Bujtinat karakteristike të Beratit, mikpresin vizitorë vendas e të huaj

Ish banesa e Llambi Kolovanit, sot bujtina “Kodikët” e Vasilika Gogut, është një zgjidhje e arritur e variantit përpendikular me gjysmëkat. DRTK Berat shkruan se, banesa mund të jetë ndërtuar gjatë shek. XVIII.

Data 1842 e shkruar mbi dritaren anësore në pamjen jugore të banesës, mund të jetë koha e ndonjë riparimi, që i është kryer kësaj trashëgimie arkitektonike. Në katin e banuar, ambienti i dhomës së miqve, duket se ka pësuar një rindërtim të kompleksit fundor gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX.

Prej vitit 1961, kjo pasuri ndërtimore mban statusin juridik Monument Kulture, Kategoria I.

Një pjesë e madhe e banesave karakteristike të Beratit, janë restauruar dhe kthyer tashmë në bujtina mikpritëse të vizitorëve vendas e të huaj, numri i të cilëve, vitet e fundit ka ardhur gjithnjë në rritje.

Berati me kalanë e tij, kishat e xhamitë, lagjet karakteristike etj, të cilat bartin vlera historike, arkitektonike e kulturore, ka se çfarë t’u ofrojë vizitorëve të tij./atsh/KultPlus.com

Vermoshi, zonës turistike i shtohen edhe disa bujtina

Vermoshi, 100 km nga qyteti i Shkodrës në një lartësi prej 1100 metra mbi nivelin e detit, vitet e fundit është kthyer në një prej destinacioneve turistike më të vizituara alpine.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjete sociale pamje nga bujtinat e ndërtuara në Vermosh.

“Columbus Villas është një nga sipërmarrjet më të reja në Vermosh të Malësisë së Madhe mes peizazhit të mrekullueshëm që i shtohet ofertës turistike të kësaj zone”, tha Rama.

Fshati i Vermoshit është i ngritur mbi një fushë malore të krijuar nga lumi i Limit. Në të dyja anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe haloret. Vermoshi shquhet për panoramën e tij, si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit./atsh/KultPlus.com