‘Ora e Shkrimtarit 2’ me mbrëmje letrare përkujton poetin e njohur, Enver Gjerqeku

Era Berisha

Krijimtaria letrare dhe jeta e poetit e profesorit të ndjerë, Enver Gjerqekut, dje u përkujtua në aktivitetin e dytë me radhë në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit 2” nga PEN Qendra e Kosovës të mbajtur në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast në këtë mbrëmje letrare, përveç mendimeve dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga të pranishmit, u recituan edhe poezi të autorit duke bërë që kjo mbrëmje të zhvillohej nën një frymë poetike e tejet të veçantë, shkruan KultPlus.

Fillimisht, moderatori Ibrahim Kadriu, nisi takimin letrar me fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e poetit e më pas edhe për fillet e  veprimtarisë së tij.

“Enveri i takon një gjenerate të hershme, një brezi të pasluftës së dytë botërore. Ai si student ka qenë edhe anëtar i redaksisë së revistës së parë në gjuhën shqipe që ka dalur si zëri i mëvonshëm i rinisë, e andaj që atëherë ai e tregon interesimin për shprehjen poetike duke botuar për herë të parë vjershën e tij të parë”, thotë Kadriu.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për aspektet e poezisë së Gjerqekut e për të shpalosur observimin në tërësinë e vlerave të veprës letrare të autorit, foli shkrimtari dhe ish-profesori në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi.

“Gjerqeku mbetet i ngjizur edhe me përjetimin e hershëm, i cili kthehet si reminishencë, ngase poezia e tij ka qenë pjesë e arsenalit letrar në librat shkollorë dhe në manifestimet publike shkollore, me të cilat breza të tërë jemi edukuar nga fusha e artit poetik, po të prezantuar edhe si ideologji. Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet se poezia e tij ka ushtruar një ndikim të dukshëm në edukimin letrar e jashtë letrar të njeriut shqiptar në Kosovë për decenie të tëra, ndoshta dhe më shumë nga ç’janë vlerat reale të vetë kësaj poezie. Në larminë e kontakteve të reja me këtë poezi, nuk mund të shmanget as përjetimi i një aspekti të saj tematik e ideor, i cili ka qenë si produkt i realitetit social e politik të kohës”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, disa nga poezitë e dy vëllimeve të para konceptohen si mjet i emancipimit arsimor e shoqëror, si mjet i afirmimit të revolucionit dhe ideologjisë së proklamuar të tij, me ateizmin si tharm ideologjik, etj. E po ashtu, tematizimi poetik i disa figurave dhe i disa ideve me prejardhje jashtë ambientit dhe historisë shqiptare, krahas tematizimit të figurave lokale të flijuara në revolucionin socialist, është konsideruar se ka të bëjë me jehonën e zhvillimeve politiko-sociale, të cilat synonin integrimin e shqiptarëve në një projekt ideologjik global.

“Poezia e Enver Gjerqekut, që nga vëllimi i parë, ‘Gjurmat e jetës’ e deri te ‘Flatrimi i fjalës’ dhe poezitë e botuara pas tij, identifikohet me një strukturë vargu stabil dhe me një leksik që krijon legjitimimin autorial. Po të shihen vargjet e poezisë “Agimi ynë” nga vëllimi i parë, dhe të krahasohen me vargjet nga vëllimi i fundit, (Duke kërkuar blerimin), është e qartë se ekziston një formë e përafërt e vargëzimit dhe madje edhe në planin leksikor është ruajtur afiniteti për një fond të caktuar, i cili poetit i jep mundësinë që të shpalos më mirë idetë e veta poetike”, thotë ai.

Për Krasniqin, duke u bazuar në planin leksikor dhe sintagmatik, konsiderohet se poezia e Enver Gjerqekut ka ndjekur një rrugë standarde, duke futur në mekanizmat e vargut fjalë e sintagma që shprehin drejt për së drejti një realitet social, psikik dhe ambiental, me ç’rast Gjerqeku nuk ka ndjekur rrymimet dhe eksperimentimet e kohës, po ka ndjekur logjikën e motiveve dhe temave të poezisë së vet.

“Poezia e Enver Gjerqekut dallohet me intonimin dhe strukturimin e saj specifik në poezinë shqip, duke qenë edhe një urë lidhëse e poezisë bashkëkohore me poezinë e traditës, së paku në formë dhe në disa elementë leksikorë e konceptual. E lexuar pa ngarkesa për autorin dhe ambientin politiko-kulturor, sot kjo poezi shpalos vlerat e saj me një diskrecion që është tipar i saj”, përfundon Krasniqi.

Tutje, profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota foli rreth krijimtarisë poetike të Gjerqekut, duke e cilësuar poetin si autorin më reprezantiv të sonetit në poezinë e sotme shqipe.

“Vepra e Enver Gjerqekut është e pranishme afër gjysmëshekulli në letërsinë shqipe. Poet i cili shquhet me ndjeshmërinë e veçantë poetike, me lirizmin, tematikën dhe motivet e poezisë së tij, Gjerqeku ka arritur të ruajë natyrën dhe vokacionin e verbit të tij poetik, që nga fillimet krijuese e deri më sot. Poezia e tij është nxitje frymëzimi nga situatat intime, sociale, historike, kombëtare. Nga temat sociale, kalon furishëm te preokupimet intime, ndërsa nga historia te aktualiteti. Në fillimet e tij krijuese, esenciale qe përmbajtja e poezisë, pra vetë tema”, thotë Bashota.

Sipas tij, Gjerqeku kërkon formën e përsosur poetike, për të ndërtuar gjuhën, stilin, figurën në një pozicion të ri krijues, dhe në këtë mënyrë për të krijuar një vetëdije të re shkrimore, me ç’rast gjuha e tij poetike e ushqyer me metafora magjike e magjepsëse, pra e funksionalizon, formën e re të shkrimit të tij: sonetin dhe kurorën sonetike, për të krijuar një ndërlidhje edhe me traditën më të avancuar poetike shqipe.

“Në ligjërimin e tij poetik, brenda një procesi dinamik, strukturohet forma dhe përmbajtja, me ç’rast krijohen varacione poetike shumë të fuqishme, të cilat bartin mesazhe domethënëse, duke e racionalizuar gjithmonë mendimin dhe duke disiplinuar gjithmonë gjuhën. Këto veçori shihen në relacione kuptimore përbrenda pikëshikimit: frymëzim-gjuhë figurë-komunikim. Këso mënyre, përbrenda botës së vet poetike, Gjerqeku e hulumton dhe e formëson kategorinë e së bukurës dhe kategoritë tjera estetike. Prandaj, ligjërimi i tij poetik krijon imazhe dhe struktura të veçanta gjuhësore e stilistike, qoftë përmes vargut të lirë, qoftë përmes vargut ritmik e të rimuar”, thotë Bashota.

Për Bashotën, shprehja poetike e Enver Gjerqekut duket se krijon një koncept vetanak krijues, aty ku motiv inicial i frymëzimit bëhet njeriu, aty ku buron fjala magjike për jetën, pikërisht aty poeti e shpalos aventurën e tij shpirtërore e krijuese, duke e zgjuar fshehtësinë e fjalës, dinamikën e dhembjes, fuqinë e shprehjes poetike.

“Poeti Enver Gjerqeku i kërkon dhe i gjen zgjidhjet simbolike të poezisë së tij. Pikërisht, që nga titujt e librave të tij poetikë funksionalizohet domethënia e tekstit lirik. Po ashtu, në poezinë e Enver Gjerqekut sublimohen tema dhe motive që e kapërthurin një realitet të formësuar në relacione historike dhe aktuale. Përbrenda laboratorit të tij krijues frymon historia, identiteti, e sotmja. Dhe pikërisht poezia-përkushtim bëhet model i kërkimit, i konceptimit dhe i realizimit krijues. Poezia e këtij autori e ka ndërtuar një kod ligjërimor sa i përket formave poetike sonetike. Ky kod ligjërimor rezulton deri tek konstatimi se Gjerqeku është autori më reprezantiv i sonetit në poezinë e sotme shqipe”, përfundon Bashota.

Në këtë mbrëmje letrare, patjetër se nuk do të mungonte as edhe atmosfera poetike, që erdhi nën recitimin e gjithsej tri poezive të Enver Gjerqekut të interpretuara nga studentja e letërsisë shqipe, Edlira Musliu, e cila para publikut me një qëndrim preciz e zë të ëmbël, solli poezitë e titulluara “Dhoma e poetit”, “Syri i Pranverës” si dhe “Dilema e këngës”.

Krejt në fund, të pranishmit vazhduan bisedimet e tyre të mëtutjeshme nën praninë e dritave të ngrohta të vendosura anash bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery.

Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si: Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës nesër në mbrëmje përkujton Adem Demaçin

PEN Qendra e Kosovës e vazhdon aktivitetin e vet kultuor kushtuar figurave të ndjera letrare të vendit. 

Në kuadër të këtij aktiviteti, me projektin “Ora e shkrimtarit”, nesër, 19 tetor, në Cafffe galerinë Kultplus, PEN Qendra e Kosovës organizon një mbrëmje përkujtimore për shkrimtarin dhe simbolin e rezistencës kombëtare Adem Demaçi.

Për figurën dhe veprën e Demaçit do të flasin Avni Spahiu dhe Haqif Mulliqi. Mbrëmjen e udhëheq Ibrahim Berisha..

Aktiviteti fillon në orën 17.00.

Në vazhdim të aktiviteteve kulturore të PEN Qendrës së Kosovës janë paraparë edhe tetë mnbrëmje të tjera kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Ibrahim Rugova, Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Projektin “Ora e shkrimtarit” të PEN Qendrës së Kosovës e përkrah Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës nis sot me aktivitete kulturore në kujtim të shkrimtarëve të ndjerë

PEN Qendra e Kosovës, nis sot aktivitetet kulturore të cilat do të zhvillohen gjatë muajit tetor e nëntor të këtij viti. Aktivitetet vijnë me qëllim përkujtimin e disa emrave që kanë lënë gjurmë jo vetëm në letrat shqipe në Kosovë.

Në kuadër të projektit të vet “Ora e Shkrimtarit”, PEN Qendra e Kosovës përmes kumtesave, punimeve studimore e të debateve, do të përkujtojë veprimtarinë letrare dhe veprimtaritë tjera të shkrimtarëve të ndjerë: Esat Mekuli, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj,Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Për veprën letrare të këtyre autorëve të ndjerë do të flasin: Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Avni Spahiu, Sali Bashota, Anton Berishaj, Osman Gashi, Naime Beqiraj, Rrahman Paçarrizi, Ibrahim Kadriu, Agron Gashi, Gëzim Aliu, Adil Olluri, Flamur Maloku, Qibrije Demiri, Lindita Tahiri, Haqif Mulliqi dhe Binak Kelmendi.

Të gjitha aktivitetet kulturore do zhvillohen në KultPlus Caffe Galeri dhe ato fillojnë në orën 17:00. 

Aktiviteti i parë kulturor i cili mbahet sonte, i kushtohet poetit Esat Mekuli.

Projektin “Ora e shkrimtarit” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Pas përfundimit të aktiviteteve, PEN Qendra do të botojë librin përmbledhës me kumtesat e autorëve dhe me punime letrare të shkrimtarëve të përkujtuar në këtë aktivitet kulturor./ KultPlus.com