Nënë Tereza shpërblehet me Çmimin Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979)

Si sot, më 10 dhjetor 1979, Nënë Tereza merr Çmimin Nobel për Paqe. Ato ditë në Oslo të Norvegjisë, Don Lush Gjergji e zhvillon një intervistë me te dhe e boton në revistën tonë Drita. Po e risjellim në portalin tonë për të kujtuar atë ditë të madhe dhe si Nënë Tereza e ka përjetuar këtë shpërblim prestigjioz botëror.

Çfarë do të thotë për ju dhe për motrat tuaja Çmimi Nobel për Paqe?

Nëna Tereze: “Për motrat e mia asgjë, sepse asgjë nuk ndryshon në Kongregatën tonë. Ky Çmim, si dhe të tjerë që kam marrë gjatë këtyre viteve, është vetëm për të varfëritë tanë, mendoj se ka qenë dhuratë prej Zotit, ndihmë e madhe që të mund të bëjmë diçka vitin e ardhshëm për familjet tona.

Prandaj, jemi lutur shumë për këtë qëllim, nga që, siç e dini dhe ju vetë, viti i ardhshëm (1980) është viti kushtuar familjes. Sot, njerëzit vuajnë shumë dhe nëse ne mund të bëjmë diçka për të bashkuar familjet, për t’i ofruar secilit shtëpi, kjo do të ishte një punë e madhe. Ky çmim arrin në çastin e duhur. Ky çmim tregon se bota po i njeh të varfëritë, prandaj edhe e ka për detyrë t’u ndihmojë. Ky është kontribut i madh për paqe, ngaqë bota më në fund ka kuptuar se puna e dashurisë është e rëndësishme për paqen.”

Si e shihni Ju, si personalitet religjioz, problemin e paqes në botë dhe çfarë mendoni se duhet të bëhet për ta forcuar paqen?

Nëna Tereze: “Para së gjithash, ne duhet t’i kthehemi të luturit në familje, sepse pa lutje besimi ynë është i dobët. Nëse me të vërtetë besojmë dhe lutemi, ne do të bëjmë jetën tonë të konsekruar, do të japim kontributin tonë për paqen. PA DASHURI NUK DO TË KETË KURRË PAQE!”

Cili është rreziku më i madh për paqen?

Nëna Tereze: “Rreziku më i madh për paqen është aborti, ngaqë nëse ne mund të shkatërrojmë jetën, që na e ka dhënë Zoti, dhe nëse nëna mund të bëhet ekzekutuese e fëmijëve të vet, atëherë çfarë do të mund të thuhej vallë për vrasjet dhe luftërat e botës? Sot, njerëzit nuk e duan më njëri-tjetrin dhe këtu qëndron fillimi i rrezikut për paqe në botë. Aborti është filli i të gjitha të ligave të botës.”

Si e pranuan të varfëritë këtë Çmim?

Nëna Tereze: “Tani bota po i njeh të varfëritë dhe unë mendoj se do të mendojë më seriozisht për këtë problem. Të varfëritë tanë janë të lumtur me pak, me një buzëqeshje, një dorështrëngim, me pak oriz… Ata janë protagonistët e vërtetë të “Çmimit Nobel për Paqe.”

Cili është mesazhi i paqes për botën në ditën e Çmimit Nobel për Paqe, tani kur jeni bërë zyrtarisht “Nëna e Paqes?”

Nëna Tereze: “Duajeni njëri-tjetrin siç u do Zoti. Ne do të qëndrojmë të bashkuar nëse lutemi, nga që të luturit ushqen besimin dhe besimi ushqen dashurinë. Nëse ne besojmë dhe dashurojmë, atëherë do të mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për të tjerët”.

“Çmimi Nobel për Paqe” është shpërblimi më i lartë në mbarë botën. Nga ana tjetër, në Shqipëri, vëllezërit tanë nuk kanë kurrfarë lirie fetare. Çfarë mund të na thoni për këtë?

Nëna Tereze: “Nuk di se çfarë të them, nga që nuk di se çfarë në të vërtetë po ndodhë atje. Nganjëherë marr ndonjë letër nga nëna dhe motra ime, nga Tirana. Ato shkruajnë vetëm disa fjalë, ato kanë aq dëshirë të madhe për t’u takuar edhe një herë me mua dhe me vëllain tim, Lazrin…

Atë që do të mund të thosha është se unë lutem shumë për Shqipërinë, që Zoti Ynë t’i ndriçojë që të mund të kuptojnë këtë: nëse duan të jetojnë në paqe duhet ta duan njëri-tjetrin…

Mendoj se Kisha jonë shqiptare ende nuk e ka kaluar të Premten e Shenjtë, por feja jonë na mëson se jeta e Jezusit nuk mbaron aty, por vazhdon në kryq dhe bëhet e plotë me ringjalljen. Populli ynë nuk duhet dhe nuk mund ta harrojë kurrë këtë. Këtu qëndron fshehtësia e suksesit të krishterë. Krishti dha jetën e vet që të bëhet jeta jonë, e pranishme tek çdo njeri, çdo familje… Ai sigurisht nuk do të na harrojë kurrë…”

Si e përjetuat udhëtimin e Papës në Turqi, si një dëshirë dhe përpjekje ekumenike. Si e vlerësoni takimin ekumenik dhe lutjen e mbrëmjes së djeshme në Katedralen e Osllos? Cili është mendimi juaj i përgjithshëm sa i përket dukurisë ekumenike?

Nëna Tereze: “Puna jonë është ekumenike, sepse ne punojmë me secilin pa dallim, për të ndihmuar njerëzit të afrohen me njëri-tjetrin, për t’i bërë që ta njohin Zotin si dashuri. Ne nuk punojmë vetëm me të krishterë, por edhe me myslimanë, budistë, hindus, me të gjithë. Kur të mbretërojë dashuria, atëherë do të kemi unitetin e Kishës në botë”.

Këtu jemi të gjithë, myslimanë, katolikë, komunistë, ateistë, të gjithë shqiptarët, që të thërrasin me shumë dashuri dhe mirënjohje: NËNA JONË TEREZE. Po, pas vdekjes suaj?

Nëna Tereze: “Kurrë nuk kam menduar për këtë. Sot, unë jam në Norvegji, dhe unë jam norvegjeze, nesër diku tjetër. Nuk ka rëndësi se ku do të përfundojë trupi im. Ajo që është me rëndësi është se unë e gjej veten duke jetuar në amshim me Zotin”.

Po t’u kërkohej të bëni një definicion për vetveten: kush jeni Ju?

Nëna Tereze: “Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, grua fetare. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht zemrës së Jezusit”.

Sot, në ditën e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe, duke iu kthyer të gjitha shpërblimeve, mirënjohjeve që keni marrë, cili çmim është më i shtrenjti, më i afërti për Ju?

Nëna Tereze: “Shpërblimi im më i madh është dashuria ndaj Jezusit. Ai është çdo gjë për mua. Gjëja më e madhe për mua do të ishte të bëj që dashuria universale të mbretërojë, sidomos për ata që vuajnë!”./drita.info

Femrat

Poezi nga Nëna Terezë.

Ki gjithmonë parasysh se lëkura krijon rrudha,

flokët bëhen të bardhë,

ditët shndërrohen në vite…

Por ato që janë të rëndësishme, nuk ndryshojnë:

forca jote dhe bindja jote nuk kanë moshë.

Shpirti yt është ngjitës për çdo rrjetë merimangash.

Pas çdo vendi mbërritjeje është një vend nisjeje.

Pas çdo suksesi ka një tjetër zhgënjim.

Për aq sa të jesh e gjallë, ndjehu e gjallë.

Nëse të mungon ajo që bëje, kthehu dhe bëje.

Mos jeto me fotot e zverdhura…

këmbëngul, edhe nëse të gjithë presin të largohesh.

Mos e lër të ndryshket hekurin brenda teje.

Vepro në mënyrë që në vend të mëshirës, të tjerët të të tregojnë respekt.

Kur për shkak të viteve nuk mund të vraposh, ec shpejt.

Kur nuk mund të ecësh shpejt, ec ngadalë.

Kur nuk mund të ecësh dot, përdor bastun.

Por mos u ndal asnjëherë!

– Nëna Terezë

Kur Hillary Clinton ishte takuar më Nënën Terezë

Nëna Terezë është një ndër figurat më të rëndësishme shqiptare dhe misioni i saj për të ndihmuar të varfërit nëpër botë, ka bërë që ta vlersojë bota, sikurse edhe deri me vlerësimin me cmimin Nobel për Paqe, shkruan KultPlus.

Dhe si rrjedhojë, përgjatë misionit të saj ajo është takuar me shumë personalitete.
KultPlus ju sjell kësaj radhe takimin me Hillary Clinton, takim ky që është realizuar në Washington DC, në vitin 1994./KultPlus.com

20 shprehje frymëzuese nga Nënë Tereza

“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.”

“Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtetë pa fund.”

“Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.”

“Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.”

“Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.”

“Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.”

“Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”

“Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.”

“Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e Tij.”

“Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.”

“Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.”

“Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.”

“Nëse jeni të dekurajuar, kjo është një shenjë e krenarisë, sepse kjo tregon se keni besim në fuqitë tuaja.”

“Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie.”

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Në qoftë se ne të vërtetë duam të na duan, duhet të mësojmë se si të falim.”

“Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit.”

“Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri”

Shën Tereza, nëna e madhe shqiptare

Nëna Terezë ka mrekulluar botën me veprat e saj humane, e cila ka shërbyer përgjatë gjithë jetës së saj për fëmijët e varfër, shkruan KultPlus.

Në këtë fotografi shihet Shën Tereza duke parakaluar para fëmijëve, dhe shikimi i tyre reflekton dashuri për Nënën Terezë, e cila jetën e saj e dedikoi për bamirësi.

Dhe pikërisht vepra e saj ka bërë që të shpërblehet edhe me cmimin Nobel për paqe, sikurse që emri i saj është shënuar anë e mbanë botës, duke kujtuar kështu kontributin e saj të madh./KultPlus.com

Nëna Terezë në emisionin e Raffaella Carrà: Një fëmijë është dhurata më e madhe e Perëndisë (VIDEO)

Për herë të parë pesë vite pas marrjes së Çmimit Nobel për Paqen bamirësja shqiptare Nënë Tereza jep një intervistë më datë 13 prill 1984, për emisionit e famshëm italian të atyre viteve, “Pronto… Raffaella?”.

Tereza e Kalkutës u shpall Shenjtore në vitin 2003 nga Giovanni Paolo i II-të, si dhe mbajtëse e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1979. Pesë vite pas marrjes së Çmimit Nobel, ajo ftohet në emisionin e drejtuar nga Raffaella Carrà “Pronto … Raffaella?”; në një intervistë historike duke u përqendruar së shumti në temën shumë të dashur të Saj: të paqes, të varfërisë, të plagës së abortit dhe dashurisë.
Ky emision i Raffaella Carrà me Nënë Terezën transformohet menjëherë në një mesazh të paqes nga Fondacioni i Misionaries. Nga fjalët e Nënë Terezës duket se Ajo kishte përjetuar ndër vite mbi lëkurën e Saj, midis shumë vështirësive, dhimbjeve e sakrificave, por edhe përmes fuqisë së besimit të atyre që besojnë në Zot.

“Unë jam duke luftuar me abortin. Sepse një fëmijë është dhurata më e madhe e Perëndisë, e është krijuar për t’u dashur e për t’u dashuruar. Ajo nënë që vret fëmijën e saj, quhet një vrasëse. Për këtë, aborti është fenomeni më shkatërrimtar i njerëzimit, pasi shkatërron paqen e familjes. Dashuria fillon brenda shtëpisë, e pikërisht ky shkatërrim ashtusoj fillon, nga shtëpia. E kështu, është e tmerrshme që një nënë të vrasë fëmijën e vet”. Këto qenë ndër të tjera, fjalët e Nënë Terezës në emisionin e Raffaella Carrà, që drejtuesja i ka rikujtuar edhe vite më pas, gjatë intervistave të shumta.

Një temë tjetër e prekur nga Nënë Tereza, ishte edhe varfëria. “Midis tyre, ka individë që nuk kanë asgjë; që nuk kanë askënd të padashur dhe të larguar nga shoqëria. Dhe këto persona janë krijuar nga një dorë që na ka krijuar të gjithëve ne, me dashuri. Pra, ne jemi vëllezër; ku edhe Jezusi dha jetën për ta i kryqëzuar”…

Video nga: www.raffaelacarra.tv
Përshtati nga italishtja: Edmond Prifti/Konica.al


Një lutje e mahnitshme e Shën Terezës shqiptare

Shën Tereza, krenaria e të gjithë shqiptarëve, sot njihet në mbarë planetin për të bëmat e saj por edhe për kujdesin ndaj të varfërve dhe predikimet e saj të fuqishme.

Nënë Tereza e Kalkutës, siç e njohin të gjithë, është ende shpirtërisht e gjallë ndër njerëzit tek të cilët ajo predikoi lutjet e saj, dëshirën e saj për shëndet e mundësi të mirë jetese, shkruan KultPlus.

Po e sjellim në këtë mëngjes një pjesë të një prej lutjeve dhe predikimeve më të pastërta dhe njerëzore të Shën Terezës shqiptare.

“Në jetë mos fajëso askënd. Njerëzit e mirë të japin lumturi, të tjerët të japin eksperiencë, të gabuarit të japin mësim, të dashurit të japin kujtime të paharrueshme…”

Sa e mundur është ti japësh vetes bekimin e kësaj paqeje shpirtërore që na e predikon e shenjta Nënë Terezë? Sa e magjishme dhe sa e hyjshme është ta rrokim me këtë urtësi momentin kur trazimi na i errëson sytë na e ndërkryen turrin, kur zemërata na cingërin nervat dhe gjuhën na helmon.
Nënë Tereza: Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyre, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

Maradona, ylli i futbollit botëror pranë bustit të Nënës Terezë (FOTO)

Ylli i futbollit botëror Maradona së fundi është fotografuar pranë bustit të Nënës Terezë, shkruan KultPlus.

Shihet të jetë një hapësirë e mbyllur ku është fotografuar ylli i futbollit Maradona, i cili ka shkruar “Përgjithmonë me Nënën Terezë”.
Kjo fotografi është bërë në Hotelin Novotel, në Kalkuta të Indisë./KultPlus.com

Shtatore e Shën Terezës në Poreç të Kroacisë

Një shtatore e Shën Terezës, do të vendoset në Poreç të Kroacisë.

Më 23 nëntor, dëshira e shqiptarëve të Poreçit po bëhet realitet. Siç thuhet në njoftimin që ka ardhur në adresë të portalit Koha.net, “truporja e Shën Terezës, simbolit të humanizmit dhe dashurisë së kombit tonë do të vendoset ne njërin nga sheshet më të bukura të qytetit”.

“Me iniciativën e aktivistëve shqiptarë Idris Sulejmani, Marijan Bisaku, Vilson Bisaku, Robert Daka, don Rikard Lekaj si dhe përkrahjen e të gjithë shqiptarëve të Poreçit që 2015 filluan përgatditjet për vendosjen e trupores së Nënë Terezës në Poreç”, thuhet në njoftim.

Ky manifestim të cilin e organizojnë Shoqatat Shqiptare në Istër do të zgjasë 2 ditë:

22.11.2017 në ora 19.00 – në katedralen e Pullës do të mirëpritet martiri i gjallë shqiptar, Kardinali Ernest Simon Troshani. Rrëfimin e jetës së tij martire kanë mundësi ta dëgjojnë të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë.

23.11.2017 Ceremonia e vendosjes dhe bekimit të trupores së Shën Terezës

10.30 – Hapja e ceremonisë dhe fjalët përshëndetëse të mysafirëve

12.00 – Mesha e shenjtë në Bazilikën e Poreçit

13.00 – Shpalosja dhe bekimi i trupores së Shën Terezës

Përveç përkrahjes masive të shqiptarëve në tërë Istrën, kjo ceremoni do të mbledhë edhe mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Çamëria dhe Dijaspora./KultPlus.com

Imzot Dodë Gjergji ka ndezur qirinjë te varri i Nënës Terezë në Kalkutë, njërin nga qirinjtë do ta sjellë në Katedralen e Prishtinës

Në ditën e tretë të shtegtimit të Imzot Dodë Gjergji në Kalkuta të Indisë, ipeshkvi kremtoi meshën tek varri i Shën Nënë Terezës, në bashkëmeshim me argjipeshkvin e Kalkutës, Imzot Thomas D’Sousa, në prani të motrës eprore të Misionareve të Dashurisë, m. María Prema Pierick, bashkësisë së motrave dhe laikëve vullnetarë, shkruan KultPlus.

Gjatë meshës me Bashkësinë e Misionareve të Dashurisë në Kalkuta, ipeshkvi shprehi kënaqësinë e tij që ka mundësi të kremtojë këtë meshë në këtë vend të shenjtë e plotë bekime. Ai në fjalën e tij e shpjegoi arsyen e shtegtimit dhe të pranisë në mesin e motrave të Shën Nënë Terezës:
“Jam këtu për të falënderuar Zotin për Nënë Terezën. Për të falënderuar Gonxhen tonë që pati guximin ta fillojë dhe t’i prijë një revolucioni të ri ndër ju, që është revolucioni i bamirësisë dhe i mëshirës.Në lutjen time këtu e kam edhe popullim tim, që është populli i Nënë Terezës, që kjo bijë dhe nënë e shenjtë të jetë në zemrat e secilit për t’u ba në ta dritë bamirësie dhe shkëndijë paqeje, për të cilat kemi nevojë në mesin tonë”, ka thënë ai.

Pasi kremtuan meshën e shenjtë bashkë me bashkësinë e motrave, njerëzve vullnetarë të pranishëm, Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji ndezi qirinj tek varri i Nënë Terezës dhe u ndal në lutje, bashkë me argjipeshkvin D’Sousa dhe Eproren e Misionareve të Dashurisë M. María Prema Pierick. Njërin nga këta qirinj të ndezur, do ta sjell ipeshkvi në Katedralen “Nëna Tereza”, në Prishtinë./KultPlus.com

Nëna Terezë kishte aq shumë para sa mund të falimentonte Bankën e Vatikanit

Nënë Tereza kishte aq shumë kursime në Bankën e Vatikanit dhe nëse do t’i tërhiqte ato, institucioni do të mund të falimentonte, sipas një gazetari italian.

Libri i fundit i Gianluigi Nuzzit “The Original Sin” shpalos detajet e Vatikanit kur kryepeshkopi amerikan Paul Marcinkus ishte caktuar president i kësaj banke. Në atë kohë Nëna Terezë besohet se “kishte më së shumti para në llogari”.

“Nëse vetëm Nëna Terezë do të mbyllte llogarinë apo t’i transferonte paratë, instituti do të ishte në rrezik”, ka shkruar Nuzzi, raporton “La Presse”.

Italiani ka shtuar se zbulimi i llogarisë së Nënës Terezë është dëshmi e qëndrimit të gjatë Marcinkusin brenda çështjeve të Vatikanit, shkruan koha.net.

“Është një fuqi bllokuese në Vatikan që pengon reformat e Papa Françeskut sikurse bëri me Benediktin XVI – ekzistonte me Marcinkusin dhe menaxhmentin paralel të tij të Institutit për Punë të Religjionit – dhe ekziston akoma. Llogaria e Nënës Terezë në bankën e Vatikanit është dëshmi që këta njerëz ishin dhe janë akoma brenda sistemit gjyqësor dhe kanë besim në ta. Atyre iu besoi edhe Nëna Terezë, që siç thuhet, hyri në Institutin për Punë të Religjionit përmes një dere të dytë dhe u mirëprit nga De Bonis, krahu i djathtë i Marcinkusit”, ka shkruar më tej Nuzzi, transmeton Koha.net.

Nuzzi ka shtuar se Marcinkus u caktua president i bankës së Vatikanit nga Papa Paul VI në vitin 1970, dhe menjëherë kishte kërkuar të merrte një ndihmës, dhe zgjodhi Donato De Bonisin.

“Nga ai moment, fuqia e tyre u rrit dita ditës. De Bonis e njihte bankën në çdo detaj. Me mjeshtëri ai lëvizi në ndërtesat e shenjta”, ka shkruar Nuzzi.

Hoxha i Pukës dhe kryqi i Nënë Terezës

Sa herë që në rrjetet sociale të zë syri ndonjë etiketim përçmues apo fyes të të dikujt për shkak të përkatësisë fetare, të vjen ndërmend një gjest i lartë i shumë viteve më parë. Hoxha i Pukës, Hafiz Elez Hoxha (1910-2002), simbol të urtësisë e tolerancës, mik i Migjenit në rininë e tij dhe mësues mejtepi, priti Nënë Terezën në vitin 1991, kur shenjtorja e ardhshme u ngjit në bjeshkë për të vizituar shtëpinë e motrave të saj në ato anë. Një çast ajo hoqi nga qafa kryqin dhe ia dhuroi Hoxhës diturak duke iu drejtuar mirësisht: “Ndonëse nuk e mbani të varur, siç e kisha unë, ruajeni për kujtim ose jepjani ndonjë të krishteri të devotshëm”. Hoxha, me pamje filozofi, duke e marrë kryqin i tha nobelistës së famshme se simbolet fetare janë shenja të paqes dhe mbarësisë së njerëzimit. Sa herë shkon në Pukë sheh mes parqeve të blertë se mos është ngritur diku busti i këtij hoxhe fisnik, jo thjeshtë nga ky gjest fetarie, që nuk është as i pari e as i fundit mes prijësve të besimit të krishterë e atij mysliman, por nga një jetë e tërë e kushtuar fesë, diturisë, paqes, kudo ku hoxhë Elezi shërbeu, në Pukë, Delvinë, Kukës, i cili në vitin 1945 zgjedhet kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Pukës, për t’u goditur rëndë politikisht më vonë, si të gjithë klerikët e tjerë pas Luftës së Dytë Botërore, duke vuajtur shumë vite burg.

Janë të shumta mesazhet e dhëna nga klerikët e besimeve të ndryshme për harmoninë fetare, çka përbën një antologji shqiptare më vete, ndonës ende e paformësuar në ndonjë botim. Anton Harapi thoshte: “T’i diftojmë botës se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtenë e njiheri shqiptarë të njimendët”. Sigurisht, në fillimet e pranisë së dy besimeve, katolik dhe mysliman, shinat nuk kishin qenë të shtruara, përkundrazi kishte patur dhunë mbi banorët për të lënë fenë e të parëve, laramanizim, kriptokatolikë (besimtarë të fshehtë) etj., si në Gjakovë, Stubëll, ku Prendi në sytë e autoriteteve osmane bëhej Shpend. “Me një fe të imponuar, myslimanët e Veriut praktikonin dy besime, një për t’i bërë qejfin pashait dhe autoriteteve turke dhe tjetri, i tyre, që praktikohej në shtëpi; thënë ndryshe, ata festonin Bajramin, por dhe faleshin për Shën Nikollën, apo bënin kryqin duke iu lutur Virgjëreshës Mari. (L. Rama, “Shqip”, 20 janar 2016.) Një lurian kur shkoi ushtar ishte katolik, me emrin Bibë, por në ushtri e ndërroi emrin në Habib, gjithashtu dhe fenë dhe në shtëpi u kthye mysliman. Por gruan e mori katolike nga Selita, dhe nga katër djemtë e tij, më të voglin deshi ta mbante në fenë e tij të vjetër, po s’mundi. Të gjithë iu bënë myslimanë. (Dhosi Liperi, Mitologjia Skënderbeane, botimet “Emar”, 2015.)

Harmonia fetare, veç vetëdijes shqiptare të besimtarëve, ka dashur shumë përkushtim nga udhëheqësit e fesë, kohë pas kohe, pasi nuk ka qenë gjithnjë e qetë jetesa mes katolikëve dhe myslimanëve. Mjafton të shohësh se si në romanin “Bardha e Temalit”, pas konfliktimit me armë të dy të rinjve shkodranë, Sulejman Cafit dhe Aradit të Vlashajve, është gati të ndizet një sherr fetar kolektiv. Por është një burrë plak i myslimanëve që i drejtohet Mulla Hasanit si një profet: “Edhe të krishterët kanë lindur po nën këtë qiell, ashtu si dhe ne, gjaku që u rrjedh në rremba është po ai gjak që na rrjedh edhe neve; ata nuk janë më pak shqiptarë se ne… Dëgjomëni mua, lëreni punët të venë ashtu si kanë vajtur gjer më sot!” (P. Vasa, “Bardha e Temalit”, Tiranë 1999, fq. 215.) Ky është testamenti i rilindasit me dy emra, njërin katolik (Pashko Vasa) e tjetrin mysliman (Vaso Pasha), që shërbeu si në Perëndim mes të krishterëve, si në Lindje mes myslimanëve, i cili vazhdon të jetë i keqkuptuar dhe sot për vjershën e tij fort të njohur “O moj Shqypni”, shpesh duke e nxjerrë jashtë kontekstit e marrë si një testament ateist apo antifetar të tij. Sidomos në përiudhën e formimit të kombit shqiptar, ashtu si shumë zhvillime të tjera progresive, nisi të kultivohej dhe një (mirë)kuptim ndërfetar i admirueshëm. Bashkëjetesa fetare ishte domosdoshmëri dhe detyrim moral ekzistencial ndër shqiptarë, çka solli dhe tolerancën mes feve, besimtarëve dhe institucioneve të tyre.

Në këtë mënyrë toleranca fetare bëhet gjithnjë e më e dukshme, me respekt të ndërsjelltë për besimin e tjetrit. Duke folur për cilësinë e bashkëjetesës si një frymë përbashkuese në Tiranë, studiuesit sjellin dhe një fakt interesant, atë të katolikut Stefan Herceku, i cili në gushtin e vitit 1891, ku hodhi themelet e një shtëpie të re, pasi kishte thirrur famullitarin për t’i bekuar ato, ftoi më pas dhe tre hoxhallarë për të kënduar duanë po përmbi ato themele. Studiuesi Artan Kurti sjell argumente për bashkëjetesën dhe lidhjet martesore me fè të ndryshme në trevën e Matit, që i përshkruan me mjeshtri Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri) në një shkrim të tijin të titulluar “Zakon i mirë në Mat”, dekada më parë: “Në Mat gjindja s’kanë fanatizëm. Është gjë e ditur që atje bëhen martesa ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, japin e marrin çupa në të dy anët. Një çupë myslimane që martohet me një të krishterë, në dashtë mbetet në fè të parë, në dashtë bëhet e krisherë, ashtu edhe çupa e krishterë. Krushqit shkojnë mirë midis tyre dhe këto krushqì bëhen jo me pahir, por me dashjen e të dy anëve. Pra, s’është e rrallë të gjejë njeriu atje kushurinj me të dy fetë. Këtij zakoni ne i themi “i mirë”, se tregon se në atë vend, të krishterë e myslimanë, shkojnë mirë. Pse të mos shkojnë mirë? A s’janë që të dy palët shqiptarë, a nuk kanë qenë njëherë që të gjithë me një fè?…” Udhëtari gjerman Karl Shtainmetc në fillimet e shekullit XX, në veprën e tij “Nga Adriatiku në Drin të Zi”, përshkruan me simpati tolerancën dhe moderacionin e myslimanëve të Shkodrës, Matit, Lurës etj. Sipas studiuesit Idriz Xhomara, edhe pse shpesh herë është Lura që merret si model i tolerancës fetare, shembulli më domethënës është ai i fshatit Zajs në Selitë, nga fiset e të cilët vetëm njëri ishte mysliman, Cara. Po ashtu në fshatin Baz, dikur bajraku i Rranzës, është një fis Daçi me të njëjtin mbiemër, ku një pjesë janë katolikë dhe një pjesë mysliman. Ishte traditë vajtja e miqve, kumbarëve në festat respektive, Pashkë apo Bajram, duke përjetuar kënaqësi për pjesëmarrjen e tyre. Numërohen me gishtat e dorës ndër breza rastet e hasmërive midis dy komuniteteve (katolik e mysliman), ndërkohë që kanë qenë jo shumë të rralla brenda të njëjtit komunitet.

Kronika e shkruar dhe e pashkruar e mirëvajtjes mes besimtarëve të besimeve të ndryshme është e spikatur. At Zef Pllumi kur kthehet nga këneta e Maliqit (kampi i Orman Pojanit), e para shtëpi ku trokit në Shkodër ishte ajo bashkëvujetësit Xhabir Dibra, ku “ndërsa po hajshëm ato gjellë të shijshme, mendojshem me vedi: Sa i lum asht i vorfni, kur e bâjnë vlla. Ungjilli duhet jetue e jo veç predikue. Ajo ishte nji familje myslimane: kurrgja nuk dijshin për Krishtin, as Ungjillin. Edhe unë vetë e pashë se pak dij për Islamizmin. Ungjilli i vërtetë jetohej edhe prej atyne që nuk e njofin”, kur kishte dashuri mes njerëzve dhe çaste lumturie në tokë. (At Zef Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue”, Tiranë 2006, f. 245.) Po At Zefi ka përcjell një tjetër kujtim të çmuar nga burgu: “Kur bahej ndonjë debat në diskutimet që zhvillonin të burgosunit mes besimeve të ndryshme, për problemet filozofike apo teologjike, Hafiz Ali Tari, ndër fetarët ma të kulturuem të fesë myslimane, u thonte të gjithëve në mënyrë të preme: “Kjo çeshtje qëndron kështu, sepse kështu ka thanë edhe Pjetër Meshkalla!” Tradita vazhdon të shfaqet në gjeste dhe episode tepër fisnike, që ata që i kryejnë i kanë me njet, si i thonë, dhe jo për t’i kapur kamerat. Muezini i xhamisë së qytetit të Klinës tregonte se Mikel Quni për çdo festë të Bajramit pastron vullnetarisht xhamat e xhamisë, ndonëse është i besimit katolik, duke u bërë kështu shembulli më mirë i tolerancës ndërfetare në Kosovë. Në një reportazh të televiziv gazetares së “Top Channel” Klodiana Kapo thuhet: “Në fshatin kufitar Hot të Malësisë së Madhe, aty ku numërohen mbi 500 shtëpi katolike, jeton bajraktari mysliman i këtij fshati, Ermir Bajraktari, në tokën e të cilit ngrihet edhe kisha e fshatit në dedikimn e Shën Nikollit. Malësorët e respektojnë dhe e nderojnë këtë burrë, si bajraktarin e fundit të Hotit. Ai është ndër kryesorët që ftohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndryshme dhe faljen e gjaqeve.” (Gazeta “Bota sot”, 26 korrik 2015.) A nuk kishte qenë Jaku, një katolik që i kishte dhuruar tokë hoxhës për të ndërtuar xhaminë Gjakovës e kështu emrin e tij e kishte marrë vetë qyteti? Shehi i Tiranës në vitet ’30 i çonte vajzat e tij në shkollat katolike për të mësuar, pasi e kuptonte se dija ishte kryesore dhe se feja nuk ishte ndarëse po bashkuese. Andaj ashtu siç kemi Vinçens Prennushin, Prend Doçin, Ndoc Nikajn, Mikel Koliqin e Simon Troshanin; Fan Nolin, Visarion Xhuvanin e Atenagorën, kemi dhe Hafiz Sabri Koçin, i fundmi i një plejadë paraardhëse hoxhallarësh atdhetarë, mësues, poetë e dijetarë, si Hoxha Tahsini, Hoxhë Kadri Prishtina, Hafiz Ali Ulqinaku, Hafiz Ibrahim Dalliu, Said Najdeni (Hoxhë Voka), Hafiz Ali Korça, Dervishi i Luzhës (Malësia e Gjakovës), Mulla Idrizit Gjilani, Sheh Ibrahim Karbunara etj.
Por nuk është vetëm historia jonë unike e bashkëjetesës fetare, duke nisur nga familja. Edhe në ditët e sotme ka jo pak martesa të djemve katolikë me vajza myslimane dhe anasjellta, një vazhdë martesore çiftesh dy besimesh. Njerëzit me besime të ndryshme kanë rrojtur nën një çati, si në Lurë masivisht, ku njëri vëlla ishte katolik e tjetri mysliman, po dhe në treva të tjera, çka përjashton çdo përçmim të fesë së tjetrit. Dhe jo vetëm për këtë, nuk ka vend për etiketime të zhargonit të vjetër “kaurr”, “turk” (për muhamedan) etj. Vetëm mungesa e formimit qytetar, kulturor sjell marri të tilla. Sidomos në kushtet e radikalizmit islamik në Kosovë, dënimit të imamëve të vetëshpallur të dy xhamive në periferi të Tiranës për mbështetje të terrorizmit etj., nuk na lejohet bjerrja e një traditë të vlertë ndër shqiptarë, përkundrazi ajo duhet të shërbejë si busull në udhën për kah e ardhmja në shoqërinë globale.

Don Fatmir Koliqi propozon “Një rrugëtim në vendet e Nënë Terezës”, që do të lidhte Prishtinën, Prizrenin, Letnicën e Shkupin

Don Fatmir Koliqi ka dhënë një intervistë për AgenSir në Itali, me rastin e shugurimit të Katedrales “Nënë Tereza”, në Prishtinë, i cili ka treguar edhe për gatishmërinë për pritjen e shtegtarëve nga e gjithë bota, përcjellë KultPlus.

Nga AgenSIR

Shenjtërorja e kushtuar Shën Nënë Terezës në Prishtinë do të jetë e gatshme t’i pranojë shtegtarët nga e gjithë bota: “Do të jemi të gatshëm t’i pranojmë shtegtarët me gëzim dhe me dashurinë e Nënë Terezës. Populli ynë njihet tashmë gjithandej për mikpritje” – shpjegon famullitari Don Fatmir Koliqi, për AgenSir, përcjellë KultPlus.

“Jemi duke i shqyrtuar – vazhdon të shpjegoj Don Fatmiri – modalitetet, përmbajtjen dhe veçoritë që do të mund t’i ofrojmë shtegtarëve. Për Kishën tonë nuk do të jetë e vështirë t’i ushqejmë besimtarët me përshpirtërinë e Nënë Terezës, sepse i përkasim të njëjtit gjak. Shtegtarët që do të na vijnë në Shenjtërore do të mund të njihen me rrënjët, familjen dhe kulturën e Nënë Terezës, ku ajo ka jetuar për 18 vite”.

Don Fatmiri ka idenë për të propozuar “një rrugëtim në vendet e Nënë Terezës”, i cili do të kalonte prej Prishtinës, nëpër Katedralen e Prizrenit, vend i prindërve të Shenjtës, një vend historikisht i pasur me përshpirtëri, arkeologji të krishterë, me kulturë, me dialog ndërfetarë dhe ekumenizëm. Pastaj, ky rrugëtim do të kalonte te Shenjtërorja e Letnicës, ku Nënë Tereza kishte vendosur për t’u bërë misionare në shërbim të të varfërve, e do të përfundonte në Shkup, në vendin e lindjes së saj.
Kjo Shenjtërore në Kosovë, – vazhdon famullitari – do të ketë detyrë primare të dëshmojë ungjillin e Jezusit për “të jetuar si paraardhësit tanë, duke e dëshmuar bukurinë e fesë sonë”. Në “periudhat e vuajtjeve të mëdha”, gjatë okupimit otoman dhe komunizmit “Kisha jonë ka qenë shtyllë mbrojtëse për popullin tonë, në të gjitha kuptimet”. Sot kosovarët “janë në kërkim për t’i ri-gjetur rrënjët e tyre të krishtera, që të parët e tyre i kishin humbur gjatë shekujve. Do të jemi afër me ta në mënyrë të veçantë e do t’iu ndihmojmë ta ri-përqafojnë fenë e etërve të tyre. Nënë Tereza, bija e popullit tonë, do të jetë personi kyç në këtë ecje të fesë”. /KultPlus.com

Lyhet me të zezë ‘Nëna Terezë’ në Shkup (FOTO)

Persona të panjohur, me gjasë mbrëmë vonë, kanë lyer me ngjyrë muralin tek sheshi Skënderbeu në Shkup, ndërsa kanë njollos me të zezë pjesën ku është Nëna Terezë, lart në të majtë të muralit.

Dëmtimi i muralit është vërejtur sot në mëngjes, ndërsa rasti tanimë është paraqitur në polici e cila ka filluar hetimet. / KultPlus.com

Një relikë e Nënës Terezë po ekspozohet në Irlandë (FOTO)

Relikti është marrë nga Qendra e Bamireseve e Nënë Terezës ndërsa do të ekspozohet më pas edhe në qytete tjera evropiane.

Një relikë, kujtim nga Nëna Terezë, po e shëtitë botën në një turne për tu ekspozuar në lokacione të ndryshme.

Bëhet fjalë për një pëlhurë/mbulesë burynxhuk e shënuar me gjak të bamirëses dhe e vendosur në kryq, e cila këtë vikend u ekspozuar në Irlandë, shkruan KultPlus.

Relikti është marrë nga Qendra e Bamireseve e Nënë Terezës ndërsa do të ekspozohet më pas edhe në qytete tjera evropiane.

Nënë Tereza ka lindur më 1910 në Shkup ndërsa vitin e kaluar u shenjtërua në Romë nga vetë Papa. / KultPlus.com