Largohet me bager guri përkujtimor i nënës që dogji veten pasi serbët ia vranë djemtë, Apolloni: Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare

Guri përkujtimor i Pashkë Markut (nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë) është larguar me bager nga pronari i tokës, Hasan Zenun Bala, shkruan KultPlus.

Përkundër faktit që Pashkë Marku konsiderohet simbol i Kosovës, pronari i tokës nuk ka treguar as edhe një pikë rrespekti e madje arsyeja e këtj veprimi nga ana e tij konsiderohet një gjest i prapambetur.

Për këtë ka reaguar profesori universitar dhe shkrimtari i njohur Ag Apolloni i cili është shprehur se ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare dhe politike.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë të Ag Apollonit:

Guri përkujtimor i Pashkë Markut (nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë) qenka hequr sot pasdite me bager nga pronari i tokës, Hasan Zenun Bala. Nëna Pashkë është simbol i Kosovës, prandaj heqja e atij guri është një gjest i pamenduar i pronarit. Lus Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës ta mbrojnë këtë simbol, duke e kthyer gurin aty ku ka qenë, në atë arë të Korenicës (Gjakovë). Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngritet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngritet asnjë kishë aty), dhe për arsye politike, se s’i paska pëlqy që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri. Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare. Ai simbolizon vuajtjen e një nëne shqiptare dhe, njëkohësisht, vuajtjen e një populli, pjesë e të cilit është edhe Hasani që bëri një gjest fisnik kur e lejoi vendosjen e gurit në arën e tij, dhe një gjest të pahijshëm kur e hoqi. Hasan, ne shqiptarët (katolikë dhe muslimanë) ishim viktima, dhe lufta nuk u bë për arsye fetare. Ai gur është pjesë e kujtesës sonë kolektive kombëtare. Ktheje gurin në vend të vet! / KultPlus.com