“Të vrarë nga Serbia e të izoluar nga Evropa”, aksion simbolik para zyrës së BE-së në Prishtinë

Mos liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian ka krijuar pakënaqësi të mëdha te populli.

Në shenjë proteste, Organizata ‘Lëvizja për Demokraci’ ka mbajtur sot një aksion simbolik para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Një burg i improvizuar në formë të hartës së Kosovës është vendosur para zyrës së BE-së ku brenda tij qëndronin disa aktivistë të kësaj organizate duke shprehur kështu padrejtësinë që po ju bëhet qytetarëve të Kosovës me mosliberalizimin e vizave.

“Të vrarë nga Serbia e të izoluar nga Evropa”, ishte një nga thirrjet e këtij aksioni simboli. / KultPlus.com

Foto: Arben Hoti/REL

Foto; Arben Hoti/REL

‘DU studime PA ngacmime!’, shoqëria civile këtë të hënë me aksion tek rektorati i Prishtinës

Këtë të hënë pjesëtarët nga shoqëria civile do të dalin me një deklaratë të përbashkët lidhur me Rregulloren për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimi Seksual dhe Ngacmimi në Universitetin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

Në njoftimin për media tregohet se në leximin e kësaj deklarate do të theksohen aspektet pozitive, por edhe pikat në të cilat duhet ndryshuar kjo rregullore.

Leximi i kësaj deklarate do të bëhet të hënën më datë 31 maj, para rektoratit të Prishtinës me fillim nga ora 13:00.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e tyre të plotë:

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, Rrjeti i Grave të Kosovës-RrGK, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsimim-ORCA, Qendra Kosovare për Studime Gjinore-QKSGJ dhe përfaqësues tjerë nga shoqëria civile, kanë organizuar një aksion simbolik me rastin e miratimit të rregullores së parë brenda Universitetit të Prishtinës, duke lexuar kështu një deklaratë të përbashkët para Rektoratit të Prishtinës, në ora 13:00.

Njoftojmë të gjithë që me datë 31.05.2021 duke filluar në ora 13:00 pjesëtarët nga shoqëria civile, njëherit anëtarët e grupit punues të përfshirë në procesin e draftimit të Rregullores për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimi Seksual dhe Ngacmimi në Universitetin e Prishtinës, do të dalin me nje deklaratë të përbashkët për rregulloren e miratuar nga Universiteti i Prishtinës, duke theksuar aspektet pozitive po edhe përmendur pikat e ndryshuar brenda rregullores për të cilat besojmë që nuk janë në interesin më të mirë të studentëve.

Vendi: para Rektorarit të Prishtinës Ora: 13:00 Data: 31 Maj, 2021./ KultPlus.com

Aksion simbolik në Kosovë, thirrje për solidarizim me shembjen e Teatrit në Shqipëri

Qeveria e Shqipërisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, në një akt të paprecedent, sot herët në mëngjes ka shembur godinën historike të Teatrit Kombëtar Shqiptar. Aksioni banditesk është shoqëruar me dhunë ndaj artistëve dhe aktivistëve qe po e mbronin teatrin tash e gati 3 vite.

Me dhjetëra aktivistë e artistë janë arrestuar dhe dërguar në stacion policor në orët e hershme të mëngjesit, duke përfshi këtu edhe gazetarë. Në mars 2020, ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Tiranës u listua ndër shtatë objektet më të rrezikuara në Evropë nga Europa Nostra – një ndër organizatat më të mëdha për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Evropë.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thirrë protestë sot në Tiranë dhe me qindra qytetarë tashmë janë mbledhur në zonën rreth Teatrit.

Në shenjë solidariteti me përpjekjen e tyre gati tre vjeçare, sot në ora 17:00 para Teatrit Kombëtar të Kosovës të gjithë ata që janë të prekur nga kjo ngjarje, do të mblidhen për shprehur indinjatën e tyre në raport me shembjen e Teatrit në Shqipëri.

‘Ftojmë të gjithë/a ata/o që ndajnë të njëjtat bindje, të na bashkohen sot para Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke respektuar rekomandimet e IKSHPK dhe vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së COVID – 19. Ju lutemi të jeni të pajisur me maska e dorëza si dhe të mbani distancën prej së paku 2 metrash nga pjesëmarrësit/et tjerë/a në aksionin simbolik. Për të mbajtur distancën e rekomanduar ju lutemi të pozicionoheni tek pikat e vendosura në sheshin para Teatrit.’, thuhet në njoftimin për media. / KultPlus.com