118 vjet nga publikimi i “Testamentit politik” të Jeronim De Radës

118 vjet më parë, pikërisht me 30 shtator të vitit 1902, Jeronim De Rada botoi veprën e fundit të jetës së tij, “Testamento politico”, një përmbledhje kjo e pikëpamjeve të tij politike e kulturore, e botuar në gazetën “La Nazione Albanese”. Në këtë vepër autori arbëresh parashtrohen disa ide, plane, sugjerime dhe dëshira të tij për të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan. Ai i shihte shqiptarët veçanërisht të kërcënuar, në atë kohë, nga fqinjët e tyre sllavë dhe grekë.

Në këtë vepër, pak para vdekjes së tij, De Rada sipas studiuesit Moikom Zeqo ka futur edhe një letër që ja ka dërguar Kryeministri Anglez William Ewart Gladstone (1809-1898). Në fakt letra është shkruar nga sekretari i Kryeministrit Gladstone, me porosinë dhe sipas fjalëve të tij. Letra në fjalë është një përgjigje ndaj letrës që De Rada i ka dërguar në 17 korrik 1880 Kryeministrit të Anglisë.

Për fat të keq ende nuk dihet përmbajtja e letrës së De Radës, (duhet kërkuar në arkivat në Londër), kurse letra e Gladstone-it i është dërguar poetit arbëresh 9 ditë mbas datës së letrës së De Radës.

Ja, teksti i letrës:

26 korrik 1880

Zotëri Jeronim De Rada.

Unë jam ngarkuar prej zotit Gladstone-it që t’ju shpreh falënderimet e tij më të shquara, për letrën tuaj të 17 korrikut, dhe për t’ju thënë, që ju mund të rrini të sigurt se, sëbashku me kolegët e vet, ai (dmth Gladstone-i) dëshiron për Shqipërinë atë drejtësi e sigurim të të drejtave civile, që tani mungojnë, në mënyrë kaq të vajtueshme në vendet e sunduara nga turqit, me përjashtim të atyre viseve ku janë siguruar me anë të institucioneve, të bazuara në autonomi reale dhe lokale.

Unë jam, zotëri,

shërbëtori juaj shumë i detyruar,

La Godley.”

Po pse De Rada i dërgoi letrën e tij Gladstone-it?

Asnjë studiues që ka shkruar për De Radën nuk e kanë analizuar faktin e pazakontë të arbëreshit De Rada me anglezin Gladstone-it.

Gladstone-i u formua si një politikan i shquar. Sipas tij “arti i politikës kishte të bënte me qeverisjen e njerëzve dhe jo me qeverisjen e dengjeve të pambukut”. Njohës i thellë i Homerit, i Aristotelit dhe Dantes ai qe edhe një ekonomist i madh. Në 1851 Gladstone-i bëri një udhëtim në Itali. E donte Italinë, gjuhën italiane e lexonte dhe e fliste rrjedhshëm. Ai qëndroi në Napoli. Pas triumfit të tij “Mbreti Bombë”, dmth Ferdinandi II kishte shtypur mizorisht lëvizjen liberale të revolucioneve të viteve 1848-1849.

Mijra njerëz u burgosën në kushte të tmerrshme. Gladstone-i qe i pranishëm në proçesin e egër gjyqësor, ku hartuesi i Kushtetutës, të cilën Mbreti Ferdinandi II e kishte miratuar në fillim dhe qe betuar solemnisht, u dënua me 24 vjet në burg. Gladstone-i arriti të futej dhe të vëzhgonte mjediset e frikshme të burgut. Ai doli prej andej i tronditur nga qelitë e qelbura ku qenë mbyllur të burgosurit politikë të lidhur me zinxhirë.

Ai nuk i besonte syve, tronditja e tij qe e jashtëzakonshme. Napoli qe “mohimi i Zotit” i ngritur në sistem mbytës dhe tiranik të qeverisjes dhe sipas shprehjes së politikanit anglez “Vendi i autoriteteve napolitane ishte në Ferr dhe jo në tokë”. Gladstone-i i shkroi një Letër Lordit Eberdinit të cilën e botoi. Shtypi u ndez, u trondit jo vetëm Anglia, por edhe kontinenti i Europës. Teksti u përkthye në tërë gjuhët kryesore europiane.

Brenda pak kohësh Gladstone-i u bë i famshëm “si mbrojtës i lirisë, hero kombëtar i Anglisë dhe autoritet moral europian.” Shtypi liberal e mbuloi me lëvdata të mëdha. Nacionalistët italianë në mërgim i thurën mirënjohje të pakufishme në emër të Zotit, të njerëzimit dhe të drejtësisë.

Kjo dukuri e entuziazmit të kohës ka qenë e pranishme patjetër edhe tek De Rada.

De Rada e ka pritur me ngazëllim Kushtetutën, ai flet për të në Kujtimet e tij. De Rada kujton se kishte marë një pusullë prej poetes Xhusepina Guaçi “që sapo e kisha njohur dhe që lexonte shqipen”.

Kush është kjo poeteshë? Si e lexonte shqipen? Kjo do të thotë se e dinte shqipen. Kjo gjasa qe edhe Xhusepina Guaçi qe arbëreshe, por qe e njohur në qarqet letrare si poete e ekspresionit italisht.

Ja ç’thotë më tej De Rada “Ajo kishte dëshirë për të më parë. E gjeta të bërë më simpatike prej melankolisë, shkaktuar prej sëmundjes së gjoksit. “A mos do ta humbim – më tha – Kushtetutën, për punë të atyre, që nuk kanë menduar për të?” Të dëshpëruar të dy, vendosëm, sipas këshillës së saj, që unë të shkoja tek Gabriel Pepe, për ta lutur që të pranojë formimin e ministrisë. (De Rada nuk e sqaron se për çfarë ministrie bëhet fjalë – shënimi im M.Z.) Gabriel Pepe qe deputet në Parlamentin e vitit 1820, i ishte dashur, pastaj prej mbretërisë, të mërgojë në Francë, ku gjatë një zënke për nderin e Italisë, kishte bërë me Lamartinin një duel.”

Ky fragment memorialistik tregon një mjedis dhe atmosferë të kohës.

Pikërisht Letra Lordit Eberdinit, e William Ewart Gladstone-it që kishte në fokus shkatërrimin e Kushtetutës nga Mbreti Ferdinandi II i Napolit dhe dënimin me burg të konceptuesit dhe hartuesit të Kushtetutës, është lexuar edhe nga De Rada ynë.

Do të ishte një gjë e shkëlqyer të gjendej teksti i letrës i dërguar Gladstone-it më 17 korrik 1880. Vetë De Rada saktëson se e kish bërë këtë letër për të protestuar për qëndrimin e padrejtë të Çështjes Shqiptare nga Kongresi i Berlinit. Kjo e lartëson De Radën./ diasporashqiptare/ KultPlus.com

Jeronim De Rada, nismëtar i çështjes shqiptare në qarqet intelektuale europiane

Emri më i ndritur në panteonin e figurave arbëreshe dhe një nga më të mëdhenjtë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në shek. XIX.

Kjo figurë nuk është simbol vetëm në botën e letrave shqipe por edhe në qarqet intelektuale europiane duke kontribuar për çështjen e Shqipërisë që asokohe gjendej në pushtimin e perandorisë osmane.

Nëse hedhim një vështrim mbi dokumentet e shek. XIX një pjesë e mirë e vendeve Ballkanike kishte dalë nga errësira e dominimit otoman. Pavarësia e këtyre vendeve kishte ndezur te shqiptarët iniciativën e kryengritjeve anembanë vendit duke kulmuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Ҁështja më kryesore që shtrohej në platformën e Lidhjes shihej jo vetëm në suazën e një autonomie të varur nga Porta e Lartë, por gjithashtu paralelisht jepej prioritet aspektit kulturor –arsimor por mbi të gjitha Identitetit Kombëtar. Me gjithë rëndësinë që Lidhja pati dhe vendimet që ajo ndërmori, nuk mundi të mbijetonte pasi arriti të shtypej egërsisht nga politika represive e sulltan Abdylhamitit.

“ Në kushtet e obskurantizmit kulturor dhe të shtypjes së egër që ushtronte regjimi osman ishte thuajse e pamundur që lëvizja e rilindjes kombëtare shqiptare të lindte në Shqipëri. Ishte meritë e diapsorës sidomos asaj arbëreshe,që shfrytëzuar rastin e Lidhjes së Prizrenit (1878) arriti të lidhej organikisht me lëvizjen patriotike mbarëshqiptare me synimin e përbashkët për t’iu kundërvënë poilitikës ekspanioste të shteteve ballkanike e për të kërkuar autonominë politike e administrative të Shqipërisë” Francesko Altimari – Urat e Arbërit f.31

Një tjetër goditje kundrejt Shqipërisë ishte edhe Kongresi Berlinit, që me vendimet e mara në dëm të territoreve shqiptare, pra me copëtimin e tyre për t’iu dhuruar si trofè vendeve fqinje veriore Malit të Zi dhe Serbisë, do të provokonte te shqiptarët si brenda territoreve etnike por edhe atyre jashtë kufijve, një zemërim por dhe një vetëdije kombëtare. Kjo jo vetëm në popullatat por edhe në individë të veçantë, personalitete europiane, qarqe intelektuale duke denoncuar me anë të shkrimeve, pamfleteve kongresin në fjalë dhe politikat e monarkive europiane në dëm të çështjes shqiptare. Një prej këtyre zërave të fuqishëm ishte edhe Jeronim De Rada!!

“Ndarja ( copëtimi) i territoreve shqiptare, që iu dhanë veriut në Mal të Zi dhe Serbisë, si dhe në jug Greqisë, provokoi të De Rada një kundërshtim të hapur por aq edhe të fortë dhe zëri I tij nuk ngeli pa u dëgjuar. Shqiptarët e Shqipërisë, të stimuluar nga ai zë që vinte përtej bregut, e ripërtërinë dashurinë e tyre për mëmëdheun dhe shtuan nevojën për pavarësi. Diplomacia evropiane duhej të merrte në konsideratë fatin e ri. Është vërtet një fakt i paimagjinueshëm por real që një njeri i vetëm, një poet që jetonte I lidhur në një vend të vogël të Kalabrisë, arriti që me anë të veprës së tij personale, me betejën e tij të vazhdueshme, bëri që ti dëgjohej zëri për të drejtat e atdheut të origjinës pranë oborreve dhe diplomacive europiane” MICROPROVINCIA “ Revistë Kulturore, v.2003 FRANCESCO Solano f.218

Po kush ishte Jeronim De Rada?

I lindur në Macchia Albanese, Itali, në 29 nëntor 1814 që në hapat e para të rinisë së tij djaloshi De Rada do formohej jo vetëm në aspektin letrar por edhe atë filozofik dhe duke qene edhe një adhurues i iluminizmit. Gjatë studimeve në Napoli ( 1834) mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore. Në 1848 ai nxjerr gazetën e parë shqiptare. Që nga viti 1861 Ai u bë një nga figurat më të spikatura në zë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Kryengritjet e armatosura të viteve ’30 të shek. XIX,do të nxisnin te De Rada një iniciativë në mendimin dhe përqasjen e tij karshi zhvillimeve politike që po ndodhnin në Shqipëri. Këtë Ai do ta përçonte dhe aktualizonte me anë të veprës së tij “ Erdhi dita e Arbërit” De Rada lëshoi i pari kushtrimin e atdhetarit të vërtetë për fatin e vendlindjes.

“ Për zgjimin e krenarisë kombëtare ai përdori historizmin. Evokoi dy moment: lashtësinë dhe luftën një shekullore të shqiptarëve kundër osmanëve. Në punimin “ hyjnitë e pellazgëve” 1843, poeti u përpoq të shpjegonte se një varg emrash të mitologjisë greke në të vërtetë ishin shqip, masi ato shpjegoheshin nëpërmjet shqipes dhe se pellazgët I kishin dhënë hua kulturës së lashtë greke një varg elementesh. Këtë ide Ai e rimori dhe e plotësoi në veprën “ Lashtësia e Kombit Shqiptar (1864) – Petrika Thëngjilli, Historia e popullit Shqiptar, v.2000, f.428

Epopenë e popullit shqiptar De Rada e evokonte në shkrimet e artikujve por edhe në bisedat që Ai bënte me njerëz të ndryshëm. “ I nisur nga devotshmëria për Shqipërinë e mjerë dhe të braktisur – siç do të deklaronte Ai vetë; bëri që të çelej një traditë që u ndoq nga gjithë letërsia Rilindjes, duke vënë si epiqendër figurën e Skëndrbeut si simbol të lirisë dhe shpirtit luftarak.

De Rada ishte ndër të parët që hodhi bazat e iluminizmit. Ai ishte i vetëdijshëm se pa arsim e pa kulturë, pa letërsi kombëtare nuk mund të ecej përpara, nuk mund të kishte të ardhme të kombit. Iluminizmi I De Radës ishte në shërbim të synimeve politike të rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai vetë pohonte se “ me një punë që vazhdon prej më tepër se gjysëm shekulli, ka rimëkëmbur gjuhën shqipe, me qëllim që të përgatisë ringjalljes ose rilindjen e pashmangshme të popullit të vet”.

“ Ndërkohë është në kontakt me studiuesit më të mëdhenj dhe njerzit më të ndritur, të kohës, si gjuhëtari i mirënjohur Stier, që ishtë edhe përkthyesi i tij i parë në gjuhën gjermane; poetesha e njohur e letrave shqipe Dora D’Istria, gjuhëtarët dhe etnologët Mayer, Benlow, Buchholtz, me poetët francezë Lamartine e Viktor Hygo dhe në mënyrë të veçantë me Federiko Mistral poetin e njohur që poeti nga Macchia e ndjente shumë afër shpirtërisht” ”MICROPROVINCIA “ Revistë Kulturore, v.2003 FRANCESCO Solano f.218

“ Në shtatë studimet për veprën e De Radës sërish nyja themelore është ura: ura midis romantizmit europian…urat midis letërsisë së De Radës dhe mendimit poetik – letraro europian…urat midis rilindësit arëbëresh dhe lëvizjeve të mëdha kombëtare në vëndet fqinj dhe rolin e vetë shqiptarëve për shpalljen e ideve themelore të tij… urat midis ideologjisë albaniste pararilindëse dhe lëvizjes kombëtare të shek.XIX . Të gjitha keto ura kishin bërë që shqiptarët tashmë të kuptonin se ishin të vetët” Francesco Altimari – Urat e Arbërit f. 14

Me botimin e veprës “ Rapsodi të një poeme shqiptare” ( 1866) De Rada synonte të afirmonte kombin shqiptar në botën e jashtme. Ky botim i vlejti shumë çështjes shqiptare në opinionin e Europës pasi bëri të njohura virtytet më të shëndosha të popullit shqiptar. Gjithashtu me vargun e famshëm “ Erdhi Dita e Arbrit “e shkëputur nga poema “ Këngët e Milosaos” u transformua në një manifest nga Rilindja Kombëtare në ndërgjegjësimin e shqiptarëve për lirinë e vendit.

Figura e De Radës nuk mund të merret thjesht si një figurë simbol i një etniteti o një popullate! De Rada nuk është një mit, De Rada është një figurë emblemë e dy vendeve, dhe e një Populli! Ai çmohet për pragmatizmin e tij dhe themeluesin e ideve përparimtare gjë që bëri të mundur falë veprave letrare dhe kontributin e ti në veprimtaritë politike. / KultPlus.com

Beti Njuma sjellë Jeronim De Radën që nuk njohim

“Në fillim të viteve 900, kush kalonte monopateve të ngushtë të Maqit në Shën Dhimitër Koronë do të ndeshte patjetër një udhëtar të veshur me tesha të vjetra e me një bastun në dorë. Ishte Jeronim De Rada i cili nëpërmjet kësaj rruge të rrëpirë shkonte në Shën Dhimitër Koronë për të dhënë leksione shqip, I fishkëlluar nga era e ftohtë e dimrit dhe zhegu I verës. Qe pothuajse 90-të vjeçar. E megjithatë mosha e shkuar dhe brengat e mëdha në jetë nuk ia kishin shterur energjitë që të paktën tre herë në javë për disa vite rresht të përshkonte 5 milje në këmbë deri në 1903, vit ku ndahet nga jeta”. Nën tingujt e lehtë të një kënge arbëreshe, e imazhet e Shën Mitrit e Maqit dy fshatrave të njohura arbëreshe të Jugut të Italisë, nis rrëfimi në dokumentarin “Hieronymi, arbëreshi I Italisë”, realizuar nga gazetarja Beti Njuma, i cili pati premierën dje në Muzeun Historik Kombëtar.

“Një dokumentar që lartëson figurën e një prej personaliteve të letrave shqipe”, u shpreh Dorian Koci drejtor I Muzeut Historik Kombëtar. Përmes një pune të thelluar Njuma na solli në këtë dokumentar anën tjetër të De Radës, duke e rindërtuar profilin e tij nga fëmijëria deri në orët e fundit të jetës. Studiues të letërsisë arbëreshe e De Radës erdhën përmes një rrëfimi për ta bërë më të plotë këtë rrëfim që ishte I ndërtuar në anën tjetër përtej Adriatikut, nga aty ku De Rada imagjinonte atdheun e tij të dashur, Shqipërinë. De Rada lindi në një fshat afër Shën Mitër Koronës, në familjen e një prifti, e cila pati luhatje financiare. “Vetë De Rada pohon se vinte nga një familje fisnike. Në fakt kishte një stemë tek dera një lis me dy yje”, u shpreh studiuesja Klara Kodra. Sipas Francesko Altimarit De rada lindi në komunitetin më të vogël arbëresh, I cili sot nuk ka më shumë se 200 njerëz, ku ende sot flitet me aq dashuri për poetin. Për gazetaren Njuma e cila ka vizituar vendin e tij të lindjes, Maqi një fshat I skajshëm I provincës së Kozencës është mjedisi ku De Rada u lind dhe u rrit.

“Është mjedisi ku për 5 shekuj shqiptarët ruajtën të paprekur gjuhën dhe trashëgiminë e tyre kulturore e shpirtërore, duke krijuar kështu edhe në Itali atdheun e tyre të humbur. Maqi sot ngjan me një fshat të dhëne pas një harrese të përgjumur, që shprishet kur dikush feks nga rrugicat e ngushta apo nga një dere ndërsa pllakatet krenare të kujtojnë se ajo botë nuk është zhdukur, sepse zëdhënësi I saj, De Rada, I lindur ne 1814 ende jeton ne vetëdijen e çdo guri aty ku kanë lindur këngët e tij, në fshatin e humbur kodrinor të Kalabrisë”, thotë Beti Njuma. Duke folur për fshatin e lindjes së poetit
Moikom Zeqo shton se “Në kujtimet e tij thoshte që nuk kishte as xhandarë as gjykatës”. Formimi i hershëm zë fill gjatë dhjetëvjeçarit që parapriu udhëtimin e tij të parë në Napoli. Sikurse rrëfen vetë poeti tek autobiografia e tij ajo fazë rinore u karakterizua nga një përparim i ngadaltë dhe i lodhshëm në studime, madje fillimisht edhe nga vështirësi që vunë në dyshim aftësitë e tij të të nxënit në Kolegjin e Shën Adrianit ku De Rada u njoh me kulturën perëndimore, me shkrimtarë antike e bashkëkohore. Në 1822 Jeronimi tetëvjeçar me të hyrë në Kolegjin e Shën Adrianit ku jepte mësim edhe i ati, u ndesh me një vështirësi të paparashikuar: problemin e dygjuhësisë. Djaloshi arbëresh, ishte I fundit i klasës, shkruan GSH.

Nuk kuptonte asnjë fjalë italisht! Gjërat nuk do të ndryshonin as një vit më pas. “Duket se djali ishte shume i lidhur me të ëmën. E ëma i kuptonte vështirësitë në shkolle sepse ai kishte vështirësi ngaqë nuk e kuptonte italishten, I rritur me arbërishten shokët e tallnin për shqiptimin e keq të italishtes. Përshtypja që patën mësuesit, sidomos imzot Domenico Bellusci, drejtor i kolegjit, ishte aq negative sa e këshilluan të atin e Jeronimit «t’i jepte të birit udhën e bujqësisë» Ky lajm e gëzoi djaloshin, i cili mezi ç’priste t’u rikthehej fushave, i bindur edhe ai se nuk ia thoshte për shkollë. Vetëm falë këmbënguljes së Babait u vendos «të lihej në provë edhe për një vit» dhe ne sajë të ndihmës së dy shokëve, poeti i ardhshëm mësoi italishten dhe fitoi respektin e shokëve e mësuesve. Kësaj periudhe, që vetë De Rada e quan «mosha e lulëzimit» I përkasin leximet e para me librat qe hynin kontrabande ne kolegj e qe ndikuan ne formimin e tij”, shprehet Klara Buda. Studiuesja zbulon detaje nga familja e De Radës duke folur për vëllain që quhej Kamilo.

“De Rada ka pasur një periudhë misticizmi të zjarrtë dhe i tha të atit që kishte dëshirë të bëhej prift, pastaj kjo dëshirë e zjarrtë sikur u venit se lexoi disa filozofë iluministe dhe për një kohë ka pasur edhe një krizë besimi”, shprehet Kodra. “Unë jam marrë kohët e fundit me periudhën rinore që kaloi midis kolegjit të Shen Adrianit dhe Napolit dhe ne ato dy tre vite 1883-1886 qe është viti i botimit te Milosaos. Aty vatra deradiane dha zjarrin me te shenjte me te flakte sepse arriti te krijonte duke kapercyer edhe probleme e kompleksitete qe linden në atë moment kur përfaqësonte realitetin qe përfytyronte të kapërcente ato vështirësi qe nuk arrinte t’i kapte me leximin”, shprehet Matteo Mandala. Ndërsa Francesko Altimari tregon se në të vërtetë karriera e De Rades nis si folklorist. Pas daljes nga Kolegji ne 1833, babai Mikele I kundërvihet vendimit të të birit për t’u mbyllur në një manastir duke e detyruar ta shtynte për një vit nisjen për në Napoli. Djaloshi shëndetlig endet një vit të tërë duke mbledhur këngë popullore arbëreshe. De Rada shëtiti nëpër tërë krahinat e Kozencës, Kalabrisë e Sicilisë për të botuar përmbledhjen Rapsoditë e një poeme shqiptare, ku gjallonte eposi I kohës se Skënderbeut e që formësoi bazën e veprës se poetit me gjuhën e tij të lindjes, deri atëherë pa regjistër leksikor e as zhvillim sintaksor. “Djali u shkrua në drejtësi por ne fakt merrej me letërsi dhe në atë kohe botoi këngët e Milosaos 1836 në moshën 22 vjeçare ky ka qenë botimi i parë por ka pasur edhe një variant të mëparshëm PROTOMILOSAO dhe aty ideja ishte e ndryshme dhe në qendër ishte vetëm dashuria. Ka qenë i frymëzuar nga dashuria e vet për një vajze te re, të bijën e një bariu, njëdashuri që u kundërshtua nga familja”, thotë Kodra. Sipas saj, edhe Serafinën e kishte konceptuar në një kohë me Milosaon. ”Edhe Serafinen e kishte konceptuar në një kohë me Milosaon, ekziston varianti i parë, Protoserafina, kanë qenë dy vepra binjake.

Në njërën është vetë si heroi lirik dhe ne tjetrën është një grua si binjake shpirtërore, Serafia dhe për ketë është frymëzuar nga dashuria e dyte me vajzën e Dukes, Gabriela Spirit. Kjo ka qenë shumë e zhvilluar e kulturuar dhe kishin lidhje te forta shpirtërore, Pastaj u ndanë pak nga xhelozia e poetit dhe pak nga frika se mos ai kërkonte pasurinë e saj”, thotë Kodra. Duke folur për veprën e De Radës, Shaban Sinani thotë se mbi të ka vepruar censura. “ Pamja ungjillore, jeta kishtare që është shumë e pranishme dhe te Milosao dhe te Serafina Topia pothuajse është zhdukur. Nëse do të kërkoni të gjeni emrin e Krishtit dhe Shën Mërisë të shenjtoreve në përshtatjet në shqip nuk do ti gjeni. Aty u është përmendur Shën mëria është përkthyer zonja ose është gjetur një fjalë tjetër që ka të bëjë me jetën tokësore por jo me besimin, tha Sinani. Për Kodrën, De Ra ka qenë një poet i nivelit evropian që po të kishte shkruar në një gjuhë më të përhapur dhe te mos i përkiste një populli kaq te vogël do mund te njihej në shkallë evropianë. Dokumentari solli detajenga jeta private e poetit, siç ishte vdekja e fëmijëve, dhe lidhja e pafund dhe e madhe që pati me Shqipërinë, duke u bërë me shkrimet e tij ndër të parët që nisën rrugëtimin tonë letrar./ KultPlus.com

Sot bëhen 170 vite nga dalja e gazetës së parë shqiptare (FOTO)

“L’Albanese d’Italia”, apo në shqip “Shqiptari i Italisë”, gazetë njihet si e para gazetë në historinë e shtypit shqiptar. Numri i sajë i parë doli më 23 shkurt të vitit 1848, shkruan KultPlus.

Kjo gazetë ka qenë gazetë politike, shoqërore dhe letrare në gjuhën italiane, pjesërisht edhe arbërisht. Ajo drejtohej nga publicisti më i vjetër shqiptar, Jeronim De Rada. Ai e botoi këtë gazetë në Napoli të Italisë, duke themeluar kështu edhe hapat e parë të shtypit kombëtar. Gjithashtu më 1883, ai botoi revistën e parë në gjuhën shqipe “Flamuri i Arbërit”.

Shtypi shqiptar lindi në mesin e shek.XIX. Organet e para të tij nuk mund të botoheshin brenda vendit. Ato dolën në fillim me përpjekjet e arbëreshëve në Itali e Greqi. Nga fundi i shek.XIX nisën botimin në kolonitë shqiptare disa organe me rëndësi. Gjatë kësaj periudhe, gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe hynin fshehurazi në Shqipëri. Ato informonin për jetën brenda vendit, si dhe për veprimtarinë e shqiptarëve në kolonitë jashtë vendit dhe kryesisht demaskonin shtypjen nga qeveria e Stambollit dhe politikën e fuqive të huaja ndaj tokave shqiptare./ KultPlus.com

Kongresi ndërkombëtar i popujve të lindjes, Jeronim De Rada: Gjuha shqipe është superiore ndaj çdo gjuhe klasike

Në dokumentin në gjuhën frënge « Actes du douzième Congrès international des orientalistes : Rome, 1899. Tome 1 », gjejmë një shkrim, në faqen n° 212, në lidhje me gjuhën shqipe sipas pikëpamjes së poetit dhe publicistit të njohur shqiptaro – arbëresh, Jeronim De Radës.

Të martën e 10 tetorit 1899, gjatë mëngjesit të seancës n° 7, një ndër figurat më të ndritura të kombit tonë ka trajtuar përpara të pranishmëve tetë argumente për gjuhën shqipe dhe veçantitë e saj.

Nga Aurenc Bebja

“Z. De Rada paraqet idetë e tij për atë që karakterizon gjuhën shqipe dhe monumentet e saj :

1.Gjuha shqipe është e përbërë nga fjalë njërrokëshe të cilat vënë në dukje aspekte të ndryshme të fushës. Me ndihmën e prapashtesave ose të ndryshimit të zanoreve në rrënjën njërrokëshe, gjuha shqipe ka mundësitë të formojë fjalët për një ligjërim.

2.Ka dy lakime ku njëri është i shquar; tjetri i pashquar. Tri janë gjinitë, ku ajo asnjanëse shpreh idetë e përgjithshme. Rasat janë shtatë.

3.Format e foljes janë tri : veprorja, joveprorja dhe mesorja; pesë mënyrat ; shtatë kohët.

4.Zanorja e ndryshueshme, si shtesë e prapashtesave morfologjike, ndryshon tonalitetin.

5.Për arsye të burimeve të saj fonetike, gjuha shqipe është superiore ndaj çdo gjuhe klasike.

6.Gjeografia, ashtu si dhe legjendat e kohës parahistorike helene dhe latine ruajnë fjalë shqiptare. Ishin Pellazgë, Trojanë, Frigianë, etj. Ishin Pellazgët që e themeluan Romën.

7.Zotat e paganizmit kanë të gjithë emra që rrjedhin nga rrënjët shqiptare. Është e qartë pra se për kultin e Perëndisë dhe natyrës duhet t’u referohemi Pellazgëve. Pas transformimit të zotit të vetëm në një perëndi shumëformëshe dhe antropomorfe ata ndoqën idhuj, të cilët kishin emra të përkryer shqiptarë, që shprehnin simbolet e tyre.

8.Në përfundim, Z. de Rada është i bindur se në gjuhën shqipe ka ende thesare të çmuara gjuhësore për shkencën dhe ai pret që të zbulohen shpejt.” (darsiani)

https://www.darsiani.com/la-gazette/rome-1899-jeronim-de-rada-ne-kongresin-nderkombetar-te-popujve-te-lindjes-gjuha-shqipe-eshte-superiore-ndaj-cdo-gjuhe-klasike-ne-te-ka-ende-thesare-te-cmuara-gjuhesore-per-shkencen/