‘Kala fest’ jehonë në ‘New York Times’ dhe ‘Metro’, Rama: Festivalet verore, ambasadore të promovimit të turizmit

Mediet ndërkombëtare vijojnë t’i bëjnë jehonë Shqipërisë turistike, kësaj here duke u ndalur edhe te festivalet e shumta verore që tërheqin turistë nga gjithë bota.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale shkrimet e prestigjozes amerikane “New York Times” si dhe të britanikes “Metro” të cilat shkruajnë për “Kala Fest”.

Rama vlerësoi se festivalet verore që po shtohen vit pas viti si “Kala” në Dhërmi, “South Outdoor” në Borsh, “UNUM” në Shëngjin, “Lova” në Livadh etj, janë ndër ambasadorët më të mirë të promovimit, zgjatjes dhe pasurimit të sezonit turistik.

“Për Shqipërinë mediat ndërkombëtare ‘New York Times’ dhe ‘Metro’, të cilat shkruajnë për ‘Kala Fest’ si një event për t’u prezantuar denjësisht me mrekullitë e bregdetit tonë, ndërsa festivalet verore që po shtohen vit pas viti si ‘Kala’ në Dhërmi, ‘South Outdoor’ në Borsh, ‘UNUM’ në Shëngjin, ‘Lova’ në Livadh etj, janë ndër ambasadorët më të mirë të promovimit, zgjatjes dhe pasurimit të sezonit turistik”, shkruan Rama.

Festivali veror “Kala Festival” në Dhërmi (31 maj-6 qershor) përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë.

Këtë vit morën pjesë mbi 3000 pjesëmarrës në javë, nga Britania e Madhe dhe vende të tjera europiane, si dhe DJ të famshëm ndërkombëtarë.

Festivali vjen si miksim i përkryer për promovimin e bregdetit, zhvillimin e ekonomisë lokale, konsolidimin e festivaleve dhe nisjen e sezonit veror më herët se çdo vit./ atsh / KultPlus.com

‘Kala Festival’, muzikë dhe promovim i turizmit në Dhërmi

Bregdeti i Dhërmiut po mirëpret nga 31 maji deri më 6 qershor “Kala Festival”, ku qindra të rinj të huaj dhe shqiptarë po shijojnë aventurën verore mes ritmeve të muzikës dhe mrekullive të peizazhit që ofron riviera shqiptare.

Tashmë me “Kala Festival”, Shqipëria turistike kombinohet kaq bukur, jo vetëm me mrekullitë natyrore dhe peisazhet mahnitëse të Rivierës, por dhe me festivalet verore, me plot të rinj.

Agjencia Kombëtare e Turizmit fton të rinjtë që të zbulojnë sekretet e jashtëzakonshme të Dhërmiut, ku historia, tradita dhe moderniteti bashkëjetojnë në mënyrë harmonike.

“Me ditët me diell duke eksploruar Rivierën shqiptare, me shpellat, kështjellat, kanionet dhe panoramën bukur të plazheve të cilësuar si ndër më të mirët në Mesdhe. Dhërmiu ju pret krahëhapur! Shqipëria është plot me vende magjike, e destinacione të reja për t’u vizituar”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

“Kala Festival”, përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë.

Përgjatë ditëve në festival marrin pjesë edhe DJ të famshëm ndërkombëtarë. Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës shqiptare./KultPlus.com

‘Kala Festival’, 657 turistë anglezë mbërritën nga porti i Himarës

Në portin e Himarës dy ditët e fundit kanë mbërritur 657 turistë anglezë për të marrë pjesë në “Kala Festival”, që zhvillohet nga 31 maj deri më 6 qershor.

Porti i Vlorës bëri të ditur se “vazhdojnë të mbërrijnë në Portin e Himarës turistët anglezë. Ditën e enjte kanë mbërritur 140 të rinj nga Britania e Madhe për të marrë pjesë në “Kala Festival””.

“Ky festival përveç atmosferës që do të krijojë për adhuruesit e muzikës elektronike, ka për qëllim promovimin e turizmit dhe kulturës shqiptare në botë”, theksoi porti i Vlorës.

Porti i Vlorës informoi gjithashtu se dy ditë më parë mbërritën në portin e Himarës 517 turistë anglezë.

Përgjatë ditëve në festival marrin pjesë edhe DJ të famshëm ndërkombëtarë. Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës shqiptare./KultPlus.com