Rama: Në Aeroportin e Vlorës merr formë gjurma e pistës, synojmë ta ulim avionin e parë në 2025-ën

Në Aeroportin e ri Ndërkombëtar të Vlorës ka marrë formë e gjithë gjurma e pistës dhe tashmë punohet me ritëm të lartë me synimin për të ulur avionin e parë në verën e vitit 2025.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ecuria e punimeve në Aeroportin e Vlorës.

Rama theksoi se me ndërtimin e tij, “Shqipëria Turistike do të hyjë në fazën tjetër drejt marrjes së vendit kampion në Ballkan për turizmin brenda kësaj dekade”.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA), një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve, një kargo e mirëfilltë, e cila i mungon shtetit shqiptar.

VIA do të jetë porta e hyrjes në jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit. Ai parashikohet të rrisë lidhjet ajrore të Shqipërisë nëpërmjet heqjes së monopolit të TIA-s. Në këtë mënyrë, konkurrenca midis VIA-s dhe TIA-s do të ulë çmimet e fluturimeve, çka do të sjellë edhe rritjen e numrit total të pasagjerëve.

Ky aeroport do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të transformojë jugun e Shqipërisë në një hotspot turistik, të aftë për të tërhequr investime të huaja direkte në sajë të një aeroporti të vendosur më pak se 1 orë larg atraksioneve turistike dhe urbane.

Me veprimtarinë e aeroportit të Vlorës, vendi do të përfitojë nga linjat me kosto të ulët që do të hyjnë në treg, si dhe do të nxisë investitorët për të zhvilluar aeroportin dhe infrastrukturën e turizmit në zonë./KultPlus.com

‘Arratiset’ ariu nga avioni në aeroportin e Dubait, kryeministri i Irakut po e merrte në Bagdad

Tentativa e autoriteteve irakiane për të kënaqur egon e kryeministrit të tyre Mohammed Shayya’ Sabbar al Sudani, duke i sjellë një ari për ta mbajtur në pallatin e tij në Bagdad, ka dështuar.

Ariu që ndodhej brenda një kafazi në një avion që fluturonte nga Dubai për në kryeqytetin irakian me një avion të “Iraqi Airways”, çuditërisht është “arratisur”.

Kompania ajrore pretendon se nuk janë ata fajtorë për arratisjen e ariut nga kafazi i tij teksa avioni priste të ngrihej nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait të premten.

Por, raportimet e mediave sqarojnë se kryeministri i Irakut është “tërbuar” pasi mori vesh lajmin duke urdhëruar një hetim mbi mënyrën se si ariu iku nga kafazi.

Lideri irakian tani kërkon të dijë se kush është përgjegjës për nxjerrjen e ariut të tij nga vendi ku imbarkohen bagazhet në avion.

Sa i përket fluturimit në fjalë, ai u vonua pasi autoritetet dërguan specialistë për të qetësuar kafshën dhe për ta hequr atë nga avioni.

Një videoklip që qarkullon në mediat sociale tregoi kapitenin e avionit duke u kërkuar falje pasagjerëve për vonesën e ngritjes të së premtes për shkak të çështjes së ariut.

Linja ajrore tha se ariu po transportohej nga Bagdadi në Dubai, por një zyrtar i Iraqi Airways, duke folur në mënyrë anonime, konfirmoi se ariu po transportohej në drejtimin e kundërt, pra drejt kryeqytetit irakian.

Mbajtja e kafshëve grabitqare si kafshë shtëpiake në Irak – veçanërisht në Bagdad – është bërë e njohur në mesin e të pasurve dhe autoritetet kanë luftuar për të zbatuar dispozitat ligjore për të mbrojtur kafshët e egra.

Sakaq, aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, më i ngarkuari në botë për udhëtime ndërkombëtare, nuk pranoi të komentojë rastin. /A2CNN

Shpërthen motori në fluturim, copat e avionit shpërndahen nëpër qytet

Pjesë të një avioni Boeing u shkëputën prej tij dhe përfunduan në një zonë të banuar në afërsi të Denver, në Kolorado, SHBA.

Avioni Boeing 777, me 231 pasagjerë dhe 10 pjesëtarë të ekuipazhit në bord, arriti të ulej në aeroportin e Denverit dhe fatmirësisht nuk pati asnjë viktimë apo të dëmtuar.

Policia e qytezës Brumfilld (Broomfield) botoi edhe fotografi të copave të përfunduara në tokë, që ishin nga kasa mbështjellëse e një prej copave të avionit. Vetë udhëtarët mbi avion thanë se dëgjuan një shpëthim të madh menjëherë pas ngritjes.

Administrata Federale e Aviacionit, tha se avioni 328, i kompanisë “United Airlines”, po nisej për në Honolulu kur pësoi një defekt në motorin e djathtë.

Një udhëtar tha për AP se ndërsa piloti po fliste me ta, u dëgjua një shpërthim i madh dhe ai me bashkëshorten futën menjëherë kartat e identitetit në xhep që, në rast rrëzimi, të identifikoheshin. /express/ KultPlus.com