Teoria e Relativitetit, revolucioni në fizikë i Ajnshtajnit

Më 30 qershor 1905, Ajnshtajni botoi teorinë e tij mbi Relativitetin.

Një prej zbulesave më tronditëse të shkencës kremton sot 118-vjetorin. Kjo teori derivon prej dy përfundimeve revolucionare, që kanë shënuar pakthim të kuptuarit të universit dhe të gravitetit.

Sipas tyre, hapësira dhe koha janë të lidhura dhe kanë bashkarisht një karakter relativ. Hapësira dhe koha nuk janë absolute dhe për rrjedhojë, mund të pësojnë deformime. Në këtë kuptim, ekuacioni i Ajnshtajnit sugjeronte që graviteti të mos konsiderohej më si një forcë e ushtruar në distancë, por si një veti gjeometrike e raportit hapësirë-kohë.

Teoria e relativitetit të Ajnshtajnit ka bërë të mundura shumë teknologji të reja. Një botë pa relativitet do të ishte një botë pa televizorë me tuba e rreze katodike, armë radar, sistemin e pozicionimit global (GPS) dhe më shumë.

Teoria e Ajnshtajnit ripërcaktoi kuptimin njerëzor të hapësirës, ​​kohës dhe gravitetit dhe ndryshoi jetën tonë të përditshme, duke përfshirë elektronikën moderne, energjinë bërthamore dhe navigimin GPS.

Vetë Ajnshtajni ka thënë se, “Njerëzit si ne që besojnë në fizikë e dinë se dallimi midis së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes është vetëm një iluzion i vazhdueshëm”. Me pak fjalë, për shkencëtarin, koha është iluzion. Shumë fizikanë që atëherë kanë ndarë këtë pikëpamje, se realiteti i vërtetë është i pakohë./KultPlus.com

Toka mbi pemë

Poezi nga Ibrahim Berisha

Toka mbi pemë

As nuk di pse
Toka hipur mbi pemë
Më duket vetëm pyll

Por, mund t ‘ju them
Sërish disa hije
Kohë mbas kohe
Rriten në barë
Më lartë se retë

Është e shtunë
Pa rrugë sipër ikjes
Copat e ajrit
Përsëri si zogj

Ndërkohë nuk e di
A ekziston më
Dikush që do të vijë ndonjëherë./KulPlus.com

Java spanjolle, sonte koncerti i madh në Tiranë i këngëtarit Enrique Iglesias

Tirana po bëhet gati për të përjetuar një natë të paharrueshme mbrëmjen e sotme.

Kryeministri Edi Rama ftoi sot qytetarët t’i bashkohën koncertit të madh në sheshin “Skënderbej” të këngëtarit të njohur botëror të muzikës latine Enrique Iglesias, në nisje të Javës Spanjolle.

Ylli spanjoll i muzikës latine dhe pop, Enrique Inglesias, do të performojë për herë të parë para publikut shqiptar, në sheshin ‘Skënderbej’, mbrëmjen e sotme.

Këngëtari Enrique Iglesias do të hapë kështu edhe Javën e Kulturës Spanjolle.

Koncerti do të nisë në orën 21:30 dhe do jetë një mbrëmje e paharrueshme. Shitja e biletave bëhet në faqen zyrtare backstage.al dhe fizikisht në info point në “Sheshin Italia” dhe në Sheshin “Skënderbej”, si dhe njëkohësisht në sportelin e Teatrit të Operës dhe Baletit, që vazhdon të jetë i hapur.

Enrique Iglesias është një nga artistët më të mëdhenj spanjollë, që u bë i njohur në mbarë botën në fillin e viteve ’90 dhe më pas karriera e tij ndërkombëtare u zgjerua në mbarë globin me këngë si “Bailamos”, “Rhythm Divine”, duetin me Whitney Houston “Could i have this kiss forever”, për të vijuar me hite si “Turn the night up”, “Heart Attack” e deri vitet e fundit me shumë bashkëpunime dhe këngë si “Duele el Corazon” dhe “Subeme la Radio” që me siguri do të këndohen në kor edhe në sheshin “Skënderbej”.

Ai është një nga këngëtarët spanjollë me albumet më të shitura në botë. Iglesias numëron më shumë se 70 milionë disqe të shitura. Në vitin 2016 Iglesias është cilësuar nga Billboard si mashkulli më i suksesshëm i të gjitha kohërave në club dance style./KultPlus.com

‘National Geographic’ pushon nga puna të gjithë autorët e shkrimeve

Revista ”National Geographic” pushoi nga puna të gjithë autorët e shkrimeve të saj duke e lënë revistën e nderuar dhe të vlerësuar në të gjithë botën edhe me çmime ndërkombëtare, që të menaxhohet nga redaktorët dhe profesionistët e pavarur.

Gjithsej u pushuan nga puna 19 autorë shkrimesh, përfshirë edhe departamentin e vogël audio të revistës.

”Atyre u ishte thënë në prill se do të shkurtoheshin”, raportoi ”Washington Post”.

Pushimet nga puna janë të fundit në një seri shkurtimesh të botimeve të teknologjisë dhe mediave këtë vit.

Vetë autorët e shkrimeve e postuan lajmin në Twitter duke u fokusuar në ecurinë që kishin pasur.

”Sapo përfunduam filmin tim të ri National Geographic…, të gjashtëmbëdhjetin dhe të fundit si autor shkrimesh”, shkroi Craig Welch, vepra e vlerësuar me çmime e të cilit ka zbukuruar shumë kopertina dhe ka hedhur dritë mbi çështjet urgjente mjedisore.

”National Geographic’ po pushon autorët e tij, përfshirë mua. Kanë qenë pesë vite të mrekullueshme – një nder dhe një gëzim. Jam shumë krenar për punën që unë dhe kolegët e mi kemi bërë këtu”, shtoi ai në Twitter.

Në pronësi që nga viti 2019 nga ”Walt Disney”, revista kronikë prej 135 vitesh e botës natyrore, ka parë një sërë shkurtimesh të vendeve të punës në vitet e fundit, përfshirë një pushim të paprecedentë të gjashtë redaktorëve kryesorë shtatorin e kaluar./KultPlus.com

Historia e ‘Marsejezës’, himnit të Francës

Më 30 qershor të vitit 1792 në Paris, këndohet për herë të parë Marsejeza, si këngë lufte.

Konventa e miratoi atë si himnin kombëtar më 14 korrik 1795; e humbi këtë status nga Napoleon Bonaparti, vetëm për t’iu rikthyer pak kohë pas Revolucionit të korrikut të vitit 1830.

Pastaj “Marsejeza” u njoh si himn i lëvizjes revolucionare ndërkombëtare nga Komuna e Parisit në vitin 1871.

Tetë vjet më vonë u rishpall himn kombëtar i Francës dhe vazhdon të jetë. / KultPlus.com

William Shakespeare: Dashuria e vërtetë fillon kur jemi të gatshëm të japim gjithçka pa kërkuar asgjë

Më poshtë gjeni disa nga shprehjet e autorit William Shakespeare:

Mungesa jote ndihet më shumë se prania e kujtdo tjetër.

Frikacakët vdesin mijëra herë, ndërsa guximtarët e provojnë shijen e vdekjes një herë të vetme.

Sa më e bukur paraqitja, aq më i thellë mashtrimi.

Duaji të gjithë, besoju pak vetave e mos i bëj keq njeriu.

Ka ç’të thotë luani, kur përreth tij ka veç gomerë që pëllasin.

Dashuria e vërtetë fillon kur jemi të gatshëm të japim gjithçka pa kërkuar asgjë.

Shumë zhurmë për asgjë.

Nuk ke ç’të zgjedhësh mes mollëve të kalbura.

Porsi rrezet e një qiriu të vogël që mbërrijnë larg në errësirë, ashtu në një botë të ligë ndriçon një vepër e mirë.

Është gjë e mirë të zotërosh një forcë gjigantësh, por është tirani nëse e përdor si gjigant.

Fatkeqësia i bën njerëzit ta ndajnë shtratin me partnerë të çuditshëm.

Nëse dikush do të bënte një vit pushim, argëtimi do të ishte po aq stresues sa puna.

Unë e konsideroj botën për atë që është: një teatër ku secili duhet të recitojë pjesën e tij.

Poezia më e vërtetë është ajo më fallcoja.

Për të njohur mirë të tjerët duhet më parë të njohësh vetëveten.

Njerëzit ia mbyllin derën në fytyrë një dielli që perëndon.

Asnjë virtyt nuk mund të krahasohet me nevojën.

Kush më vjedh kuletën, më vjedh diçka pa rëndësi. Paratë ishin të miat, u bënë të tijat, kanë qenë skllave edhe të shumë të tjerëve; por kush më merr nderin, më vjedh diçka që atë vetë nuk e pasuron, por mua më le më të vërtetë të varfër.

Ndarja është një dhimbje kaq e ëmbël saqë do të të thoja natën e mirë deri në mëngjes.

Jeto për të qenë mahnia dhe admirimi i kohës sate.

Mjerimi nuk vjen vetëm si pararojë, por i shtrirë si batalion.

Miqësia është besnike në gjithçka, përveçse në ndere dhe në çështje dashurie.

E kush është ai që vdes pa marrë me vete edhe një shkelm, dhuratë të një miku?

Të paktë janë ata që dëshirojnë të dëgjojnë për mëkatet që u pëlqen të bëjnë.

Po të trajtohej çdokush sipas meritës, kush do t’i shpëtonte kamxhikut?

Budallai beson se është i mençur, ndërsa i mençuri e di fort mirë që është budalla.

Fama është si rrethi i ujit që zgjerohet gjithnjë, derisa si rrjedhojë e zgjerimit, shpërbëhet në asgjë.

Çfarë ne quajmë trëndafil, do të mbante të njëjtën aromë të këndshme edhe me një emër tjetër.

Komedianët nuk janë të aftë të mbajnë sekrete, tregojnë çdo gjë.

Mjafton vetëm bukuria për të joshur sytë e njerëzve, pa nevojën e oratorëve.

Jeta është si një përrallë e trilluar nga një i çmendur: plot mahni e vrull, por pa domethënie.

I çmendur është njeriu që i flet hënës. I pamend, njeriu që nuk ia vë veshin.

A nuk e di që jam femër? Kur mendoj duhet të flas.

Fatkeqësia bën që një orë të duket e gjatë sa një ditë.

Jemi të bërë nga e njëjta substancë me ëndrrat.

Ne mund t’i mbyllim hesapet me të shkuarën, por e shkuara s’i mbyll hesapet me ne.

Nuk ka pasur kurrë një filozof që të mund të duronte dhimbjen e dhëmbëve qetësisht.

Çdokush mund të durojë një dhimbje, përveç atij që e ka.

Nëse nuk mban mend që dashuria të të ketë shtyrë të bësh as çmendurinë më të vogël, atëherë nuk ke dashuruar kurrë.

Dashuria është e verbër dhe të dashuruarit nuk mund të shohin çmenduritë e ëmbla që ata bëjnë.

Çmenduria është si dielli që shëtit të gjithë botën dhe nuk ka vend ku nuk ndriçon.

Bukuria i tundon hajdutët më shumë se ari.

Brishtësi, emri yt është femër.

Jepja gjithkujt veshin tënd, por pakkujt zërin tënd.

Çdo ankth që tani duket vdekjeprurës nuk krahasohet me të humburit ty./KultPlus.com

Gruaja e vetme lahutare e Malësisë mahnit Festivalin e Gjirokastrës: Po pakësohemi, po shkojmë drejt zhdukjes

Lumturije Nonaj ka gjithë jetën e saj që luan në lahutë. Familja e saj është një familje lahutarësh dhe së bashku me vëllezërit Lumturija ka qenë pjesë e shumë festivaleve nder vite. Që e vogël ka shoqëruar në skenë xhaxhain, mjeshtrin lahutar Gjok Nonaj, i ndarë nga jeta 5 vite më parë.

Dalja e fundit e tij në skenë ka qenë në edicionin e fundit të këtij festivali, në vitin 2015, kur ai ishte 107 vjeç dhe ishte folkloristi më i moshuar i Festivalit. Një kujtim nga skena me axhën e ka gjithmonë ne lahutë. Sot Lumturija është e vetmja grua lahutarë ne gjithë veriun, por ndërsa nuk mungojnë përpjekjet për autenticitetin e lahutës dhe ruajtjen e saj si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, numri i lahutarëve ne Malësinë e Madhe numërohet me gishtat e një dore. Lumturija jo pak e trishtuar thotë se nuk ka me shume se 5 lahutarë, dhe kjo sipas saj, për shkak se të rinjtë nuk kanë interes për të mësuar lahutën. Fëmijët e saj, dhe nipërit janë ne emigrim dhe kane interes për futbollin dhe botën e teknologjisë.

Lahuta përfaqëson mjetin më të lashtë të veglave kordofone me hark të kontinentit evropian. Dikur, shtëpia pa lahutë quhej “shtëpia e lanun”. Ishte turp për malësorin të mos e kish një pushkë e një lahutë. Kulti i lahutës në familjen shqiptare është i përhapur, ashtu siç ekziston një respekt shenjtërues për këngët e kreshnikëve. Lahutarët i këndojnë këto këngë në dasma, në gazmende, në festa dhe në raste të tjera, si dhe në mbrëmje, kryesisht gjatë stinës së dimrit./ballkanweb/KultPlus.com

Fshati turistik i Voskopojës, një nga destinacionet më tërheqëse

Fshati turistik i Voskopojës në Korçë mbetet një nga destinacionet më tërheqëse për turistët vendas e të huaj.

Investimet e kryera në Voskopojë kanë bërë që të ngrihen një sërë sipërmarrjesh familjare, falë edhe mbështetjes së qeverisë përmes Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e administratores së bujtinës “Vila Strugu”, Bruna Sheno, e cila vlerëson ndër të tjera mbështetjen e marrë përmes programit IPARD II.

“‘Vila Strugu’ në fshatin e mrekullueshëm të Voskopojës, e mbështetur nga programet e qeverisë nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, AZHBR përmes programit IPARD II, është një nga destinacionet që vlen ta vizitoni këtë verë”, shkruan Rama.

Nga ana e saj, Sheno u shpreh se bujtina është ndërtuar nga e para dhe është ruajtur tradita në çdo element të punimeve.

Agroturizmi po merr gjithnjë e më shumë zhvillim në zona të ndryshme turistike të vendit përmes bujtinave të ngritura. Transformimi i zonave rurale në peizazhe tërheqëse, ka nxitur krijimin e agroturizmit, si një model i ri i zhvillimit rural në Shqipëri.

Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit./atsh/KultPlus.com

Veç muj me t’dashtë ashtu siç je

Poezi nga Jorge Luis Borges

Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës
s’kam përgjigje për dyshimet as për ndërdyshjet e tua
veç mundem me t’ndigjue e gjithçka me nda me ty…

Jo, unë s’mundem me e ndryshue
as t’shkuemen e as t’ardhmen tande
por n’se asht nevoja pranë vedit m’ke gjithnji

S’mundem me i shmangë teposhtat e tua,
veç dorën mundem me ta shtri e me të mbajtë mos me u rrzue
Gëzimi yt, fitoret e tua, triumfi yt
vërtet s’janë të miat
po shpirti më gëzon i tani kur t’shoh me flatra

S’gjykoj vendimet e marra n’jetën tande
po me të mbështetë e ndjej detyrë,
me të nxitë e me të ndihmue nëse ti më pranon!

S’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh,
veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë
që ti t’naltohesh

S’mundem me ta shmangë as vuejtjen tande,
kur ndonji ndëshkim zemrën ta lëndon,
po mund t’përlotem me ty, e me i rimbledhë bashkë
krejt gastaret e nji shpirti t’thyem e me rinis nga e para

S’mundem me t’thanë as kush je, as kush duhet të jesh,
veç mundem me të dashtë njashtu siç je
dhe me mbetë përjetë Miku yt…

(Përkthyer nga Jozef Radi) /KultPlus.com

Nata e pestë e Festivalit të Gjirokastrës, artistët e Shkodrës dhe Fierit ngjiten në skenë

Kryeministri Edi Rama ndau mbrëmjen e sotme pamje nga nata e pestë e Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër.

“Artistët që sollën vlerat e traditës muzikore të Shkodrës e Fierit, u ngjitën në skenë në natën e pestë magjike të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Gjirokastra muzeale e traditave dhe kulturës shekullore, po mikpret prej disa ditësh Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili është rikthyer pas 8 viteve nën simbolikën e valltarëve të lidhur dorë për dore, në Kalanë e gurtë, të zbukuruar dhe gjallëruar në këtë natë, si kurrë më parë nga ngjyrat, motivet, ritmet, këngët e vallet e gjithë krahinave të Shqipërisë.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës 2023, ngjarja që bën bashkë ngjyrat e bukura të folklorit shqiptar, do të mbahet për 8 net në kalanë e Gjirokastrës në një skenë të hapur për të gjithë dhe do të aksesohet falas.

Festivali po zhvillohet në Kalanë e Gjirokastrës, e shndërruar në zemrën e Festivalit, me vizitorë të shumtë, artistë popullorë, artizanë, si dhe artëdashës të të gjitha moshave, të mbledhur së bashku për të shijuar një nga eventet më të mëdha të muzikës dhe valles tradicionale shqiptare, një ekspozitë e bukur e trashëgimisë kulturore jomateriale./atsh/KultPlus.com

‘Ai që hap një shkollë, mbyll një burg’

Shprehje të papërsëritshme nga Viktor Hygo.

“Muzika shpreh atë që nuk mund të thuhet, dhe për të cilën nuk mund të heshtësh.”

“Kur një grua është duke të folur, dëgjo atë që po thotë me sytë e saj.”

“Djalë, vëlla, baba, i dashur, shok. Ka hapësirë në zemër për të gjitha dashuritë, ashtu sikurse ka hapësirë në qiell për të gjithë yjet.”

“Jeta është lulja, për të cilën dashuria është mjalti.”

“Iniciativa është të bësh gjënë e duhur, pa ta thënë kush.”

“Kur diktatura është fakt, atëherë revolucioni bëhet një e drejtë.”

“Një ferr inteligjent, do të ishte më mirë se sa një parajsë idiote.”

“Ndrysho mendimet, por mbaju parimeve; ndrysho gjethet, por lëri të paprekura rrënjët.”

“Buzëqeshja e gëzimit është më pranë lotëve, se sa të qeshurës.”

“40 është mosha e vjetër e rinisë; 50 është mosha e re e pleqërisë.”

“Shpirti ka iluzione, ashtu si zogu që ka krahë; ai mbahet pas tyre.”

“Reagimi – një varkë që shkon kundër rrymës, por që nuk e pengon rrymën të vazhdojë të rrjedhë.”

“Ka baballarë që nuk i duan fëmijët e tyre. Por nuk ka asnjë gjysh që nuk e adhuron nipin e tij.”

“Qëndresa – sekreti i të gjithë triumfeve.”

“Kurioziteti është një prej formave të guximit femëror.”

“Ka një spektakël më të madh se sa deti, dhe ai është qielli; ka një spektakël më të madh se sa qielli, dhe ai është brendia e shpirtit të njeriut

“Për të krijuar të ardhmen, nuk ka asgjë më të mirë se sa një ëndërr.”

“Kafsha është injorante për faktin që di. Njeriu është i vetëdijshëm për faktin që është injorant.”

“Njerëzimi nuk është një rreth me një qendër, por një elips me dy pika qendrore, nga të cilat faktet janë njëra dhe idetë tjetra.”

“Shpresa është fjala që Zoti e ka shkruajtur në ballin e çdo njeriu.”

“Trishtimi është një frut; Zoti nuk e vendos atë mbi degë që janë shumë të brishta për ta mbajtur.”

“E qeshura është Dielli që dëbon dimrin nga fytyra e njeriut.”

“Shoqëria është një republikë. Kur një individ përpiqet të ngrihet mbi të tjerët, ai ulet poshtë prej masës, ose përmes talljes, ose përmes shpifjes.”

“Sa herë që një mik të thotë që dukesh i ri, të jesh i sigurtë se po plakesh.”

“Askush më mirë se një grua, nuk di të thotë gjëra që janë njëkohësisht të buta dhe të thella.”

“Ai që hap një shkollë, mbyll një burg.”

“Çfarë është historia? Një jehonë e të kaluarës në të ardhmen; një refleks i të ardhmes në të kaluarën.”

“Asgjë tjetër në botë… as edhe të gjithë ushtritë, nuk janë më të fuqishme se sa një ide, të cilës i ka ardhur koha.”

– Victor Hugo /KultPlus.com

“Ç’më kujton kaq shpesh mor djalë, lemzë or lemzë më ler të qetë'(VIDEO)

Ikona e këngës shqiptare Vaçe Zela, lindi më 7 prill 1939, me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.

Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut dhe muzikës shqiptare, zërin e saj të artë.

Sonte KultPlus ua sjell tekstin dhe videon e këngës ‘Lemza’:

O ra zilja m’nisi frika
msusi hyri në mësim
dhe në vend si s’më ra pika
Kur ai thirri emrin tim.

Unë asnjë fjalë s’kisha mësuar
Se mbrëmë në takim isha me ty
Po nisi lemza e bekuar
Në d’rrasë të zezë shihja dy sy.

Ohoho mos më ngacmo
Ohoho se me mundon ooo
Tralalala…

Ç’më kujton kaq shpesh mor djalë
Lemzë or lemzë më ler të qetë
Është turp i madh kur s’di një fjalë
Edhe lemza kisha mbet.

M’ lerë moj lemzë se mbarova
Çdo mësim unë ta mësoj
Po të jap fjalën po kalova
Në takim më shpesh do shkoj.

Ohoho mos më ngacmo
Ohoho se me mundon ooo
Tralalala…

Por lermë moj lemzë se mbarova
Çdo mësim unë ta mësoj
Po të jap fjalën po kalova
Në takim më shpesh do shkoj

Në takim më shpesh do shkoj
Në takim më shpesh do shkoj./ KultPlus.com

‘Në mos u shove fare, ndizu, zemra shqipëtare’

Poezi e shkruar nga Faik Konica

Vajtim për robëri të shqiptarëve

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!

Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni! / KultPlus.com

Gjuhës Shqipe

Poezi nga Ernest Koliqi

Lshon amë ilire n’gojë agimesh s’vjetra
Ndo ‘i fjalë e jote than’ vetimeveti,
O gjuhë e folun n’botë ende ferishte
S’cilës Mayeri në të censhmet letra
Rraj’t e mshefuna n’mot nuk mund ia gjeti
As n’t’folun t’Cezarve as n’helenishte,
Përse Athina s’kishte
Emën as Roma, kur e rrept ushtove
Ndër vepra katallajsh qi npër jehona
Vigma t’fuqishme qitshin hove-hove,
Tue ndërtue ledhe përmbi troje t’ona.

Kuturesat e hyjit npër gjeth lisi
N’Dodonën shejte prifti, qi n’përgjime
Natën e ditën rrinte atje përdore,
Porse ndo ‘i fllad pullnaje kundalisi,
Ndoshta me fjal’t e tueja i dha heshtime
T’perfrigueshme qi mbluen t’parat therore:
Ndoshta ndo’ i buz’ hyjnore
N’at mot qi zota shpesh përbujte toka
Shqiptoi kto fjal’ qi ne mbi goj’ na shkrefen;
Me ty hyjneshat ndoshta npër kto boka
Ndonjij biri njeriu dashnin ia shprefen.

Mbi anija t’shpejta velat nde kah preja,
Qi urdhni i Teutës niste nen hyj ari
Me msy t’Helenit barkat tregëtuese
Ngarkue me ar e kem e skllave t’reja,
Ty t’këlthitte n’timue anijetari
Tue i ra me kiç ilir pupës bishtnuese;
E përmbi val’ shkëmbuese
Ti jehojshe ndër hymnet e ngadhnjimit
Kur, me plaçkat e rrmbyeme mbrend’ stivue,
U afrojshin n`breg anijat prej agimit,
Mbretneshës s’detit pret me i a dhurue.

Mysteri i vjetër qi mbërthen fjal’t t’ueja,
Zanin na e dridh’ me nji kreni t’pashoqe,
O gjuhë e folun për trimij pranvera,
E tok na mbajte ndër pushtime t’hueja
Sepse prej gojve arbnore nuk u hoqe
As kur u ndam n’besime e doke tjera;
E shekujve potera
Qi me vrull u përplas mbi tok’ shqiptare
Ndonjij ndrrimi edhe n’ty i cili shtegun,
Por prap kumbimet n’buzë i ke krenare
Si n’mot qi Ilirt Shqipnis i a ruejshin bregun.

Thue buza e kangatarve të paemën
Qi gzim e idhnim me ty knduen majë mali
Dhe kanga u humbi n’errësin e motit,
Kët përmallim qi mungullon mbi t’ëmën
E vjen nga heshtja e shekujve m’a fali,
Mue trashigues i tune n’dhe t’Kastriotit?
N’kthjelltin e ditës s’sotit
Kang’ ndoshta t’kndueme qi vorroi kalesa
Këndoi, o gjuh’ lulzue n’shkreti, dh’asht goja
E eme ahmarrse e gojve qi harresa
N’terr mbylli, kur ti s`kishe as sheje as shkroja.

Motrat e tueja qi kumbuene n’shekull
Bukurin tue sjell’ n’prak t’ksaj jete
E tjetra ligj’t e Arsyes qi mbarshtrojn’ fise,
Heshtën e rrojn’ veç n’karta: ti, për mrekulli,
Me nji mosh’ trimij vjetsh e blerun mbete
Edhe kumbon e gjall’ po n’ato vise
Ku me lshue tingujt nise
N’foshnjin e botës. Pse t’ka ruejtun fati
T`njom edhe virgjin? Egërsija jote
Mos mban n’at gji, q’i hueji nuk pecati,
Stinën e fundme t’poezis s’ksaj bote?

O shqipe plot me munguj, o gjuh’ burrash
Qi me ‘i fjal’ t’vetme lidheshin për laku
Dhe soje as vdekja s’mujte kurr me i trande,
Shprehje t’kulluet na ep si akull gurrash
Për kang’t e burrnis s’lasht q’ushqejm’ te gjaku
E t’lavdis s’re qi me t’fitue na kande;
Thjeshtin e ambël t’ande
Me ndjell’ dashnin e vashavet qi t’flasin
Falja poetve t’u, por n’qe se kamben
Buzës amtare kush ia ven, ti casin
Mos prit: banu rrufe me lshue n’të namen.

O Kangë, Arbnor’t e plogtë i kapi gjumi;
Ti kris si za burije
Mbi ata qi flejn’ pa andrra fisnikije:
E n’qe se belkacuk’t e gjuh’s ilire,
Tue t’ndie fishkllojn’ prej smire,
Me rrahje flatrash ik n’nalsi t’kalthera./ KultPlus.com

‘Zare trëndafile’, nga zëri magjik i artistes shqiptare Tefta Tashko-Koço (VIDEO)

Tefta Tashko-Koço, artistja që më zërin e saj të veçantë dhe tejet emocionues bëri për vete zemrat e publikut shqiptarë, njihet si një këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare, shkruan KultPlus.

Interpretimet e saj janë vlerësuar gjithmonë dhe ende gjeneratat e kaluara e kujtojnë me mall dhe nostalgji kohën kur ajo interpretonte dhe vazhdojnë t’i dëgjojnë këngët e saj me shumë dashuri.

Tefta Tashko-Koço ishte sopranoja, që për herë të parë në repertorin e koncerteve të saj, krahas arieve të klasikëve botërore, futi dhe kënge popullore qytetare shqiptare. Janë të paktën 89 këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë që ajo i këndoi. Madje 36 prej tyre i regjistroi në pllaka gramafoni në Itali dhe Francë.

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon.

Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëve të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj.

Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkëngjisnim edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare. / KultPlus.com

Prezantohet në Londër statuja e Indiana Jones

Statuja e Indiana Jones, të cilën e prezantoi disa ditë më parë në Londër aktori 80 vjeçar, Harrison Ford, u prezantua edhe në publik.

Statuja tregon eksploruesin e famshëm Jones me një kamxhik në dorë. Ajo u ekspozua në sheshin Leicester në Londër.

Prezantimi i kësaj skulpture koincidon me lansimin e filmit të ri “Indiana Jones and the Dial of Destiny” që po shfaqet tani në Britani.

Në këtë film, rolin e eksploruesit e luan Ford. Kjo është paraqitja e tij e pestë me këtë rol ikonik.

Skulptura është nga bronzi. Ajo më saktësisht u vendos në terracën veriore të sheshit Leicester, që është një prej vendeve më të frekuentuara të Evropës.

Sa i përket filmit Indiana Jones, filmi i parë “Raiders of the Lost Arc” u lansua në vitin 1981. Më pas në vitin 1984 u lansua një film me ngjarje që i paraprinë atij të vitit 1981, e që u titullia “The Temple of Doom”, e në vitin 1989 u lansua filmi vazhdim “The Last Crusade”. Filmi i katërt ‘The Kingdom of the Cdystal Skull” u lansua në vitin 2008.

Filmi i pestë “The Dial of Destiny” u lasua në festivalin e 76-të të filmit në Kanë të Francës me 18 maj 2023.

Ky film ka marrë kritika të përziera. Ai çmohet për paraqitje të aktorëve me role, për anën vizuele e regji, ndërkaq kritikohet për përfshirje të skenave që vënë në pyetje se kush janë në të vërtetë protagonistët. Ky film u realizua me një buxher prej 295 milion dollarëve, dhe pritet të shihet sa do të arrijë sukses./21Media/KultPlus.com

Pse duhet ta lexojmë Dostojevskin?

Herman Hesse

Ka shumë analiza për penën e tij, por më e thella dhe e goditura edhe pse koncize, mbetet kjo e nobelistit Herman Hesse. Duhet ta lexojmë Dostojevskin kur jemi përtokë, kur kemi vuajtur deri në kufi të së arsyeshmes dhe e gjithë jeta na dhemb si një plagë e vetme djegëse dhe përvëluese, kur frymojmë dëshpërimin dhe kemi vdekur nga njëmijë vdekje të pangushëllueshme. Atëherë, në momentin kur ndodhemi të vetmuar dhe të mpirë në mes të ndyrësisë- kthejmë vështrimin nga jeta e nuk ja kuptojmë shkëlqimin e saj të pashpirt dhe të egër dhe as nuk duam më t’ia dimë, ja, pikërisht atëherë, jemi të pjekur për muzikën e këtij shkrimtari të tmerrshëm dhe të mrekullueshëm.

Atëherë, në fakt, nuk jemi më spektatorë, nuk jemi më gjyqtarë ose shijues, por jemi të mjerë në mes të gjithë djajve të tjerë të mjerë në romanet e tij, vuajmë vuajtjet e tyre, të magjepsur dhe të shtangur ne shikojmë vorbullën e jetës, gurin e mullirit të palodhur nga bluarja e vdekjes. Dhe në atë momente ne ndjejmë muzikën e Dostojevskit, ngushëllimin dhe dashurinë e tij, dhe vetëm atëherë ne provojmë ndjesinë e mrekullueshme të botës së tij poetike, të tmerrshme dhe shpesh deri në mizore. Dy fuqi të pushtojnë në librat e tij, i pari është dëshpërimi, pranimi i së keqes, i të pësuarit, i mos kundërshtuarit të mizorisë gjakësore dhe problematike të natyrës njerëzore. Nga kjo vdekje duhet vdekur, ky ferr duhet përshkruar nëse do që edhe zëri tjetër i mjeshtrit, ai zëri qiellor të mbërrij deri tek ne.

Sinqeriteti i lakuriqtë me të cilin rrëfehet jeta jonë njerëzore është një gjë e mjerë, e pasigurt dhe ndoshta e dëshpëruar, një fillim i pashmangshëm.. Duhet ti dorëzohemi dhimbjes, ti braktisemi vdekjes, buzëqeshja cinike e ferrit të realitetit lakuriq dhe të ashpër duhet të ngrijnë sytë tanë, para se të jetë në gradë të presë thellësinë dhe vërtetësinë e asaj tjetrës, pikës ose fuqisë së dytë.

Pika e parë (fuqia) i thotë po vdekjes, jo shpresës, heq dorë nga të gjitha zbukurimet, të gjitha eufemizmat konceptuale dhe poetike me të cilat jemi mësuar të maskohemi nga rreziqet dhe brutalitetet e ekzistencës njerëzore nga ana e disa shkrimtarë të këndshëm.

Por e dyta na tregon një element të ndryshëm nga vdekja, një tjetër realitet, një tjetër thelb: domethënë ndërgjegjen e njeriut. Megjithëse, e gjithë jeta njerëzore, luftë dhe dhimbje, poshtërsi dhe mizori ka edhe diçka tjetër, ndërgjegjen, domethënë aftësinë e qenësishme të njeriut për t’ju kundërvënë Zotit. Vërtet ndërgjegjja gjithashtu na çon përmes dhimbjes dhe terrorit të vdekjes , në mjerim dhe faj, por ama na nxjerr nga vetmia e padurueshme e absurdit, na vë në kontakt me sensin e gjërave, me thelbin e tyre, me përjetësinë. […] Këto dy mesazhe i ndjeva tek Dostojevski, kur isha një lexues i mirë i librave të tij, domethënë në orët kur dhimbja dhe dëshpërimi më kishin përgatitur ta kuptoja. Është një artist që më bëri të ndjej diçka të ngjashme, një muzikant që nuk jam i gatshëm ta dua dhe ta dëgjoj në çdo kohë, ashtu siç nuk do të doja gjithmonë ta lexoja Dostojevskin. Është Beethoven. Ai ka atë njohuri të lumturisë, mençurisë dhe harmonisë, të cilat, megjithatë, nuk hasen përgjatë shtigjeve të lehta, por shkëlqejnë herë pas here në rrugën që shkon buzë humnerës dhe nuk arrihen duke buzëqeshur, por vetëm me lot dhe të rraskapitur nga dhimbja.

Përktheu Brizida Gjikondi / KultPlus.com

‘Spider Man Across the Spider-Verse’, filmi më i shikuar i javës

Në top listën e filmave më të shikuar të javës së boks ofisit, kryeson filmi “Spider-Man Across the Spider Verse”.

Kjo është java e katërt që ai u vlerësua në këtë ranglistë.

Ky film është vazhdim i filmit” Spider-Man: Into the Spider-Verse”, të realizuar në vitin 2018. Ai u dha premierë në Los Angeles më 30 maj 2023.

Filmi “Spider-Man Across the Spider Verse” paraqet njeriun Merimangë, Majlls-in, i cili takohet me një ekip të ri të personave merimanga, të njohur si shoqëria e merimangave.

Ashtu si filmat tjerë para tij Spider-Man, edhe ky film mori kritika pozitive nga kritikët, dhe po ashtu arriti sukses në boks office. Ai u realizua me një buxhet prej 100 milionë dollarësh. Në boks ofisin amerikan fitoi 316 milionë e 754 mijë dollarë, ndërkaq në atë botëror 563. 1 milion dollarë./21Media/KultPlus.com

Anna Frank: Kush ka guxim dhe vetëbesim nuk do të mposhtet kurrë nga fati i keq

Anna Frank është vajza që vdiq në vitin 1945 në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, në Gjermani. Ajo u bë e famshme kur ditari i saj iu publikua pas vdekjes, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të fuqishme të kësaj vajze që tashmë konsiderohet si zëri i të gjitha viktimave të Luftës së Dytë Botërore:

“Vërtet është për t’u habitur se si nuk kam hequr dorë nga të gjitha idealet e mia sepse duken shumë absurde dhe të pamundura për t’i realizuar. Megjithatë nuk tërhiqem nga ato, përkundër të gjithave edhe më tutje besoj se njerëzit janë të mirë.”

Njerëzit mund të të thonë mbylle gojën, por kjo nuk të ndalon e as nuk të pengon që të kesh mendimin tënd.

Sa mirë është ajo kur askush nuk duhet pritur asnjë çast për ta bërë botën më të mirë.

Në shtigje të gjata, arma më e mprehtë nga të gjitha është shpirtmirësia dhe ndjeshmëria.

Kujto të gjitha bukuritë rreth teje dhe bëhu i lumtur.

Fati meritohet duke bërë vepra të mira dhe duke punuar, duke mos spekuluar dhe duke mos qenë i mërzitshëm e i bezdisshëm.

Madhështia e njeriut nuk bazohet në pasuri dhe forcë, por në karakter dhe mirësi. Njerëzit janë vetëm njerëz dhe të gjithë njerëzit kanë mangësi dhe veti, por të gjithë ne lindim të mirë.

Mund të jesh i vetmuar madje edhe atëherë kur shumë njerëz të duan, nëse për askënd nuk je një dhe i vetëm.

Të gjithë jetojmë me dëshirë që të jemi fatlum dhe të lumtur. Jetët tona janë të ndryshme, por përsëri të njëjta.

Thellë në vetvete, të rinjtë janë më të vetmuar se të moshuarit.

Pse disa njerëz duhet të durojnë urie, përderisa ne viset tjera të botës ka tepricë? Oh, pse njerëzit janë ashtu të çmendur.

Nuk dua të jetoj kot, si shumica e njerëzve. Dua të jem e dobishme dhe t’u sjellë kënaqësi të gjithë njerëzve, madje edhe atyre të cilët kurrë nuk i kam njohur. Dua të vazhdoj të jetoj edhe pas vdekjes.

Kam kuptuar se bukuria gjithmonë diku ekziston-në natyrë, në rrezet e Diellit, në liri, në ty; e gjithë kjo mund të të ndihmojë.

Prindërit mund të japin këshillë të mirë ose ta orientojnë fëmijën në rrugë të drejtë, por përfundimisht formimi i karakterit të ndokujt qëndron në duart e tij.

Është vetëm një rregull që duhet mbajtur në mend: qeshu për gjithçka dhe harro të gjitha të tjerat! Tingëllon shumë egoiste, por ky është ilaçi i vetëm kundër vetëkeqardhjes (dëshpërimit).

Megjithëse jam 14 vjeçe, e di mjaft mirë se çfarë dua, e di çfarë është e drejta dhe çfarë është e gabuara.

Kam opinionet e mia, idetë e mia dhe pariemt e mia, dhe megjithëse mund të duket çmenduri për një adoleshente, ndihem më shumë përson se sa fëmijë, ndihem më e pavarur se çdokush.

Secili që është i lumtur do ti bëjë edhe të tjerët të lumtur.

Pavarësisht gjithçkaje unë besoj akoma që njerëzit kanë një zemër të mirë.

Nuk e mendoj kurrë mjerimin, por bukurinë që ka ngelur ende. /KultPlus.com

‘Guxo’

Poezi nga Ndre Mjeda

Guxo

Lundërtari qe s’rrezikohet
Kur asht’ deti shkum’ e valë
Vetë me vedi mos t’ankohet
Se i shkoi dita pa fitim
Tuj u tall’ e tuj pritue
Kurrgjasend nuk qitet n’dritë
Çfarëdo sendi me fitue
Trimni lypet e guxim./KultPlus.com

Natë dhëndrie me Fatimen

Nga Teki Dervishi.

ecim këmbëzbathur shkretëtirës së trupit tim
çdo gjë po ndryshket kurse koha mbetet e njomë
nga pikëllimi shputat e këmbëve më zvogëlohen
trupi im ka vdekur prej kërdhokullave e deri në kokë
Fatimja edhe pak do të rrijë para pasqyrës
me ngjyrat e saj erëmira të fytyrës
kurse unë do t’ia prek vetëm gjunjtë
me fjalët persishte të dashurisë sime
dashuria ime është dëllinjë e hedhur
në një zjarr të madh diku në Indi
ku trupi i hipikes digjet

Grupet folklorike të qarkut të Shkodrës atmosferë elektrizuese në kalanë e Gjirokastrës

Këngët dhe vallet e interpretuara nga grupet folklorike të qarkut të Shkodrës elektrizuan publikun gjirokastrit dhe turistët që po ndjekin Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.

Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni ndau në rrjetet sociale momente nga interpretimi i grupeve folklorike të këtij qarku.

Motivet që u përcollën shprehnin diversitetin kulturor të zonave të ndryshme etnografike, ku grupet sollën epikën, lirikën, këngë dashurie apo koreografi dhe lashtësi, si ritet pagane të Ditës së Verës nga grupi i Pukës.

“Lahuta në dorën e Lumturie Nonajt, e cila kishte veshur xhubletën, sollën atmosferën e lashtë të epikës sonë legjendare nga “Eposi i Kreshnikëve”, pjesë e artë e folklorit shqiptar të njohura si “Këngët e Mujit dhe Halilit”, Malësia e Madhe dhe Kelmendi, pjesë e grupit folklorik të Shkodrës i sollën spektatorit dhe mbërthyen në meditime me perla nga thellësia e shekujve, me motive thellësisht epiko-luftarake dhe mbijetese”, theksoi Angoni.

Prefektja Angoni u shpreh se “ky folklor i pasur dhe unik për nga lloji me lahutën, xhubletën, vajin ose “gjëma e burrave në mort” është gatuar e ruajtur fort nga interpretuesit dhe rapsodët popullorë që e sollën autentike në skenën e festivalit”.

Festivali Folklorik Kombëtar që po zhvillohet në kalanë e Gjirokastrës ka nisur të shtunën dhe vijon deri në datën 2 korrik. Festivali është kthyer në një atraksion turistik, i cili promovon foklorin dhe traditën e vendit tonë. Në festival marrin pjesë grupe nga të 12 qarqet e vendit, por edhe nga vendet fqinje./KultPlus.com

Jacopo Sipari di Pescasseroli zgjidhet drejtor artistik në Teatrin e Operës

Jacopo Sipari di Pescasseroli është drejtori i ri artistik i Drejtorisë së Operës dhe Filarmonisë (DOF), në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Drejtoresha e Përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina prezantoi maestro Sipari para trupës artistike dhe stafit administrativ, pas mbylljes së konkursit, që qëndroi i hapur përgjatë 1 muaji.

Voshtina theksoi se, edhe pse statuti ia lejonte të emëronte një drejtor artistik, ajo zgjodhi të hapte një konkurs ndërkombëtar për të mos i kufizuar standardet e përzgjedhjes.

I lumtur për këtë përzgjedhje është shprehur dhe maestro Sipari, i cili para trupës dhe stafit të TKOB-së tha se, “bashkë me drejtoreshën e Përgjithshme kemi të njëjtin synim: Ta transformojmë TKOB-në në një nga teatrot më prestigjioze në Evropë”.

Jacopo Sipari di Pescasseroli është i njohur si fitues i çmimit “Golden Opera Special Prize” në janar të 2020-s, për gjeneratën e re nga “Oscars of Opera”, si një nga dirigjentët më premtues për operat në Itali.

Gjithashtu ai është diplomuar edhe si jurist. Sipari zotëron 2 doktoratura në të Drejtën Penale dhe atë Kanonike, të shkruara në gjuhën latine. Prej nëntë vitesh shërben si Docent i të Drejtës Penale, në Universitetin “Roma Tre”, por edhe më parë njihej si avokati më i ri i Gjykatës Apostolike Romake “Rota”, në Vatikan, institucioni më i lartë gjyqësor i Kishës Katolike./atsh/KultPlus.com

Madonna sëmuret, e ndërpren turin e koncerteve

Këngëtarja Madonna e ka shtyrë mbajtjen e turit të saj të koncerteve pasi është e sëmurë dhe do të qëndrojë në kujdesin intensiv për disa ditë.

Në një njoftim të lëshuar nga menaxheri i këngëtares, Guy Oseary, në Instagram ka deklaruar se të shtunën Madonnës i është shfaqur një infeksion serioz bakterial për të cilin ajo detyrohet të qëndrojë e shtrirë në spital për disa ditë.

“Shëndeti i saj është duke u përmirësuar, megjithatë ajo është nën përkujdesin mjekësor. Një shërim i plotë duhet të ndodh”.

“Në këtë kohë ne duhet të ndërprejmë për një periudhë të gjitha paraqitjet, përfshirë edhe turet e koncerteve”.

“Ne do të ndajmë detaje të tjera me për shëndetin e saj, por edhe do t’iu informojmë për datat e tureve”, ka thënë Oseary.

64-vjeçarja kishte për të perfomuar më 15 korrik në Vankuver të Kanadës turin e saj, “Celebration”, shkruan Skynews, transmeton Klankosova.tv./KultPlus.com