Thirrje për audicion për filmin ‘Bota jonë’ nën regjinë e Luana Bajramit

Për filmin me metrazh të gjatë të regjisores Luana Bajrami, i titulluar ‘’Bota jonë’’, është hapur një thirrje për audicion për gjithsej shtatë role kryesore, përcjellë KultPlus.

Kriteri për pjesëmarrjen në këtë film, përfshin katër ferma dhe tre meshkuj, duke filluar nga mosha 18 vjeçare deri në 30 vjeç.

Për të interesuarit, fotot mund t’i dërgoni fotot dhe videon e prezantimit në këtë email: [email protected] / KultPlus.com

Çeku pas sukseve të Gjakovës e Bajramit: Vajzat tona po ngrisin Kosovën në majat e suksesit botëror

Sukseset e grave e vajzave shqiptare në fushën e artit, kulturës dhe sportit çdo herë shtrihen përtej kufijve, shkruan KultPlus.

Ishte pikërisht xhuditstja kosovare, Nora Gjakova ajo që sot i siguroi Kosovës medaljen e bronztë në Kampionatin e Xhudos dhe regjisorja Luana Bajrami ajo që shënoi një moment tjetër historik, duke dërguar për herë të parë një film kosovar në festivalin më të rëndësishëm të filmit, atë të Kanës.

Këtyre sukseseve i është gëzuar edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili ka shkruar se janë vajzat tona ato që po ngrisni republikën në majat e suksesit botëror.

Më poshtë mund të lexoni postimin e tij të plotë:

Dy lajme të jashtëzakonshme sot. Vajzat tona në art dhe sport sërish e ngritën Republikën tonë në majat e suksesit botëror.

Regjisorja e talentuar Luana Bajrami me filmin e saj “Luaneshat e Kodrës” do të jetë pjesë e Festivalit të Kanës. Ky është moment historik pasi është hera e parë që një film kosovar do të jetë pjesë e festivalit më të rëndësishëm në botë.

Në anën tjetër, xhudistja Nora Gjakova ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të xhudos në Budapest. Ky është paralajmërim i fuqishëm për sukseset që pritet t’i kemi sivjet në Lojërat Olimpike në Tokio./ KultPlus.com

Ministri Çeku pret në takim Luana Bajramin, regjisoren që po e bën Kosovën pjesë të Festivalit në Kanë

Kinematografia kosovare sot përjetoi edhe një lajm gëzimi. ‘Luaneshat e Kodrës’, do të jetë filmi i parë i gjatë kosovar që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, shkruan KultPlus.

Menjëherë pas këtij lajmi, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku bashkë me këshilltarin e tij, Liburn Jupollin, kanë pritur në kabinetin e tij regjisoren e këtij filmi, Luama Bajrami.

Luana në këtë takim ishte e shoqëruar nga producentja, Valbona Rrahmani, asistenti i produksionit, Lavdrim Krenzi, Arben Zharku, Drejtor i QKK dhe Lum Çitaku, zyrtar për marrëdhënie me publikun në QKK.

Gjatë këtij takimi, Ministri Çeku i uroj për suksesin ndërsa u diskutua për rëndësinë që kanë paraqitjet e tilla me vlerë për promovimin e Kosovës dhe gjithashtu punën e mirë që po bëjnë të rinjtë e vendit tonë, duke na bërë krenar në botë.

“Luaneshat e Kodrës”, flet për një histori që zhvillohet diku në një fshat të vogël në Kosovë, ku tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërijnë.

Ky film është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). / KultPlus.com

Kosova në Kanë me filmin “Luaneshat e Kodrës” të regjisores Luana Bajrami

Diku në një fshat të vogël në Kosovë, tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërojnë. Ky është rrugëtimi që na e sjellë Luàna Bajrami përmes filmit të parë të saj. ‘Luaneshat e Kodrës’, do të jetë filmi i parë i gjatë kosovar që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, përcjellë KultPlus.

“Unë jam rritur me kombësi të dyfishtë franceze-kosovare, kështu që është një nder për mua ta sjell këtë film kosovar në Festivalin e Kanës në Francë.

Jam shumë e gëzuar për njohjen dhe entuziazmin që veç i është dhënë filmit. Sidomos pasi që është filmi im i parë me metrazh të gjatë që merret me tema që janë shumë të rëndësishme për mua: rinia dhe dëshira e rinisë për liri”, u shpreh Luana, regjisorja e filmit.

‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë).

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami. Premiera do të shfaqet në kuadër të programit Director’s Fortnight të Festivalit të Kanës. / KultPlus.com

Ekskluzive: Luana Bajrami, aktorja shqiptare në “Portrait of a Lady on Fire” synon Palmën e Artë në Cannes

Ekskluzive: Luana Bajrami, aktorja shqiptare në “Portrait of a Lady on Fire”, synon Palmën e Artë në Cannes

“Portrait of a Lady on Fire” është filmi i metrazhit të gjatë me regji të Céline Sciamma e që është në konkurrencë zyrtare për Palmën e Artë në Festivalin prestigjioz Cannes, por veçantia tjetër e këtij filmi është se në një ndër rolet kryesore luan aktorja shqiptare Luana Bajrami, shkruan KultPlus.

Luana Bajrami pritet të parakalojë në tapetin e kuq të këtij festivali, ku parakalojnë edhe shumë yje të botës së kinematografisë, dhe për këtë ndjesi, vetë Bajrami ekskluzivisht për KultPlus ka ndarë emocionet mbi këtë projekt filmik.

Vetë selektimi zyrtar në një festival kaq prestigjioz, sipas Luana Bajramit është një sukses i madh, ku sipas saj, është duke i sjellë një ndjenjë të mirë.

“Ndihem e gëzuar dhe krenare që filmi “Portrait of a Lady on Fire” do të paraqitet në një festival kaq prestigjioz”, ka thënë Luana Bajrami për KultPlus, e cila ka shpjeguar edhe për boshtin e këtij filmi, ku sipas saj,  filmi është i vendosur në shekullin e 18-të.

“Roli im është i një vajzë të re që është e punësuar si shtëpiake në një familje aristokrate”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka potencuar se me regjisoren Céline Sciamma ka punuar për herë të parë në këtë projekt filmik, duke e vlerësuar si një përvojë shumë të mirë, pasi që regjisorja ka punuar shumë me kastën e aktorëve.

Duke kujtuar fillimin e këtij filmi dhe shpresën se po ky film do të depërtoje në festivale të mëdha, Bajrami për KultPlus ka treguar edhe për përvojën e saj në rrugëtimin e saj artistik.

“Kam luajtur role të ndryshme këtu në Francë, duke përfshirë rolin e Apollinës, nxënëse shumë e zgjuar në filmin “School’s Out” me regji të  Sébastien Marnier, pastaj rolin “Emma”, vajze rebele e braktisur prej nënës saj, në filmin “Fête de famille” prej Cédric Kahn, rolin e vajzës Mario, në filmin “Marion, 13 vjeçare përgjithmonë”, që është histori e vërtet”, ka thënë Bajrami e cila është nga Kosova por që është lindur dhe rritur në Francë.

Ajo ka kujtuar edhe angazhimin e saj me aktorë shqiptarë, duke përmendur përvojën e saj me Imer Kutllovcin e Ridvan Mjaku, por që të njëjtit jetojnë në Francë.

Kurse për një angazhim të saj të mundshëm me ndonjë projekt filmik me regjisor shqiptar, Luana Bajrami është shprehur të jetë e hapur për propozime. /KultPlus.com