Bllacë dhe Vërmicë 1999

Xhevdet Bajraj

Bllacë 1999

Treni ulërinte për në kufi
bora shkrihej në majat e gjinjve të grave
zjarri ngrihej në sytë e burrave

Pranë rrugës
një tufë e luleve të egra kosovare
vyshkej në dorën e këputur të vashës

Mbi copërat e mozaikut të atdheut
ecej nëpër fijen e hollë të çmendjes
ca pleq bartnin fëmijët
ca fëmijë bartnin pleqtë mbi shpinë

Kur binte shi në Bllacë
njerëzit mbështilleshin
me grahmat e vdekjes

Dielli i ferrit
lindte a perëndonte

VËRMICË 1999 / KultPlus.com

Greva

Poezi nga Xhevdet Bajraj.

Të jesh njeri
në zemrën e të cilit jetojnë
kaq shumë të vdekur
dhe të vazhdosh përpara
të hidhesh nga guri në gur
të kapërcesh lumin
duke e lënë në bregun tjetër
jetën
dhe të shkosh ta takosh autorin
e këtij tregimi horror
epo jo 
falëmnderit shumë
më duket shumë më e shëndetshme
të mos lëviz fare nga shtrati

“VITET QË NUK E SOLLËN PRANVERËN”, De Rada, 2018, Ferizaj

Fëmija i talentuar

Poezi e shkruar nga Xhevdet Bajraj.

Djali gjashtëvjeçar vizaton thika
gra pa koka
burra të varur në ura
dhe trupat e larë në gjak nëpër rrugë

Unë nuk shoh asnjë arsye për t’u shqetësuar
ky djalë nesër do të jetë një kompozitor i madh
i muzikës funerale
shitës i automjeteve funerale dhe i luleve plastike
një xhelat
ose kryetar i sindikatës së xhelatëve
tonë

“Lëngu i trëndafilave”, KOHA, 2017

Takimi pas njëzet vitesh

Poezi e shkruar nga Xhevdet Bajraj

Në qorrsokakun e përgjakshëm

ku e vranë foshnjën e sapolindur

dhe babanë e saj

u desh të kalojnë 20 vjet

për t´ia gjetur eshtrat

e për t`ia dhënë nënës së vet

Ajo sapo i mori eshtrat në dorë

i afroi tek gjiri i saj

Më paska pritur

a

se nuk qenka rritur fare tha

e buzëqeshi

mu para se të hapej toka

e ta përpinte

“Vitet që nuk e sollën pranverën”, De Rada, Ferizaj, 2018

Rruga tjetër e kthimit

Poezi e shkruar nga Xhevdet Bajraj.

Një fëmijë me një lugë të varur në qafë
del nga përralla dhe hyn në realitetin tonë
dhe me lugë han pakëz jetë shpejt e shpejt
e shpejt e shpejt kthehet në përrallë
para se vrasësi ta ketë shpikur
një rrugë tjetër të kthimit në shtëpi
një peizazh tjetër
në të cilin fëmija do të rrëshqiste
në gjakun e vet të derdhur

“VITET QË NUK E SOLLËN PRANVERËN”, De Rada, Ferizaj, 2018

Bojken Lako dhe Xhevdet Bajraj bashkojnë forcat për Festivalin e RTSH-së

Bojken Lako vjen në edicionin e 57-të të Festivalit të Këngës me “Jeto jetën”.

“Kam sjellë një këngë që nuk është stil festivali. Është hera e parë që marr pjesë me një këngë të thjeshtë, të pa ngarkuar me tendenca.” – tregon Lako për “Mirëmëngjes Shqipëri”.

Muzikën, Bojkeni e ka realizuar vetë, ndërsa tekstin ja ka besuar poetit Xhevdet Bajraj. Por si erdhi ky bashkëpunim?

“Mendova të bëja diçka me profesorin Xhevdet Bajraj, të cilin kam patur fatin ta njoh personalisht. I kërkova të bënim një këngë me një tekst të tij.” Ky bashkëpunim ndodhi. “Jeto jetën” është një këngë dashurie. “Është një këngë që i kushtohet ndjesisë së puthjes së parë, gjërave naive dhe të pastra në marrëdhënien mes dy njerëzve.” – shpjegon Bojkeni.

https://www.youtube.com/watch?v=jHFRUt4UvSk

I pyetur në lidhje me prezantimin e këngëve përpara festivalit si në vitin e kaluar, kantautori ka një përgjigje: “Transmetimi i këngëve më herët nuk më pëlqen sepse humbet kurioziteti se çfarë do të sjellë një artist në festival.” Bojken Lako e ka prekur për herë të parë skenën e Festivalit të Këngës në vitin 1999, duke u prezantuar me krijime të veçanta siç është dhe ajo e këtij viti, një këngë pop – new R&B. / KultPlus.com

Kur situata politike bëhet e keqe

Poezi e shkruar nga Xhevdet Bajraj.

Kur situata politike bëhet e keqe
gëzohuni
sepse ka mundur të jetë edhe më e keqe
anipse me aktorë të njëjtë
me role të njëjta
në të njëjtin teatër
vetëm maskat do jenë të ndryshme
ose do të jenë të njëjtat por do t’i bartin njerëz të tjerë
Mund të ndodhë që ekipi muzikor të jetë tjetër
por muzika do të jetë e njëjtë
në fund të fundit
ata që duan të duartrokasin le të duartrokasin
por skena politike s’do të jetë asgjë më shumë se skenë
me regjisorin dhe ekipin e tij në rreshtin e parë
derisa pronarët e vërtetë të teatrit
ata që e ndalojnë publikun të pështyen gjak në dysheme
do të vazhdojnë të flenë në ballkonet për VIP-a
me fytyrat e tyre që vizëllojnë
nga djersa a dhjami nuk ka rëndësi