Poezi e fuqishme nga Ukshin Hoti

Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi,
nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti.
Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni,
malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.

N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë,
si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë,
m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë,
m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.

As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë,
s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë.
Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë,
do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.

Nëpër troje ku punën kam hedhë,
emra trimash mbush pagëzimi,
por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet.
Emrin e trimit e mban dhe amfibi.

Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj,
dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë,
kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë.
Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.

Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët,
u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej.
Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët
që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.

Se shumësia juej në trishtim të shkurtër
ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe.
E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët,
ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.

Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte,
në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli.
N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte,
Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri.

Sot, 19 vite nga zhdukja e Ukshin Hotit

Me 16 maj 1999, atëherë kur lufta gati arriti një vit në Kosovë, Ukshin Hoti arrin te fundi i dënimit të tij politik në burgun e Dubravës, pasi u arrestua nga forcat serbe. Por dhe pse u lirua ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.

Me 19 maj 1999, burgu ishte rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, bombardohet nga NATO. Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serb radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptarë nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut.

Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitralozë, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë. Human Right Watch shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe vë në dukje dëmet që do t’i publikojnë në raportin e tyre. Mirëpo Ukshin Hoti nuk u gjet në mesin e tyre.

Ai mbetet një nga mijërat personat e zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë. Hoti ishte veprimtar dhe intelektual i shquar politik në Kosovë.

Sot do të mbahet një tubim sensibilizues për fatin e Ukshin Hotit me rastin e Javës së Ukshin Hotit, që organizohet në Krushën e Madhe, vendlindjen e tij./ KultPlus.com

Ukshin Hoti dhe Edi Shukriu në një fotografi të rrallë

Po sjellim një fotografi të rrallë të Ukshin Hotit me gruan e tij Edi Shukriu.

Ukshin Hoti, ishte profesor, shkrimtar, filozof, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare në Kosovë, gjatë viteve 80’ dhe 90’. Ndërsa Edi Shukriu, gruaja e tij, është arkeologia e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi “Sonte zemra ime feston” 1972. Ajo është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës./ KultPlus.com