Baba krejt i din

Rita Behadini

Jam rrit t’u mendu që baba din gjithçka
Se ashtu m’kanë msu
Që baba kurrë nuk i then premtimet
E as nuk jep premtime që s’mun i mban

Jam rrit t’u mendu që babës gjithçka i shkon për dore
Që për gjithçka
Ai e ka përgjigjen
Detyrat e matematikës e kimisë
Integrale, limite, matrica
Krejt i di

Baba jem krejt i di
Çka bojnë ata që s’kanë një babë si i jemi?

Baba veç me gatu s’di
Po edhe se kanë detyru kurrë
Se tanë ditën i ka pas durt n’rrezik
Edhe pse gjithmonë ka besu se
rrymën elektrike e ka mik

Baba jem krejt i di
Për besë
e ka ba një robot me lëvizë
e një derë të madhe e të hekurit me një klik
e hap
e mbyll

Baba jem ka qenë hero,
deri kur e ka thy t’parin premtim
E kjo ka ndodh kur jam rrit
dhe e kam kuptu që ai nuk ka fuqi mbinjerzore,
po është veç nji njeri

Baba jem krejt i din
Sa herë dikush ka msu çik e kujna jam
I kanë thurë lavde babës tim
“Je me fat” m’kanë thanë
“Që e ke babë”

Baba jem krejt i di,
kur e marrin vesh njerëzit emrin e tij
më thonë që normal që kam dalë si kam dalë
se e kam një babë të tillë.

Baba jem krejt i di,
edhe pse me kalimin e viteve
kam kuptu që e vërteta ndonjëherë ka bisht.

Baba jem ani se ka ditë me zgjidh integrale
S’e ka kuptu kurrë dashninë teme për poezinë
M’ka thanë gjithë që jam e prirun për sende ma t’mdhaja
Se ka kuptu që s’ka send ma t’madh se dashuria n’poezi
E që unë veç ashtu kam ditë me dasht
T’u i lanë letra e t’u ja sqaru që
Babë unë kështu jam

Baba jem krejt i din
Veç si mos me u lëndu prej fjalëve t’evladit t’vet
Këtë kurrë s’e ka msu
Se për besë e kemi lëndu
Atëherë kur e kemi pa që nuk asht mbinjeri
Jemi dëshpëru
E jemi largu, si fëmijë:
“Baba nuk po na kupton,
Na ma mirë se ai po dimë”

Po baba ka pas shumë durim,
ani se e kemi idhnu
e vujtjet tona vujtje të tij shumë shpesh janë ba.

Baba krejt i din,
Baba krejt m’i ka mësu,
Veç, që është vetëm njeri
Unë kurrë s’kam me besu.

Baba jem ka superfuqi
Se kur kam qenë e vogël
M’ka vërtetu që një hero
mbetet gjithmonë i tillë.

rita | çupja babit. / KultPlus.com