Ne qëmoti mund të ishim pjesë e Bashkimit Europian, sikur kjo të varej nga parullat, kukurisjet, llafologjia dhe hipokrizia



Shkruan: Ndue Ukaj

Ne – qëmoti mund të ishim pjesë e Bashkimit Europian, sikur kjo të varej nga parullat, kukurisjet, llafologjia dhe hipokrizia.

Prandaj, në vend të çirrjeve dhe sharjeve ndaj Bashkimit Europian, më mirë është të punojmë, që Europën ta bëjmë atdhe të vlerave tona të përbashkëta. Sepse kjo është nevojë ekzistenciale e shoqërisë sonë.
Akuzat ndaj Europës janë të pështira. Janë të pështira përsa kohë oborri ynë të jetë kaq i ndotur dhe kaq i parregulluar. Ndryshe, tregohemi qyqarë dhe të pasinqertë.

Të kujtojmë: Europa është një ide. Është një parim shpirti. Është kulturë. Ajo që e ndanë Europën, është politika, ndërkaq ajo që e bashkon, është kultura. Mbi këtë parim, është ngjizë ideja e BE-së. Prandaj, etërit e saj, pohonin me vendosmëri se, BE- ja para se të jetë aleancë politike, është aleancë kulturore.

Ne, deri sot, s’ e kemi kuptuar këtë postulat. Kemi flirtuar “tinëzisht” me armiqtë e BE- së dhe përbrenda jemi sjellë në kundërshtim me vlerat e BE- së, duke filluar nga demokracia, politika, ekonomia, kultura, etj. Prandaj, është e pakuptimtë ta fajësojmë atë pse oborrin tonë e kemi kaq shumë të papastër dhe pse sjelljet tona politike janë kaq primitive e kaq foshnjore. / KultPlus.com

Njëzet vite pas luftës, shoqëria jonë është mbërthyer nga një angështi e rrezikshme, që duket sikur ia ka ndalë frymën dhe orën

Ndue Ukaj

Shteti nuk është projekt dosido, por është projekt madhor që bëhet nga njerëz të ditur. Dhe jo një mësymje që i ngjan një gare pehlivanësh, ku provohet kush është më i fortë e më i zhdërvjelltë në rrëzimin e tjetrit. Shteti nuk është as koncept kuvendimesh nëpër oda, nën cikërrimën e gotave të çajit e tymit të duhanit e ku flitet me ton të lartë dhe ku vërshojnë intriga e thashetheme pafund. Shteti, parasëgjithash është koncept dituror, i njerëzve profesionistë, të urtë dhe fisnikë, që të vërtetat i formojnë duke u bazuar te empiria, modelet kulturore e politike dhe te shumësia e librave dhe dijeve humane.

Në mungese të një shkolle kombëtare për shtetin, shoqëria jonë rropatet andej e këndej, pa mundur të gjejë paqe e prehje për vete, dhe përditë e më shumë, në sytë e botës, ajo paraqitet si një fëmijë me probleme serioze, rrita dhe pjekja e të cilit vërtet është në pikëpyetje të madhe.
Kjo ndodh, sepse, projekti ynë shtetëror nuk i nënshtrohet një kritike diturore e as një gjykimi racional, por është punë e mendjelehtëve që kënaqen me pak, me një vizitë kurtuazie, nën hijen e një peme, në një restorant, me një qengj të pjekur, duke cakërruar ndonjë gotë raki apo duke ia krisë këngës dhe me disa fotografi që përfundojnë në rrjete sociale.

Duke mos përfillë asnjë model politik – e as demokracinë- te ne është shprishur deri në rrafsh banal tërë sistemi i vlerave dhe shoqëria është mbërthyer keq nga pehlivanë e mashtrues. Kjo mendësi, ka bërë që në shoqërinë tonë, pak kush të respektojë dijen dhe të vërtetën. Dhe, për pasojë, pak kush flet me respekt për këto vlera sublime, rreth të cilave bashkohet shoqëria njerëzore.

Në vend se t’i plotësojmë zbrazëtirat e mëdha të historisë dhe të dalim nga zinxhirët e robërisë, ne vazhdojmë të kultivojmë mendësi bashibozuke.

Ekskursioni i vonuar patriotik e ka stërkequr mendimin politik dhe i njëjti e ka tkurrë deri në masë shqetësuese idenë për shtetin dhe ekzistencën e tij. Derisa politikanët gëlojnë kryelartë në tabanin shterur patriotik, prej të cilit përfitojnë shumë- pushtet e famë- populli, në anën tjetër vuan dhe kërkon një shtegdalje nga kjo angështi. Të pafund janë ata që shtegdaljen e kërkojnë në ikje dhe të njëjtit e mallkojnë vendin e tyre.

Këto ditë, kam dëgjuar shumë njerëz të dëshpëruar që nuk presin asgjë nga vendi i tyre dhe e gjykojnë si mallkim të jetojnë dhe t’i lënë fëmijët e tyre aty, ku, sipas tyre, nuk ka ardhmëri.
Kjo më ka trishtuar!
Me siguri, arsyet e këtij dëshpërimi janë të shumta dhe për to kërkohet analiza të shumta e debate të mirëfillta. Unë besoj se kjo është edhe pasojë e historisë, mendësisë dhe trashëgimisë, por tani nuk është rendi të merremi me këto tema.

Arsyet kryesore pse shqiptarë – njëzet vite pas çlirimit- vuajnë, janë të brengosur, të hidhëruar dhe të mërzitur, lidhen kryekëput me sistemin e çoroditur që kemi ndërtuar, një sistem ku, drejtësia nuk është drejtësi dhe ku të mirat publike nuk janë të mira publike për të gjithë e ku sistemi i vlerave është përmbysur keq.
Tash e njëzet vite, flitet pafund për politikë dhe në këtë fushë gëlojnë figura mjerane që të vetmin adut e atribut për të qenë në jetën publike e kanë patriotizmin shterpë. E të njëjtit, duke bartur mendësi pehlivanësh, kanë ngulfatë mendimin publik dhe nuk kanë lejuar që të mbyllet epoka e dokrrave patriotike dhe të ringritet shteti në përkim me standardet moderne, pra, që, politika të përkthehet me terma zhvillimorë. Ky është patriotizmi i vërtetë, fisnik dhe shëndetdhënës.

Njëzet vite pas luftës, shoqëria jonë është mbërthyer nga një angështi e rrezikshme, që duket sikur ia ka ndalë frymën dhe orën. Dhe, ata të paktët që kanë një grimë shpresë për një të nesërme pozitive, presin një forcë të jashtme për t’i çliruar nga kjo angështi dhe pastaj të ngrohën edhe njëherë në rrezet e bukura të lirisë. Pra, ata presin një fuqi prometheane që t’iu sjell zjarrin.
Ç’është e vërteta, për njëzet vite, rrezet e vërteta të lirisë, që janë përparimi, mirëqenia, paqja, etj., njeriun e Kosovës nuk e kanë ngrohë dhe nuk ia kanë ushqyer shpresat dhe besimin se e nesërmja mund të jetë me progresive për ta dhe vendin e tyre, për të cilin kanë sakrifikuar shumë.

Duke vegjetuar dhe duke heshtur, e kemi ndihmuar këtë sistem të mjerë dhe u kemi dhënë krah budallenjve dhe tash jemi pushtuar nga pushteti i tyre injorant, e cili, ka mbërthyer çdo gjë, duke filluar nga ligjërimi publik deri te oazat ku ngjizet personaliteti i një kombi dhe fizionomia e një shteti, te shkollat.

Njëzet vite pas lufte është bërë klishe të dëgjohet tek thuhet se Kosova, në këto dy dekada, kurrë s’i ka patur punët më keq. Dhe ky ligjërim ka bërë që të formohet një botëkuptim çoroditës, të cilin e dëgjon përditë dhe kudo: “këta jemi ne dhe kaq vlejmë ne”. Kjo mendësi tanimë rri si saç përvëlues e thanë shpresa e nuk lë të kultivohen ideale dhe të kërkohet udha për ringritje.

Udha e ringritjes se një vendi nuk mund të gjendet pa u fisnikëruar mendimin dhe ligjërimin publik, forcë kjo që i formon të gjitha të vërtetat.
Kurse te ne, çuditërisht, sa më halldup, aq më shumë terren në fushën publike. E arsyet janë të qarta: shumëkujt i konvenon të stërvitet edhe një brezni në cektësi, sepse kështu e zgjasin pushtetin e tyre injorant.

Në një shoqëri ku nuk bëhet luftë për ide dhe parime, natyrisht, aty çon krye padija, e cila e vizaton kudo fytyrën e vet. Te ne, injoranca më nuk është vetëm fuqi, siç thoshte Orwelli, as epidemi stinore, por një gjendje metastaze. Dhe frytet e saj preken përditë dhe në çdo fushë, duke filluar nga idetë e tredhura patriotike, arroganca, kontrolli, ligjërimi i cektë, dëshpërimi, varfëria, ikjet, retardimet, “elitat” e çoroditura, arkitektura e shëmtuar…

Kjo gjendje, prodhon kufoma intelektuale dhe autoritete të rreme me tonelata, në politikë e media, të tillë që jetojnë të dehur nga lavdia dhe mania e famës. Të njëjtit, natyrisht, tmerrohen nga e vërteta dhe saktësia.

Janë të paktë ata shqiptarë që besojnë se ne, mund të bëjmë vepra të mira në vendin tonë dhe në tokat tona. Ndaj, shterpësia dhe cektësia vërehet kudo: në art, arkitekturë, shkencë e politikë. Kudo dukemi pak dhe pa shkëlqim. Ose, bëhemi krejt qesharak dhe tentojmë të kapemi nëpër disa merita që pak na përkasin ne.

Për arsye historike dhe të trashëgimisë dhe në mungesë të uniteti politik e kulturor, ne nuk kemi arritë ta kuptojmë çka është shteti apo thënë ndryshe, koncepti ynë për shtetin vazhdon të jetë foshnjorë. Pa e tejkaluar këtë mendësi, shpirtngushtësinë, inatet dhe përsa kohë nuk ndërgjegjësohemi se shteti është projekt madhor, i njerëzve të ditur, ne do të vërtitemi në këtë vorbullën e errët.

Po e përsëris: Shteti është vepër madhore. Vepër e sofistikuar, që latohet nga mjeshtër të kulturuar, të urtë e mendjehapur, të përgatitur dhe me shije të mirë, dhe që punojnë me shumë dashuri për të, ashtu siç punon artisti i rryer në veprën e vet.
Dhe, sa herë që ka dyshimi, kërkon kritikun, modele paraprake, mendimin e tjetrit.
E kjo mendësi është larg nesh e disa e kanë abortuar.

Me udhëheqës dhe elita udhëheqëse që shtetin e konceptojnë si çiflig, ne edhe dy dekadat e ardhshme do të kukurisim e ulërijmë, ashtu siç kemi bërë tash e dy dekadat e shkuara.
Shoqëria jonë ka nevojë të injektohet nga etika e përgjegjësisë dhe dashuria vepruese për atdheun, dijen e kulturën. E atdheut, shërbimin ma të mirë ja bëjmë me shkollim të mirëfilltë, me libra dhe institucionalizim të dijes, dhe paralelisht me këtë, me deinstitucionalizim të kapadaillëkut dhe njerëzve të fortë, që e kanë varfërua jetën tonë në të gjitha pikëpamjet.

Për ta mposhtë të keqen, nuk mjafton kamçiku, por duhet një ide e mirë, kanë këshilluar të diturit. Pra, duhet investim sistematik në dije dhe kulturë. Sepse, shpata e sotme, është hollimi i mendjes, thoshte iluministi, atdhetari dhe dijetari i pashembullt, At Shtjefen Gjeçovi.
Pra, ne na duhen mendje të holla dhe të përkora dhe jo karagjozë e bashibozukë të fortë, megaloman, që sillen si dhija e zgjebosur me bishtin përpjektë.

Unë besoj se kultura dhe idetë kulturore janë udha e ringritjes së vendi tonë të dërmuar nga politikanë pehlivanë e mendjeshkurtër. Sepse, “politikë s’ka, vetëm kulturë”, shkruante eruditi Branko Merxhani, më 1936, në një tekst të botuar te revista që ai e drejtonte atëherë, “Përpjekja Shqiptare.” Edhe Norberto Bobbio, filozofi dhe juristi i shquar italian shkruante se “nuk ka politikë pa kulturë”.

Pra, të diturit e kanë thënë qëmoti se asnjë shoqëri nuk mund të mbahet e bashkuar pa qenë e bashkuar në kulturë dhe kjo bëhet në shkolla dhe nga elita të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme që nuk përqurren përpara manisë së famës dhe nuk ndërrojnë mendime sa herë ndërrojnë stinët./KultPlus.com

Një ditë vjeshte si kjo

Poezi nga Ndue Ukaj

Lajmet e fundit fillojnë si përrallat e bukura:
Na ishte njëherë shpresa dhe qyteti i gëzuar.
Tani ka tym, mjegull dhe gurë pikëllimi.

Njerëzit shëtisin të hutuar.
Pinë kafe bashkë me fantazma
dhe të shastisur rrëfehen para tyre si Konstandini kur e sillte Doruntinën te ëma e vet.

Nëpër rrugët e ngushta mendimet janë të ngushta,
dhe marrin n’ thua edhe ata që sytë i bëjnë katër.

Na ishte njëherë një kohë kur lirinë e prisnim nga lajmet.
Tash lajmet na dëftojnë hijet që kukurisin dhe njollosin lirinë.

E përtej horizontit në malet e thepisura
shihet dëborë dhe një dimër i acartë pa fund.

Oh! Në një ditë vjeshte si kjo,
me lirinë e tepruar të imagjinatës
shoh gra të bukura
që luajnë me gjethe vjeshte.
dhe matanë ekraneve një çetë politikanësh
si bëjnë plane të mjegullta.

Një ditë vjeshte si kjo,
njerëz pa skrupuj shëtisin rrugëve të boshatisura.
Ata kanë abortuar lirinë
dhe shfaqen çdo mbrëmje në ekranet tona të mëdha.
Na dëftojnë si formohet mbretëria e marrëzisë
para syve që s’shohin gjë nga mjegulla.

Një ditë vjeshte në fund
ndala orën dhe përmes dritares
pashë një qytet të mërzitur
silueta njerëzish të mërzitur
gra të mërzitura
fëmijë të mërzitur
dhe një grusht politikanësh të lumtur.

(Nga libri, Gjithmonë diçka mungon, OM, 2017)

“Duke folur më shumë për vlerat e luftës, i kemi vyshkur vlerat e lirisë”

Ndue Ukaj

Tash e njëzet vite, protagonistët e luftës, të veshur me uniforma politike dhe pushtet politik, bashkë me media të shumta shërbyese, e kanë orientuar opinion publik kah vlerat e luftës dhe kësisoj kanë pamundësuar që populli i Kosovës të ushqehet me dashurinë për lirinë, që është thelbi i ekzistencës njerëzore dhe për ç’ gjë bëhet lufta. Duke operuar në këtë fushë, këto dy kategori tok të bashkuara, kanë ngulfatur opinionin publik dhe gjuhën politike, duke e reduktuar në dy a tri tema rreth të cilave sillemi si të marrë. 
Duke u grindur si gjelat, duke parë debate shterpe përditë, për politikën dhe të kaluarën, është krijuar përshtypja- dhe te një pjesë e popullsisë bindja- se ky është tavani përmbi të cilin nuk mund të lëvizim. E kjo me siguri, u ka konvenuar atyre që dokrrat duan t’i kthejnë në vlera politike. 
Në të vërtetë, vlerat e luftës nuk kanë kurrfarë kuptimi nëse ato nuk kthehen në vlera të lirisë, sepse lufta bëhet për të fituar lirinë, që është vlera më sublime njerëzore, për të cilën, përgjatë gjithë historisë njerëzore është sakrifikuar pafund.

Autori Keneth Minogue, në parathënien për botimin në gjuhën shqipe të librit të tij “Pushtete e huaja” (të përkthyer në shqip nga Arsim Canolli), shkruan: “sunduesit ideologjikë gjithmonë sundojnë gjatë”.
Nëse e analizojmë historinë e zhvillimeve politike të tri dekadave të fundit në Kosovë, sidomos të luftës dhe të pas luftës, në përkim me këtë që thotë Minogue, atëherë mund të thuhet se ligjërimi i publik i protagonistëve të luftës, gjuha dhe temat që janë rrahur cektë nga ta dhe sejmenët e tyre, kanë pasur vetëm një synim: sundimin, pra pushtetin. 
Dhe si pasojë e këtij pushteti ideologjik- as krejt nacionalist e as krejt kozmopolit, dhe ligjërimit të cektë që ka prodhuar ai, sot është shpërfytyruar rendi i vlerave në shoqërinë tonë. Dhe, për njëzet vjet, pak kush është kujdesur për frytet e lirisë; pak kush i ka ushqyer ato, prandaj sot duken të vyshkura.

Për njëzet vite rresht, pak kush ka folur për vlerat e demokracisë dhe vlerat e saj janë rrëmbyer nga pehlivanë, të tillë që shoqëria e njeh si të fortit e vendit. 
Për njëzet vite rresht, patriotizmi i vërtetë, që lidhet me koncepte zhvillimore e diturore nuk është zhvilluar aspak. Në të kundërtën, patriotizmi ynë ka mbetur në batakun primitiv të llafologjive, ku dija, interpretimet e vlerësimet patriotike kanë pasur ngjyra të kameleonëve, të tillëve që brenda natës bëhen patriotë e tradhtarë, siç thoshte Noli.

Protagonistët e luftës, vlerat e luftës i kanë përdorë dhe vazhdojnë t’i përdorin për të zgjatuar pushtetin e tyre politik, pra sundimin, siç thotë Mionogue dhe kurrsesi për t’i kthyer ato vlera në vlera të paqes dhe të lirisë. Sepse, sikur vërtet të donin të bënin një gjë të tillë, ata do të krijonin kushte ku njerëzit do të ushqenin dashuri për paqen dhe lirinë, dhe këto vlera do t’i kthenin në terma zhvillimorë për vendin e tyre dhe nuk do të ofshanin natë e ditë për shtetin e tyre të deformuar e të degraduar pamasë. 
Sikur të flisnim e angazhoheshim për vlerat e lirisë, frytet e tyre do të shiheshin në përparimin dhe mirëqenin tonë dhe paqen e brendshme.

Të shihesh sot si përqurren protagonistët e luftës që kanë funksione politike për historitë e para njëzet viteve, përnjëmend është neveritëse. E po aq neveritëse janë ligjërimet e tyre të cektë politike për katandisjen e Kosovës, në të cilën ata kanë dorë vetë.

Përsa kohë këta merren me këto dokrra, në anën e kundërt, në Kosovë, përditë dëgjon familje, profesionistë të shumtë, të rinj e të vjetër, që të vetmen gjë që duan është, të braktisin vendin e tyre dhe t’i lënë këta të përqurren pafund në dalldinë dhe lavdinë e tyre.

Se Kosova është katandisë në një batak të thellë, këtë tani kanë filluar ta thonë edhe ata që janë protagonistë të kësaj të keqe. 
Por, nga ky batak nuk na nxjerrin vlerat e luftës, aftësitë për t’i treguar muskujt, as historitë e bujshme që i dëgjojmë për natë nëpër televizione apo i lexojmë në rrejte sociale, por vetëm urtësia dhe një klasë politikanësh të urtë e intelektualë që janë të zotët t’ i ushqejnë vlerat e lirisë dhe të flasin me respekt për dinjitetin e njeriut, në përkim me aksiomën se nuk është bërë njeriu për shtetin, por shteti për njeriun.

Vlerat politike të një klase politike lidhen me punët e vërteta që ata bëjnë në kohën kur ushtrojnë pushtet dhe jo me të kaluarat e tyre, çfarëdo qofshin ato. E, udhëheqësit që bëjnë punë të vërteta dhe janë të vërtetë, nuk bëjnë ekskursione politike në histori dhe as nuk krekosen për të kaluarën. Ata nuk sponsorizojnë lajmet e tyre në rrjetet sociale, nuk ndiejnë nevojë të bredhin nga një media në tjetrën, sepse ata e dinë se punët e vërteta e çajnë çdo errësirë informacioni dhe propagande. / KultPlus.com

Kujt i duhet një shoqëri me edukim gjysmak?

Ndue Ukaj 

Ne një vend normal, sa herë që bëhen debate të ndjeshme, që lidhen me arsimin, universitetin, institucionet e dijes, kulturën, librin e fushat e tjera esenciale, ministrat dhe kryeministrat, zakonisht pëlqejnë të heshtin, shfaqen në publik të përmbajtur dhe këto çështje ua lënë në duar profesionistëve. Por te ne ndodh krejt e kundërta.

Ministra dhe kryeministra çohen peshë dhe nuk lënë gjë pa komentuar, ndonëse kapacitetet e tyre në këto fusha janë të mjera. Kjo mund të jetë edhe pasojë e profesionistëve gjysmakë që kanë vërshuar në jetën publike, si dhe shprishjes së rendit të vlerave në shoqërinë tonë.

Sidoqoftë, problemi i edukimit është shumë më i thellë dhe shumë më esencial sesa që duket.

E pyetja e pashmangshme që shtrohet është: Kujt i shërben një shoqëri me edukim gjysmak?

Dhe përgjigjja është e qartë: një elite politike gjysmake, të shkretë në punët e dijes dhe të kulturës, me plot hendeqe, i duhet një shoqëri me edukim gjysmak, ndaj edhe bën çmos që ta mbajë universitetin dhe dijen nën kthetra politike.

Vendimi për mbylljen e tri universiteteve, ndonëse është i një rëndësie të posaçme dhe prioritare, përshkohet nga turfullima dhe gulçima publike. Pa dashur të gjykoj rreth vendimit, për mua të habitshme janë reagimet. Në këtë aspekt, ajo që më bëri përshtypje më shumë se turfullimat e tjera, ishte një deklaratë çoroditëse e kryeministrit rreth vendimit për t’i mbyllur tre universitete, një deklaratë që do të duhej ta shtangte çdo njeri normal. Sepse, ajo deklaratë tregon qartë sa të ndërlikuara janë problemet e shoqërisë sonë dhe sa pak vullnet ka për t’i rregulluar ato.

Dihet, asnjë shoqëri deri me sot nuk është zhvilluar pa arsimim, pa libra dhe pa edukim të njëmend. Te kjo forcë emancipuese janë shpresat e fundit – krejt të fundit – prej ku mund të pritet, një ditë, mëkëmbje shpirtërore dhe ekonomike e Kosovës së dërrmuar ndaj, të mbash shkolla dosido, më shumë i bën dëm sesa dobi shoqërisë.

Duke i futur duart kaq thellë në universitet, duke kontrolluar çdo gjë, duke punësuar gra e burra, militantë, vëllezër e motra dhe çka jo tjetër, universitet tona janë kthyer, siç thotë një mik imi, në ente sociale, të ngjashme me entet sociale që trajtojnë papunësinë në Perëndim.

Përgjatë këtyre dy dekadave prej kur jemi të lirë, para syve tanë janë shfaqur gjithfarë anomalish dhe marrish të pashembullta që brumin e kanë pasur tek universiteti. Dhe universitetet, në vend se të prodhojnë lajme të mira dritëdhënëse, kanë prodhuar tensione dhe lajme të këqija. Dhe kjo ka bërë që dija të deinstitucionalizohet dhe padija të institucionalizohet. Sepse, universiteti, si koncept, ka humbur forcën morale për të çuar përpara kauza diturore, të emancipimit dhe kulturimit. Përkundrazi, universitet tona janë kthyer në çerdhe militantësh e të paditurish, ku është certifikuar dhe vazhdon të certifikohet mediokriteti, me letra të quajtura diploma e tituj të pafund.

Aspak më mirë nuk është gjendja në shkollat private, të cilat, ashtu sikurse të gjitha universitetet që janë mbjellë nga politika dhe për interesa politike, duhet të mbyllen. Atyre ndonjëherë mjafton t’ua lexosh shpalljet me plot gabime logjike dhe drejtshkrimore për t’i kuptuar krejt të metat e tjera.

Derisa po lexoja nëpër botën e hallakatur të internetit për çështjen e mbylljes së universiteteve, m’u kujtua shkrimtari meksikan David Toscana që shkruan për edukimin gjysmak dhe rrezikun që i vjen një shoqërie nga fenomeni i tillë, sidomos kur shkollat kthehen në fabrika që prodhojnë punëtorë. Ai më tej shton: “Ne e dimë se librat u japin njerëzve ambicie, shpresa dhe dinjitet”.

Natyrisht, një qeveri që udhëheq me koncepte primitive, ku vlerat janë të shpërfytyruara, nuk mund të ndihet komode në një vend ku njerëzit kanë ambicie, shpresa dhe dinjitet, dhe ku leximi është kryetema e shoqërisë, ndaj pushtetarët tentojnë t’i kontrollojnë këto fusha me rëndësi vitale për shoqërinë. Në këtë mënyrë ata konsolidojnë pushtetin e tyre dhe tek universiteti shohin zgjatimin e jetës së tyre.

Ata që e kanë lexuar “Don Kishotin” e Servantesit, këtë vepër kapitale të njerëzimit, e dinë mirë se heroi i kësaj vepre besonte se po ndreqte prapështitë e botës, duke luftuar me mullinjtë e erës. Fan Noli thoshte se librat Don Kishotit ia kishin shtrembëruar mendjen.

Pa dyshim, shkollat e këqija njerëzve ua shtrembërojnë mendjen. Sepse, dihet, një shkollë e keqe i deformon njerëzit dhe ne kemi plot shkolla të këqija.

Lidhur me këtë temë, ja çfarë shkruante Atë Paulin Margjokaj në librin “Kush janë anmiqtë e Shqipnisë”: “…A krijoi shteti shqiptar shkolla qi me e prue lumninë Shqiptarëvet? Njerëzve të shtetit tonë nuk u ra kurrkund nder mend se perparimin nuk mund e japë nji shkollë çfaretdo: ka shkolla qi bijnë shkatërrim e qi bijnë ma fort dam se dobi. Shteti shqiptar nuk çeli shkollat qi do të kishin mujtë me i pru lumninë popullit e qi përkojshin me gjendjen e vendit”.

Ne tanimë e kemi provuar se shkollat, dosido, më shumë bëjnë shkatërrim sesa dobi.

Ndaj, nëse duam të jemi të sinqertë me vetveten, sidomos me breznitë që do të vijnë, e të cilat do të na gjykojnë, duhet ta pohojmë me zë të lartë se universitetet e hapura pas luftës në Kosovë nuk janë hapur për qëllime diturore e as pse ka pasur nevojë për to. Ato janë hapur për interesa krejtësisht politike, për të rehatuar militantë e servilë të partive dhe, si të tilla, duhet të mbyllen.

Dhe kjo duhet të bëhet për një qëllim të lartë, sublim: të mos ua shtrembërojmë mendjen të rinjve tanë dhe të mos krijojmë mediokritet me diploma. Sepse, askush më lehtë se shkollat dhe universitet e këqija nuk mund ta betonojnë të keqen në një shoqëri.

Sot për sot, fuqitë tona diturore, krijuese, shkencore dhe edukuese janë të pakta dhe kjo gjë nuk mund të fshihet për aq sa nuk mund të fshihet dielli me shoshë.

Duke humbur betejën për arsim cilësor, dije e librin, ne kemi humbur forcën kryesore drejtpeshuese në shoqëri, pa të cilën shoqëria mbetet më pak humane dhe lehtësisht bëhet instrument i politikës.

Prandaj, sot për sot, shërbim më të mirë vendit tonë mund t’ia sjellim duke e kthyer arsimin në binarë normalë. Në këtë drejtim, për mua, më shumë ka vlerë taksa ndaj injorancës sesa ndaj Serbisë. Sepse, duke fituar betejën me injorancën dhe edukimin gjysmak, ne i garantojmë Kosovës prosperitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Ukaj: Tash e njëzet vite flasim e zihemi si gjelat për vlerat e luftës

Ndue Ukaj

Duke mos ditur ose duke mos dashur të flasim për vlerat e lirisë, tash e njëzet vite flasim e zihemi si gjelat për vlerat e luftës. Dhe kemi “harruar” se lufta bëhet për të fituar lirinë, që është thelbi i ekzistencës njerëzore dhe vlerë sublime për të cilën luftohet. 

Duke e orientuar debatin drejt vlerave të luftës, kemi “harruar” të flasim për vlerat e jashtëzakonshme dhe frytdhënëse të lirisë, vlera këto që të japin krah për t’u zhvilluar dhe emancipuar si kombet e përparuara. 
Duke orientuar debatin kah vlerat e luftës, ne nuk kemi ndikuar dhe ndihmuar për ta kuptuar të kaluarën, por e kemi ndihmuar hegjemoninë e politike dhe diskursin e mjerë politik, që te lufta ka gjetë lopën patriotike për ta mjelë dhe për të udhëheqë në emër të saj. 


Për fatin e keq të qytetarëve të Kosovës, kjo lopë patriotike ende nuk është shterp, sepse, në momentin që do të mbetet shterp, atëherë do të fillojë një epokë e re, ku politika do të përkthehet me terma zhvillimorë dhe atmosfera publike do të dominohet nga vlerat e lirisë, që janë përparimi, dija, paqja dhe mirëqenia. 


Përsa kohë nuk flasim për vlerat e lirisë, do të jemi peng të luftës dhe narracionit rreth saj. Vetëm atëherë kur t’i kuptojmë vlerat e lirisë, vlerat e luftës do t’i kemi të qarta dhe nuk do të zihemi përditë si gjelat. /KultPlus.com

Marrëzitë e politikës shqiptare

Ndue Ukaj

Ngatërresat dhe mosmarrëveshjet politike shqiptare janë bërë të padurueshme, aq të mëdha e aq të fëlliqta, sa nuk ka mendje racionale që mund t’u jep shpjegim.

Thjesht, marrëzitë politike shqiptare kanë dalë përtej mundësive që ofrojnë dijet e ndryshme humane për t’i kuptuar, gjykuar dhe shpjeguar fenomenet politike. Dhe si pasojë e kësaj, ka vite prej kur askush ndër ne nuk flet për vlera demokratike e cilësi politike. Mjerisht, te ne flitet për përmasën e krimit dhe të së keqes!
Shqipëria është një kaos ngatërresash, kanë thënë të diturit para një shekulli, por pas një shekulli, ky kaos nuk duket se e ka fundin, dhe tani e ka përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar, Kosovën.
E në këso momentesh dëshpërimi, është e udhës t’i thërrasim në ndihmë klasikët e mendimit dhe të kulturës, etërit e kombit, të cilët i kanë kuptuar të gjitha marrëzitë dhe poshtërsitë politike shqiptare. Prandaj, ta lexosh sot Fishtën, Konicën, Nolin, Merxhanin, Harapin, etj., të duket se ata janë ngjallë dhe jetojnë në Prishtinë e Tiranë.
Ja disa vargje të Fishtës që duket se janë shkruar sot në Tiranë apo në Prishtinë:
“Ju rrugaça e sallahana
vagabonda, shakllabana,
rriqna t’ndyet, mikrobe të kqij
qi të mjerës ksaj Shqypni
thellë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbë mbi dhè
der kur ju, t’u tallë npër ne,
do t’na qelbni fis e atdhè?”

Sot, pas afro një shekulli, të paktë janë ata shqiptarë që nuk e gjykojnë realitetin politik shqiptar ngjashëm me Fishtën. Kurse në taborin tjetër, mund të jenë grusht i vogël njerëzish të lidhur me interesa egoiste, që nuk kanë të bëjnë asgjë më shtetin, demokracinë dhe lirinë.
Dhe përballë këtij realiteti të zymtë politik, të paktë janë ata shqiptarë që nuk ndihen të turpëruar dhe të poshtëruar deri në palcë për degradimin kaq të madh që i kemi bërë vetvetes, për shkak të batakçinjve dhe idiotëve të shumtë në politikë, që kanë qelbë çdo gjë dhe e kanë deformuar e zymtësuar fotografinë e kombit tonë.
Si pasojë e kësaj, bota na sheh dhe gjykon si komb të pa emancipuar politikisht, si komb ngatërrestar që nuk është i zoti asnjë mosmarrëveshje politike ta tejkalojë pa ndërhyrje të jashtme.
Përsa kohë të kemi këso ngatërresash mes nesh, është turp të kërkojmë nder e respekt nga të tjerët. Është turp të kërkojmë që të tjerët t’i mirëkuptojnë marrëzitë tona e ne të vazhdojmë t’ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit.
Prandaj, njerëz, ndaluni sa nuk është tepër vonë, thirreni arsyen dhe mësoni nga historia dhe këshillat e vlefshme.
“Demokracia është dialog dhe dialogu hap portat e paqes”, ka këshilluar nobelisti i madh Octavio Paz.
Nëse vazhdojmë ta godasim vetveten kështu dhe të qesim mure të pakalueshme mes nesh, nesër mos të kërkojmë nder e respekt në botë.
Dhe nëse vërtet duam ta dimë ku e ka zanafillën krejt ky degradimi i madh i shqiptarëve dhe pazotësia jonë për të bërë shtet normal, atëherë atë duhet kërkuar te trashëgimia e keqe otomane dhe komuniste, nga të cilat botëkuptime ne ende nuk jemi çliruar./KultPlus.com

Ndue Ukaj: Falënderimi më i madhi ndaj NATO-s, sot e përgjithmonë

Ndue Ukaj

Falënderimi më i madhi ndaj NATO-s, sot e përgjithmonë do të ishte- ta fitojmë lirinë e brendshme- atë lirinë e njëmend, lirinë e shpirti dhe t’i heqim heshtat e helmuara të urrejtjes nga duart tona; ato heshta me të cilat, deri tani, kemi qenë të gatshëm ta shporojmë trupin e njomë të Kosovës sonë dhe shpesherë të aleatëve tanë.

Para dy dekadave, ne ishim të dërmuar, të uritur e të varfër, në një Kosovë të shkrumuar, me dhjetëra e mijëra viktima dhe me shtëpi të djegura.

Dhe, më historinë shqiptare, hyrja e ushtarëve të NATO- s në Kosovë mbetet një nga ditët më të shënuara të historisë kombëtare. Për mua, një ditë e shenjtëruar, në të cilën, ne e kemi për detyrë, të përulemi në tempullin e së vërtetës.

Si rrallë herë në histori, ushtarët e vendeve mike, ato ditë u pritën në mënyrë kremtore e madhështore. Me lule e lot gëzimi. Po, ne ishim të dalldisur dhe fluturonim në qiejt e lumturisë, sepse fituam lirinë, ndonëse të dërmuar, me dhimbje e vuajte pafund.

E pas njëzet viteve, është koha e fundit ta fitojmë lirinë e mendjes, lirinë e brendshme, të bëhemi të vërtetë me vetveten dhe të tjerët. E këtë liri nuk mund të na jep askush. Asnjë forcë e jashtme.

Sot, në këtë ditë madhështore për Kosovën, përveç falënderimit dhe respektit pafund për autorët e lirisë së Kosovës, ne duhet të pyesim: a e gjetën ata lirinë mes nesh? E kam fjalën për atë lirinë e vërtetë; lirinë që të jep krah dhe të mundëson të ecësh drejt mirëqenies dhe përparimit.

Koha ka treguar se liria e vërtetë, liria e mendjes- pa të cilën nuk mund të ketë progres- e për të cilën qëmoti fliste Faik Konica, nuk ishte mes nesh. Prandaj, edhe pas njëzet viteve vazhdojmë t’ i mbajmë zinxhirët e robërisë së mendjes, prej të cilëve nuk jemi çliruar as sot.

Sot, kur po hyjmë në dekadën e tretë të çlirimit të Kosovës, është e udhës të ftillojmë t’i heqim prangat e zinxhirëve të mendjes, duke e filluar një betejë të pakompromos për çlirim nga injoranca, nga urrejtja, nga Sindroma e Stockholmit, dhe nga letargjitë primitive që i kemi ushqyer tash e sa kohë, duke i mbajtur dhe lartësuar disa vese kombëtare për virtyte.

NATO- ja na ka çliruar dhe e ka kryer një detyrë humane: na ka dhënë lirinë fizike, por ne ende nuk e kemi fituar lirinë e brendshme dhe si pasojë e kësaj, jemi krejt të çoroditur; shtiremi dhe nuk jemi të vërtetë as kur falënderojmë e as kur përbuzim, as kur kritikojmë e as kur lavdërojmë.

Shqiptarët e Kosovës sot janë ligështuar moralisht si kurrë më parë. Ata janë futur në vorbullën e krizave të thella identitare dhe nuk dinë çka duan dhe kah duan të shkojnë. Ata nuk i udhëheqë ndonjë ide a ideal i madh, përkundrazi, ideali më madh është ikja nga Kosova ose zhvatja e këtij vendi.

Volteri, dikur thoshte: “liria e njeriut qëndron në aftësinë për të vepruar”. Këtë aftësi, ne nuk kemi ditur ta demonstrojmë tash e njëzet vite, prandaj edhe pas dy dekadash të plota lirie, ne vazhdojmë të kukurisim dhe jo të bëjmë politikë, vazhdojmë të marrin diploma, por jo dije, vazhdojmë të jemi më të varfëritë dhe me të shkretit në Europë, kurse sillemi si dhia e zgjebosur e bishtin përpjetë.
E pse jemi kaq të mjerë, nuk na faj askush, përveç vetja jonë, egoizmi dhe mos guximi për t’ i emëruar gjërat ashtu siç janë, mos aftësia për të vepruar të lirë dhe për të qenë të vërtetë me vetveten dhe me të tjerët.
Perëndimi na ka dhënë krah që të fluturojmë, por ne ecim zvarrë. Ose thënë me gjuhën e Volterit, bota e lirë na ka krijuar mundësitë për të vepruar- por ne nuk veprojmë, por kukurisim dhe mashtrojmë.
Zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se ne jemi shumë mosmirënjohës dhe të pasinqertë me perëndimin, të cilit, lehtësisht mund t’ ia ngulim thikën pas shpine, siç na patën thënë para pak kohe diplomatë të huaj në Prishtinë./KultPlus.com

Fotografia e turpit

Ndue Ukaj


Nuk mund të ndërtohet asgjë në boshllëk dhe kaos. Këtë gjë shoqëritë e përparuara e dinë qëmoti, por nga kjo shkollë empirike, ne nuk kemi mësuar asgjë dhe kështu kemi dalë në anën negative të historisë, duke mbetur nxënës të këqij të saj. 

Sot dhe dje – duke parë ç’ndodhi me fotografinë e prezantuar në Parlamentin e Kosovës- në mendje më erdhi një vigan i kulturës shqiptare, Lazër Shantoja, i cili, në kohën kur bëheshin përpëlitje të forta për të bërë Shqipërinë, shkruante: “Historija e Shqypnís sё lirё âsht nji kaos luftash, ngatrresash, trathtinash, ambicjonesh, partinash kaq tё mёdhaja, tё shpeshta, tё ndyeta e tё damshme qi nuk e gjênё askûnd shoqen nё botё”.
Pas gati një shekull, politika shqiptare është po kjo që e përshkruan Shantoja. Për fat të keq, në kohën kur shqiptarët janë të lirë, këto mosmarrëveshje dhe ngatërresa, për të cilat flisnin e flasin elitat më përfaqësuese shqiptare, që kanë sfond politik, ideologjik dhe historik, kanë shkarravitur dhe zhubravitur si është më së keqi fotografinë e kombit shqiptar. 
Me siguri, meritorë për këtë janë udhëheqësit demagogë (dhe jo vetëm ata), që shtetin e konceptojnë si çiflig, ndërkaq veten e tyre si çifligarë. 
Këto ngatërresat dhe kacafytje, nuk bëhen për koncepte, parim, ide e vlera, por për interesa krejtësisht egoiste, partiake e ideologjike dhe që asnjëherë nuk lidhen me atë që bota normale i njeh dhe e gjykon si Res Publica. 
Prandaj, kjo ka bërë që nga mëngjesi deri në darkë, në vendet tona të flitet dhe të shkruhet me një gjuhë të çoroditur dhe të përçartë për goditje, krim dhe tema të kësaj natyre. Sepse, këto dalin nga gjiri i kaosit politik, ku goditjet e njërit udhëheqës ndaj tjetrit janë dukuria më normale e ligjërimit publik. Në këtë mënyrë, këta udhëheqës, përveç faktit se kanë varfëruar popullin shqiptar dhe e kanë zhubravitur fotografinë e tij, me turfullimet e artikuluara me një gjuhë të pështirë, e kanë shëmtuar edhe gjuhën shqipe. 
Dhe, arsyet pse perëndimi ende nuk na ka futur në gjirin e vet, nuk lidhen me gojëkëqijtë e as dashakeqësit, përkundrazi, perëndimi ka bërë çmos që të na përqafojë dhe të na përfshijë në vallen e qytetërimit, por ne, të zhytur në kaosin politik dhe të verbuar nga pushteti, nuk kemi mundur të shohim asgjë matanë interesave tejet të ngushta. Në fund të fundit, është njerëzore, kur ke kaq shumë ngatërresa e kaos të brendshëm, nuk mund të shihesh përtej vetvetes, ashtu siç nuk kemi parë ne tash e sa vite asgjë përtej gardhit tonë primitiv ku jemi vërtitë.

Në Kosovë, po bëhen një vit që kur institucionet janë thelluar edhe më tej në një kaos të pashembullt ngatërresash dhe në të cilat është përfshirë për të keq edhe Shqipëria.

Nuk di të ketë një shoqëri tjetër ku presidenti i shtetit përditë e “godet” kryeministrin e vet, kurse ky i fundit, po ashtu ia kthen përditë me “goditje” të parit. Në këtë lojë goditjesh- ku vërtet goditën qytetarët- jo rastësisht është futur edhe kryeministri shtatgjatë por mendjengushtë i shtetit amë, me një ligjërimi shumë destruktiv. 
Dhe sot, deshëm apo jo, na erdhi keq apo jo, fotografia reale e kombit shqiptar është kjo: një popull ngatërrestar, me mosmarrëveshje të brendshme dhe që s’di të del prej kaosit politik. 
Dhe, duke e parë në çfarë dergje janë shtet shqiptare, më duket se romani i madh i Ismail Kadaresë, “Viti i mbrapshtë” është një roman profetik që flet për paaftësitë tona për të bërë shtet. 

“Fotografia nuk gënjen, por nuk e tregon gjithashtu krejt historinë”- shkruan shkrimtari i njohur Paul Auster. Në fakt, fotografia e publikuar dje në Parlamentin e Kosovës tregon vërtet me ç’politika improvizuese mbahet në këmbë shteti i Kosovës. Ajo e tregon fytyrën reale të shtetit tonë, që është ngulfatur nga pesha e madhe e mediokritetit dhe “politikanëve” pehlivanë, forca politike e të cilëve mund të matet me muskuj, por jo me mendje. 
Dje, kur e pashë fotografinë, si shumica e shqiptarëve mbeta i shtangur dhe në imagjinatën time lundruan viktima të shumta të terrorit serb në Kosovë, në të cilin vend ka patur terror serb, krim të menduar dhe të organizuar dhe për këtë askush nuk duhet të guxojë të ketë dilemë, por ne, meqë jemi marrë dhe vazhdojmë të merremi me ngatërresa të brendshme e dokrra, nuk kemi ditur dhe dyshoj se do të dimë të tregojmë fytyrën e vërtetë të barbarisë serbe. 
Akti i djeshëm, që u duk si shtizë e fortë drejtuar kah politika e egër serbe, doli të jetë një mashtrim dhe kjo heshtë rrezikon tash të kthehet kundër Kosovës, veçmas kundër viktimave të terrorit serb. Dhe për këtë, përgjegjësia rëndon mbi ata që e kanë kultivuar tash e dy dekada këtë kaos politik. 

Ne përditë kukurisim dhe kërkojmë solidaritet e mirëkuptim nga Bashkimi Europian dhe Amerika për interesat tona, kurse vetë, nuk jemi solidarë dhe s’kemi mirëkuptim në asnjë temë të brendshme, përkundrazi, duam t’ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit. 
Ne kërkojmë që tjerët të na zgjidhin problemet tona esenciale, të mëkëmbjes ekonomike, kurse vetë dalldisemi duke shkruar histori të lavdishme politike dhe patriotike.
Dy dekada pas luftës, mijëra qytetarë pyesin: ç’ është ky mallkim, të cilin s’po dimë ta tejkalojmë? Dhe kjo pyetje nuk është e pamotivueshme. Ajo është pasojë e mos zhvillimit te Kosovës dhe gjuhës së pështirë dhe neveritëse që promovohet përditë, e të cilën asnjë mendje normale nuk mund ta përligjë.
Dy dekada pas luftës, në vendin tonë askush nuk flet për ide solidare, për respekt, njerëzi, pa të cilat vlera asnjë komb a shtet nuk mund të mbahet në këmbë.
Pra, vendi ynë është ngulfatur dhe demoralizuar. Dhe duket sikur kanë mbetë pak shpresa dhe tonelata dëshpërim, prandaj, kjo ka ndikuar që nga mëngjesi në mbrëmje nuk dëgjon njeri tek thotë: lum unë për shtetin tim. 

Kosova, nëse është në rrezik, siç po thuhet, nuk është çiflig që ta mbrojë një njeri, kushdo qoftë ai, kryeministër, president, lider i opozitës, etj. 
Udhëheqësit tanë, këtë ligjërim po e përdorin për interesa politike dhe me këtë po duan të mbushin hambarin e tyre politik, për pushtet të mëtutjeshëm.
Duke bërë referenca politike për vetveten, ata duan të mbushin hambarin e tyre politik, të cilin e përdorin nesër për qëllime elektorale.

Historia tregon se veprat e mëdha të njerëzimi, janë vepra të dashurisë dhe jo të urrejtës, janë punë të vërteta dhe jo propagandë, kurse udhëheqësit tanë, tash e sa vite, kane treguar sa shumë dinë të urrejnë dhe sa pak dinë të duan dhe po ashtu sa të aftë janë të bëjnë propagandë dhe sa pak punë të vërteta.

Shoqëria shqiptare nuk do të shërohet kurrë, për sa kohë udhëheqësit shqiptarë nuk janë të vërtetë dhe të njerëzishëm dhe për sa kohë ata nuk bëhen ndërtues të unitetit të brendshëm. Derisa sot ata janë faktorë kryesorë të ngatërresave dhe të kaosit të brendshëm politik. Shqiptarët nuk kanë armik më të madh se vetveten. Kjo thënie e Konicës është provuar disa herë në historinë tonë dhe tash është më aktuale se kurrë. Ne të gjithë e dimë se, edhe të bashkuar, jemi të pafuqishëm dhe shumë pak, kurse të ndarë, jemi hiçgjë./KultPlus.com

Sot e kam shfletue librin e vjetër

Ndue Ukaj 

Sot e kam shfletue librin e vjetër.
I kam prekë dhimbjet e kohëve,
Ata gurë të fortë pikëllimi
Që randojnë mbi Dardani;
Tokën ku shiu i zi bie pa pushim.
Kam pâ një shall që rri heshtun
Pranë sendeve të bukura
Që ai pluhuni i zi i ka mbulue.

Kam pâ portretin e Bogdanit
Me kryet kah qielli
Sikur m’ thoshte:
“Mu kanë m’em zhvarrue
E qentë kanë m’i hangër eshnat e mi. 
Por jo idenë teme.”

Sot e kam shfletue librin e vjetër.
E kam pâ aty hapin e matun të lirisë
Si dilte nga shkurra e pikëllimit.
Dhe statujën e mirësisë
Ma të nalt se vala e trishtimit.

Kam pâ portrete shkrimtarësh
Si dhimbjet në qafën e poeti të mërguem.
Kam pâ edhe hijen e fjalës
Si e mposhte trishtimin;
Atë shikimin mallëngjyes
Që ta këputë shpirtin.

Libri i vjetër
Ka shpresa
Sa krejt rruzullimi i syve t’mi.

(Nga libri “Gjithmonë diçka mungon”, 2017, OM) / KultPlus.com

Ta kujtojmë Gjergj Fishtën

Shkruan Ndue Ukaj.

Arsyet pse duhet ta lexojmë veprën e Gjergj Fishtës dhe pse ai, si klasik i kulturës shqiptare, ka domethënie edhe për kohën tonë, mund t’i kuptojmë përmes një mendimi të vlefshëm të Artur Shopenhauerit, që shkruan: ”Freskimi më i madh i mendjes është leximi i klasikëve të lashtë. Duke lexuar ata, ndihesh i çlodhur, i lehtësuar, i përmirësuar, i lartësuar dhe i kalitur; të duket sikur sapo ke shuar etjen në një burim të kulluar malor”.

Gjergj Fishta, i vlerësuar si “Homeri Shqiptar”, është shkrimtari kombëtar i shqiptarëve, një burim i kulluar i gjuhës dhe artit, i cili njihet kryesisht me veprën “Lahuta e Malcis”, që njëkohësisht është epi nacional i shqiptarëve. Përveç kësaj vepre, ai njihet edhe për një sërë veprash me rëndësi në fushën e letërsisë, por u shqua edhe për kontribut dhe veprimtari shumë të frytshme kombëtare. E, mjafton të përmendim këtu një ngjarje madhore të identitetit kulturor të shqiptarëve, Kongresin e Manastirit (1908), në të cilin Fishta qe protagonist.

Pa dyshim, Fishta dha një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në mendimin shqiptar, si mendimtar i mbrehtë. Si themelues dhe drejtues i revistës ma prestigjioze shqiptare, “Hylli Dritës”, me shumë analiza e tekste, të shkruara me dije dhe kulturë, ai u dëftoi shqiptarëve rrugën kah emancipimi, përparimi dhe liria e njëmend.
Tekstet e shkruara atë kohë, me forcën e argumenteve, janë të freskëta dhe dobiprurëse edhe për kohën tonë dhe shqiptarin e shekullit XXI, që vazhdon të vërtitet i trullosur përballë krijesës së organizuar dhe të menduar, të quajtur shtet.

Gjergj Fishta, në tekstin ”Koha e ardhshme e Shqipnisë”, të botuar më 1923 në revistën “Hylli Dritës” ndër të tjera shkroi: “Jeta e përparimi i një shteti janë të bazueme: a) mbi pavarësinë politike, b) mbi lirinë e qetësinë e përmbrendshme, c) mbi ekonominë, d) kulturën dhe e) moralin.
Revista “Hylli Dritës”, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u shndërrua në një institucion që synonte t’i bante shqiptarët në kohën kur ishte ba Shqipnia. Revista, duke bashkuar elitën ma të shëndoshë të kohës, pa asnjë dallim, i kontribuoi mendimit politik, arsimor, gjuhësor e kulturor të shqiptarëve. Në këtë mënyrë, ajo u shndërrua në një institucion emancipues, që i dha kulturë kombit shqiptar. Veç tjerash, kjo revistë i dha shpirt Shqipërisë, ndaj, me shumë të drejt Zef Pllumi, ai që e ringjalli “Hyllin e Dritës” e quajti “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.”
Gjergj Fishta, duke shënuar këtë periudhë e duke qenë prijatar i saj, shkroi shumë tekste diturore, me të cilat iu dha domethënie e shtytje zhvillimeve të atbotëshme në Shqipëri.
Teksti në fjalë, është një manual shumë i dobishëm edhe për kohën e sotme. Një ABC politike e kulturore. Sidomos për m’i dhanë shpirt shtetit. Atë çka vërtet na mungon.
Në tekstin në fjalë, Fishta, si erudit i vërtet, analizon pesë shtyllat themelore që mbajnë lartë ngrehinën shtetërore.
Shkurtimisht, të shkëputura nga teksti i përmendur më sipër, ato janë:
“Shteti, për me jetue e me përparue, ma parë duhet që te ekzistojë individualisht, duem me thanë: T’i ketë kufijtë e vet të caktuam e mbas pozicionit gjeografik…
Pa liri, s’ka qetësi të përmbrendëshme; e pa qetësi, si eksperiencë na mëson ne shqiptarëve, s’ka punë, s’ka përparim, e shteti s’mundet me pasë jete të gjatë.
Tue qenë se qëllimi i imediat i shteteve të qytetnueme asht përmirësimi i gjendjes së njeriut mbi tokë, ma parë në pikëpamje të jetës së tij fizike e masnadej të jetës intelektuale, merret vesh prej vetes, se, pa ekonomi, një shtet i qytetnuem s’mundet të jetojë, e me kohë, do të bahet rob i huaj.
Një komb nuk mundet me e mbajtë gjatë pavarësinë e vet ekonomike, pa të cilën, si thamë, s’mbahet as pavarësia politike, po qe që puna e tij nuk prodhon aq sa puna e atyne kombeve, me të cilat ky gjendet në të përpjekun. Por puna rrjedh prej idesë; prandaj një shtet i qytetnuem, për ne do me ruajtë pavarësinë e vet ekonomike, ai do të gjendet e, në mos qoftë, do të mundohet me u gjetë po në atë shkallë kulture, në të cilën gjenden shtetet me të cilat ky ka të marrun e të dhanun.
Çka asht gëlqerja për murin, ai asht morali për shoqninë njerëzore. Morali asht ai që e mban gjallë e të fuqishme ndihmën ehuazesë (ndërsjellët), ndërmjet njeriut e njeriut e ndërmjet shtetit e shtetit, pa të cilën as njeriu, as shteti s’përparojnë e as me jetue gjatë s’mund të jetojnë.
Qe, këto janë, mbas mendimit tonë, ata gurët e parë të themelit, mbi të cilën do të mbahet, do të zhvillimet e do të përparojë çdo shtet i qytetnuem.”

Përvoja e njerëzimit ka treguar se, këto parime që i analizon në një tekst më të gjatë Fishta, janë esenciale për një shoqëri të emancipuar, që aspiron të ecë krah për krahu me popujt e përparuar.
Prandaj, Fishtën duhet ta lexojmë, sepse kështu luftojmë harresën dhe e freskojmë mendjen. Marrim mësim nga e kaluara dhe përmes saj, gjejmë shtigje për të ecur kah e nesërmja

Sot është ditëlindja e At Gjergj Fishtës, vepra e të cilit në historinë e kulturës shqiptare, ka lanë gjurmë të pashlyeshme dhe përbën një vlerë të jashtëzakonshme. Prandaj, përkundër mërzisë që na shkakton politika dhe marritë e përditshme që ndodhin ndër ne, ia vlen ta kujtojmë Fishtën, dhe njëkohësisht ta lexojmë veprën e tij të pasur dhe me vlerë, sepse mesazhet e saj janë të vlefshme edhe për kohën tonë, sidomos për t’i kuptuar raportet tona negative me historinë dhe shtetin./ KultPlus.com

“Si s’të desha pak më shumë…”

Shkruan Ndue Ukaj

Poezia- dashuri e përhershme për fjalën, njeriun, mungesën. Një melodi shpirti, që na zgjon në agimet e bukura, si cicërima e zogjve që tregojnë madhështinë e fushave dhe të maleve, ku paqja shtrihet si në tregimet për Edenin.

Poezia- kjo forcë magjike e magnetike, me gjuhën fisnike, na bënë shtegtarë nëpër kohë e hapësirë, dhe na tregon ç’është e mirë dhe ç’është e keqe. Po, poezia është ilaçi i domosdoshëm për shpirt, për një shoqëri me humane, për t’i kuptuar betejat e ashpra të jetës, pra, për ta bërë jetën më të bukur dhe më humane, ashtu siç na ka treguar poeti i madh, Fatos Arapi, dhe siç na tregon vargu kumbues “si s’të desha pak më shumë”; varg të cilin e shqipton secila qenie njerëzore, në çaste humbje, gëzimi, dëshpërimi e mungese. Në fakt, ky varg, buçet me forcën e madhështisë së fjalës, në zemrën e secilit lexues dhe e thërret të drejtohet ka portat e dashurisë, për të dashuruar pafund.

Ikja e Fatos Arapit, na tregon edhe njëherë, sa shumë kemi nevojë për gjuhën fisnike të artit, të artit të bukur, që nuk dorëzohet përballë gjuhës së egër të atyre që helmatisin jetën me dokrra e marrëzi.
Fatos Arapi, poeti i përkorë, ka shkruar një poezi të ndierë, me një figuracion mbresëlënës, në të cilën ndihen telat e zemrës së njeriut që e do njeriun, jetën, natyrën, paqen, atdheun, gjuhën, detit dhe çdo gjë të bukur, por që nuk dorëzohet as përballë shëmtisë…

Fatos Arapi është poet i madh, që i dha forcë poezisë shqipe. Me vargje të bukura, ka kënaqë dhe lumturuar mijëra lexues, dhe po ashtu, i ka tronditë mijëra lexues. Sepse, vargjet e tij, janë si ato buqeta të zgjedhura lulesh, që i mbajmë në duar për ditë të shënuara, por edhe si muzikë e përmortshme, për ditë të hidhura. Po, lexuesi e ndien artin e tij dhe drithërimat shpërthyese, në çaste gëzimi e dëshpërimi, kur dërdëllitjet e shpirtit, e shpijnë njeriun në qiejt e lumturisë apo ato të dëshpërimit- në skëterrë. Dhe Poeti, di që mjeshtërisht realitetet e jetës t’i kthejë në realitete estetike, që buçasin dhe lëshojnë tinguj të bukur, dashurie e dhimbje. E këto mund t’i bëjë vetëm një shpirt i madh, një talenti i zoti, që drithërimat e jetës di t’i shndërrojë në melodi, në këngë.

Poezia e Arapit të grishë ka madhështia, dashuria e pakusht, nga natyra dhe gjuha fisnike. Po, ajo na thërret, siç thërrasin kambanat e një katedrale madhështore, të hyjmë në të, të banojmë në të, dhe ta ndiejmë peshën e artit madhështor, të korit të jetës, të engjëjve që zbresin në figura dhe na tregojnë rrugët e jetës.

Poezia e tij na thërret të shtegtojmë në botën humane, të pastërtisë së gjuhës, ku dashuria është ajo jeta e kristaltë, që asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Ashtu siç nuk është jeta.
Poeti i madh, Fatos Arapi, iku në një vjeshtë plot ngjyra dhe pas vete la ngjyra të bukura dhe të pashlyeshme poetike.
Ai la një varg veprash, dëshmi të një arti të madh dhe poezi antologjike, me të cilat ka gdhendë emrin e tij me shkronja të arta në letërsinë shqipe.

Fatos Arapi, si askush, ka treguar ç’është Atdheu, dhe si duhet t’i blatohemi atij me dashuri pa kusht, ashtu siç i blatohet ai Tiranës që ka tiranë dhe që të vret:

“Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
Një prill i pikëlluar ne shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi
E mban – dhe te mban ty ne shpirt.”
Në rrugëtimin e tij poetik, ai ka lënë poezi të bukura për jetën dhe përplasjet që shfaqen në të:
“Jeta është stacion ndarjesh e takimesh.
Jemi përherë udhëtarë
dhe ndër duar, bagazh të pandarë,
një valixhe të vogël
përpjekjesh, sulmesh, kujtimesh.”
Ai na ka treguar ç’është forca e dashurisë:
Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Ndërkaq, telat e zemrës së poetit, në mënyrë të perfeksionuar, vijnë në këto vargje fantastike:
” Ti do te me dashurosh patjetër
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër,
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,
Ti do të më dashurosh patjetër!
Poeti Fatos Arapi iku, dhe, siç shkruan vetë në poezinë “Lamtumirë”
“Kudo që shkoj
jam një copëz peizazhi nga vendi im.”
Po, ai është copëza e ndritshme e peizazhit në atdheun tonë kulturor dhe estetik.
Faleminderit, maestro!

Rreth shëmtisë arkitektonike

Shkruan: Ndue Ukaj

Shkrimtari gjenial, F. M. Dostojevski, te romani “Te fyer e te poshtëruar”, ka një moment kur thotë: “në banesa të ngushta, edhe mendime janë të ngushta.”

Dostojevski, po të shihet katrahurën tonë urbanistike, disharmoninë e plotë, rrugët e trotuaret e ngushta, sheshet e pakta, kaosin urbanistik, betonin e pafund, ndërtimet pa shije estetike, do të thoshte, këtu formohen njerëz me mendime të ngushta.
Po, sepse arkitektura madhështore na flet dhe na fisnikëron, ashtu siç na flet një roman i mirë, një vjershë e bukur, një operë madhështore apo një pikturë tërheqëse. Me një fjalë, arkitektura ka fuqi të jashtëzakonshme estetike për edukimin dhe formimin e njeriut. Sidomos për formimin e ndjenjave estetike. Përpara një objekti madhështor, qëndrojmë të stepur, meditojmë, flasim me të, marrim mesazhe.

Qytetari i Kosovës, i topitur nga mungesa e gjatë e lirisë, i trullosur nga barra e rëndë politike që mban tash e sa vite mbi supe, nga ligjërimi i pështirë publik, po ballafaqohet për ditë edhe me një fenomen tjetër shëmtues: kaosin urbanistik në rritje.
Një mik i imi, i dëshpëruar nga ky kaos, më tha: si nuk arritëm së paku të estetizojmë këtë kaos?
Kjo pyetje, për mua jetike, deri tani ka qenë një kambanë që ka ra për veshët e shurdhër.

Arkitektura humane, me hapësira, sheshe, tempuj bukurie, ndikon te njerëzit, që ata të jenë më të qetë, më mendjehapur dhe më të lumtur. Në fakt, arkitektura nxit edhe ndjenjat e lirisë dhe të madhështisë. Kosova nuk ka trashëguar arkitekturë me të cilën mund të krenohet.

Krahasuar me vendet tjera europiane, ku arkitektura ka një traditë të pasur dhe përbën vlerë të jashtëzakonshme, arkitektura në vendin tonë vazhdon të mbetet e shkretë. Na mungojnë ndërtimet madhështore, tempujt e bukurisë, sheshet, parqet, rrugët e bukura.
Por, askush nuk na pengon që të bëjmë një planimetri më të mirë për të ardhmen, përpos shpirtngushtësia dhe mungesa e kreativitetit që e zotërojnë jetën tonë.

Për rëndësinë dhe dimensionin simbolik të arkitekturës, ka shkruar semiologu dhe shkrimtari Umberto Eco. Ai ka thënë se përdorimi i kodeve nuk është i brendshëm për arkitekturën, sepse shumë kode arkitekturore, janë në fakt të një natyre simbolike, kulturore, shoqërore dhe politike, dhe për këtë arsye, arkitekti duhet të futë punën e tij në kontekste më të gjera dhe multidisiplinare, dhe shton se, arkitekti është një semiotik, antropolog, sociolog dhe politikan në të njëjtën kohë. Më tej Eco flet edhe për funksionet e arkitekturës, duke mos u ndalë të ai primari, por edhe te mesazhi që ajo jep. Arkitektura e Kosovës, sot për sot, përçon mesazhin e kaosit.

“Kosova po prishet”

Shkruan: Ndue Ukaj

Nuk di të ketë ndonjë libër që të ketë përshkruar më mirë paaftësinë e shqiptarëve për të bërë shtet, sesa romani, “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë. Në këtë vepër, shkrimtari flet për çmësimin e shqiptarëve me shtet, një fenomen me të cilin po përballet Kosova e sotme.

“Viti i mbrapshtë” është një roman i bukur, i shkruar mjeshtërisht, plot pikëllim, humor e qesëndi, dhe trajton pasojat që i mbarte në supe Shqipëria e porsadalur nga nata e zezë osmane.

Si duket, Viti i mbrapshtë i Kadaresë, është sintagmë pikëllimi dhe dhimbje, që e përshkon historinë shqiptare në secilën stinë.
Shqiptarët, të paaftë për katharsis, nuk mësojnë nga historia dhe, nga një gabim, përplasën në një tjetër, më të madh dhe më tragjik.

Mjafton që të lexohen me vëmendje këto pasuese të mëposhtme dhe mund të kuptojmë shumëçka për dramën e Kosovës së sotme:

Ma ndjell zemra për keq, -thotë befas Doska. –
Shqipëria do prishet.
-T’u thaftë ajo gjuhë, -ia pret Alushi dhe kthen kryet nga Shestani. Me vete thotë: si i lëshon kështu, pa të keq, këto mynxyra ky njeri?

“Rrëmujë e shkuar rrëmujës, o Perëndi. Pa lindur mirë, shteti shqiptar ishte bërë lëmsh. Dhe as që dihej kishte a s’kishte shtet. S’dihej kryeqyteti, se një qytet i kërcente sot të shpallej i tillë, e tjetri shkrepej nesër. Kishin humbur vulat e qeverisë. Kufijtë s’gjendeshin dot. I matnin, thoshin, me litar, por njëri e tërhiqte litarin këndej e tjetri andej, e vinte i treti e i hiqet shenjat natën.”

“Doska trokiti pa pushin në njërën nga portat, gjersa më zë foli nga brenda:
-Me kënd jeni ju?
-Me Shqipërinë, -thirr Doksa, me kënd tjetër të s’ëmës do të jemi.
-Të gjithë ashtu thonë, por pastaj del që asnjëri nuk është me të.
-Mbylle atë gojë, more kërmill, dhe më thuaj a ka trupa të armatosur matanë fshatit.”

Heroi i romanit, Shestan Verdha, një i kryqëzuar për atdhe, me grupin e tij të sinqertë që lufton kundër prishjes së Shqipërisë, i pikëlluar e kupton se, ai dhe shokët e tij mezi, bëheshin njëqind, për të mbrojtë Shqipërinë, kurse bandat esadiste, që thërrisnin babën, ishin rreth njëmijë.

Dy dekada pas çlirimit të Kosovës dhe një dekadë pas pavarësisë, në vend se të flasim për zhvillim, dinjitet, mirëqeni, për arsim cilësorë, për shëndetësi normale, dhe, siguri ekonomike për të gjithë, ne flasim, nëse vendi ynë do t’ia dal të mbijetojë apo jo. Kudo dhe kurdo, dëgjon njerëz të shqetësuar, që thonë: Kosova po prishet.

Ndërkaq, në anën tjetër, sikur në romanin e Kadaresë, të gjithë bëhen sikur të jenë të Kosovës, të gjithë bëhen sikur po e ruajnë dhe duan atë, por në të vërtetë, punët janë ndryshe dhe pak duket të jenë vërtet me të.

“Dashurinë” tonë për Kosovën e përgënjeshtron fotografia e shtetit tonë, e dëmtuar dhe zymtë, aq shumë, sa që, ata që na ndihmuan ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë, kanë filluar të mos e njohin.

Kosova e ka humbur simpatinë e perëndimit dhe kjo ka ndodhë për shkak të qeverisjes bashibozuke, të intrigave, mashtrimeve dhe budallaqeve të pashembullta që e kanë karakterizuar rritën e shtetit tonë.

Shteti i Kosovës, sot është shndërruar në një mishmash ngatërresash dhe për këtë, fajin nuk duhet ta kërkojmë jashtë nesh.
Duhet ta pohojmë me zë të qartë se, bashkëfajtorë në këtë mishmash, jemi të gjithë. Sepse, një kohë të gjatë, kemi bashkëjetuar me të keqen. Kemi votuar dhe duartrokitur politikanë dhe liderë, që nuk dinë ta shkruajnë as një fjali drejt në gjuhën e tyre amtare. Natyrisht, të tillët, nuk mund të mbrojnë interesa kombëtare. Imagjinojeni, të tillët që nuk dinë të shkruajnë një fjali shqip, si mund t’ i kuptojnë lëvizjet politike ndërkombëtar, gjuhën diplomatike, që është art në vete, apo tekstet me mesazhe të ndërlikuara.

Kënga e turpshme e Kosovës

Shkruan: Ndue Ukaj

Vitin e ardhshëm mbushen dy dekada, prej kur shqiptarët e Kosovës, jetojnë të lirë. Por, Kosova e lirë vazhdon të ketë probleme të panatyrshme, ndërkaq, populli i saj, vazhdon të këndojë këngën e thellë të dëshpërimit.

Dy dekada për historinë e një populli dhe jetën e një njeriu janë shumë!

Të kujtojmë disa fakte, të cilat, mund dhe duhet të na shërbejnë për t’i kuptuar sjelljet dhe marrëzitë tona:
Lufta e Dytë Botërore përfundoi me 1945, ndërkaq, pa u bërë as një dekadë, popujt e Europës, ata që luftuan dhe shkaktuan tragjedinë e shekullit, u ulën me njëri-tjetrin dhe themeluan Unionin Europian. Ata i ulën flamujt e urrejtës dhe të mashtrimit dhe i ngritën flamujt e së ardhmes. Atëbotë, vendet që themeluan këtë organizatë, ishin të dërmuara dhe bartnin pasojat katastrofale të luftës, miliona viktima dhe ndodheshin në një atmosferë të zymtë. Por, ata nuk flisnin për ndjenja triumflasite primitive dhe për vlera të luftës. Ata flisnin për vlerat e lirisë. Ata nuk krijonin narracion politik për luftën, por shikonin kah e ardhmja, ashtu siç bëjnë gjithë politikanët e mençur dhe vizionarë.
Ku është Kosova dy dekada pas luftës?
E dërmuar si është më zi.
Dy dekada pas, më së shumti flitet për vlerat e luftës, ndërkaq, më së paku, për vlerat e lirisë dhe të politikës. Dhe harrojmë se lufta është bërë për t’i përvetësuar vlerat e lirisë dhe të politikës. Ne Kosovë, pak ose aspak nuk tregohet cilat janë vizionet për të nesërmen, por flitet për histori dhe madhështi të së kaluarës, përmes një narracioni që të krijon përshtypjen se lufta është bërë në një kontinent dhe jo në një territor të vogël, në të cilën, shumica prej nesh kemi qenë dëshmitarë.

Ky narracioni, për mua primitiv, ka etabluar një klasë politike shumë primitive dhe të paaftë. Në fakt, kjo klasë është ushqyer nga ky diskurs dhe ka shkaktuar drama të mëdha, dhe njëkohësisht ka shkretuar dhe zymtësuar fotografinë e shtetit të Kosovës.

A mund ta zbardhim këtë fotografi?Pa dyshim se po! Por, jo përmes së kaluarës dhe duke e ngjyrë kafshatën politike në të njëjtat tema politike, prej ku është etabluar këtë diskurs politik i Kosovës së sotme.
Fotografinë e Kosovës mund ta zbardhim, duke i ulë flamujt e urrejtës, ashtu siç bënë popujt e perëndimit pas LDB, dhe liderët e mençur të saj.

Kosovës i duhet një kontratë të re për të ardhmen e vendit!
Deri me sot, në vendin tonë është folë për gjithçka, por jo për cilësi të lirisë, të politikës, të qeverisjes, të arsimit, të kulturës, të ekonomisë…Pra, këto ide dhe vlera të tejkoshme, janë ngulfatë nga diskursi kolektivist i “vlerave të luftës” dhe “vlerave të veprimtarëve politik.”

Fotografia e vendit tonë sot është zymtë, ndërkaq, qytetarët e saj, janë më të dëshpëruar më shumë se kurrë. Prandaj, sot, të paktë janë ata që thonë: lum unë për vendin tim dhe lum unë për lirinë time. Në të kundërtën, çdo ditë, dëgjon një këngë të ankthshme të dëshpërimit, që të këputë shpirtin. Sepse, atyre u është trazuar e ardhmja, jo nga ndonjë forcë e jashtme, por nga paaftësia e klasës politike për të ecur përpara.

A mund ta ndryshojmë diçka?
Shkrimtari Azem Shkreli nuk arriti të përjetonte vetë lirinë, por ka lënë shumë vargje të mrekullishme. Ai ka shkruar një poezi të shkurtër, me titull ‘Këngë e turpshme.” Kjo poezi, duhet të rri si një pikturë e dhimbshme përballë syve të mërzitur të shqiptarëve.
“Sonte
Qava për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Më vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava.”

Duke e parë retardimin dhe katandisjen e Kosovës, secili qytetar i ndërgjegjshëm, në vend se të qajë, duhet të mendojë çfarë mund të bëjë tjetër për Kosovën.
Pra, Kosovën nuk mund ta ndryshojmë më ofshama, duke qarë, duke trilluar e shpifur; atë mund ta ndryshojmë, me ide politike kreative, duke vepruar diçka tjetër për të.
E para punës, për të kaluar në një stad të ri, duhet ta mbyllim kapitullin e luftës dhe të paraluftës, dhe këto tema, duhet t’ju lemë njerëzve profesionistë, të cilët mund t’i gjykojnë nga perspektiva historike, letrare e filozofike.

Bota është duke ndryshuar. Perëndimi ecë me hapa marramendës përpara, ndërkaq, po ashtu, strategjitë dhe gjeostrategjitë po lëvizin.
Askush nuk ka kohë të na pret neve derisa të ngopemi me marrëzitë tona.
Kosova, nuk e ka luksin të merret pafundësisht me vlerat e luftës dhe as të paraluftës.
Kosova, duhet t’i krijojë vlerat e paqes, të lirisë dhe të përparimit, duke mësuar nga e kaluara.
Leksionin e kemi marrë!
Pra, na vendit tonë i duhet një pakti për të ardhmen, përndryshe, edhe dy dekada do të këndojmë këngën e turpshme.

Pushteti i frikës, tirania dhe dashuria në romanin “Qorrfermani” të Kadaresë

Shkruan: Ndue Ukaj

Të lexosh një vepër letrare, është akt i kënaqësisë që të jep arti, bota e re që ti e zbulon, ndërkaq, të marrësh përsipër të shkruash për të, është përgjegjësi e ndërlikuar, dhe kjo lidhet, me raportin që krijon teksti me autorin, veprën dhe lexuesin. Pa dyshim, të shkruash për një autor të madh- për një univers letrar- siç është Ismail Kadare, është përgjegjësi e dyfishtë. E para e punës, shkëlqimi artistik i veprës së tij, ka tejkaluar qëmoti kufijtë e mundshëm dhe komunikon universalisht, me statusin e artit të përjetësishëm. Në këtë mënyrë, vepra e tij është përtej mundësive që afron mendimi për letërsinë, qoftë edhe ai më i përparuari.

Duke u nisur nga kjo sfidë dhe përgjegjësi, studiues të ndryshëm të letërsisë, janë rrekur të trajtojnë përgjegjësitë që kanë, në këtë rast, lexuesit, përballë një vepre letrare, sidomos ata që shkruajnë për të. Njohësit e letërsisë, flasin për validitetin e interpretimit dhe mundësitë e leximeve më të mira, (E. D. Hirsch, JR), si dhe për kërkesat etike që shtrohen përpara lexuesit (Derek Attridges).

Për shembull, studiuesi i letërsisë, Derek Attridges, pyet për përgjegjësitë që ka lexuesi karshi veprës letrare, për faktin e thjeshtë, se, asnjë vepër nuk mund të kuptohet pa marrëdhënien e ndërliqshme që ajo e krijon me lexuesin, sidomos me ata që i përkasin fushës së letërsisë; të tillët që, me tekstet e tyre për shkrimtarë a vepra të caktuar, marrin qëndrime publike; pra i riartikulojnë “mesazhet” e autorit dhe të veprës.

Mirëpo, mendimi për lehtësinë, gjer me sot, nuk ka arritur të tregojë se, cili është leximi më i miri i letërsisë apo i një vepre letrare. Në hollinë e shumë shkollave, metodave, qasjeve, lexuesi, ka ndodhur të bie “prehë” e yshtjeve të kritikëve, për të parë dhe gjykuar një vepër nga një këndvështrim specifik, i ngushtë, që, realisht, mund të jetë përtej qëllimeve të autorit, dhe, ndonjëherë përtej asaj çfarë është një vepër letrare si e tillë.

Sa herë flitet për këto raporte, mua më pëlqen ta citoj, Oscar Wilde-in, i cili shkruante: “Për ne që merremi me art, nuk mund të pranohet asnjë teori për të bukurën, në këmbim me vetë të bukurën.” Duke u nisur nga ky parim, atëherë, një lexim semantik dhe artistik i një vepre letrare, për mua ngjason me një shtegtim, thënë ndryshe, me një udhëtim, në një botë të panjohur, në një botë, ku ndeshim katedrale madhështore, ura dhe humnera, fusha, male dhe lumenj, njerëz të bukur dhe të shëmtuar, që bien në dashuri dhe ndahen, sisteme politike të çmendura, që tkurrin njeriun në botën e frikës, ndeshim dashuri dhe urrejtje të çmendura, ndërtesa të punuara me shije dhe njerëz që jetojnë në to, me halle e tendosje shpirti, por që dinë edhe të cakërrojnë gotat e lumturisë të mbushura me verë, dhe të kënaqen me bukuritë e pafundme që afron jeta, pra, e gjejmë një jetë në totalitetin e saj të mundshëm. Pikërisht pse një vepër është një totalitet, është e pamundur t’ia paraqitsh lexuesit gjithë këtë përmasë.
Arti i madh i Kadaresë, para lexuesit shfaqet si hapësirë e pafund semantike, gjuhësore dhe kohore, ku përplasen dhe dyzohen, e keqja dhe e mira, dhe ku autori, përmes gjuhës alegorike dhe simbolike, thërret të hiqet qafe e shëmtuara dhe të jetohet e bukura. Këtë thirrje letrare, e hasim në mënyrë të shkëlqyer, te romani, “Qorrfermani”, i cili, “ndonëse u shkrua në vitin 1984, për shkak të subjektit tepër delikatë dhe të analogjisë së ngjarjes që ndodh në Perandorinë Osmane, me një fushatë spastrimesh tipike staliniste, aq shumë të njohura në të gjitha vende t ish-komuniste, vepra nuk ishte e mundur të botohej në Shqipëri, dhe botohet vetëm pas autori kishte kërkuar strehim politik në Francë.” Kjo e dhënë jashtëletrare, por, para së gjithash tematika dhe shtjellimi i ngjarjes, e përforcojnë mendimin se, letërsia e Kadaresë, në esencë është një jehonë e fuqishme antitotalitare, një kamp lirie kundër totalitarizmit dhe të gjitha formave të egra të manifestimit të tij.

Në këtë roman magjeps, lexuesi i Kadaresë, e ndien peshën reale të një realiteti tejet dramatik, të vendosur në një perandori të mynxyrshme, në të cilën shqiptarët pësuan keq. Autori i vë lexuesin përpara makthit të verbimit, pra, të çsyzimti, në një rrëfim mbresëlënëse, të mbushur me pikëllim, dhimbje, tension, tronditje, dashuri. Kjo prozë është e shkruar me stil rrëmbyes, ndërkaq, lexuesi, duke parë si zhvillohet kjo dramë letrare, e ndien fuqinë dhe peshën e frikës së errësirës, skëterrës, që vjen nga verbimi, por, më shumë e ndien frikën që përhapin regjimet totalitare. Në një atmosferë të pashpresë, autori e tërheqë lexuesin nga e bukura, ngaqë, duke folur për terrin, pra, për çsyzimin e njerëzve të dyshuar si sykëqij, në të vërtetë, ai flet për sytë, për dritën, për atë kandilin që rri ndezur përherë dhe i thërret njerëzit kah liria, andej kah e shpie në të vërtetë lexuesin kjo prozë e sofistikuar.

Kadare, në këtë roman, edhe njëherë na vë përballë pyetjeve esenciale: çfarë është vërtet bota në të cilën jetojmë, dhe, cilat janë raportet e pushtetit me njerëzit e një vendi apo me njerëzimin në përgjithësi?

Këto dilema, janë shtruara nëpër kohë të ndryshme, nga shkrimtarë, filozofë dhe njerëz të shquar të historisë, dhe janë tema të përhershme të letërsisë, e të cilat, te vepra letrare e Kadaresë, zënë vend të veçantë, dhe shfaqen në variante të ndryshme kuptimore: si kujtesë njerëzore, prej të cilës ai vjel përherë gjëra të bukura, që shëmbëllejnë me realitetin e vendit të tij, dhe gërshetohen me kontekstin kohor në të cilin u shkrua vepra e tij. Në të vërtetë, arratisja e autorit në histori, mite, me një fjalë, në të kaluarën e largët, të cilën nuk kishte si ta zotëronte ndokush, janë paradigma letrare, të cilat, atij i mundësuan ta formësonte dhe ta tipologjizonte botën autentike letrare, të mbështjellë me një pushtet të përtejmë; pushtet ky i cili ishte përtej mundësive mizore të tiranit dhe ai nuk kishte forcë ta mposhte dhe ta mbizotëronte, meqë bëhej fjalë për gjëra të përjetshme.

Kjo arratisje imagjinare, kësisoj, duket si strategji letrare që autori e ka përdorur, për t’i treguar lexuesit, për tmerret që u vijnë atyre nga tiranët, pikërisht siç ngjet në këtë roman, ku, madje tmerri bie edhe mbi Vezirin e madh, dhe, më këtë element letrar, Kadare tregonte se, pushtet sajojnë marrëzira, për të arsyetuar çmenduritë e tyre, duke thënë: “ja, pra, edhe të mëdhenjtë e pësonin njëlloj si të vegjlit.” Njësoj e pësojnë poetë dhe njerëz të pafajshëm, siç është rasti me poetin e shquar, Tasin Kurtogllu, të cilit i kërkohet llogari “për disa vargje që kishte botuar, si dhe për ca fjalë që kishte lëshuar andej-këndej me miqtë e tij.” Ndonëse, të gjitha akuzave, poeti u përgjigjet me jo, duke thënë se ato “ishin shpifje e trillime të sivëllezërve të tij smirëzinj”, ai për një fije qime i shpëton verbimit. Poeti, në fund përfiton nga “zemërgjerësia” e shtetit, i cili mjaftohet me qortim, fakt ky që nuk e kënaq turmën e zemëruar, që kërkon nga zyrtarët verbimin e tij.

Në romanin “Qorrfermani”, Kadare shkruan edhe njëherë për natën e errët shqiptare, për Perandorinë Osmane, ndërkaq, për subjekt ka një familje shqiptare, siç ngjet me romanin e madh, “Pallati i ëndrrave”, më të cilin ky roman ka një lidhje semantike dhe kuptimore.

Pra, në këtë prozë, Kadare rrëfen për një dekret të sovranit të perandorisë, për një dekret të madh, por që kishte emër të shkurtër, “Qorrferman.” Ky dekret absurd, i çuditshëm, por i tmerrshëm, arsyetohet kështu: “Meqenëse kohëve e fundit ishin shpeshtuar rastet e goditjes së syrit të lig dhe meqenëse sykeqoja (fjala ishte nxjerrë prej një fjalori të vjetër të shekullit gjashtëmbëdhjetë), kishte rrezik të kthehej në stihi të vërtetë, shteti, për të mbajtur po aq vetveten, sa edhe shtetasit prej këtij rreziku, detyrohej të ndërhynte me një sërë masash.

Nuk dënoheshin me vdekje, si dikur sykëqijtë, por vetëm u hiqej mundësia e krimit. Dhe kjo bëhej duke u hequr armën dëmtuese, që ishin sytë e ligj.

Pra, dekretohej nxjerra e syve të këtij të të gjithë atyre që do të vërtetohej se ishin të tillë.”
Por, pyetja e makthshme që shtrohet është si do të kryhet çsyzimi”

Dekreti, siç mund të kuptohet, ishte i makthshëm për të gjithë shtetasit e Perandorisë Osmane, të cilët ndodheshin përpara çsyzimit, pra, heqjes së syve. Dhe, si çdo dekret i madh, edhe ky kishte format e manifestimit dhe të ekzekutimit. Pra, ishin përcaktuar edhe mënyrat e nxjerrjes së syve: “bizantino-veneciane (me hekur me dy gjilpëra), tibetianen (me shtypje gurësh mbi zgrof për të shkaktuar daljen e kokërdhokëve), mënyra vendase (me thartirë gërryese), romano-kartagjenasen (me tepri drite) dhe atë europiane (me mungesë drite)”, ndërkaq, për të gjithë ata që lajmëroheshin vetë, kishte lehtësira.
Përballë një atmosferë të tillë, njerëzit janë të trullosur, të humbur, të trishtuar dhe të pushtuar nga frika. Në të vërtetë, efekti i parë i këtij dekreti mizor ishte mbjellja e frikës, pra frika nga shteti. Kadare këtu luan mjeshtërisht me logjikën si funksionojnë tiranët dhe pushtetet e tilla, pushtete që ngulitin frikë te qytetarët, përmes formave të ndryshme të përhapjes së terrorit, siç ngjet në këtë roman. Autori kështu e përshkruan frikën:

“Një gjë e njohur, disi e harruar që prej vjetësh, nisi të notonte në erë: frika. Ishte një frikë e veçante, fare e ndryshme nga ato që përftonin sëmundjet, kusarët, fantazmat apo vdekja: frika prej shtetit. E akullt, pa përmasa, me një zbrazëti të madhe tejpërtej, por që mbushte megjithatë gjithçka, ditë për ditë e orë pas ore, ano nisi të përfshinte në qerthullin e saj qindra-mijëra njerëz.”
Dekreti për të cilin rrëfen Kadare, natyrshëm dhe habitshëm, shkakton pasiguri, konfuzion, ndjenja ankthi dhe tmerri, dhe krejt këtë tendosje, shkrimtari e përshkruan, duke rrëfyer në dy nivele: efektet e tij të jashtme, ato që janë publike, dhe ato që ndodhin në një familje shqiptare, që janë personale, dhe lidhen me familjen e Aleks Urës.

Në mënyrë që të arrinte efektin plotë ky dekret, duhej një fushatë e menduar mirë. E përgatitur mirë, dhe ku përfshiheshin të gjitha instrumentet e shtetit. Fushata kundër sykeqojës zhvillohet shpejt, furishëm, dhe, efekti i vërtetë ishte, se “flitej hapur për larje llogarish dhe luftë për pushtet midis klaneve politike.” Kjo atmosferë kaq e tendosur, me të gjitha karakteristikat e veta, lexuesit i duket sikur ka ndodhur në Shqipërinë totalitare dhe me personazhe lehtë të identifikueshëm. Të duket sikur verbimi për të cilën rrëfehet është ai i kohës së shkrimit, dhe, ç’mund të bënte më shumë një shkrimtar, që nuk i shpëtonte syrit të diktatorit, sesa të arratisej në histori dhe të tregonte ferrin osman dhe kështu, analogjinë për ferrin komunist.

Ky roman, ashtu sikurse “Pallati i ëndrrave”, dhe shumë romane tjera, duke përftuar nga e kaluara e shqiptarëve nën pushtimin osman apo ajo e popujve tjerë, flet për portat ferrit, përpara të cilëve ndodheshin të gjithë, dhe brenda të cilit mund të përfundonte secili që vihej në kurthin e syrit të sovranit, që vëzhgonte çdo gjë dhe çdo kënd, me syrin e tij të mbrehtë dhe shpatën e tij të gatshme dhe mizore për të goditë në çdo kohë. Ndërkohë që kjo furtunë e sovranit bënte punën e vet, “një valë spastrimesh, që të gjithë e ndienin se ishte e fundit, kishte përfshirë gjithë shtetin. Njerëzit s’mendonin veçse si të shpëtonin nga kjo valë, e cila, ngaqë ishte e fundit, ngjante edhe më e hidhur.”
Si në të gjitha vepra te mëdha letrare, edhe në këtë roman, lexuesi ndeshet me dritën dhe errësirën, me pushtetin e frikës dhe të dashurisë së njerëzve për jetën, rrjedhimisht, për dritën. Por, fatet e njeriut dhe të një kombi, shteti, perandorie, në regjime të egra, përcaktohen nga çmenduritë e sovranit. E ky mund të jetë një tiran i kohëve të lashta apo i kohës së autorit, që rri në qerthullin e vet dhe nuk brengoset për njerëzit, për ata që bien në pusitë e jetës. Dhe, pikërisht të drejtëve, të mirëve, ua prishë ëndrrat, siç ngjet me dy personazhet kryesorë të këtij roman, Marie Urën, dhe të fejuarin e saj, Xheladini, të cilët, teksa po përgatiteshin të fluturonin në qiejt e lumturisë, përpara u shfaqet qielli i zi, i cili, ua errëson ëndrrat, të ardhmen, shpresat, dhe përfundimisht i hedh në humnerë.

Këtë dramë të thellë njerëzore, sidomos momentin kur Maria e kupton nga i dashuri saj se, është pikërisht ai në radhën e atyre që duhet të verbohet, shkrimtari e përshkruan duke përshkruar gjendjen shpirtërore të tyre, por edhe kontekstin politik:

-“Po përse? Përse?- gati s’klithi ajo.

Vështronte sytë e tij me atë rrjetë të imët bojë hiri, si të kërkonte në të vjegën që mund të kishte shërbyer si fillim i së keqes.

-Ti pyet përse, -tha ai, duke shkaktuar në fytyrë një nënqeshje të hidhur.- Nuk po e fus veten ndër sytë e ndritur, ata që shohin më qartë dhe më larg, në të ardhmen, dhe që janë të padëshiruar për çdo pushtet tiranik.

O Zot, mendoj ajo. Babai i saj një mbrëmje i kishte thënë pothuajse të njëjtat falë.

-Pra, nuk e fus veten në radhën e mendjeve të ndritura, -vazhdoi ai.-Megjithatë, ka një arsye që sytë tanë duhet të zhbëhen, zhdukja e gjurmëve.

-Si? Nuk të kuptova-thotë ajo.

-Është e thjeshtë,- u përgjigj ai.-Ne jemi dëshmitarë të shumë gjërave që duhet të harrohen.

-Kush ju?-pyeti ajo.

-Ne që gjer dje kemi shërbyer ne komisionet e verbimit. Sytë tanë anë parë shumë gjëra që s’duhet t’i shinin, më kupton?”

Pra, “Qorrfermani”, pasi mbërrin efektin, dhe komisionarët kryejnë punë e përcaktuar nga lart, një ditë, vetë ata duhet të zhdukën, që të zhdukën gjurmët.

Ironia me të cilën autori e qesëndis këtë ferman, përshkruhet në faqet e fundit të librit. Pasi që dekreti pushoi së ekzistuari, njerëzit më nuk kishin makth e lemeri prej tij, atëherë, për të gjithë të prekurit prej tij u shtura një, “Dreka e pajtimit.” Ajo u “shtrua në sallën mbretërore të kuajve, ndërtesë që mund të nxinte tryeza për mijëra të ftuar.”

Ç’ironi therëse, ofshan lexuesi!

Të verbëritë vërshuan nga të gjitha anët drejt ngrehinës. Pa dyshim, në këtë drekë ka fjalime, ku zyrtarët me patos flasin për të mirën e shtetit, por kulmi është momenti kur lexohet letra e sovranit, i cili fton të gjithë të harronin ç’kishte ndodhur e t’i mbeteshin besnik shtetit.

Kur të mbërrin në këto faqe, lexuesi e ndien peshën e madhe të absurditetit të veprimeve të tilla, situata këto që i përjeton në çdo kohë.

Kadare, përmes kësaj proze, tregon se, të gjithë tiranët e të gjitha kohërave, përndizen nga dëshira që të bëjnë zullum, të pastrojnë terrenin nga “sykëqijtë”, prandaj, të tillëve, të çmendur, nuk duhet duartrokitur.

Kadare, në këtë libër, lexuesit i flet për Perandorinë Osmane, sovrani i të cilit, me një pushtet të pakufizuar dhe të pakontrolluar, donte do të pastronte botën nga sykëqijtë. Në të vërtetë, lexuesi i kultivuar, këtu e ndien realitetin universal, dhe nën petkun e sovranit, sheh dhjetëra tiranë tjerë të kohëve dhe kombeve të ndryshme. Secili lexues, kur të përfundojë romanin, e kupton ç ‘lemeri shkakton totalitarizmit, të cilin autori e përshkruan përmes ikjes në kohë dhe hapësirë, dhe me një nëntekst të sofistikuar, për t’i dhënë status universal.

Natyrisht, si në gjitha rrëfimet letrare, këtu ka intriga, mashtrime, trille, habi, dhe lojë të pafund. Kadare me virtuozitet dhe me stil elegant e përshkruan dramën e personazheve të tij, në një atmosferë mjegullnaje e zymtësie, ku secili mund të mendonte për tjetrin: po sikur ai të dyshonte te unë. Dhe kjo mjaftonte që ai të verbohej. Pra, në këtë atmosferë, “askush, përveç të verbërve, nuk ishte i sigurt se mund të ndodhej jashtë veprimit të dekretit, dhe siç e kuptuan shumë shpejt të gjithë, këtu mbështetej pikërisht fuqia hijerëndë e Qorrfermanit”,–shkruan Kadare.

Shkrimtari, me nota tejet delikate dhe njëkohësisht lirike, e përshkruan dramën në familjen e Aleks Urës, aty ku vajza e tij, Marie Ura, përgatitej të martohej me Xheladinin, zyrtarin turk.
Maria është një personazh fantastik. Plot jetë dhe gjallëri, ajo përshkruhet si vajzë e dëlirë, e çiltër, plot hire dhe pa kurrfarë hezitimi noton nëpër ujërat e ëmbla të seksit, ndonëse ende e pamartuar. Skenat që përshkruan autori përbrenda mureve të shtëpisë së saj, janë peizazhe mahnitëse letrare. Maria, mbyllet në dhomën e vet, zhveshët dhe me orë të tëra provon të brendshmet e saj para pasqyrës, dhe kur ka fatin të ketë të dashurin aty, provon ëmbëlsinë e seksit, si një ndjenjë fisnike njerëzore. Ajo e pasionuar, nuk ëndërron për asgjë tjetër, nuk çan kokën për politikë, pos që, pret të martohet dhe të rri me orë të tëra me burrin e saj e zhveshur, siç ka dëshirë. Por kjo ëndërr i këputet, sepse burrit të saj të ardhshëm, pak kohë para se të martoheshin, i jepet vendimi që të çsyzohet, pra atij do t’i hiqen sytë, do të verbohet. Drama është e madhe, e pamatshme, e papërshkrueshme, është dramë e shpirti të tronditur, që, duke ëndërrua qiejt e lumturisë, përnjëherë bie në skëterrë. Skenat që jep Kadare në roman, lexuesit i mbesin gjatë në kujtesë. Sidomos, momenti tejet tragjik, kur Maria, në kulmin e kënaqësisë, e kupton se kështjella e saj po shembet.
Xheladini është personazh tragjik, që ka fatin e qindra e mijëra viktimave të sistemit. Ai i duhet sistemit për t’i zhdukur gjurmët, prandaj duhet të dënohet. Lexuesi ndien dhimbje për të, si dhe me fatin e tij, që rrëzohet përtokë.

Romani “Qorrfermani” është shkruar me mjeshtëri, ku përshkruhet me nota dramatike pushteti i frikës që buron nga tirania, por aty ndeshim, gjithashtu, pushtetin e dashurisë së madhe, dhe të heshtave vdekjeprurëse që i godasin atë. Vetëm një mendje gjeniale, si ajo e Kadaresë, me një talent të pashoq, ka mundësi që me kaq mahnitje, tension, pasion, dhe dhimbje, të krijojë një roman kaq dridhmues dhe njëkohësisht, të shkruar kaq bukur.

Autori, edhe në këtë roman, siç ngjet në shumicën e veprës së tij, ka provuar suksesshëm fuqinë e epërme të letërsisë, si gjuhë dhe mendim, për të treguar ekzistencën tonë dhe sfilitjet përballë pushtetit dhe formave të tij të egra, kur ai stërkeqet dhe tenton të kontrollojë gjen më të çmuar të njeriut: lirinë.

Letërsia e Kadaresë përpara lexuesit shfaqet si hapësirë e pafundme ëndjesh e ardhjesh. Autori e arratisë lexuesin në histori dhe e rikthen në aktualitet, përmes fuqisë së rrëfimit, letërsisë, dhe veprave të shkruara me sqimë dhe gjenialitet. Vepra e tij shfaqet si zbulim mahnitës, ndërkaq, shkrimtari, me erudicion letrar, përherë arrin t’ia paraqesë lexuesit një botë të veçantë, me bukurit dhe shëmti dhe ku kufijtë e të mundshmes dhe të pamundshmes, shfaqen e zhduken, si portat e ferrit dhe të parajsës. Pa dyshim, nëpër këso labirinte artistike, mund të shpie vetëm imagjinata e një shkrimtari pa caqe gjuhësore dhe me imagjinatë pa kufij.

Ndue Ukaj: Shqipëria, nuk është Mustafa Nano dhe as soji tij

Petro Marko, në librin e kujtimeve të tij, tregon pse nuk u bë anëtar i partisë Komuniste të Shqipërisë? Këtë e kam thënë- thotë ai- se “në Berat, në tetor të vitit 1944, kur u ktheva me dyqind vullnetarë shqiptarë, Sejfulla Malëshova më porositi: Kjo parti është një parti terroriste e krijuar nga serbët, prandaj ti mos e hap gojën për asgjë që shikon, të paktën për një vit.

Fjalët e Sejfulla Malëshovës, njërit nga njerëzit më të shquar të demokracisë sonë, që vuajti gjithë jetën dhe që u varros me karron e plehrave në Fier, qenë për mua shpëtim.” Këtë që e thotë Marko, e përforcon në kujtimet e tij, edhe Zef Pllumi, i cili thoshte se, politika shqiptare komuniste, atëbotë projektohej në Beograd dhe ishte kryekëput kundër Kosovës.

Rrënjët e komunizmit nga tokat shqiptare nuk janë shkëputë, ato janë retushuar dhe shfaqur në variante tjera ideologjike, prandaj, nuk është larg mëndësh që, ky diskurs, i cili iu fryn kaq shumë përçarjeve ndërmjet shqiptarëve, të projektohet në Beograd, por edhe në qendra të tjera të armiqve historikë të shqiptarëve.

A duhet t’u kushtojmë vëmendje këtyre zërave?

Pa dyshim se po, por duhet t’i analizojmë brenda kontekstit dhe sfondit historik dhe atëherë shfaqet më e kristalizuar narrativa e tyre.

Shqipëria, për Kosovën, nuk mund të jetë Mustafa Nano, dhe nuk mund të jetë as ai fundërrina, pronari i një hoteli që fyen rënd një qytetar të Kosovës.

Shqipëria, nuk është as politika e papërgjegjshme e banditëve: të majtë ose të djathtë. Sepse, ata e kanë mandatin e tyre, dhe, për të këqijat që kanë bërë dhe për ato që s’i kanë bërë, do t’i gjykojë, vlerësojë apo mallkojë historia.

Shqipëria është rrëfim ynë i përbashkët i thadruar në ndërgjegjen e secilit shqiptar.

Është historia e Gjergj Kastriotit.
Është historia e Pjetër Budit,
Rrugët Bogdanit.
Veprat e Vëllezërve Frashëri,
Veprimtaria gjigante e Fishtës dhe e Françeskanëve.
Është Shqipëria e Gurakuqit, Mjedës, Nolit, Konicës, Kutelit, Merxhanit, Harapit, dhe shumë e shumë të tjerëve.
Është Shqipëria e jashtëzakonshme e At Zef Pllumit dhe Petro Markos.
Është Shqipëria Havzi Nelës, e Genc Lekës dhe Vilson Bllomishti, dhe e mijëra viktimave që ranë në altarin e drejtësisë dhe dashurisë për vendin dhe drejtësinë e tij.

Shqipëria jonë e përbashkët është përtej marrive dhe poshtërsive të Mustafa Nanos dhe sojit të tij, që më shumë se çdo gjë e duan protagonizmin publik.
Shqipëria, për mua, është vendi i mijëra njerëzve të mirë që jetojnë me dinjitet. Është Shqipëria e miqve të mi të shumtë, të kulturuar dhe të ditur.

Prandaj, mjaft më, mos i fryni zjarrit të përçarjeve./ KultPlus.com

Këta që i gëzohen fitores së Erdoganit, janë hipokritë, rriqna e mikrobe

Shkruan: Ndue Ukaj

Këta që sot i gëzohen fitorës së Erdoganit, nesër nga perëndimi do të kërkojnë liberalizim të vizave dhe integrim në Familjen Europiane.
Po të njëjtit, nesër nga perëndimi do të kërkojnë mirëqenie, siguri dhe dinjitet për kombin shqiptar.

E pra, ju jeni hipokritë, rriqna e mikrobe të zi, siç thoshte dikur Fishta, që i bëni dëm të madh kombit shqiptar.

“Si flasin dhe si shkruajnë shqiptarët”

Shkruan Ndue Ukaj.

Meqë përtej këtij gardhit primitiv ku jetojmë nuk na përfillë kush, atëherë i kemi mprehë shpatat kundër njëri- tjetrit, dhe po tregojmë sa të “hollë” dhe të “dijshëm” që jemi, duke krahasuar një të keqe me një të keqe tjetër, por rrallëherë me të mirën.

Nga perspektiva e sotme, kur e analizojmë kohën kur kanë vepruar- ta zëmë Budi dhe Bogdani- të duket se ata ishin shumë më të hapur, seç i kemi sot shumë personazhe të sferës publike.

Mos të flasim pastaj për Rilindjen Kombëtare dhe periudhën e pavarësisë, kur kultura shqiptare kishte një elitë shumë të kultivuar, që nuk i mbyllte sytë në mjerimin ballkanik.

Kjo elitë, e formuar në kushte të vështira, por me ideale të mëdha, kur shkruante dhe vepronte, donte t’ia rikthente kombit dinjitetin e humbur, besimin, dhe aspironte Europën në tanësi: si botë kulturore dhe si mënyrë jete. Dhe, për të arritë këtë, ata gishtin e vënin në plagët kryesore që pengonin përparimin kombëtar.

Të pakompromis dhe të ditur, ata donin ta orientonin drejt kombin, dhe, model për të shkruar dhe për të vepruar, kishin qendrat e mëdha perëndimore, dhe jo moçalin ballkanik, ku dergjej populli i tyre i shtypur dhe i pa edukuar me ndjenja lirie.

Shtrohet pyetja, sot, si flasin dhe si shkruajnë shqiptarët, dhe cilat janë modelet e tyre?
Përveç stigmatizimit që i bëjnë realitetit social dhe politik, a propozojnë ata ndonjë alternativë?
A kanë ndikuar debatet e shumta në këndelljen apo e kundërta, në trullosjen e shqiptarëve?
A kanë ndikuar debatet për çlirimin e tyre nga e keqja?
Dhe, çka është më e rëndësishmja, çfarë ushqimi shpirtëror marrin ata sot ?

Me përjashtime të pakta, sot, krejt çka lexojnë shqiptarët, janë gulçima dhe nihilizmi kundër çdokujt dhe çdo gjëje, madje edhe kundër historisë së tyre. Një gjuhë spekulative, përplot intriga dhe pa kurrfarë respekti. Pikërisht kjo gjuhë dhe ky soj i debateve, kanë ndikuar në ligështimin moral të shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë.

Prandaj, çdo ditë takojmë njerëz të hutuar, që të habitur pyesin:
Hej, e ke parë çka ka shkruar filani e fisteku kundër atij ose këtij?
Hej, a e ke parë çka ka bërë ai ose ajo?
Dhe habia bëhet më e çuditshme kur bëhet fjalë për tema të karakterit historik.
Shqiptarët përditë habiten me “zbulimet” e reja historike.
Hej, e sheh, X figura historike nuk ishte ashtu siç kemi besuar.

Ky është kurthi ku na ka futë një inxhinering ideologjik që po vërtitet në hapësirat shqiptare, dhe po e nxit formimin e një njeriu të ri, pa traditë dhe pa histori. Një njeri që nuk beson në kulturën e vet, duke ndikuar kështu në shkatërrimin e atij, që, studiues të ndryshëm e quajnë shkatërrim i mjedisit moral apo etik.
“Të gjithë kemi mësuar të jemi të ndjeshëm ndaj mjedisit fizik. E dimë se varemi nga ai, se është fragjil dhe se e kemi pushtetin ta shkatërrojmë; e duke bërë këtë shkatërrojmë jetët tona, apo më saktësisht ato të pasardhësve tonë. Ndoshta pak nga ne jemi të ndjeshëm ndaj atij që e quajmë mjedisi moral apo etik”
(Simon Blackburn, Etika, një hyrje e shkurtër, përkthyer nga Kushtrim Canolli, Cuneus, 2018)
Pikërisht ky mjedisi moral apo etik është toka ku mbillet e ardhmja e një vendi. Nëse e shkatërrojmë atë, e kemi shkatërruar të ardhmen e tij./ KultPlus.com

Ndue Ukaj: Bashkëfajtorë për rrëmujën tonë shoqërore, janë ata që u kanë dhënë krahë budallenjve

Ndue Ukaj

Shoqërinë tonë e ka vërshuar injoranca, prandaj, pasojat reale të degradimit, nuk mund t’i kuptojmë tashmë, kur jemi duke përjetuar kulmin e dalldisë së kësaj epidemie. Ato di t’i kuptojmë një ditë, kur do të kthjellemi, dhe do të detyrohemi ta pastrojmë llumin e madh që është mbledhë kudo.
Nëse duam të bëhemi shoqëri normale- edhe nëse nuk na pëlqen një gjë e tillë- këtë hap do të detyrohemi ta bëjmë. Atëherë, do të dalim përballë gjykatores së historisë dhe do të turpërohemi të gjithë.
Bashkëfajtorë për rrëmujën tonë shoqërore, politike dhe kulturore, janë ata që u kanë dhënë krahë budallenjve, po aq sa ata që i kanë parë ata duke marshuar përpara dhe janë strukë.
E të tillët janë të shumtë dhe nuk janë vetëm në politikë. Të tillët janë kudo.
Po ashtu, bashkëfajtorë janë, edhe inxhinierët e ideologjive të shumta, që tentuan t’i bëjnë një “brainwashing” shoqërisë sonë, duke luftuar me tërë fuqinë kundër çdo gjëje që lidhet me historinë dhe kulturën shqiptare. Si pasojë e këtij ligjërimi të pështirë, jemi ligështuar tej mase, prandaj përbuzim dhe mohojmë çdo gjë.
E një i ditur si Ernest Koliqi, në librin e tij, “Dy shkolla letrare shkodrane”, na këshillonte: “Nji komb qi përbuzë traditat e veta vendosë vetvrasjen e vet.”/KultPlus.com

Mesditë pranvere

Poezi nga Ndue Ukaj

Pas këtij dimri të acartë,
Kjo ditë ka nevojë për qartësi.
Vitet tona janë shpuar tej për tej nga kjo re pikëllimi
Që sodit mbi pranverën tonë tash e sa mote.
E sheh: unë e hodha pallton e palarë
Dhe gradualisht i afrohem diellit.
E matanë kësaj stine,
Ata flasin për pamjaftueshmërinë e sendeve,
Dhe një ditë që zgjat sa një jetë.
Pas këtij dimri të acarët,
Pa dyshim,
Kjo ditë ka nevojë për frymëmarrje dhe shumë kthjelltësi.
(Nga libri, Gjithmonë diçka mungon, OM, 2017)./KultPlus.com

Degradimi i arsimit, është përgjegjësi vetëm e jona, dhe për këtë, do t’na gjykojë historia

Arsimi shqip, 7 marsin e njeh si ditëlindje të veten, datë kjo që i referohet Mësonjëtores së Korçës së vitit 1887. Sado që e vërteta për zanafillën e arsimit shqip, sipas shumë shpjegimeve dhe të dhënave historiografike, mund të jetë më ndryshe, kjo datë ka rëndësinë e vet të madhe historike.

Studiues të ndryshëm thonë se, themelet e arsimit shqip, duhet kërkuar me thellë në histori. Përshembull, studiuesi arbëresh, Francesko Altimari, në një ligjëratë që mbajti para disa vitesh në Prishtinë, kërkoi që zanafillën e arsimit shqip ta kërkojmë shumë më herët, duke përmendë këtu edhe shkollat te arbëreshët e Italisë. Ndër të tjera, ai tha se shkolla shqipe, ka më shumë se një shekull histori para shkollës së 7 marsit 1887. Nëse mendimin e Altimarit e analizojmë në përkim me historinë e zhvillimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare, ai ka plotësisht të drejtë.

Po ashtu, At Donat Kurti, në një studim të botuar në revistën “Hylli i Drites” më 1935, flet për një sërë shkollash që ekzistonin përgjatë shek. XVII në Shqipërinë Veriore, Mirditë e Shkodër.
Sidoqoftë, të dhënat historiografike tregojnë se, arsimi shqip, ka kaluar nëpër peripeci e sfida të jashtëzakonshme, dhe rruga e tij, ka qenë një rrugë kalvari: e hidhur, me ndalesa, përndjekje, persekutime, arrestime dhe vrasje.

Të kujtojmë vetëm faktin trishtues: Perandoria Osmane, në krye me Sulltan Abdul Hamitin, me 1779, lëshoi një dekret, me të cilin qe ndaluar dhe penguar gjuha, kultura dhe shkollimi shqip. Histori të tilla të reprezaljes dhe terrorit ndaj arsimit shqip, kemi pasë gjatë gjithë sundimit osman, por edhe në shekullin XX, sidomos në fund të këtij shekulli, kur Serbia hegjemoniste, dëboi shqiptarët nga objektet e tyre shkollore. Kjo periudhë, ka lanë plagë të thella në Kosovë.

Sot, kur kremtojmë këtë evidencë domethënëse- për ne dhe kulturën tonë- më shumë se kurrë kemi nevojë ta rikthejmë besimin te arsimi, si e vetmja armë që mund t’ na shpie përpara, si dritë që na ndihmon ta largojmë errësirën e madhe të padijes që mbizotëron mes nesh. Ashtu siç vepronin pishtarët e arsimit shqip, në Shkodër, Korçë, Stubëll, e gjetiu hapësirave shqiptare.

Pa dyshim, ne kemi nevojë për një shkollë të re të jetës- një shkollë të dashurisë dhe të kulturës së respektit për shtetin e kombin, për vlerat dhe civilizimin. Dhe, këtë, më së miri e ngjizim në shkollë. Te nxënësit. Me libra të mirë dhe kulturë jete e dashurie.
Duhet të jemi të vetëdijshëm: pa arsimin të shëndoshë, nuk ka shoqërisë të shëndoshë. Sepse, arsimi është fizionomia e një vendi, dhe burimi themelor prej ku formohet shoqëria humane. Prandaj, duhet të këndellemi, por pa e luajtë rolin e qaramanëve dhe të shfajësimeve banale.

Degradimi i arsimit, në kushte te sotme, kur jemi të lirë plotësisht, është përgjegjësi vetëm e jona, dhe për këtë, do t’na gjykojë historia. Për çdo ditë, duhet të mendojmë te parimi i mirënjohur: çka të mbjellim sot, korrim nesër.

Unë, sot dhe përgjithmonë, ndihem krenar që i përkas Stubllës, vendit ku u legalizua Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë, e vitit 1905; shkollë kjo që, sipas shumë të dhënave dhe dëshmive, ka ekzistuar edhe më parë.

Si fëmijë dhe i ri, jam rritë me rrëfime të shumta për këtë shkollë dhe historinë e saj. Dhe, këto rrëfime, secili në mënyrën e vet, kanë ngjallë në mua ndjenja krenarie e përgjegjësie, dhe kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në formimin tim./KultPlus.com

Romani “Nënshtrimi” i Houellebecq-ut

Ndue Ukaj

Michel Houellebecq është shkrimtar francez, prozator, poet dhe kritik i letërsisë. Autorë i shumë librave, që kanë përftuar lexues të shumtë anë e kënd botës, ai ka fituar çmime të ndryshme dhe famë ndërkombëtare, duke u vlerësuar si njëri nga shkrimtarët më të mirë, dhe njëkohësisht, njëri nga zërat më intrigues të prozës bashkëkohore. Houellebecqu, në shumë libra, ka dëshmuar mjeshtëri artistike dhe talent narrativ, duke shkruar letërsi imagjinare, për tema e personazhe të jetës konkrete.

Rrëfimet e tij letrare janë dridhmuese dhe mbresëlënëse, dhe i përshkon një ton kritik e komik, që të bën të jetosh gjatë me to. Pa dyshim, tekstet e tij letrare janë prekëse, të frikshme, shporuese- dhe njëkohësisht, janë të shkruara me një stil tërheqës. Kësisoj, letërsia e tij, ka forcë artistike, dhe të rrëmben, dukë të futë në përsiatje e dilema pafund, me çka autori sikundër dëshiron të mos heqë dorë nga fuqia e sipërore e letërsisë në civilizimin tonë perëndimor.

Romani që Houllebecq-ut i dha emër më shumë se çdo libër tjetër, është “Nënshtrimi.” Ky roman është botuar në një kohë thyerjesh e përplasjesh të mëdha globale, në një kohë kur lëvizjet identitare, forcat ekstremiste dhe ato dogmatike dhe fetare, kanë çuar krye si asnjëherë më parë. Në një atmosferë plot nerva, mosdurim e debate të tendosura, libri, ende pa dalë nga shtypi, ngjalli kërshërinë e lexuesve të shumtë, dhe u shoqërua me vlerësime, habi, kritika, reagime, vrer, mllef. Thjesht, me përplasje të pazakonta. Kështu, romani u bë pjesë e debateve letrare dhe joletrare. Vlen të përsëritet se, pikërisht në ditën kur romani po shihte dritën, terroristët islamikë, sulmuan gazetën satirike Charlie Hebdosë, dhe arsyet e proklamuara lidheshin pikërisht me këtë roman, sepse revista në fjalë në kopertinë kishte botimin e romanit .

Si për çdo libër për të cilin flitet shumë, edhe mua, më mbërtheu euforia dhe histeria e debatit që vlonte rreth këtij libri. Dhe, romanin e lexova dy herë. Vetë fakti se romani më grishi që t’i rikthehesha- për mua- është dëshmi se në vetëdijen time letrare, kishte ushtruar ndikim. Një ndikim të shoqëruar me ndjenja të përziera: politike e letrare. Dhe, nëse e marrim si të këshillueshme atë që thotë shkrimtari i madh italian, Italo Calvionio, për librat klasikë, ky roman, për të cilin, mund të them se e kam rilexuar dhe jo lexuar, hyn në kategorinë e librave klasikë.

Kur e lexova herën e parë, mu duk një roman politik, me ngjyra dhe intencë politike, dhe mbresat letrare, i kisha të fashitura nën trysninë e ngjarjes që projekton shkrimtari, pra, nga rrëmbimi që më shkaktoi tema e romanit.
Këto ditë, romanit iu riktheva dhe e rilexova. Tani me qëllimin tjetër, më shumë letrare.

Herën e parë, i ndikuar nga zhurma dhe debati, histeria dhe euforia për të, romanin e lexova me ndjenja të përziera: letrare dhe joletrare. Mirëpo, “Nënshtrimi” është roman i jashtëzakonshëm, ku autori dëshmon erudicion e kulturë letrare të nivelit sipëror, dhe ku tensioni artistike dhe habia letrare të përcjellin deri në fund. E ku, erudicioni i shkrimtarit shkrihet mrekullueshëm me përshkrime të holla, stilizime të lakmueshme dhe figuracion të gjetur; elemente këto që lexuesin e mbajnë pezull gjatë gjithë rrëfimit.

Në këtë roman, Houellebecq-u rrëfen për Francën, ku njerëzit kanë humbur ndjenjën e veprimit dhe kuptimit njerëzor, ndaj edhe ai bën politikë me letërsinë, jo si veprim për fuqi, por si kambanë për ndërgjegjësim. Sepse, ai beson se “letërsia është diçka serioze.” Në përkim me këtë, shkrimtari përsiat për rolin e pazëvendësueshëm të letërsisë në Francë dhe Europë. Ai flet me mallëngjim për pushtetin e letërsisë, por nuk mund ta le anash pushtetin e politikës, në atdheun e tij që tronditët nga zhvillime të paparashikuara. Por, këto dyja, ai i sheh fort të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

Houellebecq-u, nëpërmjet protagonistit, të romanit, profesorit të letërsisë Fransuas, flet me një guxim të pashoq për gjitha rrjedhat sociale e politike të Francës dhe të Europës, për multikulturalizmin, kulturën e relativizmit, fuqinë sipërore të letërsisë, emrat e mëdhenj të saj, politikat socialiste dhe liberale, për ateizmin dhe besimin, te kaluarën mesjetare, dhe gjithkund, tekstin e laton me një erudicion të jashtëzakonshëm dhe me kulturë letrare mahnitëse.

Autori nuk shkruan art për hir të artit, por një roman, ku gdhend fytyrën reale të Francës dhe të Europës, nëpërmjet një klithme të përhershme, që sforcohet sidomos kur ai ndahet nga e dashura izraelite, e cila e braktis Francën për shkak të zhvillimeve politike, dhe asaj i duhet ta paketojë jetën e vet në 30 kg bagazhe.
Në fakt, vetë titulli i romanit është intrigues dhe tundues. Sepse, autori lexuesin e vë përballë një dileme të makthshme, duke ia hapë sytë e mbyllur. Çfarë po ndodh me Francën dhe kush po nënshtrohet? A po pranon ajo nënshtrimin dhe poshtërimin? Këto dy pyetje esenciale, shkrimtari i shqipton që në titull, dhe i shtjellon përgjatë zhvillimit të tekstit letrar, duke dhënë tablo komike e satirike të Francës së politikës, kulturës, arsimit, religjionit, emigracionit; një France që endet ndërmjet lavdisë së dikurshme dhe molepsjes bashkëkohore; një Francë që përballë lëvizjeve identitare, duket e plogësht dhe pa shtegdalje.

Protagonisti i romanit, Francua, një profesor letërsie në Universitetin e Sorubonës, “ai që beson te veçoria e letërsie, arti madhor i një perëndimi që po jep shpirt në sytë tanë” ndodhet ndërmjet mallëngjimit për të kaluarën dhe sfidave të kohës. Protagonisti sapo ka përfunduar doktoratën, por ndërkohë, në vendin e tij, ndodh një tronditje politike, një metamorfozë, e cila e godet pamëshirshëm gjithë shoqërinë. Zgjedhjet presidenciale, përplasin ashpër dy alternativa: të djathtën ekstreme të Mara Le Penit, dhe atë të dogmës fetare islamike, të përfaqësuar nga emigranti, Muhamed Ben Abesi. Me ndihmën e socialdemokratëve, këtij sistemi të kalbur, siç thotë autori, zgjedhjet i fiton ky i fundit, dhe Franca zgjohet e shokuar. Sistemi i ri dhe politikat e Ben Abesit dizajnojnë një Francë tjetër, ku feja përcakton stilin e ri të jetës dhe luan rolin parësor në gjithë organizmin shoqëror, dhe ku qytetërimi perëndimor nuk është më ai i njëjti, i shtrirë në kufijtë e tij të caktuar, por rrëmbehet nga euforia e një synimi ta hibridizuar dhe me shumë deformime, sidomos në raport me femrën, konceptet sekulare, seksin.
Profesori i Sorbonës, i pasionuar pas letërsisë, në këtë metamorfozë politike është i çorientuar dhe i tronditur.

Ndarja nga izraelitja, atij i krijon një boshllëk të madh në jetë. Në rrëmujën e këtyre ndryshimeve, ai përjeton dramën e vërtetë të ikjes nga vetvetja, të tkurrjes, një krizë identitare që e sorollat pa shtegdalje. Shkon me prostituta, ndërkohë që nuk ndien asnjë emocion kur e kupton se i ka vdekur e ëma, dhe i është varrosur në varrezat e komunës.

Në këto kushte, ai tkurret në një hiçgjë, derisa një ditë i kërkohet të kthehet në punë, dhe të përshtatet me rregullat islame të jetës.
Profesori i mëdyshur, nuk i shpëtoi tundimin dhe joshjes, kështu që shpejt përshtatet me rregullat e reja që vë sistemi, në raport me gjithçka, që nga normat e sjelljes, të drejtat e njeriut, seksi, familja, shkolla, por përpara lexuesit shtron shumë dilema e pyetje, që mbesin pezull përherë.

Në sfondin e këtij romani, protagonisti Fransua, ndonëse kritik i vetmuar, ka një besim te forca e epërme e letërsisë, për të cilën ndien mallëngjim. Prandaj edhe pohon: “vetëm letërsia mund t’ju japë atë ndjesi të bashkimit me një shpirt tjetër njerëzor, me tërësinë e këtij shpirti, me dobësitë dhe madhështitë, kufizimet, vogëlsinë, fiksimet, besimet, me gjithçka që e mallëngjen, i intereson, e ngacmon ose e neverit. Vetëm letërsia mund t’ju lejojë të hyni në kontakt me shpirtin e një të vdekuri, në mënyrë me të drejtpërdrejtë, më të plotë dhe më të thellë se ç ’do të bënte biseda me një mik -sado e thellë, sado e fortë që të jetë ajo miqësi, është e pamundur të hapemi në një bisedë, ashtu siç bëjmë para një flete të bardhë, kur i drejtohemi një bashkëbiseduesi të panjohur.”

Vetë zgjedhja që bën autorit për të rrëfyer, tregon për mallëngjimin që ka ai për letërsinë, kohën e shkëlqimit të saj dhe idealit intelektual. Në rrëmujën politike dhe sociale, protagonisti i romanit nuk e kërkon prehjen te e tashmja, por noton në të kaluarën, te letërsia e madhe e Hysmanit, të cilin e ka udhërrëfyes dhe ngushëllim.

Romani është i shkruar me një përpikëri letrare. Atë e karakterizon qartësia
narrative, si dimension esencial, ku përshkrimet janë të realizuara me detaje. Përgjatë gjithë rrëfimit, autori lexuesin e fut në labirinte magjike, duke e shëtitë me imagjinatën e tij të pasur nëpër kohë e vende të ndryshme. Lexuesi, lundron thellë në ujërat e turbullta të politikës europiane e botërore, ballafaqohet me krizat psikologjike të shoqërisë bashkëkohore, ku tuhajësimi, vetmia, janë të shkallës së padurueshme. Veç tjerash, lexuesi ndesh me pasuese të pasura letrare, ku autori përshkruan mjeshtërisht ndikimin e madh të librit të letërsisë në Paris, Francë, dhe gjetiu.

Por, nën bukurinë e magjisë së këtij qyteti të artit dhe të kulturës, shihen dritëhijet e një krize, që autori e skalit mjeshtrisht. Autori di të shëtisë lexuesin në të kaluarën: si kujtesë, në religjionin, si kulturë, dhe ta sfidojë me një pyetje të përhershme: qytetërimet nuk duhet të vetëmjaftohen, sepse kështu u ndodh nënshtrimi.

Ai e trajton me shkathtësi artistike tipologjitë e njeriut bashkëkohore: atë të tuhajsuar dhe në tundime identitare, dhe atë të verbuar nga dogma dhe ideologjia.
Pa dyshim, Houellebecq-u është një nga shkrimtarët më erudit të kohës, dhe erudiconi i tij është i shtirë me finesë e kulturë të jashtëzakonshme në romanin “Nënshtrimi.”

Romani “Nënshtrimi” është një kambanë e fortë kundër dekadencës së qytetërimit europian, kundër apatisë dhe kulturës së relativizmit të gjithçkaje. Këtë aspekt, ai e realizon mjeshtërisht, duke e provokuar lexuesin nëpër labirinte të sikletshme, në të cilat ai ndeshet me gjithfarë lemerish e situatash komike. Nëpërmjet protagonistit, autori i përshkruan të gjitha të këqijat që e kanë goditë këtë qytetërim: ikja nga thelbi i shoqërisë, familja, kriza e besimit.
Ngjashëm si të shkrimtari i madh, Albert Camy, edhe te ky roman, ka situata absurde, siç është telegrami që merr protagonisti për vdekjen e nënës, me dy javë vonesë. Indiferenca ndaj këtij lajmi, kumbon si një kamçikë në ndërgjegjen e njeriut të venitur shpirtërisht.

Personazhet e romanit janë politikanë, shkrimtarë, klerikë, profesorë, prostituta. Pra, ai rrëfen për karaktere të shumta, që janë pjesë e mozaikut të jetës bashkëkohore. Personazhet e këtij romani nuk kanë tipare heronjsh, por janë karaktere të katandisur në hollin e ndryshimeve të shpejta, ata shfaqen të venitur dhe në absurditetin e një kohë pa qëllime sublime, ku tkurrja shpirtërore e njeriut ka tejkaluar caqet normale. Kështu, ai qesëndiset me dritëhijet e njeriut bashkëkohore francez dhe europian, që vërtitet në kriza të pafundme identitare. Ai shkruan për zhvillimet e hovshme në Francën e tij, dhe gjetiu, por gjithnjë me një gjuhë të epërme letrare, me një diskurs mbarështues të admirueshëm që të habit me fuqinë artistike dhe kompetencën narrative. Shkrimtari imagjinatën e përdorë për zhbiruar me sytë prej eruditi në pikën nevralgjike të problemeve bashkëkohore. Kështu, ai ka arritë t’i skalit problemet bashkëkohore, me një gjuhë të paparë gjer me tani. Kështu, letërsia e tij, edhe njëherë, rikthen debatin e përhershëm rreth funksionit të saj në shoqëri, me çka i del hapur kundër dekadencës së këtij qytetërimi.

Houellebecq-u, duke e projektuar një situatë të çuditshme letrare, ardhjen e një myslimani si president të Francës, për të penguar ekstremisten e djathtë Marine Le Pen, ai nuk i drejton shigjetat kundër askujt, por troket në ndërgjegjen e fjetur të perëndimit, që i futur në hollitë e vetëmjaftueshmërisë, po rrëshqet ka dekadenca.

Romani i Houellebecq-ut, ndonëse u bë çështje botërore letrare dhe politike, autori zgjodhi një rrugë pa shumë ekuivokë, kur pohoi se nuk dinte prej kujt kishte më shumë frikë, nga francezët e çmendur pas identitetit apo nga myslimanët. Ai këtë e pohoi për gazetën “Le Journal de Dimanche.” Por, ai e pohoi me siguri të plotë se: “Të jesh islamofob nuk është formë e racizmit”.

Romani “Nënshtrimi” është një satirë e fortë drejtuar drejt klasave intelektuale, te të cilat çdo ditë e më pak shihen gjurmët e idealizmit. Ai del hapur kundër pragmatizmit të pastër që shfaqin elitat intelektuale. Ai ndien mallëngjim për një elitë intelektuale të dikurshme.
Opinioni letrar, por jo vetëm ky, autorit i ka kërkuar përgjegjësi për këtë libër, ndonëse askush nuk flet për përgjegjësinë që kanë lexuesit përballë këtij libri. Kritikët, ata që gjykojnë kuturu, duke dhënë vlerësime të paqëndrueshme.

Romani “Nënshtrimi” i sfidon lexuesit e kultivuar të letërsisë, profesionistët, me pyetjen e përhershme: si duhet të lexohet letërsia? A janë të mjaftueshme argumentet jashtaletrare, për të gjykuar tërësinë e veçorive artistike që ka një tekst letrar.

Unë mendoj se ky roman, përtej zhurmës dhe debateve që ka nxitë, do të mbetet si një roman epokal i kohës, përkundër faktit se, opinioni letrar, është i ndarë në vlerësimin e këtij romani: disa e vlerësojnë autorin si paralajmërues dhe shpëtues, dhe të tjerët, e akuzojnë se po hedh benzinë zjarrit për migrimin dhe integrimin.

Pavarësisht këtyre debateve dhe gjykimeve kundërthënëse, ky roman u ngjan kambanave të forta që bien pa pushim. Kambanave që thërrasin për ndërgjegjësim dhe vetëdijesim.

Romani është përkthyer në shqip mjeshtërisht nga Edit Dibra dhe është botuar nga Skanderbeg Books.

Në Parlamentin e Kosovës flitet për gjuajtje me armë, popujt e emancipuar flasin për avancim

Shkruan: Ndue Ukaj

Gjuajtja me armë është akt primitiv dhe nuk ka të bëjë asgjë me traditën burimore shqiptare. Është deformim i traditës. Për më tepër, të flitet për traditë të gjuajtjes me armë, në shekullin XXI, dhe në Parlamentin e një shteti që aspiron të bëhet pjesë e familjes së popujve të emancipuar perëndimorë, është marrëzi. Është e turpshme. Është neveritëse.

Popujt e emancipuar të perëndimit, flasin për avancim dhe perfeksionim të rendit demokratik, për zhvillime marramendëse teknologjik, për të drejta të njeriut, për zbulime shkencore, arritje në kulturë e dije, ndërsa në Parlamentin tonë justifikohen dhe arsyetohen aktet jonormale të një zyrtari të lartë të shtetit.

Ky është shembull i shëmtuar që përçohet te rinia e Kosovës. Prandaj, sot, me plot të drejtë, qytetarët e Kosovës, kanë arsye të plotë të ndihen të mërzitur dhe trishtuar me nivelin e përfaqësueseve të tyre, të tubuar rreth një koalicioni qeverisës pa kurrfarë koncepte politike./KultPlus.com