Kurti e pret në zyrë policin i cili e kishte arrestuar para 16 viteve

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në zyrën e tij stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës.

Takimi u mbajt pas operacionit dhe angazhimin e njësive speciale të Policisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Në mesin e tyre ishte edhe Besart Ahmeti, Shef i Njësisë Speciale Operative, i cili ishte udhëheqës i operacionit në veri.

Kurti tha se Ahmetin e ritakoi pas 16 viteve teksa ka ndarë edhe një fotografi kur Ahmeti e kishte arrestuar Kurtin atë kohë gjatë një proteste të Lëvizjes Vetëvendosje.

 “Në zyren time në Kryeministri, sot prita ministrin e brendshëm dhe udhëheqës të lartë të Policisë së Kosovës. Në mesin e tyre ishte edhe Besart Ahmeti, të cilin e ritakova nga afër pas 16 vjetëve. Kapiteni Ahmeti ka udhëhequr profesionalisht policë të njësisë speciale në Bërnjak dhe ka zhvilluar shkëlqyeshëm negociata në terren atje. Nuk ia shtrënguam dorën njëri-tjetrit, për shkak të pandemisë”, ka shkruar Kurti.

Në vitin 2015 në protestat e dhunshme të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Shefi i Njësisë Speciale Operative, Besart Ahmeti, ishte lënduar rëndë në kokë dhe njërin sy dhe kishte shkuar në Turqi për mjekim.

Ahmeti kishte qenë edhe dëshmitar i Prokurorisë në vitin 2010 kur Kurti po akuzohej për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Kurti gjatë seancave të mbajtura ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, të cilat rëndonin mbi të.

“I kam hedhur poshtë të gjitha akuzat e tyre, edhe asnjëri prej tre policëve që kanë qenë dëshmitarë të prokurorisë, Besart Ahmeti, Kristë Gjokaj dhe Ismet Hajdini, nuk i kanë konfirmuar pohimet e Prokurorisë. Mirëpo, pavarësisht këtyre, gjatë gjithë seancës së sotme u pa se akuzat ndaj meje, madje, nuk vijnë aq nga prokurori, sa vijnë nga vetë gjykatësi i EULEX-it”, ka thënë Kurti pas shqiptimit të dënimit prej 9 muajsh./KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Aleksandar Vuçiq është problemi, jo Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për televizionin kroat HRT ku ka folur për ngjarjet në veri të Kosovës, marrëdhëniet me Serbinë, bashkimin kombëtar dhe qëndrimin e trupave amerikane të KFOR-it në Kosovë.

Ai ka thënë se nuk qëndron problemi në Kosovë, por në Serbi, teksa ka thënë se kriza në pikat kufitare 1 dhe 31 janë iniciuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ne ende kemi probleme me Serbinë, Kosova nuk është problem. Problemi është Serbia, veçanërisht presidenti i atij vendi që mendon dhe flet si në vitet 90 të shekullit të kaluar. Kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë në krizë jo për shkak të serbëve, por për shkak të Presidentit të Serbisë. Më shumë se 11 mijë automjete nga Serbia morën targat e përkohshme të Republikës së Kosovës pa asnjë problem. – Ata bashkëpunuan me policinë tonë dhe institucionet tona. Njerëzit në barrikada paguhen nga Serbia”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se personat që kanë nisur bllokadën në veri kanë të kaluar kriminale dhe anë pjesë e grupeve ekstreme që morën pjesë në grushtin e shtetit në Mal të Zi disa vite më parë.

“Disa prej tyre kanë një dosje të aktiviteteve kriminale në të kaluarën, ata kanë pikëpamje ekstreme për politikën dhe botën. Disa prej tyre gjithashtu morën pjesë në një përpjekje për grusht shteti në Malin e Zi pesë vjet më parë”, shtoi Kurti.

Kurti ka komentuar edhe ardhjen e ambasadorit rus në kufi me Kosovën dhe sulmi ndaj institucioneve të Kosovës në veri.

“Ju e sillni Ministrin e Mbrojtjes në kufi me Kosovën, së bashku me Ambasadorin Rus në Serbi dhe Atasheun e Mbrojtjes të Federatës Ruse në Beograd. Në të njëjtën ditë ata i vunë zjarrin një ndërtese në Zubin Potok. Gjithashtu, MiG-29 po sillet rreth Kosovës, helikopterë dhe automjete të blinduara të prodhuara nga Rusia … Pra, ata erdhën me një arsenal ushtarak në kufijtë e vendit tonë. Forcat tona speciale janë atje, si në Brnjak ashtu edhe në Jarinje. Të mos harrojmë, një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 18 shkurt 2008, ata dogjën pikat kufitare Jarinje dhe Brnjak”, shtoi Kurti.

Kurti ka folur edhe për politikën e brendshme të Serbisë, duke thënë se atje ekziston vetëm një parti dhe se Kisha Ortodokse Serbe është po ashtu parti politike duke thënë se nuk ka pluralizëm demokratik.

“Keni një parti. Ajo parti është edhe shteti. Ky shtet është gjithashtu një kishë. Ajo kishë është gjithashtu një parti. Nuk ka pluralizëm atje, ata po shtiren me demokraci kinse po mbajnë zgjedhje”

Kurti shtoi se është i hapur për dialog dhe se për këtë i ka shprehur gatishmërinë edhe kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Kurti është pyetur edhe për bashkimin kombëtar dhe se si do të votonte në një referendum eventual.

“Ne jemi dy shtete, Kosova dhe Shqipëria, por nuk jemi dy kombe. Ne jemi një komb. Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë, ne kurrë nuk mund të harrojmë se nuk është kufiri shqiptar apo kufiri i Kosovës. Është kufiri jugosllav, serb dhe në atë kuptim ne duam që Prishtina dhe Tirana të bashkëpunojnë sa më ngushtë, të integrohen dhe të ndihmojnë njëri –tjetrin”

Në fund është pyetur nëse mendon se trupat amerikane, pjesë e KFOR-it do të largohen nga Kosova.

“Unë nuk mendoj se ata do të tërhiqen. Kosova duhet të përfshihet në Partneritetin për Paqe. Imagjinoni, që nga viti 2006, ka qenë Serbia që merr armë nga Rusia, Bjellorusia dhe Kina, dhe jo Kosova”, ka thënë Kurti./KultPlus.com

Kryeministri Rama: Do të vazhdojë të kërkojë njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet

Në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” sot ka arritur kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Ai është pritur nga ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Kryeministri këtë vizitë në Kosovë po e zhvillon pas qëndrimit të tij në ShBA në kuadër të punimeve të Asamblesë së OKB-së. Ndërsa, në orën 08:50 ai u prit me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në sheshin “Skënderbeu”.

Rama e ka zhvilluar këtë vizitë në Kosovës pas ftesës që i bëri kryeministri i Kosovës me rastin e urimit të tij pasi kryeministri i Shqipërisë, mori edhe mandatin e tretë si kryeministër i Shqipërisë. 

Pas takimit me Ramën, Kurti ka thënë se mandatet i kanë marrë në kohën me plotë sfida duke përmendur pandeminë.

Sipas tij përtej sfidave dy qeveritë kanë potencial për të realizuar projekte të përbashkëta.

Kurti ka deklaruar se dy vendet duhet të angazhohen që tregu të jetë sa më unik, dhe që qytetarët, kapitali e malli të lëvizin lirshëm.

“Nëse ka vende që kjo të bëhet sa më shpejt, janë Kosova dhe Shqipëria. Biseduam për të gjitha fushat për qeverisjen tonë të mirë, e shohim si të rëndësishme koordinimin gjithandej. Biseduam për zbatim të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës bëri me dije se janë dakorduar për themelimin e një sekretariati koordinues për marrëdhëniet bilaterale, të cilën do ta udhëheqë Gentian Sala. E po ashtu se janë dakorduar që mbledhja mes dy qeverive të mbahet në mes të nëntorit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova ka të drejtë plotësisht në çështjen e reciprocitetit të targave me Serbinë, duke i dhënë mbështetje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Megjithatë, Rama theksoi se zgjidhja e vetme e kësaj çështje është dialogu.

Rama tutje tregoi se edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kërkoi dhe do të vazhdojë të kërkojë njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet.

“Më vjen mirë të vizitoj Prishtinën menjëherë pas sesionit të 76-të të OKB-së, ku çështja e njohjes së Kosovës ishte një nga përparësitë tona atje. Një nga përparësitë e Shqipërisë, si anëtare e plotë e OKB-së, do të jetë nxitja e njohjes nga të gjithë, si përpjekje që edhe formalisht të njihet Kosova. Në radhë të parë, Serbia duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm dhe është për të ardhur keq për manovrat teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë, veriun e Kosovës, sikur pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar apo nga fantazmat e ushtrisë së luftës së mundur 20 vite më parë, sikur kanë dalë nga varri me pretendimin se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë. Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar askush, iu paguhen faturat e energjisë elektrike dhe fatkeqësisht këto manovra risjellin në skenë vandalizmin e tyre, si djegia e qendrave zyrtare që dëmton vetëm serbët e Kosovës. Aplikimi i reciprocitetit është jo vetëm një normë legjitime e Kosovës, por edhe një marrëveshje e arritur me kohë mes dyja Qeverive respektive. Qëndrimi i Shqipërisë mbetet i pandryshuar, qysh nga çasti i parë që është shfaqur ky konflikt. Kosova është e drejtë dhe pikë. Duhet bërë kujdes me njësinë speciale që të mos kthehet një problem mes Kosovës dhe miqve ndërkombëtar. Shqipëria e ka bindjen se zgjidhja e vetme është dialogu. Forca e ushtarakëve duhet të ia lëmë forcën e arsyes dhe dijes. I takon kryeministrit dhe Qeverisë se si ta trajtojnë stratetigjikisht këtë situatë delikate, por është një mundësi për të treguar se duhet dialog i barabartë”, theksoi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë shtoi se kanë arritur dakordësim që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura mes dy shteteve më herët.

“Marrëdhëniet tona duhet të shkojnë në një nivel tjetër”, përfundoi ai.

Po ashtu, Rama ka deklaruar se nuk ka pasur bisedë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit, duke shtuar se është krah Kosovës.

I pyetur për çështjen e Ballkanit të Hapur, Rama ka thënë se ka pasur shumë mesazhe për shkak të situatës së krijuar që kanë thënë se ‘po tani a je i bindur se nuk bëhet Open Balkan me Serbinë’, por Rama ka thënë se tani është më i bindur edhe më shumë se duhet bërë.

Kurti: Nuk jam i informuar që do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është i informuar që sot do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri, pas raportimeve në disa media.

“Ne biseduam me zyrtarin e KFOR-it për gjendjen dhe situatën në veri. Vendimet që i marrim s’janë të pastra politike. Unë si kryeminstër dhe ministri i Brendshëm nuk marrim vendime politike, por nga informatat që na vijnë nga atje, pasi KFOR-i qëndron për të kontrolluar situatën. Jemi të hapur për bisedime, kam biseduar edhe me sekretarin e NATO-s, Stoltenberg. Unë nuk jam i informuar që do të ketë ndërhyrje të KFOR-it në veri. Jemi për t’iu kthyer bisedimeve. I ftoj qytetarët për qetësi, sepse institucionet po e kryejnë punën e tyre”, u shpreh Kurti.

Rama insiston se Ballkani i Hapur është rruga e duhur për Kosovën.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nisma e Ballkanit të Hapur është proces që duhet realizuar, për faktin se sipas tij, kjo do e përshpejtojë procesin e Berlinit. Ai ka theksuar se me veprimet e fundit të serbëve në veri, është vërtetuar se Ballkani i Hapur duhet të ndodhë.

“Unë jam i bindur edhe më tepër sot që Ballkani i Hapur është i vetmi drejtim strategjik që ne të mos ngecim në të shkuarën, dhe t’i marrim vetes maksimumin, si shqiptarë dhe si rajon. Liria e lëvizjes së njerëzve, të mallrave dhe të kapitaleve. Është më e mundur që të ketë sukses edhe dialogu nga klima që krijohet nga Ballkani i Hapur. Kjo nuk është asgjë pos marrja në zotërim të procesit të Berlinit dhe përshpejtimi i tij. Duke mos pritur që të mbahet një herë në vjet. Padiskutim që Kosova e ka të nxehtë plagën dhe se historia është shumë e afërt, por forca duhet të jetë shumë e madhe për të parë më tutje. Kosova e ka fituar luftën”, ka thënë ai para mediave.

“Vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh. Me vëllain të lidh familja dhe gjaku, me fqinjin që lidhë pasi e ke aty”.

Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një nismë të quajtur “Ballkani i Hapur”, në të cilën refuzuan të ishin pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja. 

Rama është pyetur nga gazetarët a ka biseduar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas bllokadave të serbëve në Veri të Kosovës.

Ai tha se për këtë çështje nuk ka asgjë për të ndërmjetësuar, pasi e drejta është në anën e Kosovës.  

“Nuk kam pasur një bisedë me Presidentin Vuçiq, apo siç shpesh herë miqtë e mi kosovarë në rrjete sociale thonë ‘me vllaun tim Vuçiq’, sepse këtu nuk ka asgjë për të ndërmjetësuar, këtu jemi në kushtet kur e drejta është me Kosovën, dhe kaq. Dhe kjo është shumë e qartë, kështuqë ne jemi apsolutisht në krah të Kosovës, siç është I gjithë komuniteti ndërkombëtar, dhe siç thashë, leximi I çuarjes së Njësisë Speciale si një arsye për të bërë teatër me helikopterë e aeroplanë në Serbi, është leximi më i gabuar”.

“Parafytyrojeni për një moment, le ta parafytyrojë edhe vllau jem atje, sikur të kishte larg qoftë, ndodhur diçka, në kushtet kur po sprovohej qëndrueshmëria e Shtetit, natyrisht se i takon Kryeministrit këtu në krah, Qeverisë së Kosovës, të marrë qëndrimet e duhura që kjo të shërbejë për ta çuar përpara dialogun dhe të mos ngrijë konfliktin”, ka deklaruar Rama.

Në kuadër të kësaj vizitë një ditore në Kosovës kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka takuar edhe liderët e opozitës në vend. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Në bllokimin e rrugëve në Jarinje e Bërnjak po marrin pjesë individë me veprimtari kriminale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se në bllokimin e rrugëve magjistrale që që shpiejnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak po marrin pjesë individë të dëshmuar me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste, përcjell KultPlus.

Kurti përmes një postimi në Facebok ka shpërndarë fotografitë e dy personave që  po marrin pjesë në protestën e serbëve në veri, pasi Qeveria e Kosovës mori vendimin për të vendosur masën e reciprocitetit në targa për automjetet që vijnë nga Serbia.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Në bllokimet e rrugëve magjistrale që shpiejnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak po marrin pjesë individë të dëshmuar me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste. Në vijim janë dhënë përshkrimet dhe fotografitë e dy prej tyre.

1. Vladislav Dajković, shtetas malazez, me datë 22 shtator 2021, ka hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinje ku edhe i është bashkuar protestuesve. Ai ka edhe nënshtetësi të Serbisë dhe është i lindur më 13 janar 1992. Njihet për botëkuptimet proserbe e proruse dhe ka marrë pjesë në të gjitha organizimet kundër orientimit perëndimor në Mal të Zi. Ai ka lidhje të ngushta me agjentin propagandues serb, Boris Malagurski, si dhe me propaganduesin francez prorus, Arnaud Gouillon. Dajković, është edhe anëtar i Lëvizjes Imperialiste Ruse (me flamurin e së cilës shihet në foto), që është shpallur organizatë terroriste nga ShBA-të.

2. Igor Braunović, drejtor i përgjithshëm i “Srbijašume”, lavdërohet publikisht nga zëvendësi i tij Bratislav Dikić për pjesëmarrje në bllokadën në Jarinje. Dikić është general në pension e dikur ishte kreu i xhandarmerisë serbe që ka qenë i arrestuar si i përfshirë në tentimin për grusht shtet në Mal të Zi në vitin 2016. Dikić është i afërt me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Dačić. Për më tepër, Dikić ka qenë i involvuar në thyerjen e kutive të votimit në komunën veriore të Mitrovicës në zgjedhjet lokale 2013, si dhe në heqjen e përmendores së UÇPMB-së në Preshevë po ashtu në vitin 2013. Së fundmi, pushteti e ka shpërblyer atë me pozitën e ndihmës drejtorit të ndërmarrjes publike “Srbijašume”. Pra, ai ka dalë hapur në rrjetet sociale në përkrahje të barrikadave dhe si përfaqësues në këto barrikada e ka dërguar me datë 22 shtator 2021 pikërisht Igor Braunović, drejtorin e përgjithshëm të NP “Srbijašume”. Ai nuk ka ardhur vet personalisht në barrikada meqë është figurë e komprometuar si element rus gjatë tentimit për grusht shtet në Mal të Zi./KultPlus.com

Kryeministri Kurti fton një mbledhje të Këshillit të Sigurisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se për sonte ka ftuar një mbledhje të Këshillit të Sigurisë pas zhvillimeve në veri të vendit.

Kjo ftesë për mbledhje vjen si rezultat i situatës së krijuar në veri të vendit pas vendimit për implementimin e reciprocitetit për targa.

Minuta më parë edhe kreu i LDK’së ka ofruar gatishmërinë për bashkëpunim me qëllim të menagjimit të situatës në veri./KultPlus.com

Kryeministri Kurti: ReMusica ka kuptimin e muzikës së re, por edhe të ringjalljes dhe rindërtimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar ‘ReMusican’ si një festival që ka kuptimin e muzikës së re, të ringjalljes dhe rindërtimit, përcjell KultPlus.

Kurti përmes një postimi në rrjete sociale ka shkruar se ky festival u bë bë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të jetës kulturore artistike në Kosovë, duke promovuar krijimtarinë e kompozitorëve të Kosovës dhe duke mundësuar ballafaqimin e natyrshëm të krijuesve vendor me ata botërorë.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

ReMusica ka kuptimin e muzikës së re, por edhe të ringjalljes dhe rindërtimit.

Në pranverën e vitit 2002, kur natyra po ringjallej, e Prishtina po rindërtonte jetën kulturore të pas luftës, Rafet Rudi me bashkëpunëtorët e tij, sollën festivalin ReMusica.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Re u bë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të jetës kulturore artistike në Kosovë, duke promovuar krijimtarinë e kompozitorëve të Kosovës dhe duke mundësuar ballafaqimin e natyrshëm të krijuesve tanë me ata boterorë.

Gjatë këtyre viteve, krahas koncerteve me artistë kulminant të skenës ndërkombetare, ReMusica solli edhe programin tematik “Veprat e reja pedogogjike për instrumente”.

Në përmbyllje të edicionit të 20-të të ReMusica, falënderoj organizatorët dhe krijuesit për themelimin e ngritjen e këtij festivali që pasuron jetën kulturore e artistike të vendit dhe literaturën tonë pedagogjike./KultPlus.com

Kryeministri Kurti në “Takimet e Dom Mikelit”: Fishta është politika e poemës në gjuhë

Gjergj Fishta është politika e poemës në gjuhë. Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën përshëndetëse në hapje të manifestimit tradicional “Takimet e Dom Mikelit”, që u mbajt në fshatin Stubëll e Epërme, të Komunës së Vitisë.

Manifestimi letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit” organizohet për 32 vjet me radhë, si aktivitet përkujtimor për Mikel Tarabulluzin, klerikun dhe mësuesin, i cili në vitin 1905 e hapi shkollën shqipe në Stubëll.

Sivjet, këtu te Dom Mikeli, kujtojmë e mendojmë për At’ Gjergj Fishtën, tha kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij.

“Politikë, poemë dhe gjuhë. Kjo trini duhet parë si dimensionet e kohës së jetuar: politika si e tashmja, poema si e shkuara, gjuha si e ardhmja. Por natyrisht që koha nuk është lineare. Koha nuk është e thjeshtë. Koha është prodhimi i përmasave të saj. Te Fishta këto tri përmasa janë operatorët punëtorë të kuptimit. Dhe ç’është më e rëndësishmja për ne, si përmasa të kohës ato ngërthehen mes veti në çdo çast”, tha ai.

Duke e rikujtuar Fishtën si politikan, si anëtar i përfaqësisë në Versajë, apo edhe në kongresin e Manastirit, i cili i ftonte shqiptarët në një projekt të përbashkët, përtej fesë, kryeministri Kurti theksoi se Fishta nuk shpreh më pak se kategorinë themelore të publicitetit, pra të shprehjes më të madhe në një gjuhë.

“Nuk ka politikë pa gjuhë, nuk ka kolektiv jashtë gjuhës, dhe nuk ka gjuhë që nuk mund të mos shprehë politicitetin e njerëzve”, tha ai.

Fjala e plotē e Kryeministrit Kurti:

I nderuar shkëlqesia juaj, ipeshkv i Kishës Katolike Dodë Gjergji,

I nderuari Dom Jeton Thaçi, Kryetar i Shoqatës Kulturore Shkencore “Dom Mikel Tarabulluzi”,

E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, zonja Rozeta Hajdari,

I nderuari deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, zoti Gani Krasniqi,

I nderuari rektor i Universitetit Publik të Gjilanit, zoti Bajram Kosumi

I nderuari kreu i Bashkësisë Islame në Viti, Husamedin Hoxha,

I nderuari drejtor i Kulturës, në Komunën e Vitisë, zoti Milot Lala,

Zonja e zotërinj, motra e vëllezër,

Tash e 32 vite, në Stubëll të Epërme, organizohet ky aktivitet, takimet e Dom Mikelit. Shkas i organizimit është përkujtimi i Mikel Tarabulluzit, klerikut dhe mësuesit të respektuar nga gjithë shqiptarët, pa dallim besimi, i cili në vitin 1905 e hapi shkollën shqipe në Stubëll.

Njashtu siç respekti për Dom Mikelin dhe figurën e veprën e tij, është i madh dhe i gjithmbarshëm, edhe respekti për këtë aktivitet të përvitshëm është i fortë.

Takimet e Dom Mikelit, që mbahen pranë kishës së Stubllës, çdo vit çelin tema diskutimesh të prizmit shkencor, historik, kulturor e letrar, duke u bërë një pikëtakim i rëndësishëm intelektual dhe një kontribut, sërish jo vetëm i komunitetit katolik shqiptar, por i bashkësisë sonë të gjerë kombëtare. Figura të shquara çdo vit ligjërojnë në këto takime.

Është interesante se si një aktivitet i tillë tregon për praninë e fortë dhe gjallërinë intelektuale të kahmotshme, në këtë fshat në juglindje të Kosovës. Sot mund të duket sikur këtu jemi pranë periferive të shqiptarësisë, mirëpo jo shumë kohë më parë kjo zonë ka qenë zemër e një rajoni të gjerë populluar me shqiptarë.

Patriotët dhe figurat historike që kanë vepruar në këtë pjesë të atdheut tonë, tregojnë se Stublla e përgjithësisht Karadaku, apo Mali i Zi i Shkupit, përherë ka qenë një nga vatrat e veprimtarisë kombëtare, politike, intelektuale, e hera herës edhe luftarake, kur e ka kërkuar rasti.

Sivjet, këtu te Dom Mikeli, kujtojmë e mendojmë për At’ Gjergj Fishtën. Politikë, poemë dhe gjuhë. Kjo trini duhet parë si dimensionet e kohës së jetuar: politika si e tashmja, poema si e shkuara, gjuha si e ardhmja. Por natyrisht që koha nuk është lineare.

Koha nuk është e thjeshtë. Koha është prodhimi i përmasave të saj. Te Fishta këto tri përmasa janë operatorët punëtorë të kuptimit. Dhe ç’është më e rëndësishmja për ne, si përmasa të kohës ato ngërthehen mes vete në çdo çast.

Gjuha është fushë e punës, nuk është fonema e vdekur. Le ta kujtojmë Fishtën si një prej kryesorëve të Kongresit themeltar të Manastirit. Por le ta kujtojmë edhe për ndërtimin poetik të gjuhës. Sepse në lëminë e poemës punon gjuha.

Në këtë kuptim gjuha është puna e së ardhmes, e poema kontabiliteti i saj në arkivimin e së shkuarës. Puna është gjithnjë në të ardhmen, ashtu sikurse dhe kuptimi. Numri i rrokjeve të vargut është i vogël, por programi është i madh, po citoj “npër gjuhë shqype bota mbarë ka me ju njoftë se ç’fis ju kini”. Gjuha është diferenca nëpër botë, por ajo është dhe karakteristika universale e botës – Leibniz.

Politikan, si anëtar i përfaqësisë në Versajë, apo edhe në kongresin e Manastirit, me thirrjen e shpeshtë ku fton shqiptarët përtej fesë në një projekt të përbashkët, Fishta nuk shpreh më pak se kategorinë themelore të publicitetit, pra të shprehjes më të madhe në një gjuhë.

Nuk ka politikë pa gjuhë, nuk ka kolektiv jashtë gjuhës, dhe nuk ka gjuhë që nuk mund të mos shprehë politicitetin e njerëzve.

Gjuha është poema politike në numrin e fjalëve që shpall, në emrat gjeografikë dhe ata historik që liston. Nga një tjetër filozof gjerman, mbase më i madhi prej tyre “Gjuha është publicitet i qenies historike, dhe si e tillë është politike” – Kant.

Vetë poema, në mpiksjen e traditës e vendos Fishtën në një vend të veçantë. Natyrisht që mund ta lidhim me diçka mes lirikes dhe epikes. Për Fishtën duket se në një akt themelimi duhet të gjendet gjeografia në të cilën shtjellen breza të shqipes dhe në të cilën lartohen emra të flijimit.

Kuptohet që andej se Fishta mëton më shumë se kushdo tjetër të arkivojë në lëminë e poemës, në epikën e saj, energjinë e nevojshme të sipërores që mund të bashkojë. Si dhe ne, si dhe në çdo kohë, ai e ndjen se hallka e dobët është kompleksi i inferioritetit. Poema është gjuha politike e synimeve të epërme, e qëllimeve të mbramë – pra, Romantizmi.

Fishta është politika e poemës në gjuhë. Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar.

Me respekt i përshëndes punimet e sesionit të sivjetshëm të takimeve të Dom Mikelit, qofshin të mbara për pjesëmarrësit dhe të gjithë ne.

Ju falemnderit./KultPlus.com

Kryeministri Kurti thotë se edhe të vaksinuarit bartin virusin: Ata që marrin vaksinën të kenë kujdes për dy javë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në konferencën për medie se është problematike rritja e rasteve me Covid-19 në vend ndërkohë që ka bërë thirrje për kujdes.

Ai ka thënë se fakti që një qytetar ka marrë një dozë të vaksinës, nuk do të thotë se kujdesi i tij duhet të bie.

Kurti po ashtu ka thënë se qytetarët duhet t’i besojnë edhe vaksinën AstraZeneca, për të cilën thotë se ka me bollëk në krahasim me atë Pfizer të cilët qytetarët po e besojnë më shumë.

“Fakti që dikush është i vaksinuar ndonëse është i mbrojtur nuk e zvogëluar bartjen e virusit., bartës dhe shpërndarës mund të jesh edhe i vaksinuar. Një lloj disipline që duhet të jetë dy herë dy jave për qytetarët e republikës. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve. Pas vaksinimit. Dy javë duhet të ketë kujdes maksimal. Nuk funksionon ashtu që të marrësh vaksinen dhe të jesh totalisht i pakujdesshëm. Në bazë të dhënave që kemi marrë është një numër i madh i qytetarëve që pasi kanë marrë njërën vaksinë nuk e kanë pasur disiplinën e duhur dy javore. Problemi tjetër që kemi është se kemi shumë vaksina të mbetura të llojit AstraZeneca ndërkohë që kemi pak të atyre Pfizer. Unë dhe ministrat kemi marrë dy doza Astra Zeneca dhe ajo nuk qëndron aspak prapa vaksinës tjetër. Inkurajoj qytetarët që të marrin edhe këtë vaksinë pasi është shumë e sigurtë. Varianti Delta është problematik dhe është duke u shpërndarë me të madhe. 0.81% kanë qenë të vaksinuar së paku me një dozë. Prej fillimit të muajit deri pardje. Kemi dhjetëfishim të rasteve të atyre që janë infektuar me Covid”, shtoi ai./KultPlus.com

Kryeministri Kurti kërkon drejtësi në varrimin e 18-vjeçares që u vra në Ferizaj: Të mërzitur nuk mund ta kthejmë kohën e ta zgjojmë Marigonën

Kryeministri Albin Kurti ka marrë sot pjesë në varrimin e 18-vjecares që është vrarë në Ferizaj.

Kurti pasi vendosi lule te varri i të ndjerës ka ngushëlluar familjarët e të pranishmit tjerë.

“Sot të gjithë ne kemi shumë pikëllim, sot të gjithë ne kemi shumë zemërim, jeta e një vajze të re 18-vjecare është këputur nga një vrasje mizore. Para 1 orë e gjysmë I dyshuari për vrasjën që e tronditi Kosovënë shtë arrestuar dhe tash duhet të ketë gjykim të drejtë e dënim të merituar”, thotë ai.

Ai ka folur edhe për arrestimin e Dardan Krivaqës.

“Bëhet fjalë për një të dyshuar që ka precedent penal edhe në vitet e mëhershme në veprat e shumta që kanë qenë shkelje të ndryshme të ligjit. Kjo tregon sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të gjykojë drejt, e të gjykojë kriminelët e keqbërësit.

Qeveria jonë prej fillimit ka ndërmarrë iniciativën për infrastukturë të re ligjore, në mënyrë që kurrë më të mos na përsëriten këto raste, kemi bërë ligjin e ri për mbrojtje të viktimave dhe për mbrojtjen nga dhuna në familje”, thotë Kurti.

“Të pikëlluar e të mërzitur nuk mund ta kthejmë kohën mbrapsht e ta zgjojmë Marigonën, duhet t’i mbajmë kujtimet më të mira, të angazhohem të gjithë bashkë që raste si vrasja mizore e Marigona Osmanit të mos e godasin më kurrë popullin tonë. Ngushëllime të gjithë popullit tonë. U preht e qetë Marigona, e për tu prerë me të vërtetë e qetë duhet të sjellim drejtësi për të e gjitha viktimat tjera”, tha kryeministri./KultPlus.com

Kryeministri Kurti pret në takim këngëtarin Gjon’s Tears

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim këngëtarin shqiptar me famë botërore, Gjon Muharremaj dhe drejtoreshën e KultPlus, Ardianë Pajazitin.

Ky takim është bërë pak orë para koncertit që këngëtari shqiptar do të mbajë në Prishtinë.

Gjon Muharremaj, i njohur me emrin e tij artistik ‘Gjon’s Tears’ do të performojë sonte në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, në kuadër të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus”, shkruan KultPlus.

“Thjesht unë dua që njerëzit ta ndjejnë muzikën time në të gjitha mënyrat e mundshme”, ka thënë Muharremaj në takimin me kryeministrin.  

Gjon’s Tears përfaqësoi Zvicrën në Eurovizion mëngën ‘Tout L’Univers’, duke marrë vendin e parë nga votat e jurisë profesioniste dhe vendin e tretë me votat e publikut.

Kryeministri Kurti e ka përgëzuar këngëtarin shqiptar për këtë arritje.

“Arritja më e madhe e një artisti është kur arti i tij step pa joshje shikuesin ose dëgjuesin. Ti Gjon e ke arritur këtë në ‘Eurovision”, – tha Kurti në këtë takim.

Ndërkaq, mbrëmja artistike ku do të ketë edhe bashkëbisedim me Gjon Muharremaj, por edhe performancë do të mbahet sonte prej orës 19:00, ku të pranishmit do të kenë rastin ta përcjellin nga afër këtë ngjarje që mbahet  në kuadër të projektit “Ta zbardhi ftyrën”./KultPlus.com

Kryeministri Kurti ka formuar ‘Grup punues’ për shënimin e 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e shënimit të 12 – vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në mbledhjen e dytë të Qeverisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka formuar Grupin punues, i cili do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Haki Abazi’, në kuadër të të cilit do të jetë edhe Ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, Ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni dhe ministrja e MAPL-së, Emilija Rexhepi.

 “Siç e dini të hënën do ta shënojmë 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe me këtë rast është e nevojshme të kemi një grup punues që do të bëjë finalizimin e përgatitjeve tashmë të zakonshme e tradicionale në shtetin tonë. Me këtë rast propozoj ta kemi një grup punues ku ai do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Haki Abazi dhe në kuadër të këtij grupi të jetë ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, Ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni dhe ministrja e MAPL-së, Emilija Rexhepi”, tha Kurti.

Propozimi i Kryeministrit Kurti, për formimin e grupit punues, me shumicë votash , u miratua nga kabineti qeveritar./KultPlus