Edicioni i 14-të i “Shkodra Jazz Festival” gjallëron mbrëmjet shkodrane

Grupi muzikor vienez “Znap” dhe këngëtarja me famë ndërkombëtare Patricia Moreno, kanë performuar mbrëmë në sheshin para Bashkisë Shkodër, në natën e parë të koncerteve përmbyllëse të “Shkodra Jazz Festival 2023”, që do të vijojnë deri më 27 Gusht.

Sonte në skenë do të jetë grupi nga Rumania “Popfolklorica”. Grupi rumun do të performojë në sheshin para Bashkisë Shkodër, në orën 22:00.

Dy karakteristika e bëjnë këtë grup një eksperiment të jashtëzakonshëm. E para, është ideja e drejtorit të grupit, Ovi, laureat çmimesh në Eurovision 2010 dhe 2014, për të bashkuar personalitete tashmë shumë të spikatura individualisht në skenën rumune.

E dyta, është zgjedhja e mënyrës së krijimtarisë, që niset nga pasuria e jashtëzakonshme etnomuzikore rumune për ta pasuruar atë me gjetje interesante të frymëzuara nga stilet jazz, blues, motown ose vintage soul.

Të tjerë solistë dhe grupe të mirënjohura muzikore do të jenë në skenë në dy ditët e fundit të edicionit të 14-të “Shkodra Jazz Festival”, organizuar nga Shoqata Kulturore “RROK JAKAJ”, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe partnerë të tjerë./ atsh / KultPlus.com