‘Tingujt e kujtesës’, koncert kushtuar 50-vjetorit të revoltës së burgut të Spaçit

“Tingujt e kujtesës” koncerti  ku ndërthurej muzika dhe poezia me dëshmitë historike, solli emocione të pazakonta mbrëmë në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë.

Koncerti përkujtimor vjen për të dytin vit radhazi nga Fondacioni Kujto, me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Shqipëri dhe Fondacionit Konrad Adenauer.

Këtë vit eventi iu kushtua 50-vjetorit të revoltës së kamp-burgut të Spaçit, ku qindra të burgosur politikë, mes tyre edhe artistë, u detyruan të punonin në minierë, në kushte shumë të vështira.

Kënga “Në pijetore unë jam ulur”, e njohur dhe e dashur për publikun, është krijuar nga grup artistësh të burgosur politik në Spaç, në vitet ‘70. Kompozitori i saj është Andon Vanko, vargjet janë shkruar nga Astrit Delvina dhe Gëzim Medolli, ndërsa  orkestrimi ishte realizuar nga trompisti Ali Hoxha.

Kënga ishte kënduar në burgun e Spaçit, 5 apo 6 të diela rresht, në ato pak orë të lira që ju lejonte komanda e burgut në një ambjent që quhej salla e lojrave. Refreni i këngës këndohej nga një kor të burgosurish që drejtohej nga bas-i i mirënjohur Lukë Kaçaj. Të gjithë këta artistë të shkëlqyer ishin të burgosur njekohësisht në Spaç.

Aktorja Ema Andrea moderoi dhe interpretoi poezi të poetëve të dënuar në Spaç për motive politike, Visar Zhiti, Sadri Ahmeti, Havzi Nela etj.

Artistët e tjerë ishin mezosopranoja Vikena Kamenica, baritoni Ylber Gjini, pianistja Kristina Laço, violinicelistja Dorina Laro dhe violinisti Fatos Bardulla.

Këngëtari Tomi Kondakçi performoi “Se kënduam ‘Let it be’ një homazh për këngëtarin dhe ish-të dënuarin e Spaçit, të ndjerin Sherif Merdani. Kondakçi përcolli emocione të veçanta tek spektatorët, pasi ngjitej për herë të parë në një skenë të madhe, të cilën e kishte ëndërruar netëve në burgun e Spaçit, ku ishte dënuar edhe pse pëlqente dhe luante muzikë të ndaluar nga regjimi.

Koncerti u mbyll me dokumentarin e shkurtër të vlerësuar me çmime ndërkombëtare “Çarçafët e bardhë” me skenar të Luljeta Progni, regji të Pandeli Çeços kushtuar artistit dhe arkitektit shumëdimensional, ish i burgosur politik në Spaç, të ndjerit Maks Velo.

Revolta e Spaçit kulmoi me 21 maj të vitit 1973, dhe u shtyp dhunisht nga regjimi komunist duke çuar në pushkatim./KultPlus.com

‘Tingujt e kujtesës’, koncert përkujtimor në 50-vjetorin e Revoltës së Spaçit

Me rastin e 50-vjetorit të Revoltës së Spaçit, Fondacioni “Kujto” me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës dhe Konrad Adenauer-Stiftung organizuan një koncert përkujtimor në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse në Tiranë.

Koncerti “Tingujt e kujtesës” mblodhi bashkë emra të njohur të artit shqiptar si Ema Andrea, Vikena Kamenica, Ylber Gjini, Kristina Petrollari, Fatos Bardulla, Dorina Laro etj., por vlen të veçohet këngëtari Tomi Kondakçi, ish-i dënuar në Spaç. Drejtor artisti i koncertit ishte kompozitori Endri Sina.

Në program ishin përfshirë poezi nga Havzi Nela, Visar Zhiti, Sadri Ahmeti e Maks Velo, shoqëruar me muzikën e Çajkovskit, Çesk Zadesë etj.

Gjithashtu para të pranishmëve u shfaq premiera e filmit dokumentar “Çarçafët e bardhë”. I përzgjedhur në 14 festivale ndërkombëtare dhe vlerësuar me çmim në 3 prej tyre, me regjizor Pandeli Çeçon dhe Luljeta Prognin si dhe me mbështetjen e Fondacionit “Kujto”, themeluar nga Agron Shehaj si pinjoll i një familjeje të persekutuar politike.

Protesta e të burgosurve politikë nisi me flamurin pa yll, pikturuar nga Mersim Vlashi 32 vjet burg (i cili sot nuk jeton më), më pas parullat “Ja vdekje, ja liri!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Populli është me ne!”, “Rroftë Evropa e lirë!”, që vazhduan për mbi 3 ditë në tarracën e burgut nga 100 të burgosur, që u rrethuan me shpejtësi nga mbi 4500 trupa ushtarake nga Shkodra e Tirana, të cilët hapnin zjarr nga të gjitha anët./atsh/KultPlus.com