Gruaja përmes portretit dhe tingujve muzikor, erdhi në mbrëmjen e katërt të FemArt (FOTO)

Gili Hoxhaj

FemArt për katër ditë me radhë ka mbushur kryeqytetin me aktivitete artistike e diskutime që mëtojnë vetëdijesimin për të drejta të përbashkëta gjinore. Mes shumë aktiviteteve mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita me punimet e artistes Laureta Vinca Mulliqi, e cila u pasua edhe me një koncert nga sopranoja Kaltrina Miftari e përcjellë në piano nga Njomza Kastrati dhe në flaut Gentiana Ahmeti.

Në hollin në Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, kishin zënë vend 15 punimet e artistes Laureta Vinca të cilat përmes ngjyrave të ndryshme i kishin dhënë jetë figuracioneve në punimet e saj. Në mesin e punimeve të saj, binin fort në sy portretet që ngërthenin ngjyra të errëta të cilat i jepnin jetë shikimit e pozicioneve në të cilat ato qëndronin. Në çdo portret të saj ajo paraqet një grua më shumë që përmes shikimit e pozicionit të saj, flet për historinë e gruas në shoqëri. “Brusha ime ose e jotja në çdo lëvizje është gruaja”.

Para se të hapet ekspozita, fjalën e mori Avokati i Popullit, Hilmi Jashari i cili u uroi mirë se ardhje të pranishmëve. Ai tha se Institucioni i Avokati i Popullit është mekanizëm ligjor për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe është si mekanizëm për mbështetje të trajtimi të barabartë dhe pa diskriminim.

“Për gjashtë vite me radhë ArtPolis dhe FemArt mundëson bashkimin e shumë artistëve nga Kosova, rajoni dhe bota që përmes artit të promovohen të drejtat e njeriut”, u shpreh Jashari.

Laureta Vinca- Mulliqi tha se pothuajse një pjesë të çdo dite ia kushton pikturimit. Ajo pohoi se kjo ekspozitë nuk dallon shumë për nga stili me ekspozitat e saj të kaluara por për nga kompozicioni. Pesëmbëdhjetë punime që ishin vendosur në formë të rrumbullakët e qëndronin me pak hapësirë nga njëra tjetra, kishin një mesazh. Autorja Vinca- Mulliqi thotë se përmes tyre ka dashur të shpreh emocionet e dhimbjes nga padrejtësitë që i bëhen gruas në Kosovë.

“Tash në vitin 2018-të po merrem më shumë me portrete dhe nga pozita ime si grua më duket se mund ta shpreh veten më shumë, ta përjetoj edhe dhimbjen edhe kënaqësinë. Vështirësitë e shumta që po i shohim në barazi gjinore, ato shprehen kudo dhe unë me ngjyra mundohem ta shpalos që gruaja qëndron e tillë, ashtu siç ka qëndruar me shekuj”, tregoi Vinca- Mulliqi.

Ajo tutje tha se emocionet e saj mundohet t’i shpalosë në punimet e saj duke i lënë hapësirë çdo gruaje që të gjejë emocionet e veta.

“Unë, ti dhe ajo jemi fenomenale… dhe megjithatë ngrihemi si feniksi”, me këtë fjali artistja Vinca Mulliqi bashkon të gjitha gratë në forcën e përbashkët.

Vizitorët shijuan ekspozitën mes interpretimit të veprave të Lehar, Puccini, Kurti, Dubussy, Tchaikovocky, Mendelson, Kuhlau. Me zërin e sopranos Kaltrina Miftari, lojës pianistike të Njomza Kastratit dhe flautistes Gentiana Ahmeti./ KultPlus.com

Gratë aktiviste treguan rrugëtimin e tyre me feminizmin në FemArt (FOTO)

Vitin e kaluar Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka lansuar Muzeun e Parë Virtual të Grave Aktiviste. Ky muze virtual, paraqitet si një entitet dixhital që i merr karaktersitikat e një muzeu, por me një rol më të veçantë; Promovimin e vlerave të aktivizmit paqësor të grave të cilat mbrojnë të drejat e njeriut. Ky muze ngërthen në vete një platformë interaktive, duke sjellur rrëfime frymëzuese dhe jetësore, fotografi apo edhe video të grave aktiviste.

GiliHoxhaj

Ideja e këtij muzeu virtual ka ardhur nga domosdoshmëria për të pasur informacione për aktivizmin e grave në Kosovë pasi që ka pasur mungesë të informacioneve për gratë aktiviste, të cilat kanë sfiduar mentalitetin dhe sistemin patriarkal. Sot ato erdhën me rrëfimet e tyre në kuadër të Festivalit “FemArt” .
Krejt ky diskutim u mbajt pranë Lapidrariumit të Muzeut të Kosovës ndërsa u moderua nga drejtoresha e Artpolisit dhe e festivalit “FemArt”, Zana Hoxha Krasniqi. Ajo tha se është tejet e lumtur që po e bëjnë promovimin e artistëve e aktivisteve të reja nga Kosova dhe Serbia.

“Jam shumë e lumtur që për herë të dytë po e bëjmë promovimin e Muzeut Virtual të Grave Aktiviste dhe kësaj radhe në hapësirën e Muzeut të Kosovës, duke shpresuar dhe uruar kështu që ndonjë ditë do të kemi një hapësirë permanente dhe një muze edhe të prekshëm të aktivisteve. Le të jetë kjo një ëndërr që ndoshta edhe do të realizohet”, u shpreh Hoxha Krasniqi.

Igballe Rogova, Lepa Mlađenović, Safete Rogova, Tatjana Nikolić, Fjolla Vukshinaj, More Raça dhe Manushaqe Nura, ishin penalistët që u përgjigjën në pyetjen se si e kanë filluar rrugëtimin e aktivizmit dhe cfarë do të ndryshonin nga krejt ky vizion që e kanë ndjekur ndër vite.
Lepa Mlađenović, aktivistja nga Serbia tha se ndihet tejet e lumtur dhe e emocionuar që është në Prishtinë në mesin e feministëve fantastike. Ajo një rëndësi të vecantë i kushtoi kontributit shumëvjecar të Sevdije Ahmetit.

“Unë kam qenë këtu në ceremoninë përkujtimore të Sevdije Ahmetit dhe ajo ishte feministja e parë që e kam takuar në vitin 1993 në një konferencë dhe kurrë nuk do ta harroj”, u shpreh Mlađenović.
Aktivistja Luljeta Aliu u shpreh se aktivizmi i ka shërbyer edhe si shërim ndaj krizave të jetës derisa vet është përballur me dhunë në familje. Ndër të tjera ajo shtoi se cfarë do ta bënte ndryshe, është se do të lidhej shumë më herët me gra të tjera në mënyrë që t’i bënin gjërat në mënyrë të organizuar dhe kështu edhe grave më të reja duhet ndihmuar në rrjetëzim.

“Ne e kemi filluar këtë shumë më herët edhe në rrethin tonë familjar dhe shumë na kanë etiketuar që jemi dalë jashtë normave, por si aktiviste në kuptimin individualist në rrethin ku jemi, e jo me projekte, ato fillojnë shumë më herët. Nisma e fundit lidhet me saktësimin e ligjit për pronën dhe pasurinë e përbashkët në raste divorci, dhe këtë e kisha bërë më ndryshe po të kisha pas kohë, por në anën tjetër isha duke u përballur edhe vet me dhunë në familje e me që e kisha kaluar një periudhë shumë të vështirë edhe e përjtojsha një krizë e kisha dhe më problem të dalë jashtë që të kërkoj ndihmë dhe bashkëpunim”, tregoi Aliu.

Igballe Rugova tha se nuk ka qenë as nuk është e lehtë as sot aktivizmi por solidariteti mes grave
“Urime FemArtit, bravo, po vazhdoni me shumë aktivitete me njerëz nga gjithë bota”, e filloi fjalën e saj atktivistja Igballe Rogova, ajo tutje tha se nuk do të ndryshonte asgjë pasi që mënyrë se si kanë punuar edhe atëherë edhe tash është e njejtë.

“Bashkë me Safeten kemi punuar në shoqatën “Motrat Qiriazi” në vitet 90-ta dhe nga fillimi kemi involvuar burra, djem e gra pasi që nga fillimi nuk kemi besuar që do ta ndryshojmë rajonin e Hasit nëse punojmë vetëm me gra dhe duhet bashkarit që ta ndryshojmë këtë shoqëri dhe që nga atëherë e tash vazhdojmë të punojmë me njerëz të rinj”, tregoi Rogova.
Sipas Rogoves as atëherë e as sot nuk ka qenë e lehtë të jesh aktiviste por që u ka ndihmuar aq shumë solidariteti edhe mes grave që nuk kanë qenë pjesë e rrjetit.
“Unë kam pasur fatin ta kem afër Safeten, unë isha ajo eksplozivja që më shumë eksplozicitet reagoja, kurse Safetja me atë qetësinë e vet më ka ndihmuar”, u shpreh Igballe Rogova.
Kurse aktorja dhe aktivistja e njohur Safete Rugova tha se të flasesh për aktivizëm dhe feminizëm nuk bën të mos përmendet Sevdije Ahmeti.

“Me Igon kemi filluar para viteve 90’ në zonen e Hasit për shkollimin e vajzave dhe mënyra se si kanë vepruar Sevdija, Lepa më vonë, Igo ka qenë pak më ndryshe , kanë qenë edhe rebele i kanë goditur edhe tavolinat me grushta, kurse unë e kam pasur një qetësi pasi që jam aktore dhe kam kufin, ndërsa dhe aktrimi me ka ndihmuar të kem shumë edhe në rolet e dramat e mija në të cilat kam pasur deshire ti luaj, perosnazhet e grave të fuqishme dhe të guximshme”, tregoi Safete Rogova, e cila shtoi se gjithmonë e lidh bashkë aktivizmin dhe feminizmin, pasi që gjithmonë janë munduar t’i ngrisim dhe ndihmojmë gratë dhe mirëpo më vonë thotë se ka mësuar shumë gjëra të reja nga Igo edhe shumë mënyra të reja të feminizmit.

“Tani kemi shumë ma tepër të reja që janë më energjike dhe po e shoh se këto kanë më shumë me thënë dhe më shumë që të veprojnë dhe i falënderoj të gjitha këto të reja”, përfundoi Safete Rogova.
Fjolla Vukshinaj, rrugën e aktivizmit e kishte trasuar nga nëna e saj e ndjerë. Pikërisht me të e kishte nisur këtë rrugëtim, madje në një moshë shumë të re.Mes emocionesh e lotësh ajo tregoi për këtë rrugëtim të përbashkët.

“Mami gjithnjë ka qenë aktiviste për lirinë e Kosovës, për gratë dhe për njerëzit me aftësi të veçanta. Ajo gjatë gjithë kohës rrinte në kompjuter duke punuar dhe nuk arrija ta kuptoja as inspirimin e pasionin e saj”, tregoi Vukshinaj e cila më tutje tregoi edhe takimin e parë me gratë aktiviste në një punëtori që kur ishte 15 vjeçare e thotë se ishte fascionuar nga mënyra se ato punonin shumë dhe në mbrëmje vallëzonin.

Në mesin e panelisteve ishte edhe Manushaqe Nura, togere në Forcën e Sigurisë së Kosovës(FSK). Nura që sonte erdhi e veshur me këtë uniformë tha se në feminizëm e ka gjetur vetën krejt rastësisht.Ajo thotë se ballafaqimi me faktin që është grua në profesionin që ka zgjedhur e ka ndjekur për shumë kohë.
“Siç po e shihni unë shërbej në FSK, një profesion që në krejt botën është i dominuar nga burrat. Feminizmi nuk ka qenë koncept i panjohur për mua dhe pse gjithnjë e kam pasur një karakter më kundërshtues, mirëpo në ushtri qasja e të tjerëve ndaj teje të shtyjnë qe të jesh feministë për shkak se shumë njerëz të shohin me mendimin se “hajt se kjo është femër” dhe në një farë formë kam hy në konkurrencë me kolegët burra për t’iu treguar që edhe ne mundemi”, tregoi Nura.
Kurse regjisorja More Raça mundohet që aktivizmin ta shprehi përmes artit të saj. Ajo thotë se e rritur në botën e kinematografisë e cila favorizon burrat, ajo që nga fillimi i studimit të regjisë, kishte vendosur që të jetë zëri i grave shqiptare në kinematografi.

“Qysh prej feminisë filmi ka qenë pasion i imi dhe zakonisht në filma heroi i një filmi është një burrë kurse gratë janë aty t’i plotësojnë boshllëqet apo historitë e burrave që gjithmonë janë historia kryesore e filmit. Duke u rritur me këtë lloj të filmave, unë kam vendosur ta studioj regjinë, kam vendosur që unë të jem zëri i grave shqiptare në kinematografi duke e parë që tematikat e tyre nuk trajtohen sa duhet në kinematografinë tonë”, u shpreh Raça.

FemArti është ndarë në pika të ndryshme ndërsa po sjellë mjaft shumë aktivitete artistike e diskutime që lidhen me barazinë gjinore./ KultPlus.com

“Natën, Ma”, përmes dialogut solli marrëdhënien e fuqishme nënë e bijë (FOTO)

Përplot 15 herë, publiku në Tiranë e ka shijuar dramën “Natën ma”, me tekst të Marsha Norman e me regji të Ema Andreas. Salla e Teatrit Metropol në Tiranë, për 15 herë kishte mbushur ulëset për të parë lojën e Ilire Vinces dhe Egla Ceno. Ndërsa për të 16-ën herë, kjo shfaqje erdhi në skenën e Teatri Oda, në kuadër të Festivali FemArt, i cili ka nisë që nga e premtja në kryeqytet.

Kjo dramë me tekst të shkrimtares amerikane Marsha Norman, ka fituar Çmimin Pulitzer në vitin 1983. E gjithë ngjarja zbërthehet brenda një dite por që akumulon historitë e një jete të tërë. Të pathënat akumulohen në një ditë, në të cilën Xhesi kishte vendosur ta mbyllte vet kapitullin e jetës së saj.

Telma një grua e thinjur rreth të 50-ve që vjen përmes rolit të Ilire Vinces, nuk është se kishte qenë e kënaqur me jetën e saj, në një martesë ku dashurinë nuk e kishte zënë kurrë në gojë. Për burrin e saj, as tash pas vdekjes së tij nuk ndjen dhimbje përveçse neveri. E bija e saj Xhesi që vjen në rolin e aktores nga Shqipëria, Egla Ceno është një grua 30-vjeçare që ka lënë prapa një martesë të dështuar e duket sikur ka kohë që jeton mes depresionit kronik e nuk gjen as edhe një arsye që ta mbajë të gjallë në këtë botë. Një nënë që nuk del nga lëvozhga e jetës dhe Xhesi një grua që nuk pranon më të jetoj në këtë lëvozhg.

E gjithë shfaqja zhvillohet në një skenografi që i ngjan një dhomë të ndenjes, brenda mureve të errëta të shtëpisë, ato orvaten nga njëri skaj tek tjetri mes bisedash, pyetjesh e akuzave edhe ndaj vetes. Muzika është ajo që ia shton dramaticitetin edhe më shumë fjalëve të aktoreve. Ishte kjo përballja e fundit e Xhesit me mamanë Telman. Për Xhesin vendimi i saj tashmë kishte arritur në një destinacion ku nuk kthehet më mbrapa as nga të qarat e as nga lutjet e mamasë. E vetmja gjë që i kërkon nënës së saj është ndihma për të vdekur. Telma mes fajit shprehet se ajo në shansin e vetëm, nuk ia arriti ta bind Xhesin që të jetojë. Xhesi para se të ik në dritën e errët, e vesh nënën në fustanin e zi e ia mëson fjalët që duhet t’ua kumtoj të tjerëve për këtë fund. “Natën, ma”, është fjalia e fundit që dëgjohet për t’i parapri një klithme të rëndë të Telmas që tanimë duhet të vazhdoj jetën e vetme.

Ilire Vinca e cila këtë shfaqje e kishte luajtur për 15 herë në Teatrin Metropol, tha se mbrëmë është ndjerë për herë të parë si mysafire në Prishtinë. Pjesëmarrja e saj në dy ngjarje të FemArt thotë se e ka bërë që të ndihet si pjesë organike e këtij festivali.

“Për mua që të jem mysafire në shtëpinë time ishte një ndjenjë që nuk ndodh shpesh. Kalimi në një skenë tjetër, për aktorët është gjithnjë një sfidë dhe një premierë e re sa herë që ne e ndërrojmë ambientin. Për mua ishte kënaqësi që ta hap Festivalin me “Trojanet” dhe menjëherë më pas të jem pjesë me një shfaqje komplet natyrë tjetër. Kjo më ka bërë që të ndihem si pjesë organike e FemArtit”, u shpreh Vinca për KultPlus.

Për Vincen e cila është nga Prishtina kjo ishte një ndjenë e veçantë për miqtë dhe të afërmit këtu, të cilët nuk kanë arritur që ta shohin shfaqjen në Tiranë. Ajo tha se kjo dramë në skenë i nxjerrë të pathënat të cilat shpesh janë të pranishme në çdo familje. Ajo thotë se këtë shfaqje e ka përjetuar në mënyrë të veçantë falë partneres së saj në skenë Egla Ceno, regjisores Andrea dhe mikpritjes së Teatrit Metropol në Tiranë.

“Shpesh nënat i mbajnë sekretet në familje duke menduar që kështu i mbrojnë fëmijët e tyre, kështu që mendoj se kjo komunikon me secilin nga publiku. Shumë shpesh tragjeditë në jetë ndodhin sepse mundohemi të mos i themi të vërtetat apo kur thuhen tashmë është tepër vonë”, u shpreh për KultPlus aktorja Ilire Vinca.
Për aktoren nga Shqipëria, Egla Ceno jetësimi i këtij roli për të 16-ën herë në skenë ishte lumturi, sepse siç shprehet ajo e shikon duke jetuar personazhin edhe dy orë të tjera para se të vriste veten. Ajo tha për KultPlus se dha dhe mori shumë nga ky rol.

“Ishte kaq e vendosur që do e bënte vetëvrasjen sa askush nuk mund të bënte asgjë për t’i ndërruar mendjen. Një personazh si Xhesi nuk simulohet. Më vjen mirë që ajo përdori trupin tim për të folur, jetuar, për të celebruar jetën dhe vdekjen. Nga letër e shkronja e pash të merrte jetë, e pash të kujdesej për mua po aq sa unë u kujdesa për të. Të rrish me dhe për Xhesin në skenë është humane, drithëruese dhe profesionalisht një eksperiencë e mrekullueshme. I dhashë dhe i mora shumë”, tregoi Ceno.

FemArt, po vazhdon sot me programin e tij të ngjeshur, duke sjellë para publikut shqipfolës ngjarje nga më të ndryshmet që kryefjalë e tyre është gruaja./ KultPlus.com

FemArt kujtoi Elizabeth Swados, “Vajza me ndjenjën e mrekullueshme” (VIDEO)

Alberina Haxhijaj

“Vajza me ndjenjën e mrekullueshme”, kështu u titullua mbrëmja artistike kushtuar Elizabeth Swados, e cila u mbajt në kuadër të edicionit të 6-të të FemArt-it. Madje ky festival bëri edhe hapjen me performancë “Trojanet”, që bazohet në produksionin origjinal të Teatrit Eksperimental ‘La MaMa’ të ‘Trojaneve’, krijuar nga Elizabeth Swados si dhe nga Andrei Serban e Ellen Stewart në vitin 1974, shkruan KultPlus.

Për të kujtuar dhe për të shpalosur detaje nga jeta e Elizabeth Swados, në Prishtinë diskutuan miqtë e saj: George Drance, Kim Ima, Onni Johnson, Sara Galassini dhe Bill Ruyle.

George Drance, tregoi se ai ka punuar me Elizabeth Swados (Lizën) në shfaqjen Medeaku ka luajtur Jasonin, një shfaqje për të cilën ai ka qenë i tmerruar por pikërisht Liza e ka ndihmuar duke i vënë re pengesat që ai kishte dhe duke e ndihmuar që ti tejkalonte.

Ndërsa Kim Ima atë e takoi për herë të parë në vitin 1996 kur filloi që të punojë në projektin “Trojanet” gjersa thekson Liza nuk është se e ka njoftuar me një botë të re por e ka bërë që ta shoh jetën përmes ritmit, tingujve dhe muzikës. Edhe Onni Johnson, e takoi atë në audicion për shfaqjen “Trojanet” duke e përshkruar atë si një grua të vogël dhe të imtë por më një zë vullkanik.

Sara Galassini tha se nuk i kujtohet saktësisht se kur e ka takuar atë por mendon se e kam takuar kur fillimisht është bashkuar me botën e “La MaMa” edhe pse edhe para se ta takonte atë bota e saj e muzikës ishte pjesë e saj.

Gjersa Bill Ruyle tha se për herë të parë ka takuar Lizin në momentin parë që e ka takuar një shoqe në metro e cila i ka treguar se është duke punuar me një kompozitore të cilës po i nevojitet një perkusionist dhe këtu ai ka marrë edhe punën e tij të parë si instrumentist. Ai miqësinë e tij me Lizini e quan stuhi të fuqishme ku janë grindur shumë mirëpo edhe e kanë dëgjuar dhe respektuar njëri-tjetrin duke e konsideruar vetëm mirënjohës që e ka takuar këtë kompozitore dhe muzikante e cila ka lënë gjurmë në muzikë.

Elizabeth Swados ka pasur një marrëdhënie unike me tingujt duke i dëgjuar, ripërpunuar dhe duke i kompozuar. “Trojanet” është kulminacioni i shumë viteve eksperience me tinguj dhe gjuhë antike në bashkëpunim me regjisorë të ndryshëm. Kështu në Teatrin Dodona u performua një pjesë nga kjo shfaqje.

Tutje Onni Johnson zbuloi historinë prapa emrin ‘Vajza me ndjenjën e mrekullueshme’.

“Kur ka lindur djali im Liza më ka dhuruar një kopje të librit ‘Vajza me ndjenjën e mrekullueshme’, libër i posa publikuar që është libër për fëmijë mirëpo që zbulon shpirtin fëmijëror edhe tek të rriturit”, u shpreh ajo ndërsa tutje Kim Ima zbuloi detaje për “The Runaways”.

“The Runaways është një muzikël i cili është shkruar, kompozuar nga Liza e cila po ashtu ka bërë edhe regjinë. Ajo i është kushtuar fëmijëve të cilët e kanë lënë shtëpitë dhe kanë jetuar nëpër rrugë të qytetit. Historitë në të këtë shfaqje janë marrë nga fëmijët që kanë jetuar në rrugë e që Lizë i ka marrë dhe ka punuar me ta nëpër punëtori të ndryshme”, u shpreh Kim Ima.

Elizabeth Swados po ashtu ka kompozuar edhe këngë duke përfshirë edhe këngë të tilla si “Gruaja e Ibrahamit”, të cilën e performuan për të pranishmit Onni Johnson, Sara Galassini dhe Bill Ruyle. Ajo po ashtu ka shkruar libra, opera, poezi të tilla si “Mia 62” apo “In the Airport” të cilat edhe u lexuan.

Është nominuar katër herë për Tony Awards, ka vdekur në moshën 64. Filmi i animuar “My Depression: A Picture Book”, bazuar në jetën e saj ka qenë pjesë e Tribeca film Festival në vitin 2014, e shumë e shumë gjëra të tjera të cilat u shpalosën në kuadër të Festivalit FemArt./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=2hesDOnnO0I

Christine Coleman solli shfaqjen që rrëzon shtëpinë prej letrës sepse Ti Udhëheqë

Alberina Haxhijaj

Dita e dytë e edicionit të 6-të të FemArt-it ka vazhduar dje që të ketë në qendër moton e saj “Ti udhëheqë”, mesazh i cili u gërshetua shumë bukur me shfaqjen e baletit “Shtëpia e saj prej letre” nga Christine Coleman, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Shtëpia e saj prej letre” kërkon fuqizimin e grave ndërsa sjellë historinë e një gruaje e cila ka krijuar një strehë të rehatshme për veten gjersa përballet me bashkëshortin e saj i cili vazhdon ti thotë fjalët: Ti nuk mundesh!!!

Kjo shfaqje në fokus ka jetën e një gruaje e cila fillon të çmendet gjersa burri i saj fillon që ta largojë nga përgjegjësit që ajo tashmë i ka.

– Nuk mund të shkruash në ditar, nuk mund të lexosh më, nuk mund të kujdesesh për fëmijën tonë, madje e di çfarë tani mundesh vetëm të qëndrosh këtu, në këtë dhomë. – i thotë ai asaj.

Përsëritje e këtyre fjalëve nga ana e bashkëshortit bënë që kjo grua të fillojë të humb identitetin e saj dhe të besoj se fjalët që ai po i thotë janë të vërteta. Por ngjarja nuk përfundon kështu ajo vendos që ta marr në dorën fatin e saj, u shpreh Christine Coleman.

“Mendova që do të ishte shumë interesante të luaja rolin e një të çmendure dhe do të ishte interesante që pikërisht këtë pjesë ta sjellë në FemArt. Mendoj se ne si gra kemi tendenca që të shohim jetën përmes vështirësive, ndërsa burrat përmes mundësive dhe kjo sepse na është thënë se ne nuk mund të bëjmë të gjitha gjërat prandaj ne duhet që të përpiqemi më shumë”, tha ajo për KultPlus.

Mirëpo balerina Christine Coleman arriti që të tregon forcën e saj duke shpërfaqur edhe forcën e gruas që ajo paraqiste në Teatrin Dodona, grua me të cilën mund të lidhej shumë lehtë publiku i pranishëm, e sidomos ata të cilët e kanë dëgjuar në jetën e tyre fjalën: Ti nuk mundesh!

“Ishte një bashkëpunim shumë i mirë së bashku me Skender Shkodrën i cili më ndërtoi shtëpinë prej letre dhe me May Lee Hollis e cila e ka bërë filmin. Një bashkëpunim i cili përmes kësaj shtëpi sjellë barrierat të cilat ndryshojnë në mendjen e personazhit. Pjesa e çmendurisë është bërë e parë dhe pastaj ajo ku jam e lumtur pasi që pikërisht kjo pjesë është më e vështirë sepse nuk ka konflikt dhe ndonjëherë mund të reflektoj e mërzitshme të publikun”, u shpreh ajo.

Christine Coleman është e njohur për trajtimin e temave sociale në punën e saj, duke përfshirë edhe shfaqjet e dhëna në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në rolin e koreografes. Ajo për KultPlus tha se mendon që është mision i jetës së saj fuqizimi i grave si mësuese, koreografe apo edhe si balerinë.

“Mendoj që është shumë e rëndësishme që të edukojmë njerëzit dhe ti ndihmojmë ata që të shohin mundësit dhe aftësitë e tyre, sa larg mund të shkojnë nga ajo që kanë menduar në fillim. Mendoj se kjo pjesë ka qenë e veçantë po ashtu pasi që zakonisht jam koreografe dhe jo balerinë. Ishte një pjesë shumë e rëndësishme dhe kur e pash publikun, sidomos gratë, i thash vetës shpresoj që të ndihen të fuqishme sepse unë më të vërtetë ashtu po ndihem. Ndjehesha sikur energjinë time po ua transmetoj atyre dhe ishte një shfaqje shumë e veçantë pikërisht për këtë shkëmbimin me publikun”, përfundoi ajo.

Sot është dita e tretë e FemArt-it dhe KultPlus do vazhdojë të ju mbajë të informuar mbi aktivitetet e kësaj dite dhe të tjerave në vazhdim./ KultPlus.com

‘Trojanet’ e hapë fuqishëm edicionin e 6-të të Festivalit FemArt

Alberina Haxhijaj

FemArt ka filluar edicionin e tij të 6-të mbrëmë, me një shfaqje jashtëzakonisht të bukur dhe të fuqishme e cila ka ardhur si bashkëpunim në mes të Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis dhe Teatrit Amerikan nga qyteti i New Yorkut – “La Mama”.

Publiku i cili dëshiroi që të ndiqte hapjen e edicionit të 6-të të FemArti i ra rreth e përqark Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” për të përcjellë shfaqjen “Trojanet”, që bëri hapjen e këtij festivali.

Shfaqja bazohet në tekstin e Euripidit, e që shpalosë fatin e grave të Trojës pasi që qyteti i tyre është pushtuar, burrat janë vranë dhe anëtarët e familjeve të mbetura do të merren si skllevër, shkruan KultPlus.

Shkruar 2500 vite më parë, temat e saj- lufta, dhuna ndaj grave dhe fëmijëve, gjenocidi- vazhdojnë që të jenë aktuale në botë. Për këtë arsye kjo shfaqje i ka vënë vetes synim që të shfaqet nëpër vende ku së fundi ka pasur luftëra apo konflikte, duke përdorur teatrin si një mjet për të adresuar çështje bashkëkohore.

Shfaqja bazohet në produksionin origjinal të Teatrit Eksperimental ‘La Mama’ të ‘Trojaneve’, krijuar nga Andrei Serban, Elizabeth Swados dhe Great Repertory Company Jones nga Ellen Stewart në vitin 1974.

Shfaqja fokusohet në historinë e katër grave trojane, mbretëresha Hecuba, resë së saj Andromache (fëmija e së cilës vritet pasi që është djalë), Kasandra, vajza e mbretëreshës dhe Hela e Trojës, të cilën njerëzit e fajësojnë për fillimin e luftës. Secilës grua i jepet një hyrje spektakulare në shfaqje ku ato reagojnë ndryshe dhe sipas mënyrës së tyre ndaj rrethanave tragjike.

“Trojanet” në verzionin e ‘La MaMa’ nuk performohet në gjuhën angleze apo në ndonjë gjuhë tjetër. Përkundrazi teksti është një përzierje e gjuhëve të vjetra si greqisht, latinisht, Nahuatl dhe Navajo, fjalë të shpikura dhe fjalë të marra nga gjuhët e vendeve ku shfaqja është shfaqur më parë. E tashmë në të janë përfshirë edhe pjesë nga kultura shqiptare.

Aktorja Ilire Vinca tha për KultPlus se pikërisht elementi i gjuhës bën që kjo shfaqje të jetë universale, pasi gjuha e shfaqjes iu përket të gjithëve dhe askujt njëkohësisht.

“Shfaqja ka pjesë edhe tonat të cilat ne i kemi shtuar si për shembull një këngë e jugut të cilën e këndoj gjatë shfaqjes, të një pjese funerali. Mirëpo, ajo që është interesante është se projekti nuk ka vetëm profesionistë në të por edhe jo profesionistë, aktorë të rinj, studentë të posa diplomuar nga tre komunitete në Kosovë të cilët e flasin një gjuhë universale dhe një tregim i cili çdo herë e ka në fokus njeriun, dhe për njeriun”, u shpreh ajo për KultPlus.

Kjo shfaqje është dhënë në më shumë se tridhjetë vende anembanë Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme. Për interpretuesit, muzikantët dhe audiencat gjatë viteve, ajo ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. E tillë është bërë edhe për aktorët pjesëmarrës nga Kosova duke përfshirë edhe aktoren Aurita Agushi.

“Kjo ka qenë njëra prej eksperiencave më të mira për mua dhe që kam me e kujtu gjatë pasi në këtë shfaqje luaj bashkë me dy vajzat e mia Gloriozën dhe Heliantën. Pjesa më e mirë e saj është se kjo shfaqje e merr publikun me vete në të katër anët e bibliotekës dhe publiku çdo herë është në pritje se çfarë do ndodhë në cepin tjetër të Bibliotekës”, tha Agushi për KultPlus.

Shfaqja kërkon që publiku të lëvizë me aktorët në hapësirën e lojës. Kjo qasje nga Andrei Serban bën që publiku të jetë pjesëmarrës dhe dëshmitar, jo vetëm spektator. Përdorimi i kombinuar i gjuhëve të hershme, muzikës, këngës dhe lëvizjes është imponues dhe tërheqës. Historia bëhet universale dhe ekziston hapësirë për tregime dhe histori individuale të çdo personi dhe komuniteti për të hyrë dhe për t’u lidhur me shfaqjen.

Interaktiviteti me publikun ka qenë sfidues edhe për aktorët.

“Kjo shfaqje për mua ka qenë një shkollë ne vete dhe mendoj që është shumë mirë që FemArt është hapur me këtë shfaqje pasi aty trajtohet edhe tema e grave trojane. Tema është e ndjeshme dhe gjatë provave gjithmonë kemi ushtru duke e paramenduar publikun, duke mos qenë të sigurt se sa publik ka me pas dhe sonte pati shumë publik dhe jemi munduar që të adaptohemi, që publiku ta përjetojnë sa më afër ngjarjen”, tha aktorja Danjela Markaj për KultPlus.

Temat e luftës së Trojës – lufta, gjenocidi, fati i grave dhe fëmijëve në luftë, si dhe efektet mbi ata që kapen në betejat e pafundme për pushtet – vazhdojnë të rezonojnë në botë, tha Onmi Johnson për KultPlus.

“Jemi të lumtur që kemi arritur që të sjellim një shfaqje të balancuar në mes të aktorëve shqiptarë, serb dhe muzikantëve romë. Njerëzit kanë thënë se nuk mund të keni artistë nga Serbia dhe nga Kosova në të njëjtën shfaqje, por mundesh. Madje ashtu si thotë edhe Ellen Stewart, arti tejkalon politikën. Më vjen shumë mirë që shfaqja u pëlqye dhe kishte një numër të jashtëzakonshëm të publikut”, u shpreh për KultPlus Johnson.

Kjo shfaqje është vënë në jetë nga ekipi i Projektit ‘Trojanet’: Maud Dinand, George Drance, Kim Ima, Onni Johnson, Bill Ruyle, Sara Galassini. Aktorët/et: Aurita Agushi, Anisa Ismaili, Branislav Stanković, Daniela Markaj, Donika Ahmeti, Edlir Gashi, Fisnik Sykaj, Fjolla Hana, Ilire Vinca, Jelena Orlović, Kushtrim Qerimi, Marija Velić, Mikel Markaj, Mina Nikolić, Qendresa Kajtazi, Rajmonda Ahmetaj, Skender Podvorica, Stefan Đordević, Stefan Stojanović, Tamara Trajković si dhe muzika nga Skenderi dhe Mërgimi. / KultPlus.com

Me moton TI UDHËHEQË, sonte nisë rrugëtimi i 6-të i FemArt

Sonte fillon edicionin i 6-të i “FemArt”-it, i cili këtë vit i bashkon njerëzit nën moton “Ti udhëheqë”. Festivali hapet sonte me shfaqjen “Trojanet” ndërsa për 5 ditë do të promovohen konceptet feministe, shkruan KultPlus.

Me moton TI UDHËHEQË festivali inkurajon qëndrueshmëri dhe solidaritet për gratë dhe burrat të cilëve ju shkelen të drejtat themelore për shkak të përkatësive të tyre etnike, racore, preferencave seksuale dhe pozitave shoqërore.

Zana Hoxha Krasniqi, drejtoreshë e Artpolis-it dhe e festivalit FemArt, tha se viti i gjashtë i FemArt-it do të sjell risi të shumta duke theksuar se e veçanta e këtij edicioni është bashkëpunimi mes artisteve kosovare dhe atyre amerikane.

“Jemi shumë të lumtura që sivjet në edicionin e 6-të po paraqitemi me një program edhe më të pasur artistik me mbi 20 lokacione të ndryshme dhe 42 aktivitete kulturore dhe artistike. Aktivitet të fushave të ndryshme të cilat tejkalojnë barrierat e kufijve”, u shpreh ajo.

“Ne dëshirojmë që të thërrasim të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë por edhe më gjerë që të marrin jetën në udhëheqjen e tyre, të udhëheqin më ëndrrat e tyre, me dëshirat por në të njëjtën kohë të kenë solidaritet me ata që nuk e kanë jetën e tyre në udhëheqje”, u shpreh Krasniqi.

Programi artistik i Festivalit adreson çështje si Të Drejtat e njeriut dhe Lëvizjet Feministe, Të Drejtat Seksuale dhe Shëndetin Ripordhues, Drejtësinë Tranzicionale dhe Ndërtimin e Paqes, Të Drejtat e Komunitetit LGBTQI+, Fuqizimin e Grave, Dhunën Kundër Grave, njëherë Promovon Storiet e Suksesshme Rajonale dhe Globale të Grave.
Jeta Berisha, koordinatore e projekteve në ArtPolis tregoi se këtë vit do të mbahen mbi 40 aktivitete në tri komuna të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë e Veriut dhe Ferizaj.

“Programi është mjaft i pasur dhe më shumë mesazhe të cilat do të barten te qytetarët. Ne shpresojmë që do të përmbushim atë që është temë aktuale në vendin tonë dhe do të mundohemi që së paku të ju sjellim sadopak argëtim dhe të shpalosim punën e të gjitha artisteve dhe aktivistëve”, tha ajo duke shtuar se ky edicion do të bëjë së bashku më shumë se 200 artiste dhe aktiviste.

FEMART – Festivali i Artisteve dhe Aktivisteve çdo vit angazhon me qindra artiste dhe aktiviste nga mbarë bota të cilat shfaqin punën e tyre kreative përmes: Shfaqjeve Teatrale, Filmave (dokumentar, filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë), Ekspozitave, Performancave, Koncerteve, Ligjëratave, Punëtorive, Paneleve të Diskutimeve dhe Prezantimeve të ndryshme në formë të artit.

Festivali fillon sonte në ora 21:15 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” me shfaqje teatrale “Trojanet”./ KultPlus.com

FemArt – festivali më i madh i Artisteve dhe Aktivisteve në Ballkan nis javën e ardhshme

FEMART është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh më i madhi në rajonin e Ballkanit duke filluar nga data 25-30 Maj do të shënoj vitin e gjashtë të organizimit. Ndryshe nga herët e kaluara, për shkak të interesimit të madh, FemArt këtë vit do të prezantojë programin e tij me më shumë se 40 aktivitete në tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe në Mitrovicën e Veriut.

FEMART – Festivali i Artisteve dhe Aktivisteve çdo vit angazhon me qindra artiste dhe aktiviste nga mbarë bota të cilat shfaqin punën e tyre kreative përmes: Shfaqjeve Teatrale, Filmave (dokumentar, filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë), Ekspozitave, Performancave, Koncerteve, Ligjëratave, Punëtorive, Paneleve të Diskutimeve dhe Prezantimeve të ndryshme në formë të artit.

Me moton TI UDHËHEQË, ne inkurajojmë qëndrueshmëri dhe solidaritet për gratë dhe burrat të cilëve ju shkelen të drejtat themelore për shkak të përkatësive të tyre etnike, racore, preferencave seksuale dhe pozitave shoqërore.

Programi artistik i Festivalit FEMART adreson: Të Drejtat e njeriut dhe Lëvizjet Feministe, Të Drejtat Seksuale dhe Shëndetin Ripordhues, Drejtësinë Tranzicionale dhe Ndërtimin e Paqes, Të Drejtat e Komunitetit LGBTQI+, Fuqizimin e Grave, Dhunën Kundër Grave, njëherë Promovon Storiet e Suksesshme Rajonale dhe Globale të Grave.

Festivali është një platformë për zhvillimin dhe paraqitjen e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave, si dhe për të shërbyer si urë lidhëse për ndërtimin e paqes dhe dialogut në rajon.

Ky edicion përkrahet nga Donatorët: Zyrja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Kvinna till Kvinna, Austrian Development Cooperation, UNFPA, CFD, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, Unë e Du Kosovën, UN Women, IPKO Foundation, Koalicioni K10, QKSGJ, Unicef Innovations Lab.

Bizneset përkrahëse: Frutti, Buçaj, Hotel International Prishtina, Union Caffe, Shok e Shoqe.

Përkrahësit Institucional: Biblioteka Kombëtare e Kosovës- “Pjetër Bogdani”, Teatri Dodona, Muzeu i Kosovës, KinoArmata, EU Information and Cultural Centre, Teatri Oda, Fakulteti i Arteve./ KultPlus.com

FemArt hapë thirrjen për edicionin e gjashtë

FemArt 6 – Festivali i Artisteve dhe Aktivisteve, zyrtarisht ka hapur thirrjen për aplikimin e pjesëmarrëseve për edicionin e 6-të.

Thirrja është e hapur nga data 06 shkurt deri më 30 mars 2018, ndërkaq me qindra artiste dhe aktiviste nga Kosova, rajoni dhe mbarë bota kanë aplikuar për të qenë pjesëmarrëse.

Festivali FEMART është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh edhe më i madhi në rajonin e Ballkanit që për katër vite radhazi ka bashkuar artiste dhe aktiviste nga mbarë bota në zemrën e Kosovës.

Qendra për Art dhe Komunitet – Artopolis, këtë vit organizon për herë të 6-të Festivalin FEMART duke filluar nga data 25-30 Maj, 2018 në qytetin e Prishtinës.

Festivali FEMART çdo vit angazhon mbi qindra artiste dhe aktiviste të cilët prezantojnë punën e tyre kreative përmes: Shfaqjeve Teatrale, Film Dokumentar, Filmit të Shkurtër, Leximeve skenike, Artit Vizual, Ekspozitave, Performancave, Koncerteve, Promovime Librash, Ligjëratave, Punëtorive, Paneleve të Diskutimeve dhe Prezantime të ndryshme në formë të artit.

Edhe këtë vit, me plot befasi, FemArt do ta bëjë javën e fundit të majit të paharrueshëm për artdashësit.

Ndërkaq thirrjen e plotë në gjuhën shqipe gjeni të bashkangjitur më poshtë:

THIRRJE PËR APLIKIM FEMART 6 / RUN THE SHOË FESTIVALI I ARTISTEVE DHE AKTIVISTEVE 25-30 MAJ 2018, PRISHTINË, KOSOVË FEMART është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh më i madhi në rajonin e Ballkanit që për pesë vite ka bashkuar artiste dhe aktiviste nga mbarë bota në zemrën e Kosovës. Si çdo herë tjetër, edhe këtë vit, Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, organizon për herë të 6-të Festivalin FEMART nga 25-30 Maj 2017 (6 ditë) në qytetin e Prishtinës. FEMART çdo vit angazhon qindra artiste dhe aktiviste nga mbarë bota të cilat shfaqin angazhimet e tyre kreative përmes: Shfaqjeve Teatrale, Filmit, Film Dokumentar, Film të Shkurtër, Leximeve Skenike, Artit Vizual, Ekspozitave, Performancave, Koncerteve, Promovime Librash, Ligjëratave, Punëtorive, Paneleve të Diskutimeve dhe Prezantime të ndryshme në formë të artit. Festivali është një platformë për fillimin dhe paraqitjen e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave si dhe urë lidhëse për ndërtimin e paqes në rajon. Programi do të përzgjidhet nga një grup i artisteve dhe aktivisteve profesionale të cilat kanë përvojë në fusha të ndryshme të artit dhe në njohjen e të drejtave të njeriut. Nëse jeni të interesuara që të prezantoni punën tuaj artistike në ndonjërën nga disiplinat e lartëpërmendura, ju inkurajojmë të APLIKONI! Aplikimet të dërgohen në [email protected] Aplikimi është i hapur nga data 06 Shkurt – 30 Mars 2018. Njoftim paraprak: Vetëm kandidatet e pranuara do të kontaktohen! Më shumë informacione mbi festivalin klikoni në vegzën: http://femart-ks.com/

Na gjeni edhe në Facebook: https://www.facebook.com/FemartPrishtina/

Forma e aplikimit:
https://docs.google.com/forms/d/1CNwLudJXJOEfvmnQkkRSt4HC4ezWaq_FmXq2EdiTSf0/edit