‘Jetoj vetëm, në një qytet prej shiu’

‘Qyteti prej shiu’ nga Xhabir Tabaku

më duhej të ikja
mora rrugën
detrave të mesdheut
maleve me borë
rrafshnaltave me ujqër

një natë të ftohtë
fjeta në dyshek me minjtë

kockat e armiqve i mbledh ka’iherë
në bohçen që më dha nana kur u largova
e i hedh në kopshtin mbas shtëpisë
ku flejnë zvarranikët

tash jam i lirë
jetoj vetëm, në një qytet prej shiu / KultPlus.com

‘Shtrëngoma dorën grua, jam biri i dheut; në ty i dashtunuem’

Poezi nga Xhabir Tabaku

Nji hyll u shkëput prej qielle,
ra thik në zemër të botës.

U dha tellalli, kataklizma po ngjet;
dhanë virrmën lodraxhitë,
njerëzia u shpërndanë me shpejt
do për në parajsë, e do në tjetër vend.

U shkëput një hyll prej qielle
e ra thik mbi zemër t’onë,
se ç’ndodhi! -fluturuem drejt hanës
e kthyem prap; -të pikëlluem.

Shtrëngoma dorën grua! – jam biri i dheut;
në ty i dashtunuem. / KultPlus.com

‘ajo frymë gruaje vjen pështjellun me shall të bardhë, si era e dimnit, e rreptë’

Poezi nga Xhabir Tabaku

ajo frymë gruaje
vjen pështjellun me shall të bardhë,
si era e dimnit, e rreptë

degat e maranxhës janë tha
cungu mbetë pa jele, dridhet,
e dridhet si frym’ e zogut t’borës

frikë – frikë dhe ftoftë

fëmijët që losin rrugës s’e dijnë
që këtu ka ra kolera ma heret
dhe qeshen, e qeshen pa dert

– fjollat e borës së parë,
lule të verdha në nji natë pa hanë / KultPlus.com