Të huaj jemi

Poezi nga Ismail Kadare

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për t’u thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetarë
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën kur i lodhur truri
Portat i Mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh mbrenda
Një shteg që vetëm ti e di.

Futesh dhe si n’rrugica parqesh
Shetit mes cirkonvolucionesh.
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë ofrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë. / KultPlus.com

Ti qave

Poezi nga Ismail Kadare

Ti qave dhe më the me zë të ulët
Se unë të trajtoja si prostitutë.
Atëhere lotëve të tu s’ua vura veshin,
Te desha, pa e ditur se të desha.

Një mëngjes të beftë kur u gdhiva
Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m’u duk,
Ahere e kuptova ç’kisha humbur,
Ç’kisha fituar kuptova gjithashtu.

Më rrëzëllinte si smerald mërzija,
Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re.
Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja
secila m’e bukur se tjetra qe.

Se ish i tillë ky koleksion bizhush
Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht,
Që njëqindfish etjen për jetën shtonte,
Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish. / KultPlus.com

Nëna

Poezi nga Ismail Kadare

Në mbrëmje u kthye ai në shtëpi 
i lodhur, i ngrysur, me traktet në gji. 

Mesnatës së shurdhër, së errët, së shkret’ 
do ngjisë ai traktet kudo në qytet. 

-Mesnatës ti sonte, o nënëë, me zgjo! 
-Mir’, biri nënës, fli, bir! – tha ajo. 

Ai si i vdekur në gjumë ra pastaj 
dhe nëna mbi të nuk i ndan sytë e saj. 

Shikon ajo traktet dhe lutet për të 
“Fli, biri i nënës, se ora s’është një”. 

Akrepi lëviz, me ngadale lëviz 
pas perdesh, pas xhamash: e zezë nata pis. 

Në ëndërr ai buzëqesh e po sheh, 
një fushë të bukur, një qiell pa re. 

Dhe nëna e tij me të bardha vallëzon, 
në fushë të sahatit me dorë tregon. 

Akoma akrepi s’ka shkuar në një, 
ndaj nëna s’e zgjon, ndaj akoma po fle. 

Por befas në fushë u dëgjua që larg 
një krismë përreth: trak a trak, trak a trak! 

Dhe nëna u zhduk si ne mjegull atje, 
sahati i thyer seç ra përmbi dhe. 

I mbytur në djersë u zgjua ai 
“O nënë”, dhe dorën e vuri në gji. 

Atje trakte s’ka. “O nënë ku je?” 
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin ditë e re. 

“O nënë!”, por nëna nuk është më përqark 
diku mitralozi troket: trak a trak! 

Diçka nëpër mendtë atij shpejt i erdh’ 
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh. 

Në dor’ revolverin, në rrugën e shkret’ 
vrapoi n’errësirë, kudo në qytet. 

“O nënë, o nënë, o nënë, ku je?!”
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje. 

Vrapon, po nuk duket gjëkundi ajo, 
“Ndal!” ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo! 

N’agim afër pyllit, ëe an’ të një përroi 
pas drurëve ai u mbështet e vajtoi. 

…Që biri të flinte i qetë gjer n’agim, 
mesnata për nënën s’do ketë mbarim. /KultPlus.com