Të banosh në mirënjohjen e njeriut!

Shkruan Ilir Çumani

(Përsiatje mbi personalitetin artistik të poetes së mirënjohur të teksteve të këngës në RTSH, ZHULIANA JORGANXHI)

Në epoka dhe etapa të ndryshme të njerëzimit, ka patur dhe do të ketë gjithmonë individë të veçantë, të cilët, me veçoritë  dhe talentin e rrallë që  zotërojnë, me kontributin dhe vokacionin që përcjellin dhe e transmetojnë ndër breza,  kanë mundur të lënë gjurmë të thella duke ngritur në art tempullin e tyre të shejntë e të pa cënueshëm nga çdo ndikim dhe fuqi e jashtëme madhore që e sjell koha. Këta individë, në mënyrë organike bëhen sinonim i jetës së përditshme, dhe ashtu  krejt pa pritur e pa kuptuar mundin të depërtojnë në qënien tonë, duke hyrë deri në skutat më të fshehta të shpirtit njerëzor.  Pastaj, aty e ngrejnë edhe folenë e tyre… Me kalimin e kohës, ajo fole kthehet në një strehëz të përjetshme, që quhet banesa e mirënjohjes tek Njeriu…! Pa dyshim, kjo ka ndodhur edhe me Zhuliana Jorganxhiun, një nga emrat më të veçuar dhe më të zëshëm të artit dhe kulturës sonë kombëtare të shekullit që lamë pas, por edhe të këtij fillim shekulli. Mjeshtre e fjalës së gdhendur në varg, uragan i fuqishëm i simbolikës dhe e metaforës në këngën shqipe, lirikja dhe frymëzuesja që me kumtin e saj ngriti peshë zemrat e shqiptarëve këtej dhe andej kufirit, ajo u bë melhemi e gëzimeve dhe e dhimbjeve proverbiale të popullit të cilit i përket. Sa i paplotë do të ishte mozaiku gjigand i këngës në shekullin që lamë pas, por edhe në shekullin që jetojmë sot, pa Zhuliana Jorganxhiun…!?  Me të drejtë e kanë quajtur Mbretëresha e Këngës Shqiptare, sepse në fakt, është një virtuoze e rrallë e vargëzimit të kënduar,  një qëndistare e rafinuar e fjalëzimit të praruar, dhe për këtë arsye ajo e meriton këtë kurorë lavdie…! Zhuliana Jorganxhi ka patur dhe ka një fat ndryshe prej artisti. Prej kohësh ajo gëzon një privilegj dhe status të veçantë si rrallëkush prej të ngjashmëve në këtë fushë, ngase kënga e saj ka zënë vend në të përditshmen e gjithsecilit prej nesh, si buka që hamë, si uji që pijmë dhe ajri që thithim.  E gjithë krijimtaria e saj e begatë, simbolika dhe fabula që ajo ndërton, metafora dhe mesazhi që përcjell përmes fjalëzimit, kundrohet bukur, përcillet krejt natyshëm dhe kuptohet lehtë, pëlqehet, shijohet këndshëm, këndohet nga të gjitha moshat. Kënga e saj të ngelet gjithmonë në buzë, si një lajtmotiv i ritmit të jetës dhe i kohës që jetojmë, ku brenda këtij ritmi janë dhimbjet  dhe gëzimet e njeriut,  brengat dhe dashuritë e mëdha, loti dhe buzëqeshja, arsyeja dhe urrejtja, shpresat dhe ëndrrat e së ardhmes,  robëria dhe liria,  triumfi dhe lavdia… Të gjitha janë aty. Lirikat e këngëve të saj janë plot jetë e gjithë gazmend, ato mbeten  po aq të freskëta e frymëzuese, anipse kanë çelur e shpërthyer dekada më parë, ato sërish tingëllojnë të freskëta, dëgjohen edhe më bukur, shijohen me ëndje, kërkohen dhe përcillen mrekullisht edhe sot tek brezi më i ri …!  Dhe kjo ndodh sepse Zhuliana Jorganxhi e qëmton detajin, e respekton thellësinë e mendimit, e çmon shumë rëndësinë dhe peshën që ka fjala. Ajo është një adhuruese e pashoq e Gjuhës së bukur Shqipe dhe e miklon atë ashtu si nëna foshnjën, sepse e dashuron marrëzisht sikur të jetë krijesa e saj. Si një nikoqire e mirë korçare ajo e kursen fjalën, e përzgjedh mençurisht dhe kujdeset për estetikën e saj, e formëzon dhe e laton atë, andaj edhe fjalëzimi mjeshtëror i saj nuk e pranon kurrë mendimin bosh, as parazitizmin e frazës e cila asesi nuk  mundet ti cek dot sinorët e krijimtarisë së saj të dëlirë e të kulluar.  Këto veçori e cilësi të rralla që lidhen me talentin dhe disiplinën e pashembullt artistike në gjithë procesin e saj krijues, Zhuliana Jorganxhi i përcolli duke i ndarë me shumë fisnikëri e bujari si përvojë dhe sukses të saj me të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët e vjetër dhe të rinj, atje, në redaksinë e muzikës në Radio Tirana, ku për mëse 30 vjet mbajti peshën dhe përgjegjësinë kryesore të eventeve më të rëndësishme në ngjarjet e mëdha artistike që lidheshin me Festivalet e Këngës në RTSH.  Lexuesi i gjerë shqiptar, e në veçanti profesionistë të fushës, poetë, kompozitorë, interpretë të këngës, mësues e pedagogë, nxënës dhe studentë që studiojnë për kanto e kompozicion, por, edhe kritikët e artit të këtij lloj zhanri të veçantë, tashmë kanë në duar këtë botim special dhe të plotë, ku përfshihet i gjithë korpusi i krijimtarisë poetike e Zhuliana Jorganxhiut. Ky libër, është konceptuar dhe është ndarë në tre kapituj. Në kapitullin e parë që mban titullin e librit “Zëri i shpirtit tim”, janë publikuar të gjitha tekstet e muzikuara të këngëve të krijuara nga autorja, që në fillimet e saj kur ajo ishte vetëm 17 vjeçe, e deri në ditët e sotme. Shumë prej tyre, tashmë janë bërë hite dhe mrekullisht  i kanë rezistuar në mënyrë të shëndetshme kohës. Në kapitullin e dytë, me titull   “Udhëve të pentagramit”,  janë poezi e lirika të pa muzikuara, të shkruara në kohë të ndryshme, për të cilat kompozitorët e traditës,  por edhe ata të sotëm, (pra më të rijntë), janë të mirëpritur ti kthejnë sytë dhe  kanë shumë se ç’farë të marrin e të frymëzohen nga krijimtaria e begatë dhe e larmishme e kësaj autoreje… E gjithë kjo vepër e mirëfilltë  krijuese, analizohet dhe shoqërohet me një parathënie tejet serioze dhe profesionale nga poetja e mirënjohur Natasha Lako, e cila, veç individualitetit artistik, evidenton veçoritë dhe epërsinë e talentit të  padiskutueshëm të Zhuliana Jorganxhiut, si një prej përfaqësueseve më dinjotoze të brezit të saj, dhe që padyshim për këtë, ajo zë një vend qëndror në historinë e muzikës dhe të Këngës Shqiptare. Ndërsa në kapitullin e tretë, një vend të veçantë i kushtohet vlerësimeve, opinioneve, mbresave dhe kujtimeve  të shumë  personaliteteve të artit dhe kulturës, si poetë, kompozitorë, dirigjentë, këngëtarë, e shumë bashkëkohës të autores që kanë jetuar artistikisht dhe kanë bashkëpunuar me të ndër vite e dekada, e,  së bashku kanë bërë historinë e ndritur të muzikës dhe të Këngës së lehtë Shqiptare. Kapitulli i tretë, mban një titull mjaft domethënës dhe kuptimplotë: “Mijëra zëra në një zemër”, sepse për Zhuliana Jorganxhiun dëshirojnë të flasin që të gjithë… Të gjithë duan të shprehen e të thonë fjalë zemre, të përcjellin një urim, sepse, tashmë ajo mbetet një nga krijueset që nuk i përketë më vetvetes, por të gjithëve ne, ngase kënga e saj ka dhe do të ketë jetëgjatësi, ajo është përcjellë dhe do të përcillet ndër breza… Janë tepër emocionuese dhe mjaft mbresëlënëse fjalët e ngrohta, mirënjohja  dhe vlerësimet e pakursyera e plotësisht të merituara që përcjellin në këtë libër për autoren shumë prej kolegëve të saj artistë, kompozitorë, poet, dirigjentë, këngëtarë dhe mjaft personalitete të njohur të fushave të ndryshme të artit dhe kulturës, dhe jo vetëm. Ata dëshmojnë në kujtimet e tyre jo vetëm talentin unik dhe kontributin e paçmuar të Zhulianës në historikun dhe rrugëtimin e gjatë dhe të suksesshëm të Këngës Shqiptare, por, përmes këtyre mbresave dhe impresioneve të shumta, rrëfejnë dhe zbulojnë anë të tëra të personalitetit të saj njerëzor, si, zemërgjerësia dhe bujaria, fisnikëria dhe toleranca, përulësia, modestia e thjeshtësia, e shumë cilësi të vyera që e ridimensionojnë dhe e plotësojnë edhe më qartë profilin e kësaj figure kaq të dashur për shqiptarët, këtej dhe andej kufirit. Të gjitha mendimet e tyre bashkohen në një emër të vetëm, ngase, te Zhuliana Jorganxhi trupëzohet, frymon dhe jeton në çdo çast jo vetëm një artiste e jashtëzakonshme, por edhe një Njeri i jashtëzakonshëm, një grua madhështore…! Popërse paraqitet sot para lexuesve një botim kaq i veçantë dhe i plotë i këtij nënlloji të krijimtarisë artistike, siç është poezia e muzikuar dhe ajo e kënduar  e Zhuliana Jorganxhiut…?! Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj katraure të madhe se çfarë ndodhi në Shqipërinë e pas viteve ‘90 – të. Si në çdo fushë të jetës, edhe në art e kulturë, e, në veçanti në muzikë, pati një bjerrje të menjëhershme të asaj tradite të investuar kaq bukur për dekada me radhë. Fatkeqësisht, kjo bjerrje kaloi më pas në një rrënim dhe degradim të pakthyeshëm të vlerave të gjithë asaj trashëgimie të vyer dhe shumë të pasur, e krijuar dhe e kultivuar me aq mund, zell e pasion nga një armatë e madhe brezash artistësh, kompozitorësh e poetësh, interpretues të talentuar nga më të zëshëm dhe më të shquar të vendit. Kujtesa jonë na bënë të evokojmë me nderim të thellë  kompozitorët Prenk Jakova, Gaqo Avrazi, Çesk Zadeja, Tish Daija, Pjetër Gaci, Tonin Arapi, Nikolla Zoraqi, Abdulla Grimci, etj, të cilët u pasuan nga një gjeneratë tjetër kompozitorësh po aq të talentuar si Agim Krajka, Ferdinant Deda, Kujtim Laro,  Fehim Ibrahimi, Limoz Dizdari, Avni Mula, Agim Prodani, Luan Zhegu, Aleksandër Peçi, Agron Xhunga, Mark Kaftalli,  Kastriot Gjini, Vladimir Kotani, Aleksandër Lalo, Alfons Balliçi, Robert Radoja, Josif Minga, Flamur Shehu, Xhavit Ujkani, Apostol Simoni, Tonin Rrota, Enver Shëngjergji, Thoma Simaku, Simon Gjoni, Vath Çangu, Gazmend Mullahi, Shaqir Kodra, Pjetër Dungu, Sabrija Nushi, Spartak Tili, Riza Zdrava, Ruzhdi Keraj, Diana Ziu, Shpëtim Kushta, Hajg Zaharian, Gjergji Leka, Kozma Lara, Maksim Shehu, Dorian Nini,  Tahsim Oshafi, Arqile Pilkati, Osman Mula, Ardit Gjebrea, Pirro Çako, Ilir Dangëllia, Arqile Pilkati, Lejla Agolli, Naim Gjoshi, David Tukiçi,  Edmond Zhulali,  Alfred Kaçinari, Valentin Veizi, Jetmir Barbullushi, Shpëtim Saraçi, Adrian Hila, Markeljan Kapedani, Alban Karabashi, Artur Dhamo, Lambert Jorganxhi, Miron Kotani, Kristi Popa, Saimir Çili, etj. Kësaj armate të shkëqyer kompozitorësh i’u bashkangjit edhe ajo plejadë e shquar krijuesish të teksteve të muzikuara si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Lasgush Poradeci, Fatos Arapi, Llazar Siliqi, Kol Jakova, Dionis Bubani, Petraq Qafëzezi, Ruzhdi Pulaha, etj, të cilët edhe këta u pasuan nga një tjetër gjeneratë e shkëlqyer krijuesish si,  Zhuliana Jorganxhi, Xhevahir Spahiu,  Jorgo Papingji, Betim Muço, Natasha Lako, Bardhyl Londo,  Gjok Beci, Agim Doçi, Arben Duka, Hysni Milloshi, Shaban Murati, Petraq Risto, Valdete Andoni, Koçi Petriti, Vllasova Musta, Alqi Boshnjaku, Vasil Dede, Haxhi Rama, Agim Shehu, Foto Malo, Bashkim Hoxha, Luan Rexhepi, Pjerin Logoreci, Sulejman Mato, Zaho Puci, (Vasili), Irma Kurti, Sadik Bejko,  Kudret Isai, Preç Zogaj, Ilirian Zhupa, Agim Isaku, Adelina Mamaqi, Petrit Ruka, Luigj Gurakuqi, Fatmir Gjata, Llambro Ruci, Ndoc Gjeta, Isuf Nelaj, Ruzhdi Qatipi, Robert Zvarc, Nasi Lera, Pandeli Koçi, Fluturak Gërmenji, Demokrat Anastasi, Gaqo Apostoli, Ali Podrimja, Skënder Rusi, Violeta Allmuça, Adelina Balashi, Vojsava Nelo, Niko Kacalidha, Iliriana Sulkuqi, Demir Gjergji,  Rozana Radi, etj. I gjithë kontributi i këtyre mjeshtrave të mëdhenj të muzikës dhe të Këngës Shqiptare, u lartësua nga interpretë virtuozë të skenës si: Vaçe Zela, Gaqo Çako, Avni Mula, Tonin Tërshana, Luan Zhegu, Qemal Kërtusha, Anita Take, Pavlina Nika, Nikoleta Shoshi, Liljana Kondakçi, Ema Qazimi, Justina Aliaj, Myfarete Laze, Irma Libohova, Alida Hisku,  Parashqevi Simaku, Bashkim Alibali, Suzana Qatipi, Tatiana Isai, Rakipe Karaj, Eduart Jubani, Kozma Dushi, Françesk Radi, Fatma Zyberi, Arta Babaramo, Pëllumb Elmazi, Sherif Merdani, Lindita Thedhori, Petrit Lulo, Zeliha Sina,  Nikolin Gjergji, Zija Saraçi, Vitore Rusha, Spiro Katundi, Afërdita Zonja, Anita Bitri, Adriana Ceko, Muharrem Herri, Violeta Zefi, Telemak Papapano, Ermira Babaliu, Marina Grabovari, Gjergj Sulioti, Gjergji Leka, Jolanda Dhamo, Burbuqe Rada, Miga Hysi, Lindita Sota, Mimoza Nazarko,  Nazmie Kasmi, Nertila Koka, Frederik Ndoci, Gëzim Çela, dhe pasoi me një tjetër brez këngëtarësh po aq të talentuar, si Morena Reka, Aleksandër Gjoka, Manjola Nallbani, Eranda Libohova, Mira Konçi, Aurela Gaçe, Albërije Hadërgjonaj, Rovena Dilo, Shpresa Gashi, Mihrije Braha, Armend Rexhepagiqi, Juliana Pasha, Eneida Tarifa, Ledina Çelo, Elton Deda, Redon Makashi, Alban Skënderaj, Fitnete Duda, Soni Malaj, Elsa Lila, Florian Mumajesi, Mariza Ikonomi, Elvana Gjata, Kejsi Tola, Rosela Gjylbegu, Anjeza Shahini, Gent Bushpepa, etj.  Mirëpo kjo trashëgimi e pasur dhe plejadë e shkëlqyer krijuesish e interpretuesish që përmendëm më sipër, bëri që me  kalimin e kohës të përballej me një çoroditje dhe me një tipologji tjetër arti, të pa dëgjuar më parë, që në zhargonin e përditshëm do të quhej “tallava”. Dhe kjo bëri që një pjesë e këtyre artistëve të tërhiqeshin nga udha e bukur e muzikës dhe pasioni i tyre të ndërpritej në mes, në kërkim të rrugëve të tjera për të mbijetuar. Disa ndryshuan profesion, e disa të tjerë e braktisën vendin duke shkelur udhëve të botës në kërkim të një jete më të mirë dhe më të sigurtë.  Kësaj drame, nuk mund ti shpëtonte as poetja jonë Zhuliana Jorganxhi, e cila prej 30 vjetësh jeton përtej Adriatikut, atje, në Trieste të Italisë.  Gjithmonë e përmalluar, por e palodhur dhe energjike si dikur, ajo vazhdon të shkruaj ende vargje për muzikë. Si për të sfiduar me moshën e saj dhe me fuqinë e shpirtit atë katraurë që la pas tre dekada më parë, ku në skenën që kishin debutuar ato mote korifejt e muzikës shqiptare, veç talenteve të rinj dhe mjaft premtues për të ardhmen e muzikës, u ngjitën llojlloj këngëtarësh e krijues muzike, një pjesë e të cilëve ishin edhe  emra anonim, që vetëm me artin e vërtetë muzikor nuk kishin asnjë lidhje. Pas ndërrimit të sistemit, ka qenë shpresëdhënëse dhe duhen vlerësuar nga njëra anë përpjekjet e shumë djemëve dhe vajzave të talentuar, që u evidentuan asokohe me talentin e tyre për  risitë muzikore që sollën në skenë. Pati një prurje serioze të disa grupeve të rinj muzikorë që, me freskinë dhe artin e tyre sollën një frymë të re në muzikën bashkëkohore, por që për fat të keq, edhe ata u tërhoqën përballë fluksit të pakontrolluar të prodhimtarisë së “artit” që vinte nga rruga. Ky ishte “arti” i komercit që e goditi rëndë muzikën e vërtetë dhe të gjithë trashëgiminë e vyer të Këngës Shqiptare. Ky lloj “arti”, për mëse tre dekadash ka pushtuar tregjet muzikore duke e basarduar rëndë këngën shqiptare. Përballë një panorame të tillë, artistët tanë të mëdhenj, por edhe ata të rinj të talentuar që u shfaqën pas viteve ’90 –të, u tërhoqën nga udha e krijimtarisë, duke e ndier veten të pafuqishëm në këtë atentat të madh që i’u bë artit të vërtetë, Këngës Shqiptare. Vendin e hierarkisë së vlerave e zuri tallavaja dhe tekstet e pakuptimta muzikore, të cilat e kanë deformuar dhe ç’edukuar shijen e publikut. Ato na kujtojnë se Kënga, ky art i lashtë magjik që bashkon nga të gjitha kontinentet kulturat e popujve dhe përcjell kaq shumë emocion e mesazhe të fuqishme, që zbut dhe ngroh çdo zemër njerëzore kudo në botë, sot ndodhet në udhëkryqet e saj…. Ata që e kanë marrë peng muzikën  e vërtetë, na kujtojnë se dikur “na ishte njëherë muzika…”,  por, na ishte dhe është ende në mes tonë edhe një Mbretërëshë e Këngës Shqiptare me emrin Zhuliana Jorganxhi,  e cila i dha këngës shpirtin e saj, që ajo të mbijetoj përgjithmonë, pavarësisht kohëve që jetojmë.  Zhuliana Jorganxhi dhe e gjithë plejada që Ajo përfaqëson në artin muzikor shqiptar, është shembulli kuptimplotë që ilustrohet më së miri në atë që poeti ynë i madh  Dritëro Agolli shkruan: “…I bardhë si bora të jesh,/ i ndritur, i larë me flori./ Prapë do të shajnë, patjetër,/ pa sharë nuk mbetet njeri …!/ E hodhën floririn – e tretën,/ në llum, në llagëmin e zi./ Një shekull kaloi dhe e gjetën,/ Floriri kish mbetur Flori …”/ KultPlus.com

Të jetosh edhe përtej vdekjes

Nga Ilir Çumani

(Përsiatje mbi librin e ri me kujtime: “Ky është Dritëroi im”)

Ditët e fundit, Shtëpia Botuese “Dritëro”, nxorri në qarkullim librin me mbresa dhe kujtime kushtuar njërit prej personaliteteve më të shquara dhe qëndrore të Letrave Shqipe, DRITËRO AGOLLI. Në këtë botim janë përfshirë plot 120 autorë. Mes tyre, ka emra mjaft të njohur dhe shumë të respektuar të shkrimtarisë dhe publicistikës, artit dhe kulturës, politikës dhe shkencës, botës akademike e personalitete nga fusha të ndryshme të jetës e veprimtarisë shoqërore.Janë autorë brenda dhe jashtë vendit, të ndodhur kudo nëpër botë, në tërë hapësirën mbarëshqiptare, të cilët kanë rrëfyer lirshëm dhe pa doreza, në mënyrën më të sinqertë dhe të dëlirë gjithçka dinë, kanë parë e përjetuar për shkrimtarin dhe poetin tonë të madh.

Në veçanti, ata rrëfejnë me zemër të hapur shumë të pa thëna për NJERIUN Dritëro, ashtu siç e kanë njohur, duke sjell para lexuesve një libër të rrallë, me mbi 1000 faqe, për të cilin, Elona, e bija e shkrimtarit, është përkujdesur me merak e zell të admirueshëm për të nxjerrë në dritë një botim dinjitoz në përvjetorët e largimit nga jeta të dy prindërve të saj të mrekullueshëm, Dritëro dhe Sadije Agolli. Por, me një peng të madh, ashtu siç shprehet në parathënien e librit, kur ajo shkruan: “Një libër i vështirë dhe një “ëndërr e prerë”, për nënën time të jashtëzakonshme, paska qenë ky libër; përmbledhje kujtimesh të miqve dhe jo miqve, të dashamirësve, por edhe ata më pak dashamirës, të të njohurve zemërgjerë dhe largpamës, por edhe atyre më individualistë e pragmatistë. Dritëroi i vëzhguar nga shumë sy, zemra dhe mendje, në epoka thuajse të ndryshme, në etapa të ndryshme të jetës së tij…”Në fakt, libri befason dhe zgjon një kërshëri të skajshme tek lexuesi përmes narracionit, përjetimeve, mbresave, emocioneve dhe kujtimeve që autorët i ruajnë ende të freskëta nga takimet dhe lidhjet e shpeshta që kanë patur me shkrimtarin dhe poetin e madh, që në gjallje të Tij. Të gjitha këto rrëfenja, vijnë si dëshmi të jetuara, dhe rreken gjallërisht e në mënyrë harmonike të sendërtojnë jo vetëm profilin, por edhe institucionin e shejntë e të pa cënueshëm të një individi jo të zakonshëm, me kaq shumë impakt në qarqet intelektuale dhe ato krijuese, me një ndikim të pa diskutueshëm edhe në jetën shoqërore e politike midis dy kohëve, duke zbuluar çdo skutë të shpirtit njerëzor të patriarkut të mençur e zemërbardhë, me një pamje e shpirt të praruar, ashtu siç edhe mbeti deri në fund të jetës së tij. Ato, pasurojnë në mënyrë natyrale duke ndriçuar anë të tëra të personalitetit të Tij; kryesisht, synojnë  të skalitin dhe të paraqesin më qartë duke e latuar edhe më bukur profilin human të Dritëroit si NJERI, përpos asaj që të gjithë e njohim si personalitet me shumë peshë, jo vetëm në Trashëgiminë e Kulturës sonë Kombëtare që tashmë ka zënë një vend mjaft të rëndësishëm në gjysmën e dytë të shekullit të ‘20 – të dhe në dy dekadat e para të shekullit ‘21.

“KY ËSHTË DRITËROI IM”, është titulli i librit më të ri kushtuar këtij rilindasit të fundit të kohës tonë… Personalisht, ndjehem i privilegjuar që jam përfshirë në këtë botim special si bashkëautor modest, por, edhe si dëshmitar i shumë çasteve mbresëlënëse dhe bashkëkohës me shkrimtarin dhe Poetin tonë të madh. Jam i bindur se, lexuesit e shumtë që e kanë njohur Dritëroin në tërë kompleksitetin dhe dimensionin e Tij real, që e duan dhe e çmojnë shumë letërsinë e Tij, do të mrekullohen, e, patjetër do të impresionohen kurnë këtë libër do të gjejnë mjaft referenca si pikëtakime të përbashkëta, ashtu siç ata e kanë njohur dhe perceptuar përmes jetës dhe veprës së Tij! Në vitet e fundit të jetës, Dritëroi shkroi për vete, pse jo edhe për skeptikët apo të keqkuptuarit e Tij, një epitaf mjaft domethënës e filozofik. Në këtë epitaf, i cili duket si amanet testamentar i Dritëroit dhe që është vendosur dukshëm mbi pllakën e varrit të Tij, qartësisht Ai shprehet në mënyrë të sinqertë dheme shumë përulësi e dhimbje për një nga pengjet e Tij, kur thotë: “….Përjetësisht këtu fle Dritëroi/, Me etërit, gjyshërit dhe shokët pranë/. Të mira bëri pak gjersa jetoi/, Më tepër mund të bënte, por s’e lanë….”.

Në fakt, të gjithë ata që e kanë njohur nga afër Dritëroin,edhe ata që kanë bashkëpunuar dhe kanë ndjerë nga afër dashamirësinë, përkushtimin, këshillën e mençur dhe të urtë, ndihmën dhe përkujdesjen vëllazërore e atërore të Tij, (dhe të tillë janë të shumtë; mjafton të lexoni librin me kujtime), jam i bindur se, për herë të parë nuk do të ishin në një mendje me Njeriun – Dritëro. Ngase, pakkush si Ai, për aq sa e lejonin rrethanat e kohës, bëri aq shumë të mira sa mundipër bashkëkombasit, bashkëqytetarët e bashkëfshatarët e tij, për njerëzit e thjeshtë, të njohur dhe të panjohur, anembanë Shqipërisë, veçanërisht për ata që ishin në nevojë, aq sa, për të gjitha këto, do të duheshin të shkruheshin vëllime të tëra me libra si ky, që lexuesit fatmirësisht do ta kenë tashmë në dorë.

Kjo e vërtetë e pamohueshme, rikonfirmohet edhe njëherë përmes dëshmive në këtë libër të rrallë në llojin e vet nga emra mjaft të njohur, koleg, bashkëpunëtorë, bashkëkohës, dashamirës dhe adhurues të Dritëroit, si: Ismail dhe Helena Kadare, Rexhep Qosja, Moikom Zeqo, Zija Çela, Frrok Çupi, Teodor Keko, Ilir Meta, Pandeli Majko, Arben Malaj, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Sabit Brokaj, Bardhyl Londo, Muntaz Dhrami, Ali Aliu, Margarita Xhepa, Diana Çuli, Natasha Lako, Shaban Sinani, Pëllumb Kulla, Visar Zhiti, Bujar Kapexhiu, Ekrem Bardha, Skënder Buçpapaj, Timo Flloko, Mevlan Shanaj, Luan M. Rama, Aleksandër Frangaj, Ardit Gjebrea, Zhani Ciko, Piro Milkani, Mimoza Ahmeti, Mentor e Shpëtim Nazarko, Meri Lalaj, Thoma Gëllçi, Petrit Ruka, Justina Aliaj, Lazër Stani, Martin Leka, e shumë të tjerë, që janë rrëfyer me respekt dhe mirënjohje të thellë për shkrimtarin tonë të madh.Ka shumë e shumë të tjerë që nuk kanë mundur të rrëfehen, e, që padyshim, në çastin e duhur do ta bëjnë këtë, sepse, përtej bindjeve politike e ndasive krahinore, Dritëroi së pari  ishte një patriot e atdhetar i mirë, mik i çmuar i të gjithë shqiptarëve, nga jugu e deri në veri. Kudo ku shkeli këmba e Dritëroit, aty edhe u mbrujt vepra e tij e ndritur, në thelb të së cilës sintetizohen, materializohen dhe mishërohen luftrat, qëndresat dhe rezistenca e shqiptarëve, këtej dhe andej kufirit, hallet dhe përpjekjet e vazhdueshme për mbijetesë, brengat dhe gëzimet, shqetësimet e dhimbjet proverbiale të popullit të cilit ai i përkiste.

Padyshim, atje është gdhendurçdo gjurmë e Dritëroit tonë, të cilat do ti gjesh gjithmonë si dëshmi të kohës, sot e në të ardhmen. Kjo lidhje e fortë dhe e natyrshme me njerëzit, me tokën, me vendlidjen dhe me Atdheun, e dallojnë Dritëroin veç të tjerash si pararendës e mesazhier të dhembshur universal të paqes, e bëjnë një humanist klasik e të pangjashëm në llojin e tij, me kontribute të çmuara për emancipimin dhe përparimin shoqëror. Dritëroin e bezdisnin deri në sëkëlldi mungesa e humanizmit dhe padrejtësitë shoqërore, mungesa e meritokracisë, inferioriteti, servilizmi, diletantizimi, mediokriteti dhe konformizmi që asokohe buronte nga klishetë e propagandës dhe mbanin gjallë stereotipin burokratik, pasojat e të cilave binin mbi popullin, mbi njerëzit e thjeshtë. I gjithë ky realitet i bjerrjes së sistemit të vlerave, u trajtua me forcë, plot elegancë e qësendi,por, edhe me kurajo të admirueshme e në mënyrë groteske në një nga kryeveprat e tij, në romanin satirik më të zëshëm të letërsisë shqiptare, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, i cili, edhe sotmbetet aktual dhe përcjell mesazhe universale për kohën që jetojmë. Në piramidën më të lartë të hierarkisë së Partisë – Shtet, të rregjimit represiv që lamë pas, administrata e asaj kohe kishte edhe mjaft zyrtarë nopran, pushtetarë partiakë arrogant, injorantë e fanatikë të pashpirtë, që frerët e rregjimit i kishin mjaft të liruara, ku e ku me ato të Dritëroit.

Por, shumë prej tyre, në asnjë rast të vetëm nuk u vetëdijësuan, nuk patën asnjë moment reflektimi e pendese për faktin e thjeshtë ngase jetonin jashtë realitetit dhe ishin shkëputur tërësisht nga hallet dhe shqetësimet e popullit. Për këtë arsye, atyre u mungonte empatia humane dhe sentimenti njerëzor. Të ngujuar në ngrehinën e tyre militanteske të propagandës mediokre e dogmatike të kohës, ata i frikeshin novacionit intelektual, mendimit të lirë e të përparuar, ngase nuk deshën dhe nuk pranuan asesi të ecnin përpara me zhvillimet dhe konceptet e reja liberale që i diktonte koha. Për rrjedhojë, ata mohonin me çdo mjet progresin, refuzonin të bënin punë të mbara në dobi të shoqërisë e të përparimit të vendit, ngurronin të demonstronin një sjellje të mirë, të zgjatnin qoftë edhe një dorë për ndihmë, edhe atëherë kur rasti ua sillte në derë për ta bërë një gjest të tillë, ashtu siç dinte të bënte në mënyrë kaq origjinale dhe të vërtetë Njeriu i mirë Dritëro. Ishte koha e rrënimit shpirtëror, ku, dukshëm binte në sy mungesa e sitemit të vlerave. Jeta e vështirë dhe varfëria masive kishte prekur çdo qelizë të shoqërisë, kishte rrënuar dhe  pllakosur të gjithë vendin në kushtet e një tiranie të pashembullt ku sundonte censura dhe diktati absurd.

Ndërkohë, dinjiteti njerëzor nëpërkëmbej dhunshëm e pa shkak…(!!!) Skutave të errëta ku thurreshin intrigat e paimagjinueshme në ish aparatet e zyrave të Partisë së Punës, këta mercenarë të pashpirtë, shumë prej tyre, jo rrallë herë, djallëzisht e tinëzisht i ngrenin kurthe poetit dhe shkrimtarit popullor; përplaseshin pafytyrësisht me të dhe i hapnin punë liberalit Dritëro, pikërisht atëherë, kur ai sapo gjente një dritare shprese, apo sajonte një mundësi për të krijuar shanse dhe të ndihmonte sa më shumë të rinjtë e talentuar me “cene në biografi”. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ngase kjo specie konservatore, servile dhe e pandreqshme, ishte dhe mbeti deri në fund vegël e verbër represive e sistemit, ingranazhi kryesor dhe besnikja fanatike e diktaturës më të pashembullt që ia zgjati edhe më shumë jetën rregjimit, edhe atëherë kur ai po lëngonte në shtratin e vdekjes në agoninë e vet. Tashmë që kanë kaluar plot tre dekada e rrodhën shumë ujëra që nga ajo kohë, mendoj se është çasti të gjykojmë me objektivitet në vlerësimin e gjithçkaje ka ndodhur në të shkuarën. Pa pasione, pa mllefe, pa emocione të cilat na errësojnë shikimin dhe arsyen, ashtu siç shosha e ndan miellin nga krundet për të gatuar bukën e mirë….!

Dritëroi, gjithë jetën e Tij na gëzoi me të gjitha mënyrat që mundi, na inspiroj dhe na inkurajojë duke na frymëzuar, na mbajti gjallë shpresën dhe optimizmin, na ngrohu zemrat duke na dhuruar pafundësisht mirësi e dashuri pa kushte, na ushqeu në mënyrë të pamatë e të shëndetshme me “bukën” e mirë të letërsisë që rrallëkush e bëri si Ai. Dhe jo vetëm përmes prozës, publicistikës dhe poezisë së gatuar në magjen agolliane. Ashtu siç shprehet shkrimtari dhe poeti i njohur Preç Zogaj në mbyllje të kujtimeve të tij, se: “Dritëro Agolli është shembulli që ilustron të vërtetën e vjetër, se jo çdo njeri zemërbardhë është poet, por nuk mund të ketë poet të madh pa zemër të madhe…”. E, nëse kjo sentencë i shkon për shtat NJERIUT Dritëro, kjo do të thotë se tashmë Ai jeton edhe përtej vdekjes i përjetësuar në zemrën e një populli që aq shumë e ka dashur dhe do ta dojë përgjithmonë. Sepse Dritëroi, jeton dhe do të jetoj në kujtesën kolektive të një kombi të tërë. Ky libër i ri, që vjen si homazh për nder të poetit tonë të madh, na e dëshmon këtë… /KultPlus.com