79-vjetori i Çlirimit të Korçës, Jole: Dita më e shënuar e historisë moderne të qytetit

Në teatrin “Andon Zako Çajupi” të qytetit të Korçës u zhvillua sot një aktivitet në nder të përvjetorit të 79-të të çlirimit të qytetit nga pushtuesit nazistë.

Aktiviteti u organizua nga Bashkia Korçë, në kujtim të 24 tetorit të vitit 1944. Në të kanë qenë të pranishëm përfaqësues të pushtetit qendror e lokal, veteranë e familjarë të tyre si dhe Hulusi Hakom kreu i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ.

Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, i pranishëm në këtë aktivitet pasi uroi 79-vjetorin e çlirimit, tha se, padyshim kjo është dita më e shënuar e historisë moderne të Korçës, ngjarje e cila i ka paraprirë sakrificave të panumërta.

“Fatmirësisht, nuk na duhet të luftojmë me ndonjë armik fizik, por të ndërtojmë një shoqëri e institucione më të forta, e të kemi më shumë arsye që të ndihemi qytetarë të denjë të Evropës, ashtu siç u ndjemë disa ditë më parë kur Shqipëria u kthye në qendrën e Europës së Ballkanit nga vizita e liderëve të vendeve të Bashkimit Europian”, është shprehur prefekti Jole, në fjalën e tij./atsh/KultPlus.com