vetës sime dhe dua ta heq nga vetja ime. Pastaj, nëse ky është një proces shpirtëror, po, është një proces shpirtëror dhe e pranoj, por nëse nuk është, unë nuk mund t’i vë dot një emër. Prandaj kam thënë që është një proces çlirimi. Nuk është kaq metafizike çështja e procesit të krijimit apo arteve tjera. 

KultPlus: A mendoni se dikush mund të jetë shkrimtar nëse nuk ndjen emocione të forta?

Tom Kuka: Njeriu nuk është një qenie mekanike apo elektronike, ku varet nga fuqia e motorëve të tij apo nga diagramet që ngrihen e ulen. Shkrimtari është njeri si gjithë të tjerët. Bie në dashuri, ka uri, sëmuret, do fëmijët e vet, urren botën, do botës, është besimtar, apo ateist, kjo ka pak rëndësi. E rëndësishme është që asnjëri nuk e di pse shkruan, nuk e di nga të vjen kjo lloj dhuntie.

Unë as vetë nuk e di nëse jam njeri i emocioneve të forta apo jo, ka momente që thonë që jam njeriu më i qetë në botë, ka të tjerë që thonë se kur bëhet nervoz reagon në mënyrë tejet singuine, prandaj nuk di ta shpjegoj. Unë di vetëm një gjë, që një shkrimtar është gjithë jetën e vet, i turbulluar.

KultPlus: Procesi i të shkruarit nuk konsiderohet i lehtë, juve personalisht, a ju jep energji apo lodhje shkrimi?

Tom Kuka: Procesi i shkrimit është një nga proceset më sfilitëse sepse përveç kohës, lodhjes fizike, ka edhe një lodhje mendore të jashtëzakonshme. Ti duhet të mendosh në një orë të caktuar të ditës, në momentin që ulesh përpara makinës së shkrimit apo kompjuterit dhe duhet të shkëputesh nga gjithë realiteti që ke afër, nga përditshmëria dhe pastaj duhet të rihysh në realitetin që ke afër që të vijë dita e nesërme dhe të bësh të njëjtin proces.

Pra, është një hapje dhe mbyllje dere e përditshme në të cilën ti jeton gati gati në mënyrë bipolare. Njëherë e bën jetën e zakonshme, njëherë tjetër e bën jetën letrare. Në njëfarë mënyrë mua kjo më lodhë, më streson shumë dhe mbi të gjitha më krijon një stres të veçantë edhe psikik. Por gjithsesi nuk është një proces katarze, nuk është një gjë që ti sheh yjet ndryshe nga të tjerët, apo komunikon me një botë ndryshe nga të tjerët. Është një proces i yti, vetmitar, në të cilin ti ke vetëm një gjë të cilën nuk e manipulon dot, je kaq i zhveshur nga gjithçka sa nuk mund të gënjesh dot edhe vetën tënde.

KultPlus: A i ndihmon apo i lëndon shkrimtarët një ego e madhe?

Tom Kuka: Nuk di çfarë të them për shkrimtarët, por unë di të them se vetë mundohem të qëndrojë brenda kufijve të mijë, mundohem të mos dal përtej, të mos i mërzis njerëzit duke thënë unë, unë. Shkrimtarët janë si gjithë të tjerët, ka pasur njerëz shumë të këqij, njerëz shumë të mirë, ka pasur luftëtarë e frikacak, ka pasur njerëz që kanë bërë pakt me djallin e njerëz drejt hyjnores. Unë një shkrimtar e vlerësoj nga ëndja që më shkakton në lexim, jo se çfarë njerëz janë. Nuk e di nëse të prish punë apo të rregullon punë egoja, në jetën e përditshme në qoftëse dikush thotë unë jam më i mirë, nganjëherë ju mbush mendjen të tjerëve edhe pa bërë asgjë.

KultPlus: Cila do të ishte një kritikë që do të ja thonit vetes me zë të vogël?

Tom Kuka: Është gjithë procesi i redaktimit që është kritikë ndaj vetes, ai është momenti ku nganjëherë i marr edhe inati vetës, shembull pse lash një linjë hapur, apo pse nuk e bëra pak më mirë një personazh, prandaj ky procesi i redaktimit kalon nëpër pesë duar deri sa merr formën që libri të botohet.

KultPlus: Si ju duket suksesi letrar, na përshkruani pak ndjesinë e këtij suksesi që veç po e përjetoni?

Tom Kuka: Po e thoni ju që është një sukses letrar, unë nuk jetoj brenda një suksesi letrar. Mundohem të ulë kokën dhe të vazhdoj punën. E kam të pamundur që të lëvdohem me librat që bëj. Shumë shpesh edhe kur më thërrasin nëpër takime mundohem të mos jem unë personazhi kryesor i takimit, por të jenë lexuesit sepse çdo lexues në momentin që lexon një libër timin apo të dikujt tjetër, këtë e ka proces krijimi, ai mund të shoh edhe gjëra që shkrimtari i ka shkruar por nuk i ka vënë re.

Janë detaje që lexuesit i dallojnë vetëm nëpërmjet një procesi krijimi që është leximi. Ky suksesi letrar që thoni ju është një fjalë që mua ma përkëdhel setrën, por unë mundohem ti qëndroj larg. Unë nuk mundohem të shkruaj që të jem i suksesshëm, unë shkruaj për vetën time, qoftë edhe për një lexues që do ta kem nesër, pasnesër përballë.

KultPlus: A i lexoni komentet e librave tuaj? Si i trajtoni të këqijat apo të mirat?

Tom Kuka: Padyshim që i lexoj pothuajse gjithë ato që botohen, kritika, komente apo vërejte. Kur janë pozitive jam gjithmonë falënderues edhe publikisht, ndërsa kritikave negative të cilat nuk janë të shumta, por janë, nuk i kthej përgjigje për arsyen që një shkrimtar, sipas konceptit tim, nuk e ka për detyrë të polemizojë me një kritikë apo me një lexues. Ai e ka kryer punën e vet në momentin që e ka botuar librin, pastaj libri nuk i përket më atij, i përket të tjerëve.

Ka plot që të kritikojnë sepse mendojnë se kanë të drejtë, ka plot që të kritikojnë për profesion, ka plot që të kritikojnë nga smira, ka plot që të kritikojnë se të duan fortë. Pra, kritika është ajo që është dhe unë e pranoj ashtu siç vjen, por nuk e kam ndërmend të mbroj vetën duke shkruar edhe dy faqe të tjera për një libër që mund të ketë 300 faqe. Në momentin që nxjerr librin, duhet të jesh i përgatitur edhe të të bëjnë vërejtje, qoftë edhe të hidhura, përveç lëvdatave që nganjëherë mund të jenë edhe konjekturale. Mundohem të mbaj një largësi me kritikën për arsye që të mos humb qetësinë time personale.

KultPlus: Gazetar apo shkrimtar, nëse do të duhej të zgjidhje mes të dyjave?

Tom Kuka: Nuk është një zgjedhje e vështirë. Unë dua të bëj shkrimtarin, jo më gazetarin. Ndoshta jam në vitet e mia të fundit si gazetar dhe pastaj, shumë shpejtë do i kushtohem me kokë plot vetëm shkrimtarisë. Kjo ka qenë ëndrra ime që i vogël dhe më vjen keq që nuk e realizova pak më përpara, por ju e dini që askush nuk jeton dot vetëm me libra, të paktën në Shqipëri.

KultPlus: Cilin nga romanet tuaja mendon se do të qëndronte mirë edhe në film?

Tom Kuka: Ka shumë vërejtje dhe njerëz që më thonë, ti shkruan në mënyrë filmike, ka pasur edhe regjisorë e producentë të cilët janë entuziazmuar. Ka pasur një tentativë ta pasuksesshme për të realizuar një film me subjektet e romaneve të mija, madje unë morra pjesë edhe në shkrimin e skenarit, por Qendra e Filmit nuk e pa të arsyeshme ta financojë.

Pra ka disa tentativa, pastaj kjo është një fushë tjetër që mua nuk më përket, është një art krejt tjetër. Mund të marrin subjekt nga librat e mi, mund të marrin këshillën time, por mund edhe të mos e marrin fare, vetëm të blejnë të drejtat dhe të realizojnë filmin.

Unë nuk jetojë me kinema, librat që unë i kam lexuar dhe e di që janë bërë filma, kam gjithmonë tendencë që t’i lexoj fillimisht dhe pastaj të shoh filmin dhe jo gjithmonë jam i kënaqur me realizimin e filmit me atë që lexoj. Prandaj kjo nuk do të thotë që do të ndaloj prodhimin kinematografik në qoftëse do të ketë për librat e mi, por unë kështu jetoj.

KultPlus: Viteve të fundit, jo vetëm te ne por edhe në botë, librat komercialë janë librat më bestseller, si ndiheni karshi këtyre librave?

Tom Kuka: Nuk kam unë probleme me letërsinë e ashtuquajtur komerciale ose letërsisë rozë që e quajnë shpesh. Ky është një diskutim i vjetër sa letërsia. Për shembull, mua më ka pëlqyer gjithmonë të lexoj letërsi të verdhë e cila një periudhë, sidomos në fillim të shek. 20-të konsiderohej një letërsi komerciale, por aty ka shumë mjeshtër të mëdhenj të shkrimit.

Sot mund të jetë letërsia triler që në pikëpamjen teknike është shumë tërheqëse. Nuk jam nga këta njerëzit që bëjë beteja dhe harxhoj kohën me llojet e letërsisë, apo arteve të tjera, sepse njerëzit janë të lirë të zgjedhin çfarë të duan.

Unë do të isha i lumtur që njerëzit të lexojnë një libër, nuk ka rëndësi çfarë, ditë e trishtueshme është kur njerëzit nuk lexojnë fare. Dhe për fat të keq në shqiptari kjo gjë po ndodhë çdo ditë e më shumë dhe lexuesit tanë po bëhen tejet të pakët, qoftë edhe të letërsisë komerciale që e quajmë. Në radhë të parë njeriu duhet të lexojë, pastaj përzgjedhja është një fazë e dytë që nuk vjen me receta.

KultPlus: Kur flasim për letërsinë shqiptare, ne kemi parasysh një mori librash, që përmbajnë tekste nga më të shumëllojshmet, të shkruara në mënyra të ndryshme, ku qëndron shija jote sa i përket autorëve shqiptarë?

Tom Kuka: E kam shumë të vështirë të bëjë një listë të autorëve shqiptarë që mua mi ka ënda, unë e njoh shumë mirë letërsinë shqipe që nga fillimet e saj e deri më sot, jam nga ata që lexoj shumë edhe letërsinë e re shqiptare, letërsinë bashkëkohore.

Nuk bëjë dallime në mes të letërsisë që bëhet në Shqipëri dhe asaj në Kosovë. Shkrimtari që shkruan shqip për mua mbetet i njëjtë. Madje edhe shkrimtarët shqiptarë të cilët shkruajnë shpesh në gjuhë të huaj i konsideroj më të afërt se sa ata që mund të vijnë nga letërsia e huaj. Prandaj kam një listë të gjatë në të cilën po e bëra do të bie në kurthin që e harrova këtë emër apo atë. Por padyshim janë klasikët e letërsisë shqipe ata të cilët kanë bërë poemat, poezitë, rrëfenjat e mëdha, janë modernët e letërsisë shqipe ata që e konceptuan hermetizmin apo natyralizmin në letërsi dhe padyshim janë romancierët shumë të rëndësishëm të letërsisë shqipe dhe dramaturgët po kaq të rëndësishëm të letërsisë sonë.

Një gjë më bënë çudi, shumëllojshmëria që kemi ne të zhanreve letrare dhe shkrimtarëve, në një vend kaq të vogël. Më duket nganjëherë që ky vend prodhon vetëm shkrimtarë dhe banditë.

KultPlus: Në botën e letrave u shfaqët nën pseudonimin Tom Kuka, a mendoni se të qenurit anonim nxiti më shumë kureshtje te njerëzit dhe vlerësimi ndaj librit ishte më real?

Tom Kuka: Çështja e pseudonimit të emrit, nuk besoj që kjo ka qenë një lëvizje marketingu, kam gjetur një emër tjetër sepse nuk doja që personazhi televiziv apo radiofonik të cilin unë përfaqësoj të përzihej me letërsinë të cilën unë shkruaj sepse mendoj që puna më e rëndësishme që kam bërë ndonjëherë në jetë dhe profesioni më i rëndësishëm, është të shkruarit.

“Hide mbi kalldrёm” ka qenë ngulmimi i botueses sime dhe pasi vendosa që romanin ta botoj, atëherë duhej edhe një pseudonim dhe zgjodha emrin Tom Kuka që ishte edhe personazh i romanit, por që ishte i pranishëm edhe në shumë gjëra të mijat që nga mbas viteve ’90-ta, më pëlqente shumë si alterego, kështu që ja ku jam me emrin Tom Kuka.

KultPlus: Kur ndodhi ai momenti që vendosët të zbuloni identitetin tuaj për lexuesit dhe pse?

Tom Kuka: Në momentin që kam shkruar “Gurët e vetmisë”, një libër që i përket historisë së Çamërisë, rrënjëve të familjes sime, një libër koral ku përshkruhen 200-300 vjet histori, andaj mendoja që ishte e pakuptimtë që unë të fshihesha pas emrit të Tom Kukës edhe për faktin se në parathënien që i kam bërë librit “Hide mbi kalldrёm” e kam thënë se në qoftëse do të më pyesnin a je ti Tom Kuka, do ta pranoja, sepse nuk ka qenë një zgjedhje marketingu.

Në Tiranë veçse kishin filluar ta merrnin vesh rrethi i lexuesve dhe kritikëve, kështu që vendosa të zbulohem meqë libri “Gurët e vetmisë”, i cili më vonë fitoi edhe Çmimin Kombëtar të Letërsisë përfaqësonte identitetin tim familjar, fisnor e kombëtar dhe zgjodha të jap një intervistë për Blendi Fevziun dhe u shfaqa që jam unë, Tom Kuka. / KultPlus.com

27 vite karrierë, Adelina Paloja: Momenti më emocionues, performanca në Paris dedikuar viktimave të luftës në Kosovë

Flonja Haxhaj

Nganjëherë në jetë jo gjithmonë të mjafton vetëm talenti, sepse përveç tij nevojitet edhe një shtysë që me ngulm të çon përpara në zhvillimin dhe kultivimin e atij talenti. Sopranoja kosovare, Adelina Paloja pati fatin e mirë që duke lindur me një talent të vyer siç është ai i zërit dhe duke e pasur babanë një muzikant autodidakt i cili edhe e vuri në pah talentin e saj, lidhjen e saj me muzikën filloi qysh në moshë të vogël.

Si një fillestare 6-vjeçare, ndonëse e re në moshë por jo edhe e pavendosur për qëllimet e saj, Paloja nisi rrugëtimin në muzikë e i cili që nga fillet u përcoll me suksese të mëdha, shkruan KultPlus.

Puna që nga atëherë me profesionistët më të mëdhenj të muzikës në ato kohë, i vunë një themel të fortë e që i ndihmoi përgjatë gjithë karrierës së saj e deri më sot ku edhe është një prej solisteve kryesore të institutit të Filarmonisë së Kosovës. Zëri i saj që ndërlidhet ngushtë me të gjitha rolet që interpreton anembanë botës, padyshim që ka vënë vulë në operistiken kosovare, aty ku më së miri e më së afërmi, ndjehet ajo vetë. 

Me një qëndrim të rrallë, ndjeshmëri në vokal e fuqi të paparë në interpretim, sopranoja Paloja shpeshherë di të magjepsë të gjithë sallën, varësisht ku ajo interpreton. Duket se fuqinë shpirtërore nga brendësia e saj e nxjerr krejt lehtazi dhe kjo vërehet nëpërmjet butësisë së saj që i vjen natyrshëm përmes këndimit. Opera për të është shtëpia e dytë, dhe këtë nuk e ka aspak frikë ta tregojë.

Ajo, gjithashtu veçohet për një identitet që është formuar qysh nga rrugëtimi i saj muzikor në instrumentin e pianos, për të vazhduar tek investimet e saj si muzikante, përfshirë këtu edhe njohuritë e thella për botën e muzikës, njohjen virtuoze të instrumenteve dhe fushave të tjera muzikore. Por, vokali për të, gjithmonë do të mbetet ajo pika kyçe që si formë e artit, i qëndron besnike më afër zemrës së saj, asisoj që shprehja e saj lirike del më e ngrohtë sesa format e tjera të të shprehurit muzikor. Dhe këtë e shohim më së miri nëpërmjet roleve të saja, që e nxjerrin në pah një intensitet të pakrahasueshëm, një mishërim me personazhet që ajo i luan si dhe një pasion të vërtetë për artin që Opera në të vërtetë e ka. Një pasion ky që me ngulm patjetër që do të ngulitet në kujtesën e gjithsecilit që e dëgjon nga afër, timbrin e saj aq të ngrohtë.

Përveç kësaj, Paloja me punë dhe përkushtimi arriti që të shkelë shumë skena jo vetëm në vend por edhe para audiencave evropiane e në shënimin e ngjarjeve të rëndësishme si në Kosovë ashtu edhe përtej kufijve kombëtarë. Së fundmi, ajo është përzgjedhur edhe për Specializim-Perfeksionim Vokal për një vit akademik në Belcanto, nën mentorimin e njërës nga mjeshtret e zërit më të rëndësishme të botës operistike, Maestra Carmen Santoro, e cila ka një përvojë të madhe me emrat më të mëdhenj botërorë si: Luciano Pavarotti, Placido Domingo, Monserrat Caballé, Diana Damrau, Marilyn Horne e Mariella Devia.

Por, për këtë rrugëtim 27-vjeçar të mbështjellë me momente nga më të ndryshmet, sfida, çmime, vështirësi si pasojë e situatave të ndryshme që është përballur Kosova e njëtrajtshëm edhe komuniteti i muzikës, momente siç është ai i paraqitjes në Paris si soliste kryesore në veprën dedikuar viktimave të luftës në Kosovë, e shumë detaje të tjera, sopranoja Adelina Paloja i ka shpalosur përmes një interviste për KultPlus.

KultPlus: Secili njeri e ka një pikë ku nis gjithçka, na përshkruaj fillimet tuaja me muzikën?

Adelina Paloja: Gjithçka nisi qysh në moshë të hershme. Fillimisht u evidentua talenti dhe muzikaliteti në familje nga babai im, si një artdashës por edhe si muzikant autodidakt aso kohe. Andaj, përveç muzikës sonë të përbashkët në ambientet e shtëpisë, ai mori mundin që të më udhëzojë në shkollim dhe edukim të mëtutjeshëm profesional në shkollë të muzikës qysh në moshën 6-vjeçare, kur konsiderohej akoma herët por që ky rrugëtim i nisur në moshë të re ka lënë gjurmë dhe themel të fortë në ndërtimin e mëtejmë e identitetin tim artistik.

KultPlus: Na trego se çfarë ju tërhoqi pas Operës?

Adelina Paloja: Duke qenë se kam filluar rrugëtimin tim muzikor me lojën në piano dhe kam investuar në kompletimin tim si muzikante përfshirë këtu përveç tjerash edhe njohuritë e thella mbi botën e muzikës, njohjen virtuoze të instrumentit dhe fushave tjera muzikore por që në momentin vendimtar për karrierën time, lidhja direkte shprehëse ishte pikërisht me vokalin, si formë e artit të cilën e ndjeja me afër dhe ishte akoma më e afërt se të gjitha format e tjera të të shprehurit muzikor. Opera është përvojë, një kombinim aq i ndjeshëm i narrativit, skenës si dhe muzikës si subjekt, e ndërthurur me emocionin intensiv të qenies njerëzore e mishërimit në personazhe dhe kjo më bënte të shihja botën nga perspektiva të ndryshme. Çdoherë interesante e afër shpirtit, e çdoherë pranë publikut me instrument unik organik.

KultPlus: Jam e interesuar të di për mësuesen/in tuaj të parë në edukimin tuaj në muzikë, për atë që ju shtyu në këtë drejtim, ju dha vetëbesim dhe ju kërkoi të zbuloni më shumë vetën?

Adelina Paloja: Mësuesit dhe profesorët që ishin së bashku në ngritjen time, përmbushën dhe mbollën tek unë vlerat si mision, detyrë e përgjegjësi fisnike. “Një nxënës, një pedagog i mirë, një libër e një laps mund të ndryshojnë botën”, vërtet se kjo thënie e tregon më së miri peshën e arsimimit. Jam me fat që gjatë edukimit dhe rrugës në profesion kam pasur afër pedagogë e udhërrëfyes të shkëlqyeshëm e që janë pjesë e përjetshme e arritjeve të mia dhe e falënderimit tim. Të tillë pa dashtë të harroj dikë janë disa qysh nga fillet e mia si 5-6 vjeçare përfshirë këtu: Drita Rudin, Rafet Rudin, Adelina Ushakun, Agron Shujakun, Ana Gjinin, Jeta Didën, Elife Podvoricën, Merita Junikun, Baki Jasharin, Maria Muratovskan, Mendi Menxhiqin, Selim Ballatën e të tjerë që në një moment tjetër do të doja t’i përmendja veç e veç edhe të tjerët, pa harruar për kontributin e tyre të vlefshëm.

KultPlus: E konsideroni një edukim të vështirë apo të këndshëm atë të muzikës?

Adelina Paloja: Absolutisht sikur në çdo profesion ka vështirësi nëse je në kërkim të ideales, por pasioni të jep përmbushje dhe kënaqësi përherë. Një solo këngëtare lirike të suksesshme përveç talentit që është i padiskutueshëm, ashtu sikurse në çdo profesion tjetër, çelësi kryesor është puna sistematike, këmbëngulja e konsistenca për të qenë çdo ditë një hap para ditës që lamë pas. Vetëkritika në këtë profesion kujtoj që është e shëndetshme dhe shërben për një ngritje e rritje të natyrshme. E kam thënë gjithmonë dhe po e ritheksoj, pavarësisht rrethanave, duhet pasion, besim në kapacitetet e tua, ambicie të shëndoshë të ngritjes drejt perfeksionimit të kualiteteve muzikore por dhe jashtë saj siç është leximi, hapja e një horizonti tjetër të kompletimit intelektual të domosdoshëm. Jam ithtare e punës dhe pa kompromis në faktin që me një angazhim minimal të kemi pritshmëri të larta. Besoj në gjërat që arrihen me meritë dhe mendoj që tek ata të mirët ndoshta suksesi vërtet vonon por është e pamundur që në një moment të mos vijë në shprehje. E tek atëherë vjen vështirësia më e madhe, mbajtja e suksesit me përfshirje edhe më të madhe të të gjithë kapacitetit emocional, profesional, e intelektual sepse zgjerimi i diapazonit të njohurive nuk përfundon me një diplomë a letër tjetër arritjeje. Rritja organike është çdo ditë të jetës sonë.

KultPlus: Të jesh soprano nuk është e lehtë, sidomos në Kosovë, na shpalos pak sfidat e këtij profesioni

Adelina Paloja: Besoj duhet të jemi të vetëdijshëm dhe emocional si shoqëri kur flasim për kushtet që ofrohen në vend. Krahas faktit që kemi këngëtarë lirikë të shkëlqyer, e vështirë po është spikatja e tyre dhe dhënia e hapësirës për të gjithë, e gjithashtu për të dëshmuar talentin e të arriturat e tyre. Institucionet në këtë plan, do duhej ndoshta edhe më shumë angazhim në politika për ndihmë dhe promovim më prezent. Pastaj, ana infrastrukturore lë shumë për të dëshiruar ngaqë asnjë nga institucionet kulturore muzikore në vend nuk kanë objekt – shtëpi të vetën dhe rrjedhimisht edhe artisti nuk ka kushtet elementare për përgatitje para performancës por edhe një skenë të denjë për art cilësor.

KultPlus: Prej vitesh je pjesë e korit të Filarmonisë së Kosovës dhe lirisht mund të themi një ndër solistet kryesore të tij, na përshkruaj pak bashkëpunimin me institucionin më të lartë të muzikës klasike

Adelina Paloja: Unë kam një lidhje të ngushtë dhe emocionale me institucionin e Filarmonisë së Kosovës meqë angazhimi im aty ka qenë aktiv qysh kur isha akoma studente e vitit të dytë në universitet. Andaj, jam rritur me institucionin dhe kam parë nga afër ngritjen time por edhe të institucionit vit pas viti. Përveç si interpretuese e soliste me vite të tëra, kontributi im ka qenë substancial edhe si pjesë e menaxhmentit në bordin drejtues. Sot, Filarmonia e Kosovës është e kompletuar në të gjitha kapacitet e saj e edhe tek resurset njerëzore profesionale që dikur ishin deficitare, prandaj jam e lumtur për këtë fakt. Po ashtu jam e lumtur edhe me prezantimet dinjitoze që pashmangshëm janë kudo që është Filarmonia e Kosovës me Korin dhe Orkestrën Simfonike profesionale të saj.

KultPlus: Ju keni performuar edhe në 40-vjetorin e çmimit Nobel për Paqe të Shën Nënës Terezë në Itali, na i përshkruani emocionet e këtij përjetimi

Adelina Paloja: Kam qenë e lumtur të interpretoj në Milano dhe Lecco në dy raste të rëndësishme që lidhen me figurën e ndritshme të popullit tonë, Shën Nënë Tereza. E para qe në Auditoriumin e Leccos dhe ‘Basilica San Nicolò’ si dhe në ‘Milano alle Terreze’, në inaugurimin e kishës në emër të Nënë Terezës, ku të pranishëm ishin kontribut-dhënës nga Konsullata e Kosovës, komuniteti shqiptar në Itali, Ipeshkvi i Milanos e personalitete të tjera të shquara nga jeta diplomatike, politike e kulturore nga Italia e më gjerë.

KultPlus: Duke qenë se keni performuar në vende të ndryshme evropiane, na trego pak cilën nga këto performanca e vlerëson më shumë

Adelina Paloja: Kënaqësi e jashtëzakonshme është sepse çdo skenë e ka peshën dhe rëndësinë e vetë. Përgjatë 27 viteve karrierë kam interpretuar në shumë vende të botës, përshirë jashtë rajonit edhe në vende evropiane si në: Austri, Gjermani, Francë, Bullgari, Itali, Suedi, Angli e të tjera dhe shpesh e mendoj se çfarë e bën të paharruar një performancë. Përgjigja e sinqertë arrihet kur marr nga energjia e audiencës që kam përballë pavarësisht se ku jam, dashuria që e marr përkthehet në mënyrë automatike me përmbushje emocionale duke i dhënë dozën finale, atë më të bukurën, ngjyrosje emocionale e frymëzuese të interpretimit tim skenik.

KultPlus: Kompozitori Hajrullah Syla, ka kompozuar një vepër të cilën e ka bërë dedikim për ju, vepra u interpretua më pas nga ju dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, na përshkruaj këtë ndjenjë?

Adelina Paloja: Mbetet një nga momentet më të paharruara, ai interpretim i veprës që qe dedikim për mua. Vepra u quajt “Ubi Caritas” nga kompozitori ynë, Hajrullah Syla. Me propozim e tij dhe me kënaqësinë më të madhe nga ana ime u realizua kjo vepër e cila përfshinte teknikë vokale në regjistra të ulët dhe tinguj të lartë ekstern, agjilitet, dhe mishërim emocional duke përfshirë elementet dalluese teknike të kualiteteve të mia vokale. Gjithashtu, kompozitori Syla me këtë vepër u nderua me ‘Çmim për Veprën më të Mirë Vokale’ nga Ministria e Kulturës, andaj kjo ishte edhe kënaqësi e dyfishtë për mua.

KultPlus: Jeni nderuar dy herë me çmim të parë në “ArsKosova”, si ndjeheni kur ju shpërblehet puna?

Adelina Paloja: Kanë qenë të rëndësishme si motiv në fillet e karrierës sime. E çmimet gjithmonë janë të mirëseardhura posaçërisht tek artistët e rinj, duke e ditur edhe seriozitetin e konkursit me në krye me violinisten tonë virtuoze Sihana Badivukun, natyrisht se ishte shtysë për rezultate të reja. E pas kësaj, edhe të tjera si përfundimi i studimeve post-diplomatike në Universitetin e Shkupit me nderimet më të larta për arritje ” Summa Cum Laude” e që ishte ogur i mirë për të tjera çmime e mirënjohje të shpeshta nga institucionet për kontribut dhe përfaqësim të denjë artistik.

KultPlus: Sigurisht që është përgjigja e audiencës ajo që të bën të dish sa e vlerësuar dhe e përgatitur je në profesionin tënd. Cilat janë përgjigjet më të mira që i ke marrë nga audienca?

Adelina Paloja: Publikun e kam besnik dhe me dashuri pafund. Është dashuri e shkëmbyer nga unë për ta dhe nga ata për mua, në mënyrën më të sinqertë. Ne përmes artit arrijmë që të jetësojmë iluzionet tona, të udhëtojmë në të padukshmen që të prekim hapësira e zemra njerëzish. Në paraqitjet tona takojmë audiencën me titan që lanë gjurmë të përjetshme përmes thesarit artistik dhe shpërblimet më të mira për mua, madje mbi çdo çmim a mirënjohje tjetër, janë pikërisht duartrokitjet e ngrohta, buzëqeshja apo edhe lotët domethënës të audiencës që kanë ndarë kohë për artin tim. Përfshihesh dhe jetëson fjalët e muzikën mbi tema që jo çdoherë janë të dëshiruara ashtu siç edhe jeta di të jetë, por e ndjejmë bashkërisht dramën jetësore dhe e ndajmë në një dimension tjetër. 

KultPlus: A mund të identifikoni ndonjë moment në shfaqje që ju ka bërë të ndiheni e veçantë dhe ka zënë vend special në kujtesën tënde?

Adelina Paloja: Po, pashmangshëm ka momente të tilla, por një moment të veçantë që dua ta veçoj nga kujtesa ime është paraqitja si soliste kryesore në Paris në objektin ikonik “Musèe de L’Armèe – La Cathèdrale Saint Louis -Des -Invalides” me veprën e Karl Jenkins “A Mass for peace”, dedikuar viktimave të luftës në Kosovë.  Si rrallëherë, unë si soliste dhe të gjithë artistët në skenë të rrëmbyer nga emocioni u tjetërsuam e u zhytëm në një tjetër dimension, në atë botë të tmerreve të luftës. Nuk ishim vetëm performues por personazhe reale që kishim përjetuar luftën e që rikthyem në Paris copëza kujtimesh që ndoshta ndërdija jonë pa dashje hezitonte t’i rikthejë si imazhe. Mbetet vepra që më rrëmbeu me fatin e gruas shqiptare të cilën e personifikoja dhe e cila mbijeton bashkë me dhimbjen në një mishërim krejt organik të muzikës e tekstit aq sa kur mungonin vargjet, lëngonin tingujt…

KultPlus: Kush janë perëndeshat tuaja vokale?

Adelina Paloja: Ka mjaft figura të tilla duke filluar nga zërat e bukur shqiptarë, të artisteve tona, por edhe solo-këngëtarët lirikë nga ‘belcanto’ dhe shkolla e vjetër e mjeshtërve italianë të artit operistik, përfshirë këtu ikonat Maria Callas, Renata Tebaldi, Mirella Freni, Leontyne Price, Montserrat Caballé e shumë të tjerë.

KultPlus: Përveç punës suaj si soprano, ju metodat e këtij profesioni tashmë i përcjellni edhe tek gjeneratat më të reja përmes ligjëratave ku ju jeni profesoreshë. Si e vlerësoni kapacitetin e më të rinjve të këtij profesioni?

Adelina Paloja: E pata dëgjuar një shprehje e cila thoshte: “Udhëzoj studentët se ku të shikojnë por jo edhe se çfarë të shohin” e këtë parim kam dhe sot, që të jem dora ndihmëse e gjithsecilit me informacionet bazike e të thella mbi artin dhe teknikën e mirëfilltë vokale të të kënduarit, por edhe në nxitjen dhe hapjen e horizonteve të reja si dhe në kultivimin e kreativitetit të tyre, si pjesë e pashmangshme e identitetit të tyre unik. Edhe sot, kur vetë jam në cilësinë e pedagoges, mundohem që me gjithë kapacitetin tim intelektual e njerëzor të përcjelli tek artistët e rinj virtytin e shembullin se vetëm me punë, devotshmëri, vetëdisiplinë e pasion për profesionin, arrihet rezultati i aspiruar.

KultPlus: Krejt për fund, na thuaj një mesazh për lexuesit e KultPlus për festat e fundvitit

Adelina Paloja: Në një introspeksion që në fund të ditës bëjmë për vitin që e lamë pas, jam e lumtur të them që në sintezë me pritshmëritë ishin edhe realizimet si në planin personal ashtu edhe profesional. Ju uroj të gjithëve përzemërsisht një vit të ri me shëndet e bekime, si dhe dua ta ndaj mesazhin që t’i gëzohemi jetës me të mirat dhe të papriturat e saj. Jam e lumtur për një familje të shëndoshë dhe faktin që karriera më mundëson të jem afër atyre që dua më shumë, studentëve, muzikës, publikut. Arti si urë-lidhës me njerëzit e tjerë, më inspiron dhe unë frymëzohem e marr motiv nga përditshmëria e gjërat e vogla që shpeshherë janë më me vlerë, asisoj që edhe më pasurojnë e bëjnë më të mirë si njeri, e që njerëzoren mund ta shpalos pastaj përmes artit tim si gjuhë e përbashkët të komunikimit shpirtëror. / KultPlus.com

Shukrie Ramadani: Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

Ardianë Pajaziti

Shukrie Ramadani kishte hyrë në klasë të parë shumë e vogël, më e vogla prej moshatarëve të saj. Nuk i kishte mbushë as gjashtë vjet kur ishte ulë në bankën e shkollës së fshatit të lindjes në Zhegër të Gjilanit, dhe këtë nguti për tu regjistruar në shkollë ajo e sheh edhe si një sinjal tjetër, të takohej që nga fëmijëria me shokun e saj të klasës, shokun e jetës, bashkëshortin dhe babain e tre fëmijëve të saj, Agim Ramadanin, e cila nuk e kujton asnjërin prej takimeve si takimin e parë, sepse sipas saj e gjithë jeta e saj ishte Agim.

Si dy rivalët më të këqij që ishin përgjatë shkollimit, dhe në të njëjtën kohë edhe miqtë më të mirë, jetën e Shukrie dhe Agim Ramadanit do ta perceptonin vetëm bashkëkohanikët, pasi që, nëse do ta dëgjoje si rrëfim, më shumë i ngjanë legjendave se sa vetë jetës.

Ata jetuan shpejt, aq shpejt sa për të lënë gjurmë në lirinë e Kosovës, gjurmë që kishin nisë që nga organizimet ilegale, protestave të vitit 81, arrestimit të Shukrisë, ballafaqimin me luftën e Kroacisë, jetën në Zvicër, luftën e Kosovës e deri të Rrasa e Zogut. Rrasa e Zogut është vend që pothuajse ka pushuar edhe zemra e Shukrisë, se mu në këtë vend, më 11 prill të vitit 1999 kishte rënë Agim Ramadani, i cili edhe sot vazhdon të jeton në kujtimet e Shukrisë, sikurse që jeton edhe në Agimin e vogël, nipin e Agim e Shukrie Ramadanit, e cila Shukria e quan edhe si rinkarnim i Agimit.

Ajo sot është 58 vjeçe, dhe nëse ke fatin të dëgjosh rrëfimin e saj, e sheh që nëse flet për Agimin, emri i tij është dashuri,  forcë, dhimbje dhe krenari për të.

Por nëse flet me etapa, është e çuditshme që se sytë i xixëllojnë kur flet për fëmijërinë, dhe po për atë fëmijëri që brenda saj ka edhe Agimin. Një ngazëllim i tillë zgjatë deri te vitet e 80-ta, pastaj, duket se të dy janë të destinuar për punë të mëdha dhe fillon e rëndohet biseda. E edhe më e rëndë bëhet kur flitet për luftërat, atë të Kroacisë e Kosovës, por kur arrijmë te pjesa e luftës së Kosovës, ngazëllimi i mëhershëm i Shukrisë merr tjetër formë, ngufatet nga vaji e nga lotët, e cila me dhimbje, me shumë dhimbje flet për momentin kur kupton se ka rënë Agimi, për momentin se tenton që ta zhvarrosë kufomën e tij e deri te pendimi i rëndë, që edhe sot nuk e lë rehat se pse nuk e bëri atë veprim, zhvarrimin, pikërisht në Koshare, vendi që prehet Agim Ramadani, e që edhe për Shukrinë mbetet vendi më qetësues karshi Zhegrës, Kroacisë e Zvicrës, vende ku ka ndarë pjesët më të bukura, më sfiduese dhe më kërkuese me Agim Ramadanin. 

Agimin e kisha rivalin më të madh në klasë

Shukria e cila me Agimin ishte në të njëjtën klasë, që nga klasa e parë, kujton për lexuesit e KultPlus se atë e kishte rivalin më të madh në klasë, por në të njëjtën kohë e kishte edhe mikun më të mirë.

“Unë isha më e mira në gjuhë shqipe, e ai në matematikë, dhe pikërisht se bënim gara me njëri tjetrin, mund të them se sa e kemi dashur njëri tjetrin, po aq e kemi urryer”, kujton Shukria kujtimet e para me Agimin, e cila tregon se në shkollë kishte hyrë pak para se të mbushte gjashtë vjet, e Agimi kishte hyrë si shtatë vjeçar.

Duke qenë shokë klase, duke marr pjesë në shumë aktivitete kulturore, sportive e aktivitete të tjera shkollore, Shukria thotë se nuk mban mend ndonjë takim të parë, apo të dytë, sepse krejt jeta e saj sillet rreth Agimit. “Jam rritë me të, çdo kujtim i imi i fëmijërisë lidhet me të”, ka thënë Shukria, e cila kujton se edhe kur ishin diku rreth moshës 12/13 vjet, ata të dy patën luajtur në shfaqjen “Halili dhe Hajria” dhe Shukria kujton se si Agimi skuqej në skenë kur ishte pjesa e shprehjes së dashurisë ndaj Shukrisë, në këtë rast që luante personazhin e Hajrisë.

Ndarjen si opsion nuk e panë as në shkollë të mesme në Gjilan, edhe atje vazhduan në të njëjtën klasë, por tashmë me një miqësi më të ngushtë, miqësi më me vizion dhe me aktivitete më të ndjeshme, pasi që, sipas Shukrisë, të dy u bënë pjesë e ilegales.

“Përderisa ishim në vitin e fundit të shkollës së mesme, dhe ishim aktiv në ilegale, ne në të njëjtën kohë patëm menduar që të shkonim bashkë në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Më shumë ishte qëllimi që mos të ndaheshim, edhe pse, në atë kohë ende nuk ishim të dashur, akoma vazhdonim të ishim miq të ngushtë e të mirë”, tregon Shukria, por që planet që kishin menduar për të ardhmen duket se nuk kishin shkuar në favor të tyre.

Kishin shpërthyer demonstratat e vitit 81, dhe Shukria ishte pjesë e organizimit të këtyre demonstratave. Sipas saj, ajo ra në duar të policisë.”Disa kushërinj kisha të punësuar në policinë e atëhershme, por edhe në pozita të tjera institucionale. Në fakt, me këtë arrestim, unë isha rrebeli i familjes që po ua merrja ftyrën. Gjatë marrjes në pyetje unë nuk mohova asgjë, po duke pas rreth familjar nëpër këto isntitucione, ata ndryshuan deklaratën zyrtare dhe më nxorën të nesërmen nga aty. Por e keqja ishte se përgjatë marrjes në pyetje më kishte rrahur një polic aq shumë, sa që ma kishte thyer krahun”, tregon Shukria.

Më burgosën në vitin 1981, për këtë fakt më ndaluan shkollimin në Akademinë Ushtarake në Zagreb

Por pasoja më e madhe e këtyre zhvillimeve ishte se Shukrisë me këtë pjesëmarrje në këto demonstrata i ishte ndaluar vijimi i Akademisë Ushtarake në Zagreb dhe këmbanat e ndarjes ishin më afër se kurrë. Por Shukria tregon se fillimisht Agimi kishte shkruar për të përfunduar shërbimin ushtarak,  kurse Shukria kishte ngel në Gjilan për të vijuar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan, pasi që edhe në Universitetin e Prishtinës i ishte mohuar vijimi i studimeve.

“Në një formë ishte ndarja fizike me Agimin, po ajo ndarje ishte edhe periudha vendimtare që të ofrohemi edhe më shumë me njëri tjetrin. Në letrën e parë që ma kishte dërguar Agimi, përpos asaj që më kishte treguar se si po kalon në shërbimin ushtarak e detaje të tjera, krejt në fund të letrës më kishte shkruar “Përjetësisht, Agimi”, tregon Shukria, e cila më tej shpjegon se mu kjo letër fillimisht i kishte rënë babait të saj në dorë, shkas që iu bë me dije edhe njëherë se ata nuk dëshirojnë që vajza e tyre të lidhet me atë djalë.

“Atë letër e kam edhe sot”, tregon Shukria, e cila më pas ofrohet te një moment më delikat, atëherë kur edhe kishin shkëmbyer puthjen e parë.

“Agimi ishte në shërbim ushtarak, dhe momenti për të shkuar në Akademi Ushtarake po ofrohej, dhe mundësia ishte që të bënte kalimin prej ushtrisë e drejt në Akademi. Po para se të bënte këtë kalimin ai mori pushim tri ditë, dhe brenda kësaj periudhe ndodhi lidhja e jonë. Agimi ishte 19-të vjeç e unë 18-të. Kur e pashë e ndjeja se zemra donte të më dilte prej vendit, nuk ishte ai Agim që njihja, ishte më i rritur, më i fuqishëm, më burrëror, kishte marr komplet një nur tjetër”, tregon Shukria, e cila këtë distancë më të vonshme sa ishte në Akademinë Ushtarake e tregon pak më të afërt, pasi që edhe letrat kishin marr një dimension tjetër, të cilat forconin çdo ditë e më shumë lidhjen e tyre.

“Kemi shkëmbyer mbi 100 letra, se Agimi qëndroi atje për pesë vjet. Për fat të keq shumica më janë djeg, letrat që i kam pas në Kosovë më janë djegë si pasojë e luftës, kurse një pjesë të letrave që i kam pas në Zvicër i kam edhe sot. Ka pas një shkrim të jashtëzakonshëm Agimi. Zakonisht në letra më ka dërguar edhe vizatime, apo pjesë të poezive. Letrat e Agimit mund ti lexosh lirisht para çdo fëmije, pa u turpëruar, kanë qenë poezi në vete, ka qenë një poet i papërshkrueshëm. Është çudi se si një njeri të brumosen kaq shumë gjëra, kaq shumë njohuri, kaq shumë dashuri, ai ka qenë i dashuruar në jetën. Unë kam qenë e kundërta, nganjëherë them se kemi qenë si ajo shenja kineze, e bardha dhe e zeza, ndoshta kjo ka bërë që në dy të tërhiqemi kaq shumë ndaj njëri tjetrit. Se unë s’kam qenë tip pozitiv, jo e vrullshme për jetën dhe ai më ka mësuar ta shoh bukurinë e jetës”, ka thënë Shukria.

Dhe përderisa Agimi vazhdonte në Akademinë Ushtarake në Zagreb, Shukria i kishte njoftuar familjarët e saj se lidhja me Agimin kishte marr hov, por ata nuk i kishin dhënë leje. Vazhdonin të kundërshtonin këtë lidhje, tashmë duke i dhënë edhe një arsye, se duke qenë Agimi oficer ushtarak, nuk dëshironin që vajza e tyre të jetonte larg familjes.

Agimi erdhi për tre ditë nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, kishte ardh me një qëllim, të merrte dorën time dhe të kthehej

Ndërkohë, krahu që ia kishin thyer nga rrahjet në demonstratat e vitit 81, Shukrisë vazhdonte ti sillte telashe, dhe me patjetër duhej ti bënte një intervenim në spitalin e Shkupit.

“Agimi e kishte kuptuar për operacion dhe kishte ardhë pa lejen e lëshuar nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, me qëllim që të takohej shpejt e shpejt me babain tim. I kishte dalë në udhë dhe i kishte hyrë në makinë.  I ka kërkuar dorën time, babai im e kishte kundërshtuar duke i thënë ‘Se nuk e pranonte këtë lidhje’. Po Agimi, duke qenë edhe me uniformë ushtarake, kishte nxjerrë revolen dhe e kishte lënë në makinë të babës. ‘Ose ma jep dorën e Shukrisë ose më qëllo’, i kishte thënë Agimi babait tim. Babai im kishte lëshuar pe, dhe mu aty ia kishte dhënë dorën time”, tregon Shukria, e cila kishte mësuar për fejesën e saj gjatë qëndrimit të saj në spital, e cila shpjegon se kurrë se kishte menduar se një ditë do të mund të arrinin në këtë pikë, duke pas parasysh se sa shumë e kish kundërshtuar këtë lidhje familja e saj.

Duke qenë një çift që kishte jetuar shumë shpejt, edhe martesën e kishin bërë po aq shpejt. Të dy kishin vendosur se e diela e parë pas betimit të Agimit si oficer, do të duhej të ishte e diel e kurorëzimit të martesës së tyre. Dhe Shukria tregon se Agimi kishte dhënë betimin të enjten, ceremoni në të cilën kishte shkuar edhe Shukria, kurse të dielën ishin martuar, pa marr parasysh udhëtimin e gjatë të asaj kohe deri në Zagreb,  udhëtim që i kishte dërmuar të dy, por në të njëjtën kohë edhe i kishte lumturuar, sepse po fillonin një etapë të re.

Më pas, Kroacia ishte bërë strofulla e këtij çifti, të cilët përgjatë qëndrimit të tyre për pesë vjet, iu kishin lindur dy djem, dhe gjithçka dukej se po shkonte mirë, dhe përderisa Shukria kishte përfunduar edhe shkollimin për edukatore, tashmë në gjuhën kroate, lufta kishte shpërthyer në Slloveni, më pas edhe në Kroaci, situatë që filloi të shkundë edhe familjen Ramadani.

“Isha e re dhe atëherë, në ish Jugosllavi, ndërtesat e oficerëve ishin të ndara nga ndërtesat e tjera. Dhe mbaj në mend se ajo ndërtesë ku jetoja pat mbet vetëm ndërtesë me gra dhe fëmijë, pasi që asnjëra prej neve nuk e dinim se ku i kishim burrat. Agimi më shumë ishte në mision se sa ishte afër neve. Andaj, vendosa të kthehem në Kosovë, përderisa Agimi qëndroi edhe më tej në Kroaci, sepse kishte për qëllim që të shpëtonte shumë djem shqiptarë të cilët ishin në mision ushtarak në armatën jugosllave. Po para se të vija në Kosovë, Agimi ma pat treguar një kod, që nëse më thërret në telefon dhe më thotë se do të shkojmë në Kërçovë, unë duhet të marr sinjalin se unë duhet të bëhesha gati bashkë me fëmijët dhe të lëshonim Kosovën”, thotë Shukria. 

Duke kujtuar këtë vendim të vështirë, që e dinin se po lëshonin Kosovën po nuk e dinin kthimin, ajo kujton se këtë kod e mori për Vit të Ri, dhe ajo bashkë me Agimin dhe dy djemtë e tyre fluturuan prej aeroportit të Shkupit.

“Ende i kam të freskëta emocionet e atij fluturimi. Deri në aeroport, Agimi ishte me uniformë ushtarake, pak para se të niseshim shkoi dhe hoqi uniformën dhe veshi atë civilen, po deri sa kemi arrit në Zvicër unë kisha frikë se do ta arrestojnë, sepse ai sapo kishte dezertuar prej ushtrisë së Jugosllavisë së atëhershme”, thotë Shukria.

Dhe tashmë jeta e tyre ishte më e sigurt kur kemi parasysh luftën, por jo jeta më e mirë e mundshme që mund të të ofrojë perëndimi, pasi që për disa muaj familja Ramadani bashkë me shumë familje të tjera refugjate ishin vendosë në një bunker, që sipas Shukrisë detyroheshin të dilnin në diell që të merrnin rreze dielli, sepse ishte jashtë mase ftohtë brenda bunkerit. Pasojat e qëndrimit në këtë bunker, ishin pasoja të rënda për Shukrinë, pasi shëndeti iu rëndua dhe ishte detyruar të shtrihej në spital.

Kamp pas kampi, e shtëpi pas shtëpie, më në fund ishin vendosë në një shtëpi që plotësonte nevojat e familjes Ramadani në Zurich të Zvicrës, ku edhe filluan një jetë më të rregullt, ku Shukria vazhdoi punën si mësuese e gjuhës shqipe, kurse Agimi përpos punëve të ndryshme, ai ishte përgjegjës edhe për aktivitetet kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër, sikurse që merrej në të njëjtën kohë me poezi dhe pikturë.

Në shikim të parë dukej se jeta e tyre po stabilizohej, duke përfshirë se familja e tyre ishte rritë edhe me lindjen e një vajze, por situata ‘poshtë’, ashtu sikurse i referoheshin mërgimtarët Kosovës nuk ishte në ditët më të mira.

Shukria tregon se tashmë oficerët shqiptarë që ishin mërgimtarë në diasporë kishin filluar ti shpeshtonin takimet dhe të shqyrtonin mundësinë e rikthimit të tyre në atdhe, për të mbrojtur vendin e tyre.

Vendimi i Agim Ramadanit për të shkuar në luftën e Kosovës, ishte vendim që shqetësoi edhe fëmijët. Shukria kujton se vajza e tyre ishte vetëm tri vjeçe, dhe edhe pse nuk i kishin treguar se po shkonte në Kosovë, trupi i saj e kishte ndjerë këtë fakt, dhe sipas saj, temperatura i kishte shkuar në 40 gradë. “U pat detyruar Agimi që udhëtimin ta shtyjë për një natë, me rekomandim të mjekut. Më pas iu thamë fëmijëve se babai po shkon me punë në Francë, dhe kështu i qetësuam ujërat”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë asaj periudhe kishin edhe probleme financiare, sepse kishin mbet vetëm me pagën e Shukrisë si mësuese.

Agimi la Zvicrën për luftën e Kosovës, shkoi edhe me një parullë, se nuk i takon asnjë partie politike

“Agimi ka shkuar në luftë me një dëshirë, duke treguar gjithnjë se nuk është anëtarë i asnjë partie dhe se shkon për të luftuar për vendin e tij.  Për Agimin ka qenë esenciale se oficeri dhe mësuesi nuk guxojnë kurrë ti takojnë një partie. Ai këto dy profesione i ka vlerësuar si profesione që janë në shërbim të popullit”, ka thënë Shukria. 

Udhëtimi për luftë i Agim Ramadanit nuk paraqiti ndonjë problem për Shukrinë, problemi më i madh për të ishte se si nuk kishte mundësi që të shkonte edhe ajo për të luftuar bashkë me të, po pasi që ishte nënë e tre fëmijëve, ata ndanë rolet, njëri në luftë e tjetri kujdesin për fëmijët.

Pas asaj ndarje, Shukria kujton se me Agimin ishte takuar pas nëntë muajve, atëherë kur ishte kthyer Agimi në Zvicër për të mbledhë fondet për blerjen e armëve, dhe më pas ishte edhe një takim tjetër në Shqipëri, ku Shukria shkoi të takojë Agimin pas rënies së Junikut, dhe Agim Ramadani kishte udhëheqë kolonën shqiptare për në Shqipëri.

Shukria e përshkruan Agimin si një njeri që nuk e njihte. “I kishte mbet veç shpirti, një njeri që ishte i mbështjellë vetëm me lëkurë. Por kishte shpirtin aq të fortë, aq të fortë e aq pozitiv sa më dha shumë shpresa që liria nuk është larg”, rrëfen Shukria, e cila e vuan edhe më faktin që Agimi dhe shokët e tij nuk e lejuan që ti bashkohej në luftë, edhe pse shumë e dëshironte.

“Më detyroi të kthehesha për Zvicër pas tri ditëve, ishte shumë situatë e vështirë”, tregon Shukria për jetën me shumë sakrifica me Agim Ramadanin, i njohur nga të gjithë me nofkën “Katana”.

Por vizita e fundit dhe takimi i fundit me Agimin ishte në vitin 1998, kur Agimi kishte shkuar sërish në Zvicër, por tashti i shoqëruar edhe nga Sali Ceku.

Shukria tregon se këtë herë e kishte parë më se paku, sepse shtëpia e saj ishte e mbushur me mysafirë dhe nuk kishte pas rast të bisedonte shumë me të.

“Përpos disa gjërave që mi ka treguar, e më mirë është që mos ti dija”, thotë Shukria, që edhe kësaj here nuk shpalosë më shumë se çfarë i kishte treguar Agim Ramadani me atë vizitë.

Përderisa Shukria vazhdonte të jetonte në Zvicër bashkë me fëmijët e saj, Agim Ramadani vazhdonte të luftonte në Kosovë, e për momentin e bombardimeve të NATO-s, Shukria tregon se si e kishte thirrë Agimi në telefon, në mënyrë që ti dëgjonte bombardimet edhe Shukria në Zvicër.

“Kur sulmoi për herë të parë NATO, më thirri Agimi në telefon. ‘E dëgjon’, më tha, ‘Kjo është zhurma e lirisë, e dëgjon si ushton liria’, më tha Agimi në telefon, dhe mbaj në mend që i pata thënë ‘Çfarë zhurme paska liria, qenka e çuditshme”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë qëndrimit të Agimit atje, ata janë dëgjuar pothuajse në çdo të tretën ditë.

Përderisa vjen te momenti që është edhe momenti më i vështirë në jetën e Shukrisë, sikur lëvizë vend dhe sikur mbledhë forcat për të treguar edhe këtë pjesë të jetës së saj, jetë me shumë copëza, shumë dhimbje por jetë e mbushur me shumë dashuri.

Atë ditë që kishte rënë Agimi unë pata një ngushti që ma shtrëngonte shpirtin

Shukria tregon se ishte e ftuar në drekë te një familje shqiptare në Zvicër, por edhe pse ishte momenti kur po shtrohej tryeza e drekës, Shukria mban në mend se ishte ngritur në këmbë me kërkesën e saj për tu kthyer në shtëpi.

“Një ngushti aq shumë ma shtrëngoi shpirtin, sa nuk më zinte vend vend. Sikur që thonë te ne, toka peshë më qojke”, tregon Shukria, e cila edhe telefonin me të cilin komunikonte me Agimin e kishte harruar në banesë. “Kam shkuar shpejt e shpejt në banesë dhe kam thirrë në telefon, mu lajmërua Agron Isufi, e pyeta për Agimin po ai më tha se është në front. I thashë që ti thotë Agimit të ruhet, sepse kam një ndjenjë të keqe”, kujton ato momente Shukria, e cila më pas shpjegon se pas një ore sërish thirri, po prap i thanë të njëjtën përgjigje se nuk mund të fliste se ishte në front. Shukria tregon se atë natë nuk kishte vënë gjumë në sy, dhe herën e fundit që kishte fole me Agimin ishte 9 prilli.

Të nesërmen e asaj dite, ajo tregon se në banesën e saj kishte ardhur Kimete Gashi, ish gruaja e Xhafer Gashit dhe e zverdhur në fytyrë i kishte thënë se duhet të shkonin në Shqipëri, që ti vizitojnë burrat.

“Mbaj në mend se më tha se kishte dëgjuar se Agimin e kanë plagosur, në fakt ajo me të vërtetë ishte veç me atë informatë. Po unë e di se përjetova diçka të tmerrshme në brendinë time, se e dija se nëse do të ishte i plagosur Agimi, ai do të më merrte në telefon, dhe jo këtë lajm ta merrja vesh prej Kimetes”, tregon Shukria.

Ndërkohë, Shukria tregon se para se të nisej për Shqipëri me vëllain e Agimit dhe disa shokë të tij, ajo kishte biseduar me djalin e saj, në atë kohë nëntë vjeç dhe i kishte thënë se edhe nëse ka ndodhë diçka me babin, babi bëhet hero, dhe ku ka gjë më të mirë se të bëhet hero. “Djali vetëm më dëgjonte dhe në fund më tha ‘Mam, nuk dua që babi të bëhet hero, unë dua që babi të kthehet në shtëpi”, tregon Shukria e cila shpjegon se vetëm ajo e di se si e ka përmbledhë vetën para fëmijëve dhe si nuk ka qarë para tyre, vetëm që ti ruaj ata nga dhimbja.

Shukria fillimisht kishte shkuar në Bajram Curr, dhe aty ishte vendosur me një shtëpi, pasi i thanë se kanë shumë rrugë për të bërë deri në Koshare.

“Isha e hutuar, fëmijët i kisha në Zvicër, unë isha në Bajram Curr, ndërkohë më thoshin se burrin e kisha të plagosur në Koshare. Por goditjen më të madhe e mora nga vëllai i shokut të Agimit. Ai mu drejtua dhe ma dha lajmin. Lajmin se Agimi kishte rënë. Nuk di si e kam pranuar atë lajm, veç e di se në një tavolinë aty afër ka qenë një gazetë me fjalëkryq, jam ulë dhe me një shpejtësi marramendëse e kam plotësu fjalëkryqin. Desha të sprovoj vetën se a jam mirë me mendje. Atë natë nuk kam vënë gjumë në sy, dhe ashtu e dërmuar me mëngjes jemi nisë në Koshare”, tregon Shukria, e cila në trajektin që po udhëtonin nga liqeni i Komanit, bashkë me ta kishin rastisë edhe disa gazetarë të huaj, gazetarë që me një farë forme penguan të realizonte Shukria një plan që e kishte brenda. Ajo kishte planifikuar që ta hapte varrin, ta zhvarroste Agimin, sepse vetëm në këtë mënyrë do të bindej se ishte po Agimi i saj. Por të gjithë shqiptarët që po e rrethonin Shukrinë e lutën që mos ta bënte këtë gjest pata gazetarëve të huaj, sepse do të shndërrohej në lajm botëror.  

Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

“Të them të drejtën shumë jam penduar që nuk e kam hapë varrin, kurrë nuk jam bind që ka vdekë Agimi”, thotë krejt në lot Shukria, e cila pas vizitës në ato varreza, asaj i ishin dorëzuar edhe gjërat personale të Agimit, sikurse që kishin dashur t’ia jepnin revolen dhe kallashin. “Armët nuk i pranova, iu thash që këto armë duhet të përdoren deri sa të largohet këmba e fundit e serbit”, tregon Shukria, e cila thotë që edhe pse ka përfunduar lufta, ato armë më nuk i kanë rënë në dorë, edhe pse do të dëshironte shumë që ti kishte në gjërat personale të Agimit, duke përfshirë ditarin e Agimit, ditar që sipas Shukrisë pa ndihmën e shokëve të tij nuk ka mundësi ta c’kodojë, sikurse që i ka dhënë vetës detyrë që të bëj Muzeun e Agimit, film për Agimin, ribotimin e librit “Si e njoha Agim Ramadanin”, që është shkruar nga Ibrahim Kadriu dhe një ekspozitë.  

Sot 58 vjeçe, e që e ve është që nga mosha 32 vjeçe, ajo edhe sot prehjen më të madhe e gjen në Koshare, pavarësisht shumë vendeve që kishte jetuar me Agimin, po sikurse që ka për zemër edhe Zvicrën, pasi që është vendi ku më së gjati ka jetuar me Agimin. “Ndoshta kjo është edhe arsyeja që u ktheva në Zvicër”, thotë Shukria e cila tash punon si diplomate në Ambasadën e Kosovës në Zvicër.

Ajo tash është e rrethuar me fëmijët e saj, dhe me nipat e mbesat e saj, po më të preferuarin e ka Agimin e vogël, që sipas saj shpesh i duket që Agimi i saj është rinkarnuar në Agimin e vogël. Shukria që jeton me shumë kujtime për Katanën, ka edhe një detaj tjetër që Agimin ia ringjallë. Shumë shpesh ndodhë që ti kthehen pikturat e Agimit nga blerësit e mëhershëm, të cilët vlerësojnë se këto piktura më mirë është që ti takojnë familjes se sa blerësve. “Është edhe dhimbje po edhe ringjallje, që kohë pas kohe më kthehet diçka e Agimit”, tregon Shukria duke treguar edhe një detaj, se pikturat e Agimit që i posedon edhe sot, për çudi shumica e tyre kanë pamjen e Rrasës së Zogut, Rrasë që prehë heroin e Kosovës, Agim Ramadanin./ KultPlus.com

Ilaz Bylykbashi, shkrepjet e të cilit u bënë rrufeja që goditi botën me të vërtetën e Kosovës nën okupimin serb

Jeta Zymberi
Fotografia në ballinë: Nok Selmani

“Historinë kurrë nuk duhet harruar, por as nuk duhet që në bazë të historisë të kthehemi mbrapa”, nis kështu rrëfimin për KultPlus, një prej fotoreporterëve ikonë të kohës së luftës në Kosovë, dhe jo vetëm.

Ilaz Bylykbashi, është fotoreporteri që në kornizën e tij bardh e zi, ka fiksuar dramën shumëdimensionale të Kosovës e në këtë formë ka shpërfaq historinë e vendit tonë në formën më të qëndrueshme, atë të pamjes së vërtetës. Dimensioni real i dramës në Kosovë u përthekua në qindra e mijëra fotografi që Ilazi i shkrepi përgjatë viteve, e shumë prej tyre u botuan në gazeta e revista të njohura nëpër botë, duke u bërë pasqyrë e asaj se çfarë në të vërtetë po ndodhte në këtë vend që dukej se ishte harruar nga bota.

Pas këtyre fotografive, padyshim që qëndron një njeri i kërcënuar në vazhdimësi, i keqtrajtuar, i rënduar në mënyrë psikike e që edhe sot bart pasojat e asaj kohe. Fotoreporteri që nuk bindej dhe ndalej ndaj pengesave policore ia doli të fiksoj përmes aparatit ‘Praktika’ dhe “Nikon”, pamje që rrëfejnë pa zë rezistencën e shqiptarëve.

Kamera e Bylykbashit ishte kudo, por fotot e bëra gjatë masakrës së forcave policore dhe ushtarake jugosllave, veçmas ato ndaj masakrës së ushtruar ndaj familjes së Jasharajve në Prekaz dhe të tjerat në pranverën e vitit 1998, paraqesin dëshmitë më autentike të një krimi të madh ndaj njerëzimit, që nuk kurseu as fëmijët dhe të moshuarit. Madje, shpesh, imazhi i fundit i këtyre njerëzve ka depërtuar nëpërmjet fokusit të tij për tu shpërfaqë në një letër e për të mbetur si një vepër arti që flet më shumë se secila histori e shkruar.

Ndërsa sot, kur duket sikur pluhuri i harresës ka rënë mbi shumë ngjarje historike, këto fotografi kërkojnë një dorë që fuqishëm zhveshin kuptimin e plotë të okupimit serb përballë forcës së popullit kosovarë për liri dhe drejtësi.

Me një bagazh të madh të fotografive, Ilaz Bylykbashi viteve të fundit i është rikthyer këtij arsenali dhe bashkë me to edhe përjetimeve të asaj kohe. Nga qindra e mijëra filma që ka arritur t’i hulumtoj deri më tani, rezulton se me vlerë dokumentare janë afër dhjetë mijë foto që sipas Bylykbashit duhet të zënë vend në arkivat e shtetit.

Ilaz Bylykbashi në bashkëbisedim me gazetaren Jeta Zymberi
Fotografia: Nok Selmani

I lindur më 16 maj të vitit 1955 në fshatin Baicë të Lipjanit, Ilaz Bylykbashi, pasionin për fotografinë e kishte diku në qoshe të zemrës qysh kur ishte nxënës i gjimnazit në Gjilan, por jo edhe idenë që një ditë mund të bëhej fotoreporter. Erdhi nga Gjilani në Prishtinë për të studiuar, si shumica e studentëve kosovarë. Regjistroi studimet në degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, por shfaqja e disa problemeve shëndetësore ja prenë në gjysmë rrugën e studimeve për rreth 1 deri 2 vite.

Ilazi kishte edhe një tjetër dashuri, atë për gazetën “Rilindja”. Qysh nxënës ai ishte përcjellës i zjarrtë i “Rilindjes”, gazetës së parë në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi. Duke qenë si dritarja e vetme e informimit për shqiptarët, ajo ishte padyshim gazeta më e shitur në trojet shqiptare, ku tirazhi maksimal ka arritur deri në 234.000 ekzemplarë.

“Rilindja” ishte bërthama intelektuale dhe një nxënës i ri, do të ndihej me fat nëse vetëm arrinte të jetë lexues i saj.

Si student i ri në Prishtinë, Ilazi kishte nevojë edhe për një punë. “Bota e Re” ishte një gazetë e studentëve dhe kjo i dha vetëbesim që aty mund të provonte fatin. Fillimisht, Ilazi u pranua si bashkëpunëtor gazetar. Por rrethanat e rikthyen në pasionin e tij, pa e ditur që po i afrohej dita të vihet në epiqendër të zemrës.

Vetëm dy muaj e ndanë Ilazin nga momenti kur jeta e tij do të merrte një kahje krejt tjetër. Pas dy muajve punë si bashkëpunëtor gazetar, fotoreporteri që ishte i punësuar aty, shkoi ushtar, duke qenë tashmë i brendshëm, Ilazi nuk i dha mundësi askujt të flas para tij dhe shprehi tashmë dëshirën që të vihet në pozitën e fotoreporterit të sapo larguar.

“Aty filloi e mbara e punës time me fotografinë. Por deri në vitin 1981-82 asnjëherë nuk ma ka marr mendja që do të më bëj aq shumë për vete ky art. Por kur e kam pa fuqinë e fotografisë se çka mund t’i ofrosh lexuesit përmes pamjeve, atëherë tingulli i shkrepjes së fotografisë ishte si rrahjet e zemrës për mua”, thotë Bylykbashi gjatë bashkëbisedimit tonë që qysh në fillim ishte i thelluar dhe mua më kishte përfshirë totalisht ky rrëfim që do ta shpalos edhe për ju dalë e ngadalë.

Të flasësh me Ilazin nuk është e lehtë, pashmangshëm të kthen te vitet 1981-1999. Vite këto të kthesave të mëdha historike. Ndërsa sot, fytyra e tij fliste më tepër se fjalët, aty ishin skalitur të gjitha dhimbjet, malli, dashuria, pasioni, vuajtjet, sakrificat e sfidat nëpër të cilat kaloi përgjatë viteve, e si për t’i vulosur të gjitha këto, lotët shpesh bëheshin pjesë e tavolinës ku ne po zhvillonim intervistën, heshtja mbizotëronte për disa qaste, e veç tingulli i shkrepëses dëgjohej teksa Ilazi ndizte një cigare, sepse i dukej që po i vinte në ndihmë të marr veten e të vazhdoj rrëfimin.

“Më fal Jeta”, më thoshte shpesh, sepse e kapi shpejt ndjeshmërinë time dhe ishte i vetëdijshëm që më kishte ngarkuar tej mase emocionalisht.

“Sot e kemi shumë të lehtë të flasim, por ajo kohë ka qenë shumë e vështirë. Në “Rilindje” kur janë publikuar shkrimet, nuk kemi guxuar t’i themi gjërat hapur, por mes rreshtave, ama populli ka qenë shumë vigjilent dhe i kuptueshëm, i kanë kapur gjërat”, flet Ilazi plot mall për kohën që përkundër vështirësive për të mbetet e artë.

“Në atë kohë nuk ke pasur mundësi ta thuash me shkrim atë që e ke parë, ndërsa me fotografi po. Shpesh edhe fotografinë nuk ta kanë lëshuar për botim, por prapë e ke gjetur një rrugë tjetër për ta dërguar deri te publiku. Unë kam bashkëpunuar edhe me gazetat jashtë Kosovës, e sidomos me gazetën më të shitur në Jugosllavi që me seli ka qenë në Split.”

Korriku i vitit 1982 e zhvendosi Ilaz Bylykbashin në pozitën e fotoreporterit në “Rilindje”, sa ishte një ëndërr e plotësuar aq edhe një sfidë e re e mbushur me përgjegjësi. Por shkrepjet e Ilazit ishin rrufeja që do të godisnin botën me të vërtetën, andaj sfidat u kthyen në forcë e vullnet.

Radhitja nga e djathta: Hlili, Ekremi, Ukshini dhe Mentor Kaqi.

Gjykimet në Prishtinë

Në vitet e ’80-ta, torturat dhe trajtimet çnjerëzore të shqiptarëve nga pushteti serb po rëndoheshin çdo ditë e më shumë, për t’i privuar nga liria por edhe për t’i burgosur idetë e veprimtarëve të atëhershëm politik shqiptarë, pushteti serb nisi gjykimet në Prishtinë.

Vetëm pas dhjetë ditësh punë si fotoreporter në “Rilindje”, Bylykbashi nisi t’i përcjellë këto gjykime që filluan më 10 korrik në Prishtinë. Përballja nga lufta për liri, i kushtoi me gjykim Ukshin Hotit, Ekrem Kryeziut, Halil Alidemës, e Nëntor Kaqit, grupit të parë që janë gjykuar e që Bylykbashit me këtë rast i erdhi kuptimplotë shprehja “një fotografi vlen sa një mijë fjalë”.

Pjesë e këtij grupi ishte edhe i zoti i shtëpisë ky Bylykbashi kishte qëndruar për pesë vite si student. Halil Alidema, ishte dhimbja e Ilazit, që duke e njohur thellësisht e kishte të vështirë të shihte që po gjykohej aq padrejtësisht.

“Kur kanë filluar gjykimet e shqiptarëve, aty e kam parë rëndësinë e fotografisë. Atë ditë që kam shkuar në gjykim, për asnjë moment nuk jam larguar nga salla, e kam përcjellë çdo lëvizje, isha si kujdestar i gjithë ngjarjes. Në sallë ishte edhe Edi Shukriu, në atë kohë bashkëshortja e Ukshin Hotit dhe Teuta, bashkëshortja e Halil Alidemes, çifti ku unë kisha banuar për pesë vite dhe në momentin kur e kam parë Halilin në sallë më kanë lëshuar këmbët. Halili më ka njohur shumë mirë shpirtërisht dhe në ato momente mu ka drejtuar: “Oo maju Bylykbash breh”. Në ato momente më kanë shpëtuar lotët”, tregon Bylkbashi plot dhimbje edhe sot. Këta lotë i kushtuan me përballje me pushtetin serb. Një nga pjesëtarët e ka vërejtur këtë ndjeshmëri dhe menjëherë e ka kapur nga krahu për ta dërguar në zyre ku ka vazhduar marrja në pyetje.

“Unë i kisha vetëm dhjetë ditë punë në “Rilindje” dhe aty thash mbaroi gjithçka. Kur hyra brenda, më thanë çka e ke Halilin, ju përgjigja se Halilin e kam “gazdë”, kam banuar te ai për pesë vite. Filluan me më bërtit, ju thashë që ndjeshmëria për Halilin është e veçantë, sepse Halil Alidema është i tillë, në dhomat që i lëshonte me qira kishte studentë që nuk kishin kushte dhe Halili kurrë nuk ju merrte pagesë, kjo më ka lidhur me të.”

Halili i kishte dy anë shpirtërore, intelektual dhe humanist.

Halil Alidema

Si përfundim, Bylykbashi atë ditë shpëtoi dhe mbrojtja nga Maksut Shehu, kryeredaktori i gazetës “Rilindja” i dha siguri dhe vullnet për më tutje.

Fotografitë e gjykimit të parë, ishin kthesa jetësore për fotoreporterin e “Rilindjes”

“Kur i ka pa baba fotografitë e gjykimit të parë, më ka thënë ‘Ruaj mirë këto fotografi djali jem se nuk ka me shku kohë e gjatë e kanë me pas rëndësi të madhe’. Kjo bisedë me babën më ka bërë të reflektoj dhe duke i parë zhvillimet në gjykim e kam kuptuar më thellësisht atë bisedë.”

Gjykimet ishin një periudhë e rëndë për shqiptarët, e sidomos për të pranishmit në sallë. Bylykbashi rrëfen se gjatë gjykimit, më rëndë e kanë përjetuar të pranishmit në sallë se sa të akuzuarit. Ai personalisht, tregon që gjatë gjykimit, tri herë i ka ndërruar këmishat nga djersët që e kaplonin.

Tutje, Bylykbashi na rrëfen edhe një moment ku Ukshin Hoti sy patrembur mbronte idetë e tij.

“Në gjykim ju thonin: po ju gjykojmë në emër të popullit. Ukshin Hoti ju pat thënë: Cilit popull, unë e di kush është populli. Me këto fjalë ai rrezikonte dënimin maksimal, por sy patrembur ai i përgjigjej që ne po mbrojmë të drejtën tonë dhe prapë njëjtë do të vepronin po të ishim të lirë.”

Roli i fotografisë prej gjykimeve

“Kur i kam realizuar fotografitë e të burgosurve, ka qenë e pamundur ta zësh një të burgosur me kokën poshtë.

Të gjithë ishin me kokën lartë. Secilin gjykim që e kam përcjellë, e që zgjaste 7-8 orë, asnjëherë nuk ke mund t’i zësh të akuzuarit me kokën poshtë. E këtë fakt nuk ke pas mundësi ta thuash me shkrim, por përmes fotografisë, këtë krenari e kanë parë të gjithë. Gjykimin e fundit e kam përcjellë në Pejë në vitin 1989.  Të gjithë ishin kureshtar për të ditur se çfarë po ndodhë në ato gjykime dhe kur fotografitë publikoheshin në gazetë, kishin jehonë të madhe. Familjarët kur i shikonin me kokën lart, ishte krenari për ta. Kishte rol të madh si për familjarët, ashtu edhe për masën e gjerë, nëse ai i burgosur nuk është dëshpëruar, nuk ka dalë jashtë edhe pse janë maltretuar në biruca, por po arrinte që me atë krenari të dilte në gjykim ballëhapur.”

Përcjellja e gjykimeve i ka dhënë orientimin që me patjetër duhet të vazhdoj punën e fotoreporterit dhe vullnetin që të dokumentoj ngjarjet e asaj kohe, sepse është i pavlerë rrëfimi kur nuk e ke edhe të dokumentuar me fotografi.

Rikthimi i këtyre fiksimeve sot para publikut nëpër rrjete sociale e që Ilazi e ka bërë obligim të përditshëm, po ka jehonë shumë të madhe sepse njerëzit që kanë jetuar në atë kohë e i kanë përjetuar këto ngjarje historike për vendin tonë, përmes tyre po kthehen në kohë. Por qëllimi i Bylykbashit është përtej kësaj, ai dëshiron që edhe gjeneratat e reja të njihen më mirë me historinë dhe të dinë që ishte një rrugë aspak e lehtë për të ardhur këtu ku jemi sot.

Pa fotografë të guximshëm si Bylykbashi, shumë çështje mund të mos kishin dalë kurrë në dritë

Fotografia dokumentare të merr gjithë kohën sepse je në pritje të asaj se çka po ndodhë, por Bylykbashi tashmë e kishte kthyer në qëllim jetësor.

Në mesin e viteve të 80-ta, fillon edhe shkatërrimi i shtëpive të shqiptarëve me arsyetimin që nuk kanë dokumentacion edhe kjo periudhë për Bylykbashin ishte tejet e vështirë dhe shkrepjet e tij ishin të rralla.

Një shkrepje teksa babai kap kokën me duar kur sheh shtëpinë e rrëzuar dhe pamja e djalit të vogël afër tij teksa e ngushëllon të atin, është fotografia ikonike e Bylykbashit që e përjetëson më mirë se secila fjalë gjithë atë dramë që po ndodhte pa arsye nga pushteti serb.

Ngjarjet dramatike të këtyre viteve kalonin nga njëra tek tjetra, dukej sikur skenari po ecte rrjedhshëm dhe populli shqiptarë kishte në dorë vetëm një gjë, rezistencën!

Në vitet 1988-89 Bylykbashi ishte në vlugun e ngjarjeve. Secila ngjarja kishte rëndësinë e saj, por ato që vinin të përcjella me reagimin e minatorëve, ishin të një rëndësie krejt tjetër. Protestat e minatorëve të Trepçës kundër suprimimit të autonomisë, ishte një prej ngjarjeve që Bylykbashi e kujton si historike.

“Kur janë ‘kull’ minatorët, Jugosllavia u dridh.”

“Këtë e kam vërtetuar atë ditë kur minatorët janë nisur për në Prishtinë, kanë udhëtuar 47 kilometra në këmbë, unë i kam zënë diku rrugës dhe i kam përcjell deri në sallën e Boro Ramizit (sot, Pallati i Rinisë dhe Sporteve), aty ka qenë një ngjarje historike për mua sepse i gjithë populli i Kosovës u bënë bashkë dhe vinin në Prishtinë për të treguar që e kanë përkrahjen e tyre për mos bërjen e suprimimit të autonomisë. Protesta këto që zgjatën 5 deri 6 ditë.”

Kostoja e të qenit fotoreporter në zonë lufte

Shkrepjet nga zonat e luftës luajnë një rol kritik në informimin e publikut, por ato vijnë me kosto të jashtëzakonshme. Fotoreporterët duhet të përballen me pamje rrëqethëse, të përballen me kërcënime rrëmbimi dhe të rrezikojnë jetën e tyre. Ja pa të drejtë, puna e fotoreporterit të luftës, është quajtur më e rrezikshmja në botë. Ai ka si armë vetëm aparatin e tij fotografik dhe disa filma, praktikisht i pambrojtur në luftë.

Roli i fotoreporterit si dëshmitar në luftë, ndikon tek opinioni publik më shumë se të gjitha fjalët që shkruhen për luftën, kjo është fuqia që si duket nuk i lejon të dorëzohen.

Bylykbashi u përballë me dhjetëra herë me forcat serbe, por një prej ditëve të kësaj periudhe, Ilazi bashkë me ekipin e “Rilindjes” i përbërë nga, Behar Zogjani, Avdi Podrimqaku dhe vozitësi i makinës, Jahë Ferizi, u rrahën për vdekje.

“Në vitin 1992 ishim në rrezik për jetë. Na kanë rrahur për vdekje ekipin e “Rilindjes” në Kliqinë afër Pejës. Ishim katër veta që shkuam për të raportuar për një rast, por rrugës na kanë ndalë, na kanë zbrit nga makina dhe kur e panë që jemi të “Rilindjes”, na thanë “Juve po ju presim si zogjtë” dhe aty afër ishte stacioni policor ku e kishin bo kordonin e neve na futen me kalu mes tyre dhe ata secili na kanë goditë në mënyrat më brutale. Kur na kanë fut brenda na kanë rrahur dy orë pa u ndalë fare. Kur kemi dal nga stacioni kemi hip në makinë për tu kthyer për Prishtinë, dhe secili kemi qenë në gjendje më të keqe se tjetri. Dhe na thanë “nëse veç kryt e ktheni, kemi me ju vra.” Pas 3 muajve jam mësuar të ec për së dyti. Kemi qenë në aq gjendje të keqe sa që na kanë sjell lesh të dhenve për tu pështjellë e për tu shëruar. Ai lesh i dhenve na ka shpëtu”.

Ditë të vështira për popullin kosovar, por ende nuk kishte filluar të zinte vend pjesa më brutale e skenarit serb.

Ishin vitet e ’90-ta që kosovarëve do të ju sillnin tmerrin para syve. Një ndodhi krejt e rastësishme, ka qenë pikënisje që ka dërguar deri te drama e familjes Jashari.

Përvjetori i minatorëve të Trepçës – Kulla e Jasharëve, 22 janar 1991

Bylykbashi na rrëfen tutje se në vitin 1991 erdhi koha për tu mbajtur përvjetori i protestave të minatorëve dhe është vendos që ky përvjetor të mbahet në Kullën e Jasharëve në Prekaz. Në atë mbledhje ishin Shaban Jashari, Ademi, Hamza e të gjithë të tjerët, por sipas Bylykbashit ata kanë qëndruar në prapavijë sepse thjesht kishin hapur dyert e odës së tyre për një mbledhje.

“Shaban Jashari ishte njeri largpamës”, vlerëson Bylykbashi duke na treguar se vetëm një muaj pas kësaj mbledhje, në muajin dhjetor është bërë sulmi i parë në familjen Jashari. Ky sulm ishte bërë me dy pretekste. Kinse kjo familja po mbajnë armë dhe pse është mbajtur mbledhja e minatorëve atje. Por ky sulm u pasua me maltretime të vazhdueshme për familjen Jashari. “Këto nuk kanë ndodhur vetëm te familja e Jasharëve, por edhe te Lushtakët dhe Kodralit, tek këto tri lagje ka ndodhë e njëjta gjë.”

Gjatë kësaj periudhe maltretimesh, Bylykbashi duke qenë në vazhdimësi dëshmitar i ndodhive përmes aparatit të tij, ai kishte vërejtur edhe një detaj, pasi i kishte shikuar fotografitë. Në mbledhjen e minatorëve, Shaban Jasharin e kishte fotografuar dhe i kishte të dy sytë të shëndoshë, por kur e fotografon më 2 janar të vitit tjetër, më 1992, vëren se Shabani e ka njërin sy të qorruar, për të vërtetuar mirë, Bylykbashi drejtohet për në redaksi që t’i krahasoj fotot, dhe aty e sheh që më mbledhjen e minatorëve, baca Shaban, siç e quan edhe sot Bylykbashi, e kishte pasur syrin në rregull.

“Kur e takova pastaj bacën Shaban, e pyeta çka ka ndodhë, më tha që kur e kanë marr policia e kanë rrah aq keq saqë ja kanë dëmtuar nervin e syrit dhe i është qorruar syri.”

Shaban Jashari më 22 nentor 1991 (foto e parë) dhe më 3 janar 1992 me sy të qorruar.

Shteti policor serb nuk ka zgjedhë mjete, ka maltretuar edhe fëmijët e të moshuarit

Këto dy foto të bacës Shaban, me dhe pa sy, Bylykbashi i kishte botuar pas shumë vitesh, më saktësisht në vitin 1996 në librin e tij, e rreth kësaj na zbulon edhe fjalët e bacës Shaban kur shkoi për t’i kërkuar të drejtën e botimit.

“Botoje, por emrin mos ma përmend, se si t’ma qet emrin mu, vijnë të marrin policia e ta bojn ma zi se mu”, i kishte thënë plaku.

Kur flasim për familjen Jashari, Bylykbashi nuk harron të përmend edhe shumë familje të tjera që kanë përjetuar të njëjtat maltretime. Familja e Xhafer Jasharit që ishte e përbërë nga gjashtë vëllezër, kishte përjetuar në asht mënyrat më brutale të maltretimit nga forcat serbe.

Më 22 janar të vitit 1998, kishte ndodhur sulmi tjetër te familja Jashari, por fotografitë e kësaj ngjarje, Bylykbashi i ka gjetur tek tash dhe ka arritur të shpëtojë një pjesë të madhe të tyre.

Por, më 5 mars 1998, familja Jashari për të tretën herë u përballë me forca të mëdha policore dhe ushtarake nga shteti i Serbisë. Kaq seriozisht e kishte marrë Serbia luftën me Jasharët legjendar. Por ky sulm përfundoi në mënyrë fatale për familjen Jashari.

Një ndër përballjet më të rënda të kohës së luftës, Bylykbashi e kishte pikërisht dokumentimin e të vrarëve në Prekaz.

Teksa nis të rrëfejë për këtë ditë, Bylykbashi fillimisht tenton të marr pak forcë, lotët i fshin shpejtë, heshtja mbërthen tavolinën ku ne po bashkëbisedonim dhe heshtjen e thyen përsëri shkrepësja që ndezi cigaren e radhës për Bylykbashin. Ai ishte i bindur që tymosja e ndihmonte të kthehej në rrëfim.

“Atë ditë kur është bërë fotografimi i të vrarëve në Prekaz, Serbia doli me propagandë që këta janë terroristë. Mandej flitej se po shkonte një delegacion nga LDK-ja për të parë atë që kishte ndodhur në Prekaz, ishin përgatitur tri makina, unë ju afrova Basri Musmuratit që ishte në krye të delegacionit, i thash a mund të vij me juve, më refuzoi, por unë vazhdova të këmbëngulja, i thash si po shkoni kur nuk keni as një aparat apo kamerë me vete, si doni të dëshmoni për atë që do të shihni atje. Si përfundim më morën dhe fatbardhësisht atë ditë isha furnizuar me filma më shumë se asnjëherë tjetër.”

Teksa po vazhdonin rrugën, në Komoran u ndaluan për kontrolle, por fatbardhësisht makina ku ishte Bylykbashi ishte e fundit dhe pas kontrollit të dy të parave e treta u lejua të kalonte pa kontrolle.

“Po të më kishin parë mua, aty do të përfundonte gjithçka.”

Forcat serbe i përcollën deri në hyrje të fshatit. Në një ndërtesë të materialit ndërtimor ishin vendosur të gjithë trupat e vrarë. 58 të vrarë nga familja Jashari. Përkundër që skaj rrugës kishin qenë mbi një mijë forca policore që e kishin rrethuar vendin, Bylykbashi la dhimbjen anash, nxori aparatin dhe nisi të bëjë shkrepjet e para.

“Kur kemi hyrë aty, ka qenë tmerr. Mos të kishte qenë Abdyl Rrahmani, unë atë ditë aty do të kisha vdekë, se kam hipur lart për të fotografuar më mirë edhe për tu parë numri i të vrarëve, e në këtë mënyrë u ekspozova shumë. Kam filluar fotografimin nga të gjitha këndet që të kishim dëshmi sa më shumë. Sot nuk e di si kam arrit me i fiksu ato pamje. Ka qenë shumë e rëndë. Atë ditë, në atë tmerr, kam arrit t’i fotografoj shtatë pamje nga kënde të ndryshme të figurës së Adem Jasharit, bacës Shaban e të Hamzës. Gjithë ajo forcë policore aty, vetëm 10 metra larg neve dhe unë kam arrit me i bë dikur rreth 370 shkrepje. Ata kanë pritur që kur të përfundojmë punën, të mi marrin të gjithë filmat. Por si kam shpëtuar unë atë ditë, vetëm një Zot e di”, ka thënë Bylykbashi, i cili më pas tregon edhe për këshillën që ia dha Xhafer Murtezaj i cili ishte pjesë e delegacionit.  

Të vrarët e familjes Jashari, 10 mars 1998

“Ilaz fotografoj dhe aparatet lëshoj në atë vend mos e kap çantën e aparatit më, unë do t’i sjell nesër në Prishtinë se vetëm kështu e shpëton veten.”

Këto fjalë, i hapën sytë Bylykbashit dhe ashtu veproi. Madje për të mos rënë në sy, ai zhveshi edhe pallton.

“Aparatet i kam lëshuar aty, e i kam marr vetëm filmat dhe ia kam dorëzuar Nekibe Kelmendit, Edi Shukriut dhe Mevlude Saraqit që ishin aty. Kur i kam largu filmat, jam çliruar edhe thash me vete, tash edhe nëse më vrasin më nuk ka rëndësi se i sigurova dëshmitë. Pastaj e kam larguar edhe pallton nga trupi që mos me më identifiku lehtë forcat serbe, edhe kështu duke qenë edhe pa çantën e aparatit, nuk ju kam rënë në sy edhe kam kaluar pa më vërejt, nuk e di a ju ka ik si rast apo fati i madh më ka shpëtuar atë ditë.”

Sakrifica e Bylykbashit në Prekaz, kishte zënë vend tashmë në redaksinë e “Rilindjes”. Kur ai u kthye, aty ishte bërë kaos sepse laborantët kishin filluar t’i zhvillojnë filmat, por kur e kanë parë tmerrin me sy, ju kishte rënë të fikët.

Gazetarët ndërkombëtarë kishin arritur në redaksi dhe po pyesnin se çka po ndodhte.

Bylykbashi na tregon se kryeredaktori i gazetës “Rilindja”, Avni Spahiu ju kishte thënë se fotoreporteri jonë i ka sjell filmat ku i ka fotografuar “terroristët”, këtë shprehje ai e kishte përdorur qëllimisht që t’i mobilizonte gazetarët që të vinin sa më shumë dhe të shihnin çfarë ka ndodhur në Prekaz.

“Në ora 8:30 mblidhen rreth 50-60 gazetarë ndërkombëtarë me i pa pamjet ku rreth pesëqind fotografi ishin shpërndanë në tavolina të redaksisë. Gazetarët mbetën të habitur dhe thanë ku janë terroristët këtu. Avniu ju thotë këta janë vrarë në emër të terroristëve. Ja ky fëmija 3 vjeçar është terrorist sipas tyre e deri te kjo gruaja e moshuar, duke iu referuar nënës së Adem Jasharit.”

Pasi panë tmerrin që forcat serbe kishin bërë në Prekaz, gazetarët u interesuan t’i blejnë këto fotografi dhe kërkuan numrin e  xhirollogarisë së Bylykbashit, por ata morën një përgjigje të prerë nga ai.

“Numri i xhirollogarisë sime është me dal e vërteta dhe me pa bota çka po ndodhë këtu.”

Kështu, shkrepjet e Bylykbashit morën jehonë e i treguan botës se Serbia po bënte gjenocid në Kosovë.

Kur i hedhim sytë tek shkrepjet e Ilazit, vërejmë që pjesa më e madhe e personazheve të fotografive të tij janë fëmijët dhe pleqtë. Secila fytyrë është dramë më vete! “Gjatë punës jam munduar gjithmonë t’i realizoj fotografitë pa më vërejtur”, thotë Bylykbashi.

Në vitet e ’90, Bylykbashi, realitetin kosovar të fiksuar në fotografi e dërgoi për ta shpalosur edhe në Shqipëri, dhe kjo shënoi njëkohësisht vizitën e parë të Bylykbashit atje.

“Kur e kam realizuar ekspozitën me fotografi në Tiranë, duke u kthyer nga atje me autobus më kanë ndal forcat serbe më kanë zhvesh tërësisht për kontrolle edhe më kanë thënë: Ekspozita e radhës ka me qenë e familjes tënde.”

Në vitin 1996, Ilaz Bylykbashi fotografitë e tij i jetësoi edhe në librin “555 …: kronikë (1981 – 1995)”. “Pasi e kam botuar librin, kur kam takuar njerëz më kanë thënë që shkaku i librit tim ia kanë djegur shtëpinë. Librin që e kam botuar atëherë ka qenë një letërnjoftim për atë kohë.”

Bylykbashi, jo vetëm që i përjetësoi ndodhitë, por ai në vazhdimësi u kujdes që të arrinte të informonte sa më shumë njerëz me të vërtetën, duke zhveshur në totalitet kuptimin e okupimit serbë përballë forcës morale dhe të së drejtës së popullit tonë për liri. 

Punën e fotoreporterit e zhvilloi në një kohë tejet të vështirë, andaj Bylykbashi sfidën më të madhe e kishte ruajtjen e filmave sepse ai e kishte kuptuar se ato fotografi ishin forma më e rëndësishme e tregimit të asaj kohe.

Gjatë punës së tij në dokumentimin e ngjarjeve historike për vendin tonë, policia serbe rreth dymbëdhjetë herë ia kishte marr mjetet e punës. Filmat e sulmit të parë në Prekaz edhe sot i ka peng.

“I kisha metodat e  mija qysh mi shpëtu filmat. Gjithmonë tek mënga e bluzës e maja një film të thatë, edhe kur me thoshin policia nxjerre filmin, unë e merrja atë të thatin tek mënga dhe e dorëzoja e kështu e shpëtoja filmin me foto.”

Gjithë ata filma që fshihnin krimet serbe kundër shqiptarëve, duke qenë kohë lufte në rrethana të paparashikueshme, Ilazi duhej kujdesej që t’i linte në vende të sigurta.

“Filmat i kam pas të shpërndarë në shumë vende, disa i kam pas te miqtë, në një vend shumë të sigurt, por aty ka qenë vetëm një pjesë. Pjesa dërmuese ka qenë në redaksi të “Rilindjes” dhe Safete Berisha që ka punuar në administratë, duke e ditur rëndësinë e tyre i ka fshehur në një vend të sigurt.”

Wolverine CAMERA

Në muajin maj të vitit 1999, fotoreporteri i “Rilindjes”, pas rreth 15 viteve punë të pandalshme, ktheu sytë nga familja që ishin më të rrezikuar se asnjëherë.

Insistimi i familjarëve që të largohen nga Kosova, tek Ilazi nuk zinte vend. Të gjithë morën rrugë, por ai rezistoi deri në momentin kur fjala e vajzës i theu zemrën. “Bab a po don me na qu posht krejtve a?”, pas këtyre fjalëve, në muajin janar, Ilazi, gruan bashkë me fëmijët i dërgoi në Shkup. Teksa, vet ju bashkua tek në muajin maj, ku prej aty shkuan në Australi, vend që jetojnë edhe sot.

Kur flet për largimin nga Kosova, sytë i mbushen me lot e dukej sikur edhe zemra i dridhej. Një cigare tjetër e nxori krejt ngadalë nga kutia, dhe filloi të tymoste.

“Largimin nga Kosova asnjëherë nuk e kam menduar. Kur familja insistonte, unë ju thoja, të gjithë shkoni, unë jo. Nëse më kish zënë 10 qershori 1999 në Kosovë, asnjëherë nuk kisha marr rrugë për një vend tjetër.”

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, kthimi i parë i Bylykbashit, ndodhi në vitin 2001 dhe kjo ishte një tentativë që të vazhdonte punën dhe qëndrimin prapë në Kosovë.

Por një takim më ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, i dha tjetër rrjedhë kësaj pune. “Kur jam takuar me Ibrahim Rugovën më tha: Ilaz, çka po bën këtu, ti e ke kryer misionin tënd, kthehu tash le të njeh familja se as ata nuk të njohin mirë.”

“Të them të drejtën në fillim u mërzita nga këto fjalë, por më vonë e kuptova rëndësinë e tyre.”

Por, puna rrodhi si rrodhi, lufta përshkallëzoi dhe Ilazi duke qenë larg Kosovës, deri shumë vite pas luftës, nuk ka pasur idenë për fatin e këtyre filmave. Safetja i ka dorëzuar këta filma tek Ilazi tek në vitin 2019, e deri në atë kohë ai se kishte idenë që filmat kishin mbijetuar.

“Kur i kam marr filmat në atë kohë, i kam kontrolluar sipërfaqësisht, nuk kam besuar që ka aq shumë material. Që nga viti 2019 deri më tani kam investuar mbi 40 mijë euro për digjitalizim dhe hulumtim të secilit film që të shoh se çfarë ka shpëtuar.”

Qysh nga dita që Ilazi i riktheu në duart e tij këta filma, i është rikthyer edhe njëherë gjithë atyre përjetimeve dhe çdo ditë po punon në zbulimin e fotografive të reja.

Ilazi, edhe sot shprehet se asnjëherë nuk e kishte besuar që mund të kishte një bagazh të tillë të fotografive, duke e pasur parasysh se në çfarë etapa ka kaluar. Por ai falënderon Safete Berishën që u bë urë lidhëse që këto dëshmi sot të jenë gjallë.

Wolverine CAMERA

Fuqia e informimit

Jeta e një fotoreporteri të luftës ka ndryshuar në mënyrë dramatike gjatë shekujve. Fotoreporterët e sotëm të luftës kanë më shumë teknologji se gjeneratat e mëparshme, por Bylykbashi mendon se edhe pse mundësitë janë shumë më të mëdha sot, fuqia e informimit atëherë ishte më e madhe.

“Atëherë gjithë ne që jemi marr me fotografi kemi qenë pesë persona, sot secila familje i ka rreth katër aparate. Ne kemi arritur që përmes “Rilindjes”, që më vonë u bë “Bujku”, të bëjmë më shumë se që bëjnë sot mediat edhe pse mundësitë i kanë të jashtëzakonshme e teknologjia e bënë të veten.”

Neglizhenca e Institucioneve të Kosovës karshi dokumentimit të krimeve serbe

Ilazin, sot, pas më shumë se 20 viteve, e mundon një gjë. Ai është i befasuar për të keq se si gjithë kjo pasuri dokumentuese e krimeve serbe, nuk ju intereson aspak institucioneve në Kosovë.

“Askush nga institucionet nuk më ka ftuar asnjëherë e të shprehin interesim për këto dëshmi. Është formuar edhe Burgu Muze në Prishtinë, e unë i kam diku rreth 150 pamje të të burgosurve në atë burg. Grupin e Fehmi Lladrovcit, dhe secilën figurë të tyre, janë fotografi që e kanë vendin në atë muze, që vizitorët kur të shkojnë për vizitë t’i shohin edhe fotografitë e jo veç muret, por askush nuk interesohet për këtë pjesë që nesër gjeneratat e reja t’i shohin njerëzit që kanë kaluar nëpër ato vështirësi.”

Ai tutje tregon se edhe në atë kohë, përkundër se ishte gjendje lufte, ishin bërë pazare të mëdha, por ai ndihet krenar që asnjëherë nuk kishte punuar për përfitime por me qëllimin e vetëm se si të dokumentohet e vërteta.

“Këta 4-5 muajt e fundit po ndihem edhe më krenar dhe i përmbushur për punën që e kam bërë ndër vite, por edhe jam i zhgënjyer se si nuk ka aspak interesim që të ruhet ky dokumentacion kaq i rëndësishëm, sepse këto fotografi janë sot të gjalla, e në momentin që vdes unë vdesin edhe këto fotografi sepse vdes rrëfimi e kujdesi për to.”

Dhimbja e tij është edhe në faktin se si Serbia edhe sot vazhdon të bëjë montazhe e skenarë që gjithë fajin të ja lërë shqiptarëve e të na paraqesin si njerëz të egër e që i maltretojmë serbët. Ndërsa ne i kemi faktet edhe askush nuk merret me to.

“Nuk e di këto institucione tona si do të japin arsye nesër që nuk janë marr me të vërtetën.”

Gjithë kjo periudhë ka lënë mjaft pasoja tek Bylykbashi dhe familja e tij. Por edhe sikur të kthehej koha pas, ai pohon se pa asnjë mëdyshje do e bënte punën e njëjtë.

“Puna e fotoreporterit në ato rrethana ka qenë tejet e vështirë. Unë sa herë kam dal nga shtëpia, asnjëherë se kam ditë nëse do të kthehem. Por nëse do të kthehej koha prapë njëjtë do të veproja”, përfundon Ilazi, duke na treguar se është duke i dhënë dorën e fundit monografisë, libër ky që me anë të fotografive do të dokumentojë ngjarjet që lanë shenjë në përpjekje për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe do të shërbejnë edhe si dëshmi e faktimit të krimeve që regjimi i Beogradit i bëri në Kosovë e që u ndërprenë me ndërhyrjen e NATO-s në pranverën e vitit 1999. / KultPlus.com

(Më poshtë po ju sjellim edhe disa fotografi të realizuara nga Ilaz Bylykbashi e që paraqesin disa prej ndodhive të Kosovës së asaj kohe.)

Balerini i gjeneratës së parë, Elez Nikçi: Me dërrasat e teatrit do të dëshiroja që ta mbuloja amshimin e mendimit tim

Era Berisha

I lindur më 18 tetor të vitit 1953, në Shtupeq të Madh, përkatësisht në Rugovë të Pejës, balerini Elez Nikçi ka vulosur gjurmët e tij nëpërmjet gjuhës së baletit. I përket brezit të parë që u kualifikua për artin mjeshtëror të baletit në Shkollës e Mesme të Baletit në Shkup, dhe si i tillë ka bartur mbi supe peshën e të qenurit solisti kryesor i baletit bartës i të gjitha roleve kryesore. Kreativ, atraktiv dhe unik në stilin e tij, 1968-ta do të bëhej viti kur ai do niste rrugëtimin e tij drejt shndërrimit në një yll, shuarja e së cilit nuk do të ndodhte asnjëherë, shkruan KultPlus.

I njohur për formën e tij prej shpate, këmbët e tij kanë arnuar role artistike nga më të ndryshmet, role këto që u bënë kryevepra gjithandej nëpër skena vendore dhe jugosllave deri në Dubrovnik, Slloveni, Novi Sad e tutje. Shfaqjet si: “Legjenda mbi ngadhënjimin“ (Armiku), “Sokoli dhe Mirusha“ (Sokoli), “Halili dhe Hajria“ (Halili), “Vallja pranverore“ (I fejuari), “Bolero dhe Shtrausiana“, “Interplay“, “Coppelia“ (Kopelius), “Era dhe Kolona“ (Armiku), “Kënga e Rexhës“ (Rexha),“Romeo dhe Xhulieta“ (Tibajli, Dali, Antoni), “Besa“ (Korbi), “Carmen“ (Torero), “Zef LushMarku“, “Don Kishoti“ (Don Kishoti), “Peter Pani“ (Kapiten Kuku), “Loja e Sizifit“, “Fyelltari“ dhe “Tranzicioni 2“, do të rrumbullakonin globin e tij që tregon për përkushtimin e pashoq e të pashlyeshëm përgjatë viteve.

Si një pishtar në një rrugë të errët, balerini Nikçi ka ngelur i pazëvendësueshëm në artin skenik. Qëndisja e tij në kujtimet e shumë njerëzve ka ndodhur krejt lehtazi. Rolet e tij kanë qenë të shkrira si qiri në secilën skenë që ka prekur, dhe kësisoj me një ndjeshmëri të lartë, ka hyrë në arkivin e baletit nacional, nëpërmjet së cilit do të mbahet mend gjatë.

Në bjeshkët e Rugovës ka hedhur hapat e tij të parë. Tokat me gropa, të larta e të rrëshqitshme duket se e kanë skalitur qysh në fëmijëri. Por, aty e ka mësuar edhe vallen, në një atmosferë kënge e vallesh diversive, dhe kësisoj ka gjetur ritmin e tij të parë, një ritëm që do ta kapërdinte për gjithë jetën. Në historinë e tij gjejmë qindra palë këpucë të shterura të cilat kanë krijuar art. Shpirti i tij artistik na del edhe në të shprehurit e tij, por më së miri e shohim në lëvizjet e trupit. Gjithçka është teatrale, e realizuar në skenë së bashku në ndërlidhje me kostumet, dizajnin skenik dhe ndriçimin. Në balet asgjë nuk krijohet instinktivisht, ngaqë trupi shkon kundër natyrës së vetë.

Në pamje, kjo degë e artit duket e bukur, marramendëse dhe e paparë. Ka një shtrirje të gjerë që rrëmben shpirtin e atij që e shikon dhe e përjeton. Kthimi i ijëve, këmbëve nga jashtë, kërcimet në ajër në sfidë me gravitetin, piruetet e shumta dhe balancimi i peshës në gishta të këmbëve, nga jashtë duken krejt të lehta, por kërkohet ushtrime e stërvitje të shumta vjeçare, për të arritur në perfeksionim. Ka edhe shumë flluska si dhe këmbë të gjakosura që bëhen pjesë konstante e jetës së një balerini/e, dhe zgjedhja e këtij udhëtimi, nuk ka tjetër çka të dëshmojë pos pasionit e dashurisë me bollëk për këtë profesion. Zgjedhja, nënkuptonte një jetesë me dhimbje të vazhdueshme e cila patjetër që me prekje të skenës, do të bëhej një jetë mbretërore, aty ku jorealja dukej e mundur.

Rrëfimi i balerinit Nikçi peshohet në të dy anët jetësore, të mirat e të këqijat. Ai ka qenë nxënës i profesoreshës së njohur, Tatjana Petkovska, e cila konsiderohet një emër i lartë në dimensionin artistik e pedagogjik. Nëpërmjet mësimeve të saj, është arritur të krijohet një brez artistësh që sipas Nikçit, kanë jetësuar gjininë e panjohur të baletit, ndër ne. Kontributi i saj i dhënë për të krijuar afërsinë me grupin e Kosovës, ka qenë kulmor.

Më 1972, balerini Nikçi me kolegët e tij që ishin pjesëtarë të asaj gjenerate, kishin në krye Ahmet Brahimajn, ish-drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët së bashku u kthyen për t’u bërë pjesë e Teatrit Popullor Krahinor. Angazhimi i tyre u bë pika kyçe për ringjalljen e skenës së baletit pas luftës në Kosovë. Kanë hasur në ngjarje të llojllojshme, në situata të vështira në punë pa kushte, e njashtu përjetuan edhe ndërhyrjet politike që çuan deri në mbyllje totale të Teatrit.

Për shfaqjen e parë që u vu në skenë nën emërtimin “Motivet kosovare” e tek ajo e fundit, për mosnënshtrimin e trupës së baletit kundrejt synimeve politike deri tek rikthimi i tyre në skenë, për trofetë e shumta, për pjesëmarrjen në ceremoninë e Baletit Kombëtar të Kosovës kur shënoi 50-vjetorin si dhe për dëshirën që ta mbulojë amshimin e mendimeve të tij në dërrasat e teatrit, është rrëfyer balerini Elez Nikçi në një intervistë ekskluzive për KultPlus, të cilën e keni rastin ta lexoni më poshtë.

KultPlus: Fillimisht, a mund të na tregoni se si ju lindi dashuria për baletin?

Elez Nikçi: Dashuria ime ka lindur në bjeshkët e Rugovës. Bjeshka nuk është tokë e rrafshët ku këmba mëson të ecën vetëm në një ritëm. Atje, duhet përballesh më forcën e shkëmbinjve, me erërat e forta, me dimrat e mëdhenj, me rrebeshet dhe furtunat e shirave, ndërsa, një valltar – artist duhet luaj vallen për t’i përballur të gjitha këto të papritura. Kështu mendoj se ka lindur dëshira e të parëve të mi për vallen, pastaj, ajo dëshirë dhe ai pasion është shartuar dhe në mua.

KultPlus: I përkisni Gjeneratës së Parë të Baletit të Kosovës. Si e përshkruani këtë ndjenjë, pra që keni nisur diçka që s’ka ekzistuar më parë në Kosovë, si fushë e artit?

Elez Nikçi: Nuk përshkruhet ndjenja e asaj kohe në këtë kohë. Po të më kishit pyetur atëherë do të ju përgjigjesha në nota të sakta. Por ju s’keni qenë të lindur në atë kohë kur lindi Baleti.

Sot, ua them se ka qenë rrugëtim për të cilën i kemi shtjerr me dhjetëra e dhjetëra palë këpucë për të arrirë në këtë stad artistik ku sot qëndron Baleti i Kosovës.

KultPlus: Së bashku me kolegët, keni ringjallur skenën e baletit. Nëpër çfarë rrethana, situata e momente keni kaluar, për të arritur aty ku keni pas dëshirë?

Elez Nikçi: Të llojllojshme ishin, situata të mira, shfaqje të pranueshme, të qëndrueshme, të vyeshme për kohën dhe për situatën. Ndërsa situatat e vështira në punë pa kushte, situatat dhe ndërhyrjet politike deri në mbyllje totale të Teatrit nuk do dëshiroja fare që t’i potencoja, meqë ato janë të ditura.

KultPlus: Shkupi u përzgjedh si qyteti më i duhur për të studiuar ngaqë qe më afër Beogradit. Pse ndodhi kjo?

Elez Nikçi: Shkupi ishte afër dhe kishte mundësi reale, sikundër që, dikush nga administrata e Kosovës e përcaktoj si lokacion studimor Shkupin, në marrëveshje me administratën e tyre meqë ishim brenda gjeografisë së përbashkët të ish Jugosllavisë.

KultPlus: A mund të na shpalosni se si ka ecur edukimi juaj me profesoreshën e njohur Tatjana Petkovska?

Elez Nikçi: Ishte dhe ngelet emër kult në dimensionin artistik dhe në atë pedagogjik.

Ka krijuar një brez artistësh të cilët e jetësuan këtë gjini të panjohur ndër ne. Asaj i jemi mirënjohës për kontributin e dhënë dhe për afërsinë e krijuar me grupin e Kosovës.

KultPlus: “Motivet kosovare”, ka qenë shfaqja juaj e parë. Çfarë mbresa i keni lënë publikut të asaj kohe?

Elez Nikçi: Kanë shkruar për secilën pjesë artistike. Jemi vlerësuar prej strukturës së kritikës.

Janë në arkivin e Bibliotekës Kombëtare, të gjitha gazetat që dëshmojnë dhe dëftojnë se kush ishim ne në skenë dhe në këtë shfaqje që ju e potenconi. Më kanë veçuar vazhdimisht mua dhe kolegët e mi. Kemi qenë unik në proces të punës andaj them se kemi arritur diçka të një rëndësie kapitale, konsideroj.

Fotografia: E.I – (50 vjetori i Baletit Kombëtar të Kosovës)

KultPlus: “Sokoli dhe Mirusha”, “Këngën e Rexhës”, “Kush e Solli Doruntinën”, “Halili dhe Hajrija”, janë disa nga shfaqjet ku ishit edhe ju pjesë. Na tregoni më shumë rreth këtyre shfaqjeve.

Elez Nikçi: Kompozitorët dhe koreografët janë ata që meritojnë të veçohen, të përmenden, të falënderohen nga ne dhe nga njerëzit që kanë përfaqësuar kulturën dhe politikën.

Janë ngjarje që kanë krijuar megjithatë një epokë të rëndësishme për kohën që po flasim.

 KultPlus: Gjatë fundit të viteve ’80 balerinët u dëbuan nga Teatri. Si e pritët këtë vendim?

Elez Nikçi: Qëllimi ishte që të zhbëhej kultura, ndërsa, synimi i tyre ishte i përmasave të luftës së dytë botërore, luftë për territor dhe për rivendosje të popullsisë.

Ne u dëbuam ngaqë nuk pranuam që të nënshtroheshim. Por, më mirë që dolëm nga skena, ndryshe do të mbeteshim banorë nëpër stacione të trenave të Evropës.

KultPlus: A ju shuan shpresat që ju nuk do të performonit më asnjëherë në skenë?

Elez Nikçi: Ishte e vështirë ndarja nga skena. Ishte sikur të ndaheshim nga familja, nga fëmijët dhe nga brezi im. Por, shpresë kishim që nuk do të shuheshim. Akoma përtej kishim besim të fortë se do të riktheheshim. Dhe kjo ndodhi – u rikthyem!

KultPlus: Keni menduar ndonjëherë që të hiqni dorë së luftuari për krijimin e baletit kosovar?

Elez Nikçi: Jo, asnjëherë nuk më ka shkuar nëpër mend që të dëboj vetveten nga shpirti im. Baleti është shpirti, ndjenja, lëkura e skenës dhe vizionit tim artistik. Andaj, e veçoj skenën si të pandarë me mua. Ndërsa, me dërrasat e teatrit do të dëshiroja që ta mbuloja amshimin e mendimit tim.

KultPlus: Si gjetët forcën që së bashku me koreografin e ndjerë Ahmet Brahimaj, të rindërtoni skenën e baletit kosovar?

Elez Nikçi: Kemi bashkërenduar me të në mënyrë perfekte. E kam mbështetur në kohën e duhur dhe të nevojshme kur është dashur që ta rikthenim baletin në kondicion të mirë skenik. Ai u kthye nga Kanadaja, ndërsa unë isha duke punuar në presidencë. Ai ka vazhduar punën suksesshëm si drejtor deri në pensionim, ndërsa unë isha pjesë e pandashme e rrugëtimit artistik. Dhe ja arritëm!

KultPlus: “Fyelltari”, është shfaqja juaj e fundit. Por realisht, cilat ishin ndryshimet që keni hasur pas disa vitesh mungesë?

Elez Nikçi: S’ka ndryshime për Baletin.

Në Balet ka një moshë rinore kur je i pari në hezin skenik – je solist dhe personazh për vepra të mëdha. Ndërsa, koha vetvetiu pastaj të ‘eliminon’, po flas për moshën të cilën nuk mund ta ndalim.

Pra, ne arritëm në një moshë kur krijuam brezin e ri që janë pasardhës të misionit dhe vizionit tonë. Ne u pensionuam, por ishim prapë aty pari. Jemi dhe sot me Baletin. Më ftojnë, më respektojnë, jemi familje e madhe, konsideroj.

KultPlus: Nëse do të ktheheshit në kohë, çfarë do të kishit bërë ndryshe?

Elez Nikçi: Ne s’kemi bërë gabime në sendërtimin e qëllimit tonë. Kemi punuar mirë dhe kemi krijuar gjëra të mira dhe të rëndësishme për kohën. Jemi vlerësuar me çmime dhe trofe nëpër rajon dhe në vende tjera.

Vetëm një gjë që më ngelet peng në jetë është hapësira skenike (ngrehina, shtëpia) për Baletin, e që nuk është ndërtuar akoma.

KultPlus: Ishit pjesëmarrës në ceremoninë e Baletit Kombëtar të Kosovës kur shënoi 50-vjetorin. Si ishte kjo ndjenjë për ju?

Elez Nikçi: Ka qenë emocion i veçantë. Po flisja në emër të brezit tim. Kishte shumë pjesëmarrës. Më kujtonin kohërat tjera në një kohë dhe situatë jubilare. E veçoj këtë festë dhe këtë mbrëmje pa masë. Gjërat më të mira që ja dua familjes sime, ia dedikoj edhe Baletit të Kosovës.

KultPlus: BKK nuk ka akoma një shtëpi të veten. Si e vlerësoni ju punën e MKRS-së për këtë fushë arti?

Elez Nikçi: Uroj që do ta ndërtojnë ndërtesën e Teatrit të Baletit.

Megjithëse, kam dyshimet e mia personale për faktin që është mbyllur TKK pa u bërë asnjë zgjedhje konkrete dhe alternative për Baletin e Kosovës. Akoma asnjë tullë askush nuk e ka vënë në TKK deri më sot. Viti shkoj. Çfarë është kjo punë unë se kuptoj. Ka afërsisht 1 vit që është mbyllur pa filluar asnjë hap konkret në renovimin e Teatrit. / KultPlus.com

Fotografia: E.I – (50 vjetori i Baletit Kombëtar të Kosovës)

U bë urë-lidhëse për shërimin e 320 fëmijëve jashtë vendit, Albana Krasniqi: Shpërblimi më i mirë, përqafimi që marr nga prindërit e tyre

Flonja Haxhaj

Janë disa momente në jetë kur njeriu ndjehet i përmbushur me të arriturat e tij e sidomos kur ato u vihen në ndihmë atyre që më së shumti kanë nevojë. E për Albana Krasniqin kjo ndjenjë vjen çdo herë kur ua kumton lajmin secilit prind që operacioni i fëmiut të tyre ka shkuar me sukses dhe në pak javë ai do të jetë në gjendje t’i kthehet jetës normale si të gjithë fëmijët e tjerë. E krejt kjo ndjenjë e veçantë dhe e jashtëzakonshme vjen si rezultat i punës së saj të pashoq dhe krejtësisht vullnetare në dërgimin e fëmijëve nga Kosova të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme në zemër për shërim në Amerikë e vende të tjera.

Profesionin e mjekes nuk e praktikoi më pas largimit nga Kosova, megjithatë spitali vazhdon të jetë një shtëpi e dytë për të, në të cilin ajo përmbush ëndrrën e saj,  duke u bërë shpresë  për shumë fëmijë të cilët në vend që të ecnin njëtrajtshëm me shokët dhe moshatarët e tyre, u detyruan që të ndërprejnë gjithçka e të përballen me vuajtjen dhe dhimbjen që sëmundja sjell pas vetes, me të vetmen dëshirë të pashtershme, mbijetesën.

E lindur në Pejë, por e zhvendosur në Nju Jork, Albana Krasniqi që nga viti 2012, u bë pjesë e organizatës ‘Gift of Life Internatinal’, organizatë kjo e cila tash e 40 vite u vihet në ndihmë fëmijëve të cilët vuajnë nga sëmundje të zemrës në 80 vende të botës, e kryesisht të vendeve më të varfëra.

Kjo organizatë është e përbërë nga një grup njerëzish bamirës të profesioneve të ndryshme që në mënyrë vullnetare ndihmojnë në shërimin e fëmijëve të lindur me veset e zemrës në mbarë botën. Organizata është me bazë në Nju Jork të SHBA-së dhe ndihmon mbi 4000 fëmijë në vit.

E që nga viti 2009 tashmë kjo organizatë kishte bazën e saj edhe në Kosovë, por pavarësisht kësaj, numri i fëmijëve të shëruar ishte shumë i vogël. Për shkak të mungesës së ndihmës nga komuniteti shqiptar atje, vetëm nëntë fëmijë kishin arritur të shërohen në tri vite.

Kjo e nxiti Krasniqin të angazhohet vullnetarisht në këtë organizatë që të ndihmojë sa më shumë fëmijë kosovarë të dërgohen për shërim jashtë vendit, e ku çdo trajtim ‘Gift of Life International’ e ofron falas.

Albana Krasniqi përmes një interviste për KultPlus shprehet se duke e parë se numri i fëmijëve që vuanin nga këto sëmundje ishte shumë më i madh sesa ai i fëmijëve të shëruar në tri vite, ajo u angazhua me përpjekjet e saj më të mëdha që nga viti 2012.

“Duke e pasë parasysh këtë nevojë, në maj të vitit 2012 unë vendosa të angazhohem aty ku kishte më së shumti nevojë, do të thotë në çelësin e të gjithë misionit, në rritjen e fondeve dhe të mundësoja sponsorizimin e misionit të parë të kontrollave mjekësore të fëmijëve, i cili mision do të mundësonte diagnostifikimit adekuat tek fëmijët me vese të lindura të zemrës e pas trajtimit përkatësisht dërgimin e tyre për shërim jashtë vendit”, u shpreh ajo për KultPlus.

E kjo u pasua me vizitën e saj bashkë me një ekip të mjekëve profesionistë nga Nju Jorku të cilët udhëtuan për në Prishtinë dhe për një javë kontrolluan mbi 60 fëmijë.

“Nga 60 fëmijët e kontrolluar, 30 prej tyre u dërguan për shërim në spitale të ndryshme në SHBA, Izrael, Korenë Jugore ku ne kemi spitale me të cilat bashkëpunojmë”, shtoi Krasniqi duke folur për misionin e saj dhe të organizatës, e që vazhdon t’u vijë në ndihmë fëmijëve kosovarë.

Përveç ofrimit të shërbimit, në dërgimin e fëmijëve për shërim jashtë vendit, ka pas vetes një mori angazhimesh të të gjithë ekipit të kësaj organizate e në veçanti të Albana Krasniqit, e cila me përkushtim të plotë u mor dhe vazhdon të merret me të gjitha etapat që duhet t’i plotësojë një familje për të dërguar fëmijën e tyre për shërim.

“Pasi të ktheheshim nga Kosova unë angazhohesha në dërgimin e dokumenteve mjekësore në spitale për pranim, aranzhimin e udhëtimit për fëmijën dhe njërin nga prindërit, gjetjen e familjes nikoqire ku do te qëndronin fëmija dhe prindi gjatë kohës së trajtimit në SHBA”, shpjegon Krasniqi e cila shton se ajo kohë mund të zgjaste deri në 10 javë varësisht nga niveli dhe lloji i operimit.

E nga viti në vit, përveç shtimit të numrit të fëmijëve të shëruar pas trajtimit në Nju Jork e në vende të tjera, kjo organizatë ndryshoi edhe qasjen e trajtimit të fëmijëve në Kosovë.

Që nga viti 2018, organizata ka filluar të dërgojë ekipe mjekësore në Kosovë për të operuar fëmijët në Prishtinë. E kësisoj, duke sjellë ekipet mjekësore në Kosovë, ‘Gift of Life International’ po arrijnë të ndihmojnë më shumë fëmijë për shkak të shpenzimeve më të vogla.

“Që nga ajo kohë ekipet tona vijnë tri herë në vit për të operuar fëmijët e Kosovës dhe mesatarisht 25-28 fëmijë operohen brenda një jave të qëndrimit të mjekëve”, vazhdoi mes tjerash Krasniqi.

Ajo më tutje shpjegoi se qëllimi i mirë e fisnik i kësaj organizate, në të cilën ajo tashmë është edhe pjesëtare e bordit drejtues, po realizohet me sukses ngaqë deri më tani ekipi dhe mjekët vullnetarë kanë operuar falas mbi 320 fëmijë dhe kanë kontrolluar e diagostifikuar mbi 1000 fëmijë.

Ndihma jetësore që kjo organizatë ua ka dhënë fëmijëve të Kosovës duke ua shtuar atyre motivin dhe shpresën dhe të jetuar, ka bërë që edhe vetë Albana Krasniqi që përjetojë një eksperiencë jashtëzakonisht të çmueshme. Ajo shprehet për KultPlus se kënaqësia bëhet edhe më e madhe kur kupton se pasi ke ndihmuar një fëmijë je bërë përgjigje e lutjeve të prindërve të tyre.

“Të gjithë fëmijët që ne i ndihmojmë janë një tregim në vete, secili prej tyre është i veçantë por natyrisht janë disa raste që të mbesin të freskëta në kujtesë çdo herë. Por momentet kur ju tregon prindërve se çdo gjë ka shkuar mirë me operimin dhe se fëmijët do të jenë mirë e do të rriten si të gjithë fëmijët tjerë, gjithashtu përqafimet qe marr nga ta do të më mbesin çdo herë në mendje”, deklaroi Krasniqi e cila mes tjerash shtoi se duke qenë se përveç që kjo organizatë po shpëton jetën e një fëmije, ajo po rregullon edhe jetën e anëtarëve të tjerë të familjes.

Organizata ‘Gift of Live International’ mund të konsiderohet si një urë-lidhëse e madhe në mes të fëmijëve që vuajnë këto sëmundje dhe trajtimit në Amerikë apo në vende të tjera. E ndonëse ka pasur shqiptarë të tjerë që kanë ndihmuar tërthorazi, Albana Krasniqi është e para dhe e vetmja shqiptare në bord të kësaj organizate.

“Në këtë grup vullnetarësh ka edhe shqiptarë të tjerë që kanë ndihmuar tërthorazi qoftë duke u bërë familje nikoqire të fëmijëve gjatë qëndrimit të tyre në SHBA, qoftë me përkthime dhe atë me kryesoren me ndihma financiare duke sponsorizuar operime e edhe misione në tërësi pa të cilët suksesi ynë nuk do të ishte kaq i madh”, u shpreh më tutje Krasniqi duke i falënderuar secilin për ndihmën dhe kontributin e dhënë.

E krejt këtë punë kolosale, në dërgimin e fëmijëve nga Kosova për t’u shëruar, Albana Krasniqi, e ka realizuar në ndihmën e ekipit nga ‘Gift of Life International’. Mirëpo, e pyetur nëse ka marrë ndonjë ndihmë financiare nga institucionet e Kosovës, ajo shprehet se nuk kanë pasë ndihmë financiare nga Kosova, pavarësisht se nuk kanë kërkuar diçka të tillë.

Ndërkaq, krahas punës vullnetare që ajo e bën me përkushtim të plotë e me qëllim tejet human, Albana Krasniqi ka edhe një profesion me të cilin siguron mirëqenien e saj ekonomike. Ajo punon si analiste financiare në një kompani investimesh në Nju Jork.

E për të shkëlqyer në këto dy punë si dhe të japë maksimumin për familjen e shoqërinë në anën tjetër, ajo thotë se i duhet që të sakrifikojë shumë nga jeta e saj.

“Thjesht nuk e di se si ia dal por vullneti dhe dëshira e madhe për të shpëtuar jetë më jep forcë dhe energji për t’i tejkaluar të gjitha. Dhe tani më është bërë pjesë e jetës time”, shprehet mes tjerash Krasniqi.

Për fund, përveç që uroi dashuri dhe gëzime për të gjithë, Albana Krasniqi dha një mesazh për lexuesit e KultPlus e që lidhet pikërisht me misionin që edhe ajo i ka vënë vetes tash e 10 vite më parë.

“Mesazhi për lexuesit e KultPlus është qe secili prej tyre të gjejë një mundësi apo mënyrë për të ndihmuar ata që janë në nevoje, qoftë ajo shëndetësore apo ekonomike”, përfundoi ajo./ KultPlus.com

Albion Rrahmani, nga ideja për të lënë futbollin deri te suksesi kolosal për t’u bërë kampion

Uranik Emini

Nuk mjaftojnë vetëm ëndrrat për të shkëlqyer në futboll. Sfidat nëpër të cilat kalon një futbollist janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga vështirësitë financiare, mungesa e ambientit për të ushtruar, vështirësit për të gjetur ekipin e duhur dhe probleme të tjera të ndryshme të cilat mund të shfaqen gjatë rrugës. I ri në moshë por me një karrierë tanimë të bujshme, Albion Rrahmani, vjen si një kampion në një intervistë për KultPlus, duke shpjeguar shumëçka nga e kaluara e tij dhe e ardhmja, të cilën e pret edhe më të suksesshme sesa ajo tani, shkruan KultPlus.

I njohur ndryshe edhe sikurse “Lewandoski”, një prej sulmuesve më të mirë në botë, Rrahmani ka kaluar në disa klube gjatë karrierës deri tani, mirëpo shkëlqimin e suksesin më të madh e shijoi me klubin nga Suhareka “FC Ballkani”.

Rrahmani arriti që të plotësojë ëndrrën e tij të fëmijërisë, duke u shpallur kampion i Superligës së Kosovës dhe gjithashtu arriti suksese kulminante në arenën ndërkombëtare, duke qenë njëri prej golashënuesve më të mirë në “Conference League”.

Rrahmani tregon se fëmijëria e tij ka qenë shumë e vështirë për shkak të kushteve të cilat kanë qenë në Kosovë.

“Së pari kam filluar të stërvitem me babin tim, pastaj jam regjistruar te klubi i futbollit “KF Llapi”, ku aty i kam kaluar të gjitha kategoritë deri te U-19. Unë si futbollist nuk e kam pas fare lehtë për arsye të ndryshme në të cilat i kam kaluar, me dëshirë, vullnet dhe pasion për futbollin, nuk jam ndalur asnjëherë deri këtu ku jam sot. Ëndrrat e mia të fëmijërisë kanë qenë dhe janë të mëdha për t’u bërë një futbollist i nivelit të lartë pasi qe idoli im është Cristiano Ronaldo”.

Ai tutje rrëfen se klubi KF Besiana ishte klubi të cilin e ka ndjekur që kur ishte një fëmijë i vogël dhe inspirimi i tij më i madh ishte pikërisht babai.

“Klubi që e kam ndjekur më herët ka qenë KF Besiana po ashtu edhe Llapi pasi që babi im ka qenë pjesë e këtyre dy klubeve për shumë vite dhe ka qenë dëshira ime që një ditë të bëhem si ai”, tregon Rrahmani.

Albion dhe Driton Rrahmani (babai i tij)

Shumë njerëz gjejnë inspirim prej gjërave të ndryshme, dikush duke ndjekur edhe idhujt që i kanë përcjellë gjatë gjithë jetës. Njësoj ishte edhe për Albionin, i cili është rritur duke shikuar portugezin Cristiano Ronaldo.

“Idoli im është Cristiano Ronaldo, e kam përcjell që nga fëmijëria gjatë gjithë kësaj periudhe dhe do të mbetet gjithmonë preference ime. Është modeli më i mirë për t’u ndjekur nga një futbollist”, thotë ai.

Kalimin nëpër disa faza si një futbollist i ri, Rrahmani e kishte bërë te qyteti nga ku edhe ai vjen, pikërisht te KF Llapi.

“Kur kam përfunduar U-19 te klubi i Llapit nga aty kam kaluar në Ligen e dytë te klubi i Minatorit të Magurës për një gjysmë sezone ku kam shënuar 18 gola. Në sezonin e dytë kam kaluar te klubi KF Bashkimi Koretin ku aty kemi zhvilluar vetëm dy ndeshje dhe kam shënuar katër gola, pastaj është ndërprerë kampionati për shkak të Covid-19. Në sezonin e re kam kaluar te klubi FC Malisheva ku kam qëndruar një vit dhe kemi arritur që të shpallemi kampion dhe të futemi në histori të klubit të Malishevës, ku në atë vit kam shënuar 18 gola, pastaj nga Malisheva kam kaluar te klubi FC Ballkani. E pikërisht atë vit jemi shpalluar kampion për herë të parë në histori të klubit dhe kemi marrë pjesë në garat evropiane”, rrëfehet tutje Rrahmani.

Sukses kolosal për të arritur qëllimet e mëdha

“Realizimin e qëllimeve të mia te FC Ballkani janë bërë realitet, e unë besoj që e kam ndihmuar klubin në objektivat që ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve. Jam shumë krenar që e kemi arritur këtë sukses për t’u kualifikuar për herë të parë në garat evropiane në histori të futbollit të Kosovës”, thotë tutje, Rrahmani, duke shpjeguar gjithashtu se për të arritur te ky sukses ka qenë një rrugë e vështirë dhe ka kërkuar punë e angazhim të madh.

Sulmuesi kryesor i skuadrës së Ballkanit, pati paraqitje magjepsëse në garat evropiane, duke arritur që të shënojë shtatë gola dhe të asistojë tre herë. E sipas tij, ky sukses nuk do të arrihej asnjëherë pa ndihmën e bashkë lojtareve, pa të cilët nuk do të ishte këtu ku është tani.

Moment “pendese” përpara shpërthimit

Lojtari i Superligës së Kosovës rrëfen se kishte menduar që një ditë ta linte futbollin, për shkak të një momenti negativ që iu ishte paraqitur gjatë kohës sa ishte “Junior” te KF Llapi.

“Po e kam një moment shumë negativ që e kam menduar ta lërë futbollin kur kam përfunduar Junioret e Llapit, por me insistimin dhe dëshirën e babit qe ka pasur çdo herë për futbollin, unë nuk jam ndalur asnjëherë që ta bëj krenar dhe ai të mburret me sukseset e mia”, thotë ai.

“Nder dhe krenari të veshësh fanellën e kombëtares, jemi një Kosovë e Shqipëri”

Rrahmani shton se është një dëshirë edhe më e veçantë që t’i mbrojë ngjyrat e Kombëtares së Kosovës sepse këtu u lind dhe u rrit si një futbollist, por asnjëherë nuk do të refuzonte një ofertë nga Kombëtarja e Shqipërisë.

“Patjetër që është një dëshirë shumë e veçantë që t’i mbroj ngjyrat e Kombëtares së Kosovës sepse këtu kam lindur dhe jam rritur si futbollist dhe dëshira ime është për të luajtur për vendin tim, por edhe te Kombëtarja e Shqipërisë do isha krenar që ta pranoja ftesën sepse ne jemi një, është nder dhe krenari ta veshësh fanellën e këtyre dy kombëtareve, për të cilat krenohemi që i kemi”, shpjegon ai.

Edhe pse sporti i futbollit mbetet një prej sporteve më të popullarizuara në Kosovë, infrastruktura e këtij sporti në vendin tonë nuk është më e zhvilluara në botë dhe rrjedhimisht një prej qëllimeve kryesore që të rinjtë kanë, është largimi drejt një klubi evropian dhe pjesëmarrja në garat evropiane.

“Qëllimet e mia janë që të luaj për ndonjë klub të madh europian, por ende nuk ka oferta konkrete kështu që mbetet të shihet gjatë afatit kalimtar”.

“Mos u dorëzoni asnjëherë”,

është një prej mesazheve që Rrahmani tenton t’ua përcjellë lexuesve të KultPlus, pasi ai beson se një ditë do të shpërblehet puna gjithsesi, pa marrë parasysh vështirësitë që i kaloni gjatë rrugës.

Ndërsa, sa i përket mesazhit për vitin 2023 dhe qëllimeve të tija të ardhshme, Rrahmani thotë se synim kryesor i tij është përsëritja e suksesit të vitit të kaluar.

“Nëse nuk kaloj te ndonjë klub evropian qëllimet e mia janë që të shënoj gola sa më shumë, ta ndihmoj klubin drejt mbrojtjes së titullit kampion dhe pse jo ta përsërisim përsëri atë sukses që kemi pasur në Arenën Ndërkombëtare”, përfundon ai.

Disa njerëz janë të destinuar që të kenë sukses në jetën e tyre dhe të kalojnë nëpër shumë sfida për t’u kurorëzuar kampion në fundin e rrugëtimit të tyre. Njësoj bëri edhe Albion Rrahmani, i cili duke punuar, rritur dhe angazhuar vazhdimisht, jehoi emrin e tij në gjithë arenën ndërkombëtare, duke treguar se fjala dorëzim nuk ekziston një fjalorin e tij. /KultPlus.com

Vdes Papa Benedikti XVI

Papa Benedikti XVI vdiq sot në orët e para të mëngjesit, në Manastirin Mater Ecclesiae në Vatikan në moshën 95-vjeçare.

Pas “rëndimit të papritur për shkak të moshës” në natën mes të martës dhe të mërkurës, Papa Françesku u kishte kërkuar besimtarëve “një lutje të veçantë për Papa Benediktin”, duke shkuar deri aty sa të thoshte: “Mos harroni ai është shumë i sëmurë, duke i kërkuar Zotit që ta ngushëllojë dhe ta mbështesë në këtë dëshmi dashurie për Kishën deri në fund”.

Nga mëngjesi i së hënës, 2 janar 2023, trupi i Joseph Ratzinger do të jetë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan për përshëndetjen e besimtarëve.

Për nëntë vjet, Benedikti XVI ka jetuar në manastirin e Vatikanit ku doli në pension disa muaj pas abdikimit në vitin 2013.

Artistet shqiptare – hovi i madh për të shënuar suksese të njëpasnjëshme përgjatë vitit 2022

Dua Lipa

Artistja shqiptare Dua Lipa, më 4 janar zuri vendin e parë në platformën ‘iTunes’ në Amerikë, për herë të parë. Sukseset e saja të vazhdueshme nuk munguan. Ajo shënoi edhe një sukses të jashtëzakonshëm në platformën ‘Spotify’ përgjatë vitit 2022, duke tejkaluar Rihanën, e duke u bërë artistja e katërt më e dëgjuara. E pandalshme si gjithmonë, ajo u shfaq edhe në kopertinën e revistës ‘Wall Street Journal’.

Asnjëherë nuk e mohoi identitetin e saj, dhe këtë e shprehi edhe publikisht më 26 janar të vitit 2022, duke thënë se ajo i di jetët e humbura në Kosovë. E inkurajuar nga një mësuese në Kosovë, Dua Lipa arriti majat e suksesit. Më 8 shkurt fitoi çmimin si artistja më e mirë pop/rb, duke lënë pas këngëtarët e njohur si Adele dhe Ed Sheeran. Ndërsa, më 9 shkurt filloi turneun e saj në 28 vende të ndryshme, një turne që nxori në pah anët e saj më të bukura.

Po ashtu, ajo u bë edhe artistja e parë që ka gjashtë këngë me mbi 1 miliard transmetime, teksa pati edhe një rol të rëndësishëm në filmin ‘Argylle’ për të shënuar kështu ndoshta dhe një karrierë në aktrim, pasi që ka marr edhe një rol tjetër në filmin ‘Barbie’. Më 11 mars, publikoi këngën e shumëpritur në bashkëpunim me Megan Thee Stallion, “Sweetest Pie”, që mori vëmendjen e të gjithë artdashësve.

Ndërkohë, më 22 mars ajo mori pjesë në festivalin e njohur ‘Lollapalooza’ në mesin e artistëve si: J.Cole, Metallica e Green Day. U shpërblye gjithashtu me dy çmime në “iHeart Radio Music Awards 2022”. Ndërkaq, përkrah Megan Stallion, bëri paraqitjen e saj në rolin e prezantueses në çmimet Grammy. Por, çmime të rëndësishme mori edhe në “Billboard Music Awards 2022”, aty ku dhe u nominua fillimisht për nëntë çmime.

Më 27 maj, publikoi këngën “Potion” në bashkëpunim me Calvin Harris dhe Young Thug, që patjetër që shënoi sukses më vete. Ndërsa, kur ndalemi tek moda, atëherë Lipa dhe sukseset e saj njashtu janë të njëjta, me ç’rast ajo kryesoi samitin e “Vogue Magazine”, si dhe u shfaq në sfilatën “Balenciaga Couture”.

Më 5 gusht 2022, u nderua me titullin ‘Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës’ nga presidentja Vjosa Osmani. Ndërsa, në anën tjetër, pranoi Pullën Postare me figurën e saj, ku u shpreh se ajo do të vazhdojë të bëj akoma më shumë, asisoj që Kosova të ngritët sa më shumë të jetë e mundshme.

Por magjia që ajo sjell në Kosovë, natyrisht që vjen nëpërmjet festivalit “Sunny Hill” që shënoi sukses tejet të lartë në këtë vit. Performanca e saj, qe një nga më të paharrueshmet ndonjëherë.

Por rikthehemi edhe tek skenat ndërkombëtare, duke mos lënë anash suksesin e saj në Argjentinë, aty ku mblodhi mbi 100 mijë njerëz. Më 30 shtator 2022, ajo u bë gruaja e parë që arrin 10 miliardë në platformën ‘Spotify’, duke arritur një rekord historik. Ndërsa, një bashkëpunim tjetër në fushën e muzikës, i solli asaj momente unike, me ç’rast edhe u shpërblye për bashkëpunimin më të mirë me Elton John, në “American Music Awards”, ndërsa ajo përkrah tij, fiton edhe çmimin “Hitmaker of The Year”.

Më 27 nëntor, merr nënshtetësinë shqiptare në Shqipëri dhe për këtë ajo shprehet të jetë tej mase krenare. Gjithashtu, koncerti që mbajti në Tiranë, për ditën e Pavarësisë, qe shfaqja solo më e madhe ndonjëherë në jetën e saj.

Së fundmi, ajo shpërblehet me çmimin “Koleksioni i Vitit” për koleksionin e saj që mban emrin shqip “Flutur”.

Rita Ora

Artistja tjetër shqiptare, u rikthye sivjet fuqishëm në jurinë e “The Voice of Australia”, aty ky dhe njihet për mjeshtërinë e saj të vokalit. Ndërsa, stili i saj qe gjithmonë i atillë që të tërheq pas vete, dhe për këtë kanë shkruar shumë magazina e medie ndërkombëtare. Shfaqet në kopertinën e “Vogue Arabia”, “Harper’s Bazaar Australia”, duke dëshmuar se mbetet top edhe në fushën e modës.

Në anën tjetër, Orën e shohim edhe pjesë të serialit të animuar “Kung fu Panda” si dhe “Tin Soldier”, duke goditur edhe me artin e saj të degës së aktrimit. Më 23 qershor publikon këngën e re, “Barricades”, këngë kjo që shënon sukses tejet të madh në fushën e muzikës. Ndërsa, në dy platforma, ajo arrin shifrën e 10 miliardë dëgjuesve, duke shënuar kështu një sukses madhështor për të.

Më 5 shtator, ajo dekorohet me titullin “Naim Frashëri”, pikërisht në Shqipëri, vendi i cili e priti me duar hapur artisten shqiptare. Mijëra njerëz të pranishëm kanë qenë në koncertin e shumëpërfolur të Orës në Tiranë, aty ku ajo elektrizoi skenën në mënyrë të hatashme më 6 shtator.

Më 9 tetor, ajo hap Kupën e Botës Rugby me një performancë të mrekullueshme. Ndërsa, së bashku me Bebe Rexhën e Ava Max, shfaqet magjepsëse në “MTV EMA Awards”. Në mes të skenës së MTV Ema, Ora i drejtohet Bebe Rexhës, duke i thënë: Motra ime shqiptare.

Nuk kanë munguar as edhe komplimentet për dukjet e saj, e sidomos për ato që i vesh në kopertina të njohura, siç është për shembull “L’Officiel Italia” apo “British Vogue”. Më 25 nëntor, ajo shfaqet edhe në pullat postare të Kosovës, me veshje kombëtare shqiptare. Për këtë, ajo është shprehur tejet mirënjohëse.

Së fundmi, ajo bëhet ndër artistet më të dëgjuara në botë, duke arrirë mbi 6.1 miliardë dëgjime në paltformën ‘Spotify’.

Bebe Rexha

Bebe Rexha është po ashtu artisja shqiptare e cila këtë vit shënoi gjithashtu sukses të lartë. Së pari fillon me prezantimin e saj të mrekullueshëm në “MTV VMA 2022”, e pastaj publikon edhe këngën ripërpunim të “I’m good Blue” në bashkëpunim me David Guetta, që ka arrirë sukses të lartë, duke zënë vende të para gjithandej nëpër platforma të ndryshme.

Performoi në skenën e “MTV EMAs 2022”, aty ku dhe u duk e mrekullueshme dhe e veçantë në stilin e saj, të modës dhe të këndimit.

Pikërisht në “MTV Ema” ajo fitoi çmimin për bashkëpunimin më të mirë, për këngën tashmë tejet të njohur, ‘I’m good Blue’, këngë kjo që u publikua edhe me videoklip më 21 shtator.

Së fundmi, ajo u shpërblye me trofeun e vendit të parë nga “Official Charts”. / KultPlus.com

Sporti vazhdon të mbetet si ambasadori më i mirë për Kosovën

Uranik Emini

Sukseset e Kosovës në sport kanë rezultuar që kjo e fundi të ngritet në piedestalet më të larta të botës dhe emri i Kosovës e himni i saj të jehoi edhe në vendet të cilat nuk e kanë njohur vendin më të ri në Evropë, shkruan KultPlus.

Për të shkruar rreth sukseseve të Kosovës në xhudo, ju duhet të bëni kërkime më të mëdha, kjo për faktin se sukseset në këtë sport për Kosovën janë shumë më të mëdha sesa në shumë sporte të tjera.

Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Flaka Loxha, Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka, shijuan suksese të jashtëzakonshme këtë vit, duke dëshmuar edhe një herë tjetër fuqinë që sporti ka si një ambasador nëpër shtete të ndryshme. Të prirë nga trajnerët Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi, xhudistët nga Kosova patën shumë suksese këtë vit.

Distria Krasniqi

Duke filluar nga Grand Prix në Portugali më 28 janar, ku zuri vendin e parë, Distria Krasniqi, shijoi suksese të shumta këtë vit. Fitoi medalje të argjendtë në Grand Slam të Parisit, ndërsa ishte e para në Grand Slamin “Tbilisi”, “XIX Mediterranean Games 2022” dhe “Jerusalem Masters 2022”.

Loriana Kuka & Laura Fazliu

Që të dyja ishin në formën e tyre më të mirë të karrierës. Kuka e cila shijoi suksese në “Sarajeva European Open 2022”, duke fituar vendin e parë dhe “XIX Mediterranean Games 2022”, duke u stolisur edhe një herë tjetër me medaljen e artë. Ndërkaq, Fazliu në kategorinë (-63 kg.) fitoi në përballje me Flavia Favorini për të fituar vendin e parë dhe gjithashtu pati suksese të mëdha edhe në “”XIX Mediterranean Games 2022”.

Granit Xhaka

Granit Xhaka qeshi i fundit në përballjen me Serbinë në Kupën e Botës të mbajtur në Katar këtë vit. Kapiteni i Arsenalit ishte në qendër të një përleshjeje masive mes dy grupeve të lojtarëve pas një përplasjeje me mbrojtësin serb, Nikola Milenkoviç. Milenkoviç po tentonte të mbronte topin për një goditje goli kur u përplas me Xhakën dhe shtyu mesfushorin. Xhaka nuk u ndal dhe dyshja u përball me lojtarët nga të dyja palët duke u përfshirë në një përleshje që gradualisht u kthye në mes të parkut. Të dy lojtarët morën karton të verdhë për problemet e tyre, me Xhakën që duhej të tërhiqej nga skena nga shokët e skuadrës ndërsa tensionet vazhduan të përshkallëzoheshin. Xhaka u kurorëzua si më i miri i ndeshjes, në fitoren 3-2 të Zvicrës ndaj Serbisë. Ai u vlerësua shumë për gjestin e madh që bëri në këtë takim, duke veshur maicën me emrin “Jashari” përpara gjithë stadiumit.

Xherdan Shaqiri

Paraqitjet briliante të Shaqirit në Kupën e Botës, nuk kanë munguar asnjëherë. Në këtë rast, Shaqa ndan një rekord të madh së bashku me dyshen e jashtëzakonshme, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, duke qenë lojtarët e vetëm që kanë shënuar në tre botëroret e fundit. Për shqiptarët ishte gëzim edhe më i madh, për arsye se Shaqiri shënoi në portën e Serbisë, në fitoren 3-2 në Kupën e Botës.

FC Ballkani

Përpos që fituan për herë të parë në historinë e klubit të tyre, trofeun e Superligës së Kosovës, ekipi nga Suhareka shkroi histori edhe për diçka tjetër. Kosova për herë të parë po përfaqësohej në arenën ndërkombëtare nga një klub i Superligës së Kosovës dhe ishte pikërisht Ballkani që e bëri këtë gjë. Ballkani arriti që të fitojë një ndeshje, të barazojë një tjetër dhe të humb katër herë në mungesë të fatit dhe përgatitjeve të duhura për takimet evropiane. Me katër pikë të grumbulluara, historia e shkruar nga Ballkani do të jetë e pranishme çdo herë.

Kosova

Më 24 mars të këtij viti, Kombëtarja e Kosovës shënoi një fitore të madhe në takimin miqësor ndaj Burkina Faso, duke fituar me rezultat 5-0. Viti për Kosovën filloi mbarë. Më pas, në një tjetër takim miqësor, Kosova barazoi 1-1 me kombëtaren e Zvicrës, për të fituar më pas në kuadër të Nations League me rezultat 2-0 ndaj Qipros. Forma e mirë e Kosovës nuk ishte e tillë edhe në takimin me Greqinë, kur humbi 1-0 si mysafire më 5 qershor të vitit 2022. Edhe pse shënoi fitore në takimin me Irlandën e Veriut, 3-2, Kosova humbi edhe një herë tjetër nga Greqia, 2-0, dhe më pas edhe Irlanda e Veriut u hakmarr me rezultat 2-1 për të përfunduar ëndrrën e Kosovës në Nations League. Takimin e fundit në Nations League, Kosova e fitoi 5-1 në takim me Qipron. Ndërkaq, dy takimet e fundit, ai ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe përfunduan me barazim. 2-2 ndaj Armenisë dhe nga një gol shënuan secila kombëtare, Kosova e Ishujt Faroe më 19 nëntor.

Donjeta Sadiku

Boksierja Donjeta Sadiku mori medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Budva, një sukses historik. Ajo gjithashtu siguroi medaljen botërore në Kampionatin Botëror të Boksit, që u mbajt në Stamboll të Turqisë.

Getta Beqa

Getta Beqa fitoi dy medalje ari në Kampionatin Mesdhetar IFBB, Maltë duke siguruar një sukses të madh në arenën ndërkombëtare. /KultPlus.com

KultPlus në shtëpinë e çdo lexuesi, në ditët festive me intervista ekskluzive

KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.

Sukseset e Kosovës ishin të shumta këtë vit nëpër sfera të ndryshme, andaj KultPlus këto suksese do t’i gëzojë edhe njëherë duke sjellur intervista ekskluzive të cilat do të mund t’i lexoni më 31 dhjetor, 1 e 2 janar në ditët e festive të Vitit të Ri 2023.

Albion Rrahmani, Detina Zalli, Kushtrim Koliqi, Tom Kuka (Enkel Demi), Shukrije Ramadani, Albana Krasniqi, Ilaz Bylykbashi, Lea Ypi, Ornela Vorpsi, Besa Llugiqi, Elez Nikçi, Adelina Paloja, Mrika Nikqi, vijnë me rrëfime ekskluzive duke sjellur histori shumë interesante nga sirtarët e veprimtarisë së tyre, të gjitha këto intervista mund t’i lexoni në www.kultplus.com, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.

Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.

Urime festat! /KultPlus.com

Vdes ylli i “Sweet Home Alabama”, Bob Penny

Bob Penny, një profesor dhe aktor i kolegjit në Alabama, i cili interpretoi role të vogla në filma, duke përfshirë “Forrest Gump” dhe “Sweet Home Alabama”, ka vdekur në moshën 87-vjeçare.

Penny vdiq në ditën e Krishtlindjeve, sipas një nekrologjie nga Shtëpia Funerale e Shërbimit Laughlin në Huntsville. Ndërsa nuk u dha asnjë shkak i vdekjes.

I lindur në Anniston në vitin 1935, Penny ishte një poet që kaloi tre dekada si profesor anglez, kryesisht duke dhënë mësim poezi dhe prozë në Universitetin e Alabamës në Birmingham, raportoi AL.com.

Gjatë viteve 1980, Penny gjeti punë duke aktruar në reklama televizive për një dyqan lokal, si dhe për një fushatë United Way në Atlanta. Penny u fut më thellë në aktrim pasi u tërhoq nga universiteti në vitin 1990.

“Më pas filluan të vinin filmat. Isha vërtet me fat. I kisha këto role shumë të vogla, por sigurisht që më ndihmuan në pagesën e hipotekës”, kishte thënë aktori.

Penny u shfaq në më shumë se 30 filma dhe seri televizive. Ai u vlerësua si një “dashamirës” në filmin e vitit 1994 “Forrest Gump” dhe luajti një avokat të çuditshëm të qytetit të vogël në “Sweet Home Alabama”, i publikuar në vitin 2002. / KultPlus.com

Iluzioni më i madh ku bien njerëzit, në epokën e mediave sociale

Është e kuptueshme pse shumica e njerëzve besojnë se mendimi i tyre ka rëndësi dhe shprehja e tij është e rëndësishme. Kjo është ajo që bëjnë të gjithë. Kjo temë është kudo në lajme dhe në internet, kështu që edhe ju duhet të kontribuoni dhe të thoni diçka, apo jo? Nuk është gjë tjetër veçse një iluzion.

Anna Lemind*

Nuk ka asnjë dyshim, se mediat sociale luajnë një rol vendimtar në jetën tonë sot. Jemi mësuar aq shumë të kontrollojmë newsfeed-in në Facebook dhe përditësimet e miqve tanë në Instagram sa nuk mund ta imagjinojmë veten pa këto gjëra.

Megjithatë, nevoja për të qëndruar vazhdimisht të lidhur dhe për të ndarë lajmet tona me botën nuk është thjesht një pjesë e jetës sonë. Ka ndryshuar gjithashtu mënyrën se si mendojmë, duke na bërë të bëhemi viktimë e iluzioneve dhe shtrembërimeve të ndryshme konjitive.

Do të doja të përqendrohesha në një prej tyre – nevojën iluzore për të pasur një mendim për gjithçka.

Ta ilustroj konkretisht, më lejoni t’ju bëj disa pyetje:

Cili është mendimi juaj për paradoksin e Fermit?

Pse gjermanët nuk i shkatërruan trupat britanike në Dunkirk gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Pse dështoi komunizmi?

Nëse nuk jeni eruditë të jashtëzakonshëm, me shumë mundësi do të përgjigjeni “Nuk e di” për disa ose të gjitha këto pyetje.

E shihni? Nuk ju vjen turp të pranoni se nuk dini diçka. Dhe nuk është aspak turp – nuk mund të dimë gjithçka. Në fund të fundit, jemi këtu për të mësuar dhe për të evoluar.

Mjerisht, ne shpesh e neglizhojmë këtë të vërtetë të thjeshtë dhe biem në iluzionin se duhet të kemi një mendim kur bëhet fjalë për temat që janë tendencë e momentit.

Tani, më lejoni t’ju bëj disa pyetje të tjera:

Cilat ishin arsyet e fillimit të luftës në Ukrainë?

Cili është mendimi juaj për vaksinat kundër COVID-19?

Pse po rriten çmimet e energjisë?

Këtu, me shumë mundësi do të keni një përgjigje për të dhënë për secilën nga këto pyetje.

Por tani pyesni veten, sa dini në të vërtetë mbi këto tema? Nëse nuk keni një njohuri të gjerë të politikës, ekonomisë ose imunologjisë, ndoshta i dini këto gjëra në një nivel shumë sipërfaqësor.

Megjithatë, ju jeni të sigurt për mendimin tuaj.

Pra, pse përgjigjet tuaja ishin kaq të ndryshme? Ju thatë “nuk e di” në grupin e parë të pyetjeve, dhe megjithatë, grupit të dyta të pyetjeve iu përgjigjët me një shkallë të lartë sigurie.

Cili është ndryshimi?

Iluzioni i të paturit një mendim për gjithçka

Këtu arrijmë te thelbi i iluzionit për të cilin po flas. Një lidhje e vazhdueshme me mediat sociale dhe internetin na mashtron duke na bërë të besojmë se duhet të kemi një mendim për gjithçka. Për më tepër, mendimet tona kanë rëndësi.

Ju shkruani një postim dhe miqtë tuaj në Facebook reagojnë ndaj tij. Ju ngarkoni një selfie me një mesazh politik në Instagramin tuaj dhe njerëzit komentojnë. Ndjeheni sikur ajo që thoni është e rëndësishme.

Në realitet, nuk është e vërtetë.

Mendimi juaj ka rëndësi për sa kohë që flisni për jetën tuaj dhe gjërat që dini. Nëse thjesht ndiqni reklamat, por keni një njohuri sipërfaqësore të temës, mendimi juaj nuk ka rëndësi sepse nuk sjell asnjë vlerë. Nëse nuk e keni studiuar dhe analizuar problemin në thellësi, thjesht përsërisni atë që keni dëgjuar nga të tjerët, keni lexuar në internet ose keni parë në TV.

Megjithatë, është e kuptueshme pse shumica e njerëzve besojnë se mendimi i tyre ka rëndësi dhe shprehja e tij është e rëndësishme. Kjo është ajo që bëjnë të gjithë. Kjo temë është kudo në lajme dhe në internet, kështu që edhe ju duhet të kontribuoni dhe të thoni diçka, apo jo?

Nuk është gjë tjetër veçse një iluzion.

Mund të jetë e vështirë ta pranosh këtë të vërtetë, sepse në epokën tonë të lidhjeve të vazhdueshme, është e çuditshme të qëndrosh larg zhurmës dhe të mos thuash asgjë. Mediat sociale janë këtu që të shprehemi, apo jo?

Në realitet, nuk keni nevojë të keni një mendim për gjithçka. Është në rregull të qëndroni larg temave të momentit dhe të mos keni fare mendim. Është në rregull të mos thuash asgjë.

Ju nuk keni nevojë të mbani anë dhe të krijoni këndvështrime për temat për të cilat nuk dini asgjë, veçanërisht nëse ato qëndrojnë jashtë zonës tuaj të interesit. Nuk është turp të thuash “nuk e di” ose “nuk jam i sigurt” kur dikush të pyet për një çështje politike apo sociale.

Në fund të fundit, heshtja është e artë. Ndonjëherë është me të vërtetë më mirë të qëndrosh i heshtur.

Pra, herën tjetër që do të filloni një debat për një temë “të nxehtë” ose do të ndani një postim politik në Facebook, pyesni veten,

Sa mirë e njoh temën?

A e kam studiuar problemin nga anë të ndryshme?

Mendimi im është në të vërtetë i imi apo thjesht po përsëris diçka që kam dëgjuar nga të tjerët ose në TV?

Ndoshta këto pyetje do t’ju ndihmojnë të shihni të vërtetën. Nevoja për të pasur një mendim për gjithçka është një iluzion.

Në të njëjtën kohë, nëse jeni vërtet të interesuar për një problem në trend dhe dëshironi ta kuptoni më mirë, atëherë sigurohuni që ta studioni atë nga të gjitha këndvështrimet.

Lexoni, shikoni, mësoni. Më pas analizoni informacionin që keni konsumuar. Vetëm atëherë mund të thoni se keni dalë me përfundimet tuaja – jo të dikujt tjetër.

* Autore e “The power of misfits” / KultPlus.com

Dasma përrallore e Mbretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë Appony (FOTO)

Nga dasma e bujshme e Ahmet Zogut në 1938 te ajo e trashëgimtarit të parë në 1975 e deri sot te Princi Leka II.

27 prill 1938

“Më dridheshin këmbët dhe nuk shikoja asgjë. Isha jashtë mase e frikësuar. Dhoma ishte aq e gjatë sa dukej e pafund dhe unë doja vetëm të zhdukesha. Befas, u gjenda ballë për ballë me një fytyrë të hijshme, një burrë i gjatë, pa të meta, i veshur me uniformën e bardhë të kolonelit të përgjithshëm të ushtrisë. Ishin pikërisht sytë që i vura re të parët…”, mes shumë kujtimesh e intervistash këto kanë qenë mbresat e para të Geraldina De Nagy Appony, bashkëshortes së Ahmet Zogut, përpara se të vinte kurorë.

Geraldina nuk e dinte se, pavarësisht fshehtësisë, lajmi për mbërritjen e saj kishte intriguar tej mase kryeqytetin. Pothuajse i gjithë oborri, njerëzit me ndikim dhe diplomatët e dinin që kishte ardhur me aprovimin e Mbretit dhe ishte kandidatura kryesore për t’u bërë Mbretëreshë e Shqipërisë. Ishte viti 1938, viti i martesës së Mbretit Zog I me Mbretëreshën Geraldinë.

NGA BIOGRAFIA E GERALDINËS

“Pjesa më e madhe e plaçkave u soll nga Parisi prej vetë Mbretit, i cili kishte shije të hollë dhe i pëlqente shumë të zgjidhte veshjet për Geraldinën. Ai kishte porositur një rrobaqepës të vinte nga Franca për të marrë masat e Geraldinës, ndërsa dy shtëpitë e modës ”Channel” dhe ”Worth”, të zgjedhura nga Mbreti, bënë një kallëp me përmasat e saj. Geraldina nuk pati mundësi të këshillohej me askënd, pasi Mbreti zgjodhi personalisht tri fustane mëngjesi, gjashtë fustane pasditeje, tri palë kostume, gjashtë fustane balloje dhe rroba sportive.

Nga ”Maison de Blanc në Paris”, ai porositi fustane shumë të bukura për në shtëpi dhe dhjetëra komplete të brendshmesh prej mëndafshi të stolisura me dantella elegante. Secila veshje kishte këpucët, kapelet, dorashkat dhe çantat e veta të kombinuara, bashkë me çorapet e holla prej mëndafshi. Me të vërtetë që ishte një gardërobë që i shkonte për shtat një mbretëreshe”.

Dasma nisi më 23 prill, me një pritje që Mbreti dhe Mbretëresha e ardhshme dhanë për trupin diplomatik dhe për gazetarët e huaj që kishin mbërritur në Tiranë. Shpenzimet e dasmës nuk u mësuan kurrë. Gazeta “Shtypi” e datës 24 prill të 1938 raportoi në faqen e parë: “Banka Kombëtare vuri në dispozicion të Sovranit 10.000 franga ari/me rastin e martesës së tij”.

Por shuma zyrtare ishte shumë më e vogël sesa ajo që derdhën individë dhe kompani private për këtë rast. Dasma u bë eveniment botëror. Hotelet e paktë të kryeqytetit qenë rezervuar për të ftuarit e Mbretit dhe 79 fotografët e gazetarët e ardhur nga e gjithë bota, përfshi Afrikën e Jugut, Argjentinën dhe Japoninë. Dhuratat zunë vendin kryesor në shtypin e huaj.

Regjenti, Horti i Hungarisë pati ofruar një pajton tërhequr nga dy kuaj lipizan, Franca, një servis prej porcelani Sevre, Musolini disa vazo që dikur i përkisnin Napoleonit, ndërsa Mbreti Viktor Emanuel një statujë antike prej bronzi. Dhurata që binte më shumë në sy ishte ajo e bërë nga Kancelari i Gjermanisë, Hitler, një “Mercedez” sportiv kabriole të kuq.

Sipas “Corriere della Sera”, ekzistonte vetëm një ekzemplar tjetër i këtij modeli, ai i Hitlerit. Geraldina kujton se ajo u zgjua në orën gjashtë, pavarësisht faktit që kishte rënë të flinte shumë vonë. Veshja e dasmës ishte zgjedhur sërish nga Mbreti. Ajo veshi një fustan të qëndisur me perla dhe diamante të bërë nga “Worth” posaçërisht për të. Në orën 11:00 nusja hyri në sallën e nderit të pallatit. Shtypi amerikan i kushtoi reportazhe të gjata dasmës, si dhe atmosferës së saj, si ky i “The New York Sun” i datës 27 prill 1938, i titulluar: “Shqipëria bëhet me Mbretëreshë”.

ZOGU DHE GERALDINA TË SAPOMARTUAR

Çifti i sapomartuar udhëtoi në mbarim të ceremonive nga Tirana në Durrës me një “Mercedes” të hapur. Mijëra veta kishin dalë në anë të rrugës për të parë Mbretëreshën 21- vjeçare. Geraldina kujton se ata u ulën në verandë për një kafe, përpara se Mbreti t’i tregonte dhomën e madhe të pritjes të mobiluar sipas stilit klasik, dhomën e ngrënies sipas stilit perandorak të Napoleonit dhe dhomën e gjumit në stilin e Maria Terezës.

Pallati veror sapo ishte restauruar me rastin e martesës dhe Mbreti Zog mburrej për tavanin e gdhendur, larë në ar. Në të qenë shtruar sixhade të shtrenjta, pjesë e koleksionit të rrallë të Mbretit. Sixhadet qenë bashkë me armët një prej pasioneve të tij.

“Nusja zgjodhi një këmishë nate mëndafshi të bardhë me mëngë të gjata me dantella si kambanë dhe priste e tmerruar Mbretin në shtratin me tendë”, dëshmon biografja e Geraldinës. Zogu dhe Geraldina jetuan të pandarë për 23 vjet, derisa ai ndërroi jetë në Paris në prill 1961. Geraldina vdiq në Tiranë në tetor 2002. Në fund të jetës i ishte plotësuar amaneti i vetëm, të vdiste dhe të varrosej në vendin që i kishte vënë mbi kokë kurorën. Në vitin 2014, revista “The Richest” e shpalli atë mbretëreshën e pestë më të bukur në historinë e martesave mbretërore.

Nga Anne Matheson, Madrid / KultPlus.com

Kaos në Twitter: Erë e keqe, tualete të pista dhe letra higjienike, pastruesit në grevë

Erë e keqe, mungesë pastërtie dhe tualete të pista. Kjo është situata që duket se mbizotëron në Twitter, pasi Elon Musk mori postin e CEO, vendimet e të cilit kanë shkaktuar kaos në jetën e përditshme të punonjësve.

Sipas New York Times, plani i uljes së kostos i vendosur nga Elon Musk ka të ngjarë të ketë një ndikim negativ tek punëtorët, madje edhe ata që kanë mbetur.

Në selinë qendrore të Twitter në San Francisko, katër kate u mbyllën, duke lënë punëtorët të grumbulluar në vetëm dy.

Shërbimet e pastrimit janë ndërprerë kryesisht pasi punëtorët hynë në grevë për paga më të mira, duke lënë të fortë erën e djersës dhe erën e mbetjeve ushqimore.

Punëtorët flasin për tualete të pista, ndërsa disa janë të detyruar të përdorin letra higjienike që marrin nga shtëpia.

Musk ka pushuar nga puna punonjësit e pastrimit në zyrat në Nju Jork. Burime të brendshme thonë se në bazë të të dhënave një nga dy godinat aty mund të mbyllet. Në Krishtlindje, Musk urdhëroi gjithashtu njerëzit në Sacramento të mbyllnin qendrën e të dhënave në Twitter.

Twitter gjithashtu ndaloi pagesën e qirasë për zyrat e Seattle, sipas dy personave që folën për The New York Times.

Kompania thuhet se ndaloi pagesën e qirasë në zyra të tjera javët e fundit, si dhe në selinë e saj në San Francisko. Për të ulur kostot, Twitter po përpiqet të rinegociojë kushtet e marrëveshjeve të tij të qirasë.

Musk u përpoq të kursente rreth 500 milionë dollarë në kosto që nuk lidhen me punën, raportoi NYTimes, duke cituar një dokument të brendshëm.

CEO i Boring Company, Steve Davis, i cili thuhet se flinte në selinë e Twitter me partneren e tij dhe foshnjën e tyre të porsalindur, ka marrë përsipër biznesin e uljes së kostove me ndihmën e Jared Birchall, shefit të zyrës së familjes së Musk.

Megjithatë, punëtorët presin më shumë pushime nga puna, duke pasur parasysh rënien e të ardhurave nga reklamat në fillim të dhjetorit./oranews/ KultPlus.com

Me tatuazhin e Putinit në gjoks, teatri në Milano anulon shfaqjen e balerinit

Teatri Arcimboldi në Milano ka anuluar dy shfaqjet e balerinit Serghei Polunin. Yllit i kërcimit rock me origjinë nga Khersoni, por pro rus, ishte në qendër të polemikave, për shkak të tatuazhit të portretit të Putinit në gjoks, të cilat çuan në anulimin e shfaqjes.

“Vendimi u mor në marrëveshje me kompaninë. Nuk ka klimë që të përfaqësojë një shfaqje arti dhe të nxjerrë ndjesitë e duhura prej saj. Ndoshta klima ka ndryshuar përgjithmonë”, shpjegoi drejtori i Arcimboldi, Gianmario Longoni.

Vendimi për të anuluar shfaqjen e Polunin e cila ishte planifikuar të ishte në Teatrin Arcimboldi në Milano në dhjetor 2019 dhe më pas u shty pesë herë për shkak të Covid-it dhe një dëmtimi të balerinit, nuk ishte “i sferës kulturore, por  i përgjegjësisë sociale”, kanë shpjeguar drejtuesit, transmeton a2news.

“Në një klimë tensioni dhe kërcënimesh, e kemi të vështirë të mbajmë zgjedhjet tona artistike, vlerat e pacifizmit dhe tolerancës së të cilave janë të natyrshme në programimin e vetë teatrit, i cili tashmë ka marrë anë kundër mizorive të luftës duke organizuar Gala-n “Dance for Peace” në prill 2022″. Spektatorët që kanë blerë bileta për shfaqjen do të mund të kërkojnë rimbursim duke ndjekur udhëzimet në faqen e internetit të teatrit./a2news/ KultPlus.com

At Gjergj Fishta duke recituar një pjesë të Lahutës së Malcis (VIDEO)

Fishta, i lindur më 1871, ishte frat, shkrimtar (poet e prozator), përkthyes, publiçist, arsimtar, estet, piktor (jo profesionist, mendohet të ketë mbi 20 piktura) deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.

Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”, shkruan KultPlus.

Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”.

Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”, më 1913 “Mrizi i Zanave”. Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj.

Si mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe, ai i kishte vënë vetes si qëllim që të luftojë për të ngritur nivelin kulturor e arsimor të bashkëkombësve dhe për të nxitur tek ata dëshirën për përparim dhe për atdhedashuri, si dy shtylla qe do t’i ndihmonin për të mbajtur në këmbë shoqërinë shqiptare të goditur nga pushteti disashekullorë otoman. /KultPlus.com

Hovenier: Kosovën më 2008 e kemi njohur me kufijtë ekzistues, veriu është pjesë e Republikës së Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, ka sqaruar se veriu është pjesë e Republikës së Kosovës dhe SHBA ashtu e trajton. Kjo ka arhdur pas gjithë zhvillimeve të ndodhura në veri të Republikës së Kosovës dhe kërcënimeve edhe të Serbisë se mund të vendos përsëri barrikada dhe ta bllokojë përgjithmonë pjesën veriore të Kosovës ku “Prishtina s’mund të kalojë”. 

Hovenier ka thënë se SHBA-ja e ka njohur Kosovën në kufijtë ekzistues dhe se veriu i Kosovës është pjesë e Republikës së Kosovës dhe SHBA-ja e trajton si të tillë.

“Dua të them edhe një gjë të rëndësishme që është relevante në kontekstin e pyetjeve që keni bërë. Ky është një pozicioni i SHBA-së që s’është i ri. Kur e kemi njohur Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2008 e kemi bërë me kufijtë ekzistues. Dhe dua të përsëris këtë. Dua të sigurohem që njerëzit ta kuptojnë që nga perspektiva jonë veriu i Kosovës ka konsideratë më te veçantë, është pjesë e Republikës së Kosovës dhe ne e trajtojmë ashtu. 

Dua që ta theksoj këtë sepse ka pyetje të shumta për veriun e Kosovës. Unë dua t’iu siguroj që pozicioni i SHBA-së është shumë i qartë , është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, e konsiderojmë ashtu dhe e trajtojmë ashtu.”, ka thënë Hovenier. 

Ai ka shtuar se punojnë shumë ngushtë me partnerët që të ketë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në çdo cep të vendit. 

“Duke e pranuar që punojmë shumë ngushtë me partnerët ndërkombëtar, KFOR-in dhe EULEX-in dhe tjerët për nevojën e vëmendjes dhe përkushtimit dhe marrjes së veprimeve të veçanta për t’u siguruar se qytetarët e Kosovës dhe ata që jetojnë në veri të Kosovës së bashku marrin garanci dhe mbrojtje nga shteti. Por është pjesë e Republikës së Kosovës”, ka shtuar Hovenier./Express/ KultPlus.com