Kënga fantazmë

Nga: Jim Morrison
Shipëroi: Bujar Meholli

Zgjohu!
Shkundi ëndrrat nga floknaja jote
vogëlushi im i dashur,
më i miri im.
Zgjidhe ditën dhe shenjën e saj,
ajo, hyjnesha ditë,
është gjëja e parë që do të shohësh.

Seç është një plazh i madh dhe i gjerë
ku sipër tij rrëzëllen hëna e ftohtë si stoli,
çiftet garojnë lakuriq aty poshtë
qetë-qetë…

Ne ishim fëmijë të ndjeshëm
paksa çmendarak
me trurin mbështjellë nga pambuku i foshnjërisë,
shumë zëra dhe muzikë rreth nesh…

Dalloji ata që keqkuptojnë të Lashtit
koha ka ardhur përsëri,
ata të zgjedhësh, po po, ata,
nën dritën vezulluese të hënës
afër një liqeni të lashtë..

Futu më pas në pyllin e ëmbël
shtrihu brenda asaj ëndrre të ngrohtë,
eja me ne pastaj
të vallëzojmë kur gjithçka rreth nesh
shpartallohet.

Indianët janë shpërndarë kudo,
në ag autostrada pikon gjak
fantazmat vijnë vërdallë vogëlushit
në mendjen e brishtë të tij futen…

Aty brenda ka një emblemë
ky është teatër antik dhe i çmendur
që bën programimin e jetëve tona
dhe ikën me shpejtësinë e me zhaurimën e dallgëve…

Barnat kanë mbaruar.
Dritaret hapur rrinë
është vetëm njëri ndër të tjerët
që mund të kërcejë dhe të na shpëtojë.
Duke përqeshur fjalët hyjnore
muzika ndez temperamentin tonë.

O krijues i madh i qenieve
pa na e dhuro një orë
që ta ushtrojmë artin tonë,
kështu t’i përsosim jetët tona.
Kemi nevojë të bëjmë llogari të mëdha.

Kur mbretërit e vërtetë vriten
xhelatët lirshëm vërdallosen
janë një mijë magjistarë që lindin,
e pra ku është ajo festa e premtuar?

Nga albumi An American Prayer /KultPlus.com

“Më mirë një fund i dëshpëruar sesa një dëshpërim pa fund”

THËNIE PËR VDEKJEN, TRISHTIMIN DHE HIDHËRIMET E DASHURISË…

• Prapa çdo loje ekziston ideali i vdekjes!

• Të gjithë kërkojnë një mik, por asnjë nuk provon të bëhet i tillë!

• Po u zgjove në mëngjes dhe nuk e pe diellin ose dielli je ti, ose ke vdekur!

• Përse nuk na lejojnë të dashurojmë… X vjeç kur mund të vdesim në çdo moshë?!

• Nuk ju kërkova unë të më lindni, ndaj më lini të jetoj!

• Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm!

• Jeta është veç një ëndërr në rrugën e vdekjes!

• Uroj që kur të vdes të shkoj në Parajsë, sepse Ferrin e jetova këtu!

• Dashuria është gëzimi i qenies dy, tmerri që mbetesh një, frika se bëhesh tre!

• Nëse juve ju mungon dikush në botë, për mua jeni ju që i mungoni botës!

• Mos qaj! Sepse në botë ekziston gjithnjë një person që jeton për buzëqeshjen tënde!

• Kam provuar të eci këmbëzbathur rrugës shtruar plot kujtime, aty ku këmba shkelte dhimbje aty, ku dhimbja shkelte dhimbje…!

• Sikur të na jepej gjithë fuqia magjike që të lexonim mendimet e njëri-tjetrit, supozoj që efekti i parë do të ishte shkatërrimi i të gjitha miqësive…!

• Merr pak dhimbje nga e imja, shpirti im po të thërret, po kjo jetë po s’pati dhimbje kurrë s’mund të quhet jetë…!

• Sado të këqija qofshin ditët, pa to s’dua të mbetem, qaj vetëm ditët e bukura se të këqijat qajnë vetveten…!

• Çdo gjë lind e vogël dhe pastaj rritet, vetëm fatkeqësia lind e madhe, pastaj zvogëlohet…!

• Ka kaq kohë që çdo ditë të shoh e më duket se të shoh për herë të parë…!

• Hero nuk është ai qe bie në betejë, është ai që kur rrëzohet gjen forcën për t’u çuar e lufton përsëri…!

• Pasqyra është miku im më i mirë sepse sa herë qaj nuk qesh me mua…!

• Më pëlqejnë adoleshentët se çdo gjë që bëjnë e bëjnë për herë të parë…!

• Të vrasësh është kurajo e momentit…të lësh të jetojnë është kurajo e përjetshme…!

• Do jepja dhe jetën për të jetuar përjetësisht…!

• Ndonjëherë mjafton një çast për të harruar një jetë e ndonjëherë nuk mjafton e tërë jeta për të harruar një çast…!

• Pas gjakut, gjëja më e mirë që një burrë mund të japë, janë lotët e tij…!

• Dhashë gjithçka që munda. Jam një poet që tregon historitë e tij e një këngëtar që këndon poezitë e tij…!

• Midis të mirës dhe të keqes ka një porte… dhe unë ta hap!

•- Mos u kënaq me horizontin… kërko pafundësinë!

• Unë jam kështu, sepse shpreh atë që kam brenda…!

• Jeta është si një pasqyrë, të qesh në qofte se e shikon duke qeshur…

• Nuk do plakem kurrë, sepse jam një yll që bie…!

Duke pritur diellin

Nga: Jim Morrison

Shqipëroi: Bujar Meholli

Kur për herë të parë vezulloi Kopshti i Edenit
ne u dyndëm poshtë në det.

Kemi qëndruar atje në atë bregdet të lirisë
gjithçka kemi bërë është pritja e diellit
po, kemi qëndruar duke pritur diellin

A nuk mund ta ndjesh tani
që pranvera iku e shkoi?

E sheh, tani është koha të jetojmë
nën këto rreze dielli
që kudo po shpërndahen

Të qëndrosh duke pritur diellin
kjo është jeta më e çuditshme që e kam njohur
a mund ta ndjesh këtë? /KultPlus.com