Arshi Pipa, disident në jetë dhe në vepër, kurajozi i zëshëm i demokracisë, arketip i jokonformistit

Nga Albert Vataj

Asht pak me than, se Arshi Pipa mbetet nji prej figurave ma t’njimendta të vetëdijes dhe veprimit demokratiek. Ai ishte shumë e shumë më shumë se kaq. Ai ishte dhe mbeti nji za i kurajshëm i vlerave. Ndoshta do ta kishit t’pamujtun për me e gjet nji personifikim të të përsosunes së disidentit në jetë dhe në vepër. Tue e kërkua e tue dasht me nxjerr prej kohet e sprovave, shtjellave përpirëse dhe zemëratave të diktaturës komuniste e mbas, e tash ja ku mundet pa droje me e gjithëpranu, ai asht Arshi Pipa. Punoi me mish e me shpirt, lufto me thonj e me dhëmbë për me mujt me dishmi njat univers t’përsosun t’ngadhnjimtarit, dishepullit të dijes e nxanjes, kreshtës së kushtrimeve e kumtimit, kungimit dhe krijimit. Tançka në të e me të kishte mujt me u ngjiz e me marr hov me u jetësu si një Ante antik, në çdo puls, në çdo mendim, në çdo dashtuni e veçanti shprehëse.

Arshi Pipa (Shkodër, 28 korrik 1920- Washington, 20 korrik 1997), ç’nuk ishte, çmos bani e gjithqysh diti dhe mujti, ai u rrek e i’a doli për me ken nji poet kushtrues e nji lirik i tamëlt; nji gjuhëtar i zoti dhe gladiator i paepun i arenave t’gegnishtes; kritik, ndoshta me pak shokë mbas vedi, për nga thellësia dhe larmi e trajtesës; përkthyes dhe pedagog gjithëpoaq gjurmlans në trashigiminë tonë kombëtare. E tan jeta e tij ishte e mbushun me përpjekje, me vuajtje e me sfida, me gjithëçmos qi mujti me marr prej tij ma t’mirën vepër, ma t’vyemën vlerës, t’përgjithmonshmen dëshmi të shpirtit triumfues.

Nga jeta

Leu në Shkodër, i biri Mustafa Nuriut dhe Hatixhe Lloshit. Arshiu qe me prejardhje libohovite nga i ati dhe nga e ëma shkodrane me origjinë dibrane. I ati qe jurist i shkolluar në Stamboll, në kohën e Luftës së Parë Botnore qe jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër, administratë shqiptare, për herë të parë në gjuhën shqipe, e krijuar nga austro-hungarezët. Më vonë, në vitet ‘23-‘26, do t’u emëronte anëtar i Gjyqit të Diktimit. E ëma, Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye.

Kishte vëlla nga i ati Muzaferin, dhe katër motra të një barku: Nedreti, Fehimja, Bedrija dhe Bedi.

Vitet e para të arsimimit i mori tek Kolegji Ksaverian e më tej në liceun shtetëror të Shkodrës në ndarjen me profil klasik më 1938. Me përkujdesjen e të atit për formimin në traditën fetare të familjes tyre, ndiqte mësime edhe në medrese gjatë mbasditeve. Më 1936 me poezinë “Në lamën e luftës” fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja “Cirka”. Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u laureua më 1942 me dizertacionin “Morali dhe feja tek Bergson”.

Kthehet në Shqipëri dhe nga viti 1941 deri më 1946 jep mësim ndër shkollat e mesme të Tiranës dhe Durrësit. Kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Merr pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, ku punimet i drejtoi S. Luarasi. Më vonë i kërkohet të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në një takim letrar në Shtëpinë e Kulturës në Tiranë lexon “Këngën e Pleshtit” të Goethes duke thumbuar kështu Sh. Totozanin, i cili u bë shkak që Pipën ta zhvendosnin me punë në Durrës. Atje lexon një tjetër poezi të titulluar “Bushtra”, dhe pas një tjetër mbrëmjeje poetike në Tiranë ku në krah kishte N. Spirun që nuk e njihte arrestohet me 27 prill 1946 dhe dënohet me dy vjet heqje lirie. Ridënohet – dhe gjatë marrjes së dënimit merr vesh vdekjet e të vëllait – më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i një grupi social-demokrat bashkë me P. Kaçinarin, H. Ballhysën dhe P. Gjeçin. Vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, Tiranë, Burrel etj.), ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”. Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949 bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë.

Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë gjer më 1959.

Gjatë asaj periudhe përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine (250 faqe, me përkthime, dhe kapituj mbi elemente metrikë dhe shënime.

Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofinë (1960). Gjatë vitit akademik pasues, meqenëse ra në sy për njohjen e thellë të italishtes, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë, ’61, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..

Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar (Profesor i asociuar i përkohshëm në vitet 1963-64) në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Atje u jepte mësim kurseve të letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor, (1965), si edhe filozofi Romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D). Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dhimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës (gjithashtu në Anglisht) dhe, në veçanti, kurseve të ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres, Fatimes.

Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehi, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhanë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkrue me dhimbje krahnori për gjendjen e mjerueme të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë ma të madhe nëse Vatra mban nji qendrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qellim për ta vu ate në shërbim të problemeve me randësi të jashtëzakonshme historike, qi dolen para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëni dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtë, ai iu kushtue me të gjitha energjitë rimëkambjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkrue me hollësi për to. Puna e tij asht pasqyrue, gjithashtu, në numrat e “Diellit”, që editoi ai gjatë kësaj kohe.

Veprat

Veprimtaria e tij përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikë s, gjuhësisë, politikës, publicistikës.

Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, nji përmbledhje lirikash qi dishmon një talent novator në shpërthim, e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruem në letra cingaresh, në burgjet e kampet e punës së detyrueme, e botoi në Romë në vitin 1959. Asht nji përmbledhje liriko-epike, pasqyrë e gjallë artistike e motiveve qi i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve të vdekjes, ku kaloi dhetë vjet. Një ditar i vërtetë që ka për të mbetë një nga dishmitë artistike ma të sakta të asaj qi ndodhi me ata që nuk iu nënshruen regjimit të përgjakshëm diktaturial. “Nuk njoh në të gjithë letërsinë shqipe vargje më tronditëse sa ato të botuara në librin e quajtur thjesht “Libri i burgut”. Tek lexon poezitë e Arshi Pipës, ndjen klithmat, britmat, plagët, poshtërimin njerëzor, në emër të ca idealeve absurde dhe hipokrite. Është një sketerrë më e tmerrshme sesa Ferri i Dantes, sepse ky është ferri i njerëzve të pafajshëm e jo i mëkatarëve. Është materia e Parajsës e transplantuar në Ferr”, ka shkruar shkrimtari Rudolf Marku.3).

Punë e burgut asht edhe “Rusha” (botue në Munich, 1968), poemë epike me një subjekt të theksuem dramatik të periudhës së gjysës së dytë të shek. XIV, qi trajton nji histori dashunije dhe hakmarrjeje mes shqiptarëve e serbëve në sfondin e zakoneve tona tradicionale. Me 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, nji përzgjedhje nga botimet e maparshme dhe disa poezish të pabotueme, qi tingëllon si jehonë e mirëfilltë e nji testamenti poetik.

Krijimet poetike të Arshiut shquhen për një talent të fuqishëm, për shumësi e përzgjedhje motivesh, për trajtim të tyne në nivele artistike të lakmueshme, dhe për një përkushtim të madh ndaj punës krijuese, pa lanë mangut gjuhën poetike jashtëzakonisht të pasun e të pastër, të zgjedhun me kujdes si rrallëkush.

Po veçoj, sa për ilustrim, nga “Meridiana”, “Preludet”, të shkrueme në Firence dhe Tiranë në vitin 1941. Tharme poetike, yshtëse imtimesh meditative me forcë të madhe purifikuese, të enduna në veshje tekstore moderne; fluiditete lirike të derdhuna në simfoni ritmesh e tingujsh të magjishëm. Këto janë “Preludet”. “Urgjencca të mbrendshme”, siç i pati quajtur ai shtysat e fuqishme shpirtnore për t’i dhanë jetë poezisë. Befasuese për letrat shqipe të asaj kohe, dhe po aq befasuese edhe sot e kësaj dite.

Pipa na ka lanë nji trashigim të pasun edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njivjeçare qi jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu nji vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësueme edhe me shenime të ndryshme metrike), mbetun në dorëshkrim. Po ashtu, mbetun në dorëshkrim, asht edhe nji vëllim poetik i shkruem në tri gjuhë europiane me titull “Autobiografia”.

Nji veprimtari jashtëzakonisht të gjanë na ka lanë në hapësinën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vjetëve në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada ” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ” , vepër rreth 900 faqesh, që shquhet sidomos për thellësi dhe origjinalitet në trajtimin e personaliteteve dhe dukunive letrare që shqyrton, nën prizmet estetike moderne të strukturalizmit dhe komparativizmit. E tham me plotgojë që në asnjë botim të kësaj natyre nuk kam gjetë atë dendësi sqarimesh në fundfaqet (fusnotat), shënimesh bibliografike, indeksesh gjithfarësh, – një skrupolozitet shkencor për t’u admirue.

“Trilogjia Albanica’, shkruen Peter Prifti, si e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, është një vepër ndriçuese, një minierë e pasur për poetët, folkloristët, etnologët, gjuhëtarët e etimologët, historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe në përgjithësi. Risia e formës së saj, diapazoni i gjerë i ideve dhe disiplinave që ajo qarkon, trajtimi original i subjektit dhe pasuria e të dhënave, i jep kësaj vepre një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Nuk është e tepërt të them se Trilogjia Albanica e vendos autorin e saj si një studiues lider në SHBA për De Radën dhe popullin Arbërësh, për strukturën e poezisë shqiptare dhe karakterin e letërsisë shqipe në përgjithësi”.4).

Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Italo Costante Fortino, ka thanë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban nji kontribut të parë . . . për nji rend të ri qi duhet të vendoset në letërsinë dhe, në radhë të parë, në kritikën letrare” 5). Fjalët e Fortino-s vlejnë gjithashtu për “Trilogjinë shqiptare”. Nuk mund të bahen hulumtime shkencore në fushën e kritikës letrare pa marrë në konsideratë mendimet dhe tezat origjinale të Arshiut, dhe pa mbajtun qindrim miratues a kundërshtues ndaj tyne.

Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botue në shypin e huej si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di lettrature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des études sud-est européennes”.

Në këtë lamë, Pipa asht shtye edhe në letërsinë botnore, sidomos për letërsinë italiane. Ka botue artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botue në revistat e hueja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.

Një nga frytet, ma i vlerti, i kësaj pune asht vepra “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyeme në italisht dhe, kohët e fundit, nëse nuk jam gabim, edhe shqip. Me këtë vepër, ai e rreshtoi veten ndër studiuesit ma të mirë botnorë të këtij subjekti, d. m. th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vumjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales. “Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, ka shruar Astrit Lulushi, libri ‘Montale and Dante, vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet më të thella e më të hollësishme rreth poetit të madh Italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje”. Dhe më poshtë: “. . . pa veprën e Pipës, “Montale and Dante’, kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. 6).

Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashigimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, qi e kemi përmendun ma nalt, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtuna në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj.Mbetun në dorëshkrim asht vepra filozofike “La mia concezione sulla vita” (Kuptimi im mbi jetën).

Më vjen si e nevojshme të përmend këtu mendimin e Pipës për nji nga parimet ma të qenësishme të estetikës, atë që lidhet me të bukurën në art përballë të moralshmes. Tue folun për Benedeto Croce-n, Pipa thotë: “ . . . E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra nji vepër morale ose jo, janë në dorë të artistit. Kështu një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shruej kurr” (Nënvizimi im, A. Ç).

Nji kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikë s dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut pregaditi një vepër me materiale folklorike të mbledhuna nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikueme, pa llogaritë këtu nji hymje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzue Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.

Të botueme në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i asht kthye përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botue në v. 1984, në vëllimin “Studies on Kosova” (edited by Arshi Pipa and Sami Repishti). Tue u bashkue me studiuesit Alois Schmaus, Stavri Skendi, e ndonji tjetër, Pipa e trajton ciklin e kangëve të kreshnikëve, të malësorëve tonë të Veriut, si një version të eposit boshnjak, të modifikuem nga psikologjia jonë etnike dhe traditat tona zakonore.

Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosun në nji forum ku liria e fjalës përbante sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin qi “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; nji përfundim të cilit nuk mund t’i hiqish asnji presë, (siç thotë nji shprehje popullore), dhe qi ma në fund asht pranue prej të gjithëve.

Me interes asht të parashtrojmë ndonji mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohti dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qindrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 7). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 8). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskënisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”, kurse Virgjilin në toskënisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 9). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukunie, ndërgjegjja shqiptare, për këtë çashtje madhore, asht ajo që asht: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipni, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetë shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989. Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj.

Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në lamin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vjetin 1944, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqnojë ate gjithnji ma vonë, kur do të shkruej veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen kulme të tilla të letërsisë e të kulturës sonë si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetun edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkrueme për Konicën e dishmon atë si nji kritik të kategorisë së parë. Ajo mbetet edhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e kritikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Dhe , në vitin 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos”(Kaliforni).

Në vitin 1990, filloi të botojë në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Crticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i randësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuen artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.

Mbrojtja e çashtjes shqipare në të gjitha trojet tona qe qellimi i revistës. “Kjo revistë po del në nji kohë, – shkruhej në kopertinën e fundit, – kur si Shqipnija ashtu edhe Kosova janë tue përballue nji gjendje krize të jashtëzakonshme. Ndërsa shqiptarët n’atdhe, të neveritun prej robnisë staliniste, po braktisin atdhenë tue marrë rrugën e mërgimit, kosovarët, n’anën e vet, vazhdojnë me braktisë Kosovën për me i shpëtue robnisë serbe. . . Por ka nji ndryshim mes gjendjes në Shqipni dhe asaj në Kosovë e në disa republika jugosllave ku banojnë nji shumicë shqiptarësh. Shqiptarët e Jugosllavisë, ndonëse të persekutuem, organizohen dhe protestojnë, kurse shqiptarët n’atdhe nuk guxojnë as me bëza. Por mergatën arbënore qi jeton ndër vende demokratike nuk e ndalon kush me folë. I përket asaj me u ba zadhanësja e të heshtunvet.” Dhe e tillë u ba Albanica. Numri i parë iu kushtue “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizue harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipnisë.

Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj.

Në këte numer janë botue, letrat qi Pipa u ka dërgue Presidentit Amerikan George Bush, dy letra Sekretarit të Shtetit James A. Baker, Sekretarit të Përgjithshem të Kombeve të Bashkueme, Javier Perez De Cuellar për çashtjen shqiptare në përgjithësi.

Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demokrat kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

Arshi Pipa vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C., me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.

Pipa qe një mbrojtës i flaktë i çashtjes kombëtare, atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindun, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhun, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ia kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruente në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhun në Bronx qindron, që prej vitit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktatorit ose nostalgjikët e tyne, e ka të zorshme me pranue nji personalitet të tillë si Pipa, qi i ka demaskue nji jetë të tanë. Aty-këtu, individë të veçantë dhe institucione kulturore demokratike kanë fillue me ba hapat e parë për të nxjerrë në dritë veprën shkencore e letrare të tij. Po diaspora jonë? Asnji veprimtari promovuese për punën e madhe atdhetare, shkencore, artistike, botuese. Përveç ndonji artikulli me shumë vlerë si ai i Astrit Lulushit, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”, dhe 2-3 shkrimeve kritike tendencioze, nuk më ka xanë syni tjeter. Borxh i papaguem i “Vatrës”, i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe, në përgjithësi, i inteligjencës së këtushme. /KultPlus.com

Historija e dhimshme e “shpirtit të ri”

Nga: Arshi Pipa

Jeta qi mbyllet si nji libër, sado i hollë, i shkruem deri në faqen e fundit, ka me vehte ngushllimin e vet. Te drami i jetës, jo te fundi i saj asht dhima.

Në Nr. 51, dt. 11 Prill 1936, e përkohshmja “Illyria”, ku u botuen e shumta e prozavet të Migjenit dhe disa nga kangët e tija, lajmonte botimin e afërm të “Vargjevet të Lira”. Disa muej ma vonë libri ishte gati, i mungonte vetëm indeksi. Kur befas, Migjeni e pezulloi botimin, dhe libri i paplotsuem, shtypun në njimij copë, mbeti atëherë e deri sot ndër depot e shtypshkronjës “Gutenberg”.

Ndërkaq, tue pritë rasën e volitshme për t’a botue, kalonte koha. Migjeni ndodhej asohere mësues në Pukë, nji qendër nënprefekture e Shkodrës, qi asht nji vend i mirë klimaterik. Në Pukë aj kishte dashtë të shkonte për asrye të shëndetit të tij të dobtë. Mësimi atje bahej ndër muejt e stinës së ngrohtë, kështu qi njikohsisht me mësimin bahej dhe verim. Në Pukë Migjeni kaloi edhe verën e vjetit t’ardhshëm. Ftisija, e përgjumun për do kohë, kish nisë t’i çfaqej atëherë, shëndeti i tij ishte tronditë; dhe kjo tronditje ndihet qartë n’ ato kangë të fundit të cilat u shkruen në kët stinë (Prill-Qershuer 1937). Në Dhetorin e 1937-ës Migjeni vinte në Torino për me u regjistrue në fakultetin e Letersís. Në mars të 1938-ës hynte në sanatorium. Do të vuente aty nja pjesë muej, derisa me 26 gusht 1938 vdiste në Torre Pellice, nji naltësi afër Torinos, ku kishte shkue me ndrrue klimë. Ishte atëherë njizeteshtat vjeç, tue pasë lindë me 30 Shtatuer 1911.

“Vargjet e Lira” mbetën kështu pa u botue. Por emni i Migjenit ishte tashma i njoftun, dhe vdekja e tij e trishtueshme në dhé të huej, lëshoi rreze të ngrohta simpatije mbi veprën e tij. Libri i paplotsuem u kopjue me dorë, u daktilografue, dhe qarkulloi nepër popull. Botimi i soçëm1 vjen për me i dhanë fund peripetivet të këtyne “vargjet të lira” qi, kontrast i bindshëm, patën fatin e atyne qi ma shum se të gjithë dashunojnë lirín – e janë të ndrymunit, tue mbetë per tetë vjet të mbylluna ndër faqe librash të harrueme.

Ky botim i dytë ndjek botimin e parë deri në poezín e mbrame të grupit “Kangët e Rinís”. I mungojnë vetëm dy poezí: “Parathanja e Parathanjevet” dhe “Blasfemi”. Kan ma tepër ato gjashtë poezi të kapitullit të mbramë të cilat janë nxjerrë nga nji fletore në dorëshkrim e poetit. Ndoshta prej nguti, nuk janë botue kto kangë në rendin e tyne kronologjik në të cilin i kishte vue autori. Ky rend fillon me “Kangën që s’kuptohet” (Maj, 1936), dhe vijon me “Nji natë pa gjumë”, “Vuejtja”, “Frymzim i pa fat”, “Vetmija”, “Nën flamujt e melankolisë”, shkrue të gjitha në Pukë, në periudhën Prill-Qershuer 1937.

Janë në kët vëllim gjithsejt 41 vjersha të ndame ndër gjashtë kapituj si vijon: “Kangët e Ringjalljes”, “Kangët e Mjerimit”, “Kangët e Përndimit”, “Kangë në vete”, “Kangët e Rinís, dhe “Kangët e fundit”.

Kjo ndamje, mund të vrehet lehtë, nuk asht kronologjike por logjike. Janë përmbledhë në nji grup ato kangë që janë gjiní mes tyne. Edhe rendimi i ktyne asht bâ mbas nji plani. Poet qi rrëfen ndër vargje historín e jetës së vet. Migjeni ka pasë kujdes t’u api ktyne kangëvet at zhvillim logjik nepërmjet të cilit jeta merr kuptim. E mbasi poezí e jetë te poeti i njimendtë janë synonime, e shofim Migjenin tue modelue jetën e vet mbas melodís së mbrendëshme. Kur vdes poezija e tij ka vdekë edhe aj. Burue nga rrajët e thella të jetës, poezija i prîn asaj tue e tejkalue: njef fatin e vet para se me e pasë jetue deri në fund.

***

Mund të quhet Migjeni “poeti i të mjervet” dhe vepra e tij nji “poemë mjerimi” e vazhdueshme e ndërpreme prej hovesh të flakta për me i shpëtue ktij mjerimi fatal.

Ndër skutat e qelbta të rrugavet, mes poteravet të tymosuna të mejhanavet, mbi shtratet e zhyeme të prostitutavet, ndër burgje, ndër kësolla edhe ma t’errta se burgjet, lohet nji tragjedí (apo nji komedí?) e përherëshme. Njerëzit qi e losin (njerëz a maska?): lavira, rrugaça, dobiça, hajna, pijanecë, të burgosun, të sëmundë, të çmendun, sillen në nji valle fantasmagorike turpi e uje të pa-fund.

Lavira:

Hesht njeriu pranë grues që qan e turpnueme…
Syni i venitet
në tê loti vërvitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues i a lê – dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodinë e këputun.
(Melodi e këputun)

Valltare rrugash lavira:

Dy hapa para, dy hapa mbrapa
me kambë të zbathun
me zêmër të plasun,
dy hapa djathtas, dy hapa majtas…

….

Jeta e saj asht këjo vall’ e çmendun
në rrugat e qytetit t’onë…
(Baladë qytetse)

Lypsa:

Nga mshira e pamshirve
lypsi i vogël gjallonte.
Jetën e rrokullonte
nepër udha të ndyta
nepër skaje t’errta
nepër pragje të ngurta…
(Fragment)

Pijaneca:

Mjerimi ka motër ngushlluese gotën.
Ndër pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
në fyt për me harrue nândhetendand’halle.
(Poema e mjerimit)

Rrugaça, hajna, të burgosun e prap e gjithnji lavira:

Pralla mbi fëmi rrugaça
bark-jashtë e me hundë të ndyta
që dorë shtrijnë me vjedhë, me lypë,
e ngihen me fjalë të ndyta.

Pralla mbi varza të fyeme
me faqe e me buzë të thithna.
Prralla mbi djelm, me të thyeme
shprese, në burg me duer të lidhna…
(Lagja e varfun)

Ky asht skenari qi zbulon syni i Migjenit. Tjerët kan kalue pa e shënue. Vagabonda, të burgosun, lavira! Bota sjell kryet mënjanë për mos me i pá kto qenje të mjera të neverituna… Migjeni i ban protagonista të poemavet të tij. Nji simpatí e fortë e afron kah kta të dënuem, kah kto viktima të shoqnis. Kush asht aj tekembramja? Nji mësues katundi, nji i sëmundë qi nuk mund të shërohet pse nuk ka pare. Por ndërsa të tjerët kan heshtë aj çon zanin. Të tjerët ngushllohen me mëshirë. Aj bërtet:

Mjerimi s’do mëshirë. Por don vetëm të drejt!
Mshirë? Bijë bastardhe e etënvet dinakë
të cilt në mnyrë pompoze po si farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjet dhelparak
tu’ i a lëshue lypsit një grosh të holl’ në shplakë.
(Poema e mjerimit)

“Kangët e mjerimit” përbajnë grupin ma të gjatë të poezivet të librit. Disa prej tyne, sidomos të parat, janë ma fort përshkruese (Baladë qytetse, Melodi e këputun, Lagja e varfun, Rima e tretun, Fragment). Titujt spjegojnë motivat. Janë motiva të dalun nga nji botë reale, jo nga kujtime t’ambla fminije, jo nga malle dashunore: motiva qi “shkarraviten” nepër fëtyra të skamnorvet vetvetiu, si me dhunë (Motivet). Të gjithë kta motiva orkestrohen te “Poema e Mjerimit”, pasqyrë e lakueme ku vuejtja del me trajta të dhimshme të shtrembnueme për bind.

Në kët fantasmagorí zgërdhimjesh e vajesh aj cakton vendin e vet:

Unë-lugat! Si hij’ e trazueme,
trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit
endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme,
dhe me klithma të pakënaquna t’instinktit.
(Recital i Malsorit)

Por klithmat e tija mbesin pa jehonë. E i duket atëherë vehtja si në nji burg, në burgun e të gjallëvet, aj fantazëm uje e shekujvet qi endet mes tyne tue virrun kot.

Hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj’ e eme
dy anmiqë të betuem, luftojnë dit’ e natë;
por hekri i fortë e mund ndërgjegjën t’eme
dhe në deshprim përplasem si një qen i ngratë.
(Kanga e të burgosunit)

Lugat! Por edhe i burgosun! Fillon me njoftë ku gjindet. Por nuk dëshpërohet. Përkundrazi merr zemër. U ka britë njerzvet e ata kan heshtë. Njerzija asht si nji mal, i pandishëm. Dhe i del përpara, ja mbyllë rrugën, ja pret hovin. Aj i kërcnohet me i rá grusht në zemër, me e shkundë… maraz titajsh! í pafrytshëm. Mali heshtë e në heshtje e tallë. Tallja atê e tërbon. E ndërsa ndihet “luâ i ndryem në kafaz”, urrejtja e tij endet kërcnueshëm mbrenda hekuravet.

Nuk ka me heshtë pra. Dhima e tij do të jetë jo e butë, por e egër, gërthitse: “dhimbë krenare”.

O kangë e dejë e dhimbës krenare…
Mos pushò kurrë! Por bashkë me vaje
si dy binjakë këndoni mjerimin
se koha do të ju bijë ngushllimin.
(Kanga e dhimbës krenare)

N’at burg vetmije të trishtueshme ku aj gjindet, shpresa në t’ardhshmen e ngushllon e i ep zemër me jetue. E atëherë kanga e tij, mrekullí e besimit të plotfuqishëm ndër ideale, naltohet me vërtik shqyponje, e në mes t’asaj mizerje ku dergjet tragjikomedija njerzore, ndërmjet zgërdhimjevet t’atyne qi tallin idealet, prekë për herë të parë kulpoezije. Vetmija e rritë para syvet të vet. Nji emën i vjen te buza: Nietzsche! E për nji ças, kangatari i të mjervet puqet me kangatarin e Mbinjeriut. Kjo botë duhet rrenue! Kjo botë asht e padêjë! Njeriu duhet të zhduket për t’ardhë Mbinjeriu! Atê qi filosofi – poet tha me kuptime metafizike të veçanta, Migjeni përsëritë në nji valë dëshpërimi të mbytun në nji hov dithyrambi:

N’ardhmeni të trash’gueme Mbinjeriu vrehet.
ndërgjegjë pa dyshime,
ndërgjegjë pa trillime,
me një grusht graniti që kurr nuk do thehet.

Një sfings i madhnueshëm Mbinjeriu i ardhshëm,
pa zêmër, pa ndjenja,
syt e tij rrufena –
qarkullojnë rreth rruzllit tue synue vrânshëm.

Kohnat e kalueme në ballë të Mbinjeriut
janë gjurma luftimi
janë shenja hidhnimi
– se jetë e ré lindet me vdekje të njeriut.
(Trajtat e Mbinjeriut)

Duhet nji rigeneracion i shoqnís prej themelesh. Njerzija asht kalbë. Duhet pastrue! Tradita (“pesha e fatit”) ndrydhë e shtypë.

Na shtypi fati e na bani krymba
ne kensit dykambësh që zbuluem hy’n
edhe aq ma tepër e ngatrruem ny’n…
shpirtent t’onë skyfera deshen të bahen pëllumba.
(Rrini mor skyfera! Pse të baheni pëllumba?…)

E ma poshtë:

Të vërtetat dhe rrenat? – Xhevahirët e çmuem.
Me ta kur të duesh e shet dhe e blen botën.
(Pesha e Fatit)

Dallimet konvencjonale mes së vërtetash dhe së rrêjshmesh janë false. Si pat thanë Nietzsche. Njeriu (o Mbinjeriu) i rigeneruem, nuk duhet të ketë dyshime, iluzjone. Duhet të jetë nji sfinks: pa zemër, pa ndjenja; vetëm logjik e violent. Influenca e Nietzsche-s puqet këtu me atê të Dostojevski-t (Raskolnikov, Stavrogin, Kirilov). Njeri prej hekuri: mekanik, do të precisojë ma andej, nën influencën e qytetnimit mekanik modern.

Këtu Migjeni ndeshet me fén, antagonisten e tij.

Fén (ortodokse) aj e njifte mirë, tue pasë krye seminarin e Manastirit. Nuk e kishte bâ prej qejfi kët jetë seminari. Kishte fitue nji bursë dikur dhe, për me e ruejtë, i ishte dashtë me kalue në seminar, ndryshej nuk do të kishte mujtë me vijue studimet. Mandej, si mbaroi seminarin, në vend qi të vazhdonte karrierën priftnore, erdh n’atdhé, u fut në jetën e të vorfënvet. Kontrasti i madh e shtangu:

Xhamijat dhe kishat madhështore ndër vende t’ona të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shpijat t’ona përdhecke.
(Blasfemi)

Atëherë aj dyshoi dhe ky dyshim i tij qe i idhtë e plot mllef, paditës:

Për ditë përndojnë zotat
dhe rrëshqasin trajtat e tyne
mbi vjet dhe shekuj
dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri.
(Parathanje e parathanjevet)

Por aj adhuronte edhe Alioshën Karamazof. Dhe njeriu qi adhuron Alioshën, në mos qoftë fetar, asht thellësisht njerzuer. Si Aljosha prej monastirit, edhe aj kishte dalë prej seminarit, tue u përzí me turmat ku vlojnë epshet e mbrapshta. Dhe ishte i mirë e i pastër gati si Aljosha. Dashunitë e tija ishin platonike, adhuronte bukurín si ideal qi frymzon. Gruen e dashunueme e këndoi me ekstazë shpirti, jo me epsh pasioni. E quejti: “grue a hyjneshë” (Nji natë). I përshkroi jo trupin por fëtyrën, dhe te fëtyra sidomos sytë: “të kaltër” (Z. B. ), “të zez” (Një natë). Sensualiteti i tij nuk shkoi përtej buzvet, “të njoma” (Një natë), “të kuqe”, “të flakta” (Dy buzë) – dhe te kjo poezí puthja nuk ep andje por dhimë. Edhe atëherë kur përshkroi lavirat, aj mbeti i pastër. Lavirat aj i spiritualizoi – i “sublimoi” (Sonia e Dostojevsky-t, e Panjohuna e Blok-ut). Harroi epshin në lotin e tyne, “melodi e këputun”. (Grushenjka mbi prêhën t’Alioshës). E kështu dashunija e tij qindroi “e pastër”, “e hijshme” (Z. B. , Një natë). Epshi nuk asht dashní:

Vashë e djalë përputhen
mbrendë dy zemra digjen
por me u puthë – nuk puthen!
(Mbas tryezës)

Dhe si Aljosha ka dashunín humanitare. Vetëm se Aljosha beson në Zotin, prandej asht i paqët e i qeshun. Migjeni, “bir i nji shekulli të ri”, ka humbë besimin. “Cmirë u a kam shejtenvet!” rrëfen te “Kanga skandaloze”, e nuk asht krejt ironí, sado qi tingllon blasfemë. Fëtyra e Alioshës vegohet në largësí ndër tiparet e zbeta të murgeshës ku flêjnë lutjet, “(jo tallse)”. Por aj nuk mund të lutet. E atëherë shfren:

O murgeshë e zbetë që çon dashtní me shejtent,
që n’ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit
dhe ua zbulon veten… Cmirë u a kam shejtenvet!
Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit.

Unë dhe ti murgeshë, dy skâje po të nji litari,
të cilin dy tabore i a ngrehin njeni tjetrit –
lufta asht e ashpër dhe kushedi ku do të dali,
prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit.
(Kanga skandaloze)

I njajti ideal humaniteti pra: por i kapun ndër dy skaje, dhe kto dy skaje nuk afrohen por ngrehen në vështrim të kundërt. Te “Kanga skandaloze” Migjeni, tue prekë kulmet e poezisë së vet, prekë edhe fundet e vehtes: i zbulon pa dashtë. Bashkë me mallin e tij për “engjujt e arratisun” mbi dhé (Aliosha, murgesha), zbulon trishtimín e tij të pamasë në nji botë t’errtë, të zbrazët nga feja e vjetër, ende të pangushllueme nga feja e ré.

E mbrrijtun në kët pikë, poezija e tij merr nji frymë universale, në nji pesimizem qi buron nga libri i Jobit. Nga “Trajtat e Mbinjeriut” përmes “Vjeshtës në parakalim” e “Kangës skandaloze”, kemi ardhë te “Rezignata”, ndjekun nga “Shpirti i Ri”. Jemi në thelbin e poezís migjenike. “Rezignata” asht jehona e fikun e asaj klithme: “Shpirti i im asht i trishtuem deri në vdekje”. Te “Vjeshta në parakalim” luftari nuk ka mujtë me qindrue ma: ka dnesë për herën e parë. Asht nji ças kur vuen jo vetëm shpirti por edhe trupi, vuen edhe natyra me njeriun:

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra t’ona.

Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit.
Tundet dhe përgjaket në pasjon të viganit:
“Jetë! Jetë unë due!” – e frymë merr prej fellit,
si stuhi shkynë ajrin… por në fund i a nisë vajit.
(Vjeshta në parakalim)

E kishte besue vehten të fortë si nji lis. Por qe se lisi shpërthen në vaj kur shef kotësin e mundimevet të veta për me jetue si lis. Ky dëshpërim përcillet te “Kanga skandaloze” nën nji maskë sarkazmi. Te “Rezignata” shpirti zbulon se jo vetëm njerzija por gjithë rruzullimi asht fatzí, dhe se prandej nuk mbetë tjetër veç me ju shtrue fatit ose me vajtue.

Na shprehun të ngushlluem gjetme në vaj…
Mjerimet i morme në pajë
me jetë… se kjo botë mbarë
ndër gji t’Univerzumit asht një varrë
ku qenja e dënueme shkrrahet rrshân
me vullnet të ndrydhun në grusht të nji vigan’
(Rezignata)

Loti i kulluet i herojt për dhimat njerzore, ku kish vetue urrejtja për padrejtësi, bjen për dhé trishtueshëm, thërmohet,

E ndër thrimet e vogla të lotit ka një njeri lindet.
(ibid. )

Dhe nuk ka randsí fati i mjerë i apostullit, por asht e tmerrshme me vrejtë se si mundimet e tija për të mirën e njerzís dështojnë tue mbarue ndër lotë qi shtojnë mjerimin e botës.

Por shpirti nuk i shtrohet fatit. “Rezignata” asht nji meditacion i thellë mbi kotësín e jetës, por jeta vetë asht ma e thellë se të gjitha meditacionet së bashku të filosofëvet të dhimës, dhe triumfon mbi ta përherë. Duhej të heshte e nuk heshtë. Do të jetojë edhe pse jeta duket absurditet. “Shpirti i Ri” asht gërthitja e parë për qindresë.

Shqyponjë me krah të thyem! Vall shpirt i molisun!
Qëndrò! Qëndrò krenarë! mu si një zot i stolisun
me diell t’artë në ball, me qiella t’azurta në sy…
Qëndrò! si vaj skamnori – ende ka frymë në ty.

O shpirt! Pëllumb i gjorë! Lajm i idealit të ri…
Çgule shëgjetën nga vetja, e rishtaz, me dhimsuni
flutrò mbi valët e jetës e fjalë ngushllimi pëshprit,
shërò plagat skamnorve e shpresën në jetë u a rrit.
(Shpirti i Ri)

Por rrëzimi asht i njathershëm. Shpirti-shqyponjë i ka njimend krahët e thyem, nuk lëvizë. E edhe shpirti-pëllumb asht i plagosun e nuk mund të fluturojë. E heshtë tue derdhë lot.

Me “Shpirtin e Ri” mbyllen “Kangët e Mjerimit”. Nji frymë e thellë pesimizmi zotnon ndër kto kangë. Poeti pa dashtë me njoftë shoqnín ku jetonte, dhe kur e ka njoftë e ka dashunue për mjerimin e saj. Por asht gjetë i ndrymë si më nji burg kur ka dashtë me kerkue të drejtën. Atëherë në vend qi të ligshtohet, ka marrë pezëm e ka qitë kushtrimin. Por shpresa e tij ka qenë e shkurtë. I nisun shqyponjë në nji fluturim fantazije nietzsche-ane, i janë thye shpejt krahët dhe kur ka rá asht zbulue “pëllumb i gjorë”. Dhe kështu shpirti i rí, ndërsa çfaqet i përbamë prej dy shpirtënsh antagonistë qi alternohen në vehtje të Migjenit, njeni skyfer e tjetri pëllumb, tregon se asht nji plagë e pambyllun ndër të dyja alternativat (“Plaga” titullohej ma parë “Shpirti i Ri”). Shqyponjë me krah të thyem apo pëllumb me shigjetë në gjí, në dhimë nuk ka ndryshim. Dhima asht origjina e përbashkët prej kah dalin e ku kthejnë dy shpirtënt polarë të Migjenit.

Fillon tashti nji tjetër varg kangësh qi karakterizohen nga nji dëshirë për ndërtim, nga shpresa në jetë, nga dalldisja e besimit ndër ideale. Janë “Kangët e Ringjalljes” me disa nga “Kangët e Rinis” dhe nga “Kangët e Përndimit”. “Kangët e Ringjalljes” janë vue prej poetit në ball, para “Kangëve të Mjerimit”, ndoshta për t’u-intonue me Parathanjen e Parathanjevet, për me dhanë që në fillim at përshtypje gjallnije e ndërtimi qi mendonte Migjeni. Por lidhja e tyne me disa, së paku, nga “Kangët e Rinis”, të cilat logjikisht u prijnë, dhe me “Kangët e Përndimit” të cilat i ndjekin e i përfundojnë, mund të vrehet lehtë. Nji vjershë e “Kangëvet të Ringjalljes” u ep titullin vjershavet të grupit të katërt të librit. Dhe kalimi prej “Kangëvet të Ringjalljes” te “Kangët e Përndimit” asht në vijë të drejtë, pa shkapërcime, si do të shifet ma tutje.

Rezignata ishte dorëheqja nga jeta. Por jeta asht ma e fortë se çdo filosofemë. E mjafton qi të vijë pranvera për qi shpirti i rí, thye krahësh, t’a marri vehten. Hareja triumfon mbi dhimën, kanga mbi vajin. Ekstaza pranverore asht njimend nji ekstazë e shpirtit të ringjallun, e këndueme ndër vargje si jone muzike qi i thurin lavde natyrës së freskët, me pika t’argjanta vese, me rreze t’arta dielli me circërime dallnyshash e bylbylash.

Me kangë në buzë e me hove të reja
u zgjue agimi pranveruer…
fillon Soneti pranveruer. Në kët suazë lulesh e gazmendi lén dashunija: e pritun, e përgatitun qysh te Kanga e rinis:
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnù
me zjarrin t’and rini…

Rini, thuaja kangës dhe qeshu si fëmi!
Me dashunín e pranverën kthen gjallnija e trupit dhe e shpirtit. Kanga ndrron tonin, bahet e hovshme, plot dëshirë pune e ndërtimi, me sulm drejt fitores.

Na të birt e shekullit të ri
me hovin t’onë të ndezun peshë
ndër lufta të reja kemi me u ndeshë
dhe për fitore kem’ me ra flî.
(Të birt e shekullit të ri)

Kjo “profession de foi” e tija, e vueme në ball të librit, përmbledhë e spjegon veprën e Migjenit. Kthen tash motivi i Mbinjeriut, kët herë ma konkret, ma i përshtatun kushtevet historike. Humaniteti derdhet te kombi. Tingllon për herë të parë fjala e madhe dhe nji dëshirë epike vlon në gjakun e “birit të Shqypes”.

Të lindet një njeri
nga gjin’ i dheut t’onë të rîm me lotë të vakët,
nga thalb’ i shpirtit t’onë që shkrihet në dëshirë të flakët
për një gen të ri –

….

Të dali një njeri!
Të mkambi një Kohë të Ré!
Të krijojë një Epopé!
Ndër lahuta t’ona të këndohet Jeta e Ré…
(Të lindet njeriu)

Asht kushtrimi për lirí! Thirret lirija ndër frymarrje të gjata qi shkojnë tue u-ngjitun në nji “crescendo” të dalldisun. “Me u-zgjue” duhet nga robnija e shekujvet të kaluem, e trashigueme në robnín e soçme! Si mundet me krijue epopena skllavi? Epopeja e shqipevet qe dikur, “ndërsa zemra e kombit në liri kumbonte”. E zezë asht e tashmja: kohë “idhujsh pa krena”. “E ata që lindin në kohën e idhujvet pa krena s’dinë kah t’ia mbajnë. Duen t’adhurojnë, por çka t’adhurojnë? – Idhujt pa krena?. . . Duen të besojnë, por çka të besojnë? – Idhujt pa krena?. . Kush mund t’adhurojë të shëmtuemin? Kush mund të besojë në nji zot pa krye?. . “(Idhujt pa krena) Lumnija e kalueme asht në historí jo për me u-ngushllue me andrra t’ambla të pafrytshme, por asht shembull, flakë qi duhet të ndezi “vullnetet e shtypuna” të kombit për zgjim e ringjallje.

O vullnete të ndrydhuna!
O vullnete të shtypuna!
Shkundëni prangat të mbrapshta! E me brimë ngadhnjyese,
me hov viganash, dëshirash flatruese,
turrnju në të gjitha anët dhe poshtë në dhé zbritni
– ndoshta aty keni për të gjetë fillin e një hymni,
që Illyrí e vjetër ndër kremtime këndonte,
ndërsa zêmra e kombit në liri kumbonte.
(Zgjimi)

Asht e para dhe e mbrama thirrje qi i bahet historís. Pse fill mbrapa, shpirti i rí shembullehet me nji shkëndí qi, ” tue u vërsulë në liri”, shkëputet nga votra, fluturon në qiell dhe zen vendin e hanës (Shkëndija). Ky vrull kah lirija asht aq i fortë sa me këputë çdo lidhje me traditën – këtu e shembullyeme me votrën. Shpirti i rí lidhet përkundrazi me ” nyjet e dashnis” për të mjerët, dhe prej mesit të qiellit ndritë mbi ta. Poezija e Migjenit asht gati me prekë zenitin e vet. Mbas endjes së shkurtë ndër kujtimet e lumnís. /KultPlus.com

Biblioteka e Arshi Pipës ngjall interesin e studiuesve

Në fundin e jetës, profesori shqiptaro–amerikan Arshi Pipa, i dhuroi bibliotekën dhe arkivën e familjes Pipa, Muzeut Historik të qytetit të Shkodrës. Drejtues të këtij institucioni thonë se ajo është një pasuri me vlera të veçanta jo vetëm për qytetin e Shkodrës.

Arshi Pipa (Shkodër, 28 korrik 1920 – Washington, 20 korrik 1997) ka qenë arsimtar, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes dhe pedagog shqiptar.

Me artikujt e tij i ofroi Perëndimit të dhëna të dorës së parë mbi gjendjen e shkrimtarëve dhe intelektualëve në vitet e para të Shqipërisë staliniste/Zëri i Amrikës/ KultPlus.com

Arratisja e Arshi dhe Feime Pipës, kujtime të familjes shkodrane që u persekutua deri në rrënjë

Feime Pipa e arratisur së bashku me të vëllain Arshi Pipa, në një numër të revistës “Albanica” të pranverës së vitit 1991 në Nju Jork, ka botuar kujtime me episode mjerimi, brenge, persekutimi e torture që përjetoi familja e saj.

Udhëtimi i gjatë e i pashpresë për një strehë

Për pothuaj dy vjet ishim në zi për vdekjen e vëllait tonë, Myzaferit, dhe motrës, Bedit. Megjithatë, meqenëse po afronte dita e lëshimit nga burgu e Arshiut, filluam të ndjenim njëfarë lehtësimi.

Babai, që dergjej në shtrat prej katër vjetësh, me femorën të thyer, u gjallërua disi dhe filloi të na tregonte, mua dhe motrave, ngjarje të jetës se tij.

Nëna lau dhe hekurosi kostumin e Arshiut e i beri një kravatë të re. I duhej edhe një dyshek, por me mundësitë financiare që kishim, nuk mund t’ia blinim.

Ne, motrat, ndjeheshim më mirë, veçanërisht unë që, në mënyrë të fshehtë isha lidhur me Arshinë, gjë që vetëm nëna e dinte.

Ngushëlloheshim edhe pse, të paktën, tashti kishim një çati mbi kokë. Ishte një banesë primitive në periferi të Durresit, në fund të një rruge të gjatë të cilën shirat e dimrit e bënin të pakalueshme. Shtëpia kishte dy dhoma dhe një haur të vogël që e përdornim për kuzhinë. Ne e quanim atë “kështjella jonë e vogël”. E kishim gjetur pasi komunistët na kishin detyruar të shpërnguleshim tre herë brenda gjashtë muajve.

Banesa jonë e parë, e përkohshme ishte një apartament me dy dhoma. Ndërsa banonim aty, një anëtar partie, ish-student i Arshiut, u ngarkua ta takonte atë në burg. Kishte për detyrë të zbulonte nëse Arshiu, ndërkohë, kishte ndryshuar apo jo.

Arshiu i kishte thënë se s’kishte bërë asgjë për t’u penduar.

Shpejt, pas kësaj, Zyra e Strehimit na shpërnguli nga apartamenti që kishim, në një dhome të një ndërtese tjetër. Sapo e bëmë atë dhome të banueshme, duke e larë dhe lyer, Zyra e Strehimit na transferoi te një apartament tjetër me një dhome me të vogël e me të ndyrë se e mëparshmja.
“Për ku pas kësaj?” – pyetëm kur për të tretën here u detyruam të largoheshim.

“Këtë herë ju do të keni një banesë më vete, bile me pamje të këndshme. Nuk do të lëvizni më prej saj.”
Banesa e re ndodhej në zonën që quhej Stan, në zonën me të varfër të qytetit.
Shkova ta gjeja.

Gjatë rrugës, në kodër, dukeshin baraka e kasolle të rrënuara që pasonin njëra tjetrën, me oborre ballore ku ndereshin rrecka për t’u thare. Një plakë më tregoi se si shkohej tek shtëpia që kërkoja.
Eca përmes kaçubash e ferrash që mbulonin një rrugicë e arrita në një lëndinë mbushur me lule të egra. Në largësi, deti vezullonte. Panorama qe mahnitëse. Mendoja babanë në shtrat, me kokën të ngritur me jastëkë që sodiste detin përballë. Vendi do të kishte qenë fare i mirë edhe për Bedin.
Gjatë endjeve tona prej ciganësh, Bedi vdiq nga tuberkulozi, pa asnjë pranë nga familja, në një dhome të spitalit të Tiranës. Shoqja e saj e dhomës na tha se, para vdekjes, ndjehej e lumtur, pasi mendonte se së shpejti do ta merrnim në shtëpi.

Ishte një trillim i yni, për t’i lehtësuar asaj dhimbjen.

Shtëpia në lëndinë ishte rreth shtatë metra e gjatë dhe pesë metra e gjerë. Ishte e mbuluar me mbeturina fletësh alumini që kërcisnin, kur frynte erë. Dritare ishin dy vrima të zëna me dërrasa. Dera mbyllej me një copë tel. Brenda ishte e mbushur me kashtë të kalbur e bajga. Ishte përdorur më parë si stallë.

Atë natë asnjë prej nesh nuk fjeti. Të nesërmen, shkova në Zyrën e Strehimit për t’u thënë se nuk do të lëvizim nga banesa ku ndodheshim.

Njëri nga punonjësit me bërtiti “Çfarë prisni, vilë?! Është e vërtetë, shtëpia ka nevojë për riparime, por ju mund t’i bëni ato, ashtu siç bëtë edhe me banesat e tjera!”
“S’kemi mundësi të shndërrojmë stallën në shtëpi” – i u përgjigja, – por, edhe në qoftë se do të kishim, çezma është tepër larg, poshtë në luginë dhe kasollja nuk ka banjë, nuk ka korrent elektrik. Për më tepër, babai është i paralizuar. Si mund ta çojmë aty, ku s’ka rruge?”
“Me aeroplan, – u tall ai – lutuni Zotit t’ju ndihmojë”.

“Ne kemi probleme strehimi me njerëzit tanë – tha një nëpunës tjetër, – në qoftë se gjeni vetë një vend tjetër, ne nuk kundërshtojmë.”

Shanset për të gjetur shtëpinë tjetër ishin fare të pakta. Megjithatë, unë u lidha me Nuçin, një mik të familjes që na pat ndihmuar në shumë raste të vështira. Ai foli me Markun, një anëtar partie të cilin e njihja. Kishim bërë se bashku “punë vullnetare” në plazh. Marku, epileptik, ndërsa punonim një ditë me diell të fortë, pati një krizë epilepsie. Unë e ndihmova.

Marku na dha adresën e një familjeje që kishte një shtëpi me katër dhoma e një kuzhinë.

“Ata janë miq, – na shpjegoi, – por ju lutem, mos e përmendni emrin tim!”.
Shtëpia ishte e një shoferi kamioni që banonte aty me nënë plakë dhe me gruan pa fëmijë. Ishte njeri me zemër të butë.

Babai ndjehej i lehtësuar në dhomën e tij: me diell në dimër e me freski në verë. Aty celebruam fejesën e njerës prej motrave. Unë punoja në një fabrike makaronash. Po aty punonte, gjatë pushimeve të verës, Bukurushi, që do të martohej se shpejti. Deti, motra me e vogël, nganjëherë u jepte mësime privatë rusishteje shoqeve të saj të klasës. Por, ishte nëna që punonte më rënde. Përveçse që kujdesej për babanë, ajo gjente kohe për të bërë jorganë që i shiste një tregtar shëtitës. Kur fqinjët tanë kishin festa familjare, ajo u bënte ëmbëlsira. Ata e shpërblenin me qumësht, ushqim që gjendej me vështirësi. Qumështi dhe kosi ishin ushqimet kryesore për babanë. Ai nuk përdorte më protezat e dhëmbëve. Ato e vrisnin. Ushqimet më të mira i ruanim për babanë dhe për Arshinë.

Nuk mundëm kurrë të vendosnim një lule në varrin e vëllait tonë, Myzaferit. Ai u torturua për vdekje, përnjëherë pas arrestimit, në vitin 1946, në Degën e Sigurimit në Shkodër. Nuk dinim, dhe ende nuk dimë, vendin e varrit të tij.

Një ditë tregu, pasi do të blinim disa ushqime për Arshinë, mora një trastë në të cilën kisha futur një bluzë dhe kuletën me triskat e paret dhe u nisa për në dyqan. Në dyqan kishin mbetur vetëm marmelatë dhe djathë. Porosita nga dy kilogram prej të dyjave dhe nisa të kërkoja paret për të paguar. Kuleta nuk ndodhej në trastë. Si e çmendur, e boshatisa atë, kërkova në xhepat e bluzës, kuleta nuk ndodhej. U ktheva mbrapsht e kërkova disa here rreth dyqanit. Kur i humba shpresat, u nisa e dëshpëruar për në shtëpi, duke tërhequr zvarre këmbët nëpër shi. Përveç pareve që mezi i kishim kursyer, kuleta kishte dhe tri triska buke për tetorin që sapo kishte filluar.

E sfilitur dhe krejtësisht e lagur, arrita aty ku rruga kryesore ndërpritej me rrugicën tonë. Befas pashë një send të zi në tokë që në fillim m’u duk si një cope gome. Ishte kuleta. Isha e sigurt se ishte kuleta ime, dhe sendet duhej të ndodheshin në të, pasi asnjë shqiptar, në atë kohe, nuk do të hidhte një kuletë boshe, sado e vjetër dhe e grisur që të ishte, por pata frike se shiu do të kishte prishur triskat dhe paret. Por, jo. Nëna i kishte mbështjellë ato në celofan. Më parë, si duket, kur unë kisha nxjerrë bluzën nga trasta për ta veshur, kuleta më kishte rënë. Që prej asaj kohe kishin kaluar tre ore. Njerëz, gomarë e mushka mund të kishin shkelur mbi të, por, për fat, s’e kishin venë re.

Në një pasdite nëntori të vitit 1947, kur unë me motrën time Bukurushin po ktheheshim për në shtëpi, pamë një xhip që ndaloi para Prokurorisë se Përgjithshme. Dy roje zbritën prei tij dhe hapen portën e të burgosurit. Prej saj doli vëllai ynë, Arshiu, me pizhame e pantofla. Gjatë daljes nga xhipi, ai ktheu kokën, na vështroi, dhe u fut në ndërtese.

Ne ngrimë. Arshinë e kishin nxjerrë nga infermieria. Pse? Ai duhej të lirohej pas tre muajsh.
Qëndruam para ndërtesës gjersa u err. Rrugët u boshatisën dhe dritat e rrugës u ndezën. Në këtë kohë dy roje dolën nga godina dhe na urdhëruan të largoheshim.
Babait nuk ia thamë. Në të tjerët jetuam në ankth, deri sa erdhi dita e takimit. Shkuam në burg, duke mos ditur ç’na priste. Kërkuam të takoheshim me Arshinë. Atij i thirrën emrin. Qe gjallë!
Myzafer Pipa (1914-1946)

Arshiu u gjykua për here të dytë. Gjatë gjykimit, mori vesh vdekjen e vëllait, Myzaferit. Na qortoi që nuk e kishim njoftuar. Nuk ia kishim thënë për të mos e munduar edhe më, ndërkohë që brengën e kishim mbytur brenda vetes tonë. Kur vizitonim Arshinë në burg, hiqnim rrobat e zisë dhe vishnim ato normale. Kur Arshiu na pyeste për Myzaferin, i thoshim se ishte mirë, duke mbajtur në zemrat tona pikëllimin.
Në korrik 1948, Arshiu u dërgua në kampin e punës se detyruar famëzi të Vloçishtit. Disa muaj më pas, në nëntor 1948, ai u dënua për herë të dytë me njëzet vjet dhe u transferua në kështjellën burg të Gjirokastrës.

Në vjeshtë të vitit 1949, regjimi shpërnguli nga Durrësi rreth njëzet familje të persekutuara dhe i vendosi në shtëpi boshe në plazh. Ne ishim, doemos, midis tyre. Kërkuam që babanë ta transportonin me autoambulancë.

Partia refuzoi. Pajtuam një karroce me kalë, i vetmi mjet transporti që mund të gjendesh.
Për here të parë në katër vjet, babai i veshur me kostum, u detyrua të qëndronte në këmbë. Në karrocë ai i mbante ato të shtrira para vetes. Ne, motrat, ndiqnim nga pas karrocën. Plazhi ishte rreth 5 kilometra larg nga shtëpia që lamë.

Meqenëse rruga ishte e keqe e me gropa, iu lutëm karrocierit të ecte më ngadalë, për të mos tronditur babanë. Por, ai donte të kthehej në Durrës para se të fillonte shiu e, prandaj, nuk na e plotësoi lutjen.

Në një çast babai u zbeh. Ndjente dhimbje. Karrocieri ndaloi karrocën. Nëna i mbështeti babait kokën në gjirin e saj. Kur arritëm në strehën e re, ishte bërë natë e binte shi.
Babai vdiq po atë natë nga një goditje në zemër. Për ta varrosur, na u desh të shisnim orën e tij të xhepit. Përktheu Ilir Hashorva

Arshi Pipa ndër rreshtat e biografëve

Arshiu u lind në Shkodër në 28 korrik 1920. Ai ishte djalë i vetëm në krye të katër motrave. Vëllanë me të madh gjashtë vjet para tij, Muzaferin, e kishte të tillë nga babai. Kështu, ishte drita e syrit jo vetëm e prinderve, por edhe i motrave, të cilat gjithë jetën e kanë adhuruar. Por kjo nuk do të thotë aspak se në familjen Pipa, për Muzaferin nuk ishte po e njëjta gjë. Aty nuk bëhej asnjë dallim ndër dy djemtë e shtëpisë, si nga prindërit, ashtu edhe nga motrat. Ishte një familje me lidhje afektive shumë te theksuara, të pashlyeshme kurrë. Dhe kjo i detyrohet kryesisht nënës se tyre, zonjës së mrekullueshme Hatixhe, shkodrane e përkryer në të gjitha drejtimet, nënës së fortë, të dhemshur aq edhe të drejtë deri në shkallën e një modeli klasik.

Fëmi i mbarë, i shëndetshëm dhe i bukur, Arshiu ishte njëkohësisht edhe një “lojcak” i madh, si thonë në Shkodër, madjé edhe një “sherret”, domethënë që nuk linte dy gurë bashkë. Pavarësisht kësaj faktet tregojnë se ai që në klasën e parë e deri në mature dilte gjithnjë i pari i klasës!

Filloren e kreu tek shkolla e jezuitëve në Shkodrës, e në mos gaboj edhe në vitet e para të gjimnazit. Them vitet e para, sepse gjimnazet atëhere ishin me tetë e nëntë klasë, deri më vonë madjé, në kohën e regjimit komunist. Vërtetë ishin të paktë këto gjimnaze para luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, por ishin të saktë. Ejo vetëm gjimnazet (ai i Shkodrës, Tiranës, Korçës etj.) por edhe shkollat e mesme profesionale, si Normalja e Elbasanit, Normalja e Tiranës (vetëm për vajza) dhe Shkolla Teknike Amerikane e Fullcit në Tiranë apo ajo e Kavajës.

Tek jezuitët, Arshiu mori bazat e kulturës klasike, me greqishten e vjetër e latinishten dhe për pasojë, kur shkoi të vazhdoje në Gjimnazin shtetënor të Shkodrës, që quhej atëherë Lice, si ai i Korçës dhe i Tiranës, kishte baza të forta për të dalë i pari edhe në dy gjuhët klasike që përmendëm më lart. Dhe këto dy gjuhë, ai s’i ndau gjatë gjithë jetës. Përkthimet e bollshme, të lëna në dorëshkrim e dëshmojnë më së miri këtë fakt.

Gjatë kohës së arsimimit në shkollën e jezuitëve, ku jepnin mësim klerikë të shquar, i ati, duket për një lloj “ekuilibrimi” kulturash e futi që të ndjeki njëkohësisht edhe mejtepin, për të mësuar format e moralit islamik. Kështu Arshiu, deri në moshën e thyer, mbante mend akoma dhe i recitonte për bukuri shumë nga syret e Kuranit arabisht, për çudine dhe admirimin e miqve shkodranë të dhënë fort pas kësaj feje, por që arabishten nuk e dinin fare, as me shkrim e as me lexim!…

Në Burgun e Burrelit, Arshiu hapte sportelin e birucave dhe u hidhte shokëve të dënuar atje duhan, ndopak sheqer a ç’të kishte mundur të mbledhë, me rrezik që po ta shohin rojet, e fusnin dhe atë në birucë, mes dimrit, në çimento, vetëm me mbathje e kanotjere në trup, për një muaj rresht, megjithëse ai ishte i sëmurë.

Guximi i tij u konfirmua edhe gjatë momentit të arratisjes, kur ai çan kufinin, bashkë me të motrën Fehimen, me kobure në dorë, i vendosur të mos bijë në dorë i gjallë më tek rojet.
Me shokë Arshiu ishte, si me gjithë të tjerët i sjellur dhe shumë i dashur. Ai i ndihmonte ata vazhdimisht ne mësimet. Në albumin e familjes, mes të tjerave ka edhe një fotografi ku ai është bashkë me tre shokë të tij të klasës, para një tabele të zezë, në oborr në përgatitjen për provimet e maturës. Në tabelë, veç disa shprehjeve algjebrike, ka në një anë edhe një vjershe, me shkrimin e tij të njohur, vjershë që tregon bukur shpirtin e preokupuar të nxënësve para “torturës” së maturës:

me studime
e numra të shkreta.
kot na shkuen
të rijt e jeta…

Gjimnazi i kohës së tij, si dhe i kohës sime ndahej, mbas semimatures, në dy degë: Reale e klasike. Realja ishte e prirur më fort ndaj shkencave të natyrës, me preferim matematikën e fizikën. Klasikja ishte e prirun ndaj dijeve humanitare të gjuhëve. E Arshiu zgjodhi me dëshirë këtë të fundit. Duket që në moshë fare të re, ai e kishte përcaktuar rrugën e tij në jetë. Dhe kjo punë duket edhe nga dy fakte të tjerë. Gazeta “Cirka” e vitit 1936, kur Arshiu ishte dy vjet para maturës, kishte shpallur një konkurs poetik.

Në të mori pjesë edhe studenti i klasës së gjashtë të Gjimnazit shkodran, i degës klasike, Arshi Pipa. Vjersha e tij me titull “Në Lamën e Luftës” fitoi çmimin e tretë. Ishte një vjershë e gjatë me plot 26 strofa, secila gashtëvangëshe, herë me rimë e herë pa rimë. Vjersha kishte karakter epiko-lirik. Tema e saj ishte një lloj proteste e hapur kundër luftës, si një veprim mizor, që sjell vetëm vdekje. Pra, ishte tërthorazi një hymn për paqen, mirëkuptimin, vllazërimin e njerëzve e popujve. Kështu, humanizmi i shpirtit të tij nis e nxjerrë krye që në moshë fare të re, atë të një adolishenti gjimnazist.
Prova e tij e dytë e botuar në shtypin e kohës, këtë herë në lëmin e prozës, shifet tek tregimi me titull “Liqeni”, një tregim lirik, botuar tek “Vatra Shqiptare”, shtator-tetor 1941. Kjo prozë, sigurisht është shkruar në moshë fare të re, por u botua atëherë, siç tregon data, ndërkohë që autori i saj ishte tashmë pedagog në gjimnazin e Tiranës dhe jepte filozofi. Nuk e dimë me saktësi se kur poeti Arshi Pipa ka nisur të shkruajë poezi. Por një gjë është e sigurtë, që këtë punë ai e ka nisur që në bankat e gjimnazit të Shkodrës. Dhe këto poezi në shumicën e tyre do të mbushin më vonë faqet e librit të tij të parë, me titull “Lundertarë” botuar në Tiranë më 1944.

Pjesa është marrë nga libri: “Arshi Pipa njeriu dhe vepra”, shkrimtari Uran Kalakulla. / Konica.al / KultPlus.com