Zelensky i drejtohet botës pas sulmit rus në spital: Keni fuqi, por po e humbni njerëzoren

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka publikuar pamje nga spitali i maternitetit që para pak orësh u bombardua nga rusët.

Duke e quajtur këtë sulm mizor, Zelensky tha se njerëzit janë nën rrënoja.

“Goditje e drejtpërdrejtë e trupave ruse në maternitet. Njerëzit, fëmijët janë nën rrënojat. Mizori! Edhe sa kohë do të jetë bota bashkëpunëtore që injoron terrorin? Mbylleni hapësirën ajrore tani! Ndaloni vrasjet! Ju keni fuqi, por ju duket se po humbni njerëzoren”, ka shkruar Zelensky.

Ndërkaq, pamjet e shkatërrimit të spitalit i ka publikuar edhe kreu i administratës ushtarake rajonale, Pavlo Kyrylenko.

Ai shkroi se Rusia ka kaluar kufirin e njerëzorës.

“Mos e quani veten qenie njerëzore”, shtoi ai. / KultPlus.com

Një rrethrrotullim në Madrid merr emrin e Zelenskyt

”Volodymyr Zelensky” do të quhet rrethrrotullimi përballë ambasadës së Ukrainës në Madrid, njoftoi kryebashkiaku i kryeqytetit, Jose Luis Martinez-Almeida.

”Ky emërtim i dedikohet popullit ukrainas dhe presidentit të tij, Zelensky”, deklaroi Almeida duke e konsideruar presidentin si ”fanar të lirisë”.

”Shpreh gjithë mbështetjen e qytetit tonë për liderin e Ukrainës”, theksoi ai.

Për Martinez-Almeida, presidenti po ushtron detyrën ”heroikisht” kundër pushtimit rus. / KultPlus.com

Edi Rama: I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku kanë biseduar për luftën që po ndodhë në Ukrainë nga pushtimi i Rusisë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Edi Rama ka ndarë bisedën në formë të videos, ku edhe i ka shprehur presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë.

Postimi i tij i plotë:

“Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falenderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës. I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse”, shkroi Rama. /KultPlus.com