Ti je e lodhur

Poezi nga Edward Estlin Cummings

Ti je e lodhur,
(mendoj)
nga ky mister i vazhdueshëm i të jetuarit e vepruarit.
Edhe unë.

Ndaj,
eja me mua
të ikim larg e më larg-
(veç unë dhe ti, kupton!)

U argëtove,
(mendoj)
dhe i bëre copë e çikë lodrat e tua më të shtrenjta,
e tani disi e lodhur je;
E lodhur nga gjërat që thyhen, dhe-
Thjesht e lodhur.
Edhe unë.

Por sonte vij me një ëndërr në sytë e mi,
dhe trokas me një trëndafil në portën e pashpresë të zemrës sate-
Hapma!
Do të të rrëfej për vende që Askush s’i di,
e nëse do,
vendin e përsosur për të marrë një sy gjumë.

Ah, eja me mua!

Hënën do ta shfryj, atë bulë të mrekullueshme,
që kurdoherë pluskon dhe një ditë;
do t’këndoj këngën e zymbylit
të yjve të mundshëm;

Do kuturis nëpër stepat e qetë të ëndrrës
derisa të gjej Lulen e Vetme
që do ta ruajë (mendoj) zemrën tënde të vogël
kur hëna del nga deti.

Përktheu: Beti Njuma / KultPlus.com

“Por sonte unë vij me një ëndërr ndër sy, dhe trokas me një trëndafil në derën e pashpresë të zemrës tënde”

Je e lodhur (besoj)’ nga Edward Estlin Cummings

Je e lodhur,
(Besoj)
Prej lëmshit të përhershëm të jetës dhe veprës;
Ashtu jam edhe unë.

Eja me mua, atëherë,
T’i ikim larg, shumë larg –
(Vetëm unë e ti, kupton!)

Ti lodrove,
(Besoj)
Dhe vajte e prishe lodrat që deshe më shumë,
Dhe je paksa e lodhur tani;
E lodhur me gjëra që prishen, dhe –
Veç e lodhur.
Siç jam unë.

Por sonte unë vij me një ëndërr ndër sy,
Dhe trokas me një trëndafil në derën e pashpresë të zemrës tënde –
Hapma!
Pasi do të të tregoj vende që nuk di Njeri,
E nëse dëshiron,
Vende të përsosura Gjumi.

Eja pra me mua!
Do të ta mbush me ajër atë flluskë magjepsëse, hënën
Që vozit prej kur s’mbahet mend;
Do të të këndoj këngën e jacintit
Të yjeve të mundshëm;
Do mëtoj stepat e patrazuara të ëndërrimit,
Deri sa të gjej të Vetmen Lule
Që do ta mbajë (besoj) zemrën tënde vocërrake
Ndërsa hëna zë të shfaqet prej deti.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com