Sërish anulohen karnavalet e Rio de Zhaneiros

Rio de Zhaneiro ka anuluar festivalin më të famshëm në botë të karnavaleve për të dytin vit radhazi për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kryebashkiaku Eduardo Paes e njoftoi vendimin në rrjetet sociale, pas një takimi me përfaqësues të grupeve të karnavaleve.

Ai tha se ishte praktikisht e pamundur të mbaheshin karnavalet në rrugë duke ruajtur kufizimet e hyrjes dhe masat e tjera sanitare në festën për të cilën ishin regjistruar qindra grupe.

Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 22 milionë persona në Brazil janë infektuar me koronavirus.

Rreth 618 000 njerëz kanë vdekur në lidhje me Covid-19 në Brazil.

Vetëm SHBA ka regjistruar një numër më të madh të vdekjeve. / KultPlus.com

Brazili po ndërton statujë të re të Krishtit, më të madhe se ajo në Rio de Janeiro

Një statujë e re e Jezu Krishtit është duke u ndërtuar në pjesën jugore të Brazilit. Ajo do të jetë edhe më e madhe sesa statuja e famshme gjigante në Rio de Janeiro.

Statuja e quajtur “Krishti Mbrojtës” po ndërtohet Encantado, qytezë e vogël në rajonin më jugor të Brazilit, Rio Grande do Sul, nga një organizatë lokale e quajtur Shoqata “Miqtë e Krishtit”.

E bërë nga çeliku dhe betoni, statuja do të jetë 43 metra e gjatë, gati pesë metra më e gjatë sesa statuja në Rio de Janeiro, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Organizata braziliane tha se statuja e tretë më e madhe e Jezu Krishtit në tërë botën. Një statujë tjetër më e madhe se kjo është duke u ndërtuar në Meksikë. Ajo do të jetë e lartë rreth 76 metra. Një monument tjetër i madh për Krishtin është duke u ndërtuar në Poloni.

Statuja e re në Brazil është vepër e skulptorit Genesio Gomes Moura dhe e djalit të tij, Markus Moura. Koka dhe duart statujës iu vendosën më 6 prill, ndërsa ndërtimi i plotë i saj, që filloi në korrik të vitit 2019, pritet të përfundojë në fund të këtij viti.

Ndërtimi i statujës do të kushtojë gjithsej 353 mijë dollarë, ndërsa organizata që e nisi projektin po kërkon donacione për të pasur mundësi që ta përfundojë atë.

Brenda statujës do të ndërtohet një ashensor, i cili do t’i dërgojë turistët deri te lartësia ku ndodhet zemra e njeriut në statujë.

Qëllimi i ndërtimit të statujës gjigante është shtimi i turizmit në zonën që ndodhet afër kufijve me Uruguajin dhe Argjentinën. / KultPlus.com