Afresket e kishave të Voskopojës, ftesë për turistët

Voskopoja është e njohur për qytetërimin e saj shekullor, peisazhin e mrekullueshëm, kishat dhe afresket e shumta, të cilat bartin në vetvete një trashëgimi të çmuar kulturore. Dikur një qendër e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe artit, plot prosperitet, njohu ritmin e tregëtisë së kohës me qendra të tjera të rëndësishme të Shqipërisë, Ballkanit dhe më tej.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë sjell një set fotografish me afreske të kishave të Voskopojës.

Arkitektura e kishave i ka rezistuar kohës, luftrave, dëmtimit nga dora e njeriut, si dëshmimtare unike e atij qytetërimi, janë ato të cilat tregojnë vlerat e saj të papërsëritshme. Nga 22 kishat e dikurshme kanë mbetur në këmbë në Voskopojë ende pesë kisha: Kisha e Shën Athanasit, Kisha katedrale “Fjetja e Shën Marisë”, Kisha e Kryeëngjëjve, Gabriel dhe Mihael, Kisha e Shën-Kollit dhe Manastiri i Shën Prodhromit.

Voskopoja tregoi interes të veçantë për zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe artit bizantin të kohës dhe në vite u zhvillua dhe vazhdoi të ruajë zakonet, historinë dhe traditat e krijuara prej kohësh. Një element dallues është përgatitja e punimeve të dorës bazuar në mjeshtërinë lokale dhe burimet natyrore, veçanërisht për punimin e drurit, thurrjen e veshjeve te leshta e shumë punime të tjera me vlerë.

Pikërisht këto vlera arkitektonike dhe kulturore e bëjnë fshatin e Voskopojës një ndër destinacionet më intersante për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj./atsh/KultPlus.com