Inteligjenca Artificiale po pushton rrjetin, studimi: 20 profesione do të zhduken së shpejti

Shumë prej nxënësve kujtojnë me mall mësuesen  e tyre të letërsisë, ose mësuesin e historisë. Por këto profesione kaq të dashura për gjenerata të tëra mund të zhduken pjesërisht, për shkak të avancimit të teknologjisë, në veçanti për shkak të përhapjes së inteligjencës artificiale.

Një studim i këtyre ditëve nga universitetet prestigjioze amerikane të Princeton, Universiteti i Pensilvanisë dhe ai i Nju Jorku,  ka hulumtuar mbi efektet ndaj punësimin në industritë amerikane të aplikacionit ndoshta më të njohur të inteligjencës artificiale për momentin, ChatGPT, por më pas u zgjerua edhe në fusha të tjera.  

Sipas studimit, jo pa habi, profesionet më të rrezikuara nuk janë ato që lidhen me shkencat ekzakte, por më shumë ato letrare ose që kanë të bëjnë me fushën e analizës historike dhe shoqërore, multidimensionale, pikërisht aty ku elementi njerëzor cilësohej si i pazëvendësueshëm.

Pra më shumë se inxhinierë dhe matematicien, inteligjenca artificiale do të godasë mësuesit e shkollave, veçanërisht ato të letërsisë dhe gjuhëve të huaja, por edhe ato të shkencave politike dhe sociologjisë, por edhe ato në shërbimet ligjore, që shpesh jepen online.  

Pikërisht, në një dimension afatshkurtër, kategoria më e rrezikuar sipas studimit është ajo e operatorëve që punojnë në call-center, por rrezikojnë edhe psikologët, ndërmjetësit kulturorë, madje edhe vetë avokatët, në një të ardhme më afatgjatë./ a2cnn / KultPlus.com

Një shqiptare mes 11 më të mirëve në fushën e Inteligjencës Artificiale

Sindi Shkodrani është vajza shqiptare që është përzgjedhur mes 11 më të mirëve në fushën e inteligjencës artificiale që duhet ndjekur në vitin 2021.

Sindi aktualisht është “truri” i zhvillimit të teknologjisë në kompaninë holandeze “TomTom” në Amsterdam si inxhiniere e mësimit të makinerisë/vizionit kompjuterik- Autonomus Driving R&D.

Ajo ka përfunduar studimet master shkencor në Inteligjencën Artificiale nga universiteti i Amsterdamit në vitin 2017. Për më tepër, e reja shqiptare është anëtare e Grave në fushën e Inteligjencës Artificiale në Holandë që prej fundit të vitit 2018.

Dy universitetet kryesore të Amsterdamit kryejnë tashmë një program të përbashkët master për Inteligjencën Artificiale. Përveç kësaj Shkolla e Amsterdamit e të Dhënave Shkencore e cila është një bashkëpunim mes katër universiteteve kërkimore dhe shkencës së aplikuar, ofron mbi 250 programe të orientuara në të dhënat shkencore.

Inteligjenca artificiale është e vendosur të përcaktojë teknologjinë e të ardhmes siç janë veturat që drejtohen vetë apo dhe robotët e kujdesit shëndetësor. /dp/ KultPlus.com

Warner Bros. nis shfrytëzimin e inteligjencës artificiale për të parashikuar suksesin e filmave

Warner Bros. do të fillojë ta përdorë inteligjencën artificiale (AI) për të parashikuar se sa të suksesshëm mund të jenë filmat e tyre në arkat kinematografike. Platforma do t’i mundësojë që t’i testojë rezultatet e profitabilitetit në varësi të faktorëve të ndryshëm, përfshirë distribuimin dhe datën e lansimit.

Warner Bros. Pictures International, kompani kjo e cila përfshihet në “big six” të Hollywoodit, ka nënshkruar kontratë me start-up kompaninë “Cinelytic” nga Los Angeles për përdorimin e sistemit të tyre të menaxhimit të projekteve, raporton “Hollywood Reporter”.

Kjo vegël parashikimi u prezantua vitin e kaluar dhe ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse në industrinë e filmit, shkruan KOHA Ditore. Ata pretendojnë se platforma është në gjendje të parashikojë me saktësi se sa para do t’i fitojnë nga shitjet e biletave duke përdorur të dhëna të ndryshme.

Një prej funksioneve ua mundëson producentëve të shohin se si përfshirja e aktorëve të caktuar do të ndikonte në profitabilitetin e filmit. Gjithashtu, rezulton se sistemi i rendit aktorët për nga ndikimi i tyre ekonomik në industrinë e filmit, përfshirë sipas llojit të mediave, zhanrit dhe “territoreve kyç”.

Për testimin e skenarëve mund të reprodukohen edhe skenarët e ndryshëm të distributorëve dhe publikimeve, raporton “Sky News”. / KultPlus.com