Gjeniu i skulpturave Mikelanxhelo: Një ekspert është një njeri që e njeh punën e vet aq mirë sa që mund t’ia lejojë vetes ta bëjë keq

Mikelanxhelo Buonaroti (Michelangelo Buonarroti) (Caprese, 6 mars 1475 – Romë, 18 shkurt 1564) ishte një skulptor, piktor, arkitekt dhe poet italian. Protagonist i Rilindjes italiane, i vlerësuar që në kohën e tij si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Sot në 460 vjetorin e vdekjes së tij KultPlus ju sjell disa thënie:

Lindja me siguri ka edhe ndonjë të metë. Një nga këto është me siguri jeta.
Nuk zgjat shumë e keqja aty ku nuk zgjat shumë e mira, por shpesh njëra shëndrrohet në tjetrën.
I ëmbël është dyshimi për atë që e vërteta e lëndon.
Kur takohen dy dinakë, njëri prej tyre është i detyruar të ndërrojë zanat.
Nëse s’ia arrin të qëllosh në shenjë, ndërro shenjë..
Lumturia mund të ia dal pa paranë e pa shumë gjëra tjera.
Kur thuhet se Zoti na ka krijuar sipas shëmbëlltyrës së tij, shpresoj t’i referohet vetëm anës fizike.
Forca e vullnetit mbytet brenda forcës së fatit.
Supozohet që ai  që është i pasur nuk ka nevojë të vjedhë. Por s’është e lehtë t’i ndryshosh zakonet.
Dashuria është flatra që na ka dhënë Zoti për t’u ngjitur deri te Ai.
Dielli është hija e Zotit.
Nuk ka njeri më të vetmuar se sa ai që e mërzit shoqëria e vet.
Ashtu si flaka që zmadhohet kur era e lufton, ashtu edhe virtyti, shkëlqen kur kritikohet më shumë.
Do të dëshiroja të doja atë që nuk e dua.
Puna e lartëson individin, e pasuron dikë tjetër.
Një ekspert është një njeri që e njeh punën e vet aq mirë sa që mund t’ia lejojë vetes ta bëjë keq.
Qetësia arrihet me shumë vështirësi./KultPlus.com

Altin Hoxha, skulptori nga Mallakastra që kthen gurët në vepra arti

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ndau sot historinë e suksesit të skulptorit Altin Hoxha, i cili nga Mallakastra, pas disa vitesh në emigrim, është kthyer në vendlindje dhe merret me gdhendjen e gurëve, duke i kthyer ato në vepra arti.

Altini shprehet mjaft i kënaqur që artin e tij tashmë e ushtron në vendlindje dhe ndjehet shumë i vlerësuar.

Ai thekson se merret me punime guri. Dhe e ka nisur si profesion ën vitin 2001-2002 dhe e ka mësuar nga babai i tij.

“Si profesion e kam nisur në vitin 2001-2002. Pikënisja e këtij profesioni ka qenë që kur kam pasur babanë punonjës në një monument kulture, në Bazilikën e Ballshit”, thekson ai./atsh/KultPlus.com

Ndahet nga jeta në moshën 70-vjeçare skulptori Agim Rada

Ndërron jetë në moshën 70-vjeçare skulptori i njohur Agim Rada. Ai ishte shtruar në spital prej dy ditësh pasi prej kohësh vuante dhe mjekohej për një problem me mushkëritë, por nuk mundi të fitonte betejën për jetën.

Agim Rada lindi më 24 maj 1953 në Tiranë. Punimet i tij përfshin statujat, skalitur në bronz të figurave të tilla si Marin Barleti, Gjergj Elez Alia, Onufrit, dhe Petro Marko.

“Krijimtaria ime nuk ka qenë kurrë e politizuar, figurat kanë qenë përherë figura të ndritura të kombit, që nuk i kanë shërbyer politikës së ditës, që sot janë në maj të Olimpit nesër gremisen në fund. Unë kam bërë figura që i kanë rezistuar kohës, ndriçimit që ata vetprodhuan. Për këtë jemi shumë borxhli vendit tonë. Prandaj, derisa të jap frymë, unë jam në shërbim të kombit edhe të këtyre figurave.”, do të shprehej Rada/Balkanweb/KultPlus.com

Vdes në moshën 71-vjeçare skulptori Aziz Islamaj

Sot, më 26 prill, në moshën 71-vjeçare, ka vdekur profesori i artit figurativ, skulptori i mirënjohur, Aziz Islamaj.

Lajmin për vdekjen e profesor Islamajt e ka dhënë familja e tij.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë të gjithë familjarët, miqtë dhe dashamirët që sot me datë 26.04.2023 në moshën 71 vjeçare, ka ndërruar jetë babai ynë i dashur, Prof. Aziz Islamaj. Varrimi i të ndjerit do bëhet nesër (e enjte), me datë 27.04.2023 në ora 14:00 në varrezat e fshatit Murgë – Komuna e Skënderajt”.

“E pamja do të mbahet 3 dite pas ditës së varrimit në Mat-Prishtinë (pritja 08:00-16:00)”, thuhet në njoftimin e familjes Islamaj.

Profesori Islamaj ka lindur në fshatin Murgë të Komunës së Skënderajt.

Punën në fushën e artit figurativ e ka nisur në shkollat fillore të komunës së Drenasit, Klinës e Skënderajt në vitet e ’70-ta dhe ’80-ta.

Pas përfundimit të luftës, ku ai mori pjesë edhe si ushtar i UÇK-së, ai nisi punën në Universitetin e Prishtinës, gjegjësisht në Fakultetin e Arteve si ligjërues i lëndës: Përpunim materiali, Dega e Artit Figurativ – Drejtimi i Skulpturës.

I ndjeri ka lënë prapa vetes një veprimtari të gjerë artistike, me 9 ekspozita personale e rreth 60 ekspozita tjera kolektive, kombëtare e ndërkombëtare.

Ai po ashtu ka marrë edhe shumë shpërblime e mirënjohje. /Klankosova.tv/KultPlus.com

23 vjet pa skulptorin Agim Çavdarbasha, duart e të cilit punuan shtatore të shquara historike dhe bashkëkohore

Skulptori Agim Çavdarbasha, lindi në Pejë, më 1944. I ati ishte mësues dhe familja ndërronte shpesh vend. Shkollën e Mesme të Artit e kreu në Pejë. U diplomua në Degën e Skulpturës në Akademinë e Arteve në Beograd, në klasën e V. Vujisiqit, në vitin 1969 dhe po këtë vit hapi ekspozitën e parë në Galerinë e Shtëpisë së Rinisë në Beograd dhe mori Çmimin “Talentët e Rinj” të gazetës Borba. Më 1970 u bë anëtar i SHAF të Kosovës dhe mori pjesë pothuaj në gjithë ekspozitat e saj. Më 1971 kreu studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve të Universitetit të Lubjanës, në klasën e prof. Z. Kalin dhe mori Çmimin e Preshernit.

Më 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative të Universitetit të Prishtinës (pasi kishte punuar një kohë në Shkollën e Lartë Pedagogjike) dhe themeloi degën e skulpturës, ku do të punojë deri në fund të jetës. Nën drejtimin e tij dolën disa gjenerata skulptorësh të rinj.

Më 1975 hapi ekspozitën personale të portreteve dhe do të realizojë një seri bustesh e shtatoresh të personaliteteve të shquara historike dhe bashkëkohore, si dhe shtatoret e Sulejman Vokshit, Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit, kjo e fundit e punuar me një metodë unike, sipas kafkës së zhvarrosur, bashkë me një antropolog hungarez.

Ka punuar në të gjitha materialet: dru, gur, mermer, metal, derdhje plastike, etj. Njihet si mjeshtër i rrallë në mellë, shkathtësi kjo që vërehet veçanërisht te skulpturat e derdhura në bronzë.

Në vitin 1978 mori Çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës dhe Çmimin e Sallonit Pranveror të SHAFK.

Nga viti 1985 nisin shqetësimet me shëndetin. Fillimisht qëndroi një vit në spitalin e Lublanës, për t’u kthyer sërish dhe për të realizuar pjesën më të rëndësishme të opusit të tij. Ateleja e Çavdarbashës në rrethinat e Prishtinës u shndërrua në një nga ambientet e shquara artistike, në të cilën në kohën e represionit mbi shkollat shqipe mbante dhe mësim.

Ka marrë pjesë në disa simpoziume të skulpturës bashkëkohore, si në atë të mermerit, në Arangjellovac (1969), në simpoziumin “Mozaiku në hapësirë”, në ishullin Korçulla (1980), në Koloninë e Poçitelit, etj. Është ideator i Simpoziumit të Skulpturës Bashkëkohore të Universitetit të Prishtinës, ku edhe vetë realizoi një vepër në vitin 1980. Më 1995 qëndroi katër muaj në shtëpinë e Heinrich Böll-it në Langenbroich të Gjermanisë, në kopshtin e së cilës edhe sot ndodhet një nga skulpturat e realizuara atje.

Më 1994 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa më 1996, anëtar i rregullt.

Në vitin 1995 e shpalli Galeri të Hapur atelienë e tij në fshatin Çagllavicë.

Vdiq në Prishtinë më 20 tetor 1999, pas shumë shqetësimeve me shëndetin, pa e ndërprerë punën deri në çastet e fundit të jetës.

Në vitin 2004 atelieja e Çavdarbashës pëson në flakët e ngjarjeve të marsit dhe bashkë me të u shndërruan në hi një pjesë e rëndësishme e opusit të tij, mbi të gjitha veprat kryesore të realizuara në dru dhe një koleksion i gjerë vizatimesh. / KultPlus.com