130 vite nga lindja e Dom Ndre Zadeja, dramaturgu i parë i letërsisë shqiptare

Dom Ndré Zadeja, i njohur si “Poeti i ambëlcisë” dhe si një ndër dramaturgët e parë të letërsisë shqiptare, është njëkohësisht edhe dëshmitari i parë i fesë katolike që ra nën plumbat e diktaturës komuniste.

Lindi në Shkodër më 3 nëntor 1891. I ati, Gjoni, ishte zanatçi; e ëma, Lukja e Cuk Fishtës, shtëpiake. Klasat e para të fillores i ndoqi në shkollën italiane të vendlindjes. Nën ndikimin e fortë të djalit të dajës, dom Mati Fishtës, më 1903 hyri në Kolegjin Saverian, ku më 1912 mori dëftesën e pjekurisë dhe vendosi t’i kushtohej  përgjithnjë rrugës së meshtarisë. Më 30 shtator 1913 u nis për në Innsbruck, ku studioi  filozofinë e teologjinë deri më 16 mars 1916. Sapo kreu studimet, u kthye në Atdhe ku u shugurua meshtar dhe më më 26 prill 1916, në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, tha Meshën e parë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje të madhe, u emërua sekretar i Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Jak Serreqit, detyrë që e kreu për gjashtë vjet me radhë, deri më 1922, kur u zëvëndësua nga Dom Lazër Shantoja. Vazhdoi misionin si famullitar në Mal të Jushit, në Bogë, Shkrel e Sheldî. Marrëdhëniet e ngushta me popullin, i krijuan mundësinë të studionte me kujdes mënyrën e jetesës, mendësinë e sidomos gjuhën e pastër e të pasur popullore.

Dom Ndreu kishte një formim të gjithanshëm: filozofik, teologjik, pedagogjik, letrar e artistik; ishte poet lirik, dramturg, publicist e orator i njohur. Shkroi artikuj e mbajti ligjërata për edukatën e edukimin; së bashku me Dom Mikel Koliqin hartoi muzikën e dy melodramave të tij të para “Ora e Shqypnís” e “Hije të zeza”, dha një ndihmesë të madhe për themelimin e bandës muzikore të shoqërisë “Bogdani”; qe mësues i solfezhit për të rinj që mësonin veglat e frymës; gjatë shërbimit në famullinë e Sheldisë shoqëroi me armonium të gjitha kremtimet fetare.

Përpjekjet e para për botimin e veprës së Zadejës u bënë në vitet 1938-44 nga “Kumbona e së Dieles”, organ i famullive të Kryedioqezës të Shkodrës, ku panë dritën e shtypit një pjesë e vjershave dhe e melodramave të tij.

Por “Kumbona” nuk mundi ta nxjerrë në dritë veprën e plotë, sepse botimi i revistës u ndërpre. Pesëdhjetë vjet më vonë këtë detyrë të vështirë e mori mbi vete Lec Zadeja, i cili bëri përpjekjen për t’i dhënë letërsisë shqipe një Zadejë sa më të plotë, në veprën “Dom Ndré Zadeja, Veprat”, në dy vëllime(1994 -1996) botuar në Lezhë nga shtypshkronja “Gjergj Fishta”. Përmes kësaj vepre të punuar me dashuri, lexuesi njihet me Zadejën poet, prozator e dramaturg.

Poeti

Poezitë e para të Zadejës janë: “Muzhika” e “Piktura”, përmes të cilave u këndon këtyre arteve që lartojnë e fisnikërojnë shpirtin e njeriut. Pastaj Meshtari poet, duke ecur në gjurmët e Etërve Xanoni, Fishta, Prennushi e të tjerëve, krijoi një cikël me poezi fetare, si “Natyra e Zojës”, “Falni”, “Të Kryqëzuemit”, “Shêjtnorja e Zojës” etj. Poezitë përshkohen nga fryma e filozofisë së krishterë, këndojnë mirësinë, dashurinë e faljen. Duke provuar ritme, metra e strofa të ndryshme, Zadeja solli një ndihmesë të madhe në pasurimin e prozodisë shqiptare.

Shquhet ndërmjet tyre “Natyra e Zojës”(fq.45) shkruar me strofë safike. Është një himn të cilin mbarë krijesa ia këndon Asaj, që mbajti në krahëror, lindi, rriti, shoqëroi te këmbët e kryqit e pastaj në lumturinë e mbretërisë qiellore, Shëlbuesin e botës. Është pranverë! Natyra zhvesh mbulojën dimërore dhe, e veshur me blerimin e gëzueshëm, këndon. Këndojnë valët e përrenjve që rrjedhin furishëm ndërmjet shkëmbinjve, gurrat e qeta, krojet, gjethët, lulet, bari; këndojnë yjet natën e dielli në agim, këndon bilbili: mbarë kreatyrët shpërthejnë në kor me brohori një refren të vetëm: “Falemi Mëri! Këndon toka e qiella!”.

Poezia “Falni”, me strofë katërshe, është një thirrje që tingëllon përherë aktuale në shtegtimin e vështirëtë njeriut mbi tokë: “Falni, falni:… O Zot, hekrat i theva, / edhe vetë t’idhnimit të zí; /T’fyemet të tana ‘i ditë i ndjeva;/ fala, tesh pushoj n’qetí//”. Satirën “Kumbona e Sheldisë” e përshkon ideja se toka shqiptare nuk mund të kuptohet pa tingullin e kumbonëve, simbol i krishtërimit e i përpjekjeve të vështira të popullit për të ruajtur fenë e traditat e të parëve. Shkruan poeti: “Dyqind vjet kumbonë jehove/ Shoqet në dhé, ti n’kambë qindrove; / Vezirlive ua prishe gjumin/ Një magjyp ta shkurtoi rumin!” / KultPlus.com