Sot, 562 vjet më parë u shkrua dokumenti i parë shqip, “Formula e pagëzimit” e Pal Engjëllit

Më 8 nëntor 1462, u shkrua dokumenti i parë në shqip, Formula e Pagëzimit.

Formula është shkruar prej kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Pal Engjëllit, në gjuhën kishtare të kohës, në latinisht.

Dokumenti ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe për herë të parë është gjetur në vitin 1915 nga historiani rumun, Nicolae Jorga. Dokumenti është fryt i vizitës baritore, që kryeipeshkvi shqiptar imzot Pal Engjëlli, bëri si udhëheqës shpirtëror nëpër kishat famullitare e viset e kryedioqezës së Durrësit të kohës.

Në mbarim të kësaj vizite baritore, imzot Pal Engjëlli pasi përballet me vështirësitë që i kanoseshin popullsisë shqiptare, u lë porosi priftërinjve të pagëzonin foshnjat, në rast rreziku vdekjeje, me fjalët e Formulës së Pagëzimit: “Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.

Në kryeveprën e tij kushtuar Skënderbeut, Marin Barleti shkruan se Pal Engjëlli ishte burrë i ditur, me zotësi të rrallë në oratori, të cilin Skënderbeu e mbajti afër vetes për kulturën dhe maturinë e tij. / KultPlus.com

Më 8 nëntor kujtojmë “Formulën e Pagëzimit”, dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip

Dorëshkrimi latinisht me “Formulën e Pagëzimit” u gjet në bibliotekën “Laurenziana” të Firences nga historiani rumun Nikolla Jorga dhe u botua prej tij me 1915. Njihet si dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip, që njohim deri sot. Ajo është një fjali e shkurtër shqip (Unte’paghesont premenit Atit et birit et spertit senit) në mes të një shkrimi latinisht, një letër qarkore e kryepeshkopit të Durrësit, Pal Ëngjëllit, bashkëpunëtorit të ngushtë të Skënderbeut.

Është një formulë që duhet të përdornin familjet për të pagëzuar fëmijët e tyre të porsalindur, kur nuk mund t’i çonin në kishë. Formula është shkruar në dialektin e Veriut dhe me alfabet latin, i afërt me atë që ka përdorur Buzuku në veprën e tij.

Me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në vitin 2008, Muzeu Historik Kombëtar botoi librin me titull “Formula e Pagëzimit”. Në këtë libër u përfshinë kumtesat kushtuar dokumentit të parë të shkruar në gjuhën shqipe. / KultPlus.com