E jashtëzakonshme: Xhubleta e Rita Orës në Muzeun Antropologjik të Londrës, përkrah koleksionit të Edith Durham

Për çdo shqiptar dhe veçanërisht për njerëzit e kulturës, pranimi i Xhubletës shqiptare si pasuri botërore e UNESCO–s është një lajm i mrekullueshëm.

Me këtë rast, ish Ambasadori i Kosovës në Angli, Mal Berisha i është rikthyer një kujtimi të bukur që lidhet me xhubletën shqiptare, dhuratë e Qeverisë shqiptare dhënë artistes së madhe shqiptare nga Kosova, Rita Ora, pas shfaqjes që ajo kishte dhënë në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, për nder të 28 Nëntorit të njëqindtë të shpalljes së Pavarësisë.

Dhurata iu dorëzua Rita Orës në mjediset e Ambasadës Shqiptare në Londër, në nderim të festës tonë kombëtare, në sallën “Edith & Herbert.”

Kostumin 100 vjeçar që Rita e mori dhuratë, vendosi ta ekspozojë në Muzeun Antropologjik të Universitetit Cambridge, përkrah koleksionit të Miss Edith Durham.

Berisha ka treguar se vetëm disa ditë pasi ky kostum ju dorëzuar Rita Orës, familja Ora e kanë kontaktuar duke kërkuar që atë vlerë të madhe të kombit tonë, xhubletën 100-vjeçare, t’ia dhuronin Muzeut Antropologjik të Universitetit Cambridge.

“Aty, mendonin ata, ai kostum do të kishte shumë më tepër vlerë sesa në shtëpinë e tyre. Gjuhëtari dhe historiani Agim Morina, pjesëtar aktiv i Bashkësisë Shqiptaro – Britanike, iu kishte sugjeruar se ai kostum me aq vlerë do të përbënte një eksponat shumë të rëndësishëm të kulturës sonë materiale në Universitetin e Cambridge-it. Një gjesti fisnik të tillë nuk do t’i përgjigjesha kurrë negativisht. Në emër të Rita Orës, kostumi iu dorëzua universitetit nga prindërit e saj, Vera dhe Besniku. Ata u ndihmuan nga antropologia dhe arkeologia ligjore e atij universiteti, Nora Weller, dhe bashkëshorti i saj, Marc Weller. Ndihmesë dha, si përherë, studiuesi i njohur Bejtullah Destani. Kostumi u ekspozua përkrah vlerave të tjera materiale të vendosura aty në koleksionin e marrë nga Shqipëria nga Miss Edith Durham”, shprehet Berisha.

Familja Sahatçiu – Ora dhe vetë Rita disponojnë një dokumentacion të plotë të dorëzimit të kostumit, si dhe foto të relikteve të tjera të Miss Durham-it. Ndër to janë fotot e shumë gjerdanëve dhe ornamenteve të përdorura nga gratë në Veriun e Shqipërisë, e veçanërisht ato zadrimore.

Tutje, Berisha ka ndarë edhe një mesazh që Rita i dërgoi në atë kohë si shenjë falënderimi.

“I dashur Ambasador! Ka qenë një nder i madh dhe kënaqësi e veçantë për mua dhe familjen time të merrnim pjesë në festimet e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, më 28 nëntor 2012.

Unë kurrë nuk do ta harroj atë moment kur dhamë shfaqje në Sheshin Nënë Tereza, në Tiranë, nën rrebeshin e një shiu, që nuk pushonte. Tek shihja sesi njerëzit, edhe në atë mot të keq, qëndronin në shesh, duartrokisnin dhe gëzonin bashkë me ne muzikantët nga Londra, ndjehesha edhe më e lumtur për atë, që po bënim. Unë ju dëshiroj juve çdo të mirë, jetë të sigurt dhe mirëqenie për brezin e fëmijëve të gjeneratës së re.

Ju jeni tanimë në një botë të re, kur mund të përfitoni nga çdo mundësi që jeta iu ofron.

Me respekt: Rita Ora.”  / KultPlus.com