Lavirja tullace

Nga: Nerimane Kamberi

Ai: – A e ndale shporetin?

Ajo : – Nuk e pata lëshuar.

Ai : – Të thash me lëshu !

Ajo: – Paskam harru.

Ai: – Po e shoh avullin që po del nga gjygymi!

Dhe ai fjejti. Dhe ajo shfrytëzoj atë qetësi për t’u marr pak me veten. Bëri një maskë për fytyrë me një ve të katundit, me të verdhën, dhe ca pika vaj ulliri. Lëshoj një muzikë, me zë të ultë, por megjithatë e shijonte.  Asnjë zhurmë nuk vinte nga rruga, …

Përnjëhere ai u zgjua, u ngrit nga kanapeja furishëm, rrëzoi telefonin nga tavolina,  hyri në banjo ku ajo ishte duke e larë fytyrën me ujë të vakët për ta hequr shtresën e bardhë nga fytyra, ishte forcuar si argjilë, dhe e kapi për flokë:

“A kaq shumë këqyrësh ti në pasqyre, lavire,…” dhe shuplaka e parë fluturoi, e zhurma e saj goditi pllakat e qeramikës dhe u kthye në veshët e saj. Ai e tërhoqi kah vetja dhe me një forcë të paparë ia ktheu kokën kah ai, ia afroi fytyrën te fytyra e vet. Goja e tij kundërmonte një erë rakije të keqe e përzier me hudhër (i hante se i kishin thënë se e mbrojnë prej sëmundjes!), “e për kend po i ndreq këto flokë, lavire, unë tash t’i ndreqi !” dhe shuplaka e dytë fluturoi.

“Do t’i prej, por të gjitha dyqanet e frizereve janë mbyllur, as te motra nuk mundem të shkoj se ajo m’i kish pre…” lutej ajo, por burri s’e dëgjonte,  e kapi për fyti që të mos mund të lëviz. I ulur mbi vaskë, e kapi makinën elektrike të rrojës, dhe pasi e detyrojë gruan të gjunjëzohej para tij, filloi t’ia heqë flokët, t’a qethë, me inat, ajo kafshonte dorën që të mos bërtasë, edhe pse nuk mundte as të marrë frymë, e lëre më të lëshojë një zë më të fortë.

Ajo dridhej ende, e lëmonte kryetë duke dënesur. S’guxonte të shkojë te pasqyra, edhe pse ishte vetë, as te pasqyra e banjos, një pasqyre me kornizë plastike, që e kishin blerë prej më të lirave, “çka duhet më të mirë? , as te ajo te hyrja e banesës, që ishte e ngjitur te ormani ku shtinin mantilat kur ktheheshin prej punës, “duhet me heqë prej këtu, po të them! as te ajo e dhomës së gjumit, një pasqyre e madhe, tepër e madhe për atë sipërfaqe, në formë ovale . “Do ta thyej një ditë, me një grusht…”.

I shkoi mendja një herë të kërcej prej ballkoni, nga kati i pestë, por mendoi “I kam vetëm 26 vjet,…”

Televizori kishte mbetur i ndezur, në kanalin e televizionit publik fillonte ora mësimore  “tani do të fillojmë me orën e biologjisë, virusi ka marrë këtë emër sepe ka formën e kurorës,….

Pasi ishte qetësuar pak, ishte ulur para pasqyrës, dhe e shikonte vetën. Hapi fijokën dhe nxori  kurorën e martesës, e vuri mbi kry.

 “…e në latinisht, gjuhë e mjekësisë, kurorës, i thojnë corona….” vazhdonte arsimtarja shpjegimin e saj. Zilja e kthjelli, ngadalë shkoi te dera, e hapi, dy policë me dorëza dhe maska i thanë: “Burri i juaj është arrestuar, ka rrahur për vdekje një kojshi.”  “Rri në shpi,  i thash, nuk e ke orën me dalë.” u përgjigj ajo.  I përshëndeti dy zotërinjtë dhe mbylli derën,  dhe duke kaluar para pasqyrës në korridor, kthej krytë, dhe pa që kishte pasë harruar ta heqë kurorën. /KultPlus.com

Katërdhjetë ditë

Nga Nerimane Kamberi

12 prill 2020, nga katundi i karantinuar

Thanë që katundi jonë hyri në karantinë. Katundi jonë, i vogël, i bukur, si çdo katund, si asnjë katund, u bë teme e lajmeve, vendore, kombëtare, si Kosova që dikur, moti, ishte bërë lajm në gazetat ndërkombëtare, kur e kishte prekur një sëmundje, tinëzare, e panjohur, vrasëse, Kosova, të cilën as Jugosllavia nuk e njihte, një krahinë e prapambetur dhe fukura, temë e lajmeve ndërkombëtare ! Një gazetë madje kishte shkruar se kryetari i një komune diku në Gjermani kishte përgëzuar qytetarët e saj për durimin që kishin treguar gjatë karentinës për festët e Pashkëve, hajt Gesundheit!,  se një shqiptar , ia kishte sjell virusin, kur në kërkim të një jete më të mirë, kishte shkuar në kurbet, si baba im,  për të gjetur punë, e me rininë, me bukurinë dhe me mjerimin e tij e kishte sjell edhe sëmundjen.

          Lexoj, shkruaj për lijen e para pesëdhjetëvjetëve, e jetoj në një shekull tjetër, një frikë tjetër, që na ka kapluar, mu, ty, tërë botën, tërë njerëzimin. Një zotëri gazetar kishte shkruar atëhere që ishte rritur importi i sapunit dhe eksporti i lajmeve të vërteta dhe i trillimeve. Zoti gazetar, asgjë s’ka ndryshuar, a jeni duke parë, a jeni edhe ju duke lexuar gjithçka, por më së pari të ju pyes, a i keni la duart? Sapuna, ka plot shtëpia, me vaj ulliri, vaj argani, dhuratë nga udhëtimet e miqve, suvenire nga udhëtimet e mia, sot udhëtoj nga shpija,  në kryeqytetet e mëdha, të mbetur shkretë, foto në kopertinë të Newyorker, Grand Central, ku shtyhesha me dhjetëra udhëtarë një dimër, para dy-tri vite, tash aty askush nuk shtyhet, as une këtu nuk shtyhem, as nuk prekem, as nuk përqafëm, jo jo , ju betohem, e ky urdhër : Rrni në shpi! Rrini në shpi! Vini re! Vini re! Nuk i dua urdhërat, kurrë nuk i kam dashur, por do të rri në shpi. Vini re, vini re! Rrini në shpi! Rrini në ship! Lufta po vazhdon.

          Karantinë? Në gjuhën time të parë apo të dytë, nuk po di më, karantinë, karantë (quarante), katërdhjetë, katërdhjetë ditë më tha nana, nuk del prej shpije, nuk vjen te na, kur e linda fëminë e parë. Katërdjetë ditë ta ruaj këtë ëngjëll nga sëmundja, nga syri i keq, se ç’na dishin gratë, katërdhjetë ditë ndejta, nuk dola, po pse moj nanë nuk më tha se pas katërdhjetë dite do të dilnim ai dhe unë në një botë të egër, të frikshme, po moj bijë, kësëm ti me shkollë, a nuk e dije? Nuk ndejta katërdhjetë ditë për fëminë e dytë, edhe nana u dorëzua, para shpirtin tim rebel, para etjes sime për liri, fundja jetonim në liri, lindnim në liri, as katër ditë nuk ndejtëm, se nuk kishim frikë se nuk do të na kapte mësyshi, edhe pse është e vërtetë,  më kishte rënë njëfarë nuri, nuri i lehonave,  thojshin gratë, prapë ato gra.

          Ditëlindja e tij po afrohet, do ta festojmë bashkë more bir, të premtoj se do ta bëj atë ëmbëlsirën me dredhëza, kanë dal në pazar, po nuk mbahet më pazar,  e nëse nuk mund të dalim t’i blejmë, t’i mbledhi të egra, këtu në mal, jo larg, se jemi në karantinë, janë më të ëmbla, më të shijshme, por ma të vogla, e vërtetë, por po të premtoj se ta mbushi tortën, ta qendisi me dredhëza, se e di ti se e mbaj premtimin, edhe në luftë kur patëm ik, e strehoshim 100 km prej shpisë sonë,  hiç me larg, jo nuk ishim të mbyllur, por nuk mundeshim të kthehemi, ta pata bërë një ëmbëlsirë. Ta pata shkruar një poezi, a e ke ruajtur?

Nisu në pelegrinazhin tënd,

Në bredhjet e tua,

Bëftë zoti mos të zgjasin dhjetë vjet,

Do të shohësh shtatë mrekullirat e kësaj bote,

Jo shtatë po aq sa kanë mbetur

Do të vërtetosh se toka është e rrumbullakët

Dhe se njeriu kurrë nuk ngopet, edhe këtë e përjetuam biri im.  Sot nuk mund të nisesh askund, do të rrish në shpi me mua, me babën dhe vëllain tënd.

Apo pelegrinazhin, atë të haxhive nuk e lejuan sivjet, ndoshta në mot, në rrëfimin e para pesëdhjetë vjeteve, thuhet që sëmundjen e sollën nga Lindja, prej Mekës; a thua edhe zoti u hidhëru me ne, sot në katedralë Ipeshkëvi i jonë kremtoj Pashkët vetë, gjithë ajo katedralë e zbrazët, a thua prifti ndihej i vetmuar, apo me të ishte Perendia ?   

U ktheva kah vetvetja më thotë një mik, kisha harruar vetën në ketë botë që sillej tepër shpejt, ku unë vrapoja jashtë normalës, por edhe une u ktheva kah vetja, si të them që u kënaqa, do të më shpallin heretike,  abdall, kush mërzitet më, kush merret me mua në këtë rrëmujë, kush, kush, unë?

          Do të kthehemi, të dalim, të takohemi, të flasim për atë që na gjeti, dhjetë ditë, katërdhjetë ditë, do të harrojmë, do të skruajmë memoare, të botojmë ditaret e karentinës, të na shkruajnë biografinë për heroizmin tonë, për ca mijëra kartëmodha të pista, t’i harrojmë heronjtë e vërtetë, të vazhdojmë të bëjmë foto të fotova tona, aty në akuariumet tona, dikur, e ju, e thefshit qafën, por unë kur dua hy në karentinë./KultPlus.com

Urdhri i Palmave Akademike i dorëzohet Nerimane Kamberit

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel ka dekoruar shkrimtaren dhe gazetaren Nerimane Kamberi me Urdhrin e Palmave Akademike, si pjesë e kontributit të jashtëzakonshëm gjatë gjithë karrierës së saj profesionale në përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze në Kosovë.

“Një ceremoni e bukur u organizua me ketë rast për të nderuar kontributin e saj të jashtëzakonshëm në përhapjen e kulturës dhe gjuhës frenge në Kosovë!”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Francës në Kosovë.

Kamberi kohë më parë ka promovuar librin “Hotel Grandi dhe reportazhe të tjera”, i cili përmban një përmbledhje të reportazheve për Kosovën, kujtimet, komunitetet etnike, fenë, artin, kulturën, luftën dhe paqen./KultPlus.com