Akuzohet për ngacmim seksual, pezullohet nga detyra Xhevat Krasniqi

Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim për pezullimin e profesorit të Fakultetit të Mjekësisë, Xhevat Krasniqi, i cili akuzohet nga disa studente për ngacmim seksual.

“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe me rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të prof. Xh.K. me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë së shtetit”, thuhet në vendimin e Rektoratit.

Këshilli i Etikës ka thënë tutje se refuzon sulmet nga persona brenda dhe jashtë UP-së, duke kërkuar “përmbajtje dhe rezervim nga çfarëdo ndërhyrje dhe sulmi ndaj UP-së, sidomos nga vetë anëtarët e stafit”.

Krasniqi u akuzua nga 27 studentë për ngacmim seksual. Lëvizja Feministe Studentore për disa ditë rresht protestoi para rektoratit të Universitetit. Aktivistët kërkuan shkarkimin e pedagogut, duke cituar fjalët, që sipas tyre ka thënë profesori “Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh”. 

Një nga studentet tregoi në protestën e një ditë më parë para Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës momentin kur Krasniqi i kishte ofruar masazh. 

“Ti mu më ke thënë kam be të bo masazh. Pikë. Të kam pa me sy dhe të kam ndi me vesh, mos u ka me lojëra fjalësh. Ti na shkaktu trauma. Nuk mjuafton falja, edhe prindërve tanë u ke shkaktuar stres”, i drejtohet ajo pedagogut, ndërsa studentët e tjerë i thonë se duhet të kërkojë falje dhe të ikë nga puna. 

Këshilli i Etikës nuk mori vendim dje, por sot, u vendos pezullimi i tij deri në marrjen e një vendimi.