Umberto Eco: Mbi fondamentalizmin

Javët e fundit po flitet shumë për fondamentalizmin mysliman. Aq sa po harrojmë se ka edhe një fondamentalizëm kristian, sidomos në Amerikë. Por, dikush mund të më thotë se fondamentalistët kristianë japin shfaqje të dielave në televizion, ndërsa fondamentalistët myslimanë rrëzuan Kullat Binjake, kështu që këta janë shqetësimi ynë. Sidoqoftë, këto që po bëjnë, i bëjnë se janë fondamentalistë? Apo ngaqë janë integralistë? Apo sepse janë terroristë? Dhe, meqë ka myslimanë që nuk janë arabë dhe arabë që nuk janë myslimanë, mos ka edhe fondamentalistë që nuk janë terroristë? Ose që nuk janë integralistë?

Fondamentalizmi dhe integralizmi, zakonisht, shihen si dy koncepte të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin dhe si dy forma të intolerancës. Kjo na shtyn të mendojmë se të gjithë fondamentalistët janë integralistë, pra intolerantë dhe, natyrisht, terroristë. Por, edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, nuk mund të nxjerrim dot përfundimin se të gjithë intolerantët janë fondamentalistë dhe integralistë, as se të gjithë terroristët janë fondamentalistë (nuk ishin të tilla Brigadat e Kuqe dhe nuk janë fondamentalistë terroristët baskë).

Historikisht, fondamentalizmi është koncept që lidhet me interpretimin e një Libri të Shenjtë. Fondamentalizmi protestant i Shteteve të Bashkuara në shekullin XIX (që mbijeton ende sot) karakterizohet nga vendimi për të interpretuar gërmë për gërmë Shkrimet e Shenjta, veçanërisht sa u takon nocioneve të kozmologjisë, prej nga buron refuzimi i çdo forme edukimi që synon të minojë besimin tek Bibla, sikundër ndodh me darvinizmin. Po njësoj i lidhur me shkronjën e librit të shenjtë është edhe fondamentalizmi mysliman.

Fondamentalizmi është domosdoshmërisht intolerant? Mund të përfytyrojmë, bie fjala, një sekt fondamentalist, i cili merr përsipër që të zgjedhurit e tij të kenë privilegjin e interpretimit të drejtë të librit të shenjtë, por që nuk mbështesin assesi ndonjë formë prokselitizmi dhe që nuk orvaten t’i detyrojnë të tjerët të pranojnë të njëjtin besim, apo të luftojnë për të krijuar një rend politik që të mbështetet mbi besimin e tyre. Përkundrazi, me integralizëm kuptohet marrja e një pozicioni fetar dhe politik, i cili synon që parimet e tij fetare të bëhen, njëkohësisht, model i jetës politike dhe burim i ligjeve të shtetit.

Ndërsa fondamentalizmi, në vija parimore, është konservator, ka integralizma që mbahen për progresiste dhe revolucionare. Ka lëvizje katolike jofondamentaliste, që luftojnë për një shoqëri të frymëzuar tërësisht nga parime fetare, por pa imponuar gjithsesi një interpretim gërmë për gërmë të Shkrimeve dhe, madje, të gatshme për të pranuar një teologji të tipit Teilhard de Chardin. Megjithatë, ka forma ekstreme të integralizmit që shndërrohen në regjime teokratike dhe, madje, shartohen me fondamentalizmin. I tillë duket se është regjimi i talebanëve me shkollat e tyre kuranike. Në çdo formë integralizmi ka njëfarë doze intolerance ndaj atyre që nuk pranojnë të njëjtat ide, por kjo dozë arrin kulmin në rastet e fondamentalizmave dhe integralizmave teokratike. Një regjim teokratik është fatalisht totalitar, por jo të gjitha regjimet totalitare janë teokratike (veçse po t’i shohim në këndvështrimin e zëvendësimit të fesë me një ideologji mbizotëruese, sikurse bëri nazizmi apo komunizmi sovjetik).

Po racizmi? Do të dukej si diçka kureshtare, por pjesa më e madhe e integralizmit islamik, edhe pse antiperëndimor dhe antisemit, nuk mund të quhet racist, në kuptimin e nazizmit, ngaqë urren një racë të vetme (ebrejtë) apo një shtet, i cili nuk përfaqëson një racë (SHBA-të), pasiqë nuk e konsideron veten racë e zgjedhur, madje pranon si të zgjedhur adeptët e së njëjtës fe, edhe pse të një race tjetër. Racizmi nazist sigurisht që ishte totalitar, por në doktrinën e racës nuk kishte asgjë fondamentaliste (ai zëvendësonte librin e shenjtë me pseudoshkencën ariane).

Po intoleranca? Mund të jetë diç mes këtyre dallimeve e ngjashmërive midis fondamentalizmit, integralizmit, racizmit, teokracisë dhe totalitarizmit? Ka pasur forma intolerance joraciste (si përndjekja e heretikëve ose intoleranca e diktaturave ndaj kundërshtarëve të tyre), siç ka pasur forma racizmi tolerant (“s’kam asgjë me zezakët, mund të jetojnë në vendin tim në qoftë se punojnë dhe rrinë atje ku u takon, por nuk dua që ime bijë të martohet me ndonjërin prej tyre”). Ka forma të intolerancës dhe të racizmit të përhapura edhe midis personave që e quajnë veten joteokratikë, jofondamentalistë, jointegralistë – dhe këto ditë ky fakt u provua katërcipërisht.

Fondamentalizmi, integralizmi, racizmi pseudoshkencor janë pozicione teorike që presupozojnë një Doktrinë. Intoleranca dhe racizmi popullor dalin në pah përpara çdo doktrine. Kanë rrënjë biologjike, shfaqen ndër kafshët si luftë për territor, mbështeten tek kundërveprimi emocional (nuk i durojmë dot ata që janë ndryshe nga ne).
Dikush mund të thotë se me këto pak rreshta nuk ndihmova në sqarimin e ideve, por i kokolepsa më keq. Po nuk jam unë ai që i ngatërroj idetë, problemi është se na ndodh që të diskutojmë mbi ide të ngatërruara. Dhe është më mirë të kuptojmë që janë kështu, për të arsyetuar më mirë lidhur me to. / KultPlus.com

Biblioteka e Umberto Ecos me koleksion prej 30 mijë librave

A e dini se biblioteka e shkrimtarit të famshëm italian Umberto Eco, ka një koleksion prej 30.000 librash? Ajo përbëhet nga botime të çdo lloj fushe, por më së shumti nga fusha artistike dhe ajo e eseistikës, filozofisë, estetikës etj.

Porse, kohët e fundit, duket se fondi i çmuar i bibliotekës së tij private, do të ketë dhe akses publik, pse jo dhe vlera antikuare dhe turistike. Sepse ajo tashmë do të transferohet e gjitha në universitetin e Bolonjës, ndër më të vjetrit në botë(viti 1088).

Umberto Eco, shkrimtari, filozofi, esteti, semiologu dhe ndër personalitetet më me ndikim në Italinë e gjysmës së dytë të shek.XX e më gjerë, ka qenë president i këtij universiteti, deri kur u nda kjo jetë, në shkurt të vitit 2016. Ndaj ky lajm, s’përbën surprizë.

Ndërkohë, surpriza e vërtetë do të jenë vëllimet dhe librat që kanë kaluar në duart e njërës prej mendjeve më të ndritura të qytetërimit perëndimor përgjatë disa dekadave. Krahas romaneve “Emri i trëndafilit”, “Lavjerrësi i Fukosë” apo “Varreza e Pragës”, ai është dhe autor i librit eseistik “Historia e bukurisë”, një “sagë” brilante e njërës prej kategorive më të rëndësishme estetike. Kjo vepër është pjesë e një trilogjie, pasuar nga “Historia e së Shëmtuarës” dhe “Infiniti i listave”. Projekti i transferimit të bibliotekës së Ecos ndodhet në fazën e zbatimit dhe me shumë gjasa, së shpejti pavioni i saj që konsiderohej si një labirinth, do jetë i aksesueshëm në universitetin e Bolonjës. /koha.mk/KultPlus.com

‘…fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur te telefonat celularë…’

Pak kohë më parë, ndërsa po flisja para Akademisë së Spanjës në Romë, një zonjë duke ujdisur telekamerën ma përplasi në fytyrë një dritë verbuese e s’po më linte të lexoja dot shënimet. Iu ktheva shumë i lënduar, sikurse më ka ndodhur edhe me fotografë të tjerë të pasjellshëm, duke i thënë se rregullat e ndarjes së punëve na mësojnë se kur unë jam duke punuar të tjerët duhet ta lënë punën.

Dhe zonja e fiku telekamerën, por mori pamjen e njeriut që i bien më qafë kot. Në San Leo, bash javën që shkoi, ndërsa po shpallej një nismë shumë e bukur e komunës për rivlerësimin e peizazheve të vendit në pikturat e Piero della Franceskës, tre veta po më verbonin me flash-et e tyre, ndaj m’u desh t’u kujtoja rregullat e edukatës së mirë. Dukej se në të dy rastet verbuesit nuk ishin tipa nga ata që futen në “Big Brother”, por, me gjasë, njerëz të mësuar dhe që vijnë me dëshirë në veprimtari të tilla për të ndjekur diskutime në një fushë të dijes.

Gjithsesi, është e qartë se sindroma e syrit elektronik i uli ata nën nivelin që mbase aspironin ngaqë, praktikisht të çinteresuar për çka po thuhej, donin vetëm ta regjistronin ngjarjen, qoftë edhe për ta vënë pastaj në YouTube. Nuk donin të kuptonin për çfarë po flitej, ngase atë që mund ta kishin rrokur përmes shqisave, mëtonin vetëm ta ruanin në kujtesën e telefonit celular. Gjithëprania e syrit mekanik në vend të trurit më ngjan se ka ndryshuar mendërisht edhe njerëz përndryshe të qytetëruar.

Nga veprimtaria ku qëllon të marrin pjesë, ata largohen duke marrë me vete ndonjë imazh, por pa kuptuar asgjë se ç’u tha e se ç’u bë (dhe do t’i kisha mirëkuptuar nëse do të isha ndonjë kërcimtar nudist). Sikundër e marr me mend, teksa i bien botës rrotull duke fotografuar çfarë u sheh syri, ata janë të dënuar që të nesërmen ta harrojnë ç’mundën të shohin një ditë më parë. Në disa raste kam rrëfyer se ç’më ndodhi në Francë më 1960-n, kur pasi fotografova si i marrë një mori katedralesh, hoqa dorë përfundimisht nga bërja e fotografive. Sepse kur u ktheva në shtëpi nuk rikujtoja dot çfarë kisha parë, ndërsa nga udhëtimi më mbetën si kujtim vetëm disa foto pa vlerë.

Prandaj e flaka aparatin dhe gjatë udhëtimeve të mëvonshme atë që shihja mundohesha vetëm ta regjistroja në mendje. Si kujtim për më vonë, më shumë për të tjerët sesa për vete, blija kartolina shumë të mira. Dikur, isha vetëm njëmbëdhjetë vjeç, më tërhoqi vëmendjen poterja e pazakonshme në unazën e qytetit, ku më pati marrë osh turma e njerëzve. Pashë nga larg sesi kamioni pati përplasur një qerre që e ngiste një fshatar; kishte pasur edhe gruan me vete. Gruaja ishte plandosur përtokë me kafkën e çarë dhe dergjej mbi një grumbull gjaku dhe lënde trunore, ndërsa i shoqi e shtrëngonte në kraharor duke klithur nga dëshpërimi (në kujtimet e mia, ende të llahtarshme, skena më fanepsej si një tortë me pana e luleshtrydhe, e shkelur me këmbë).

I terrorizuar nuk u avita më tepër, jo vetëm pse ishte hera e parë (fatmirësisht, edhe e fundit) që shihja tru të shpërndarë mbi asfalt, por sepse për herë të parë u gjenda përballë vdekjes. Dhe përballë dhimbjes, dëshpërimit. Çfarë do të kishte ngjarë sikur të kisha pasur një celular me telekamera, sikurse e kanë sot të gjithë fëmijët? Mbase do ta kisha regjistruar skenën për t’u treguar miqve se unë isha aty, pastaj ndoshta këtë pasuri do ta hidhja në YouTube për të kënaqur ithtarët e tjerë të “schadenfreude”, ndryshe, të gazit që ndien nga gjëma e tjetrit.

Pastaj, ku i dihet, duke regjistruar fatkeqësi të tjera, dhimbja e tjetrit s’do më bënte më përshtypje. Përkundrazi, unë ngjarjen e regjistrova në kujtesë dhe ato pamje, edhe tash pas shtatëdhjetë vjetësh s’më hiqen nga mendja dhe vazhdojnë të më edukojnë: po, ato më bëjnë ta ndiej në shpirt dhimbjen e tjetrit. Nuk e di nëse djelmoshat e sotëm e kanë ende këtë mundësi për t’u ndjerë të rritur. Sot, kjo racë të rriturish ka humbur përgjithmonë, ngaqë fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur te telefonat celularë.

Universiteti i Bolonjës krijon bibliotekë për 30 mijë librat e Ecos

Në qytetin me universitetin e parë në botë, tashmë do të jetë një tjetër pasuri të paçmueshme.

Universiteti i Bolonjës, që u hap në vitin 1088, do të krijojë bibliotekën me 30 mijë libra të filozofit, përkthyesit, akademikut… të madhit Umberto Eco.

Projekti synon të vlerësojë trashëgiminë që Eco ka lënë për italianët, por edhe për të gjithë botën./KultPlus.com

27 thëniet më të bukura të Umberto Ecos!

“Ne kemi një limit, një limit shumë shkurajues dhe poshtërues: vdekjen.”

“Tani kam arritur në përfundimin se e gjithë bota është një enigmë, një enigmë e padëmshme që bëhet e tmerrshme prej përpjekjes sonë të çmendur, për ta interpretuar sikur të ketë një të vërtetë që fshihet nën të.”

“Ti vdes, por pjesa më e madhe e atyre që ke akumuluar nuk humbet. Ti lë prapa një mesazh në shishe.”

“Të lexosh një libër të shtypur është një përvojë krejt tjetër: mund ta bësh në anije, në degë të një peme, në shtrat, edhe kur nuk ka fare drita.”

“Funksioni i kujtesës është që të ruajë, por edhe të hedhë tutje. Nëse do të mbanit mend gjithçka, nga e gjithë jeta juaj, do të ishit të sëmurë.”

“Kur njerëzit pushojnë së besuari në Zot, nuk është se ata tashmë nuk besojnë në asgjë: tani ata besojnë në gjithçka.”

“Njerëzit janë të lodhur nga gjërat e thjeshta. Ata duan të sfidohen.”

“Problemi me internetin është se ai të jep gjithçka, materiale të besueshëm dhe materiale të çmendur. Kështu që, problemi është, si të bësh dallimin?”

“Shteteve të Bashkuara iu desh një luftë civile, për t’u bashkuar ashtu si duhej.”

“Hero i vërtetë është gjithmonë gabimisht hero; ai ëndërron që të jetë burracaku i ndershëm, ashtu si gjithë të tjerët”

“Interneti është si një bibliotekë pa filtrim. E mira e bibliotekave, ashtu sikurse dhe e enciklopedive, nuk është vetëm që ruajnë kujtesën, por edhe që hedhin tutje ato gjëra që një kulture nuk i duhen.

Nëse nuk do të hidhnim poshtë asgjë, do të ishim si “Funes el memorioso”, tek një tregim i Jose Luig Borges. Ky personazh kujtonte gjithçka: ishte një njeri me kujtesë totale, i paaftë të arsyetonte, sepse ishte i paaftë të filtronte.

Interneti është si Funesi: përmban gjithçka, të vërtetën dhe të gënjeshtërtën, gjë që është një risk i madh, mbi të gjitha për të rinjtë.”

“Kur dikujt i duhet të ndërhyjë për të mbrojtur lirinë e shtypit, atëherë ajo shoqëri është e sëmurë.”

“Më mirë realiteti, se sa një ëndërr: kur një gjë është reale, atëherë ajo është e vërtetë dhe për këtë nuk është faji yt.”

“Unë e kam humbur lirinë e të mos paturit një opinion.”

“Nëse njerëzit i blejnë kot librat e mi, unë këtë e konsideroj një taksë mbi idiotësinë.”

“Mendoj se një libër duhet gjykuar dhjetë vjet më vonë, pasi e ke lexuar dhe rilexuar.”

“Druajuni profetëve dhe atyre që janë të përgatitur të vdesin për të vërtetën, sepse si rregull ata bëjnë shumë të tjerë që të vdesin me ta, shpesh herë para tyre, ndonjëherë edhe në vend të tyre.”

“Ka të pavërteta që prodhojnë rezultate pozitivë dhe të tjera që prodhojnë rezultate negativë. Mes këtyre të fundit janë Protokollët e Pleqësisë së Sionit, me të cilët jam marrë në librin tim të fundit.

Më ka tërhequr gjithmonë teksti fals që, për shkak se të tjerët e besojnë apo për shkak se shfrytëzohet politikisht, ndikon në histori. Falë Dhuratës së Konstantinit, të paktën deri në vitet Pesëqind, ideja që zotërimet e përkohshëm të Perëndimit i janë dhuruar Papës nga Perandori shkakton rezultatet e mëdhenj që i dimë”

“E dashuroj aromën e bojës së librave në mëngjes”

“Mungesa është për dashurinë, ashtu si era është për zjarrin: shuan flakët e vogla, por ndez të mëdhatë”

“Monstrat ekzistojnë sepse janë pjesë e një plani hyjnor, dhe tiparet e tmerrshme të atyre monstrave, zbulojnë fuqinë e krijuesit”

“Nuk e kuptoj dot për se duhen 80 milionë njerëz online, kur, ajo që ata bëjnë në fund, është që t’u flasin fantazmave në periferi.”

“Den Braun është një personazh nga “Lavjerrësi i Fukoit”. Unë e kam krijuar. Ai ndan me personazhet e mi magjepsjen për botën e komploteve të Masonëve, Jezuitëve. Rolin e Kalorësve Tempullarë. Sekretin hermetik. Parimin që gjithçka është e ndërlidhur. Madje dyshoj që Den Braun të ekzistojë vërtetë.”

“Asgjë nuk i jep një njeriu të frikësuar më shumë kurajë, se sa frika e një tjetri”

“Cfarë është dashuria? Nuk ka asgjë në botë, as njeri, as Djall, asgjë tjetër, që ta konsideroj aq të dyshimtë sa dashuria, sepse ajo penetron në shpirt më shumë se cdo gjë tjetër.

Nuk ekziston asgjë që ta mbushë dhe lidhë kaq shumë zemrën, sa dashuria. Kështu që, nëse nuk i keni ato armë që e nënshtrojnë atë, shpirti zhytet përmes dashurisë, në një humnerë të paanë”

“Unë besoj se, ajo që ne bëhemi, varet shumë nga ajo që etërit tanë na mësojnë, në momente të cuditshëm, atëherë kur nuk po përpiqen fare të na mësojnë dicka. Ne formohemi prej copëzave të vogla të urtësisë”./KultPlus.com

Si ndihet një person kur shikon qiellin, pyet Umberto Eco

Umberto Eco, shkrimtari më i shitur dhe akademiku italian ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare. I njohur për filozofinë e mahnitshme, ai preku shpirtin njerëzor në kërkim të një kuptimi.

Më poshtë janë tetë citime të tij që duhet mbajtur mend.

1- Çfarë është dashuria? Nuk ka asgjë në botë qoftë humane apo djallëzore apo çfarëdoqoftë që mund të deportojë në shpirtin e njeriut si dashuria.. ― Emri i Trëndafilit

2- Mendoj se një libër duhet të gjykohet 10 vite, pasi ta kesh lexuar dhe rilexuar. Unë gjithmonë jam përkufizuar si shume filozofik dhe i vështirë… Pastaj unë shkrova një novelë lehtësisht të kuptueshme dhe në një gjuhë shumë të qartë… Dhe nga të gjithë novelat e mia ajo është shitur më pak..Njerëzit janë lodhur nga gjërat e thjeshta. Ata duan të sfidohen.. – intervistë për Guardian in 2011

3- Të gjithë historitë që dua të shkruaj më ndjekin kur unë jam në dhomën time, më duket sikur ata të gjithë janë rreth meje, djajtë e vegjël që më pëshpëritin në vesh më prekin hundën dhe më thonë: “Zotëri më shkruaj, unë jam i bukur”.

4- Në mëngjesin 27 Gushtit, 1944 dëgjova në radio se fashizmi kishte rënë dhe Musolini ishte arrestuar. Kur mamaja ime më dërgoi për të blerë një gazetë, kuptova që gazetat kishin tituj të ndryshëm. Për më tepër pasi lexova titujt e mësova që dhe flisnin për gjëra komplet të ndryshme. Atëherë flitej për të njëjtën parti në forma të ndryshme, tani e kuptoj që dhe shumë parti mund të ekzistojnë brenda një vendi.

5- Librat nuk janë bërë për tu besuar, por për t’u hetuar. Kur lexojmë një libër nuk duhet të pyesim veten çfarë thotë, por çfarë nënkupton.. – Emri i Trëndafilit

6- Duhet të jem në paqe. E kam kuptuar. A nuk thonë disa se paqja vjen nga të kuptuarit? Unë e kam kuptuar. Duhet të jem në paqe.

7- Një hero i vërtetë është ai që gabimisht bëhet hero, ai ëndërron për të qenë një person i ndershëm si çdokush tjetër.

8- Si ndihet një person kur shikon qiellin? Ai mendon se nuk ka prekur mjaftueshëm për të përshkruar atë që po sheh. Megjithatë njerëzit gjithmonë vazhdojnë të përshkruajnë qiellin thjesht duke listuar çfarë po shohin. Ne kemi një limit, një limit që na heq kurajon, një limit njerëzor: vdekjen. Ja pse ne i pëlqejmë gjërat që nuk kanë limite dhe as funde. Është një mënyrë për të shpëtuar nga mendimet tona rreth vdekjes. Më mirë listojmë çdo gjë, ne nuk duam të vdesim. / KultPlus.com