Vajzë e bukur

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Bora e bardhë, e bardhë pas xhamave,
në kafe “Tirana” hyre,
ti e rralla si dëbora
që në Tirane bie.
Vajzë e bukur, si vajzë e dashuruar,
qofsh e dashuruar dhe prej meje,
prej syrit tënd
lulëzojnë dhe sendet.

Ekspresi gjallërohet
e gjithçka bëhet sy.

Në tavolinën e fundit
dy pleqve kafja po u ftohet.
Të shikojnë ty.

Jetoj brenda syve të tu

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Jetoj brenda syve të tu,
në sytë e mi ti ke shtëpinë.
S’jemi vetvete
secili është tjetri.
Vera ime ka dy skaje:
njëri në pranverë, tjetri në vjeshtën tënde.
Ti hyn në të djeshmen time
humb rrugën si ai që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
Humb rrugën si ai që në pyll s’ka kaluar asnjëherë.
Sa do doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
Kë të pyes? Cilin yll? Cilën kohë?
Për të djeshmen time ti mund të pyesësh një lumë,
dy lisa, një dem,
edhe varrin,
varrin e nënës.
Krejt e kotë.
T’i lëmë pyetjet. Pyetjet le të marrin një sy gjumë.
Sonte jemi vetëm e sotme./ KultPlus.com

Eja të vdesim, e dashur

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Eja të vdesim, e dashur,
shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti,
a s’e dëgjove në TV si kryelajm?
Eja të vdesim, e dashur,
s’ka rëndësi në rron si rob a zot,
arkivoli është gati,
dy metra vend gjithashtu,
makinë e funeralit,
kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu.
Eja të vdesim, e dashur,
ç’na duhet kjo jetë,
e rëndësishme është të vdesësh si zotni;
mbylle TV-në,
të vdesim qysh tani./ KultPlus.com